Urtësia e betimeve të Zotit në gjëra të ndryshme - Komentim i Kuranit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Pohimi dhe argumenti duhet të jenë nga Libri i Shenjtë
  2. PYETJA I – Cilat janë tri gjendjet e njeriut?
  3. Viti dyzet i jetës suaj mund të jetë shumë i bekuar
  4. Shpirti është krijesë
  5. Zhvillimi gradual i njeriut
  6. Kuptimi i vërtetë i Islamit
  7. Dallimi mes gjendjeve instinktive dhe morale
  8. Përgënjeshtrimi i doktrinës që ndalon therjen a mbytjen e kafshëve
  9. Tri stadet e reformimit
  10. Ardhja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në kohën më të nevojshme të reformimit
  11. Gjendjet instinktive, nëse mbahen në ekuilibër, shndërrohen në morale
  12. Moralet e vërteta
  13. Reformimi i parë – gjendjet natyrore
  14. Ndalimi i mishit të derrit
  15. Gjendjet morale të njeriut
  16. Moralet që aftësojnë njeriun për të hequr dorë nga mëkatet
  17. Pesë ilaçe për të qenë i dëlirë
  18. Moralet lidhur me mirëbërësinë
  19. Trimëria e vërtetë
  20. Vërtetësia
  21. Durimi
  22. Dhembshuria
  23. Kërkimi i një qenieje më të lartë
  24. Arsyeja pse Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u shfaq në Arabi
  25. Mirësia e Kuranit Famëlartë ndaj botës
  26. Argumente për ekzistencën e Zotit të Madhërishëm
  27. Cilësitë e Zotit të Madhërishëm
  28. Gjendjet shpirtërore
  29. Një lutje e bukur
  30. Kuptimi i pijeve me kamfur dhe xhenxhefil
  31. Mjeti për të krijuar lidhje të përsosur shpirtërore me Zotin e Madhërishëm
  32. PYETJA II – Çfarë ndodh me njeriun pas vdekjes?
  33. PYETJA III – Cilat janë qëllimet e jetës së kësaj bote dhe si mund të arrihen ato?
  34. PYETJA IV – Cili është zbatimi praktik i Sheriatit në këtë jetë dhe pas kësaj jete?
  35. Urtësia e betimeve të Allahut në gjëra të ndryshme
  36. PYETJA V – Cilat janë mjetet për të arritur dijen dhe njohjen ndaj Zotit?
  37. Natyra e ndërgjegjes njerëzore
  38. Çfarë është shpallja Hyjnore?
  39. Folësi është i nderuar me komunikimin dhe shpalljen Hyjnore
  40. Shpallja e Zotit të Madhërishëm është mjeti për të arritur dijen e përsosur
  41. Dy periudha të jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Qëllimi i luftërave të Profetit Muhammed s.a.v.s.
Related Contents from Topics
urtesia betimi Zoti

Këtu duhet të sqarojmë se ka një urtësi të thellë kur Zoti betohet në gjëra të ndryshme dhe duke mos e ditur këtë, shumë nga kundërshtarët tanë e kritikojnë këtë çështje se çfarë nevoje ka Zoti të betohet, aq më tepër për krijesat. Këta kritikues me inteligjencë tokësore dhe jo qiellore, nuk i kuptojnë njohuritë e spiritualitetit. Betuesi betohet për të sjellë një dëshmi për pohimin e tij dhe duke qenë se nuk ka asnjë dëshmitar, sjell si dëshmitar Zotin e Madhërishëm, sepse Ai është i Dijshmi i së padukshmes dhe Dëshmitari i parë në çdo çështje. Me një fjalë, ai që paraqet dëshminë e Zotit duke u betuar në emër të Tij, pretendon që nëse Zoti nuk do ta dënojë atë, do të thotë se e ka vulosur vërtetësinë e pohimit të tij. Kjo është edhe arsyeja që njerëzit që vetë janë krijesa, nuk duhet të betohen në emër të krijesave të tjera, sepse ato nuk janë të dijshmet e së padukshmes dhe as nuk kanë fuqi të ndëshkojnë për betimet e rreme.


وَ الشَّمۡسِ وَ ضُحٰہَا ۪ۙ﴿۲﴾ وَ الۡقَمَرِ اِذَا تَلٰٮہَا ۪ۙ﴿۳﴾ وَ النَّہَارِ اِذَا جَلّٰٮہَا ۪ۙ﴿۴﴾ وَ الَّیۡلِ اِذَا یَغۡشٰٮہَا ۪ۙ﴿۵﴾ وَ السَّمَآءِ وَ مَا بَنٰہَا ۪ۙ﴿۶﴾ وَ الۡاَرۡضِ وَ مَا طَحٰہَا ۪ۙ﴿۷﴾ وَ نَفۡسٍ وَّ مَا سَوّٰٮہَا ۪ۙ﴿۸﴾ فَاَلۡہَمَہَا فُجُوۡرَہَا وَ تَقۡوٰٮہَا ۪ۙ﴿۹﴾ قَدۡ اَفۡلَحَ مَنۡ زَکّٰٮہَا ۪ۙ﴿۱۰﴾ وَ قَدۡ خَابَ مَنۡ دَسّٰٮہَا ﴿ؕ۱۱﴾ کَذَّبَتۡ ثَمُوۡدُ بِطَغۡوٰٮہَاۤ ﴿۪ۙ۱۲﴾ اِذِ انۡۢبَعَثَ اَشۡقٰہَا ﴿۪ۙ۱۳﴾ فَقَالَ لَہُمۡ رَسُوۡلُ اللّٰہِ نَاقَۃَ اللّٰہِ وَ سُقۡیٰہَا ﴿ؕ۱۴﴾ فَکَذَّبُوۡہُ فَعَقَرُوۡہَا ۪۬ۙ فَدَمۡدَمَ عَلَیۡہِمۡ رَبُّہُمۡ بِذَنۡۢبِہِمۡ فَسَوّٰٮہَا ﴿۪ۙ۱۵﴾ وَ لَا یَخَافُ عُقۡبٰہَا ﴿٪۱۶﴾ 1

Për diellin dhe shkëlqimin e tij! Për hënën kur ajo e ndjek atë! Për ditën kur e ndriçon atë! Për natën kur e mbulon atë! Për qiellin dhe atë që e ndërtoi! Për tokën dhe atë që e shtroi. Për çdo shpirt dhe atë që e përsosi! Ai i shpalli shtrembësitë e tij dhe drejtësitë e tij. Pa dyshim, fitoi ai që e pastroi atë, dhe humbi ai që e shkeli atë. Themudi mohoi për shkak të tërbimit të vet, kur u çua më i ligu i tyre. Atëherë i dërguari i Allahut u tha atyre: “(Kujdes) devenë e Allahut dhe pirjen e saj nga burimi!” Ata e quajtën gënjeshtar dhe e therën (devenë). Atëherë Zoti i tyre i goditi në mënyrë të njëpasnjëshme për shkak të mëkatit të tyre, derisa e rrafshoi (vendin). Dhe nuk u interesua fare për fundin e atij (vendi).” (Surja Esh-Shems 91:2-16).


Për diellin dhe shkëlqimin e tij! Për hënën kur ajo e ndjek diellin, pra për të marrë dritën e tij për t’ua përcjellë më pas të tjerëve! Për ditën kur tregon shkëlqimin e diellit dhe dallon rrugët! Për natën kur errëson dhe mbulon gjithkënd me perden e errësirës së saj! Për qiellin dhe qëllimin për të cilin ai u krijua! Për tokën dhe qëllimin për të cilin ajo u bë si shtrat! Për shpirtin dhe cilësinë e tij që e barazon atë me të gjitha këto gjëra!

Por betimet e Zotit në këto ajete, nuk janë në të njëjtin rrafsh me betimet e njerëzve. Në fakt, Zoti bën dy lloje veprash: të parat janë të hapura dhe që i kuptojnë të gjithë dhe askush nuk ka kundërshtime për natyrën e tyre, dhe të dytat janë të tilla që kanë nevojë për arsyetim që duhet zbërthyer (deduktiv), ku njerëzit tokësorë gabojnë në domethënien e tyre dhe i kundërshtojnë. Prandaj, Zoti i Madhërishëm deshi të provojë çështjet deduktive, duke sjellë dëshminë e veprave të Tij të dukshme.

Tani, të gjithë e dinë që dielli, hëna, dita, nata, qielli dhe toka i kanë ato cilësi që thamë pak më sipër, por që po këto cilësi i ka edhe njeriu, nuk e di gjithkush. Prandaj, edhe këtu, Zoti i Madhërishëm solli si dëshmi veprat e Tij të dukshme për të zbuluar veprat e Tij të padukshme. Si të thuash, Ai thotë:

Nëse jeni në mëdyshje në i mbart njeriu këto cilësi, atëherë përsiatni diellin, hënën etj., që i kanë këto cilësi në mënyrë të dukshme, dhe ju e dini që njeriu është një mikrokozmos, në të cilin është gdhendur skema e të gjithë kozmosit.

Pra, kur trupat e mëdhenj qiellorë i kanë këto veti që u bëjnë dobi krijesave, si mundet që njeriu që është krijuar si më i madhi dhe më i larti prej tyre në shkallë, të mund të mbetet i privuar nga këto cilësi?! Përkundrazi, edhe ai është porsi dielli, sepse ka dritën e dijes dhe mendjes, me të cilën ai mund ta ndriçojë gjithë botën; ai është porsi hëna, sepse merr dritën e vizionit (keshf), dhe të shpalljes (ilham dhe vahji) prej Zotit të Lartësuar dhe ua përcjell të tjerëve që ende nuk e kanë arritur përsosmërinë njerëzore. Atëherë, si mund të thoni që të qenët profet është gënjeshtër dhe të gjithë të Dërguarit, Sheriatet dhe Librat qiellorë janë mashtrime dhe përfitime të njeriut?!

Ju vëreni se kur zbardhet dita, zbardhen të gjitha rrugët dhe spikaten të gjitha ulje-ngritjet. Njësoj si kjo, njeriu i përsosur është dita e zbardhjes shpirtërore, me agimin e së cilës, çdo rrugë vihet në dukje, dhe ai tregon rrugën e vërtetë se ku dhe si shkon, sepse ai është dita e zbardhur e drejtësisë dhe e vërtetësisë. Ju gjithashtu vëreni se si nata merr në strehë të dërrmuarit dhe të rraskapiturit. Punëtorët të këputur prej lodhjes së ditës, pushojnë në prehrin e natës. Pra, nata lodhjen e tyre ua ndërron në qetësi dhe përveç kësaj, ajo shërben edhe si mbulesë për çdokënd. Njësoj si kjo, edhe robërit e përsosur të Zotit që gëzojnë shpallje prej Zotit, vijnë për t’u dhënë prehje njerëzve të botës dhe, atyre që janë mendarë, u sjellin lehtësi në punët e tyre rraskapitëse. Falë tyre, zgjidhen çështje të mëdha të njohurive rreth Zotit.

Po kështu, shpallja e Zotit shërben si mbulesë për dobësitë e mendjes së njeriut, saqë nuk lejon t’i dalin në shesh gabimet dhe papastërtitë e saj, sikur nata që shërben në të njëjtën mënyrë për krijesat. Sepse duke përfituar nga drita e shpalljes, i mençuri bën vetëreformim dhe në saje të bekimit të shpalljes Hyjnore, e shpëton veten nga ekspozimi. Kjo është arsyeja që asnjë filozof musliman nuk bëri gabimin që bëri Platoni, i cili sakrifikoi një gjel përpara një idhulli. Platoni gaboi ngaqë nuk e kishte dritën e shpalljes, dhe pavarësisht se ishte një filozof i madh, bëri një veprim prej budallallëkut. Por filozofët muslimanë i shpëtoi nga veprime të tilla ndjekja e Udhëheqësit tonë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. A nuk është edhe kjo një provë që shpallja ua mbulon gabimet mendarëve, siç ua mbulon nata të gjitha krijesave.

Po ashtu, robërit e përsosur të Zotit, sidomos profetët e Tij dhe ata që gëzojnë shpallje prej Tij, i marrin në strehë të gjithë ata që janë të pastrehë dhe porsi qielli lëshojnë shiun e bekimeve të tyre. Por njëherësh ata kanë edhe cilësinë e tokës, sepse nga shpirtrat e tyre të pastra, lartësohen pemët e diturive të shumëllojshme dhe njerëzit përfitojnë nga hija, frutat dhe lulet e tyre.

Pra, ligji i natyrës që është i dukshëm për të gjithë, përbën një dëshmi të ligjit të fshehtë që sapo përshkruam. Në ajetet që cituam më sipër, Zoti i Madhërishëm solli dëshminë e të dukshmit, në formë betimesh, për ta vërtetuar të padukshmen. Shikoni pra, sa urtiplotë është kjo temë që gjendet në Kuranin Famëlartë! Ajo buroi nga goja e atij që ishte i pashkolluar dhe që jetonte në shkretëtirë. Po të mos ishte ajo Fjala e Zotit, njerëzit e rëndomtë dhe edhe ata që e quajnë veten të shkolluar, nga pamundësia për të mos e kuptuar këtë njohuri të thellë të spiritualitetit, nuk do ta bënin objekt kritikash. Sepse dihet që njeriu kur nuk rrok dot një urtësi për shkak të mendjes së paaftë, e kthen në shënjestër të kritikës së tij dhe kritika e tij kthehet në dëshmi që ajo urtësi ishte përtej kapacitetit mendor të të rëndomtëve. Për këtë arsye ata që e quajtën veten të mençur e kritikuan këtë mënyrë betimesh të Zotit. Por tani që u zbulua ky mister, mendarët nuk do ta kritikojnë, madje do të ndiejnë kënaqësi prej saj.

Mos harroni që Zoti i Madhërishëm bëri betime të tilla në Kuranin Famëlartë edhe në një vend tjetër, dhe solli dëshminë e ligjit të natyrës për të vërtetuar praktikën e Tij të hershme, atë të dërgimit të shpalljeve dhe të mesazheve. Siç thotë Ai:

وَ السَّمَآءِ ذَاتِ الرَّجۡعِ ﴿ۙ۱۲﴾ وَ الۡاَرۡضِ ذَاتِ الصَّدۡعِ ﴿ۙ۱۳﴾ اِنَّہٗ لَقَوۡلٌ فَصۡلٌ ﴿ۙ۱۴﴾  وَّ مَا ہُوَ بِالۡہَزۡلِ ﴿ؕ۱۵﴾ 1

Për qiellin që lëshon shi! Për tokën që lind gjelbërim të shumëllojshëm nga shiu! Ky Kuran është fjala e Zotit, shpallja e Tij dhe është vendimtare mes së vërtetës dhe të rremes dhe nuk është ndonjë fjalë e kotë dhe e pahijshme.

Pra, këtu thuhet se kjo fjalë nuk ka ardhur pa kohë, por tamam si shiu i stinës. Zoti i Madhërishëm në këto ajete sjell një ligj të qartë të natyrës si dëshmi për vërtetësinë e Kuranit Famëlartë se ai është shpallja e Tij. Të gjithë e njohim dhe e shohim fenomenin që shiu bie nga qielli në kohë nevoje dhe i gjithë gjelbërimi i tokës varet nga ky shi që vjen nga lart. Nëse nuk ka shi nga qielli, edhe puset e tokës shterojnë gradualisht. Pra, edhe ekzistenca e ujit të tokës në të vërtetë varet nga shiu i qiellit. Prandaj shohim që kurdoherë që bie shi, vetvetiu rritet edhe niveli i ujit në puset dhe burimet në tokë. Pse rritet? Sepse uji qiellor e tërheq drejt vetes ujin tokësor. E njëjta lidhje është edhe mes shpalljes së Allahut dhe mendjes njerëzore. Shpallja e Allahut është ujë qiellor, kurse mendja është ujë tokësor dhe ky i fundit gjithmonë ushqehet me ujin qiellor. Nëse uji qiellor, pra shpallja, ndalet së zbrituri, edhe ky ujë tokësor shteret gradualisht. A nuk mjafton si argument fakti që kur kalon një kohë e gjatë pa lindur ndonjë, të cilit t’i zbresë shpallja Hyjnore, mendjet e njerëzve errësohen dhe korruptohen, njësoj si uji tokësor që ndotet e soset.

Për të kuptuar këtë, mjafton t’i hedhim një sy kohës se si ishte ajo para se të vinte Profeti ynë Hazret Muhammedi s.a.v.s.. Ngaqë kishin kaluar gjashtë shekuj pas Hazret Mesihut (Jezusit) a.s., dhe nuk kishte lindur asnjë i tillë që mund të merrte shpalljen Hyjnore, e gjithë bota ishte korruptuar. Historia e çdo kombi tregon që para se të vinte Profeti Muhammed s.a.v.s., botën e kishte pushtuar mendjeligësia. Pse kishte ndodhur kjo? Pikërisht për arsye se shpallja Hyjnore kishte qenë e ndalur për një kohë të gjatë. Mbretëria qiellore kishte mbetur në duart e mendjes. Se sa shumë prapësi i solli botës mendja e cunguar në atë kohë, këtë e dinë të gjithë. Pra, historia tregoi qartë që kur uji i shpalljes Hyjnore nuk zbriti për një kohë të gjatë, u shter uji i mendjes së të gjithë njerëzve.

Në betimet e mësipërme të Tij, Zoti i Madhërishëm e paraqet pikërisht këtë ligj të përhershëm të natyrës që i gjithë gjelbërimi i tokës varet nga uji i qiellit, dhe thotë se kjo përbën dëshmi për ekzistencën e një ligji tjetër të fshehtë paralel me të, për zbritjen e shpalljes. Andaj, në këto betime, Ai thotë:

Përfitoni nga kjo dëshmi dhe mos merrni si udhëheqës vetëm mendjen, sepse ajo është ujë (tokësor) që nuk mund të qëndrojë pa ujin qiellor.

Po kështu, siç uji qiellor ngre nivelin e ujit në të gjitha puset e tokës, edhe nëse nuk bie drejtpërdrejt në disa prej tyre, në të njëjtën mënyrë, edhe kur vjen në botë një marrës i shpalljes Hyjnore, dikush në daç ta ndjekë, në daç të mos e ndjekë, mendjet njerëzore natyrshëm fillojnë të shkëlqejnë e të pastrohen në kohën e tij, gjë që nuk dëshmohet përpara se të vinte ai. Njerëzit vetvetiu fillojnë ta kërkojnë të vërtetën dhe fshehtas atyre u lind një forcë e re e të menduarit. Në fakt, gjithë ai zhvillim i mendjes dhe vrull i zemrës lindin për shkak të ardhjes së bekuar të marrësit të shpalljes Hyjnore, i cili e ngre nivelin e ujit tokësor. Kur shikoni që çdokush është ngritur në kërkim të feve dhe uji tokësor grafullon, çohuni, prijini dhe besoni me bindje se një shi i madh ka rënë prej qiellit dhe uji Hyjnor i shpalljes ka zbritur në një zemër.


[1] “Për qiellin që lëshon shi pas shiu! Për tokën që gjelbëron! Pa dyshim, kjo është një fjalë vendimtare, dhe jo ndonjë fjalë e kotë.” (Et-Tarik 86:12-15).

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp