Xhamia e re në Regina, Kanada dhe sakrificat financiare
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Xhamia e re në Regina, Kanada dhe sakrificat financiare

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Pjesë e shkëputur)

xhamia e re[Sigurisht, xhamitë e Allahut i ndërtojnë ata që që besojnë në Allahun dhe ditën e ahiretit, falin namaz, japin zekat dhe nuk i frikësohen askujt përveç Allahut. Mundet që të tillët të bëhen të udhëzuar. (Kurani Famëlartë 9:18)]

Elhamdulil-lah! Zoti i Madhërishëm edhe xhematit të Reginës (Kanada) i dha mundësi të ndërtojë xhaminë e tyre. MashaAllah, xhamia është shumë e bukur. Aktualisht numri i anëtarëve të xhematit, duke përfshirë edhe rrethet, është 160 veta. Në sallat e kësaj xhamie, siç më kanë treguar, 400 veta mund të falin namaz. Nëse përdoren edhe ambientet e tjera kur ka nevojë, mund të shtohen edhe 100 veta. Kjo do të thotë se aktualisht kjo xhami është tri herë më e madhe sesa numri i anëtarëve të xhematit këtu.

Më është thënë se shpenzimet e ndërtimit të kësaj xhamie i ka hequr xhemati vendas. Pjesërisht janë në formë premtimesh. Madje, më thanë se shpenzimet që janë bërë deri më tani në formë të hollash, për një të tretën e tyre, dy anëtarë të xhematit vendas e kanë marrë përsipër, njëra prej tyre është e veja e martirit Dr. Shamsul-Hak.

Kur xhamia, pra projekti i saj do të hynte në fazën e ndërtimit dhe xhemati kontaktoi kontraktorë të ndryshëm ndërtimi, tenderi më i lirë që kishin gjetur, ishte 2,8 milionë dollarë dhe, me shpenzimet e tjera, i gjithë projekti i ndërtimit do të shkonte 3,5 milionë dollarë. Por, shpenzimet që janë bërë gjithsej për ndërtimin e xhamisë, kanë shkuar në 1,6 milion dollarë.

Një njeri materialist do të habitet se si mund të ketë ndodhur kjo. Si mundet që xhamia u ndërtua në më pak se gjysmën e shpenzimeve të tenderit më të lirë që kishin dhënë kontraktorët? Sigurisht, një njeri që është dhënë vetëm pas kësaj bote, nuk e bën dot këtë llogari, sepse ai nuk di ç’ka do të thotë sakrificë dhe se çfarë standardesh të sakrificave ka ngritur Xhemati i Hazret Mesihut të Premtuar a.s..

Por kjo është natyra e xhematit, kudo. Qofshin ahmedianët e Pakistanit që sakrifikojnë jetën dhe pasurinë e tyre; qofshin ahmedianët e Afrikës, që nëse nuk kanë pasuri, sakrifikojnë kohën e tyre, madje japin gjithçka që kanë, për ndërtimin e xhamive dhe për punët e tjera të xhematit; qofshin ahmedianët e Indonezisë, ose të vendeve të Evropës, ose të Kanadasë që janë këtu, ose të cilitdo vendi tjetër të botës, Zoti i Madhërishëm të gjithëve po u jep mundësinë e sakrificës. Kjo për arsye se ata pëlqimin e Zotit të Madhërishëm e kanë bërë qëllim të jetës së tyre.

Siç ju thashë, kemi kursyer më shumë se gjysmën e parave të xhematit që do të shpenzoheshin për ndërtimin e kësaj xhamie. Kjo ndodhi për shkak se tre vëllezër ahmedianë që merren me ndërtim dhe që janë kontraktorë, vullnetarisht dhanë shërbimet e tyre dhe në këtë mënyrë, kemi shpëtuar këtë shumë parash. Bashkë me ta, punuan vullnetarisht edhe anëtarë të tjerë.

Këtyre tre vëllezërve iu bashkua edhe një kontraktor tjetër, që pikërisht gjatë periudhës së ndërtimit të xhamisë erdhi këtu nga Toronto, dhe si duket, Zoti i Madhërishëm për këtë arsye e kishte sjellë këtu, sepse ai kishte mbaruar punë në Toronto. Pra, këta të gjithë së bashku e realizuan këtë detyrë. Dhe siç ju thashë, shërbyen edhe vullnetarë të tjerë, përfshij të rinj dhe pleq vendas, që ishin nga Regina, Saskatoon, Calgary, Edmonton, madje edhe nga Toronto. Përveç pjesë së punës për të cilën ne nuk kemi profesionistë, të gjitha punët e tjera i bënë këta kontraktorë dhe vullnetarë.

Kontraktorët që punojnë vetëm për të fituar botën, nuk mund ta imagjinojnë këtë gjë. Por, këta kontraktorë ahmedianë nuk e kursyen as paranë e as kohën e tyre për hir të Zotit. Gjithashtu, edhe gratë dhanë shërbimet e tyre të vyera. Ato përveçse gatuanin ushqim për vullnetarët, zellshëm morën pjesë në sakrificat financiare dhe, në këtë mënyrë, edhe ato u bënë pjesë të këtij kontributi madhor.

Më thanë se këta vullnetarë kanë punuar rreth 41.500 orë për të ndërtuar këtë xhami. Disa kanë punuar pa menduar se po i jepnin 5 ditët e javës ose po punonin 8 orë çdo ditë. Më merr mendja që disa prej tyre kanë punuar orë të tëra dhe natë e ditë vazhdimisht, pa i llogaritur ditët dhe kohën. Kjo është ajo frymë, që siç ju thashë, e gjeni tek ahmedianët kudo në botë.

Nga njëra anë ekzistojnë disa muslimanë që po përhapin terror në emër të Islamit dhe nga ana tjetër ka muslimanë ahmedianë, të cilët pavarësisht se jetojnë në vendet e zhvilluara, ku prioriteti i njerëzve është bota dhe zhvillimi material, po sakrifikojnë pasurinë dhe kohën e tyre për të ndërtuar shtëpinë e Allahut. Kjo sepse këta të fundit besojnë në fjalën e Profetit Muhammed s.a.v.s., i cili tha:

“Ai që ndërton shtëpinë e Allahut, ndërton një shtëpi për vete në xhenet”.

Dhe kjo ndodhi sepse shërbëtori më i sinqertë i Profetit Muhammed s.a.v.s. i kësaj kohe, u ka thënë:

“Ndërtoni xhami për të përhapur mesazhin e bukur të Islamit dhe për t’i treguar botës fytyrën e vërtetë dhe të bukur të Islamit!”

Andaj, sakrificat tona për ndërtimin e xhamive synojnë ta fitojnë pëlqimin e Zotit të Madhërishëm nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, t’i largojnë keqkuptimet dhe dyshimet rreth Islamit që janë krijuar në mendjet e njerëzve, e t’i tregojnë botës që xhamitë e muslimanëve dhe mësimet e Islamit nuk shkaktojnë trazira në botë, përkundrazi, janë mjete për mbarësinë e botës dhe të ahiretit, janë mjete për të vendosur dashurinë e Zotit në zemrat e njerëzve dhe për të përmbushur detyrimet ndaj Tij dhe gjithashtu, janë mjete për të përhapur dashurinë ndaj njerëzve dhe për të përmbushur detyrimet ndaj tyre.

Me ndërtimin e kësaj xhamie, xhemati i Kanadasë arriti që për herë të parë të ndërtonte një xhami me aksione vullnetare, duke kursyer shumicën e parave të xhematit. Punë të tilla në xhemat bëhen në shumë vende të tjera të botës, por këtu është bërë për herë të parë. Zoti i Madhërishëm i shpërbleftë të gjithë sakrifikuesit, burra e gra, qofshin ata që sakrifikuan kohën e tyre, qofshin ata që sakrifikuan paratë e tyre dhe që dhanë shuma të mëdha dhe ata që premtuan të japin! Zoti ua shtoftë bereqetin pamasë në paratë dhe në jetën e tyre!

….

Duke treguar rëndësinë e ndërtimit të xhamisë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Në këtë kohë, xhemati ynë ka nevojë për shumë xhami. Xhamia është shtëpi e Allahut. Kur ndërtohet xhamia jonë në ndonjë fshat ose qytet, besoni se atje është vendosur themeli i përparimit të xhematit. Nëse ka ndonjë fshat a qytet, ku nuk ka shumë muslimanë, ose ku dëshironi ta përhapni Islamin, ndërtoni një xhami atje. Zoti Vetë do të sjellë muslimanë atje, por ka një kusht. Nijeti duhet të jetë i pastër në ndërtimin e xhamisë. Xhamia të ndërtohet vetëm për hir të Allahut dhe nuk duhet të përzihet asnjë lloj interesi vetjak dhe asnjë sherr. Atëherë Zoti e bekon atë”.

(Për fjalimin e plotë, ju lutemi, ndiqeni videon!)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp