Një vështrim mbi rregullat e luftës në ligjin islam
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Një vështrim mbi rregullat e luftës në ligjin islam

Një vështrim mbi rregullat e luftës në ligjin islam

Humbja e një jete të pafajshme është njësoj sikur humbja e mbarë njerëzimit dhe të marrësh një jetë të pafajshme do të thotë se nuk ke më veti njerëzore. Kur njeriun e shkallon marrëzia e luftës, ai nuk është në gjendje të vendosë kufirin që ndan gjakun e pafajshëm nga viktima e ‘dëmit kolateral’. Ndërsa bota po shikon me tmerr masakrën që po zhvillohet në konfliktin midis Hamasit dhe Izraelit, njerëzit po polarizohen gjithnjë e më shumë.

Disa po e quajnë këtë konflikt “Izraeli kundër Palestinës”, ndërsa të tjerët po e përshkrujanë si sionizëm kundër Hamasit. Ka edhe nga ata që akoma janë të bindur se kjo është një luftë midis judaizmit dhe islamit.

Pavarësisht se si po përshkruhet dhe përkufizohet ky konflikt, nuk ka asnjë dyshim se sulmi i Hamasit ka qenë barbar dhe mizor, njësoj siç ishte dhe është reagimi disproporcional i Izraelit, duke bërë që të dyja të shkaktonin humbjen më të madhe të jetës së pafajshme gjer më sot.

Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit ka mbështetur dhe forcuar keqkuptimin e atyre që besojnë se Islami është një fe që nxit gjithmonë përdorimin e dhunës. Nëse sloganet demagogjike si p.sh. ‘Islami është i keq’ po shfaqen në formë grafiti nëpër muret e qyteteve perëndimore, po skaliten gjithashtu edhe ide bajate në mendjen e shumë njerëzve në botë. Është i trishtueshëm se në vend që të arrinte çfarëdo misioni ‘fisnik’ që Hamasi e kishte parasysh, ai i ka sjellë vetëm humbje dhe dëm si fesë ashtu edhe popullit të vet.

E thënë thjesht dhe shkurt: Islami nuk është një fe që nxit dhunën, luftën ose gjakderdhjen. Ai nuk lejon përdorimin e forcës për të pushtuar tokat dhe as nuk pajtohet me idenë që t’i detyrojë të tjerët t’u binden mësimeve të tij. Islami i nxit ndjekësit e tij, për t’iu përmbajtur gjithmonë drejtësisë, dhe nuk lejon padrejtësinë edhe kundër armiqve[1]. Islami është ajo fe që thotë se nëse vetë Zoti nuk i ka nënshtruar njerëzit ndaj vullnetit të Tij që ata të veprojnë në një mënyrë të caktuar, atëherë si mund ta bëjmë ne?[2]

Harrojeni përdorimin e forcës, Islami nuk lejon të cenohen as ndjenjat fetare të të tjerëve.[3] Profeti Muhammed (paqja e mëshira e Allahut qofshin mbi të!) mbrojti edhe të drejtat e natyrës, duke urdhëruar që të mos priten apo të digjen pemët. Tani mund të imagjinoni rëndësinë që islami i kushton shenjtërimit të jetës njerëzore.[4],[5]

Gjithçka që ka ndodhur deri më tani, apo që po ndodh në Lindjen e Mesme nuk pasyqron asnjë nga këto parime themelore të Islamit. Zoti ka dërguar Profetin Muhammed s.a.v.s. në këtë botë si mëshirë për mbarë njerëzimin[6], prandaj nëse dëshirojmë me të vërtetë të realizojmë vendosjen e paqes në botë, parimet e Islamit për drejtësinë, lirinë fetare, tolerancën dhe mbrojtjen e të drejtave të gjithësecilit nuk duhet të zbatohen vetëm në Lindjen e Mesme, por të shtrihen në të gjithë botën.

Megjithatë, në historinë e Islamit ka edhe disa luftëra, të cilat përdoren gabimisht nga muslimanët për të justifikuar veprimet e tyre të dhunshme si dhe nga kundërshtarët e Islamit për të përhapur retorikën se mësimet dhe historia e tij është rrënjosur në dhunë dhe ekstremizëm.

Ndoshta pikëpamjet e tyre do të ndryshonin thjesht duke lexuar ajetet kuranore të cilat lejojnë ngritjen e armëve, për të mbrojtur sinagogat, kishat, tempujt dhe vendet e tjera të adhurimit. Zoti u jep leje atyre që ishin dëbuar nga vendbanimet e tyre dhe të cilëve u ishte mohuar liria e besimit, për të dalë për mbrojtjen e vetë konceptit të besimit si dhe për të ruajtur çdo vend që lidhet me adhurimin e Zotit.[7] Nëse i hedhim një vështrim konfliktit Palestinë-Izrael, ku xhamitë dhe kishat sulmohen vazhdimisht, ne nuk gjejmë asnjë justifikim për të sipas kushteve të lartëpërmendura.

Në rast se shpërthen lufta, ka gjithmonë rregulla që përcaktojnë parametra të arsyeshëm për vijimin e saj. “Kombet e Bashkuara” kanë përcaktuar udhëzimet që duhet të respektohen nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së në rast konflikti të armatosur. Disa shembuj të këtyre udhëzimeve janë:

  • ‘Forca e Kombeve të Bashkuara do të bëjë një dallim të qartë në çdo situatë midis civilëve dhe luftëtarëve dhe midis objekteve civile dhe objektivave ushtarake. Operacionet ushtarake të drejtohen vetëm kundër luftëtarëve dhe objektivave ushtarake dhe sulmet ndaj civilëve apo objekteve civile janë të ndaluara.’
  • ‘Forcës së Kombeve të Bashkuara i është ndaluar të përdorë armët ose metoda të tjera të luftimit që mund të shkaktojnë vuajtje të panevojshme.’
  • ‘Forca e Kombeve të Bashkuara nuk do të ndërmarrë veprime hakmarrëse apo masa ndëshkuese kundër civilëve apo objekteve civile.’
  • ‘Forcës së Kombeve të Bashkuara i ndalohet të sulmojë, shkatërrojë, largojë ose të bëjë të padobishme objektet që janë të domosdoshme për mbijetesën e popullsisë civile, si p.sh. ushqimet, prodhimet bujqësore, bagëtitë dhe furnizimi me ujë të pijshëm.’
  • Gratë do të mbrohen veçanërisht nga çdo sulm i mundshëm, në veçanti nga përdhunimi, prostitucioni i detyruar apo çdo forme tjetër sulmi të pandershëm.’
  • ‘Fëmijëve do t’u kushtohet një respekt dhe vëmendje e veçantë dhe ata do të mbrohen kundër çdo lloj sulmi të pandreqshëm.’

Është interesante se kjo nuk është hera e parë që janë përcaktuar udhëzime të tilla për luftë. Në fakt, 1400 vjet më parë, Islami vendosi rregullat më të plota të luftës, të cilat edhe në konfliktet më të përgjakshme, sigurojnë vendosjen e drejtësisë, ruajtjen e vlerave morale dhe mbrojtjen e jetës njerëzore. Para se të niste ndonjë ekspeditë ushtarake, Profeti Muhammed s.a.v.s. ua qartësonte qëllimin e luftës se ishte vetëm ‘mbrojtja e fesë’ dhe më pas jepte këto porosi:

  • Mos e plaçkitni popullin dhe mos e mashtroni atë.
  • Mos i gjymtoni trupat e të rënëve si hakmarrje ndaj armikut.
  • Mos i vrisni gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Mos i vritni murgjit që jetojnë të vetmuar nëpër vende të shenjta fetare.
  • Vendosni kushtet e paqes në tokë dhe shfaqni gjithmonë mirësjellje ndaj popullit.
  • Mos e dëmtoni atë që ata e konsiderojnë të shenjtë.
  • Mos i prisni pemët e frytshme.

Këto norma ndoshta duken të njohura. Por, ato jo vetëm që e paraprinë Konventën e Gjenevës, dhe çdo konventë tjetër të OKB-së me shekuj, por janë edhe pikërisht këto normat morale që përcaktojnë rregullat e një jete paqësore në botë sot. Imazhet e tmerrshme të një mjeku i cili bën kontroll në spitalin e tij të tejmbushur me të plagosurit vetëm për të ardhur në një shtrat dhe për të gjetur djalin e tij të vdekur të shtrirë atje, përmbledhin mizoritë e tmerrshme me të cilat duhet të përballen njerëzit e pafajshëm të të dy palëve.

Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Udhëheqësi Botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, ka nënvizuar në mënyrë të përmbledhur por fuqishëm parimet e luftës së Islamit kur tha:

“Feja Islame na jep mësimin që edhe në kohë lufte nuk ke të drejtë të vrasësh gratë, fëmijët dhe këdo që nuk merr pjesë në luftë. Këtë porosi e dha Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe e theksoi fuqimisht”.[8]

Po shfaqen zhvillime të mëdha çdo ditë, dhe çdo njeri po gjykohet në bazë të flamurit, që ai ka zgjedhur si foto e profilit si dhe në bazë të postimeve dhe hashtagëve në mediat sociale që mbështesin Izraelin apo Palestinën. I vetmi flamur që duhet të shfaqet dhe të vetmit hashtagë që duhet të përdorim të jenë ata që mbështesin paqen dhe mbrojnë vlerat njerëzore. Njerëzimi duhet të mbizotërojë dhe jetë të pafajshme duhet të shpëtohen, në mënyrë që të shpëtojë edhe njerëzimi.

REFERENCAT

[1] Kurani 5:9 “O ju që besuat! Për hir të Allahut, bëhuni dëshmitarë të qëndrueshëm ndaj drejtësisë. Nuk duhet t’ju nxisë armiqësia e ndonjë populli, që ju të mos bëni drejtësi. Bëni drejtësi! Kjo është më afër druajtjes dhe kini druajtje ndaj Allahut!”
[2] Kurani 10:100 “Dhe po të donte Zoti yt, do të besonin që të gjithë ata që banojnë në tokë. Ti, a do t’i imponosh vallë njerëzit, derisa të bëhen besimtarë?!”
[3] Kurani 6:109 “Mos i shani (idhujt), të cilëve ata u luten në vend të Allahut, përndryshe, edhe ata do ta shajnë Allahun armiqësisht, me padije”.
[4] Kurani 5:32 “…kushdo që vret një njeri që nuk ka vrarë ndokënd ose që nuk ka shkaktuar trazirë në tokë, është sikur të ketë vrarë gjithë njerëzimin, dhe kushdo që i jep jetë, është sikur t’i ketë dhënë jetë gjithë njerëzimit.”
[5] Sunen en-Nisai hadith nr. 4998:  الْمُسْلِمُ مَنْ سَلِمَ النَّاسُ مِنْ لِسَانِهِ وَيَدِهِ وَالْمُؤْمِنُ مَنْ أَمِنَهُ النَّاسُ عَلَى دِمَائِهِمْ وَأَمْوَالِهِمْ d.m.th. “Muslimani është ai që i siguron njerëzit e tjerë nga gjuha dhe dora e tij, dhe besimtari është ai të cilit njerëzit mund t’i besojnë jetën dhe pasurinë e tyre.”
[6] Kurani 21:108 “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty, përveçse si mëshirë për botët”.
[7] Kurani 22:40,41 Atyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi. Njëmend, Allahu është i Plotfuqishëm që t’i ndihmojë ata, ata që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre padrejtësisht, vetëm se thanë: “Zoti ynë është Allahu”.
[8] Fjalimi i së xhumasë, të mbajtur më 13 tetor 2023.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp