Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

(Komentimi i Kuranit)

Allahu i Madhërishëm, në Kuranin e Shenjtë thotë:

Nuk ka dhunë në fe. Tashmë është e dalluar e drejta nga e shtrembra. Ai që kundërshton shejtanin dhe beson në Allahun, ka kapur lidhjen më të fortë që nuk këputet kurrë. Allahu është i Gjithëdëgjueshëm dhe i Gjithëdijshëm.” (El-Bekare 2:257)

Hazret Mirza Mahmud Ahmadi, Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar r.a., duke shpjeguar këtë ajet, thotë:

“Është e çuditshme se si feja Islame akuzohet se ajo u mëson besimtarëve të saj se ata mund ta përhapin fenë me dhunë. Ndërsa, feja Islame në njërën anë thotë:

“Luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që luftojnë me ju.” (El-Bekare 2:191)

dhe në anën tjetër gjithashtu sqaron:

“S’ka dhunë në çështjen e fesë.” (El-Bekare 2:257)

Kjo do të thotë, se urdhri i luftës nuk duhet keqkuptuar dhe se luftërat nuk do të lejohen edhe për të konvertuar njerëzit e tjerë në myslimanë. Madje, urdhri i luftës është vetëm për t’u mbrojtur nga armiqtë dhe për të evituar  intrigat e tyre. Nëse Islami do të lejonte dhunën, atëherë si është e mundur që në një vend në Kuran, ai jep leje për luftën dhe në të njëjtën sure deklaron se “S’ka dhunë në çështjen e fesë.” A nuk tregon kjo qartazi se Islami ndalon çdolloj dhune në çështjen e fesë. Edhe fjalët që i vijojnë këtij deklarimi e sqarojnë mjaft këtë çështje. Në fakt kjo është veçse një akuzë e rreme që kanë ngritur dijetarët e krishterë se feja Islame i bën njerëzit myslimanë me tehun e shpatës. E vërteta është, Islami ishte feja e parë që i dha botës këtë mësim të bukur, duke thënë: “S’ka dhunë në çështjen e fesë.”

“Tashmë është e dalluar e drejta nga e shtrembra.” Kjo fjali është shpjeguese. Domethënë e sqaron pohimin e bërë pak më parë. Meqë Allahu e ndaloi dhunën në çështjen e fesë, atëherë mund të lindë pyetja: kur feja është diçka shumë e vlerësuar, atëherë pse mos të detyrohen njerëzit për ta përvetësuar atë? Përgjigja ndaj kësaj pyetje është se tashmë u bë qartë se cila është e drejtë dhe cila është e gabuar. Andaj, nuk ka nevojë që të imponohet diçka. Dhuna fillon atëherë kur nuk mund të provohet diçka me argument. Për shembull, një fëmijë kur ende nuk është i pjekur për të vendosur gjërat në mënyrë të duhur, atëherë prindërit e detyrojnë që ai të mos i sjellë dëm vetes. Por kur ai rritet dhe arrin në moshën e pjekurisë së duhur, askush nuk mund ta detyrojë atë.

Pra, Allahu i Madhërishëm thotë se çdo gjë në fenë Islame është përmendur me argumente të qarta dhe ato nuk kërkojnë dhunë për t’u realizuar.  Madje Islami e hedh poshtë mendimin që feja të imponohet me zor ose të zbatohet nga frika apo lakmia. Siç thotë Allahu i Madhërishëm në Kuranin e Shenjtë:

“Kur vijnë hipokritët te ti (o Muhammed), ata të thonë: “Vërtetë je i Dërguari i Allahut.” Ndërkohë, Allahu e di që ti je i Dërguari i Tij, por Allahu gjithashtu dëshmon se hipokritët sigurisht po gënjejnë.” (El-Munafikun 63:2)

Nëse Islami do të lejonte dhunën në përhapjen e fesë, atëherë si do të ishte e mundur që rreth hipokriteve të flitej kështu në Kuran. Sepse, në këtë situatë ata do të ishin pasojë e mësimit të Kuranit. Askush nuk mund të shpresojë që Islami do të krijojë një xhemat të devotshmëve me dhunë. Prandaj, është krejtësisht  gabim që të mendosh se Islami e lejon dhunën për të përhapur fenë.

Sërish, në një ajet tjetër, Kurani i Shenjtë thotë:

“Luftoni në rrugën e Allahut kundër atyre që luftuan me ju. Por mos e teproni. Vërtet, Allahu nuk i do ata që e teprojnë.” (El-Bekare 2:191)

Edhe në këtë ajet, Islami i porosit myslimanët të luftojnë për hir të fesë vetëm kundër atyre që luftuan me myslimanët për fenë dhe përdorën dhunë për t’i larguar ata nga feja e tyre. Por, edhe në këtë rast urdhri i Allahut për myslimanët është që ata mos ta teprojnë. Nëse kundërshtarët do të tërhiqen apo të heqin dorë nga dhuna, atëherë edhe myslimanët duhet të heqin dorë nga lufta. Shkurt, në Kuranin e Shenjtë, Allahu i Madhërishëm lejon luftën jo për të zhdukur fe të ndryshme, por e lejon për t’i mbrojtur ato. Siç e sqaron Ai në ajetin e mëposhtëm të Kuranit:

“Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi. Në të vërtetë Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë ata, që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu.” Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njeri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtetë, Allahu e ndihmon atë që e ndihmon Allahun. Allahu është vërtetë i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (El-Haxh 22:40-41)

Sa të qarta janë këto ajete që tregojnë se lufta fetare lejohet vetëm atëherë kur një popull ndalohet të thotë “Allahu është Zoti ynë.” Domethënë, kur dikush ndërhyn në çështjen e fesë dhe dëshiron të rrëzojë vende të shenjta të popujve të tjerë dhe i detyron të ndryshojnë fetë e tyre, ose tenton t’i vrasë ata, në këto rrethana, sipas Islamit, i shtypuri është i lejuar të luftojë kundër njerëzve të tillë. Sepse Islami ka ardhur si një fe dëshmitare dhe mbrojtëse e jo e egër dhe mizore….

“Ai që kundërshton shejtanin dhe beson në Allahun ka kapur lidhjen më të fortë që nuk këputet kurrë.” Në këtë ajet, fjala arabe që është përdorur për të shprehur kuptimin e lidhjes është “urrvah”, që do të thotë (1) dorezë, (2) diçka në të cilën mbështetet ose besohet, (3) “urrvah” gjithashtu do të thotë diçka që herë pas here i nevojitet njeriut dhe ai shpesh kthehet tek ajo gjë, (4) diçka që zgjatet shumë dhe nuk prishet dhe (5) më e mira e pasurisë.

Sipas këtyre kuptimeve, (1) Allahu fenë e përcakton si diçka shumë të dobishme që ndodhet në një enë dhe e këshillon njeriun që ta kapë dorezën e saj për ta siguruar atë për veten. (2) Feja është pikërisht ajo gjë që i jep mbështetje njeriut për të mos u rrëzuar. Duke iu ngjitur shkallëve, për shembull, njeriu merr mbështetje nga një litar apo diçka tjetër. Feja është pikërisht ajo mbështetje, me anë të së cilës, njeriu shpëton nga rrëzimi. (3) Duke përdorur fjalën “urrvah”, Allahu gjithashtu na tregon se vetëm feja është ajo që do të na ndihmojë për një kohë të gjatë, në këtë botë, po ashtu edhe në botën tjetër. Lidhjet e tjera të njeriut janë të përkohshme dhe me kalimin e kohës, ato zhduken njëra pas tjetrës. Sigurisht që edhe lidhje të ngushta farefisnore apo miqësore, gjatë jetës së tij, e ndihmojnë shumë njeriun. Por në shumë raste edhe ato dobësohen ose shkëputen fare. Atëherë, ai kupton se lidhja më e fortë dhe më e bekuar është ajo e fesë së vërtetë.

Urdhri i parë nga Allahu i Madhërishëm për luftë ishte ai që është përmendur në ajetet e mëposhtme të sures El-Haxh:

“Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi. Në të vërtetë Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë ata, që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allah.” Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njeri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtetë, Allahu e ndihmon atë që e ndihmon Allahun. Allahu është vërtetë i Fortë dhe i Plotfuqishëm.” (El-Haxh 22:40-41)

Këto ajete janë zbritur më datën 12 safer, 02 hixhri (kalendari islamik), ose më 15 gusht të vitit 623, kur kishte kaluar vetëm një vit nga mërgimi i Profetit Muhammed s.a.v.s. nga Meka në Medinë. Kjo do të thotë se myslimanët, më përpara, dymbëdhjetë vite në Mekë dhe një vit në Medinë nuk bënë asnjë lloj lufte. Mirëpo, gjatë gjithë kësaj periudhe, ata u bojkotuan, disa prej tyre u vranë pamëshirë, u përballën me lloj-lloj torturash dhe më në fund u detyruan të mërgonin nga vatrat e tyre, duke humbur gjithçka nga pasuria materiale. Mizoritë e mekasve i ndoqën edhe në Medinë, deri atëherë kur myslimanët kishin ngelur me të vetmen rrugëzgjidhje: për të shpëtuar jetën, ata duhet t’u përgjigjeshin sulmeve të armiqve. Ky është sfondi historik i ajeteve të lartpërmendura. Duke shpjeguar këto ajete, Hazret Mirza Mahmud Ahmadi, Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar, në komentimin e tij për Kuranin e Shenjtë, thotë:

“Në këto ajete arsyetohet fakti se pse myslimanëve, në rrethana specifike, u është dhënë leje nga Zoti i Madhërishëm për të bërë luftë mbrojtëse. Islami nuk mëson si krishterimi:

“në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën.” (Mateu 5:39)

Por, ai thotë se nëse ty të bëhet mizori e padrejtësi dhe armiku të dëbon nga shtëpia jote, vetëm për arsye se ti thua se Allahu është Zoti ynë, atëherë ti duhet t’i përgjigjesh. Nëse je ndër të shtypurit, Allahu do të vijë për të të ndihmuar dhe Ai është i Plotfuqishëm që të të ndihmojë ty. Allahu thotë në këto ajete se ky urdhër është, në fakt, për të vendosur paqen. Sepse në mungesën e këtij urdhri, nëse nuk do të ngrihej një popull për të vënë drejtësinë, do të rrëzoheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Kështu që, ai mysliman që ngrihet për të luftuar me atë që ndërhyn në çështjen e fesë, ai nuk e ndihmon thjesht veten, por i mbron të gjitha fetë. Prandaj, edhe Allahu me siguri do ta ndihmojë atë. Allahu është i Fortë dhe i Plotfuqishëm, kështu që, edhe ai do të fitojë nga fuqia e Allahut. Sepse, një mysliman i tillë e bën këtë luftë duke menduar se kur të fitojë, ai mund të falë namazet me xhemat, të paguajë zekatin, t’i këshillojë njerëzit e tjerë për të mirat dhe t’i ndalojë nga të këqijat, të gjitha këto janë në fakt sipas dëshirës së Allahut dhe është Ai që jep rezultatin përfundimtar. Në këtë mënyrë Allahu tregon se ai që vepron sipas pëlqimit të Allahut, patjetër do të fitojë. Prandaj, ai nuk duhet të ketë frikë nga kundërshtimi, sado i ashpër të jetë. E vërteta u kundërshtua edhe në kohën e popullit të Nuhut a.s., Adit dhe Ibrahimit a.s., por gjithnjë fitoi e vërteta. Rrënojat e kundërshtarëve të këtyre profetëve ende gjenden në botë. Prandaj, duhet të mësoni duke parë këto shenja. Dhe nuk duhet që t’i shikoni thjesht nga sytë, por nga zemra. (Këto gjëra janë përmendur në ajetet e sures El-Haxh që i pasojnë ajetet e komentuara)

Nga këto ajete bëhet shumë e qartë se sipas mësimeve të Islamit, lufta fetare lejohet vetëm atëherë kur një popull mësyhet e sulmohet për një kohë të gjatë, dhe mizorët nuk e lejojnë të thonë se Allahu është Zoti i tij, domethënë, ndërhyjnë në çështjen e fesë së tij dhe tentojnë ta kthejnë nga feja Islame ose  detyrojnë njerëzit të heqin dorë nga feja Islame, madje i vrasin nëse i afrohen Islamit, vetëm me njerëzit e tillë mund të bëhet luftë apo xhihad fetar. Përveç kësaj, çdo luftë tjetër do të jetë me qëllime politike ose kombëtare, e cila ka mundësi të bëhet edhe midis dy popujve myslimanë. Por një luftë e tillë nuk mund të quhet xhihad dhe myslimanët në përgjithësi nuk do të jenë të detyruar të marrin pjesë në të. Në të mund të luftojnë vetëm myslimanët vendas. Kjo luftë mund të jetë për atdhedashurinë, e jo për fenë. Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. thotë “Hubbul vetni minal iman”, d.m.th. atdhedashuria është gjithashtu pjesë e besimit.

Në këto ajete gjithashtu është përmendur që populli i shtypur kur merr fuqinë, atëherë ai ka për detyrë t’i mbrojë të gjitha fetë dhe të ketë parasysh respektin ndaj vendeve të tyre të shenjta. Pas fitores, ai nuk duhet ta shpërdorë pushtetin, por duhet të kujdeset për të varfrit, kombin dhe të orvatet me të gjitha mundësitë e tij për të eliminuar çrregullime dhe probleme të tjera sociale. Sepse Islami ka ar-dhur si fe dëshmitare dhe mbrojtëse e jo e egër dhe mizore.

(Përmbledhur: Mirza Mahmood Ahmad, Tefsir-e-Kabir, vëll. 2, f. 585-588, Kadian, shkurt, 2004; vëll. 6, f. 62-63, Kadian, shkurt, 2004)