Bota është burg për besimtarin dhe parajsë për jobesimtarin!
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Bota për besimtarin është burg

[Një musliman nga Kanadaja e pyeti Hazret Kalifin e V të Xhematit Musliman Ahmedia (Allahu e ndihmoftë fuqimisht), se cilët vuajnë në këtë botë, jo-besimtarët apo besimtarët. Kalifi i nderuar dha përgjigjen e mëposhtme]

Prijësi dhe Mësuesi ynë, Profeti i Shenjtë Muhamedi s.a.v.s, e shpjegoi këtë temë me urtësi të plotë me fjalët e mëposhtme:

“Bota është burg për besimtarin dhe parajsë për jobesimtarin”. (Sahihu i Muslimit)

“Me këto fjalë gjithëpërfshirëse, Profeti i Shenjtë a.s na ka shpjeguar se besimtari heq dorë nga dëshirat e kësaj bote, dëshira të cilat Allahu i ka shpallur të ndaluara ose të padëshiruara. Për të arritur pëlqimin e Allahut të Lartësuar dhe për të treguar bindje ndaj Tij, besimtari përpiqet shumë dhe i duron vështirësitë. Në këtë kuptim, kjo botë duket sikur bëhet një burg për të.

Mirëpo, kur ai vdes, si rezultat i sakrificës së tij të përkohshme, atij i jepet lehtësim i përhershëm nga këto vuajtje e vështirësi në jetën e përhershme të botës tjetër dhe shpallet trashëgimtar i bekimeve të përjetshme që i kishte premtuar Zoti i Madhërishëm.

Në anën tjetër, jobesimtari i shpërfill urdhërat e Zotit të Madhërishëm dhe përfiton nga dispozitat e përkohshme të kësaj bote, pavarësisht nëse janë të lejuara apo të ndaluara, dhe e shikon këtë botë si parajsën. Rrjedhimisht, kur të vdesë, ai mund të përballet me ndëshkimin hyjnor në jetën e përhershme të ahiretit për veprat e tij të këqija që ka bërë në këtë botë.

Prandaj, është e nevojshme që një besimtar i vërtetë të kujtojë gjithmonë se jeta e kësaj bote është në fakt kalimtare dhe po ashtu edhe vuajtja e saj. Allahu i Lartësuar ua largon vuajtjet e jetës së përhershme të ahiretit atyre që vuajnë në këtë jetë të përkohshme.

Prandaj, në një hadith përmendet se çfarëdo shqetësimi që vuan një besimtar në këtë botë, qoftë edhe një gjemb që e shpon gjatë ecjes, Allahu i Lartësuar ia shënon atij si shpërblim ose i fal mëkatet. (Sahihu i  Muslimit)

Allahu i Lartësuar i sprovon më së shumti të dashurit e Tij me vështirësitë e kësaj bote. Prandaj, Profeti i Shenjtë s.a.v.s ka thënë se në mesin e njerëzve më së shumti u sprovuan Profetët, e më pas, sipas gradës së tyre, u sprovuan edhe pjesa tjetër e njerëzve.

Hazret Aishja r.a thotë:

“Kurrë nuk kam parë dikë të vuajë më shumë se i Dërguari i Allahut.” (Sahihu i Buhariut)

Kështu, ne e dimë se shumë nga fëmijët e tij vdiqën, edhe pse humbja e një fëmije mund të jetë shkak për pikëllim të madh.

Mesihu i Premtuar a.s thotë:

“Në Kuranin e Shenjtë, janë këto vargje:

 Çdokush nga ju, do të bjerë në zjarr. Zoti yt këtë e ka marrë përsipër si vendim të prerë. Pastaj do të shpëtojmë ata që patën druajtje, kurse keqbërësit do t’i lëmë të gjunjëzuar në të”.(Kurani 19:72-73)

Në fakt, këto ajete i referohen edhe atributit të lartësuar të zulumijetit (d.m.th. mospërfillja e pasojave të përmbushjes së misionit të dikujt). Kuptimi i këtyre vargjeve është si vijon:

“Nuk ka asnjë njeri prej jush që nuk do të hyjë në zjarr. Ky është një premtim që Zoti yt ia ka bërë obligim Vetes që ta përmbushë. Pastaj thotë, pasi i hedhim në atë zjarr, Ne i shpëtojmë të drejtët dhe i lëmë keqbërësit (d.m.th., ata që janë idhujtarë dhe rebelë), në xhehenem”.

Në këto ajete, është thënë se as të drejtët nuk janë të përjashtuar nga prekja e një zjarri të caktuar (nar). Kjo thënie nënkupton se të drejtët, me trimëri të madhe, hidhen në zjarr në mënyra të ndryshme pikërisht në këtë botë, e cila është një vend sprove. Ata hidhen në këtë zjarr flakërues për hir të Zotit. Të gjitha llojet e sprovave i godasin në formën e zjarrit; ata janë të persekutuar dhe u është shkaktuar dhimbje dhe i kanë goditur tronditje aq të mëdha sa askush përveç tyre nuk mund t’i përballojë tronditje të tilla.

Për më tepër, përmendet edhe në një hadith autentik se edhe ethet nga të cilat vuan një besimtar janë nga zjarri i xhehenemit. Besimtari, për shkak të etheve dhe mundimeve të tjera, vuan një pjesë të atij zjarri pikërisht në këtë botë. Më pas, në një hadith tjetër thuhet se për besimtarin xheneti në këtë botë shfaqet në ngjashmëri me xhehenemin, vështirësitë e skajshme në rrugën e Zotit të Madhëruar i bëhen të dukshme në formën e xhehenemit. Kështu, kur ai hidhet në “këtë” ferr me kënaqësi, befas e gjen veten në parajsë.

Sprovat që vijnë prej Zotit mbartin urtësi aq të shumta e të thella, të cilat ndonjëherë nuk janë të arritshme për intelektin njerëzor. Kështu, njeriu duhet të përpiqet t’i durojë ato me durim dhe lutje. Mesihu i Premtuar a.s thotë:

“Disa herë urtësia e Zotit nuk lejon që njeriu të arrijë disa nga qëllimet e caktuara në këtë botë, dhe në këto raste, ai detyrohet të përballet me lloj-lloj vështirësish, disfatash, mundimesh, sëmundjesh e sprovash, por ai nuk duhet të dekurajohet prej tyre.”

LEXONI EDHE:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp