
Duke iu rikthyer temës së parë, do të doja të thosha se pa dyshim është e vërtetë që shpirti është një dritë e fshehur, që përftohet në trupin e njeriut e që gatitet në mitër. Përftimi i shpirtit do të thotë se së pari qëndron i fshehur dhe i paperceptueshëm dhe pastaj shkëlqen. Pra, brumi i tij gjendet që në spermë. Sigurisht, sipas caktimit prej Zotit dhe sipas urdhrit të Tij, ai qëndron i lidhur me spermën në një pjesë misterioze. Shpirti është ai që i jep dritë spermës. Nuk mund të thuhet se ai përbën ndonjë pjesë të saj, siç janë gjymtyrët pjesë të trupit, por as nuk mund të thuhet që ai vjen nga jashtë, ose që merret nga toka dhe përzihet me brumin e spermës. Por, ai qëndron i fshehur në spermë në atë mënyrë siç zjarri gjendet në strall.
Në Librin e Zotit nuk shkruhet që shpirti është diçka që zbret veçmas prej qiellit, ose që bie në tokë nga atmosfera e tokës dhe rastësisht mishërohet me spermën për të hyrë në mitër. Ky mendim absolutisht nuk mund të jetë i vërtetë, sepse bie ndesh me ligjin e natyrës. Ne shohim përditë që në ushqime të prishura apo në vende të ndotura krijohen mijëra mikrobe. Rrobat e papastra mbartin plot morra. Madje, nganjëherë, edhe në barkun e njeriut rriten krimba të ndryshëm. A mund të thuhet atëherë, që ata vijnë nga jashtë, ose zbresin prej qiellit? Pra, është shumë e qartë që shpirti buron prej trupit dhe pikërisht ky fenomen provon edhe faktin që ai është një krijesë.
Lindja e dytë e shpirtit
Me këtë shpjegim duam të provojmë se nëse Zoti i Plotfuqishëm me fuqinë e Tij të përsosur të krijimit, shpirtin e nxjerr po nga trupi, atëherë kuptohet që Ai dëshiron që edhe lindjen e dytë të shpirtit ta shkaktojë po përmes trupit. Lëvizjet e shpirtit varen nga lëvizjet e trupit. Në cilindo drejtim ta çojmë trupin, shpirti patjetër e përcjell atë. Prandaj, Libri i vërtetë i Zotit doemos u kushton rëndësi gjendjeve instinktive të njeriut.
Kjo është arsyeja se pse Kurani Famëlartë i ka kushtuar kaq shumë rëndësi reformimit të gjendjeve instinktive dhe pse ka dhënë këshilla të posaçme për veprimet e njeriut si: të qeshurit, të qarët, të ngrënët, të pirët, të veshurit, të fjeturit, të folurit, të heshturit, të martuarit, të qenët beqar, të ecurit, të qëndruarit, të pastruarit fizikisht etj., madje, i ka mësuar njeriut t’u përmbahet rregullave të posaçme gjatë shëndetit apo sëmundjes, sepse sipas tij, gjendjet trupore të njeriut ndikojnë thellë mbi gjendjet shpirtërore të tij. Nëse do t’i shkruaj gjerësisht ato këshilla, nuk besoj se mund ta mbaroj temën për aq kohë sa kam në dispozicion.