Islami dhe Evropa, a është një përplasje qytetërimesh?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
islami dhe evropa europa perplasje

[Ky është përkthimi në gjuhën shqipe i transkriptit origjinal të fjalimit të mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmed a.b.a. Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, më 22 tetor 2019 në Hotel Adlon në Berlin, Gjermani. Në pritjen morën pjesë figura të shquara të politikës shtetërore dhe federale të Berlinit, personalitete të shkencës, të feve dhe të shoqërisë civile.]

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.

Të gjithë mysafirë të nderuar,

Es-selamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju të gjithë!

Para së gjithash, do të doja të shfrytëzoj rastin për të falënderuar të gjithë mysafirët që kanë pranuar ftesën tonë dhe na janë bashkuar këtu në këtë mbrëmje.

Në botën e sotme, veçanërisht në vendet e zhvilluara perëndimore, ka një debat të nxehtë mbi imigracionin dhe mbi efektin e tij në shoqëri. Debati më së shumti është i përqendruar te muslimanët. Disa qeveri dhe njerëz civilë kanë frikë nga një “përplasje qytetërimesh” dhe besojnë se muslimanët janë një kërcënim për shoqërinë e tyre dhe se ata nuk mund të integrohen në botën perëndimore. Para se t’i përgjigjemi kësaj polemike, është e rëndësishme të përcaktojmë se çfarë kuptohet saktësisht me nocionin “civilizim”. Në lidhje me këtë, paraqes përkufizimin e dhënë nga Kalifi i Dytë i Xhematit Musliman Ahmedia, me të cilin jam plotësisht dakord.

Sipas mësimeve të Islamit, ai e përkufizoi civilizimin si progresin material dhe zhvillimin e një shoqërie. Faktorët që tregojnë forcën e një civilizimi përfshijnë progresin e tij ekonomik, nivelin e inovacionit në teknologji, përparimin e mjeteve të transportit dhe të komunikimit, si dhe progresin intelektual të shoqërisë. Veç kësaj, përpjekjet e një kombi për të nxitur paqen dhe stabilitetin, qoftë në saje të zbatimit të ligjit të tij dhe të aftësisë ushtarake, qoftë me ndonjë metodë tjetër, gjithashtu është një masë e civilizimit të tij.

E ndarë dhe e dallueshme nga civilizimi është “kultura” e një kombi. Kultura është një shfaqje e pikëpamjeve të një populli, e qëndrimeve të tyre ndaj çështjeve sociale dhe praktikave të tyre dhe, në vend që të bazohet në përparimin material, kultura është e rrënjosur në moralin dhe në vlerat fetare dhe traditat e një kombi. Kështu që, civilizimi është zhvillimi material, teknologjik dhe intelektual i një shoqërie, ndërsa kultura e saj bazohet në përbërjen fetare, morale dhe filozofike të asaj. Dallimi midis civilizimit dhe kulturës mund të kuptohet lehtësisht nëse kthehemi në periudhën e hershme të krishterimit.

islami dhe evropa europa perplasjeNë atë kohë, Perandoria Romake ishte në kulmin e fuqisë së saj dhe, edhe tani, ajo konsiderohet si një nga qytetërimet më të mëdha në historinë e botës. Për shkak të prosperitetit të tyre material, të urbanizimit dhe të mënyrës së qeverisjes së territoreve të tij, romakët konsideroheshin jashtëzakonisht shumë të civilizuar e të arsimuar. Megjithatë, sofistikimi i tyre nuk shoqërohej nga standardet e larta të moralit. Përkundrazi, ishte krishterimi i periudhës së parë ai që frymëzoi te njerëzit e asaj shoqërie një kulturë përparimtare.

Krishterimi u dha njerëzve parime udhëzuese të bazuara në fe dhe moral, ndërsa romakët përcaktuan ligjet dhe kufijtë e botës tokësore. Kështu që, përparimi material dhe zhvillimi i romakëve pasqyronte civilizimin e tyre madhështor, ndërsa Krishterimi i dha popullit një kulturë të lavdishme. Me kalimin e kohës, Krishterimi u bë feja mbizotëruese e Perandorisë Romake dhe kështu kultura që ajo vendosi u përvetësua nga një civilizim i madh. Të dyja bashkë me ndikimin e tyre suprem, vendosën themelet për vlerat dhe traditat që mbesin edhe sot në Perëndim.

Ndërsa njerëzit në Perëndim po largohen nga feja, vlerat themelore morale që janë të ngulitura në shoqërinë perëndimore janë ato të dhëna nga Krishterimi. Sa i përket debatit për emigracionin, në dekadat e fundit, demografia e disa vendeve perëndimore ka ndryshuar. Emigrantët kanë mbërritur nga shumë vende, por ka qenë fluksi i muslimanëve që ka shkaktuar shqetësimin dhe alarmin më të madh. Shumë njerëz vendas kanë frikë se imigrimi masiv nga vendet muslimane kërcënon civilizimin, kulturën dhe vlerat e tyre, të cilat ekzistojnë prej shumë shekujsh.

Siç e kam sqaruar, ne e konsiderojmë civilizimin si zhvillimin material dhe avancimin e shoqërisë dhe vendet në zhvillim kërkojnë ta imitojnë rritjen dhe zhvillimin e Perëndimit dhe jo që ta refuzojnë, ta kundërshtojnë a ta mohojnë atë. Si rrjedhojë, jo që civilizimi perëndimor po braktiset, përkundrazi shohim të kundërtën. Për shkak të mjeteve moderne të transportit dhe të komunikimit, bota është bërë një fshat global. Vendet e tjera po ndikohen nga civilizimi perëndimor dhe aspirojnë për të arritur nivele të tilla të përparimit material dhe të inovacionit.

Andaj, pohimi se civilizimi perëndimor ose evropian është i kërcënuar nga prania e muslimanëve, nuk qëndron. Përkundrazi, civilizimi perëndimor po ndikon në pjesë të tjera të botës, duke përfshirë edhe botën muslimane. Nga ana tjetër, një frikë se kultura fetare dhe morale e Perëndimit mund të kërcënohet nëse Islami përhapet në Evropë është një shqetësim më i arsyeshëm dhe unë tani do të trajtoj këtë pikë.

islami dhe evropa europa perplasjeSë pari, është e pamohueshme që njerëzit po largohen me shpejtësi nga feja dhe kjo prirje është veçanërisht e theksuar në Perëndim. Në vendet perëndimore, sa herë që bëhet regjistrimi i popullsisë, rezulton se njerëzit janë gjithnjë e më pak të prirur drejt fesë a besimit në Zot. Nisur nga kjo, unë besoj se përhapja e shpejtë e ateizmit është një kërcënim shumë më i madh për kulturën perëndimore sesa Islami. Vlerat e Perëndimit janë shumë shekullore dhe bazohen në traditat e tij fetare dhe veçanërisht në trashëgiminë e tij të krishterë dhe hebre. Pra, këto vlera fetare dhe norma kulturore janë nën sulm nga ata që kundërshtojnë të gjitha format e fesë dhe të besimit.

Kështu që, si një udhëheqës fetar musliman, besoj se ju duhet të mbroni trashëgiminë dhe kulturën tuaj duke fokusuar energjitë tuaja në ndaljen e rënies së fesë dhe në kthimin e njerëzve përsëri drejt fesë dhe besimit – qoftë ky krishterimi, judaizmi apo ndonjë tjetër. Nuk duhet që, në emër të “progresit”, vlerat dhe standardet morale që kanë qenë pjesë e shoqërisë për shumë shekuj, papritmas të braktisen. Unë gjithashtu besoj se rënia e fesë në Perëndim është arsyeja kryesore që njerëzit i frikësohen Islamit, sepse ata e dinë se muslimanët, përgjithësisht, qëndrojnë të lidhur me besimin e tyre.

Në dritën e kësaj, dëshiroj të sqaroj se, pavarësisht nga ajo që dëgjoni ose lexoni në media, nuk ka asnjë arsye të frikësoheni nga Islami. Muslimanët besojnë se Kurani i Shenjtë është një mësim i përsosur dhe përfundimtar i fesë dhe pikërisht për shkak të dashurisë dhe bindjes sonë ndaj Kuranit të Shenjtë, ne besojmë me vendosmëri se feja është çështje e zemrës dhe personale për çdo individ. Në ajetin [varg] 257 të sures [kapitull] 2, Kurani Famëlartë ka thënë kategorikisht se nuk duhet të ketë imponim në çështjet e fesë.

islami dhe evropa europa perplasjePrandaj, nuk ka nevojë që jomuslimanët të kenë frikë se muslimanët do të përpiqen të përhapin me forcë bindjet e tyre ose të imponojnë pikëpamjet e tyre në këtë pjesë të botës. Ideologjia urrejtëse e pakicës së vogël të të ashtuquajturve muslimanë që kanë adoptuar ekstremizmin, nuk ka asnjë lidhje me mësimet e Kuranit Famëlartë. Në të vërtetë, kam thënë shumë herë që qeveritë dhe autoritetet përkatëse duhet të trajtojnë rreptësisht me ekstremistët, qofshin ata muslimanë apo jomuslimanë. Për sa i përket Xhematit Musliman Ahmedia, ne besojmë se Islami në asnjë rrethanë nuk lejon përdorimin e forcës ose ndonjë lloj shtrëngimi në përhapjen e fesë. Pse atëherë dikush të frikësohet nga Islami? Pse disa njerëz mendojnë se civilizimi apo kultura e tyre është në rrezik nga muslimanët? Tani, pasi shpjegova ndryshimet mes civilizimit dhe kulturës nga një këndvështrim islam, do të doja të paraqesja disa nga mësimet thelbësore të Islamit.

Shumë mite dhe ide të gabuara për Islamin dhe Themeluesin e tij (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) janë përhapur, dhe ngaqë nuk është e mundur të mbuloj të gjitha aspektet e mësimeve islame në një kohë kaq të shkurtër që kam në dispozicion, do të doja të përmend disa nga të drejtat e njeriut që Islami ka vendosur. Një ajet shumë domethënës i Kuranit të Shenjtë, përsa u përket të drejtave të njeriut, është ajeti 37 i sures 4, i cili thotë:

“Adhurojeni Allahun dhe mos barazoni asgjë me Të. Dhe bëjuni mirësi prindërve, të afërmve, jetimëve, të varfërve, fqinjëve farefis dhe fqinjëve jofarefis, shokëve, udhëtarëve dhe atyre që janë në pronësinë tuaj.”

Në këtë ajet, Allahu i Madhërishëm porosit muslimanët që ta adhurojnë Atë. Ai gjithashtu i porosit që të trajtojnë prindërit me dashuri e dhembshuri. Si mundet që ky mësim që u kërkon muslimanëve të duan dhe nderojnë prindërit e tyre, të ketë përplasje me ndonjë fe apo komb?

Ajeti gjithashtu kërkon që muslimanët t’i trajtojnë të afërmit dhe të dashurit e tyre me mirësi dhe konsideratë. Ai kërkon që ata të mbështesin dhe të përkrahin anëtarët më të rrezikuar dhe nën-privilegjuar të shoqërisë, siç janë jetimët. Në këtë drejtim, ne besojmë se një nga mënyrat kryesore për të ndihmuar të varfërit është përmes edukimit. Nëse mosha të reja të shoqërisë, që vijnë nga shtëpitë e prishura ose që janë të goditur nga varfëria, do të arsimohen, kjo do t’i lejojë ata të çlirohen nga prangat e varfërisë. Atyre do t’u hapen mundësi dhe kështu, duke qenë larg zhgënjimit dhe pakënaqësisë, të rinjtë e tillë do të rriten për t’u bërë pjesëtarë produktivë të shoqërisë, në vend se të joshen drejt një jete të krimit dhe të bandave.

islami dhe evropa europa perplasjeKjo është arsyeja pse Xhemati Musliman Ahmedia i jep rëndësi të madhe arsimit, dhe brenda mundësive tona të kufizuara, kemi ndërtuar shkolla në vende të ndryshme afrikane dhe financojmë bursa për studentë që nuk mund të përballojnë arsim të lartë. Ne gjithashtu besojmë se vendet e pasura duhet të ndihmojnë kombet më të dobëta të botës, që ato të ndërtojnë themele të forta. Nëse vendet e varfëra arrijnë të ndërtojnë ekonomitë dhe infrastrukturat e tyre, njerëzit e tyre do të kenë mundësi pranë shtëpisë së tyre dhe do kenë shumë më pak arsye për të migruar jashtë vendit. Nëse kombet e tyre janë të qëndrueshme dhe të prosperuara, rrjedhimisht do të përfitojnë edhe rajoni, edhe bota më e gjerë.

Në ajetin e lartpërmendur të Kuranit të Shenjtë, përmendet posaçërisht për të përmbushur të drejtat e fqinjëve, qoftë ata muslimanë apo jomuslimanë, gjë që përcakton se shtrirja e fqinjëve është jashtëzakonisht e gjerë. Veç kësaj, Profeti i Islamit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) tha që Zoti i Madhërishëm i kishte theksuar të drejtat e fqinjëve aq fort, saqë ai mendoi se fqinjët do të përfshiheshin mes trashëgimtarëve të ligjshëm të njeriut.

Themeluesi i Islamit (paqja dhe bekimi qoftë mbi të) gjithashtu na mësoi se ai që nuk është mirënjohës ndaj njerëzve, nuk mund të jetë mirënjohës ndaj Allahut të Madhërishëm.

Sa parim i bukur!

Pra, është e nevojshme që krahas adhurimit ndaj Zotit, muslimani duhet të përmbushë të drejtat ndaj njerëzimit. Përsëri, do të pyesja si mund të jetë ky mësim një kërcënim për civilizimin perëndimor? Prandaj, sipas mendimit tim, është kundër-produktive për njerëzit perëndimorë të sugjerojnë se Islami ose muslimanët nuk kanë vend në këtë pjesë të botës.

Nëse muslimanët vijnë këtu që të integrohen, që të përmbushin të drejtat fqinjësore dhe të përpiqen për paqen dhe përmirësimin e shoqërisë, atëherë me siguri kjo është diçka për të lavdëruar, sesa për të dënuar apo për të sharë. Duke vazhduar më tej, disa njerëz argumentojnë ose besojnë se muslimanët janë porositur të kryejnë “xhihad” dhe kështu ata kanë frikë se muslimanët do të vijnë në Perëndim dhe “do të bëjnë një luftë të përgjakshme”, duke kërkuar të zbatojnë një civilizim dhe kulturë islamike dhe të shkatërrojnë paqen e shoqërisë. Kjo bazohet në një keqkuptim të qartë të asaj ç’ka është xhihadi dhe pse u bënë luftërat fetare në periudhën e parë të Islamit. Islami nuk është një fe e dhunshme e gjakatare.

Njëherë një sahab [shok] i Profetit Muhammed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) kërkoi të bashkohej me ushtrinë muslimane në mënyrë që të merrte pjesë në xhihad. Profeti i Islamit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) e refuzoi kërkesën e tij dhe tha se ngaqë prindërit e tij ishin në gjendje të dobët, ai duhej të qëndronte në shtëpi dhe të kujdesej për ta dhe kjo konsiderohej si xhihad i tij. Nëse qëllimi i xhihadit ishin pushtimi, gjakderdhja dhe lufta, Profeti i Islamit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) me siguri do ta pranonte ofertën e tij për të forcuar ushtrinë muslimane.

Më duhet të sqaroj se është e vërtetë që ushtritë muslimane luftuan në disa luftëra fetare gjatë periudhës së hershme të Islamit, por qëllimi kurrsesi nuk ishte të mposhtin, të shtypnin ose të detyrojnë njerëzit për të pranuar Islamin. Këto luftëra u bënë për të mbrojtur vetë institucionin e fesë dhe për të mbështetur parimin e lirisë së besimit. Në ajetet 40-41 të sures 22, Kurani Famëlartë pohon qartazi se nëse agresorët nuk do të ndaloheshin, kishat, sinagogat, tempujt, xhamitë, të gjitha vendet e adhurimit do të kërcënoheshin rëndë, pasi qëllimi kryesor i mohuesve të Mekës ishte për të shkatërruar të gjitha gjurmët e fesë nga faqja e dheut.

Për sa i përket rritjes së fëmijëve, ajeti 152 i sures 6 të Kuranit të Shenjtë thotë se muslimanët nuk duhet të “mbysin fëmijët e tyre”. Kjo urdhëresë i porosit muslimanët të ushqejnë fëmijët e tyre me dashuri e dhembshuri, t’i udhëzojnë moralisht dhe t’i edukojnë në atë mënyrë që ata të bëhen individë me aftësi dhe morale të larta, duke u bërë kështu asetë të rëndësishme për shoqërinë dhe kombin e tyre.

Po kështu, Islami ka mësuar muslimanët të mbrojnë të drejtat e anëtarëve të dobët të shoqërisë. Për shembull, sipas ajetit 7 të sures 4 të Kuranit, muslimanët janë të detyruar të mbrojnë fëmijët jetimë nga shfrytëzimi dhe të mbrojnë trashëgiminë e tyre në tërësi, derisa ata të arrijnë në një moshë, kur mund ta menaxhojnë vetë atë.

Një tjetër akuzë e rëndomtë që dëgjojmë në botën perëndimore është se muslimanët nuk respektojnë gratë ose të drejtat e tyre.

Para së gjithash, duhet theksuar se Islami ishte feja e parë që u dha grave të drejtën e trashëgimisë, të drejtën e divorcit, si dhe shumë të drejta të tjera. Për më tepër, Islami thekson rëndësinë e madhe për arsimimin e vajzave dhe për t’u siguruar mundësi të rritjes dhe të zhvillimit personal. Gjithashtu, në një thënie të famshme të tij, Profeti i Shenjtë i Islamit (paqja dhe bekimi qoftë mbi të) tha: “Parajsa gjendet nën këmbët e nënës”. Këto fjalë ilustrojnë rolin e rëndësishëm që gratë luajnë në shoqëri, si dhe statusin e tyre unik e të veçantë në shoqëri. “Nënat” janë njerëzit që kanë fuqinë dhe ndikimin për t’i kthyer kombet e tyre në një “parajsë në tokë” dhe që mund të hapin dyert e një Parajse të përjetshme për fëmijët e tyre. Sërish, në ajetin 20 të sures 4, Kurani i Shenjtë ka thënë se burrat muslimanë duhet t’i trajtojnë gratë e tyre me dashuri dhe respekt.

Në vendet perëndimore, nuk ka ditë pa pasur raportime të policisë ose të gjykatave që detyrohen të ndërhyjnë dhe të merren të tmerrshme të abuzimit në familje. Studime dhe raporte të ndryshme, siç është raporti i vitit 2018 nga Zyra e Statistikave Kombëtare në Mbretërinë e Bashkuar, vërtetojnë se krime të tilla nuk kanë lidhje me asnjë fe, dhe një raport tjetër i fundit ka treguar që e njëjta gjë është edhe këtu në Gjermani. Prandaj, është tërësisht e padrejtë ta quajmë Islamin si fe që paragjykon shumë gratë.

Islami gjithashtu u kërkon ndjekësve të vet të respektojnë ndjenjat e fesë dhe të besimit të njerëzve të tjerë. Besëlidhja e Medinës ishte një ilustrim real i këtij mësimi, ku Tevrati u njoh dhe u respektua si Libri që mbante ligjin e Judenjve. Madje, Islami ka vendosur të drejtat edhe të armiqve dhe kundërshtarëve. Kështu, ajeti 191 i sures 2 të Kuranit të Shenjtë thotë se asnjë padrejtësi a shkelje nuk duhet të bëhet kundër armikut qoftë në gjendje lufte.

Fatkeqësisht, në botën e sotme, e cila krenohet se është më e civilizuar dhe më e zhvilluar se çdo epokë e mëparshme, individë dhe shtete shpesh nuk pranojnë të drejtat e kundërshtarëve të tyre, kryejnë mizori të mëdha dhe nuk humbin asnjë mundësi për hakmarrje. Në ajetin 9 të sures 5 të Kuranit të Shenjtë, Allahu i Madhërishëm ka shpallur se armiqësia ndaj një kombi a populli, kurrsesi nuk duhet të nxisë dikë të sakrifikojë parimet e drejtësisë dhe të barazisë. Përkundrazi, Islami mëson se në të gjitha rrethanat, pavarësisht sa sfiduese janë, duhet t’u përmbaheni plotësisht parimeve të drejtësisë dhe të integritetit dhe kurrë nuk duhet të motivoheni nga një dëshirë hakmarrëse. Si rezultat i këtij mësimi të shkëlqyeshëm, shohim shembullin e pashoq të faljes, dhembshurisë dhe mëshirës që ka treguar Profeti i Shenjtë Muhammed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të) në kohën e Çlirmit të Mekës.

Historia vërteton se muslimanët u vranë, u plaçkitën dhe u torturuan në Mekë dhe në fund, u dëbuan nga vatrat e tyre dhe iu desh të migronin. Megjithatë, kur Profeti u kthye me fitore në Mekë dhe i gjithë qyteti ishte nën komandën e tij, deklarata e tij e parë ishte se nuk do të merrte hak aspak nga ata, të cilët i kishin persekutuar brutalisht muslimanët. Ai deklaroi se, në përputhje me mësimet e Islamit, të gjithë ata që kishin torturuar muslimanët, do të faleshin menjëherë dhe se askush nuk do të trajtohej padrejtësisht, pavarësisht se e pranonin apo jo Islamin.

Një tjetër revolucion moral në favor të anëtarëve më të dobët të shoqërisë që ka sjellë Islami lidhet me skllavërinë, e cila para Islamit ishte e shfrenuar dhe konsiderohej si pjesë normale e shoqërisë. Në ajetin 34 të sures 24, Kurani i Shenjtë thotë se nëse një skllav kërkon liri, ai duhet të lirohet dhe, nëse caktohen taksa fiskale për lirimin e tij, ato duhet të jenë të arsyeshme dhe të pagueshme në këste të vogla lehtësisht të menaxhueshme, ose të hiqen krejt.

Në botën e sotme, skllavëria fizike nuk ekziston më, por ajo është zëvendësuar me varësinë dhe skllavërinë ekonomike, ku marrëdhënia midis kombeve më të fuqishme të planetit dhe vendeve më të dobëta është bërë e ngjashme me marrëdhëniet e një padroni dhe një skllavi. Për shembull, “huatë” e maskuar si “paketa ndihmëse” jepen nga vendet e pasura për vendet e dobëta dhe këto të fundit nuk kanë mundësi tjetër përveçse të pranojnë me të gjitha kushtet e bashkangjitura. Në çdo rast, nivelet e larta sakatuese të interesit synojnë që kreditë afatshkurtra t’i shtyjnë vendet në mjerim dhe varësi afatgjatë. Rezultati përfundimtar është se vendi debitor që nuk ka mundësi ta shlyejë borxhin nuk ka mundësi tjetër përveçse t’i nënshtrohet vullnetit të kombit mbizotërues. Një skllavëri e tillë është me të vërtetë imorale.

Që në fillim, Islami gjithashtu vendosi të drejtat e jomuslimanëve dhe i këshilloi muslimanët të tregohen të përmbajtur për hir të paqes dhe të unitetit të shoqërisë. Për shembull, në ajetin 109 të sures 6, Kurani i Shenjtë deklaron se muslimanët nuk duhet të flasin keq as për idhujt e idhujtarëve, sepse kjo mund t’i provokojë ata të flasin kundër Allahut të Madhërishëm.

islami dhe evropa europa perplasjeNë kohën e shkurtër që kisha në dispozicion, unë përmenda vetëm disa pika që ilustrojnë të drejtat e njeriut që janë vendosur nga Islami. Shpresoj që ato që kam thënë do t’ju sigurojnë që Islami nuk është kërcënim për civilizimin perëndimor ose për kulturën e tij. Nëse ka muslimanë që uzurpojnë të drejtat e jomuslimanëve, kjo ndodh vetëm sepse “muslimanët” e tillë refuzojnë mësimet e Islamit ose janë plotësisht injorantë ndaj tyre. Si përfundim, është e qartë që ne po jetojmë në një botë të tendosur dhe druaj se situata e pasigurt me të cilën po përballemi, mund të përshkallëzohet në çdo kohë.

Njerëzit duhet të kuptojnë se fjalët mund të sjellin pasoja shumë të rënda dhe kështu, në vend që të flasin për një “përplasje civilizimesh” ose të shkaktojnë pa pasur nevojë tensione mes komuniteteve të ndryshme, duhet të frenojnë veten nga sulmet kundër mësimeve fetare të njëri-tjetrit. Në vend që të kërkojmë të vendosim kufizime mbi lirinë dhe shprehjen e besimit, duhet të pranojmë që të gjithë jemi pjesë e një race njerëzore, më të lidhur se kurrë më parë. Duhet të përqafojmë diversitetin tonë dhe të përqendrohemi në krijimin e unitetit, në mënyrë që paqja afatgjatë të mund të rrënjoset në botë. Sidoqoftë, aktualisht po shohim të kundërtën. Vendet muslimane dhe jomuslimane njësoj i vendosin interesat e veta përpara interesave të botës së gjerë dhe po kalojnë çdo kufi të drejtësisë dhe të moralit në ndjekjen e qëllimeve të tyre.

Reminishenca e ditëve të errëta të së kaluarës, blloqet opozitare dhe alencat po formohen dhe duket sikur bota është e prirur për të thirrur shkatërrimin e vet. Sot, ka një mori vendesh që zotërojnë bomba bërthamore ose armë të tjera shkatërruese, të cilat kanë potencialin për të shkatërruar civilizimin, siç e dimë ne. Kush do të thotë se këto armë nuk do të përdoren kurrë ose nuk do të përfundojnë në duar të gabuara? Nëse armët bërthamore do të përdoren ndonjëherë, nuk do të jemi vetëm ne që do të mbajmë pasojat, madje fëmijët tanë dhe gjeneratat e ardhshme do të detyrohen të vuajnë për mëkatet tona. Gjeneratat e fëmijëve do të lindin me aftësi të kufizuara intelektuale dhe fizike dhe shpresat dhe ëndrrat e tyre do të shkatërrohen pa asnjë faj të tyre. A është kjo trashëgimia e ndarjes që do të donim t’ua lëmë pasaardhësve tanë? Me siguri jo!

Kështu, në vend që të ndezim flakët e urrejtjes, qoftë bazuar në dallime fetare ose etnike ose për qëllime politike, ne duhet të njohim shenjat paralajmëruese dhe të ndryshojmë mënyrat tona, para se të jetë shumë vonë. Të gjithë ne, pavarësisht nga dallimet tona, le të bashkohemi dhe të punojmë me një frymë respekti të ndërsjellë, me një frymë tolerance dhe dashurie për paqen e botës e të promovojmë lirinë e besimit.

Me këto fjalë, do të doja t’ju falënderoja edhe një herë që u bashkuat me ne këtë mbrëmje.

Faleminderit shumë!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp