Bota po kalon një kohë shumë të vështirë e të trazuar. Kriza botërore financiare pothuaj çdo javë nxjerr në krye rreziqe të reja dhe më kërcënuese. Ngjashmëritë me periudhën pak para Luftës së Dytë Botërore vijojnë të referohen, dhe duket qartë që ngjarjet po e shpien botën me një shpejtësi të paprecedentë drejt luftës së tretë të tmerrshme botërore. Ka një ndjesi mbizotëruese që gjërat së shpejti do të dalin jashtë kontrollit dhe njerëzit po presin dikë që të shfaqet në skenë e t’u ofrojë udhëzim të plotë, konkret e të besueshëm, i cili mund t’u pëshpëritë njësoj në zemrat dhe mendjet e tyre e t’u japë shpresë për një rrugë që do t’u prijë drejt paqes. Pasojat e një lufte bërthamore janë aq katastrofike saqë askush s’mund të guxojë as t’i çojë nëpër mend.
Në këtë libër, kemi qëmtuar këshillat parashtruar nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Udhëheqës botëror i Xhematit Musliman Ahmedia. Gjatë viteve të fundit, siç u shpalosën ngjarjet, ai u angazhua guximshëm për t’i treguar botës kahun drejt të cilit po rrokullisen gjërat, jo për t’i kallur alarmin, por për ta përgatitur atë që të kuptojë sesi ka mbërritur në këtë gjendje dhe se si mund t’i shmanget shkatërrimit dhe si të ndjekë rrugën e paqes dhe sigurisë për të gjithë popujt që banojnë në këtë fshat global. Ai ka shprehur haptazi që e vetmja rrugë për ta garantuar paqen është që bota t’i përmbahet përulësisë dhe drejtësisë e t’i nënshtrohet Zotit me përulësi e bindje, në mënyrë që njeriu të bëhet human; që i forti të sillet me të dobëtin me dinjitet, respekt dhe drejtësi; që i dobëti dhe i varfri të tregohen mirënjohës e t’i përmbahen së vërtetës dhe sinqeritetit; që të gjithë të kthehen te Krijuesi i tyre me përulësi dhe sinqeritet të plotë.
Rishtas e rishtas, ai u ka tërhequr vëmendje të gjithëve se e vetmja rrugë kthimi nga pragu i shkatërrimit është që shtetet të pranojnë drejtësinë si kusht të domosdoshëm për marrëdhëniet e ndërsjella. Edhe nëse kanë raporte armiqësore me njëri-tjetrin, u duhet të sillen me drejtësi, sepse historia na mëson se kjo është e vetmja mënyrë për t’i asgjësuar të gjitha gjurmët e urrejtjes të së ardhmes dhe për të ndërtuar paqen e qëndrueshme.
Shenjtëria e tij ka udhëtuar gjerësisht që t’u drejtohej personalisht njerëzve që janë të ngarkuar për të udhëhequr shtetet më të mëdha të botës, përfshirë fjalimet e tij historike në Capitol HIll të Uashingtonit D.C., në Parlamentin Britanik në Londër, në Qendrën Ushtarake të Gjermanisë, në Parlamentin Evropian në Bruksel, në Parlamentin Kombëtar të Zelandës së Re. Në këto evente morën pjesë kongresmenë të shquar, deputetë, ambasadorë, liderë të OJQ-ve, liderë fetarë, profesorë, këshilltarë politikë dhe gazetarë të ndryshëm. Shenjtëria e tij në mënyrë të qartë u bëri me dije se kërkesat e drejtësisë mund të përmbushen vetëm atëherë kur të gjitha palët dhe të gjithë njerëzit do të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe u dha alarm për një krizë të përshkallëzuar botërore, e cila është pasojë e natyrshme e politikave johumane financiare e politike, të cilat përshkallëzojnë pareshtur tensionet midis popujve të botës.
Mësimi i Kuranit Famëlartë që ai e theksoi në letrat e tij drejtuar liderëve të botës, është:
“Dhe të mos nxiteni nga armiqësia ndaj ndonjë populli që ju pengoi të vizitoni Qaben, për t’i shkelur kufijtë. Ndihmoni njëri-tjetrin në punë të mira e të takuasë, dhe mos ndihmoni njëri-tjetrin në gjynahe e shkelje! Frikësojuni Allahut! Me të vërtetë, Allahu është i ashpër në ndëshkim”. (Kurani Famëlartë 5:3)
Presidentit Obama, i tha:
Siç të gjithë jemi të vetëdijshëm, shkaqet kryesore që e çuan botën në Luftën e Dytë Botërore ishin dështimi i Ligës së Kombeve dhe kriza ekonomike që filloi në vitin 1932. Sot, disa ekonomistë të shquar pohojnë se ka shumë paralelizma midis krizës ekonomike aktuale dhe asaj të vitit 1932. Vërejmë se problemet politike dhe ekonomike edhe një herë kanë çuar shtete të vogla në luftëra a konflikte të brendshme dhe pakënaqësia po bëhet gjithnjë e më mbizotëruese në këto vende. Kjo situatë do të përfundojë në marrjen e pushtetit nga disa forca që do të na çojnë drejt një lufte botërore. Konfliktet në shtetet e vogla nëse nuk do të zgjidhen nëpërmjet politikave dhe diplomacisë, do të krijojnë blloqe dhe grupime të reja në botë. Kjo do të jetë shenjë pararendëse e shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore. Prandaj, besoj, se tani, në vend të përqendroheni në progresin e botës, është më e rëndësishme dhe padyshim më e nevojshme që ne urgjentisht të shtojmë përpjekjet tona për ta shpëtuar botën nga ky shkatërrim. Ka një nevojë të ngutshme për njerëzimin që ai ta njohë Zotin e tij të Vetëm, që është Krijuesi ynë dhe që është i vetmi garant për mbijetesën e njerëzimit; përndryshe, bota do të vazhdojë të shkojë me shpejtësi drejt vetëshkatërrimit.
Presidentit Putin, i shkroi:
Situata e përshkallëzuar e ditëve të sotme në Siri më ka shtyrë t’ju shkruaj e të lëvdoj përpjekjen tuaj për të sjellë botën në një tavolinë dialogu, e jo në një fushëbetejë. Sulmi në Siri do të krijonte rrezikun e një lufte, jo vetëm rajonale, por edhe të një lufte botërore. Prandaj, jam shumë i kënaqur nga leximi i artikullit tuaj të botuar ditët e fundit, në një gazetë të famshme të Perëndimit, në të cilin keni theksuar se kjo mënyrë e të vepruarit do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme dhe mund ta përhapte luftën më shumë. Për shkak të qëndrimit tuaj, superfuqitë u përmbajtën dhe përvetësuan një qasje më pajtuese, duke u dakortësuar për ta zgjidhur këtë çështje me kanale diplomatike. Padyshim, besoj se kjo e ka shpëtuar botën nga një shkatërrim i madh dhe kolosal. Unë veçanërisht pajtohem me idenë tuaj se nëse shtetet do të vendosin të veprojnë të pavarura dhe të marrin vendime të njëanshme, atëherë ashtu siç ndodhi me Ligën e Kombeve, edhe Kombet e Bashkuara do të pësojë të njëjtin fat e do të dështojë.
Kriza e Sirisë dhe ajo e Iranit është ulur ndjeshëm në gjysmën e dytë të vitit 2013. Parlamenti Britanik votoi kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri; Rusia dhe Shtetet e Bashkuara ranë dakord rreth një plani për t’u marrë me armët kimike të Sirisë; ShBA-të iu shmangën ndërmarrjes së sulmeve mbi Siri dhe u arrit edhe një marrëveshje bërthamore me Iranin, e pranueshme reciprokisht nga superfuqitë e botës. Megjithëkëto zhvillime të mirëpritura, të drejtuara në kahun për të cilin Shenjtëria e tij është duke e nxitur botën, jemi ende larg një bote të sigurt, sepse për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për paqen globale ka nevojë për akoma më shumë punë.
Lutja jonë e sinqertë është se këshillat që kemi sjellë në këto faqe, të shërbejnë si burim për udhëzimin e mbarë njerëzimit në këtë kohë të vështirë dhe njeriu, duke iu përmbajtur parimeve të drejtësisë dhe të përulësisë e duke u kthyer te Zoti, të bekohet me paqe të qëndrueshme. Amin!
Botuesi