Sakrifica për Islamin | Raporti vjetor i sakrificave financiare
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Sakrifica për Islamin | Raporti vjetor i sakrificave financiare

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Pjesë të shkëputura nga hutbja

(Për hutben e plotë, ju lutem ndiqeni videon!)

sakrifica per islamin“Ata që shpenzojnë pasuritë e tyre natën dhe ditën, fshehurazi dhe haptazi, e kanë shpërblimin te Zoti i tyre dhe ata nuk do të kenë as frikë e as nuk do të pikëllohen.” (Kurani i Shenjtë 2:275)

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Kurani i Shenjtë thotë mos bëni të gjitha veprat tuaja në mënyrë të fshehtë. Kur mendoni se një vepër e caktuar është mirë ta bëni fshehtas, që të mos ju dëmtohet shpirti, bëjeni fshehtas. Dhe kështu, kur mendoni se një vepër tjetër e caktuar është mirë të përhapet te njerëzit e tjerë, bëjeni duke ua treguar, në mënyrë që ju të gëzoni dy shpërblime dhe që edhe njerëzit e dobët që nuk gjenin vullnetin për ta bërë atë vepër, ta kryejnë atë duke u frymëzuar nga ju. …

Urtësinë e porosisë për t’u mësuar njerëzve jo vetëm me fjalë por edhe me vepra, Ai e ka treguar Vetë, pasi jo çdo herë fjala ndikon. Shpeshherë shembulli ndikon më shumë.”

Do t’ju tregoj vetëm disa ngjarje nga vende të ndryshme të botës sesi ahmedianët, anëtarët e Xhematit Musliman Ahmedia, bëjnë sakrifica financiare në rrugën e Allahut.

Emir sahibi (Presindenti i Xhematit) të Indonezisë shkruan:

Në një fshat që quhet Lampong jeton një zonjë ahmediane që quhet Nur sahiba. Ajo thotë:

“Kemi një dyqan pranë shkollës fillore të fshatit, ku punoj unë bashkë me burrin tim. Nuk kemi shumë të ardhura, por na mjafton sa për të nxjerrë shpenzimet e përditshme dhe për të kontribuuar pak edhe financiarisht në Xhemat.”

Emir sahibi thotë se zonja në fjalë jep rregullisht kontribute financiare çdo muaj. Ajo vijon:

“Për shkak të Korona virusit, shkollat u mbyllën për dy muaj dhe na u ndërprenë të ardhurat. Ishim të shqetësuar se si do të jepnim kontribute në rrugë të Zotit.

Papritmas, na u kujtua se kemi një poç kursimi. Vendosëm të mblidhnim paratë e vogla që më pas, ato t’i jepnim në Tehrik-e-Xhedid dhe në Vakf-e-Xhedid. Ua treguam edhe fëmijëve rëndësinë e sakrificave financiare.

Para se të fillonte Ramazani, na kishte mbetur në shtëpi vetëm një kupë oriz që nuk ishte i mjaftueshëm as për dy fëmijët tanë. Në mëngjes fëmijëve u dhashë orizin me ujë. Pse nuk po hani dhe ju?, na pyetën ata. S’kishim ndonjë përgjigje, përveç buzëqeshjes.

Erdhi vakti i drekës. Fëmijët sërish ishin të uritur. Ushqimi që kishte mbetur, mund t’i mjaftohej vetëm njërit prej tyre. Djali tjetër filloi të qante. Nuk kishim asnjë rrugë tjetër përveç lutjes. U lutëm shumë në namaz.

Pas pak Allahu i Madhërishëm na dërgoi ndihmën e Tij: Erdhi një njeri i cili kishte nevojë për një punëtor në arën e tij të misrit. Burri filloi të punonte aty dhe kështu Zoti na plotësoi nevojën.

Misionari i Malit Hafiz Ataul-Elim sahibi shkruan:

“Një ahmedian i moshuar 70-vjeç që quhet Jatara Tergore, paguan çdo muaj rregullisht kontributet financiare. Ai ka bërë edhe Testamentin (Vasijatin). Për të ardhur në Xhemat dhe për të dhënë kontributet e tij, udhëton 7 km me biçikletë në një rrugë të paasfaltuar. Para pak ditësh, kryeplaku i fshatit ia zaptoi truallin dhe nga kjo i moshuari ishte shumë i shqetësuar.”

Ai më kishte shkruar edhe mua për lutje për këtë çështje. Misionar sahibi vijon:

“Gjatë kësaj periudhe, ai shtoi kontributet e tij në Tehrik-e-Xhedid më shumë se çka jepte përpara. Zoti i Madhërishëm e bekoi në një mënyrë që i njëjti gjyqtar që më parë kishte lëshuar vendimin kundër tij, e ndryshoi vendimin duke ia kthyer tokën. Askush nuk shpresonte një gjë të tillë, pasi kryeplaku ishte njëri i fuqishëm dhe të gjithë e dinin se gjyqtari nuk do vendoste dot kundër tij.

Këtë ngjarje, ai ua tregoi gjithë anëtarëve të Xhematit në xhami, pas namazit të së xhumasë, duke emocionuar të gjithë të pranishmit.”

Shikoni sesi Allahu i Madhërishëm ua largon frikën dhe u jep siguri sakrificëbërësve!

Emir sahibi i Xhematit të Francës thotë se një anëtar i Xhematit shkruan:

Këtë vit kisha dyfishuar premtimin në Tehrik-e-Xhedid duke e çuar shumën në 1000 Euro. Por për shkak të Lockdown-it, pata shumë pak të ardhura. Nuk kishte shpresë që të arrija ta plotësoja premtimin. Kisha marrë dhe një borxh që duhet ta shlyeja. Në këtë situatë, më dukej krejtësisht e pamundur ta përmbushja premtimin që kisha bërë në Tehrik-e-Xhedid.

Zoti më bëri mirësi të madhe. Gjatë kësaj jave, pronari im pronari im kaloi 1000 Euro bonus për shkak të punës sime gjatë Lockdown-it, pra fiks aq sa kisha premtuar në Tehrik-e-Xhedid. E ndieja se ishte vetëm bekimi i Zotit, sepse nuk shpresoja kurrë që pronari im të më jepte një bonus kaq të madh gjatë kësaj periudhe.

Meqë ra fjala për Lockdownin, ju tregoj se nga sot edhe këtu sërish filloi Lockdowni dhe për këtë arsye, në këto momente nuk kemi njerëz të xhami. Sepse, mua më lejohet të mbaj hutben duke pasur vetëm myezinin brenda xhamisë.

Një ahmedian sirian që jeton në Kanada, duke më uruar për qendrën e re të Xhematit këtu në Islamabad (UK), më shkroi ngjarjen e tij, por duke thënë se të mos ia përmend emrin, në rast se do t’jua tregoja ngjarjen e tij. Ai thotë:

Nga gëzimi për qendrën e re të Xhematit, vendosa që në Tehrik-e-Xhedid të jap 5000 dollarë kanadezë. Në atë kohë kisha të ardhura 4000 dollarë në muaj. Sapo kisha blerë një veturë të re. Me gjithë këto të ardhura, kisha frikë se nuk do të arrija ta plotësoja premtimin e 5000 dollarëve, pasi një pjesë të parave rregullisht u dërgoj edhe njerëzve të mi në Siri.

Lutesha çdo ditë që Zoti të më mundësonte ta plotësoja premtimin. Në janar të 2020-së pësova një aksident. Nuk shkova dot në punë për gjithë muajin. U detyrova të merrja borxh për shpenzime. Sikur të mos mjaftonte kjo, erdhi korona. U mbyllëm në Lockdown. Në muajin shkurt dhe mars, unë me familje hanim ushqimet më të lira që gjenim.

Megjithatë, kisha shumë dëshirë dhe lutesha shumë që gjatë muajit të Ramazanit të paguaja kontributin tim të Tehrik-e-Xhedidit, edhe pse kjo më dukej një ëndërr e parealizueshme. Fillova një punë të re: taksist i ushqimeve. Shpejt më ndryshoi situata. Erdhi muaji i Ramazanit. Edhe një herë pata shpresë se mund ta arrija të plotësoja premtimin. Shtova orët e punës deri në 12 orë në ditë.

Pas kësaj, pata të ardhura nga aq shumë mënyra, sa nuk kisha imagjinuar. Fitova afro 9000 dollarë në muaj. Vetëm me bekimin e Zotit të Madhërishëm, pa mbaruar Ramazani akoma, arrita ta plotësoja premtimin. Jam plotësisht i bindur se nëse premtimi im do të ishte jo kaq, por edhe trefish më shumë se kaq, Zoti i Madhërishëm do të më mundësonte ta plotësoja edhe atë, para se të mbaronte viti.”

Shikoni këtë ahmedian sesi ndihmon edhe njerëzit e tij në Siri, por përpiqet të kontribuojë edhe në Xhemat!

Misionari i Xhematit nga Kebabiri, Shemsuddin sahibi shkruan:

“El-Khelil është një vend në Palestinë ku kemi një xhemat të ri. Shumica e anëtarëve janë të dobët ekonomikisht, por me bekimin e Zotit të Madhërishëm, që të gjithë morën pjesë në arkën Tehrik-e-Xhedid.

Njëri prej anëtarëve të rinj të Xhematit në El-Khelil është Ibrahim sahibi. Që nga dita kur e pranoi Xhematin, Ibrahim sahibi kontribuon rregullisht në Xhemat. Këtë vit ai dha një kontribut të madh në Tehrik-e-Xhedid dhe për këtë ai vetë tregon duke thënë:

“Një shoku im më kishte marrë borxh dhe për shkak të halleve të tij nuk po ma kthente borxhin prej kohësh. Prita shumë, pasi edhe unë pata probleme financiare. Dhe po afrohej edhe fundviti i Tehrik-e-Xhedidit dhe kisha dëshirë të kontribuoja si çdo herë.

Kur takova Emir sahibin, pas diskutimeve, kontribuova një shumë modeste në Tehrik-e-Xhedid duke ditur se nuk kishte më shpresë se shoku im të ma kthente borxhin. Emir sahibi e dinte situatën time dhe më tha – Tani që ke bërë këtë hap në rrugën e Allahut, jam i bindur që Ai do të të bekojë ty.

Vetëm pas disa orësh pasi u ndava nga Emir sahibi, ai shoku im më erdhi dhe ma ktheu borxhin. Përnjëherë m’u lehtësuan vështirësitë financiare që kisha.””

Në Wiesbaden të Gjermanisë është një anëtar i Xhematit i cili erdhi në zyrën e Tehrik-e-Xhedidit dhe tregoi këtë ngjarje:

Gjyqi i azilit tim ishte te një gjyqtar i cili nuk ma pranonte. Dëgjova ngjarje mbresëlënse të arkës së Tehrik-e-Xhedidit dhe vendosa të jap edhe unë 1000 Euro në këtë arkë. Zoti bëri që gjyqi im kaloi nga ai gjyqtar te një gjyqtar tjetër, dhe ky i fundit ma pranoi kërkesën e azilit. Andaj, erdha të jap kontributin tim prej 1000 Eurove në Tehrik-e-Xhedid.

Sekretari i Tehrik-e-Xhedidit të Britanisë së Madhe shkruan:

Një anëtar i Xhematit në Brighton ishte i papunë. Një ditë ai dha kontributin e tij në Tehrik-e-Xhedid. Të nesërmen gjeti një punë.

Një ahmedian tjetër po nga Brighton kishte probleme financiare, megjithatë kontribuoi edhe ai në Tehrik-e-Xhedid. Pas pak ditësh, i erdhi një letër nga HMRC (nga zyra e tatimeve) që thoshte se vitin e kaluar ai kishte paguar taksat më shumë dhe kjo tepricë i takonte atij. Kjo shumë ishte shumë më e madhe sesa ajo që ai kishte kontribuuar në Tehrik-e-Xhedid.

Një anëtar i Xhematit në Angli haste probleme te puna e tij. Dikush kishte bërë ankesë të padrejtë kundër tij. Ahmediani pagoi kontributin e tij në Tehrik-e-Xhedid. Ai që kishte bërë ankesë u shkarkua nga puna.

Një ahmediani tjetër i ra vetura në një gropë. Ai mendoi se po të dilte vetura pa dëmtime, do të jepte kontribute shtesë në Tehrik-e-Xhedid. E nxorën veturën dhe ishte pa dëmtime. Si kontribut shtesë, ahmediani dha rrogën e një jave në Tehrik-e-Xhedid.

Një fëmijë kontribuoi në Tehrik-e-Xhedid kursimet e tij të gjashtë muajve. Elhamdulil-lah edhe fëmijët e Xhematit po ushqehen me frymën e sakrificës.

Një tjetër ahmedian, djalë i ri, kishte ruajtur kursime për të shkuar diku për pushime. Vendosi që të gjitha ato paratë t’i jepte në Tehrik-e-Xhedid dhe kështu veproi.

Presidenti i Xhematit të Barking dhe Dagenham thotë: Kisha vendosur që targetin e Tehrik-e-Xhedidit në zonën tonë do ta arrijmë patjetër, edhe sikur më duhej të jepja kontribute shtesë nga xhepi im. Përfundimisht, targeti nuk u arrit dhe ai nga xhepi i tij dha kontribute shtesë. Pas pak ditësh më njoftuan nga nga puna se këtë vit do të merrja bonusin 70% më shumë sesa viti i kaluar, shumë e cila ishte shumë më e madhe sesa kisha dhënë si kontribut shtesë në Tehrik-e-Xhedid.

Se si njerëzit interesohen për të paguar kontribute pasi bënë bejtin, në lidhje me këtë Samad sahibi nga Shqipëria shkruan:

Dalip Gjergji sahibi është një shqiptar ahmedian që jeton në një fshat. Si pensionist ka shumë pak të ardhura. Megjithatë, çdo muaj interesohet për të dhënë kontribute në Xhemat. Një ditë erdhi për të falur namazin e xhumasë duke udhëtuar nga fshati i tij me transport publik, pasi nuk ka makinë të vet, dhe për shkak të pandemisë kishte disa muaj pa ardhur. Pas xhumasë tha se kishte një barrë në zemër se nuk kishte kontribuuar prej kaq shumë muajve. Kishte sjellë kontribute të 8 muajve që kishte munguar dhe pagoi në Çanda Aam si dhe në Tehrik-e-Xhedid dhe Vakfe Xhedid.

Elhamdulil-lah, vetëm me bekimin e Zotit, në gjatë këtij viti të Tehrik-e-Xhedidit anëtarët e Xhematit në botën mbarë kontribuuan 14.5 milionë paundë britanikë, pra 882 mijë £ më shumë sesa viti i kaluar.

Dhjetë Xhematet e para në rangun ndërkombëtar janë:

Gjermania, Britania e Madhe, Pakistani, SHBA, Kanadaja, një shtet arab, India, Australia, Indonezia, Ghana dhe sërish një shtet arab.

Gjatë këtij viti 1,600,800 anëtarë morën pjesë në këtë arkë.

Një mesazh për ahmeditë dhe për gjithë botën nga Kalifi në lidhje me islamofobinë në rritje

Pas kësaj, dua t’ju tërheq vëmendje te një çështje tjetër të rëndësishme. Këto ditë lutuni shumë jo vetëm për vete dhe për Xhematin, por edhe për muslimanët e mbarë botës në përgjithësi.

Këto ditë, janë aktivizuar disa liderë të vendeve jomuslimane që ushqejnë inat dhe urrjetje të madhe ndaj muslimanëve. Këta liderë në botën demokratike popullin e quajnë Zot dhe vazhdimisht ndryshojnë deklaratat dhe politikat e tyre sipas interesit të votuesve të tyre. Ose edhe vetë ata kequdhëheqin popujt e tyre duke u thënë se jeni ju gjithçka.

Edhe në vendet ku liderët nuk shprehin hapur, në përgjithësi ushqejnë urrejtje dhe rezerva ndaj Islamit. Një pjesë e madhe e popullsive të tyre, për shkak të padijenisë ndaj Islamit, ndjekin të njëjtën linjë. Sidoqoftë, ne duhet t’i tregojmë botës realitetin e Islamit përmes lutjeve dhe përpjekjeve.

Deri më parë, këta liderë jepnin deklarata me ambiguitet, por ditët e fundit një lider perëndimor, pra Presidenti i Francës ka dalë hapur në këtë front. Ai tha se Islami është një fe në krizë. Realisht vetë feja e tij është në krizë, nëse ka ndonjë. Në radhë të parë ata nuk ndjekin vetë fenë e tyre. Krishterimin e kanë lënë në harresë. Prandaj, në krizë janë vetë ata. Kurse Islami me bekimin e Allahut të Madhërishëm është një fe e gjallë, përparimtare dhe që përparon. Allahu i Madhërishëm ka marrë përsipër mbrojtjen e Islamit në çdo epokë, siç Ai ka dërguar në këtë kohë Hazret Mesihun e Premtuar a.s., dhe përmes tij, mesazhi i Islamit po përhapet në çdo cep të botës.

Në të vërtetë, këta njerëz ose këto forca kundra-islame bëjnë veprime të tilla dhe japin deklarata të tilla për arsye se ata e dinë se muslimanët nuk janë të bashkuar. Më duhet të lavdëroj Kryeministrin Kanadez, i cili reagoi qartë kundër deklaratës së Presidentit Francez. Ai tha se nuk na lejohet të tallemi me ndjenjat e njëri-tjetrit dhe se duhet të kemi kujdes kur vjen fjala për liderët fetarë të botës. Sikur edhe liderët e tjerë të kishin të njëjtin mendim si ky i Presidentit Kanadez ose të paktën të thelloheshin në mendimin e tij, për hir të vendosjes së paqes dhe qetësisë në botë. Sidoqoftë, i nderuari Kryeministër Kanadaz pa dyshim është për t’u lëvduar dhe ne duhet të lutemi për të që Allahu i Madhërishëm e ndriçoftë edhe më shumë.

Pra, është e qartë që muslimanët nuk janë të bashkuar dhe për këtë arsye po ndodh e gjitha kjo. Një shtet islamik po lufton shtetin tjetër. Përçarjet sektare janë shpërthyer kaq shumë saqë e gjithë bota ua di gjendjen. Bota po të dinte se muslimanët janë të bashkuar, besojnë në një Zot dhe ndjekin një Profet dhe dinë të japin sakrifica, në botën jomuslimane asnjëherë nuk do ndodhnin ngjarje të tilla. Asnjë gazetë nuk do të guxonte të botonte karikatura rreth Profetit Muhammed s.a.v.s..

Para disa vitesh kur u botuan karikatura të tilla në Danimarkë pastaj edhe në Francë, u bë zhurmë e madhe, u bojkotuan produktet e këtyre vendeve për një farë kohe dhe pastaj, asgjë. Atëherë, ishte pikërisht Xhemati Musliman Ahmedia që tregoi reagimin e duhur. Shkuam qytet më qytet për t’i treguar botës jetën e bukur të Profetit Muhammed s.a.v.s., gjë që shumë njerëz e lëvduan. Shumë liderë, akademikë, njerëz të thjeshtë e pëlqyen. Këtë po e bëjmë dhe sot, duke u treguar njerëzve – mos i jepni emrin e Islamit çmendurisë së disa të çmendurve. Nuk i ka hije liderit të një kombi që veprimin e gabuar të një individi ta lidhë me mësimet e Islamit dhe ta quajë si krizë të islamit, dhe kështu të nxisë edhe më shumë njerëzit e vet që edhe ata ta ndjekin të njëjtën rrugë. Vallë, a nuk provokuan vetë ata çmendurinë e të çmendurit?!

Unë u kam thënë edhe më përpara. Karikatura ose veprime të tilla fyese ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s. nuk mund t’i durojë asnjë musliman që ka sedrën. Për këtë arsye, këto veprime mund të provokojnë keqas disa musilmanë gjaknxehtë dhe ata nuk mendojnë gjatë dhe marrin ligjin në dorë. Përgjegjës janë edhe këta jomuslimanë që bëjnë veprime të tilla, këto shtete ose kjo e ashtuquajtur lira fetare. Pra, këta vetë provokojnë ndjenjat e muslimanëve.

Kur u botuan karikaturat edhe më parë, unë edhe atëherë mbajta një seri hutbesh duke treguar se cili duhet të jetë reagimi i denjë nga ana jonë dhe siç ju thashë, pati një ndikim pozitiv te njerëzit dhe të njëtjën gjë jemi duke bërë edhe sot e gjithë ditën.

Më pas një politikan holandez bëri një deklaratë të padenjë, atëherë mbajta një hutbe pikërisht në Holandë duke iu drejtuar atij që ai të ketë frikë nga Zoti i Madhërishëm. Si reagim, ai i kërkoi Shtetit Holandez të vepronte kundër meje pasi me demek e paskam kërcënuar për vdekje, dhe kërkoi që Shteti të më shpallte non-grata.

Sidoqoftë, ne do të vijojmë t’u përgjigjemi siç duhet veprimeve që bëhen kundër Islamit dhe kundër pozitës së Profetit Muhammed s.a.v.s., gjithmonë duke qenë brenda ligjit dhe përgjigjet tona bëjnë ndikim. Ne gjithmonë themi se çdo reagim yni duhet bërë duke qenë brenda ligjit.

Por mbi të gjitha, ne duhet t’i dërgojmë sa më shumë selavate Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe të lutemi për të. Në shumë hutbe të tjera ju kam bërë thirrje për këtë gjë. Pavarësisht se hoxhallarët jo-ahmedianë shprehin mllef e urrejtje kundër nesh, ne vijojmë të punojmë intensivisht në mbrojtje të islamit dhe të përhapim mësimet e vërteta të islamit, inshaAllah Te’ala.

Këto vrasje ndodhin për shkak se ata (vrasësit) duan ta shuajnë vrullin e tyre të përkohëshëm që kanë nga dritëshkurtësia, por muslimanët duhet të dinë që kjo nuk është një zgjidhje. Zgjidhja është që e gjithë bota muslimane të bashkohet. Këtë herë Presidenti Turk ishet ai që i dha përgjigje Presidentit Francez, dhanë përgjigje dhe liderët e nja apo dy vendeve të tjera, por këto nuk sjellin ndikim aq të madh, që mund të sillte kur reagimi do të ishte i njëjtë nga të gjithë muslimanët.

Nonëse thuhet se për shkak të reagimit të Presidentit Turk, Presidenti Francez ndryshoi qëndrimin ose e zbuti atë duke thënë se nuk e kishte fjalën këtë por atë etj., megjithatë, ai nuk u tërhoq nga qendrimi i tij duke thënë – çdo gjë që po bëjmë është e drejtë. Nëse 55 shtete muslimane do të kishin një zë të përbashkët, ai nuk do të dredhonte fjalën. Do të deryrohej të kërkonte falje dhe të hiqte dorë nga ky qendrim.

Sidoqoftë, këtu shkurtimisht dua t’ju them se lutuni shumë për vendet muslimane që të paktën përballë të huajve të bashkohen. Nëse ndodh kjo, atëherë do të shohin se çfarë ndikimi mund të bëjnë. Ne po bëjmë detyrën tonë dhe do të vijomë ta bëjmë inshaAllah Te’ala, sepse kjo është detyra e ndjekësve të Mesihut të Muhammedit, të përhapin mësimet e bukura të Islamit në botë.

Andaj, Tregojini botës fytyrën e bukur të Profetit s.a.v.s dhe mos pushoni, derisa ta fusni të gjithë botën nën flamurin e Profetit (paqja qoftë mbi të). Tregojini botës se mbijetesa juaj qëndron në njohjen e Zotit të Vetëm dhe në ndaljen e padrejtësive.

Disa ditë më parë, u kam shkruar letra disa kryetarëve të shteteve përsëri. Disa muaj më parë, gjatë Covidit, i shkrova edhe Presidentit të Francës, në të cilën i tërhoqa vëmendjen në fjalët e Mesihut të Premtuar a.s. se këto fatkeqësi vijnë në formë ndëshkimesh nga Zoti i Madhërishëm për shkak të padrejtësive, prandaj duhet t’i kushtoni vëmendje dhe jepini fund shtypjes, padrejtësisë, dhe bëni deklarata të bazuara mbi të vërtetën.

Ne e kemi kryer detyrën tonë dhe do të vazhdojmë ta kryejmë. Çdokush është i lirë ta kuptojë apo jo mesazhin, por ne nuk duhet ta harrojmë umetin musliman në lutjet tona.

Allahu i mundësoftë muslimanët të njohin shërbëtorin e vërtetë të Profetit Muhammed (paqja qoftë mbi të)! Edhe bota në përgjithësi duhet të reflektojë se me gjëra të tilla nëse do të vijojnë të largohen nga Zoti, ata i pret vetëm shkatërrimi. Nga ana tjetër, ne në mënyrë të përgjithshme duhet të përpiqemi për ta sjellë botën nën Unitetin e Zotit të Madhërishëm, nën flamurin e Profetit Muhammed s.a.v.s.. Ky pikërisht është edhe synimi i arkës Tehrik-e-Xhedid. Allahu i Madhërishëm na e mundësoftë këtë!

Përveç kësaj, lutuni edhe për gjendjen e botës në përgjithësi. Njerëzit me shpejtësi po drejtohen drejt një situate, që pasi të lirohen nga pandemia, të gjenden prag një fatkeqësie tjetër në formën e një lufte botërore. Zoti i Madhërishëm i dhëntë mend gjithë njerëzimit që ata ta njohin Zotin e vërtetë dhe të arrijnë ta përmbushin detyrimet e tyre që kanë ndaj Tij!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp