
Njerëzit hyjnë në mëkate në tri mënyra. Së pari, disa njerëz për disa mëkate nuk dinë fare se ato janë të tilla dhe nga padijenia mëkatojnë. Padyshim që mëkatet e mëdha e të njohura, të gjithë i dinë. Gjithkush di që vjedhja, rrëmbimi, kurvëria, gënjeshtrat etj. janë mëkate dhe duhet të rrijë larg nga ato. Por, një shtëpi nuk mund të kompletohet derisa të plotësohet me të gjitha elementet e saj. Nëse dikush ndërton vetëm katër mure dhe nuk hedh çatinë, shtëpia e tij s’është e mbrojtur nga shiu dhe dielli. Shtëpia e kompletuar duhet të ketë një çati, disa dritare etj. Në të njëjtën mënyrë, asnjëri nuk mund të bëhet i pastër shpirtërisht, derisa të mos jetë vigjilent ndaj të gjitha aspekteve të mëkateve.
Ka disa mëkate të fshehta që nuk mund t’i kapësh pa pasur dije të thellë për to dhe pa bërë përpjekje të mundimshme. Për çdo gjë janë të përcaktuara mjetet që e mbrojnë, por ka edhe elemente të tjera që i japin bukuri. Nëse këto të fundit nuk përdoren, nuk prish shumë punë, por nëse të parat mbeten pa bërë, atëherë ajo gjë nuk mund të realizohet. Për shembull, shtëpia nuk kompletohet derisa nuk i vendosni dyert e dritaret. Por, nëse i vendosni ato dhe nuk hidhni dyshemenë ose nuk i hidhni beton shtëpisë, atëherë ajo edhe pse është e mbrojtur, nuk ka bukuri.
Prandaj, nëse një njeri s’ka njohuri për disa mëkate të caktuara dhe mendon që do të ketë sukses në këtë rrugë, edhe sikur të përpiqet ditë e natë, nuk mund ta arrijë suksesin. Sepse në këtë mënyrë, ai do të anashkalojë disa gjëra që nuk duhen anashkaluar. Thënë ndryshe, ai nuk do të ruhet nga disa gjëra, prej të cilave duhet ruajtur. Ai gabon nëse pretendon të bëhet i përsosur shpirtërisht, sepse kushti i suksesit të tij është që ai të jetë vigjilent në të gjitha aspektet. Pra, gjëja e parë që i duhet, është që të bëhet i vetëdijshëm për mëkatet.
Arsyeja e dytë pse njerëzit bëjnë mëkate është se disa njerëz edhe pse kanë njohuri për mëkatet, kur vjen koha, ata pushtohen nga tundimi i tyre dhe mëkatojnë, duke harruar çdo gjë. Për shembull, nëse dikush është vigjilent që nuk duhet të flasë gënjeshtër, kur vjen koha, nuk përmbahet dhe gënjen e pastaj pendohet. Në të njëjtën mënyrë një njeri e di që të shajë dikë është mëkat, por prapë shan sepse rrëmbehet nga rrethanat e pastaj bëhet pishman. Pra, pengesa e parë është që njerëzit s’kanë dije për mëkatet, ndërsa e dyta është që njerëzit edhe pse dinë për mëkatet, në kohën kur u vjen dëshirë e fortë për të bërë mëkat, ata harrojnë çdo gjë dhe mëkatojnë e pastaj vetëm pendohen.