
Le të shpjegojmë tani, të tria fazat e njeriut veç e veç por, së pari duhet t’ju kujtojmë se gjendjet instinktive, burimi i të cilave është shpirti që nxit njeriun për të keqen,[1] sipas Fjalës së pastër të Zotit të Madhërishëm, nuk janë të ndara nga gjendjet morale. Arsyeja është se Fjala e pastër e Zotit, të gjitha impulset natyrore, dëshirat e kërkesat trupore, edhe pse i klasifikon si gjendje instinktive, tregon se po ato shndërrohen në gjendje morale, nëse i realizon me vetëdije në mënyrë të ekuilibruar në vendin e në kohën e duhur. Po ashtu, edhe gjendjet morale nuk janë të ndara nga ato shpirtërore, por po ato shndërrohen në gjendje shpirtërore, nëse i realizon duke u përhumbur pas Zotit, duke u pastruar shpirtërisht, duke u veçuar vetëm për Zotin, duke pasur dashuri të plotë, përqendrim të plotë, kënaqësi të plotë dhe pajtim të plotë me Zotin.
Njeriu në asnjë mënyrë nuk mund të lëvdohet, derisa gjendjet instinktive nuk i shndërron në gjendje morale, sepse të parat i kanë edhe kafshët, madje edhe sendet. Po ashtu, vetëm duke u pajisur me morale, njeriu nuk mund ta fitojë jetën shpirtërore, pasi morale të mira, njeriu mund të tregojë edhe duke qenë mohues i Zotit të Madhërishëm. Të jesh i dhembshur, zemërbutë, paqedashës, mirëdashës, të mos ngatërrohesh me ndonjë sherr, të gjitha këto cilësi mund t’i ketë edhe një njeri i paaftë që gjendet larg burimit të vërtetë të shpëtimit dhe që nuk ka asnjë haber për të. Madje, shumë nga kafshët shtëpiake, nëse mbahen mirë, bëhen zemërbutë, paqedashëse dhe nuk i përgjigjen dhunës me dhunë, por prapë ato nuk mund të quhen njeri, e jo më të flitet që ato të bëhen njerëz të shkallës më të lartë. Pra, edhe një njeri me besimin më të padenjë, i zhytur në mëkate, mund t’i zotërojë këto cilësi.
[1] Nefsun emmāreh.