Zakonet atomike | Idetë e një libri modern përkojnë me kërkimin shpirtëror - Pj. 1
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Zakonet atomike | Idetë e një libri modern përkojnë me kërkimin shpirtëror – Pjesa I

Teolog dhe studiues i gjuhëve
zakonet atomike zhvillimi personal

“Dua të jem i suksesshëm”, një frazë që jehonë nga zëri ynë i brendshëm ose mbase e përsëritim gjithmonë para një pasqyre. Të gjithë ne kemi qëllimet tona, aspiratat tona dhe një destinacion përfundimtar, ku do të dëshironim të shihnim veten tonë. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për financat tona, për edukimin tonë, për gjendjen tonë fizike apo për vetëpërmirësimin në përgjithësi, të gjithë ne kërkojmë të përparojmë.

Si një person që dëshiroj rritje shpirtërore dhe afërsi me Krijuesin tim, vendosa të kuptoj më mirë se cilat hapa dhe zakone mund të përdorja, që do të më vinin në një trajektore të duhur për të arritur suksesin shpirtëror.

Zakonet atomike

Në librin e tij fenomenal, “Zakonet atomike”, James Clear pohon rëndësinë e ndryshimeve të vogla dhe se si ato mund të çojnë në rezultate të jashtëzakonshme. Ai futet në shkencën e formimit të zakoneve, të ndryshimit të sjelljes dhe të përmirësimit të vazhdueshëm të tyre.

Më gëzoi shumë kur pashë që thëniet në këtë libër të ditëve moderne përkojnë me mençurinë që buroi nga buzët e bekuara të Profetit tonë të Shenjtë Muhamedit s.a.v.s. mbi 1400 vjet më parë, dhe së fundmi nga shërbëtori i tij besnik, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. pak më shumë se një shekull më parë.

Nëse edhe ju dëshironi të keni prosperitet shpirtëror, le t’i eksplorojmë së bashku këto parime udhëzuese në mënyrë që të pajisemi më mirë për një udhëtim shpirtëror më kuptimplotë, të këndshëm dhe mbi të gjitha, të qëndrueshëm.

Lugina e zhgënjimit

A hidhëroheni ju nëse peshorja nuk lëviz pasi keni ngrënë shëndetshëm për tri-katër ditë? A jeni i paduruar nëse nuk shihni ndonjë rritje të masës muskulore pas një jave mundimi në palestër? Falja e pesëvakteve të namazit për një muaj të vetëm, a ju bën të vini në dyshim përparimin tuaj tek Zoti? Nëse përgjigjja është po, atëherë mos harroni: përparimi nuk është linear. Kërkon kohë, përkushtim dhe këmbëngulje.

Në ndjekje të udhëtimit tonë shpirtëror, ne po shkojmë drejt një vendi “të errët” dhe “ogurzi”, të cilin James Clear e quan “lugina e zhgënjimit”.

Se si përfundojmë në këtë luginë të keqe është shumë e thjeshtë. Ne bëjmë disa ndryshime dhe rregullime në rutinën dhe zakonet tona të përditshme, duke pritur që ato të sjellin ndryshime të jashtëzakonshme. Duke mos parë rezultate të prekshme, ne thjesht heqim dorë.

Duhet kohë, bëhu i durueshëm

Mesihu i Premtuar a.s. ilustron me detaje gabimin që njerëzit bëjnë kur bëhet fjalë për arritjen e afërsisë Hyjnore me nxitim. Ne vërejmë se megjithëse njerëzit punojnë ditë e natë për arritjen e objektivave të kësaj bote, i njëjti qëndrim nuk zbatohet kur e kërkojmë Zotin.

Zhvillimi shpirtëror është gradual dhe çështjet e besimit kërkojnë durim e qëndrueshmëri të madhe, por ne dëshirojmë të bëhemi shenjtorë e të devotshëm brenda natës. Ashtu sikur vrapimi i një-kilometri të vetëm nuk të bën sportist, falja e disa namazeve tek tuk nuk të bën shenjtor. Puna e vështirë, fatkeqësitë dhe sprovat janë parakushte për të përjetuar kënaqësinë e frutave qiellore.[1]

Në mënyrë të ngjashme, Kurani i Shenjtë premton se ata që përpiqen dhe orvaten në rrugën e Zotit do të shpërblehen me sukses.[2] Sidoqoftë, vendosmëria është thelbësore për suksesin dhe është shenja dalluese e një personi të drejtë. Siç tepër me vend, Mesihu i Premtuar as thotë:

“nuk i ka hije njeriut të përpiqet në rrugën e Allahut dhe më pas të dorëzohet në një a dy orësh.”[3]

Mund të nxjerrim mësime të vlefshme nga këta dy shembuj: ai i pemës së bambus dhe i vajit. Një pemë bambuje mezi shihet në pesë vitet e para të jetës së saj. Këtë periudhë ajo e kalon me ndërtimin e rrënjëve të saj. Kur bëhet gati, ajo shpërthen sipër tokës në një lartësi prej 30 metrash brenda 6 javëve.[4]

Në mënyrë të ngjashme, ka një anekdotë të famshme, e cila thotë se vaji dhe uji në një enë po grindeshin. Uji iu drejtua vajit duke thënë – Pavarësisht nga pastërtia dhe rafinimi, pse duhet të ulem unë poshtë teje.

– Unë isha i shtypur në tokë për një kohë të gjatë, iu përgjigj vaji, – durova shumë vështirësi dhe rafinime të tilla që ti nuk i ke kaluar ti, prandaj sot qëndroj sipër teje.[5]

Pra, kërkohet shumë përpjekje para se të krijojmë momentin tonë të përparimit ose arritjen e devotshmërisë së përsosur, që ndryshe quhet  takva, pikërisht ajo që shpesh herë e përmendim vazhdimisht në hutbet tona.

Rregulli i 1%

Atomik | \ ə-ˈtä-mik

  1. Minutë ose çast shumë i vogël
  2. burim i fuqisë ose i energjisë shumë të madhe[6]

Numri “një” duket sikur është një sasi e papërfillshme, por mund të ketë një efekt shumë të madh. Për shembull, ju po përpiqeni të zgjoheni për namazin e sabahut. Atëherë vendosni të flini pak më herët se sa një natë më parë. Nëse mund ta vazhdoni këtë gjë dhe të fusni zakone të tjera të vogla që do t’ju ndihmojnë në zgjimin tuaj në mëngjes, të tilla si për shembull pirja e kafesë suaj më herët ose mbyllja e telefonit tuaj shumë para gjumit, atëherë mund të filloni të shihni disa ndryshime. Një akumulim dhe ekzekutim i zakoneve të vogla si ky për një vit do t’ju ndihmojë në mënyrë eksponenciale. Me fjalë të tjera, nëse përmirësoni një aspekt të jetës suaj 1% çdo ditë, do të jeni përmirësuar gjithsej 37 herë gjatë vitit.[7]

Anasjelltas, një grumbullim i zakoneve të këqija mund të ketë një efekt të dëmshëm në kurbën tuaj të suksesit. Kur vaktet tona ushqimore me shumë kalori ose namazet tona të humbura fillojnë të grumbullohen, të njëjtën gjë bëjnë edhe gabimet e tjera të vogla. Në këtë mënyrë ne e vendosim veten në një trajektore ditore drejt rënies prej 1%, e cila pas një viti përkthehet në gati 0% rritje.

Ne supozojmë se gabimet e vogla do të kalojnë pa u vërejtur, por kur ato zmadhohen, rezultati mund të jetë shkatërrues. Për shembull, imagjinoni sikur po fluturoni nga Los Angeles në New York City. Nëse piloti largohet nga Los Angeles duke ndryshuar drejtimin me vetëm 3.5 gradë në jug, ju do të zbarkoni në Uashington, D.C., në vend të New York. Një ndryshim i tillë i vogël mezi vihet re gjatë ngritjes. Hunda e aeroplanit lëviz vetëm disa metra, por kur zmadhohet në të gjitha Shtetet e Bashkuara, ju do të përfundoni qindra kilometra larg.

Kurani Famëlartë përmbledh në mënyrë madhështore këtë të vërtetë thelbësore që asnjë nga veprimet tona, të mira apo të këqija, nuk mbetet pa u llogaritur. E thotë shprehimisht:

Kushdo që bën një vepër të mirë me peshën e një grimce apo atomi, do ta shohë atë, dhe kushdo që bën një vepër të keqe gjithashtu sa një atom, do ta shohë atë gjithashtu.[8]

Një ide që zë një pjesë të madhe të trurit tonë është të besojmë se suksesi i madh kërkon veprim të mëdha. Ne mbivlerësojmë rëndësinë e një momenti përcaktues dhe nënvlerësojmë të bërit e përmirësimeve të vogla. James Clear sugjeron që suksesi është një evolucion gradual – një seri e gjatë përfitimesh të vogla dhe përparimesh të vogla. Prandaj,  filloni nga gjërat e vogla. Kjo ide e rregullit 1% nuk ​​është e huaj ose e padëgjuar për muslimanët. Profeti i Shenjtë s.a.v.s. e përmblodhi këtë parim shumë kohë më parë duke thënë:

“Vepra më e dashur tek Allahu është ajo që është më e rregullt dhe e vazhdueshme, edhe sikur të jetë e vogël”.[9]

Zakonet e bazuara në identitet vs zakonet e bazuara në rezultat

Këto dy parime janë thelbësore për të formuar zakone ose sjellje të mira, të qëndrueshme dhe për të thyer ciklin vicioz të zakoneve të këqija. Imagjinoni sikur dy njerëzve u ofrohet alkool. I pari thotë:

– Jo faleminderit, po përpiqem ta lë.

Një përgjigje e arsyeshme dhe e shëndoshë. Sidoqoftë, ky person ende beson se ai është i dobët dhe jo plotësisht i reformuar. Një person i tillë nuk është i njohur me atë që në arabisht njihet si “ikla”, që është një qëndrim i përgjithshëm për të hequr mendimet negative që na nxisin drejt veprimeve të ndaluara ose të liga.[10]

Personi tjetër përgjigjet:

– Jo faleminderit, jam musliman dhe nuk e pi alkoolin fare.

Ky person e njeh vetveten dhe është krenar për identitetin e tij. Sapo krenaria të futet në ekuacion, ai do të bëjë gjithçka për ta ruajtur atë sjellje. Prandaj, ky person shfaq “azm”, një term arab që në shqip do të thotë të vendosësh fuqimisht për të mos u kthyer më kurrë tek ato vese në të ardhmen.[11]

Nëse jeni një musliman krenar, do të luftoni me mish e me shpirt për të mos bërë asgjë që bie ndesh me identitetin tuaj. Ju mund ta përdorni këtë teknikë për të ndërtuar sjellje ose zakone më kuptimplota. Supozoni se doni të filloni të shkoni në palestër dhe të kujdeseni për shëndetin tuaj fizik. Ju i thoni vetes

– Dua të dobësohem

Dhe sigurisht me dobësimin dhe rënien nga pesha shëndeti përmirësohet dhe trupi jonë forcohet. Por ju mund ta thoni edhe këtë:

– Dua të dobësohem sepse Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ka thënë se besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu sesa besimtari i dobët.[12]

Duke përdorur besimet dhe identitetin tonë si forcë lëvizëse, ne aktivizojmë një formë përfundimtare të motivimit të brendshëm.[13] Sjelljet janë mënyra se si ne mishërojmë identitetin tonë. Kur studioni çdo ditë, ju mishëroni një person studiues. Kur vraponi pesë kilometra çdo mëngjes, bëheni një person atletik. Kur e falni rregullisht tehexhudin, pra, namazin e natës, ju shndërroheni një person të devotshëm. Sa më shumë që mund ta përsërisim dhe ta rrisim frekuencën e asaj sjelljeje, aq më shumë e përforcojmë atë si pjesë të identitetit tonë. Kështu, frekuenca është thelbësore në formimin e imazhit tonë të vërtetë.

Ashtu si ngritja e një peshe për një herë të vetme nuk të bën peshëngritës, edhe lutja ose namazi i një dite të vetme nuk të bën shenjtor. Kur ftojmë zakone të këqija në jetën tonë, ne heqim dorë nga identiteti ynë.[14] Pra, krenohu me identitetin tënd dhe qëndro i vendosur në bindjet e tua.

Hazret Mirza Masrur Ahmed, Kalifi i Pestë i Xhematit Xhematit Musliman Ahmedia, vazhdimisht na kujton që të mos kemi brenda vetes asnjë kompleks inferioriteti në çështjet e besimit. Ai gjithashtu na tërheq vëmendjen për rëndësinë e të jetuarit brenda identitetit tonë Islam duke thënë:

“Sa më shumë që të krenohesh me fenë tënde dhe sa më shumë të jetosh jetën tënde sipas mësimeve të Islamit, aq më shumë të tjerët do të të respektojnë ty dhe kështu do të vendoset nderi dhe dinjiteti yt në këtë botë.”[15]

LEXONI:


[1] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Malfuzat” vëll. 8, f. 356-357.
[2] Kurani i Shenjtë 29:70.
[3] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Malfuzat” vëll. 1, përkthim në anglisht, f. 23.
[4] James Clear “Atomic Habits”, (iBook), New York, Avery, Penguin Random House, 2018, f. 60-61.
[5] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Malfuzat” vëll. 1, përkthim në anglisht, f. 24 – 25.
[6] James Clear “Atomic Habits”, (iBook), New York, Avery, Penguin Random House, 2018, f. 11.
[7] Po aty, f. 50.
[8] Kurani i Shenjtë 99:8-9.
[9] Buhariu, Kitab Er-rikak.
[10] Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s., “Malfuzat” vëll. 1, përkthim në anglisht, f. 135.
[11] Po aty, f. 136.
[12] Ibni Maxhe, Kitab el-mukadime.
[13] James Clear “Atomic Habits”, (iBook), New York, Avery, Penguin Random House, 2018, f. 97.
[14] Muslimi, Kitab el-Iman.
[15] https://www.alislam.org/press-release/waqf-e-nau-ijtema-uk-girls-2019/

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp