Mësimet e Imam Mehdiut a.s.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
darul masih

(Shënim: Më poshtë po jepet një pjesë e shkëputur nga hutbja e së xhumasë, e mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmed, Kalif i Pestë i Xhematit Musliman Ahmedia. Për më shumë, ju lutemi, ndiqeni hutben e plotë.)

Duke treguar se çfarë pret ai nga ne që kemi hyrë në bejtin e tij, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Qëllimi për të cilin përqafoni këtë xhemat dhe krijoni lidhshmërinë e ndërsjellë me mua si mësues – nxënës shpirtëror, është që të arrini shkallën më të lartë të mirësjelljes, të fatbardhësisë dhe të takvasë dhe të mos ju afrohet aspak asnjë çrregullim, sherr a keq sjelljeje. Duhet të jeni të përpiktë në namazet e pesë vakteve, të mos gënjeni.

Gjithashtu, mos lëndoni askënd me fjalë, mos u përfshini në ndonjë pandershmëri dhe nuk duhet t’ju lindë në zemër asnjë mendim për të shkaktuar padrejtësi, trazirë a fitne. Shkurt, duhet të rrini larg çdo lloj mëkati, krimi, vepre dhe fjale të ndaluar, ndjenje të ulëta vetjake dhe veprimi të kotë dhe të bëheni robër zemërpastër, të pasherr dhe të përulur të Zotit të Madhërishëm.

… jo çdo e keqe është e denjë të luftohet. Andaj, juve ju duhet që në shumicën e rasteve të falni, të toleroni e të punoni me durim dhe vetëpërmbajtje”.

Duke e shpjeguar po këtë temë, në një vend tjetër Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Zemrat tuja le të jenë të pastra nga mashtrimi, duart nga dhuna dhe sytë nga papastërtia. Në veten tuaj ju të mos keni asgjë përveçse drejtësi dhe dhembshuri ndaj njerëzimit. Nëse do të arrini ta ktheni gjendjen tuaj siç ju them unë dhe siç Zoti dëshiron nga ju, më besoni se Zoti bëhet i juaji. Ju do të jeni në gjumë dhe Zoti do të rrijë zgjuar për ju. Ju do të jeni të shkujdesur nga armiku juaj dhe Zoti do ta vëzhgojë atë dhe do ta shpartallojë planin e tij”.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

“Prandaj nuk mund të pranoheni te pragu i Tij, nëse nuk do të arrini ta njësoni të dukshmen dhe brendinë tuaj. Kur jeni të mëdhenj mëshirojini të vegjlit dhe mos i përbuzni ata. Kur jeni dijetarë këshillojini të paditurit dhe mos i nënçmoni duke ekspozuar veten tuaj. Kur jeni të pasur, shërbejuni të varfërve dhe mos u mburrni nga vetëpëlqimi.

Kini frikë nga rruga e shkatërrimit. Përvetësoni takvanë. Mos adhuroni njerëzit. Shkëputuni drejt Mikut tuaj. Mos u dashuroni me botën. Bëhuni vetëm të Zotit dhe jetoni vetëm për hir të Tij. Për hir të Tij urreni çdo papastërti e ligësi, sepse Ai është i Pastër. Duhet që çdo mëngjes të dëshmojë se keni kaluar natën me takva dhe çdo mbrëmje të dëshmojë se keni kaluar ditën duke u druajtur.

Mos u frikësoni nga mallkimet e botës, sepse ato zhduken si tymi para syve tuaj dhe ato s’mund të shndërrojnë ditën në natë. Përkundrazi, frikësohuni nga mallkimi i Zotit, që zbret prej qiellit dhe atij që i bie, e shkul nga rrënjët në të dyja botët.

Ju nuk mund të shpëtoni veten duke u shtirur, sepse Ai Zot që është Zoti juaj, sheh deri në palcën e njeriut. A mund ta mashtroni Atë? Kurrsesi jo. Andaj, bëhuni të drejtë, të dëlirë, të pastër dhe të çiltër. Nëse keni qoftë një grimë shtrembësie në veten tuaj, ajo do t’jua largojë gjithë dritën tuaj. Nëse keni qoftë një aspekt të mburrjes, të shtirjes, të vetëpëlqimit apo të dembelisë, ju nuk jeni diçka që mund të pranohet te Zoti.

Le të mos ndodhë që ju të mashtroni veten me vetëm pak gjëra, duke kujtuar se gjithçka që kishit për të bërë e keni bërë! Sepse Zoti dëshiron revolucion të plotë në shpirtin tuaj. Ai ju kërkon një vdekje, pas së cilës Ai do t’ju japë jetë.

Andaj, pajtohuni me njëri-tjetrin sa më shpejt dhe faluni gjynahet vëllezërve tuaj, sepse i lig është ai që nuk dëshiron pajtim me vëllain e tij. Ai do të këputet prej nesh, sepse krijon përçarje. Lëreni vetveten tuaj në çdo aspekt dhe çlirohuni nga pakënaqësitë e ndërsjellë. Hiqni dorë nga uni dhe vetvetja dhe mos krijoni hatërmbejtje për këtë shkak. Edhe duke qenë të vërtetë, tregoni përulësi sikur të jeni gënjeshtarë, që ju të faleni.

Mos i vini dhjamë shpirtit tuaj, sepse nga dera që ju jeni thirrur, nuk mund të hyjë një njeri i dhjamosur. Sa fatkeq është ai që nuk i pranon këto fjalë, që buruan nga goja e Zotit dhe jua tregova unë.

Nëse dëshironi që Zoti të kënaqet me ju në qiell, bashkohuni me njëri-tjetrin sikur dy vëllezër në një bark të vetëm. Më i nderuari mes jush është ai që i fal më shumë gjynahet vëllait të vet dhe më fatligu është ai që insiston dhe nuk ia fal, andaj ky i fundit nuk bën pjesë tek unë

I ligu nuk mund të gëzojë afrimin me Zotin. Mburraveci nuk mund të gëzojë afrimin me Zotin. Mizori nuk mund të gëzojë afrimin me Zotin. Tradhtari nuk mund të gëzojë afrimin me Zotin. Dhe çdokush që nuk ka sedër për emrin e Tij, nuk mund të gëzojë afrimin me Të.

Çdo sy i papastër është larg prej Tij. Çdo zemër e papastër është larg prej Tij. Ai që është në zjarr për hir të Tij, do të shpëtojë nga zjarri. Ai që qan për hir të Tij, do të qeshë. Ai që shkëput veten nga bota për hir të Tij, do ta gjejë Atë. Ju me zemër të sinqertë dhe me vërtetësi dhe angazhim të plotë bëhuni mik i Zotit, që edhe Ai të bëhet Miku juaj.

Mëshironi nëpunësit, bashkëshortet dhe vëllezërit tuaj të dobët, që edhe ju të mëshiroheni në qiell. Bëhuni sinqerisht të Atij, që edhe Ai të bëhet juaji. … Asnjë gjëmë nuk bëhet në tokë, derisa nuk vjen urdhri nga qielli. Po ashtu, asnjë gjëmë nuk mund të largohet, derisa nuk zbret mëshira nga qielli. Andaj, në jeni të mençur, kapeni rrënjën dhe jo degën.

Një mësim i rëndësishëm për ju është që mos e lini Kuranin Famëlartë si diçka të braktisur, sepse pikërisht në të gjendet jeta juaj. Përmbahuni mësimit të Kuranit. Ata që nderojnë Kuranin, do të nderohen në qiell. Ata që Kuranit i japin përparësi mbi çdo hadith dhe mbi çdo thënie, atyre do t’u jepet përparësi në qiell. Nuk ka më libër tjetër në faqen e dheut për njerëzimin, përveç Kuranit. Dhe nuk ka më ndërmjetësues tjetër për të gjithë bijtë e Ademit, përveç Profetit Muhammed sal-lellahu alejhi vesel-lem.

Andaj, përpiquni të keni dashuri të sinqertë me këtë profet madhështor e fisnik dhe askujt tjetër mos i jepni asnjë lloj epërsie mbi të, në mënyrë që të shënoheni si të shpëtuar në qiell.

Mbani mend! Shpëtimi nuk është diçka që do ta gjeni pasi të vdisni Shpëtimi i vërtetë tregon dritën e vet që në këtë botë. Kush është i shpëtuari? Ai që beson fuqimisht që Zoti është i Vërtetë dhe që Muhammedi sal-lellahu alejhi vesel-lem është ndërmjetës mes Atij dhe të gjithë krijesave dhe që nën kupën e qiellit nuk ka asnjë të dërguar të barabartë me të, dhe asnjë libër të barabartë me Kuranin dhe që për askënd tjetër Zoti nuk dëshiroi përjetësinë, përveç këtij profeti fisnik, i cili është i gjallë përgjithmonë”.

(Marrë nga hutbja e së xhumasë e Hazret Kalifit të Pestë të Mesihut të Premtuar, e mbajtur më 23-06-2017)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp