
Është e mundur që njeriu të bëhet aq i mëshirshëm, saqë të mos dëshirojë të mbysë as mikrobet që mund t’i kenë prekur trupin, të jetë aq ekstrem në pikëpamjen e tij për të mbrojtur kafshët, sa të mos mbysë as morrat që gjenden në kokën e tij, ose të mos ketë dëshirë të luftojë as bakteret që i rriten në bark, në zorrë apo në tru. Madje, unë besoj që dikush mund ta zgjerojë mëshirën e tij deri në shkallën sa të heqë dorë edhe nga konsumimi i mjaltit, duke menduar se ai bëhet nga mundimi e harxhimi i shumë jetëve dhe që mblidhet duke dëbuar bletët e shkreta nga hojet e tyre.
Unë mund të besoj që dikush mund të heqë dorë edhe nga përdorimi i myshkut, duke menduar se ai është pjesë e trupit të drerit dhe merret duke e mbytur atë dhe duke i ndarë këlyshët e shkretë nga prindi. Po ashtu, unë nuk e mohoj edhe mundësinë që dikush të heqë dorë nga përdorimi i margaritarëve apo i mëndafshit, duke menduar se këto të dyja nxirren pas mbytjes së dy krimbave të shkretë.
Unë gjithashtu mund të besoj që dikush edhe duke vuajtur nga dhimbjet, mund të refuzojë të përdorë shushunja, që të mos shohë ngordhjen e tyre. Madje, dikush le të mos e besojë, por unë e besoj që një njeri mund ta zgjerojë mëshirën e tij aq shumë sa të heqë dorë edhe nga uji, duke kujtuar se kështu shkakton mbytjen e shumë mikroorganizmave që mund të jenë në ujë.
Pra, unë mund të pranoj që të gjitha këto raste mund të ndodhin, por unë kurrsesi nuk mund të pranoj se këto gjendje instinktive të mund të quhen gjendje morale, ose se vetëm nga këto veprime, të mund të pastrohen ndyrësitë e brendshme shpirtërore të njeriut, të cilat janë pengesa për të arritur Zotin. Unë kurrsesi nuk mund të pranoj që kjo butësi e kjo mëshirë, që disa kafshë e shpendë mund ta kenë edhe më shumë, të jenë mjete për njeriun për të arritur shkallën më të lartë të përsosurisë së tij. Përkundrazi, sipas meje, kjo është luftë kundër ligjit të natyrës, kundër pëlqimit të Zotit dhe është refuzim i bekimeve që Zoti na dhuroi.
Spiritualiteti mund të arrihet vetëm kur çdo virtyt përdoret në kohën e në vendin e duhur dhe pastaj, kur ndiqen rrugët e Zotit me besnikëri të plotë, derisa njeriu të bëhet plotësisht i Tij. Shenja e atij që bëhet i Zotit është fakti se assesi ai nuk mund të jetojë pa Të. Njohësi i Zotit është si një peshk, që është therur nga dora e Zotit dhe uji i tij është dashuria e Zotit.