Paqja e dhembshuria
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Dhomat e Parlamentit
Londër, Mbretëri e Bashkuar, 2013

Hyrje

Më 11 qershor të vitit 2013, Shenjtëria e tij, Mirza Masrur Ahmediaba, Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia mbajti fjalim në një event për të kremtuar njëqindvjetorin e Xhematit Musliman Ahmedia në Mbretërinë e Bashkuar, organizuar në Dhomat e Parlamentit, në Londër.dhembshuria - Dhomat e Parlamentit LondërNë kremtimet e njëqindvjetorit morën pjesë 68 personalitete të shquara, duke përfshirë 30 deputetë dhe 12 anëtarë të Dhomës së Lordëve, duke përfshirë 6 ministrat e Kabinetit dhe 2 ministra të tjerë. Grupe të ndryshme mediatike, duke përfshirë BBC, Sky TV dhe ITV gjithashtu ishin të pranishme për ta mbuluar eventin. Mes pjesëmarrësve ishin të pranishëm edhe Ministri i Shtetit për Energjinë dhe  Ndryshimet Klimaterike deputeti Z. Ed Davey, Zëvendëskryeministri dhe deputeti Z. Nick Clegg, Ministrja e Brendshme dhe deputetja Znj. Theresa May, Shadou Ministri i Jashtëm dhe deputeti Z. Douglas Alexander, Kryetari i Komitetit të Zgjedhur për Çështjet e Brendshme dhe deputeti Z. Keith Vaz dhe deputeti i Mitcham-it dhe Morden-it Z. Siobhain McDonaugh.

Islami, një fe e paqes dhe e dhembshurisë

Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim: Në emër të Allahut të Gjithë-mëshirshmit, Mëshirëplotit.

Miq të nderuar, Es-selam alejkum ue rrahmatullahi ue barakatuhu: Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të gjithë ju!dhembshuriaSë pari, dua të falënderoj miqtë e Xhematit Musliman Ahmedia, të cilët, me rastin e njëqindvjetorit të Xhematit tonë në Britaninë e Madhe, mirësisht kanë organizuar këtë event në Dhomën e Parlamentit për të shprehur miqësinë dhe lidhjen e ngushtë të tyre me ne. Unë gjithashtu dua të falënderoj gjithë miqtë, të cilët duke ardhur sot, siguruan se ky event do të ketë sukses dhe vlerë. Gëzohem që një pjesë e madhe prej jush janë të pranishëm këtu dhe nuk janë marrë me angazhime apo mbledhje të tjera.

Në përgjigje të këtij gjesti, jo vetëm që shpreh mirënjohjen dhe vlerësimet e mia ndaj jush, por gjithashtu dua të them se shpresa dhe lutja ime e sinqertë është që të gjitha departamentet dhe të gjithë njerëzit që punojnë në këtë godinë të bukur e madhore të jenë të aftë për t’i shërbyer denjësisht këtij vendi dhe popullit të tij. Unë gjithashtu shpresoj dhe lutem që ata të arrijnë të punojnë në mënyrën më të mirë të mundshme për nxitjen e marrëdhënieve të mira ndërkombëtare, për të punuar me drejtësi, që të marrin vendime, të cilat të jenë në dobi të të gjitha partive. Nëse do të jetë ky shpirti i punës, atëherë ky vend do të korrë frutat më të ëmbla, të dashurisë, dhembshurisë dhe vëllazërisë dhe do ta prijë botën për t’u bërë një parajsë e vërtetë e paqes dhe e mbarësisë.dhembshuria - 100 vjetori KalifiKjo dëshirë dhe lutje imja është edhe e gjithë muslimanëve ahmedianë, sepse ne besojmë se është e nevojshme që njeriu të ketë dashuri ndaj vendit të tij dhe më gjerë ndaj njerëzimit. Padyshim, muslimanët ahmedianë besojnë se dashuria ndaj vendit përbën një pjesë thelbësore të besimit, sepse Themeluesi i fesë Islame, Profeti i shenjtë Muhammedsa porositi duke theksuar dhe duke e predikuar këtë. Ndaj, më lejoni t’ju bëj shumë të qartë se çdo musliman ahmedian që është shtetas britanik, qoftë i lindur apo i ardhur si imigrant, është tërësisht besnik ndaj këtij vendi dhe ka dashuri të sinqertë ndaj tij. Muslimanët ahmedianë duan vetëm progresin dhe mbrothësinë e këtij kombi të madh.

Numri i njerëzve që u përkasin kombeve të tjera por që tani jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar është shumë i madh, i cili llogaritet të jetë rreth 14-15% i gjithë popullsisë. Për këtë arsye, unë nuk mund të vazhdoj, pa përmendur dhe pa përgëzuar britanikët vendas për vlerat e mëdha, zemërgjerësinë dhe tolerancën që treguan, për mënyrën se si ata i pranuan imigrantët si pjesëtarë të përbashkët të këtij vendi dhe i lejuan të bëhen pjesë e strukturës së shoqërisë britanike. Për këtë arsye, njerëzve që kanë ardhur për t’u vendosur këtu u bie një detyrë morale e patjetërsueshme që të provojnë veten si qytetarë besnikë të këtij vendi e ta mbështesin në mënyrë të sigurt qeverinë në përpjekjet e saj, për të parandaluar çdolloj çrregullimi e konflikti. Për sa i përket Xhematit Musliman Ahmedia, anëtarët e tij e zbatojnë këtë parim në cilindo shtet që jetojnë.

Siç e dini, ne po kremtojmë njëqindvjetorin e Xhematit Musliman Ahmedia të Britanisë së Madhe. Këto njëqind vite të kaluara sigurojnë dëshmi të faktit se anëtarët e Xhematit Ahmedia gjithmonë i kanë përmbushur kërkesat për të qenë besnikë ndaj shtetit të tyre dhe gjithmonë kanë qenë krejtësisht të pastër nga të gjitha format e ekstremizmit, rebelimit dhe trazimit. Realisht, shkaku themelor i kësaj qasjeje besnikërie e dashurie është fakti që Xhemati Musliman Ahmedia është kryekreje një komunitet fetar që përfaqëson Islamin e vërtetë. Xhemati ynë gjithmonë qëndron më vete, siç vazhdimisht ne u kemi paraqitur mësimet e vërteta e paqësore të Islamit njerëzve në gjithë botën dhe gjithmonë jemi munduar që këto mësime të vërteta të pranohen si Islami i vërtetë.

Me këto pak fjalë hyrëse, më lejoni t’i kthehem temës kryesore të fjalimit tim. Xhemati ynë është mbrojtës i përhershëm i paqes, pajtueshmërisë dhe harmonisë dhe për këtë arsye edhe motoja jonë është “Dashuri për të gjithë, urrejtje për askënd”. Disa jomuslimanë pavarësisht se na njohin, madje kanë lidhje të ngushta me ne, janë të befasuar se Xhemati Musliman Ahmedia, mesazhin e tij të paqes ia atribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë Islamit. Shkaku i befasisë dhe shokimit të tyre vjen prej faktit se shohin shumë të ashtuquajtur dijetarë muslimanë dhe organizata të ndryshme që flasin dhe veprojnë në një mënyrë krejtësisht ndryshe dhe përhapin një mesazh të tjetërsuar. Për ta shpjeguar këtë diferencë, më lejoni t’ju bëjë të qartë se ne muslimanët ahmedianë besojmë se në këtë epokë, koncepti i xhihadit të dhunshëm, të një “xhihadi me shpatë”, është tërësisht i gabuar dhe si i tillë duhet hedhur poshtë, edhe pse disa dijetarë muslimanë e përhapin, madje e praktikojnë atë. Ky koncept ka shkaktuar lindjen e shumë organizatave ekstremiste e terroriste brenda muslimanëve në vende të ndryshme të botës.

Jo vetëm që po dalin grupe të tilla, por shohim që edhe disa individë po ndikohen dhe veprojnë në bazë të këtyre besimeve të gabuara. Shembulli i fundit i kësaj ishte pikërisht vrasja brutale e një ushtari të pafajshëm britanik nëpër rrugët e Londrës. Ai ishte një sulm që absolutisht nuk ka të bëjë fare me mësimet e vërteta të Islamit, përkundrazi, mësimet e Islamit i dënojnë fuqimisht akte të tilla. Komplote të tilla djallëzore demonstrojnë dallim të qartë midis mësimeve të vërteta të Islamit dhe atyre të keqinterpretuara, të cilat disa të ashtuquajtur muslimanë i praktikojnë për motivet e tyre të ulëta. Unë gjithashtu dua të them se edhe reagimi i disa grupeve vendase nuk ishte i drejtë dhe si i tillë, mund të shkatërrojë paqen e shoqërisë.

Cila është dëshmia që mbështet pohimin tonë se ajo që besojmë ne si mësimet e vërteta të Islamit, është e drejtë? Pika thelbësore që duhet marrë parasysh në lidhje me këtë është që përdorimi i shpatës ose forcës është i lejuar vetëm kur bëhet një luftë fetare kundër Islamit. Në kohën e sotme, asnjë shtet e asnjë fe nuk e sulmon Islamin fizikisht për bazën e tij fetare. Andaj, edhe muslimanët nuk kanë asnjë justifikim për të sulmuar dikë tjetër në emër të fesë, sepse një gjë e tillë është shkelje e hapur ndaj mësimeve të Kuranit.

Zëvendëskryeministër i Britanise se Madhe Z. Nick Clegg

1-Zëvendëskryeministër Z. Nick Clegg gjatë diskutimit me Hazret Kalifin e Pestë të Mesihut të Premtuar, në Dhomën e Përfaqësuesve, Londër, më 11 qershor 2013. 2-Shadou (Shadow) Ministri i Jashtëm, Z. Douglas Alexander me Hazret Kalifin e Pestë të Mesihut të Premtuar. 3-Ministrja e Brendshme, deputetja Znj. Theresa May me Hazret Kalifin e Pestë të Mesihut të Premtuar. 4-Deputeti Z. Ed Davey me Hazret Kalifin e Pestë të Mesihut të Premtuar.

Sipas Kuranit, forca mund të përdoret vetëm kundër atyre që luftojnë dhe ngrenë armë kundër Islamit. Një tjetër pikë e rëndësishme është që nëse një shtetas tenton t’i shkaktojë dëm vendit ose bashkështetasve të tij, në çfarëdo forme qoftë, ai padyshim vepron kundër mësimeve të Islamit. Profeti i shenjtë, Muhammedisa tha se kushdo që derdh gjakun e ndonjë të pafajshmi, nuk është musliman. Profeti i shenjtësa ka shprehur se njerëz të tillë janë të dobët në besimin e tyre dhe janë mëkatarë.Do të doja t’ju tregoja edhe disa aspekte të tjera të Islamit, që provojnë se sa të ndritura e të vërteta janë mësimet e tij. Do t’ju shpjegoj se mënyra siç e paraqesin Islamin disa të ashtuquajtura grupe muslimane, nuk përfaqëson mësimet e vërteta të fesë, në asnjë trajtë a formë. Do të bëhet e qartë që me veprimtaritë e tyre ata dëshirojnë vetëm përmbushjen e interesave të tyre vetjake, duke keqpërdorur emrin e Islamit, që të justifikojnë në këtë mënyrë veprimet e tyre plot urrejtje.

Islami e thekson kaq shumë tolerancën fetare, saqë është e pamundur të gjeni standarde kaq të larta diku tjetër. Njerëzit e feve të tjera priren të besojnë se ata nuk mund të provojnë vërtetësinë e fesë që ndjekin, derisa nuk provojnë fetë e tjera si të gënjeshtërta. Ndërsa qasja e Islamit ndaj kësaj pike është shumë ndryshe, sepse ai nuk mëson vetëm se Islami është një fe e vërtetë e dërguar për gjithë njerëzimin, por të gjithë popujve dhe kombeve të botës u kanë ardhur profetë, dhe edhe ata, që të gjithë janë të vërtetë. Kjo është përmendur qartë në Kuranin e Shenjtë. Allahu thotë se të gjithë profetët ishin dërguar nga Ai me mësime të dashurisë e dhembshurisë dhe se gjithë muslimanët e vërtetë duhet t’i pranojnë ata. Asnjë fe tjetër nuk lëvdon çdo besim dhe çdo popull kaq hapur, siç bën Islami. Sepse muslimanët besojnë se të gjithë popujve dhe kombeve u janë dërguar profetë, të cilët ata kurrsesi nuk mund t’i pandehin si gënjeshtarë. Kështu që, muslimanët nuk mund të nënçmojnë, poshtërojnë apo të fyejnë asnjërin prej të dërguarve të Zotit, e as nuk mund të lëndojnë ndjenjat e ndjekësve të ndonjë feje.

Megjithatë, është për të ardhur keq që qëndrimi i disa jomuslimanëve është krejtësisht i kundërt. Ata nuk kursejnë asnjë mundësi për të tallur e përqeshur në mënyrë hidhëruese Themeluesin e Islamitsa, duke hidhëruar po ashtu ndjenjat e muslimanëve. Ne sinqerisht e duam tolerancën fetare dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, për shkak të besimeve që kemi.  Megjithatë, për fat të keq, kur elemente të tilla luajnë me ndjenjat e muslimanëve, kjo i bën disa të ashtuquajtur muslimanë të reagojnë ndaj provokimit në një mënyrë krejtësisht të gabuar e të papërgjegjshme. Reagimi dhe përgjigjja e tyre nuk ka asnjë lidhje me mësimet e vërteta të Islamit dhe ju patjetër do ta dëshmoni që asnjë musliman ahmedian, sado i provokuar të jetë, kurrë nuk reagon në një mënyrë kaq negative.

Themeluesit të Islamit dhe Kuranit u janë veshur akuza të rënda si nxitës të ekstremizmit dhe të përdorimit të dhunës për të përhapur mesazhin e Islamit. Për ta trajtuar këtë akuzë dhe për të kërkuar realitetin, le t’i hedhim një sy vetë Kuranit. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Po të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që banojnë në tokë. Ti, a do t’i detyrosh vallë njerëzit derisa të bëhen besimtarë?!” (Kurani Famëlartë 10:100)

Ky ajet thotë shkoqur se Zoti, që zotëron të gjitha fuqitë, shumë lehtë mund t’i detyronte gjithë njerëzit të ndjekin një fe të vetme, por në vend të kësaj, Ai u ka dhënë të gjithë popujve të botës lirinë e zgjedhjes, që të besojnë apo të mos besojnë.

Pra, nëse Zoti i ka dhënë njerëzimit lirinë e zgjedhjes, si mundet atëherë që Profeti i shenjtë Muhammedsa ose ndonjë ndjekës i tij të detyrojë e të shtrëngojë dikë që të bëhet musliman?! Allahu i Madhërishëm gjithashtu thotë në Kuran:

“Kjo është e vërteta që ka ardhur nga Zoti yt, pra, le të besojë kush të dojë, e le të mohojë kush të dojë”. (Kurani Famëlartë 18:30)

Ky është realiteti i Islamit dhe ky është mësimi i tij i vërtetë. Nëse ndokush ndien në zemër që ta pranojë Islamin, ai është i lirë ta pranojë, po ashtu, nëse ndokush nuk e ndien një gjë të tillë në zemrën e tij, është i lirë ta refuzojë atë. Kështu që, Islami është krejtësisht kundër detyrimit dhe ekstremizmit, përkundrazi, ai përkrah paqen dhe harmoninë në të gjitha nivelet e shoqërisë. Është krejtësisht e pamundur për Islamin që të predikojë dhunën ose imponimin, sepse vetë kuptimi i emrit “islam” është që të jetosh në paqe e t’ua mundësosh paqen gjithë të tjerëve. Sidoqoftë, kur cenohen ndjenjat tona fetare, ndiejmë shumë dhimbje dhe vuajtje. Çdo fjalë që flitet për ta poshtëruar Profetin e shenjtë Muhammedsa, na shpon e na plagos zemrat.

Ishte Themeluesi i Islamitsa ai që krijoi dashurinë ndaj Zotit dhe dashurinë ndaj krijesave të Zotit në zemrat tona. Ishte ai që vendosi dhe rrënjosi dashurinë, respektin ndaj gjithë njerëzimit dhe ndaj të gjitha feve në veten tonë. Cila mund të jetë dëshmia më e madhe për mësimet paqësore të Islamit, sesa përgjigjja e dhënë nga kundërshtarët e Profetit Muhammedsa kur ai ua dërgoi e ua predikoi atyre mesazhin e Islamit! Ata nuk thanë se Profeti i shenjtë u kërkonte të kryenin akte mizorie dhe ligësie, duke i ftuar ata për të përqafuar Islamin. Përkundrazi, përgjigjja e tyre ishte që po t’i pranonin mësimet e Profetit, pasuria dhe statusi i tyre do të viheshin në rrezik ose do të grabiteshin fare nga njerëzit e pamëshirshëm, sepse Profeti i shenjtësa theksonte vetëm paqen e harmoninë. Ata frikësoheshin se po ta pranonin Islamin duke përvetësuar paqe, njerëzit, fiset e madje shtetet përreth do të përfitonin dhe do t’i shkatërronin ata. Shkurt, nëse Islami ka përkrahur dhunën dhe ishin muslimanët ata që ishin porositur për të ngritur shpatat dhe për të bërë luftën, atëherë mohuesit kurrsesi nuk do të jepnin një justifikim të tillë. Ata nuk do të thoshin se nuk mund ta pranonin Islamin nga frika se mësimet e tij të paqes mund t’i katandisnin në shkatërrim, prej duarve të njerëzve materialistë.

Kurani Famëlartë pohon se njëra nga atributet e Zotit të Plotfuqishëm është Selami, që do të thotë se Ai është Burimi i paqes. Kjo do të thotë se nëse Zoti me të vërtetë është Burimi i paqes, atëherë paqja e Tij duhet të përfshijë të gjitha krijesat e Tij dhe të gjithë njerëzimin, e jo të mbetet e kufizuar në një grup të caktuar njerëzish. Nëse paqja e Zotit është e destinuar të mbrojë vetëm disa njerëz të caktuar, atëherë nuk mund të thuhet se Ai është Zoti për të gjithë botën. Allahu i Plotfuqishëm i është përgjigjur kësaj pike në Kuran. Allahu thotë:

“Pasha përgjërimet e tij të përsëritura!: “O Zoti im, këta janë një popull që nuk besojnë!” Anashkaloji dhe thuaju “Paqe!”. Ata së shpejti do të kuptojnë”. (Kurani Famëlartë 43:89-90)

Këto fjalë tregojnë se Profeti i shenjtë Muhammedsa solli një mësim, i cili ishte burim i mëshirës dhe i dhembshurisë për të gjithë popujt e për të gjithë njerëzit. Ajeti i cituar më lart gjithashtu shpalos që në përgjigje të mesazhit të paqes, të dhënë nga Profeti i shenjtësa, kundërshtarët e tij jo vetëm që i refuzuan mësimet e tij, por edhe e tallën dhe e fyen Profetinsa. Jo vetëm kaq, por duke shkuar edhe më tej e duke e kundërshtuar armiqësisht, ata shkaktuan trazira dhe konflikte. Pas gjithë kësaj sjelljeje, Profeti i shenjtësa iu përgjërua Zotit: Unë dua t’u jap paqe, por ata nuk po më japin të njëjtën gjë. Madje, po mundohen të më shkaktojnë dhimbje e vuajtje.

Allahu e ngushëlloi duke i thënë:

Anashkalo gjithçka që bëjnë ata dhe largohu prej tyre. Detyra jote e vetme është që të përhapësh e të vendosësh paqe në botë. Urrejtjes dhe ligësisë së tyre duhet t’i përgjigjesh thjesht duke thënë “paçi selam (paqe)” dhe thuaju që u ke sjell paqe.

Sallën Uestminister - Westminiter

1-Hazret Kalifit të Pestë të Mesihut të Premtuar i bëhet mirëseardhje në Dhomën e Përfaqësuesve nga deputeti Z. Ed Davey. 2-Deputeti Z. Ed Davey përcjell Hazret Kalifin e Pestë të Mesihut të Premtuar nëpër Sallën Uestminister (Westminister).

Pra, Profeti i shenjtësa e kaloi gjithë jetën e tij për përhapjen e paqes në botë. Ky ishte misioni i tij fisnik. Padyshim, do të vijë një ditë kur njerëzit e botës do ta kuptojnë se ai nuk përhapi asnjë mësim që të ketë lidhje me ekstremizmin. Ata do të kuptojnë se gjithçka që solli ai, ishte vetëm mesazh i paqes, dashurisë dhe butësisë. Veç kësaj, nëse ndjekësit e këtij Profeti fisnik gjithashtu do t’u përgjigjen mizorive e padrejtësive në të njëjtën mënyrë, nëpërmjet dashurisë, atëherë nuk ka dyshim se ata që ngrenë akuza kundër mësimeve të shkëlqyeshme të Islamit, një ditë do të binden për vërtetësinë dhe bukurinë e tyre.Xhemati Musliman Ahmedia ndjek dhe jeton sipas këtyre mësimeve. Janë pikërisht këto mësime të mirëkuptimit, tolerancës dhe dhembshurisë që ne i promovojmë dhe i përhapim në të gjitha skajet e botës. Ne ndjekim shembullin historik dhe të pashembullt të mirësisë e dashamirësisë që ishte paraqitur nga Profeti i shenjtë Muhammedsa në kohën kur, pas përballjes shumëvjeçare të tij ndaj mizorisë dhe persekutimit më të hidhur e më të lemerishëm, po i jepej mundësia të kthehej fitimtar në rrugët e Mekës. Për vite të tëra, ai dhe ndjekësit e tij u privuan edhe nga nevojat më themelore, si ushqimi dhe uji dhe, për një kohë të caktuar, u detyruan të kalonin ditë të tëra duke vuajtur nga uria. Shumë nga ndjekësit e tij u sulmuan, disa prej tyre edhe u vranë në mënyrën më të pamëshirshme e barbare, që nuk e imagjinon dot njeri. Madje, edhe muslimanët e moshuar, gratë dhe fëmijët nuk i shpëtuan dot kësaj mizorie. Edhe ata u trajtuan në mënyrë të pamëshirshme e brutale. Prapëseprapë, kur Profeti i shenjtësa u kthye në Mekë me fitore, ai nuk kërkoi hakmarrje. Përkundrazi, ai deklaroi hapur: Nuk ka qortim për askënd nga ju, sepse ju kam falur të gjithëve. Jam profet i dashurisë dhe i paqes. Kam njohjen më të plotë të atributit “Burim i Paqes” të Allahut. Është Ai që mundëson paqe. Andaj, jua fal të gjitha mizoritë tuaja të mëparshme dhe ju garantoj paqen e sigurinë. Jeni të lirë të qëndroni në Mekë dhe jeni të lirë të praktikoni fenë tuaj. Askush nuk do t’ju detyrojë dhe t’ju forcojë në ndonjë formë.

Disa nga jobesimtarët më të përbetuar ishin arratisur nga Meka nga frika se do të ndëshkoheshin, sepse e dinin se kishin kaluar çdo kufi të dhunës kundër muslimanëve. Megjithatë, të afërmit e tyre, duke e parë këtë sjellje të pakrahasueshme të dhembshurisë e të butësisë dhe këtë shfaqje unike të paqes e të harmonisë, u dërguan mesazhe që të ktheheshin. Ata u njoftuan që Profeti i shenjtësa përhapi vetëm paqe dhe siguri dhe kështu, ata u kthyen në Mekë. Të tillët, që më përpara ishin kundërshtarët më të vendosur të Islamit, kur panë vetë dashamirësinë dhe mëshirën e Profetit të shenjtësa, e pranuan Islamin me dëshirën e tyre të lirë.

Kjo që ju tregova, është një histori e faktuar dhe shumica e historianëve jomuslimanë dhe orientalistë gjithashtu e kanë certifikuar këtë të vërtetë. Këto janë mësimet e vërteta të Islamit dhe ky ishte modeli fisnik i Profetit të shenjtë Muhammedsa. Pra, ta etiketosh Islamin dhe Themeluesin e tij si mizor dhe të ngresh akuza të tilla kundër tyre, është vetëm padrejtësi e mizori. Padyshim, kudo që bëhen akuza të tilla, ne na lëndojnë thellësisht.

Më lejoni t’ju them edhe një herë që sot është Xhemati ynë, Xhemati Musliman Ahmedia, ai që ndjek mësimet e vërteta e paqësore të Islamit dhe jeton sipas tyre.

Dhe ju them edhe një herë që aktet e liga plot urrejtje të kryera qoftë nga organizata ekstremiste, qoftë nga individë, nuk kanë asnjë lidhje me mësimet e vërteta të Islamit.

Drejtësia e vërtetë kërkon që interesat e ulëta të këtyre individëve apo të grupeve të caktuara, nuk duhet t’u atribuohen mësimeve të ndonjë feje. Akte të tilla nuk duhet të përdoren si pretekst për të kritikuar padrejtësisht ndonjë fe apo themeluesin e saj. Duhet të përbëjë një nevojë urgjente për kohën, respekti i ndërsjellë si për njëri-tjetrin, ashtu edhe për të gjitha fetë, poqe se duam të përpiqemi për të vendosur paqen dhe harmoninë globale. Alternativat e tjera janë të tmerrshme.

njeqindvjetori

Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar duke mbajtur fjalimin e tij historik para deputetëve, VIP-ve, diplomatëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Londër.

Bota është shndërruar në një fshat global dhe për këtë arsye, mungesa e respektit të ndërsjellë dhe dështimi në bashkëpunimin për të përhapur paqe, jo vetëm që do të dëmtojnë një zonë, qytet apo shtet të caktuar, por, në fakt, do ta shpjerë të gjithë botën drejt shkatërrimit. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për shkatërrimin e tmerrshëm që shkaktuan dy Luftërat Botërore. Për shkak të veprimeve të disa shteteve, shenjat në horizont flasin për një luftë të tretë botërore.Nëse do të plasë një luftë botërore, edhe bota perëndimore do të preket thellë nga pasojat shkatërruese me ndikim të gjerë. Le të shpëtojmë veten nga një shkatërrim i tillë. Le të shpëtojmë brezat e ardhshëm nga pasojat shkatërruese e fatkeqe të një lufte të tillë. Padyshim, lufta më e llahtarshme që mund të imagjinohet është ajo bërthamore dhe mënyra siç bota po ecën me shpejtësi drejt saj, përbën një rrezik të vërtetë të plasjes së një lufte të tillë. Për të parandaluar një përfundim të tillë të llahtarshëm, ne duhet të përvetësojmë drejtësinë, integritetin e ndershmërinë dhe të bashkohemi  për t’i mposhtur dhe për t’i ndaluar grupet e tilla, që duan të përhapin vetëm urrejtjen dhe që duan të shkatërrojnë paqenë botërore.

Është shpresa dhe lutja ime që Zoti i Plotfuqishëm të mundësojë superfuqitë e botës të përmbushin përgjegjësitë dhe detyrat e tyre në këtë kuadër në mënyrën më të paanshme e të drejtë. Amin!

Para se ta përmbyll fjalën time, do të desha t’ju falënderoja të gjithëve edhe një herë që ndatë kohën dhe mundimin për të ardhur këtu sot. Zoti ju bekoftë të gjithëve!

Shumë faleminderit!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp