
(a) Për nikah, hutbeja nuk është e domosdoshme, ashtu siç edhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte bërë kurorëzimin e hallës së vet, Amama Bint Abdulmutalib, me një njeri të fisit Beni Sulejm, pa mbajtur ndonjë hutbe.[1]
(b) Në hadithe nuk përmendet ndonjë hutbe e posaçme për kurorëzimin, por përmendet një hutbe e quajtur hutbeja për nevojë, e cila praktikohet edhe gjatë kurorëzimit.
(c) Hazret Abdullah Ibni Mesudi r.a. tregon se të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. i ishin dhuruar “xheuamiul-hejr”, domethënë, “fjalët që përmbledhin të gjitha mirësitë në mënyrë të përsosur dhe elokuente”. Ai na kishte mësuar një hutbe të posaçme për nevoja të veçanta. Kjo hutbe përbëhet nga lavdërimi dha falënderimi i Allahut, dëshmia dhe disa ajete të Kuranit Famëlartë. Sipas Sufjan Suriut, në këtë hutbe recitohen ajetet që janë si më poshtë:
(1) O ju që besuat! Kini druajtjen e Allahut ashtu siç duhet t’i druheni Atij dhe vdisni vetëm kur të jeni të nënshtruar.[2]
(2) O njerëz! Kini druajtje ndaj Zotit tuaj që ju krijoi prej një fryme të vetme dhe prej saj krijoi çiftin dhe përmes atyre të dyve, përhapi shumë burra e gra. Kini druajtje ndaj Allahut, (në emër të) të cilit ju i kërkoni njëri-tjetrit dhe ruani lidhjet farefisnore! Allahu pa dyshim është Mbikëqyrësi juaj.[3]
(3) O ju që besuat! Kini druajtjen e Allahut dhe thoni fjalë të drejta! Ai do t’ju përmirësojë veprat dhe do t’ju falë gjynahet. Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ka arritur një sukses madhor.[4],[5]
(4) Sipas një rrëfimi tjetër autentik, një herë për të nxitur besimtarët për sakrificat financiare, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. në hutben e tij ka recituar ajetin 19-të të sures El-Hashr, duke përfshirë ajetet e sipërpërmendura.[6] Ajeti në fjalë është si më poshtë:
O ju që besuat! Kini druajtjen e Allahut! Çdo shpirt duhet të ketë parasysh atë që ka dërguar përpara për të nesërmen. Kini druajtjen e Allahut! Allahu pa dyshim është i Dijshëm për çdo gjë që bëni.[7]
Hutbeja e dytë
Kalifi Umavi Hazret Omer Ibni Abdul Azizi (që ndërroi jetë në vitin 101 hixhri) ka shtuar këto fjalë në hutben e dytë, të cilat vazhdojnë të praktikohen deri më sot:
O robërit e Allahut! Allahu ju mëshiroftë! “Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe dhënien si ajo që u jepet të afërmve, dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju të kuptoni”.[8] Kujtojeni Allahun, Ai do t’ju kujtojë ju! Thërriteni Atë, Ai do t’ju përgjigjet dhe kujtimi i Allahut pa dyshim është gjëja më madhore.[9]
[1]. Ebu Daud, Kitabun-nikah, bab khutbatun-nikah.
[2]. Kurani Famëlartë 3:103.
[3]. Kurani Famëlartë 4:2.
[4]. Kurani Famëlartë 33:71-72.
[5]. Tirmidhiu, Kitabun-nikah, bab khutbatun-nikah.
[6]. Muslimi, Kitabuz-zekat, bab El-heth ales-sadaka.
[7]. Kurani Famëlartë 59:19.
[8]. Kurani Famëlartë 16:91.
[9]. Tarikhul-khulafa, lis-Sujuti, botuar në Lahor, f. 244.