Çfarë është suksesi? | Cila është rruga drejt suksesit për vendin tonë?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
cfare eshte suksesi, rruga drejt suksesit

Sukses është një fjalë, kuptimin e së cilës njerëzit e vendit tonë në përgjithësi, nuk e dinë plotësisht, dhe kjo pikërisht është edhe arsyeja e dështimeve tona. [Por çfarë është suksesi?] Në vendin tonë sukses do të thotë para; sukses do të thotë veshje të shtrenjta e ushqime të shijshme; sukses do të thotë pushtet ose qeverisje mbi të tjerët, etj.. Por e vërteta është që nuk ka kuptim më të gabuar të suksesit sesa ky.

Ato që ne i kemi quajtur sukses, dhe që i kemi bërë edhe synime të jetës sonë, në të vërtetë janë pengesa në rrugën tonë drejt suksesit. Realisht, këto gjëra nuk janë sukses në vetvete, por ato i gëzojmë nganjëherë për shkak të suksesit.

Duke mos e kuptuar pikërisht këtë realitet, disa njerëz nganjëherë më pyesin – Pse Hazret Imam Husejni a.s. kishte dështuar dhe se pse Jezidi pati sukses?

Por nëse do të thelloheshin, do ta kuptonin, që Jezidi, pavarësisht nga pasuria, pushteti dhe luksi në të cilin jetonte, dështoi, kurse Hazret Imam Husejni a.s., pavarësisht se ra dëshmor, e arriti suksesin. Pse? Sepse, ai nuk synonte pushtetin, por mbrojtjen e të drejtave të njerëzve.

Tani që kanë kaluar trembëdhjetë shekuj nga kjo ngjarje, parimi i shenjtë për të cilin Hazret Imam Husejni a.s. ishte ngritur, pra e drejta për të zgjedhur Kalifin u takonte qytetarëve të vendit dhe se asnjë njëri nuk kishte të drejtë ta uzurponte këtë të drejtë, duke ia kaluar si trashëgimi birit të vet, mbetet edhe sot e gjithë ditën po aq i shenjtë siç ishte atëherë. Madje, rënia dëshmor e tij e qartësoi edhe më shumë këtë të drejtë. Andaj, Hazret Imam Husejni u bë i suksesshëm, e jo Jezidi.

Kurani i Shenjtë me disa fjalë shumë të thjeshta tregon çelësin e suksesit, për të cilin dua t’ju tërheq vëmendjen:

وَ السّٰبِقُوۡنَ الۡاَوَّلُوۡنَ مِنَ الۡمُہٰجِرِیۡنَ وَ الۡاَنۡصَارِ وَ الَّذِیۡنَ اتَّبَعُوۡہُمۡ بِاِحۡسَانٍ ۙ رَّضِیَ اللّٰہُ عَنۡہُمۡ وَ رَضُوۡا عَنۡہُ وَ اَعَدَّ لَہُمۡ جَنّٰتٍ تَجۡرِیۡ تَحۡتَہَا الۡاَنۡہٰرُ خٰلِدِیۡنَ فِیۡہَاۤ اَبَدًا ؕ ذٰلِکَ الۡفَوۡزُ الۡعَظِیۡمُ 

“Dhe prej muhaxhirëve dhe ensarëve që janë fitimtarët e parë, si dhe ata që i ndoqën këta në mirësi, Allahu është i kënaqur prej tyre dhe ata janë të kënaqur prej Tij. Dhe Ai u ka përgatitur kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj. Ata në to do të jetojnë përgjithmonë. Ky është suksesi madhështor!”

(Kurani Famëlartë 9:100)

Ky ajet flet për ata të cilët parakalojnë të tjerët dhe gjithnjë përpiqen të jenë në vendin e parë, por që janë ndër ata që janë të gatshëm për të sakrifikuar çdo gjë për hir të Zotit të Madhërishëm, po kështu, ajeti flet edhe për ata të cilët angazhohen për t’i ndihmuar këta që u quajtën të parët, si dhe flet për një grup tjetër, i cili ndjek shembullin e këtyre të dyve, dhe në fund pohon: Allahu ka mbetur i kënaqur me ta dhe ata kanë mbetur të kënaqur me Allahun, dhe se Ai u ka përgatitur disa kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ata atje do të jetojnë përgjithmonë. Ky është suksesi madhështor.

Ky ajet pohon se suksesi i vërtetë për ty është të arrish pëlqimin e Zotit të Madhërishëm, dhe se rehatia dhe lehtësia do të të vijnë vetvetiu, si rezultat i pëlqimit të Zotit, por ato nuk janë synime në vetvete.

Çelësi i suksesit

Po kështu, në këtë ajet, Allahu i Madhërishëm tregon çelësin e suksesit që populli që përpiqet të parakalojë popujt e tjerë ose përpiqet të zërë vendin e parë në arritjen e atyre synimeve, të cilat i kërkojnë sakrifica dhe që, në shikim të parë, nuk sjellin përfitime vetjake, por u sjellin dobi të tjerëve, ai popull quhet i suksesshëm.

Ky është ai çelës i suksesit, të cilin vendi ynë e ka harruar. Dhe pikërisht ky është ai çelës, pa të cilin suksesi është i pamundur. Në vendin tonë kemi plot njerëz miliarderë, plot njerëz që zotërojnë prona të shumta, por prapëseprapë, nuk jemi të suksesshëm. Kjo për arsye se përpjekjet e vendit tonë dhe të qytetarëve të vendit tonë, që të gjitha harxhohen për të mbajtur nderin personal dhe për të arritur rehatinë personale.

Kurse, sipas këtij ajeti, çelësi i suksesit është që i gjithë populli t’u përngjajë muhaxhirëve, pra ta harrojnë veten e tyre dhe të angazhohen në punët që janë në dobi të njerëzimit; ose t’u përngjajë ensarëve, pra, të bëhen ndihmëtarë të njerëzve siç ishin muhaxhirët. Sakrifica e këtij grupi ose e këtij populli të jetë aq e lartë, saqë çdo shtet i botës të gëzojë dobi të shumta, për të cilat të jetë i bindur se pa sakrificën e atij grupi të parë, këto do të ishin të pamundura. Ky popull quhet i suksesshëm dhe përmendja e mbarë e këtij populli do të mbetet përgjithmonë.

Shpresoj se bashkëqytetarët e mi ta kuptojnë këtë të vërtetë dhe të përpiqen ta arrijnë atë. Nuk mund të arrini suksesin vetëm duke kopjuar. Për sa kohë që nuk do të përpiqeni të bëheni “fitimtarët e parë” dhe për sa kohë që nuk do të arrini t’i bëni popujt e tjerë t’ju ndjekin ju, do të vijoni të përballeni me dështime.

Por, vallë, akoma nuk paska ardhur koha që dështimet tona të mëparshme të na zgjojnë?! Vallë, a ka ndonjë humnerë më të thellë që ne ta vijojmë të tatëpjetën tonë?! Pasi kaluam fëmijërinë, a nuk do ta gëzojmë, vallë, rininë, dhe a do të përfundojmë në pleqëri pa e shijuar forcën?! Zoti kurrë mos na bëftë të tillë! Zoti e bëftë popullin tonë të marrë ngjyrën e muhaxhirëve e të ensarëve, dhe të qëndrojë krahë për krahë me “fitimtarët e parë” në arenën e zhvillimit të botës, dhe çdo sakrificë t’i bëhet e lehtë jo vetëm përkohësisht, por përjetësisht, dhe të lërë në arenën e suksesit gjurmë kaq të forta, që as koha të mos i fshijë dot! Amin! Amin o Zot! Dhe thirrja jonë e fundit do të jetë që lavdia është e Allahut, Zotit të botëve.

(Gazeta “Al-Fazl”, e datës 12 korrik, 1929;
marrë nga “Envarul-‘ulum”, vëll. 10, “Nazarat Nashr-o-isha’at Qadian, 2008, f. 589 – 591 )

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp