Kush është Zoti?
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
allahu emrat e allahut zoti

O ju që keni veshë, dëgjoni se çfarë do Allahu nga ju! Vetëm që ju të bëheni të Atij dhe të mos shoqëroni askënd me Të, as në qiell e as në tokë. Zoti ynë është Ai, që jeton edhe tani siç ka jetuar më parë; Ai flet edhe tani, siç ka folur më parë; Ai dëgjon edhe tani, siç ka dëgjuar më parë. Është mendim i gabuar kur thuhet se tani Ai dëgjon, por nuk flet. Në të vërtetë, Ai edhe dëgjon edhe flet. Të gjitha atributet e Tij janë të përhershme dhe të pavdekshme. Asnjë nga atributet e tij nuk është i shfuqizuar, e as nuk do të shfuqizohet kurrë.

Ai është i Pashoq që s’ka as bir e as grua; i Pashembullt që s’ka të dytë si Ai; i Vetmi që asnjë nga atributet e Tij, nuk mund të posedohet nga asnjëri karshi Tij; i Vetmi që asnjëri nuk është i barabartë me Të e as nuk është i ngjashëm me veti si Ai; i Vetmi që asnjë fuqi nuk i pakësohet; Ai është afër, edhe pse është larg; Ai është larg, edhe pse është afër. Ai mund t’u shfaqë veten në një personifikim atyre që kanë aftësi të shohin keshf, [1]  por Ai s’ka as trup e as formë. Ai qëndron mbi të gjithë, por nuk mund të thuhet se ndokush tjetër qëndron nën Të.

Ai gjendet në Arsh, por nuk mund të thuhet se nuk gjendet në Tokë. Ai është Përmbledhje e të gjitha vetive të përsosura; Shfaqje e të gjitha lavdërimeve të vërteta; Burim i të gjitha mirësive; Mbledhës i të gjitha fuqive; Dhurues i të gjitha bekimeve, tek i Cili kthehet çdo gjë; Ai është Mbret i çdo mbretërie; Përmbajtje e çdo përsosmërie; i Pastër nga çdo e metë dhe dobësi; i Veçantë me të drejtë që banorët e Tokës e të qiellit ta adhurojnë vetëm Atë dhe të mos shoqërojnë askënd me Të; asgjë nuk është e pamundur për Të; të gjithë shpirtrat dhe fuqitë e tyre, po ashtu të gjitha grimcat dhe fuqitë e tyre janë krijesa të Tij; asgjë nuk mund të dalë pa Të; Ai vetë e manifeston Veten përmes fuqive, krijimeve dhe shenjave të Tij; Atë mund ta gjejmë vetëm nëpërmjet Atij; Ai gjithmonë u shfaqet atyre që ndjekin rrugën e drejtë dhe u tregon fuqinë e krijimtarisë së Tij. Vetëm kështu Ai njihet dhe vetëm në këtë mënyrë njihet rruga që i pëlqen Atij.

Ai sheh pa sy fizikë. Ai dëgjon pa veshë fizikë. Ai flet pa gjuhë fizike. Puna e Tij është të sjellë diçka në jetë nga asgjëja. Ashtu siç shihni për shembull në ëndërr, Ai krijon një botë të tërë pa asnjë materie dhe i vë në dukje të gjitha gjërat e zhdukura. Kështu janë të gjitha krijimet e Tij. I pamend është ai që mohon fuqinë e krijimtarisë së Tij. I verbër është ai që nuk i njeh fuqitë e Tij të mëdha e të thella. Ai bën dhe mund të bëjë çdo gjë, përveç asaj që nuk i përshtatet madhështisë së Tij ose që bie ndesh me premtimet e Tij. Pra, Ai është i Vetmi në qenien, atributet, veprimet dhe krijimtaritë e Tij. Të gjitha dyert për të arritur tek Ai janë të mbyllura, përveç njërës që ka hapur Kurani Famëlartë.


[1] Keshf  është një vizion spiritual që njeriu mund të shohë edhe në zgjim. [Përkthyesi]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp