Protokolli i mbledhjes së parë të anëtarëve të Drejtorisë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Protokolli i mbledhjes së parë të anëtarëve të Drejtorisë Sadr Enxhuman Ahmedia, Kadian
I mbajtur më 29 janar, 1906

 Pjesëmarrësit e mbledhjes:
Hazret Maulvi Nurudin Sahib, Drejtor,
Khan Sahib Muhammed Ali Khan Sahib,
Sahibzada Bashirudin Mahmud Ahmed Sahib,
Maulvi Sejjid Muhammed Ahsen Sahib,
Khuaxha Kemaludin Sahib,
Dr. Sejjid Muhammed Husejn Sahib, sekretar i Drejtorisë

Për shkak se duheshin lëshuar disa udhëzime e miratime të nevojshme dhe nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’i lajmëruar anëtarët që jetojnë jashtë Kadianit, me lejen e Hazret Imamit [Mesihut të Premtuar] a.s. dhe me miratimin e urdhëresave prej tij, u mbajt kjo mbledhje.

U miratuan pikat e shënuara në vijim:

  1. U mor vendim: Një draft i testamentit të propozuar … të miratohet.
  2. U mor vendim: Hëpërhë të botohen tetëqind kopje të draftit të testamentit. Gjithashtu ai draft të botohet edhe në gazetën “El-Hekem” dhe atë “El-Bedr”.
  3. U mor vendim: Testamentbërësve t’u dërgohen udhëzimet e shënuara si më poshtë dhe ato të botohen edhe në fund të formularit të testamentit:
  • Nëse nevojitet, testamentbërësi, pasi të ketë marrë një kopje të draftit të testamentit, ta kopjojë atë në një fletë të bardhë dhe atje ku do të jenë vendet e zbrazëta, t’i plotësojë vetë. Për të shkruar testamentin, le të përdorë një letër të fortë.
  • Aty ku ka mundësi, testamenti duhet të regjistrohet dhe, në fletën e testamentit si dëshmitarë duhet të nënshkruajnë trashëgimtarët ose ata që janë të përbashkët[1] në testament. Gjithashtu, duhet të jenë edhe dy dëshmitarë nga njerëzit e nderuar të qytetit apo fshatit.
  • Testamentbërësi si dhe dëshmitarët, qofshin të shkolluar apo të pashkolluar, përveç nënshkrimeve apo vulave, duhet të japin edhe gisht: burrat duhet të japin gishtin e dorës së majtë, ndërsa gratë gishtin e dorës së djathtë.
  • Nëse testamentbërësi di të shkruajë, atëherë testamentin e tij le ta shkruajë vetë me dorën e tij.
  • Testamentit nuk ka nevojë që t’i vihet pullë.
  • Në jetën e testamentbërësit, nëse ka disa gjëra të veçanta, për të cilat duhet konsultuar me ligjin e vendit, … atëherë ai le të këshillohet me këshilltarin ligjor të Enxhumanit me korrespondencë.

(4) Në Panxhab, ata që kanë në pronësi toka, nëse hasin vështirësi për të bërë testament, atëherë për ta, më mirë është që ta dhurojnë pronën gjatë jetës së tyre, në vend që të bëjnë testament për të. Në këtë rast, fletëdëshmia e dhuratës duhet të jetë e nënshkruar edhe nga anëtarët e farefisit të afërm (nëse ka ndonjë) për të treguar miratimin e tyre. Është e obligueshme që fletëdëshmia të regjistrohet dhe hyrje-daljet e pronës së dhuruar të jetë në emrin e Drejtorisë së Anëtarëve të Sadr Enxhuman Ahmedia të Kadianit. Por në këtë rast, çdoherë kur ata do të bëjnë pronë të re, duhet ta ndjekin këtë metodë.

(5) Nëse ka ndonjë vështirësi në dhuratëdhënien sipas rezolutës numër 4, atëherë për aq pronë që ata dëshirojnë të dhurojnë ose të bëjnë testamentin për të, le të përcaktojnë një çmim tregu, ose ta shesin atë dhe pastaj paratë e përcaktuara për çmimin e saj ose paratë e ardhura nga shitja e saj t’ia dorëzojnë Mexhlis Kerperdazit për Çështjet e Varrezës. Por në këtë rast, çdoherë kur ata do të bëjnë një pronë të re, duhet ta ndjekin këtë metodë.

(6) Ata që nuk zotërojnë asnjë pronë, por kanë të ardhura, duhet t’i japin të paktën një të dhjetën e të ardhurave të tyre Enxhumanit. Ata do të kenë të drejtë, nëse në një të dhjetën e tyre i përfshijnë ose jo, ato kontribute që ata aktualisht i japin Xhematit Ahmedia. Nëse ata dëshirojnë t’i përfshijnë edhe kontributet e tyre të tanishme në një të dhjetën e testamentit, atëherë le të dërgojnë kontributet e tyre ashtu siç kanë dërguar deri më tani. Veçse, pas zbritjes së atyre kontributeve, paratë e tjera duhet t’i dërgojnë në emrin e Sekretarit Financiar të Mexhlis Kerperdazit për Çështjet e Varrezës. Për gjëra të tjera mund të konsultohen me Sekretarin e Këshillit. Por, ata duhet të bëjnë testamentin që, pas vdekjes së tyre Enxhumani të jetë pronar i një të dhjetës së pasurisë së lënë prej tyre.

 Shënim:

  • Ai që dëshiron të ketë më shumë njohuri ligjore rreth testamentit apo dhuratëdhënies në kuadër të Mexhlis Kerperdazit për Çështjet e Varrezës, mund të shkruajë … para se të bëjë testamentin apo dhuratëdhënien.
  • Në rrethana të veçanta, kjo mund të rregullohet duke u lidhur me Këshillin e Anëtarëve, me korrespondencë.

(7) Të gjitha fondet që do të dërgohen, qofshin për varrezën qofshin për çështjet e lartpërmendura në kuadër të testamentit, duhet të dërgohen vetëm në këtë adresë: “Sekretar i Financës së Mexhlis Kerperdazit për Çështjet e Varrezës”. Përveç kësaj adrese, asnjë adrese apo asnjë njeriu tjetër nuk duhet t’i dërgohen.

Modesti, Muhammed Ali, sekretar, 29 janar, 1906
Nurudini, 1 korrik, 1906

Mirza Ghulam Ahmedi


[1] Në fillim ishte lejuar që disa individë (për shembull anëtarët e familjes) të bëjnë një testament të përbashkët. Por, më vonë kjo praktikë nuk vazhdoi më. [Përkthyesi]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp