Roli i Kalifatit në vendosjen e paqes botërore
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Roli i Kalifatit

(I nderuar Abdullah Uwe Wagishauser, Amir i Xhematit të Gjermanisë ka mbajtur këtë fjalim (Roli i Kalifatit në Vendosjen e paqes botërore) më 29 maj 2016 në Xhelsa Salanën e 5-të të Xhematit Musliman Ahmedia të Kosovës)

Vështrimi i përgjithshëm

Ne po jetojmë në një kohë të çuditshme, të mbushur me kontradikta e konflikte, në një botë ku përveç disa përjashtimeve, feja është kthyer në tregti. Politika, në vend që t’i shërbejë popullit, është shndërruar në një vegël në shërbim të oligarkisë. Po jetojmë në një botë, ku dituria nuk shërben për të ndriçuar ndërgjegjen, por për të siguruar një vend pune të mirë, me një pagë të majme. Kjo është një botë, në të cilën një person që mohon ekzistencën e Zotit në bazë të disa teorive shkencore a filozofike, konsiderohet më i ndritur dhe më i emancipuar. Është një botë ku miliona njerëz dalin në protestë duke kërkuar barazinë gjinore, të drejtat e kafshëve dhe kundër ndryshimeve klimatike, ndërsa luftërat civile, konfliktet e përgjakshme, varfëria, mungesa e ujit të pijshëm, uria dhe shëndetësia, nuk përbëjnë më lajmet kryesore në media.

Shtetet po bombardohen njëri pas tjetrit dhe këto plane shkatërruese, që paraqiten si përpjekje për vendosjen e paqes, i kanë kthyer qytetet e vendbanimet në gërmadha dhe grumbull rrënojash. Fëmijë të panumërt kanë mbetur jetimë e shumë gra vejusha, megjithatë kjo ndërhyrje vijon të quhet “mision i ndihmës dhe mbështetjes”.

Situata paradoksale

Me të vërtetë po jetojmë në një botë përplot kontradikta. Shtypi, mediat elektronike dhe mjetet sociale kanë në dorë një shkop magjik me anë të të cilit shtypësi shtiret si i shtypur dhe viktima paraqitet si agresor. Ata u hedhin hi syve spektatorëve, ashtu siç bënin magjistarët e kohës së Musait a.s.. Allahu i Plotfuqishëm thotë në suren el-Araf:

Roli i Kalifatit

Musai iu përgjigj (magjistarëve) “Hidhni ju”. Dhe kur (magjistarët) i hodhën (shkopinjtë e tyre), i magjepsën sytë e spektatorëve dhe u kallën frikën, dhe sollën një magji të madhe.[1]

Plani i Zotit për një ndërmarrje shpirtërore

Pikërisht në kohëra të tilla të errëta, Zoti, botëzotërues dhe Krijuesi i gjithësisë, Hirploti e Mirëbërësi, i veçon robërit e Tij të zgjedhur për të dalluar të vërtetën nga gënjeshtra, të mirën nga e keqja dhe të drejtën nga e shtrembra. Këta të dërguar të Zotit vijnë me qëllimin e lartë për të çrrënjosur të keqen dhe padrejtësinë nga shoqëria.

Përmes tyre, Zoti poshtëron çdo shtypës arrogant dhe të shtypurit i bën triumfues duke u kthyer të drejtat e tyre të mohuara. Me urdhrin e Zotit, profetët themelojnë një mbretëri shpirtërore në tokë. Kjo fuqi hyjnore u shfaq në kohën e Musait a.s. kur magjistarët e Faraonit e sfiduan për ballafaqim. Zoti iu drejtua Musait a.s. dhe i tha:

Roli i Kalifatit

Dhe ne i shpallëm Musait: “Hidhe shkopin tënd!” – (Vërejeni), ai menjëherë filloi të gëlltiste gjithçka që po trillonin ata. Pra, e vërteta doli në shesh dhe dështoi ajo që bënin ata.[2]

Kalifati – çelësi i ripërtëritjes dhe bashkimit

Këta njerëz të cilët Zoti i zgjodhi për të vendosur paqe dhe harmoni në botë quhen “Kalifatullah” ose “Kalif”. Ashtu siç thotë Allahu në suren en-Nur:

Roli i Kalifatit

Allahu u ka premtuar atyre që besuan dhe bënë vepra të mira prej jush, se do t’i bëjë patjetër kalifë në tokë, ashtu siç i ka bërë kalifë ata që ishin para tyre. Ai do t’ua përforcojë fenë e tyre, të cilën e ka pëlqyer për ta dhe do t’ua shndërrojë frikën e tyre në siguri. Ata do të më adhurojnë Mua dhe nuk do të Më shoqërojnë asgjë (në adhurim). Sa për ata që tregohen mosmirënjohës edhe pas kësaj, pikërisht ata janë të pabindur.[3]

Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmedi r.a., Kalifi i II i Mesihut të Premtuar ka thënë:

“Ky ajet parashtron dekretin përfundimtar për fatin e muslimanëve. Atyre u kërkohet betim, që nëse mbështesin Kalifatin, dhe bëjnë përpjekje të duhura duke synuar këtë qëllim, Zoti do të vendosë Kalifatin në mesin e tyre, ashtu siç e ka vendosur Ai në popujt e mëparshëm. Ai do t’ua forcojë fenë, të cilën Ai ka zgjedhur për ta, dhe do t’ia forcojë bazat. Pas gjendjes së frikës, Ai do t’i kaplojë ata me paqe e siguri dhe rrjedhimisht ata do të bëhen adhurues të vërtetë të Zotit dhe nuk do t’i shoqërojnë Atij asgjë”.[4]

Nga kjo që u përmend më lart, mund të arrijmë në përfundimin që Allahu ka lënë vetëm një zgjidhje për të nxjerrë umetin musliman nga situata kaotike dhe për t’ia shndërruar frikën në paqe, dhe ajo është “vendosja e kalifatit.”

Dështimi i politikës për vendosjen e paqes në botë

Fuqitë e mëdha dhe mbretëritë kanë dështuar të vendosin paqe në botë. Të gjitha format e qeverisjes; demokratike, autokratike, monarkike, teokratike etj., që bazohen në parimet e kapitalizmit apo socializmit kanë rezultuar të pasuksesshme në këtë drejtim. Organizata e Kombeve të Bashkuara, aleancat dhe blloqet e tjera Lindore a Perëndimore, politike apo ekonomike, nuk kanë arritur të bëjnë një ndryshim shpresëdhënës. Në të kaluarën “Lidhja e Kombeve” (The League of Nations) është shpërbërë pikërisht për shkak të paaftësisë së saj për të ndaluar Luftën e Dytë Botërore. Por edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara pothuaj ka dështuar në shuarjen e mosmarrëveshjeve dhe konflikteve të përgjakshme, pasi fuqitë e mëdha e kanë gjymtuar aftësinë e saj për të luajtur rolin që i takon. Në shekullin e fundit, bota është lënduar dy herë nga luftërat që sollën dëme e pasoja të paimagjinueshme. Ndërsa tani bota po vrapon me shpejtësi drejtë një lufte të tretë botërore.

Megjithatë, edhe në këto kohëra të vështira Zoti nuk i ka harruar robërit e Tij paqedashës. Edhe para se të plasnin këto konflikte të sotme, para luftës së ftohtë,  madje edhe para Luftës së Dytë a Parë Botërore Zoti e dërgoi një shërbëtor të Tij, të cilin e kishte zgjedhur për të vendosur paqen e vërtetë në botë. Ardhja e tij ishte paralajmëruar plotë 14 shekuj më parë, nga Profeti i shenjtë i Islamit Muhammedi s.a.v.s. Në përmbledhjen e haditheve, Sahih Buhari ruhen fjalët e tij: وَتَضَعُ الْحَرْبُ أَوْزَارَهَاd.m.th. kur do të vijë Imam Mehdiu dhe Isai biri i Merjemes, ai do t’ju japë fund luftërave dhe do të përhapë mësimet e paqes, pajtimit, reformimit dhe përparimit në shoqëri.

Sikur bota do t’i ishte përgjigjur thirrjes së Imam Mehdiut a.s., që ai e kishte shpallur në 1889, ajo nuk do të kishte hequr kaq shumë vuajtje. Ashtu siç tha Mesihu i Premtuar a.s.:

“Ejani tek unë me sinqeritet, ngase kjo është e vetmja rrugë për përmirësim.

Egërsirat janë shpërndarë kudo dhe vetëm unë jam kështjella e pamposhtur”.

Bota as atëherë, nuk do të kishte pësuar Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, dhe as tani ajo nuk do të ishte vend i dhunës dhe i vrasjeve masive sikur t’i ishte përgjigjur thirrjes së Mesihut të Premtuar dhe Kalifëve të tij, për vendosjen e unitetit dhe paqes globale.

Demaskimi i kalifatit të rremë

Ato të ashtuquajtura grupe fetare, të cilat po e përdorin emrin e Kalifatit për t’i kequdhëhequr njerëzit nuk po bëjnë asgjë që i ngjan paqes. Vetëm ky kriter është më se i mjaftueshëm për t’i refuzuar ideologjitë dhe pretendimet e tyre rreth Kalifatit.

Në vend që të përmendin dhe të diskutojnë rreth atributeve të Zotit, i gjithë mekanizmi i tyre është përqendruar vetëm për të tmerruar shoqërinë dhe për të prodhuar frikë, terror, kërcënime, gjakderdhje, luftëra dhe çrregullim në tokë. A mund të quhet ky Kalifat?

Në vend që të shfaqin mësimet e vërteta paqësore dhe të bukura të Islamit, ata pushkatojnë njerëz të pafajshëm, shkaktojnë gjakderdhje dhe bëjnë kërdi në emër të atij që ata e quajnë zot. A mund të quhet ky Kalifat?

Në vend që të predikojnë diturinë dhe mbështesin konvergjencën ndërmjet fjalës dhe veprës së Zotit, që njihet si shkencë në ditët e sotme, ata djegin librat dhe shkatërrojnë bibliotekat. Për të ndaluar edukimin perëndimor përfshirë çdolloj shkence, ata po shkatërrojnë shkollat dhe po indoktrinojnë fëmijët me mendime të rrezikshme. A mund të quhet ky Kalifat?

Në vend që të ndërgjegjësojnë ndjekësit e tyre dhe t’i lartësojnë moralisht e shpirtërisht, ata i trajnojnë si të përdorin armë vdekjeprurëse, si të torturojnë dhe si të ndjellin frikë mes njerëzve. Në vend që t’u ndërtojnë karakterin dhe t’i ushqejnë me dashuri dhe morale të larta, ata janë të interesuar të tjetërsojnë emrat dhe pamjet e tyre. Në vend që të kontribuojnë për paqe në botë, ata ndezin gjithnjë konflikte të reja. Duke ndryshuar kufijtë politikë të shteteve, ata hapin vatra të reja agresioni. A mund të quhen këta mëkëmbës të Allahut në Tokë?

Jo, Jo… assesi jo!!   

Kurani dëshmon se këta nuk kanë të bëjnë asgjë me Islamin dhe sistemin e Kalifatit i cili vendos paqe në botë. Kurani i hedh poshtë ideologjitë dhe pretendimet e tyre të rreme duke dhënë këtë vendim të qartë, që këto grupe terroriste, çfarëdo që bëjnë për interesat e tyre vetjake në emër të fesë, nuk përkojnë me Islamin. Këta nuk kanë aspak lidhje me Profetin Muhammed s.a.v.s., i cili erdhi në këtë botë si رحمة للعالمین mëshirë për mbarë njerëzimin. Ky profet i paqes kishte parashikuar ardhjen e Imam Mehdiut, që t’u jepte fund luftërave dhe konflikteve fetare.

Konvergjenca dhe divergjenca midis popujve

Ndonëse, bota sot është kthyer në një fshat global, ajo ndodhet shumë larg të qenit i bashkuar. Përmes shpikjeve bashkëkohore, në një anë vërehet konvergjencë politike e ekonomike ndërmjet shteteve, por nga ana tjetër vihet re shtimi i divergjencës midis popujve. Nganjëherë dallimet fetare bëhen burim konfliktesh. Mospërputhjet dhe mospajtimet në mendim e qytetërim nxisin acarim në marrëdhëniet e Lindjes dhe Perëndimit, duke thelluar hendekun ndërmjet klasave, racave dhe kulturave. Bota është distancuar nga paqja e cila u soll nga Profeti i parë Universal s.a.v.s. me anë të mësimeve globale dhe kështu duke iu larguar këtyre parimeve, bota po ndjek një rrugë që e shpie drejt shkatërrimit.

Xhemati Ahmedia – shpresa për paqen

Zoti na ka dhënë një mundësi tjetër në këtë kohë të brishtë. Ne po jetojmë në një epokë, në të cilën Allahu për të ringjallur mësimet paqësore të Islamit, ka dërguar Imam Mehdiun, dhe për ta fuqizuar këtë mision, ka themeluar sistemin e Kalifatit pas tij.

Ky reformator i madh i ditëve të mëvonshme, është dërguar në këtë kohë për t’u dhënë fund konflikteve të përgjakshme, për të zhdukur dallimet ndërmjet njerëzve, për t’u prirë njerëzve drejt paqes e harmonisë dhe për të ndërtuar një kështjellë të pamposhtur për të gjithë banorët e tokës.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka deklaruar:

“Zoti im më ka lajmëruar se unë jam si Varka e Nuhut për njerëzit. Kushdo që më afrohet duke hyrë në besëlidhje me mua, do të ruhet nga humbja dhe unë i jap sihariqin e fitores”.[5]

Ai gjithashtu ka thënë:

“Vërtet, unë asgjësoj gënjeshtrën dhe bëhem strehim për të munduarit. Unë jam arma e Zotit tim të Gjithëmëshirshëm dhe argument i Allahut bujar. Unë jam dita dhe dielli. Unë jam rruga. Fjalët janë përmbushur në qenien time, ndërsa të pavërtetat janë përgënjeshtruar përmes meje. Unë përshkruaj të vërtetën, dhe si shpërblim lavdërohem prej Zotit. Unë jam simboli i shfaqjes së fuqisë hyjnore. Unë kam ardhur në gjurmët e Profetit s.a.v.s. dhe përmes meje do të ringjallen të vdekurit e do të zhduket errësira”.[6]

Kalifati – rruga që shpie drejt bashkimit global

Kjo është rruga që shpie drejt paqes së vërtetë e cila mund të vendoset në botë vetëm nëse ne punojmë me të gjitha mundësitë tona për të arritur bashkimin global në këtë fshat global.

Mësimet e vërteta të Islamit, që u paraqitën rishtas në botë në formën e tyre origjinale përmes Mesihut të Premtuar a.s. janë të tilla që mund të udhëzojnë botën drejt vëllazërisë universale, dhe që është i pari dhe më i rëndësishmi hap në ndërtimin e paqes botërore.

Përmes Kalifatit Ahmedia, miliona muslimanë ahmedianë nga më shumë se 220 vende të botës, ngrihen dhe ulen me një shenjë dhe mundohen të ndjekin çdo porosi të Imamit të tyre, për të vendosur paqe në botë.

Promovimi i mësimeve të vërteta të Islamit

Kalifati Ahmedia po promovon mësimet e vërteta të Islamit, që bazohen në drejtësi e barazi. Sa e shkëlqyeshme është kjo porosi që thotë: Ji i drejtë! Ji i drejtë! Madje më shumë se i drejtë! Madje as armiqësia me dikë të mos ju largojë nga drejtësia. Në 2008-ën, parlamenti britanik dëgjoi zërin e Kalifit të kohës duke thënë qartë e shkoqur:

“Në këtë kohë, kur bota sërish po ndahet në blloqe, ekstremizmi po përshkallëzohet, situata financiare e ekonomike po përkeqësohet, ka nevojë urgjente për t’i dhënë fund çdolloj urrejtjeje dhe për të hedhur themelet e paqes. Kjo mund të realizohet vetëm duke respektuar ndjenjat e gjithsecilit”.[7]

Roli i Kalifatit

Përmes Kalifatit Ahmedia mësimet e vërteta të Islamit rreth besnikërisë dhe dashurisë ndaj atdheut u paraqitën në Qendrën Ushtarake të Gjermanisë. Kalifi u shpreh:

“Besnikëria është një veti madhore dhe njerëzit që e kanë shfaqur këtë veti në shkallën më të lartë ishin profetët e Zotit. …Sipas mësimeve të Islamit, përkufizimi apo kuptimi i vërtetë i besnikërisë është që një person duhet në mënyrë të pastër t’i përmbushë të gjitha zotimet dhe premtimet e tij në të gjitha nivelet dhe në të gjitha rrethanat, pavarësisht nga vështirësitë që has në mes”.[8]

Kalifi mbron fuqimisht kauzën e Islamit

Për vendosjen e paqes në botë, a ka ndonjë mënyrë më të mirë se kjo? Nëse liderët e botës dhe personalitetet e spikatura të shoqërisë, do të mundoheshin për t’i zbatuar këto mësime, atëherë pavarësisht dallimeve tona fetare, paqja do të mund të vendosej.

Duke promovuar mësimet paqësore dhe të harmonishme të Islamit, Kalifi deklaroi fuqimisht me fjalë plot patos që:

“Islami nuk lejon mizorinë ose shtypjen në çfarëdo mënyre, trajte a forme qoftë”.[9]

Ky mesazh shpresëdhënës kumboi sërish në Capitol Hill, Washington D.C. dhe prej andej u përhap në gjithë botën. Kalifi përshkroi imtësisht të gjitha mjetet e nevojshme që shpien drejt kësaj rruge dhe tha:

“Kështu, Islami na tërheq vëmendje ndaj mjeteve që duhen për vendosjen e paqes. Ai kërkon drejtësinë absolute. Ai kërkon që gjithmonë të paraqiten vetëm dëshmi të vërteta. Ai kërkon që vështrimet tona të mos hidhen lakmueshëm ndaj pasurive të të tjerëve. Ai gjithashtu kërkon që vendet e zhvilluara të heqin dorë nga interesat e tyre vetjake dhe të përkrahin e t’u vijnë në ndihmë shteteve të varfra e më pak të zhvilluara me një qëndrim të sinqertë dhe frymë altruiste. Nëse të gjithë këta faktorë respektohen, vetëm atëherë mund të arrihet paqja”.[10]

Sot bota po rrokulliset vrulltas drejt një lufte tjetër botërore. Në emër të Pranverës Arabe, në emër të lirisë, në emër të fesë, në emër të kufijve gjeografikë, nga të gjitha kahet po fryn një stuhi e fuqishme, një uragan shkatërrues dhe një shakullinë e tërbuar, të cilat kanë mbërthyer gjithë botën. Popujt kanë nisur përgatitje për agresion kundër popujve të tjerë, ndërsa shtetet po i tregojnë dhëmbët njëri-tjetrit. Qoftë Siria apo Iraku, Jemeni apo Libia, Turqia apo Koreja Veriore, bota po bën hapa të vazhdueshëm drejtë greminës së shkatërrimit.

Në këto kohëra, është vetëm një zë qiellor, vetëm një figurë shpirtërore, vetëm një pishtar i paqes, i cili në njërën anë po i bën thirrje Papës dhe në anën tjetër liderëve muslimanë. Ai i bënë thirrje liderëve të Arabisë Saudite, Kryeministrit të Iranit e të Izraelit e u dërgon letra atyre. Ky është ai person i cili i zgjon qeveritë e Britanisë e të Amerikës dhe udhëton gjerë e gjatë për të përhapur mesazhin e paqes në gjithë botën duke ua paraqitur kuptimet e vërteta të Islamit.

Ky zë ka mahnitur gjithkënd, dhe me të vërtetë nëse ekziston ndonjë mundësi për të vendosur paqen në botën tonë, ajo lidhet me ndjekjen e këtij zëri.

Derisa nuk u bindet përulësisht udhëzimeve të Kalifit të kohës, bota kurrë nuk mund ta gjejë paqen e vërtetë. Toka e shkretë nuk mund të bëhet pjellore e të japë frytin derisa nuk laget nga shiu qiellor. Kurani shtjellon dukurinë e paqes absolute për besimtarët e sinqertë me fjalët “لا خوف عليھم و لا هم يحزنون” pra, ata nuk do të kenë as frikë e as nuk do të pikëllohen.[11] Ndërsa Bibla duke iu referuar kohës së Mesihut të Premtuar a.s., ka paralajmëruar të njëjtën dukuri. Ajo e përshkruan atë kohë me këto fjalë:

“Do t’i gjykojë të varfrit me drejtësi dhe do të marrë vendime të drejta për njerëzit e përulur të vendit. Do ta godasë vendin me shufrën e gojës së tij dhe me frymën e buzëve të tij do ta bëjë të vdesë të pabesin. Drejtësia do të jetë brezi i ijëve të tij dhe besnikëria brezi i anëve të tij. Ujku do të banojë bashkë me qengjin dhe leopardi do të rrijë me kecin; viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë. Lopa do të kullosë bashkë me arushën, të vegjlit e tyre do të rrinë bashkë, dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau”.[12]

Prandaj vendosja e paqes, harmonisë dhe vëllazërisë nëpërmjet Imam Mehdiut është një dekretim hyjnor. Zoti ka vendosur që me anë të fjalëve të tij ndikuese dhe frymës së tij të shenjtë, bota do të dëshmojë paqen e vërtetë. Ku përkatësitë etnike, ngjyrat e lëkurës, klasat shoqërore apo dallimet fetare nuk do të jenë më shkak i çrregullimeve në botë. Ku të bardhët, zezakët, hindut, muslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë nuk do të luftojnë më me njëri-tjetrin në emër të Zotit. Ky është përcaktimi i Zotit që do të ndodhë patjetër.

Pra gëzohuni ju që i keni braktisur rrugët e luftës dhe u jeni nënshtruar porosive të Mesihut të Premtuar dhe kalifëve të tij të bekuar.

Pra gëzohuni ju që jeni bërë pjesë e këtij dekreti qiellor, e cila është rruga e vetme drejt paqes së vërtetë. Jashtë kësaj kështjelle nuk ka paqe kurrkund, ashtu siç kishte deklaruar Mesihu i Premtuar a.s. E mbyll këtë temë me fjalët e tij të bekuara. Ai shkruan:

“Ato ditë janë afër, madje janë shumë pranë kur bota do të dëshmojë pamjen e kiametit. Nuk do të bien vetëm tërmetet, por do të ndodhin edhe fatkeqësi të tjera të llahtarshme. Disa prej tyre do të zbresin nga qielli e disa do të shpërthejnë nga toka. Kjo do të ndodhë sepse njeriu ka hequr dorë nga adhurimi i Zotit, dhe shpirtrat, me të gjitha mendimet dhe përpjekjet e tyre, janë tërhequr pas botës. … Ata që pendohen, do të gjejnë paqe, dhe ata që përgjunjen para se t’i zërë gjëma, do të mëshirohen. A kujtoni se planet tuaja do t’ju shpëtojnë dhe do të ruheni prej këtyre gjëmave? Jo, assesi jo. Atë ditë të gjitha përpjekjet njerëzore, do të marrin fund.

… Nuk je e sigurt, oj Evropë, as ti, oj Azi. O banorët e ishujve, asnjë perëndi e trilluar nga ju nuk do të jetë e aftë t’ju ndihmojë. Unë shikoj qytete që shemben dhe banime në rrënoja. Ai Zot i Vetëm heshti për një periudhë të gjatë. Vepra të këqija u bënë përpara syve të Tij dhe Ai u tregua i duruar. Por tani Ai do të shfaqet në një formë të tmerrshme. Ai që ka veshë le të dëgjojë se koha nuk është e largët. Unë jam përpjekur t’i mbledh të gjithë nën sigurinë e Zotit, por edhe dekretet hyjnore duhet të plotësoheshin. Sinqerisht ju them të vërtetën, që po i afrohet radha edhe këtij kombi. Ju do të jeni dëshmitarë të kohës së Nuhit (Noas) dhe sytë tuaj do të shikojnë atë që ndodhi në tokën e Lutit (Lotit).

Por Zoti është i ngadaltë në zemërimin e Tij. Pendohuni që t’u tregohet mëshirë. Ai që braktis Zotin është një insekt dhe jo njeri, dhe ai që nuk i frikësohet Atij është i vdekur dhe jo i gjallë”.[13]

(Përkthyer në shqip nga Ilirian Ibrahimi dhe Shahid Ahmad Butt)


[1] Kurani Famëlartë 7:117

[2] Kurani Famëlartë 7:118-19

[3] Kuran Famëlartë 24:56

[4] Tefsir Kabir, Vëll VI, botuar nga Drejtoria e publikimit dhe botimit Kadian, f. 367

[5] Aina kamaalati Islam, Ruhani Khezain, Vëll. V f. 486, botuar në 2009, Angli, ISBN 978-1-84880-102-8

[6] Luxhetun Nur, Ruhani Khezain, vëll. XVI, f. 473-474, botuar në Pakistan, 2008, ISBN 81791217555

[7] Kriza botërore dhe rruga drejt paqes, nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, f. 14, botuar nga Xhemati Musliman Ahmedia i Shqipërisë, 2014, ISBN: 978-1-84880-255-1

[8] Si më parë, f. 28-29

[9] si më parë, f. 231

[10] Si më parë, f. 91

[11] Kurani Famëlartë 2:63

[12] Isaia 11:4-7

[13] Rruhani Khezain, Hakikatul Vahi, Vëll. XXII, f. 268-269, botuar në 2008, Pakistan, ISBN 8179121755

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp