Kalifati, maifestimi i fuqisë së dytë të Zotit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
kalifati

Është praktikë e Zotit, që kur ka krijuar njeriun në këtë tokë, që Ai i ndihmon profetët dhe të dërguarit e Tij duke u dhënë atyre fitore mbi të tjerët. Ai thotë:

کَتَبَ اللہُ  لَاَغْلِبَنَّ  اَنَا وَ رُسُلِیۡ[1]

[“Allahu ka vendosur që Ai dhe profetët e tij do të ngadhënjejnë”]

Këtu, ngadhënjim do të thotë plotësim i dëshirës[2] së profetëve dhe të dërguarve, pra që të përmbushet fjala e Zotit dhe askush të mos ketë mundësi të luftojë me Të. Nga ana tjetër, Zoti i Madhërishëm me shenja të forta nxjerr në dritë vërtetësinë e të dërguarve të Tij dhe të vërtetën që ata dëshirojnë ta përhapin në botë, u jep mundësi që ta mbjellin farën e saj me duart e tyre.

Megjithatë, Ai nuk e lë atë farë të japë frytet e plota nga duart e tyre, por duke u dhënë vdekje në një moment të tillë që krijon përshtypje, sikur misioni i tyre dështoi, u jep mundësi kundërshtarëve t’i përqeshin e të tallen me ta. Dhe pasi të jenë ngopur së talluri, atëherë Allahu shfaq dorën e dytë të fuqisë së Tij dhe krijon ato mjete, përmes së cilave, misioni i tyre, që deri diku kishte mbetur i paplotësuar, të përsoset e të plotësohet deri në fund.

Me një fjalë, Zoti shfaq dy lloj fuqish: së pari, Ai e shfaq dorën e fuqisë së Tij përmes të Dërguarve të Tij dhe së dyti, pas vdekjes së të dërguarit, kur besimtarët përballen me vështirësi të mëdha, dhe armiku ndihet i fuqishëm, duke menduar se tani gjithçka ka përfunduar dhe është i bindur se tani ky Xhemat (bashkësi) do të zhduket nga faqja e dheut,  madje edhe vetë anëtarët e Xhematit fillojnë të frikësohen e të lëkunden, duke u ndier të dobët e të papërkrahur, madje disa të pafat prej tyre bëhen gati për t’u bërë renegatë[3], atëherë Allahu për të dytën herë e shfaq fuqinë e Tij madhështore dhe e merr Xhematin nën kujdesin e Tij, që ishte gati të rrëzohej. Ndaj, ai që duron deri në fund, e sheh këtë mrekulli të Zotit.

Kështu kishte ndodhur në kohën e Hazret Ebu Beker Sidikut r.z., kur vdekja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. u konsiderua e parakohshme, shumë beduinë injorantë e braktisën fenë, madje edhe es-habët r.z. e Profetit, të goditur nga pikëllimi i vdekjes së tij, u bënë si të çoroditur. Atëherë, Allahu e ngriti Ebu Bekër Sidikun r.z. dhe e shfaqi për të dytën herë fuqinë e Tij. Kështu, duke e përmbushur premtimin e Tij të dhënë në Kuranin Famëlartë, Zoti e shpëtoi Islamin, që dukej se po rrëzohej. Ai thotë:

وَ لَیُمَکِّنَنَّ لَہُمْ دِیۡنَہُمُ الَّذِی ارْتَضٰی لَہُمْ وَ لَیُبَدِّلَنَّہُمۡ مِّنۡۢ بَعْدِ خَوْفِہِمْ اَمْنًا [4]

Pas frikës, prapë Ne do t’i vendosim fort ata.[5]

Kështu ndodhi edhe në kohën e Hazret Musait a.s., kur ai kishte ndërruar jetë gjatë rrugës, në mes të Egjiptit dhe Kananit, para se t’i çonte Bijtë e Izraelit deri në vendin e caktuar. Ata filluan ta vajtonin. Për dyzet ditë rresht, siç është përmendur në Tevrat, Bijtë e Izraelit vajtuan për vdekjen e papritur të Hazret Musait a.s..[6] E njëjta gjë ndodhi gjatë kohës së Hazret Isait a.s.. Të gjithë dishepujt u çorientuan, madje njëri prej tyre u bë renegat.

Të dashur miq! Përderisa praktika e Zotit kështu ka qenë që nga fillimi, që Ai të shfaqë dy fuqi të madhështisë së Tij, në mënyrë që t’u shkatërrojë dy gëzime të rreme kundërshtarëve, atëherë nuk është e mundur që edhe kësaj radhe Zoti ta ndryshojë këtë praktikë të vjetër. Kështu që, mos u pikëlloni e as mos t’ju lëshojnë zemrat tuaja nga ajo që po ju them, sepse është e domosdoshme për ju ta shihni edhe fuqinë e dytë të madhështisë së Tij.

Ardhja e saj është më e mirë për ju, sepse ajo do të jetë e përhershme dhe nuk do të përfundojë deri në Ditën e Gjykimit. Por ajo fuqi e dytë nuk mund të ndodhë para se unë të largohem. Pasi unë të kem shkuar, atëherë Allahu do t’jua dërgojë juve fuqinë e dytë të madhështisë së Tij, që do të mbetet përgjithmonë me ju. Kështu është premtuar nga Allahu edhe në “Berahine Ahmedia[7] dhe ky premtim nuk është për mua, por është për ju, siç thotë Allahu:

Unë do ta bëj këtë Xhemat, që janë pasuesit e tu, mbizotërues mbi të gjithë të tjerët deri në Ditën e Gjykimit.

Pra, është e pashmangshme dita kur ju do ta shihni largimin tim, në mënyrë që, pas asaj, t’ju vijë dita e premtimit të përhershëm. Zoti ynë është Ai që mban premtimet e Tij dhe është shumë Besnik dhe shumë i Vërtetë. Ai do t’ju tregojë të gjitha ato që ju ka premtuar. Edhe pse këto janë ditët e fundit të botës dhe shumë fatkeqësi pritet të ndodhin, megjithatë, është e domosdoshme që kjo botë të vazhdojë të ekzistojë, deri sa të përmbushen të gjitha ato gjëra, të cilat Allahu jua ka premtuar.

Unë erdha nga Allahu si një manifestim i Fuqisë së Tij dhe jam mishërim i Fuqisë së Allahut. Pas meje do të vijnë persona të tjerë, që do të jenë manifestim i dytë i Fuqisë së Tij. Andaj, ju të gjithë së bashku, angazhohuni në lutje dhe priteni manifestimin e dytë të fuqisë së Tij. Në çdo vend, çdo xhemat i besimtarëve të vërtetë të mblidhet dhe të lutet, që fuqia e dytë e Tij të zbresë nga qielli dhe që t’ju tregojë se Zoti juaj është kaq i Plotfuqishëm. Kujtoni se vdekja juaj është afër, sepse ju nuk dini se kur do t’ju vijë koha e saj.

Pas meje, njerëzit e mirë të Xhematit, të cilët kanë nefs[1] të pastër, le të pranojnë bejtin[2] prej njerëzve në emrin tim.[3] Zoti i Madhërishëm dëshiron t’i tërheqë drejt Teuhidit, të gjithë ata që kanë nefs të pastër, qoftë ata të Evropës, qoftë të Azisë dhe t’i mbledhë robërit e Tij nën fenë e vetme. Ky është qëllimi i Zotit, për të cilin më ka dërguar mua. Prandaj, ndiqeni këtë qëllim, por me butësi, moral dhe duke u angazhuar në lutje. Punoni bashkë pas meje, derisa të ngrihet një njeri me shpirtin e shenjtë prej Zotit.


[1](Përkthim) “Allahu ka vendosur që Ai dhe profetët e tij do të ngadhënjejnë”. (Autori). (El-Muxhadilah 58:22) [Përkthyesi]
[2] Në origjinal fjala është huxhah, e cila fjalë për fjalë do të thotë argument. Këtu kuptimi i saj është dëshirë. [Përkthyesi]
[3] Këtu, renegat do të thotë ai që heq dorë nga bindjet e mëparshme fetare. [Përkthyesi]
[4] En-Nur 24:56
[5] Përkthimi i plotë i këtij ajeti është: “dhe që Ai do t’ua forcojë fenë e tyre, me të cilën Ai është i kënaqur dhe që Ai patjetër do t’u kthejë siguri pas frikës së tyre”. (En-Nur 24:56) [Përkthyesi]
[6] Ligji i përtërirë, kapitulli 34, vargu 8. –  Shënim: Sipas disa botimeve 30 ditë. [Përkthyesi]
[7] “Berahin-e-Ahmedia” është libri i parë Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Katër vëllimet e para të tij u botuan gjatë viteve 1880-1882. [Përkthyesi]
[1] Natyrshmëri [Përkthyesi]
[2] Besëlidhje [Përkthyesi]
[3] Njerëzit e tillë do të zgjidhen nga konsensusi i besimtarëve. Nëse dyzet besimtarë do të bien në ujdi për kompetencën e një njeriu për të pranuar bejtin në emrin tim, ai do ta ketë të drejtën e pranimit të bejtit. Personi i tillë veten duhet ta bëjë si model për të tjerët. Zoti më ka njoftuar mua: Unë do të ngre një njeri nga Xhemati yt, që do të jetë nga fisi yt, të cilin do ta zgjedh duke i dhënë afrimin dhe shpalljen time. Përmes tij, do të lulëzojë e vërteta dhe shumë njerëz do ta pranojnë atë. Ndaj, prisni që të vijnë ato ditë. Duhet të keni parasysh se çdo njeri vlerësohet vetëm kur vjen koha e tij. Kështu që, para kohe juve ju duket ai si një njeri i thjeshtë, madje për shkak të disa mendimeve mashtruese, ju mund të keni edhe vërejtje ndaj tij. Por, edhe ai që më vonë do të bëhet i përsosur, nis nga një spermë ose droçkë gjaku. (Autori)
[4] Shihni shënimin 2, në faqen 2. [Përkthyesi]

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp