Situata politike e botës dhe përgjegjësia e besimtarit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Situata politike e botës dhe përgjegjësia e besimtarit

Hazret Mirza Masrur Ahmed, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, në hytben e tij të së xhumasë, të mbajtur më 30 qershor 2017, ndër të tjera hodhi dritë mbi situatën e brishtë politike të botës dhe mbi përgjegjësinë që kanë besimtarët në këtë kohë. Në vijim, paraqesim një pjesë të shkëputur të kësaj hytbeje.

Hazret Mirza Masrur Ahmed, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht, tha:

E gjithë bota po përfshihet në një situatë të tillë që duket sikur po marshon drejt shkatërrimit të saj. Superfuqitë janë të angazhuara për të shkaktuar luftë mes muslimanëve. Dhe, siç e them prej disa vitesh, muslimanët janë bërë lodër në duart e tyre, duke e dobësuar kështu fuqinë e vet. Në këtë mënyrë, vendet islamike tashmë e kanë çuar veten dekada mbrapa, për sa i përket rënies së tyre.

Plani i Amerikës me sa duket është shumë i rrezikshëm. Po bëhen përpjekje që të krijohen situata të tilla në luftën e Sirisë, saqë Irani të nxitet t’i çojë ndihma akoma më shumë Sirisë. Dhe mundet që Irani të marrë hapin për t’i dërguar edhe përforcime ushtarake dhe më pas t’i hapet një shteg Amerikës dhe Izraelit për t’u armiqësuar me Iranin. Kjo do të shkaktonte një luftë drejtpërdrejtë mes tyre dhe Iranit, në të cilën, për fat të keq, edhe Arabia Saudite do të rreshtohej përkrah aleatëve të saj.

Me shumë dinakëri po punohet nga disa superfuqi kundër Islamit dhe kundër muslimanëve që këta të fundit të dobësohen. Por kjo luftë nuk do të mbetet e kufizuar. Edhe Rusia do të dalë hapur për të mbështetur aleatet e saj, gjë të cilën ajo tregon herë pas here. Analistët thonë se kjo situatë do t’i paraprijë një lufte botërore. Edhe ato vende islamike që deri më tani shquhen si të zhvilluara, pas kësaj lufte do të bien, kurse një pjesë e madhe prej tyre, siç ju thashë, tashmë e kanë çuar veten dekada mbrapa.

E njëjta është situata me Katarin këto ditë. Një përpjekje tjetër për të shkaktuar luftë mes muslimanëve. Më shumë se asgjësimi i terrorizmit, ndihet era e një zilie sekteriane dhe e një tentative për t’ia rrëmbyer pasurinë tjetrit dhe për ta mbajtur atë nën kontrollin e vet.

Amerika në fillim i dha leje Arabisë Saudite t’i vinte sanksione Katarit, siç e pasqyruan mediat udhëtimin e Presidentit të Amerikës në Arabinë Saudite. Por pasi Arabia Saudite bashkë me aleatet e saj i vuri sanksionet kundër Katarit, Amerika pohon se sanksionet ishin shumë të rënda dhe se ato duheshin zbutur. Në këtë mënyrë, Amerika po hiqet neutrale. Vendet islamike nuk arrijnë të kuptojnë se po gatuhet një intrigë kundër tyre dhe kundër Islamit dhe që ne duhet të shpëtojmë prej saj.

situata politike e botes

Hazret Mirza Masrur Ahmed, Kalifi i Pestë i Imam Mehdiut, Mesihut të Premtuar

Situata e trazuar nuk është vetëm në Lindjen e Mesme që mund të shndërrohet në shkëndije lufte. Tensionet mes Amerikës dhe Koresë po rriten çdo ditë e më shumë. Analistët po thonë hapur që çdo përdorim armësh sado i vogël qoftë nga ana e Amerikës, qoftë nga ana e Koresë, edhe sikur të jetë thjesht për të kërcënuar njëri-tjetrin, do të shkaktojë luftën më të keqe në rajon.

Kështu që, bota po kalon në një situatë të frikshme. Kina edhe pse është aleate e Koresë, po përpiqet ta qetësojë Korenë dhe Amerikën, duke kuptuar pasoja të frikshme të luftës në rajon.

Lexoni:

Përveç kësaj, edhe shpikjet e reja që njeriu i bëri për lehtësinë, komunikimin dhe sigurinë e vet, të sistemit ekonomik dhe të sistemeve të tjera të tij, po ky rrjet mund të bëhet shkaktar edhe i shkatërrimit të tij. Këto ditë në mënyrë të herëpashershme po bëhen sulme kibernetike si në rangun kombëtar, ashtu edhe në atë global. Këto sulme arrijnë të shkatërrojnë gjithë sistemin kompjuterik të sektorëve të ndryshme. Një sulm i tillë ishte ai i kohëve të fundit që shkatërroi sistemin e NHC (Shërbimin kombëtar shëndetësor të Anglisë), sistemin e Aeroportit etj.

Këto sulme mund të luajnë një rol të rrezikshëm edhe në përdorimin e armëve. Siç e bëri të qartë një përfaqësues i NATO, që sulme të tilla nëse bëhen në sistemin e saj ose në çështjet delikate që mund të shkaktojnë luftë, nuk është e lehtë të përballohen. Ky ishte alarmi që jepte.

Kështu që, bota vetë po hap rrugët e shkatërrimit të saj. Vendet e zhvilluara mendojnë se zhvillimi i tyre do të jetë garant i sigurisë së tyre, por në fakt, mund të ndodhë pikërisht e kundërta.

Përveç kësaj, krerët e shteteve të ndryshme po neglizhojnë çdo gjë që nuk përbën interesat e tyre të ulëta. Sidomos kur vetë kreu i superfuqisë më të madhe të botës materiale, duke qëndruar në qerthullin e vet ndërton kështjella rëre dhe mendon se bota duhet të eci siç thotë ai, situata do të vijojë të përshkallëzohet. Një gjë është e qartë, ai është bërë pre e mburrjes dhe për shkak të kësaj dhe për shkak të urrejtjes ndaj muslimanëve mendon t’i asgjësojë ata dhe çdo armik të vet. Në këtë përpjekje, ai nuk e kupton se nga përshkallëzimi i situatës edhe ai vetë nuk mund të jetë i sigurt.

Fatkeqësia e muslimanëve është që mbretërit që sot janë sundimtarë të qendrës islame, nuk janë të sinqertë në besim dhe për të treguar epërsinë e tyre në rajon, kanë rënë në prehrin e forcave jomuslimane, duke e dobësuar kështu Islamin në botë. Siç ju tregova më parë, kjo është gjendja e mbretërisë saudite.

Edhe krerët e tjerë të vendeve islamike, duke bërë vijueshmërisht zullume, i kanë bërë kundërshtarë vet popujt e tyre. Për të forcuar pushtetin e tyre, u duhet t’i vijojnë mizoritë më shumë se përpara. Kjo është gjendja në Siri, në Irak dhe në vende të tjera pak a shumë. Ata kujtojnë se do t’i zgjidhin çështjet me politikat e veta. E vërteta është që zgjidhja e tyre qëndron vetëm në atë që tregoi Profeti Muhammed s.a.v.s., pra ta pranojnë Mesihun e Premtuar, Imam Mehdiun.

Ne ahmedianët materialisht jemi të dobët dhe nuk kemi ndonjë forcë, ndonjë pasuri e as ndonjë shtet. Por jemi fatlumë që kemi pranuar Mesihun dhe Mehdiun që erdhi sipas profecisë së Profetit Muhammed s.a.v.s., sepse tashmë paqja dhe siguria e botës është e lidhur me të. Ajo do të vendoset nëpërmjet mënyrës siç na e ka treguar Hazret Mesihu i Premtuar a.s..

Ka vetëm një rrugë për botën nëse  mund të shpëtojë nga shkatërrimi i luftërave dhe ajo është lutja e dhimbshme e çdo ahmediani për të shpëtuar njerëzimin nga shkatërrimi. Njëherë Profeti Muhammed s.a.v.s. tha:

“Lutja mund të të shpëtojë nga edhe ajo gjëmë që ka rënë, dhe edhe nga ajo gjëmë që nuk ka rënë ende. Andaj, o robërit e Allahut! Përmbahuni lutjes!”

Kështu që, ne duhet të përqendrohemi shumë në lutjet, duke e ndjekur këtë porosi të Profetit Muhammed s.a.v.s. Sot është detyrë e çdo muslimani ahemdian të ndjejë dhimbjen e njerëzve të të gjithë botës dhe të luten për ta; të ndjejë dhimbjen e vështirësive dhe gjëmave që qëndrojnë në kokë, por që ende nuk kanë rënë, dhe që shtetet dhe popujt as nuk po i ndiejnë, dhe të luten për ta; të luten për miliona jetë të të pafajshmëve që nuk e kuptojnë se çfarë po bëhet kundër tyre.

Siç ju thashë, njerëzit materialist zotërojnë fuqitë materiale, mendojnë se janë nëpër kështjella të sigurta, ku do të jenë të mbrojtur nga pasojat e shkatërrimit. Por ata nuk kuptojnë se shkatërrimi po marshon me shpejtësi drejt tyre.

Sot është pikërisht detyra e shërbëtorëve të Mesihut të Premtuar a.s. që aty ku të luten për veten e vet që Zoti t’i forcojë ata në besim, t’ua fuqizojë lidhjen me Të, t’i shtojë akoma më shumë në lutje, t’ua largojë vështirësitë dhe telashet, të luten edhe për të gjithë umetin musliman, që Allahu u dhëntë mend edhe atyre që ata të kuptojnë pozitën dhe përgjegjësinë e tyre, të mos bien në prehrin e forcave të tjerëve dhe të kundraislame, Zoti i bëftë ta pranojnë të dërguarin që Ai u ka dërguar për sigurinë e tyre.

Gjithashtu, muslimanët ahmedianë duhet të luten me dhimbje të plotë edhe për të shpëtuar njerëzimin nga shkatërrimi, që këto luftëra të evitohen. Gjëmat mund të evitohen me anë të lutjeve dhe sadakave. Andaj, nëse bota do të anojë nga përmirësimi, këto luftëra edhe mund të shmangen.

Ne nuk jemi të gëzuar që një pjesë e botës të shkatërrohet dhe pjesë tjetër e saj të mësojë nga pësimi dhe vetëm pastaj të përulet para Zotit të Madhërishëm, duke e pranuar atë që ka ardhur prej Tij. Përkundrazi, ne do të gëzohemi kur Allahu i Madhërishëm të mos ndëshkojë njeri për të këqijat e tij dhe bota t’i thërrasë mendjes dhe të shpëtojë nga vetëshkatërrimi, madje ne për këtë përpiqemi dhe lutemi.

Detyra e ne shërbëtorëve të Mesihut të Premtuar nga njëra anë është që ta përhapim sa më shumë mesazhin e tij që tashmë kështjella e sigurt e kësaj epoke ndërtohet vetëm duke u lidhur me Mesihun e Premtuar a.s. dhe, nga ana tjetër, të lutemi sa më shumë për njerëzit, me bindje të plotë se Zoti i Madhërishëm do të na dëgjojë lutjet dhe do t’u japë mend edhe atyre, që ata të shpëtojnë veten nga humnera e shkatërrimit.

Zoti na bëftë ta përmbushim këtë misionin tonë, që na e ka sjellë Hazret Mesihu i Premtuar a.s., që ta sjellim botën nën flamurin e Profetit Muhammed s.a.v.s.. Zoti na bëftë të aktivizojmë të gjitha aftësitë dhe përpjekjet tona, duke çuar edhe lutjet deri në skajin tjetër për ta përmbushur këtë mision, sepse triumfi i Hazret Mesihut të Premtuar a.s. mbi botën do të bëhet përmes lutjeve. Atij i është dhënë arma e lutjes.

Andaj, siç ju thashë më parë, tanimë edhe pas Ramazanit, kemi nevojë ta forcojmë lidhjen tonë me Zotin e Madhërishëm dhe të vijojmë të hedhim hapa përpara në adhurim dhe lutje. Allahu na e mundësoftë këtë gjë!

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Lutja është një pasuri dhe forcë e madhe. Kurani Famëlartë vazhdimisht na inkurajon për këtë, duke rrëfyer edhe gjendjen e njerëzve, të cilët përmes lutjes shpëtuan nga gjëmat. Është pikërisht lutja, mjeti kryesor i mbijetesës dhe i sukseseve të profetëve, paqja qoftë mbi ta.

Andaj, ju këshilloj të jeni të angazhuar në lutje për të fuqizuar gjendjen tuaj të besimit dhe aftësitë tuaja të veprimit. Përmes lutjeve do të ndodhë një ndryshim dhe me bekimin e Zotit të Madhërishëm do të kemi një fund të mbarë!”

Zoti ne të gjithëve na mundësoftë fundin e mbarë dhe ne asnjëherë mos u bëfshim nga ata që bien në prehrin e djallit! Zoti na bëftë të kalojmë jetën tonë sipas porosive të Tij dhe të Dërguarit të Tij!

(Marrë nga hutbja e së xhumasë, e datës 30.06.2017)

Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem