10 vese që mund t’jua dëmtojnë rëndë jetën, nëse nuk i zhdukni ato
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

10 vese që mund t’jua dëmtojnë rëndë jetën, nëse nuk i zhdukni ato

COO Alislam.org
personaliteti zhvillimi vese

Shumica e njerëzve nuk e prishin me dashje karrierën e vet. Janë zakonet e tyre të këqija që ua shkatërrojnë atë në mënyrë të fshehtë. Ata nuk u kushtojnë vëmendje këtyre veseve, sepse i konsiderojnë si të parëndësishme. Por këto zakone toksike u shkaktojnë dëm kolosal. Ne do të diskutojmë këtu për këto vese dhe për mënyra që i eliminojnë ato, për të filluar më pas udhëtimin drejt përparimit dhe prosperitetit.

Këtu janë 10 vese që mund t’jua shkatërrojnë jetën, nëse nuk i zhdukni ato:

1. Zgjimi vonë

Studime të ndryshme sugjerojnë që zgjimi vonë në mëngjes rrit rreziqet shëndetësore. Është një nga shkaqet e dështimit në terren a vendin e punës. Pa dyshim, të zgjoheni shumë herët nuk është e mundur, nëse punoni shumë deri në orët e vona të natës. Por zgjimi shumë vonë gjithashtu nuk është i pranueshëm. Ky është një veprim joproduktiv për karrierën tuaj. Ai që humb mundësinë të zgjohet herët, humb një mundësi të artë. Ka një proverb të famshëm kinez:

“Nuk ka njeri që çohet para agimit 360 ditë në vit, e të mos arrijë ta bëjë familjen të pasur.”

Prandaj, së pari përpiquni të flini sa më herët, që më pas të zgjoheni sa më shpejt.

2. Mos ushtrimi fizik

Disavantazhet nga mos ushtrimi fizik nuk kanë të sosur. Mos ushtrimi fizik me një plan të rregullt, shkakton dobësim të trupit, të kockave dhe të muskujve, duke sjellë pleqërinë para kohe. Studimet sugjerojnë se mungesa e ushtrimeve fizike lë pasoja si tension të  lartë të gjakut dhe mosfunksionim kardiovaskular. Ka shumë pasoja të tjera negative, të cilat të gjitha bashkë mund t’i sjellin njeriut edhe vdekje të parakohshme.

Kurse ai që bën rregullisht ushtrimet fizike, i sheh dobitë shëndetësore jo vetëm në trup, por edhe në mendje. Prandaj, ushtrimi fizik rregullisht është i pazëvendësueshëm.

3. Përfshirja në punët a veset që ju devijojnë

Përfshirja në punët a veset që ju devijojnë nga detyra kryesore, ju shkaktojnë humbje kohe dhe humbje përqendrimi. Është e vërtetë që pas një pune të vazhdueshme e të lodhshme, nganjëherë, një gjë e tillë edhe të relakson, por nuk duhet ta humbësh kontrollin duke u dhënë pas punëve të tilla, pasi pikërisht ato të shndërrohen në vese. Pra,  nëse ushqeni ndonjë ves ose merreni me diçka të padobishme dhe kjo ju është bërë shprehi, në një plan të gjerë, kjo ju sjell pasoja, ju ngadalëson ose ndryshon krejtësisht ritmin e punës dhe jua merr gjithë forcën e përqendrimit.

4. Konsumimi i ushqimeve “JunkFood”

Çfarë është Junk Food?

Fjalë për fjalë është “ushqimi mbeturinë”. Junk Food është ushqim i përpunuar, me shumë kalori prej sheqeri dhe yndyrash dhe që ka shumë pak fibër, proteinë, vitamina, minerale dhe vlera të tjera ushqyese.

Kështu që, Junk Food, pavarësisht se ju shijojnë, janë të zbrazëta nga lëndët ushqyese, të cilat janë të nevojshme për trupin.

Junk Food është një zgjidhje e shpejt për të shuar urinë dhe që preferohet shumë sidomos nga të rinjtë. Por nuk duhet harruar se ushqimi i shëndetshëm luan rol të pazëvendësueshëm në formimin e personalitetit tonë. Varësia ndaj Junk Food-it te të rinjtë shkakton stres deri në depresion si dhe probleme të tjera mendore. Këto ushqime gjithashtu shtojnë rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Për të gjitha këto arsye, duhet të vendosni limite për sa i përket konsumimit të Junk Food-it, përndryshe pasojat do të jenë të pashmangshme.

5. Qëndrimi i gjatë në telefon

Nëse doni të pakësoni ankthin dhe shqetësime të tjera mendore, vendosni limit në përdorimin e telefonit, e ta përdorni atë vetëm kur ju nevojitet. Njoftimet e vazhdueshme konsumojnë energjitë tuaja mendore. Qëndrimi i gjatë dhe kokulur në telefon ose kontrollimi orë pa orë i tij, ju pengon nga përqendrimi në gjërat që vërtet kanë rëndësi në jetën tuaj. Shqetësimi vetëm ju shtohet nga lundrimi i tepruar nëpër rrjetet sociale dhe nga soditja e fotove a imazheve të të tjerëve. Ky stres ju shndërrohet në ves dhe gjithmonë do t’ju mbajë peng që ju të mos e bëni punën tuaj kryesore. Prandaj, ndalni së përdoruri të telefonit në mënyrë të tepruar, në mënyrë që të jeni të gëzuar.

6. Kritikon çdo gjë

Ne kritikojmë veprimet negative dhe njerëzit negativë dhe kjo nuk përbën problem. Por të kritikosh çdo gjë, nuk është e mirë. Madje, me këtë zakon do ta dëmtoni vetëm vetveten. Do të filloni të ndiheni vetshkatërrues dhe i pasigurt. Prandaj, duhet që të kritikoni pak dhe të punoni shumë. Të kritikosh të tjerët nuk sjell asnjë përmirësim te ta, derisa nuk tregoni shembullin tuaj, sepse veprimet flasin më fuqishëm sesa fjalët.

7. Ke një punë në kokë, por nuk e nis asnjëherë

Keni plane madhështore në kokë, por ato nuk kanë asnjë kuptim, derisa nuk i nisni dhe nuk i realizoni. Të mos arrini të filloni punën sipas planit, është një tjetër ves shkatërrues. Sigurisht, të ndahesh nga rehatia për të bërë një punë, kjo nuk u përket njerëzve dembelë dhe gjumashë, por nëse dështoni vazhdimisht ose qoftë disa herë për të nisur një punë që keni në kokë, gjithashtu quhet një ves që mund t’ju degradojë keqas. Prandaj, përpiquni t’i thoni lamtumirë përtacisë suaj dhe të ecni përpara. Bëjeni! Mos u bëni pre e mëshirës për vetveten! Besoni te vetvetja dhe jepuni fund justifikimeve.

8. Pesimizmi

Pesimizmi është një nga problemet evidente të epokës sonë. Mendimet negative mund t’jua rrëmbejnë motivacionin dhe përqendrimin. Ato mund të dëmtojnë së tepërmi aftësitë tuaja inovative dhe prodhuese. Njerëzit pesimistë mund të ndikojnë edhe te partnerët e tyre. Në fakt, sjellja pesimiste është një gjendje mendore, që e ka burimin te mungesa e shpresës dhe negativiteti. Ai që nuk i reziston kësaj gjendjeje mendore, ka rrezik që ajo t’i bëhet pjesë e pandashme e personalitetit të tij. Qasjet negative dëmtojnë aftësitë tuaja. Prandaj, mos mendoni negativisht dhe bëhuni njeri pozitiv!

9. Negligjenca ndaj trupit dhe shëndetit

Një jetë e shëndetshme mban një karrierë të frytshme. Nëse nuk bëni gjumin e rregullt, konsumoni ushqime jo të shëndetshme apo tregoheni i shkujdesur ndaj trupit, këto mund t’jua dëmtojnë keq karrierën. Negligjenca ndaj shëndetit mund t’jua bllokojnë papritmas gjithë progresin tuaj. Pakujdesia ose refuzimi për të rregulluar problemet shëndetësore, ju shkaktojnë pasoja afatgjatë. Prandaj, kurrë mos u bëni i shkujdesur për të mbajtur shëndetin tuaj! Thuhet:

“Kujdesu për trupin tënd, sepse ai është i vetmi vend ku jeton!”

10. Vonon ose vonohesh shpesh

Shumica prej nesh e urrejnë të bëhemi vonë. Përpiqemi shumë, por prapëseprapë vonohemi. Pa dyshim, të vonohesh gjithashtu është një ves që nuk duhet ta keni. Përpiquni të eliminoni faktorët që janë shkak kryesor që ju bëjnë të vonoheni. Mos bëni justifikime të kota për të qetësuar të tjerët se pse erdhët me vonesë. Bëhuni i rreptë ndaj vetvetes për ta menaxhuar kohën dhe për të mos u bërë vonë asnjëherë.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp