mesimet-islame-atdhedashuria
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Qendra Ushtarake
Koblenz, Gjermani, 2012

 Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim: Në emër të Allahut të Gjithë-mëshirshmit, Mëshirëplotit.

Es-selam alejkum ue rrahmatullahi ue barakatuhu: Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!Atdhedashuria - Qendra Ushtarake Koblenz Gjermani

Së pari, do të doja të shfrytëzoja rastin që t’ju falënderoj të gjithë ju që më ftuat në qendrën tuaj dhe më dhatë mundësi të ndaj disa fjalë me ju. Si udhëheqës i Xhematit Musliman Ahmedia, dëshiroj t’ju paraqes mësime të Islamit. Por, kjo është një temë kaq e gjerë, saqë është e pamundur ta përmbledh atë në një takim apo në një kohë të shkurtër. Andaj, më duhet ta kufizoj temën vetëm rreth një aspekti të Islamit, që ta fokusoj atë dhe të flas rreth tij.AtdhedashuriaNdërkohë që po mendoja se cilin aspekt të shtjelloj në fjalimin tim, mora një kërkesë nga Kryetari i Xhematit Musliman Ahmedia të Gjermanisë, i nderuari Abdullah Wagishauser, që unë të flas rreth mësimeve të Islamit në lidhje me dashurinë dhe besnikërinë e një personi ndaj atdheut të tij. Kjo më ndihmoi që të bëja zgjedhjen time. Prandaj, do të flas shkurtimisht rreth disa mësimeve të Islamit lidhur me këtë.Është shumë e lehtë të flasësh apo të dëgjosh për “besnikërinë dhe dashurinë e një personi ndaj atdheut të tij”. Megjithatë, këto pak fjalë përfshijnë kuptime shumë të gjera, të bukura dhe të thella. Padyshim, të perceptosh dhe të kuptosh tërësisht atë që këto fjalë përcaktojnë dhe atë që na kërkojnë, është me të vërtetë shumë e vështirë. Sidoqoftë, në kohën e shkurtër që kam në dispozicion, do të përpiqem t’ju shpjegoj konceptin e Islamit për besnikërinë dhe dashurinë e një personi ndaj atdheut të tij.

Parimi i parë dhe më themelori i fesë Islame është që fjalët e një personi dhe veprat e tij kurrsesi nuk duhet të tregojnë hipokrizi apo standarde të dyfishta. Besnikëria e vërtetë kërkon një lidhje të ndërtuar mbi bazat e sinqeritetit dhe ndershmërisë. Ajo kërkon që edhe nga brenda njeriu të jetë i njëjtë me atë që shfaqet në sipërfaqe. Në marrëdhëniet me shtetin, ky parim ka rëndësi të madhe. Prandaj, është thelbësore për një shtetas, të cilitdo shtet, të vendosë një lidhje besnikërie të çiltër ndaj vendit të tij, pa marrë parasysh nëse ai është qytetar i lindur i atij shteti apo fiton shtetësinë gjatë jetës së tij përmes rrugës së imigracionit apo në ndonjë mënyrë tjetër.

fjala e kalfiit ne Gjermani

Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar duke iu drejtuar Ushtrisë Federale të Gjermanisë.

Alois Bach

Z. Alois Bach Gjeneral Brigade i Ushtrisë Federale të Gjermanisë me Hazret Kalifin e Pestë të Mesihut të Premtuar.

Besnikëria është një veti madhore dhe njerëzit që kanë shfaqur këtë veti në shkallën më të lartë ishin profetët e Zotit. Dashuria dhe besnikëria e tyre ndaj Zotit ishin aq të fuqishme, saqë në çdo çështje ata i ndoqën porositë e Tij dhe u munduan tërësisht për t’i zbatuar ato, pavarësisht nga rrethanat. Kjo tregon nënshtrimin e tyre ndaj Tij si dhe standardet e tyre të përsosura të besnikërisë. Ndaj, pikërisht standardet e tyre të besnikërisë ne duhet t’i marrim si model për vete. Megjithatë, së pari është e nevojshme të kuptojmë se çfarë do të thotë besnikëri në të vërtetë.Sipas mësimeve të Islamit, përkufizimi apo kuptimi i vërtetë i besnikërisë është që një person duhet në mënyrë të pastër t’i përmbushë të gjitha zotimet dhe premtimet e tij në të gjitha nivelet dhe në të gjitha rrethanat, pavarësisht nga vështirësitë që has në mes. Ky është standardi i vërtetë i besnikërisë që kërkon Islami. Në shumë ajete të Kuranit Famëlartë, Allahu i urdhëron muslimanët që të përmbushin zotimet dhe premtimet e tyre, sepse do të merren në përgjegjësi nga Ai për të gjitha ato. Muslimanët janë urdhëruar të përmbushin të gjitha marrëveshjet, duke përfshirë edhe ato që ata kanë bërë me Zotin e Madhërishëm, si dhe zotimet e tjera që kanë bërë, në bazë të shkallës së tyre të rëndësisë.Në këtë kontekst, një pyetje që mund të lindë në mendjen e njerëzve është që, besnikëria e një muslimani ndaj shtetit dhe zotimi i tij për të respektuar ligjet e vendit mund të ketë rëndësi dytësore tek ai dhe për këtë arsye, a do ta sakrifikonte ai zotimin e tij ndaj shtetit në disa raste? Ka mundësi të krijohet kjo përshtypje, sepse muslimanët pohojnë që Zoti dhe feja e Tij kanë rëndësinë më të madhe për ta, që do të thotë se zotimi i tyre i besnikërisë ndaj Zotit është prioriteti i tyre i parë dhe se atë zotim ata e vlerësojnë mbi gjithçka dhe mundohen ta përmbushin atë.

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, së pari dua t’ju informoj që Profeti Muhammedsa vetë na ka mësuar që “Dashuria ndaj atdheut është pjesë e besimit”. Ndaj, patriotizmi i sinqertë është një kërkesë e Islamit. Që të kesh dashuri të vërtetë ndaj Zotit dhe ndaj Islamit, kërkon që të kesh dashuri edhe ndaj atdheut. Pra, është shumë e qartë që nuk mund të ketë asnjë konflikt interesi midis dashurisë së një personi ndaj Zotit dhe dashurisë së tij ndaj atdheut. Përderisa dashuria ndaj atdheut është përcaktuar si pjesë e Islamit, është shumë e qartë atëherë që një musliman duhet të orvatet për të arritur standardet e larta të besnikërisë ndaj vendit të tij, sepse edhe ky është një mjet për ta arritur Zotin dhe për t’iu afruar Atij. Prandaj, është e pamundur që dashuria e një muslimani të vërtetë ndaj Zotit të mund të bëhet pengesë që e ndalon atë për të shprehur dashurinë dhe besnikërinë e vërtetë ndaj shtetit të tij. Fatkeqësisht, në disa shtete shohim që të drejtat fetare ngushtohen, madje mohohen tërësisht. Prandaj, një pyetje tjetër që mund të ngrihet është nëse qytetarët e një shteti të caktuar, në të cilin persekutohen nga vetë shteti i tyre, mund të vazhdojnë të kenë raport dashurie dhe besnikërie ndaj vendit apo shtetit të tyre. Me shumë pikëllim dua t’ju them që të njëjtat rrethana ekzistojnë në Pakistan, ku qeveria praktikisht ka vënë ligje kundër Komunitetit tonë. Këto ligje anti-ahmediane praktikisht imponohen. Në Pakistan, të gjithë muslimanët ahmedianë zyrtarisht nga ligji janë deklaruar “jo-muslimanë”. Për këtë arsye, ahmedianët atje janë të ndaluar ta quajnë veten muslimanë. Ata gjithashtu janë të ndaluar të adhurojnë në mënyrën siç adhurojnë muslimanët e tjerë, ose të ndjekin cilëndo praktikë që i identifikon ata si muslimanë. Kështu që, në Pakistan vetë shteti i ka privuar anëtarët e Xhematit tonë nga e drejta elementare e njeriut për fenë.

Atdhedashuria - grup kalifi

1. Kolonel Ulrich, 2. Gjeneral Brigade Bach, 3. Kolonel Trautvetter, dhe 4. Kolonel I.G. Janke duke takuar Hazret Mirza Masrur Ahmedin, Kalifin e Pestë të Mesihut të Premtuar.

Duke e marrë parasysh këtë gjendje, është e natyrshme të mendosh se si është e mundur që në këto rrethana muslimanët ahmedianë të zbatojnë ligjet e vendit. Si mund të shfaqin besnikëri ndaj shtetit? Këtu dua të sqaroj se kur ekzistojnë situata kaq ekstreme, atëherë ligji dhe besnikëria ndaj vendit bëhen dy çështje të ndara. Ne muslimanët ahmedianë besojmë se feja është një çështje personale e çdo individi dhe se nuk duhet të ketë imponim në çështjet e saj. Prandaj, aty ku ligji ndërhyn në këtë të drejtë, padyshim ai bëhet një akt i dhunshëm dhe persekutim i ashpër. Dihet që persekutime të tilla shtetërore, që janë bërë gjatë kohërave të ndryshme, janë dënuar nga shumica e njerëzve.Nëse do t’i hedhim një vështrim historisë së Evropës, shohim që edhe në këtë kontinent disa popuj kanë qenë viktimë të persekutimit fetar, dhe si rrjedhojë disa mijëra njerëz janë detyruar të mërgojnë nga një vend në tjetrin. Të gjithë historianët, qeveritë dhe njerëzit mendjendritur janë të mendimit se ky persekutim i përkiste një dhune të skajshme. Në rrethana të tilla, Islami udhëzon, që aty ku persekutimi kapërcen çdo kufi dhe bëhet i padurueshëm, atëherë njeriu duhet të largohet nga ai qytet apo shtet për të mërguar në ndonjë vend ku është i lirë të praktikojë paqësisht fenë e tij. Gjithsesi, përveç këtij udhëzimi, Islami gjithashtu mëson që në asnjë rrethanë asnjë individ nuk duhet të marrë vetë ligjin në dorë dhe as nuk duhet të marrë pjesë në projekte dhe komplote kundër vendit të tij. Ky është një urdhër shumë i qartë dhe i shkoqur i dhënë nga Islami.

Pavarësisht nga persekutimi i egër me të cilin po përballen ata, miliona ahmedianë vazhdojnë të jetojnë në Pakistan. Pavarësisht se ata po bëhen shënjestër e një diskriminimi dhe dhune të tillë të pareshtur në çdo aspekt të jetës së tyre, ata vazhdojnë të kenë lidhje të besnikërisë dhe devotshmërisë absolute ndaj atdheut të tyre. Në cilëndo fushë ku punojnë ose kudo që janë vendosur, ata vazhdimisht janë të angazhuar për t’i ardhur në ndihmë vendit për progresin dhe suksesin e tij. Për dekada me radhë, kundërshtarët e ahmedianëve kanë tentuar të pretendojnë se ahmedianët nuk janë besnikë ndaj Pakistanit, por ata kurrsesi nuk arritën ta provojnë këtë ose të tregojnë ndonjë dëshmi në mbështetje të pohimit të tyre. Përkundrazi, e vërteta është që çdoherë kur lindi nevoja për të bërë ndonjë sakrificë për hir të Pakistanit, për hir të vendit, muslimanët ahmedianë gjithmonë u gjendën në rreshtin e parë dhe gjithmonë u treguan të gatshëm për të dhënë çdo sakrificë.

Pavarësisht se muslimanët ahmedianë janë viktimë dhe shënjestër e ligjit, pikërisht janë ata që e zbatojnë ligjin e shtetit më mirë se kushdo tjetër. Kjo është për arsye se ata janë muslimanë të vërtetë, që ndjekin Islamin e vërtetë. Një tjetër mësim që ka dhënë Kurani Famëlartë në lidhje me besnikërinë është që njerëzit duhet të heqin dorë nga çdo gjë që është e turpshme, e padëshirueshme dhe rebele. Një tipar i bukur dhe i dalluar i Islamit është që ai jo vetëm na tërheq vëmendjen për pasojat përfundimtare, të cilat mund të jenë mjaft të rrezikshme, por ai na paralajmëron edhe për të gjitha çështjet e vogla, të cilat veprojnë si shtigje për të drejtuar njerëzimin në rrugën e hapur të rrezikut. Kështu që, nëse udhëzimi i Islamit do të ndiqet ashtu siç duhet, atëherë çdo problem mund të zgjidhet që në fillim, para se situata të dalë jashtë kontrollit.

Për shembull, një çështje që mund të dëmtojë rëndë një shtet është babëzia e individëve për para. Shpesh njerëzit pushtohen tërësisht nga dëshirat materiale, aq sa ato u bëhen të pafrenueshme dhe dëshira të tilla përfundimisht i shpien drejt një sjelljeje të pabesë. Këto gjëra, përfundimisht shkaktojnë një tradhti ndaj shtetit. Më lejoni t’ju sqaroj pak. Në arabisht, është përdorur fjala “bagia”, për të përshkruar personat apo sjelljet e tyre, që i sjellin dëm shtetit. Bëhet fjalë për ata që marrin pjesë në aktivitete të gabuara ose që dëmtojnë të tjerët. Ajo gjithashtu nënkupton ata njerëz që bëjnë mashtrime, përpiqen të zaptojnë gjërat në një mënyrë të padrejtë e të paligjshme dhe që shkelin të gjithë kufijtë dhe në këtë mënyrë shkaktojnë dëm dhe humbje. Islami mëson që nga njerëzit që ndjekin këto rrugë nuk mund të shpresohet që të tregojnë besnikëri, sepse besnikëria është e gërshetuar me virtytet e larta. Besnikëria nuk mund të ekzistojë pa vlerat e larta morale dhe vlerat e larta morale nuk mund të ekzistojnë pa besnikëri. Ndonëse, është e vërtetë që njerëz të ndryshëm mund të kenë pikëpamje të ndryshme për standardet e larta morale, megjithatë, feja Islame vërtitet tërësisht rreth kërkimit të pëlqimit të Zotit. Kështu që, muslimanët janë urdhëruar të veprojnë gjithnjë për ta kënaqur Atë. Shkurt, sipas mësimeve të Islamit, Zoti i Madhërishëm ka ndaluar të gjitha format e pabesisë dhe të rebelimit, qofshin kundër shtetit të tyre apo kundër qeverisë. Kjo sepse rebelimi ose veprimi kundër shtetit kërcënon paqen dhe sigurinë e vendit. Madje, aty ku ndodh kryengritje, pikërisht ky kundërshtim i brendshëm patjetër i fryn zjarrit të kundërshtimit të jashtëm duke inkurajuar të huajt të përfitojnë nga çrregullimi i brendshëm. Prandaj, pasojat e pabesisë ndaj shtetit mund të jenë shumë të mëdha dhe ekstreme. Kështu që, çdo gjë që mund ta dëmtojë shtetin përfshihet në termin “bagia”, që sapo jua kam shpjeguar. Duke marrë parasysh të gjitha këto gjëra, besnikëria ndaj shtetit i kërkon njeriut që të tregohet i duruar, i virtytshëm dhe zbatues i ligjeve të vendit.

Në përgjithësi, në epokën moderne, shumica e qeverive drejtohen në mënyrë demokratike. Prandaj, nëse ndonjë person apo grup dëshiron të ndryshojë qeverinë, atëherë ata mund ta bëjnë një gjë të tillë duke ndjekur procesin e duhur demokratik. Zërin e tyre ata mund ta përcjellin përmes kutive të votimit. Votat nuk duhet të jepen në bazë të preferencave apo interesave personale, përkundrazi, Islami na mëson që çdo person duhet të japë votën e tij me një ndjenjë besnikërie dhe dashurie ndaj vendit të tij. Çdo person duhet të japë votën e tij duke menduar për përmirësimin e shtetit të tij. Prandaj, askush nuk duhet të shikojë prioritetet personale dhe se nga cili kandidat apo parti ai mund të ketë përfitim personal, përkundrazi, ai duhet të marrë vendimin e tij në mënyrë të drejtë duke vlerësuar se cili kandidat apo cila parti do t’i vijë në ndihmë progresit kombëtar. Çelësat e qeverisë janë një besim shumë i madh, ndaj ato duhet t’i lësh në duart e një partie për të cilën beson sinqerisht që është më e përshtatshmja dhe më e merituara.

Ky është Islami i vërtetë dhe kjo është besnikëria e vërtetë.

Në ajetin (vargun) 59 të suresë (kapitullit) 4 të Kuranit Famëlartë, Allahu ka urdhëruar që njeriu duhet t’u lërë besimin e tij atyre që e meritojnë dhe se në gjykimin e tij ndaj njerëzve, ai duhet të marrë vendim me drejtësi dhe sinqeritet. Prandaj, besnikëria ndaj vendit i kërkon njeriut që ai t’ua dorëzojë pushtetin atyre që me të vërtetë e meritojnë atë, në mënyrë që shteti të ketë progres dhe të dalë përpara ndër vendet e botës.

Në shumë vende të botës, shohim që disa njerëz marrin pjesë në greva dhe protesta kundër politikave të qeverisë. Madje, në disa vende të Botës së Tretë, protestuesit sabotojnë dhe dëmtojnë pronat dhe pasuritë që i përkasin shtetit ose qytetarëve të tij. Megjithëse ata mund të deklarojnë se akti i tyre vjen nga dashuria, e vërteta është që akte të tilla nuk kanë të bëjnë fare me besnikërinë apo dashurinë ndaj vendit. Duhet të kemi parasysh që edhe atje ku protestat ose grevat organizohen në mënyrë paqësore, pa shkaktuar dhunë apo dëmtim kriminal, prapëseprapë ato mund të sjellin pasoja shumë negative. Sepse, edhe protestat paqësore shpesh rezultojnë në humbjen e disa milionave për ekonominë e shtetit. Sjellje të tilla, në asnjë rrethanë, nuk mund të konsiderohen si një shembull i besnikërisë ndaj shtetit. Një parim i artë që është dhënë nga Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia është që në çdo rrethanë, ne duhet t’i qëndrojmë besnikë Allahut, profetëve dhe udhëheqësve të shtetit. Ky është i njëjti mësim që është dhënë në Kuranin Famëlartë. Pra, edhe atje, ku shteti lejon organizimin e  grevës dhe protestave, ato duhen organizuar vetëm deri në masën që nuk i sjellin dëm apo humbje shtetit ose ekonomisë së tij.

Një tjetër pyetje që ngrihet shpesh është, nëse munden muslimanët të shërbejnë në forcat ushtarake të vendeve perëndimore, dhe nëse po, a mund të marrin pjesë në ndonjë sulm ushtarak kundër shteteve islamike? Një parim themelor është që asnjë person nuk duhet ta marrë pjesë në aktet e barbarisë, parim të cilin, çdo musliman duhet të ketë si parësor në mendjen e tij. Nëse një shtet islamik sulmohet, për arsye se ai vetë ka vepruar në mënyrë të dhunshme dhe të padrejtë dhe është ai që ka marrë nismën për agresion, atëherë në rrethana të tilla, Kurani udhëzon qeveritë muslimane që ato ta ndalojnë dorën e tiranit. Kjo do të thotë që ato duhet të ndalojnë dhunën dhe të mundohen për të vendosur paqe. Kështu që, në rrethana të tilla lejohen të merren masa që janë mjete për t’i dhënë fund dhunës. Megjithatë, nëse shteti që ka shkelur kufijtë, e reformon veten dhe përvetëson paqen, atëherë ai dhe qytetarët e tij nuk duhet të shfrytëzohen me pretendime dhe justifikime false. Madje, duhet që atyre t’u mundësohet liria dhe pavarësia që gëzon një shtet normal. Pra, synimet ushtarake duhet të jenë për të vendosur paqe, e jo për të përmbushur interesa të ulëta.

Në të njëjtën mënyrë, Islami u jep të gjitha shteteve, qofshin muslimane apo jo, të drejtën për të ndaluar dhunën dhe tiraninë. Prandaj, nëse është e nevojshme, shtetet jo islamike mund të sulmojnë shtetet islamike për t’i arritur këto synime të sinqerta. Muslimanët që jetojnë në ato vende jomuslimane lejohen të marrin pjesë në ushtritë e shteteve të tyre për të parandaluar shtetin tjetër nga dhuna. Atje ku me të vërtetë ekzistojnë rrethana të tilla, atëherë ushtarët muslimanë, në cilëndo ushtri perëndimore të bëjnë pjesë, duhet të zbatojnë urdhrat dhe të luftojnë, nëse nevojitet, për të vendosur paqe. Por, nëse një ushtri, duke u treguar tirane, merr një vendim të padrejtë për të sulmuar shtetin tjetër, atëherë një musliman ka opsionin për t’u larguar nga ushtria, sepse në këtë rast ai do të përkrahë dhunën. Duke marrë këtë vendim, nuk do të thotë që ai tregohet jo besnik ndaj vendit të tij. Në të vërtetë, në rrethana të tilla, besnikëria ndaj vendit të tij i kërkon që ai të marrë një hap të tillë e të këshillojë qeverinë e tij që ajo të mos lejojë veten të bjerë aq poshtë siç kanë rënë ato qeveri dhe shtete të padrejta që vepruan në mënyrë barbare. Por, nëse pjesëmarrja në ushtri është e domosdoshme dhe nuk ka rrugëdalje për t’i ikur asaj, dhe atë e bren ndërgjegjja, atëherë ai duhet të largohet nga vendi i tij, por nuk duhet të ngrejë zërin kundër ligjit të shtetit. Ai duhet të largohet sepse një musliman nuk lejohet të jetojë në një vend si shtetas i tij, dhe njëkohësisht të veprojë kundër tij apo t’u bashkohet kundërshtarëve.

Këto janë disa aspekte të mësimeve të Islamit, që udhëzojnë të gjithë muslimanët e vërtetë për kërkesat e vërteta të besnikërisë dhe dashurisë ndaj shtetit. Në kohën që kisha në dispozicion, unë vetëm kam arritur ta prek përmbledhtas këtë temë.AtdhedashuriaNë fund, dua të them që në këtë kohë vërejmë që bota është bërë si një fshat global. Njerëzimi është i bashkuar dhe i heterogjenizuar. Popujt e të gjitha kombeve, feve dhe kulturave gjenden në të gjitha shtetet. Kjo kërkon që liderët e çdo vendi duhet të vlerësojnë dhe të respektojnë ndjenjat dhe mendimet e të gjithë njerëzve. Liderët e qeverive të tyre duhet të mundohen për të hartuar ligje, që krijojnë atmosferë dhe frymë të vërtetësisë dhe të drejtësisë, e jo të krijojnë ligje që përdoren si mjet për të tensionuar dhe irrituar njerëzit. Padrejtësitë dhe egërsitë duhet të eliminohen dhe në vend të tyre duhet të mundohemi për të vendosur drejtësinë e vërtetë. Mënyra më e mirë për ta bërë këtë është që bota të arrijë ta njohë Krijuesin e saj. Çdolloj besnikërie duhet të lidhet me besnikërinë ndaj Zotit. Nëse do të ndodhë kjo, atëherë me sytë tanë do të mund të dëshmojmë tek njerëzit e të gjitha vendeve nivelet më të larta të besnikërisë dhe do të hapen rrugët më të reja që na çojnë drejt paqes dhe sigurisë në mbarë botën.

Para së të përfundoj, dua t’ju falënderoj të gjithë ju edhe një herë për ftesën dhe vëmendjen tuaj. Zoti ju bekoftë gjithë ju dhe Zoti e bekoftë Gjermaninë!

Shumë faleminderit!

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp