Njollat ​​e lëna nga Epstein: Pse njerëzit mëkatojnë?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Njollat ​​e lëna nga Epstein: Pse njerëzit mëkatojnë?

Epstein dosjet pse mekati

“Zhduku, njollë e mallkuar!” – bërtet Zonja Makbethi me nervozizëm dhe frikë teksa lan duart, duke u përpjekur të çlirohet nga njollat e imagjinuara të gjakut dhe, sigurisht, nga ndjenja dërrmuese e fajit për vrasjen e mbretit.

Në jetë, veprime të paimagjinueshme si vrasja dhe përdhunimi lindin ndjenjën e fajit. Faji, në formën e tij më të pastër, është ajo që e bën njeriun pikërisht njeri. Ai është ndër pengesat më të forta kundër kryerjes të së keqes. Por çfarë ndodh kur dikush bie aq thellë në mëkat, në vepra aq të neveritshme, saqë edhe vetë ideja e tyre e bën njeriun të pyesë veten se si këta njerëz vazhdojnë të jetojnë në këtë botë?

Vrasja, përdhunimi dhe mëkate të tjera të tmerrshme janë ndër veprimet më mizore që një njeri mund të kryejë, dhe ato kanë ekzistuar që nga fillimi i njerëzimit. Kur djali i Ademit, Kaini, vrau vëllanë e tij, Abelin, edhe atëherë vrasësi ndjeu faj. Faji, me të vërtetë, shërben si një kujtesë e natyrës sonë njerëzore. Pavarësisht sa larg shkon njeriu në mëkat, faji është ai që e tërheq përsëri drejt njerëzisë, drejt vetes së tij njerëzore.

Megjithatë, çfarë ndodh kur dikujt i mungon drejtësia dhe busulla morale? Çfarë ndodh kur mëkati dhe veprat e shëmtuara bëhen zakon? A na tërheqin ende ato mbrapsht drejt vetes sonë njerëzore? A lë ende faji një njollë mbi ndërgjegjen tonë?

Njollat që la Jeffrey Epstein në botë kanë pasur dhe do të vazhdojnë të kenë një efekt të thellë dhe të qëndrueshëm zinxhiror. Me shumë gjëra që kanë dalë në dritë dhe disa çështje ende të pazbuluara, kjo ka lënë një njollë të thellë në strukturën e shoqërisë, aq të thellë saqë ajo që dikur hidhej poshtë si teori konspirative nuk duket më thjesht teorike.

Ky nuk është një artikull që synon të debatojë veprimet e Epstein-it apo t’i arsyetojë ato. Përkundrazi, është një shqyrtim i shkurtër mbi arsyen pse njerëzit mëkatojnë. Që nga publikimi i fundit i dosjeve, shumëkush mund të pyesë: “Çfarë e bën një njeri të zhytet në një jetë mëkatare deri në atë pikë sa mëkati nuk i duket më si mëkat?” Ja një përmbledhje islame dhe pesë arsye pse njerëzit mëkatojnë.

Nefsi (shpirti) dhe natyra e tij

Platoni ka thënë se shpirti është si një qerrexhi me dy kuaj, një fisnik dhe tjetri i ulët. Para se të flasim përse njerëzit mëkatojnë apo, për atë çështje, përse bëjnë çfarëdo veprimi, duhet të kuptojmë se ne nuk jemi trupa me shpirt, por përkundrazi shpirtra që banojnë në një trup.

Pra, për ta kuptuar me të vërtetë veten, së bashku me përplasjet dhe dëshirat e brendshme të njeriut, jemi të detyruar t’i hedhim një vështrim shpirtit. Në Kuranin e Shenjtë na flitet për tri lloje, ose faza, të shpirtit. Faza e parë quhet nafs el-ammarah (shpirti që nxit shumë për të keqen). (Sureja Jusuf, 12:54)

Njeriu ka një nefs, një shpirt, që shpesh kuptohet si vetja apo egoja, e cila, nëse lihet e paekuilibruar, e pakontrolluar dhe e parregulluar, mund ta shtyjë njeriun drejt mëkatit. Nefs el-ammarah përkufizohet në Kuran si vetja që nxit drejt së keqes. Ajo e provokon dhe e shtyn njeriun të kënaqë thjesht dëshirat e tij të menjëhershme, pa asnjë kufizim moral.

Kjo, në vetvete, është e rrezikshme nëse lihet pa kontroll. Kurani citon Hazret Jusufin a.s.:

“Dhe unë nuk e shfajësoj veten time. Njëmend, vetvetja nxit shumë për të keqen, përveç asaj që mëshiron Zoti im. Sigurisht,” (Sureja Jusuf, 12:54).

Kjo tregon se nëse shpirti nuk disiplinohet përmes besimit, përmes vetë-reflektimit dhe përmes veprave të drejta, ai e shtyn njeriun drejt së keqes.

Nga kjo, nuk do të ishte e pasaktë të përfundonim se një nga arsyet kryesore pse njerëzit mëkatojnë është mungesa e kontrollit mbi shpirtin, ose dështimi për ta rregulluar siç duhet atë. Prandaj, shpirti duhet të shtrohet, sepse ai natyrshëm anon drejt dëshirës dhe pasionit. Nëse neglizhohet dhe nuk disiplinohet, ai me siguri e dominon zemrën dhe mendjen. Pikërisht për këtë arsye kërkohen veprime shpirtërore dhe pastrim i brendshëm për ta frenuar atë.

Kur Profeti Musa a.s. u urdhërua të shkonte te Faraoni, ai e ftoi atë para së gjithash drejt pastrimit shpirtëror. Kurani i Shenjtë thotë:

“Shko drejt Faraonit, se ai u rebelua; Dhe pyete: ‘A dëshiron të dëlirësohesh?” (Sureja En-Nazi’at, 79:18-19)

Këtu duhet mbajtur parasysh se nëse kryerja e detyrimeve fetare do të ishte gjithmonë e lehtë, ato nuk do të na ndryshonin vërtet. Përpjekja dhe lufta që bëhet janë në fakt thelbi i çështjes. Shtytja e vetes për të bërë atë që është e drejtë stërvit vetëkontrollin, formëson karakterin dhe të forcon nga brenda.

Pra, vetë përpjekja është një dhuratë nga Zoti, sepse përmes saj shpirti yt, nefsi yt, bëhet më i disiplinuar. Ti rritesh si person dhe dalëngadalë bëhesh më i mirë se më parë.

Nëse të gjitha veprat e adhurimit do të ishin të lehta, ato nuk do të ndihmonin në asnjë mënyrë për të ushtruar përmbajtje. Merrni agjërimin si shembull: vetë akti i përmbajtjes nga ushqimi ushtron vetëkontrollin, dhe njeriu fillon të kuptojë se nëse mund të përmbahet nga ajo që është e lejuar dhe e domosdoshme, atëherë me siguri mund të përmbahet edhe nga ajo që është mëkatare dhe imorale.

Mungesa e takvasë (druajtjes)

Një zemër që është e vetëdijshme për Zotin nuk ndjek dëshirat e vetes së ulët dhe të instinktit. Përkundrazi, zemra që nuk është e kujdesshme dhe e harron Zotin, e lejon veten të endet dhe të kryejë mëkate. Mungesa e drejtësisë dhe e druajtjes është një tjetër faktor që i çon njerëzit drejt mëkatit.

Kur nuk i frikësohemi Krijuesit tonë, madje as pasojave të veprimeve tona, ne fillojmë të kalojmë kufijtë. Pikërisht në këtë zakon të shkeljes së kufijve, njeriu përparon në mëkat deri në atë masë sa nuk i sheh më veprimet e tij si të dëmshme për shoqërinë. Zoti thotë në Kurani i Shenjtë:

كَلَّا ‌إِنَّ ‌الْإِنْسَانَ لَيَطْغَى أَنْ رَآهُ اسْتَغْنَى

“Dëgjoni! Njeriu patjetër rebelohet. Sepse e kujton veten të pavarur.” (Sureja el-‘Alek, 96:7-8)

Kur dikush e ndjek me të vërtetë Islamin dhe ka një busull morale, ai zhvillon takvanë (druajtjen). Mungesa e takvasë është, në thelb, mungesa e vetëdijes për Zotin. Kur një personi i mungon ndërgjegjja për Zotin, kur ai harron ose e shpërfill faktin se Zoti po e vëzhgon dhe se çdo gjë do të merret në llogari, ai mbetet të veprojë vetëm sipas dëshirave të tij.

Siç u shpjegua më lart, ai do të veprojë përmes shpirtit që nxit drejt së keqes, sepse shpirti është natyrshëm i prirur drejt së keqes; drejtimi i paracaktuar kah i cili anon njeriu është sjellja mëkatare dhe veset e korruptuara.

Mungesa e druajtjes është në thelb një gjendje në të cilën njeriu e harron Zotin. Është sikur dikush që po ngas makinën në autostradë dhe e di se nuk ka kamera që ta kapë për shpejtësi të tejkaluar; ai ndihet më i sigurt për të shtuar shpejtësinë, edhe pse kjo mund të jetë e rrezikshme. Kështu kuptojmë pse është e domosdoshme të kemi një busull morale, qoftë ajo feja apo parimet morale dhe etike.

Ndikimi i Djallit

Ndikimi i Djallit përmendet në të gjitha shkrimet e shenjta. Djalli dëshiron që njeriu të bjerë. Ai i tundon dhe i josh njerëzit, duke ua zbukuruar epshet e kësaj bote dhe kryerjen e veprave të këqija. Pëshpëritjet e Djallit marrin efekt vetëm kur dy arsyet e para, nefsi i pakontrolluar dhe mungesa e takvasë, lihen pa fre.

إِنَّ الَّذِينَ اتَّقَوْا إِذَا مَسَّهُمْ طَائِفٌ مِنَ الشَّيْطَانِ تَذَكَّرُوا فَإِذَا هُمْ مُبْصِرُونَ

“Ata që kanë drojë (ndaj Zotit), kur i prek ndonjë shqetësim i ardhur nga djalli, përkujtojnë shumë (Zotin), dhe papritmas dritësohen.” (Sureja el-A‘raf, 7:202)

Kurani gjithashtu thotë se Djalli qëndron në rrugën mes njeriut dhe Zotit, duke u përpjekur vazhdimisht t’i çorientojë njerëzit. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë mbrojtje te Zoti nga Djalli kur lexojmë Kuranin e Shenjtë. (Sureja en-Nahl, 16:99) Ata që nuk kanë besim dhe vetëdije për Zotin janë si individë pa përvojë që hyjnë në ringun e boksit përballë një kampioni të peshave të rënda. Vetë Djalli ka deklaruar se do të bëjë gjithçka që ka në fuqi për t’i larguar njerëzit nga rruga e drejtë. (Sureja el-A‘raf, 7:18)

Kështu, veprat e këqija shpesh fillojnë kur njeriu dorëzohet ndaj pëshpëritjeve të djallit që e bëjnë mëkatin të duket tërheqës dhe i padëmshëm.

Dëshira për pushtet

Epshi për pushtet ka qenë gjithmonë një forcë shtytëse që e lejon shpirtin të ulet në nefsin e pakontrolluar (nefsin ammarah) dhe në mungesën e druajtjes, duke çuar në shpërthimin e veprave mëkatare. Qoftë pushteti apo lakmia, në fund maturia nuk arrin të qëndrojë në sipërfaqe, dhe ajo që mbetet janë thjesht shtysa që mjegullojnë arsyen, e largojnë njeriun nga Zoti dhe e çojnë drejt mendjemadhësisë.

وَإِذَا قِيلَ لَهُ اتَّقِ اللَّهَ أَخَذَتْهُ ‌الْعِزَّةُ بِالْإِثْمِ

“Dhe kur i thuhet: “Ki druajtje ndaj Allahut!”, krenaria e mban të lidhur me mëkatin.” (Sureja el-Bekare, 2:207)

Të gjithë, herët a vonë, e kuptojnë se dëshira për pasuri, status apo kontroll mund ta verbojë ndjeshmërinë morale të njeriut. Mendjemadhësia, e quajtur në Kuran kibr, është një sëmundje që ta gërryen shpirtin.

Shembulli i Faraonit dhe i atyre si ai ilustron se si mendjemadhësia mund ta çojë njeriun deri në atë pikë sa të kërkojë adhurim dhe ta shohë veten si hyjnor. Krenaria e Faraonit e verboi ndaj së vërtetës, deri në atë masë sa ai e refuzoi vetë të dërguarin që ishte rritur në shtëpinë e tij.

Kjo tregon se mendjemadhësia mund ta bllokojë plotësisht njeriun nga perceptimi i udhëzimit, ashtu si lakuriqët e natës që nuk e durojnë dritën. Njerëz të tillë, si Faraoni, sillen sikur janë mbi parimet etike dhe madje mbi ligjin hyjnor.

Ai që e ka ves mëkatin

Shprehitë na bëjnë ata që jemi. Kur vazhdojmë të ecim në një rrugë të së mirës ose të së keqes, përfundimisht zhytemi në veprimet tona. Edhe nëse një person nuk është në thelb i keq, veprat e tij e formësojnë atë. Prandaj veprat e vogla, por të vazhdueshme të drejtësisë, shpesh inkurajohen më shumë sesa gjestet e rralla madhështore. Vazhdimësia ka rëndësi. Ne bëhemi ajo që bëjmë, ashtu siç bëhemi ajo që hamë. Dhe kur dikush vazhdon të kryejë të keqen, zemra e tij ndryshket, siç thotë Zoti:

كَلَّا بَلْ ‌رَانَ ‌عَلَى قُلُوبِهِمْ مَا كَانُوا يَكْسِبُونَ

“Përkundrazi! Ua kanë ndryshkur zemrat punët që bënin.” (Sureja et-Tatfif, 83:15)

Kur një individ angazhohet vazhdimisht në një veprim negativ, ai veprim mund ta humbasë gradualisht peshën e tij morale. Kryerja e vazhdueshme e së keqes me kalimin e kohës sjell një ndjenjë normalizimi të sjelljes së keqe.

Një shembull i kësaj shihet qartë edhe në epokën e sotme të rrjeteve sociale, ku meme-t dhe përmbajtjet online shpesh e minimizojnë seriozitetin e shkeljeve të rënda. Për shembull, meme-t raciste shpesh krijojnë përshtypjen se qëndrime të tilla janë të pranueshme, duke çuar në “normalizimin” e tyre. Kur të drejtat e të tjerëve shpërfillen, e keqja zë rrënjë dhe rritet.

Sigurisht, e keqja lulëzon shpesh kur tolerohet nga mbarë shoqëria, madje inkurajohet.

Duket se mëkati bëhet pothuajse i pashmangshëm kur besimi neglizhohet dhe Zoti shpërfillet. Nuk është çudi, atëherë, që pika e parë e besimit në Islam është njohja e një Zoti të Vetëm e të Plotfuqishëm. Pesë arsyet e mësipërme për degjenerimin e disa njerëzve mund të shërbejnë si paralajmërim për të gjithë ne. Ne duhet të ecim në rrugët e drejtësisë dhe të shmangim shtigjet e mëkatit, sado të vogla që të duken ato.

Lexoni edhe:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem
Share via