"Ky Bajram u solli një mal vuajtjesh!" Udhëheqësi botëror i Xhematit Ahmedia lutet për palestinezët
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

“Ky Bajram u solli një mal vuajtjesh!” Udhëheqësi botëror i Xhematit Ahmedia lutet për palestinezët

xhemati ahmedia

Hazret Mirza Masrur Ahmed u bën thirrje shteteve islamike të tregojnë një front të bashkuar dhe të qëndrojnë kundër mizorive dhe padrejtësive që po u bëhen palestinezëve

Gjatë fjalimit të Fiter Bajramit, Udhëheqësi Botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Shenjtëria e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmed ka dënuar me forcë mizoritë që po kryhen mbi popullin palestinez nga Izraeli.

Duke folur nga selia ndërkombëtare e Xhematit Musliman Ahmedia, në Xhaminë Mubarak në Islamabad, Tilford, të Anglisë, Shenjtëria e tij dënoi përdorimin e dhunës nga Shteti Izraelit kundër Palestinës dhe përpjekjet e tyre për të dëbuar familjet palestineze nga shtëpitë e tyre në lagjen Sheikh Jarrah.

Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Sot, ne duhet të lutemi sinqerisht për popullin palestinez të cilët këto ditë po përballen me mizori të skajshme. Ditët e fundit, kur ata shkuan për t’u lutur në Xhaminë El-Aksa, u sulmuan dhe u rrahën brutalisht nga autoritetet shtetërore. Po kështu, ata po dëbohen nga Sheikh Jarrah, një lagje e vogël, e cila është toka e tyre.”

Hazret Mirza Masrur Ahmed vijoi:

“Policia (Izraelite) po përdor gaz lotsjellës dhe plumba dhe tani kanë filluar edhe sulmet ajrore. Ata thonë se po shënjestrojnë armikun dhe terroristët, por në të vërtetë, po sulmohen civilë të pafajshëm dhe këtyre po u bëhen mizori të tmerrshme dhe të padrejta. Ka pasur gjithashtu raportime nga media se policia izraelite u ka mohuar njerëzve të plagosur aksesin për ndihmë mjekësore.”

Duke u lutur për palestinezët, Hazret Mirza Masrur Ahmed tha:

“Allahu i mëshiroftë të shtypurit dhe i sjelltë shtypësit para drejtësisë!”

Shenjtëria e tij foli gjithashtu për mënyrën se si Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara deri më tani nuk kishte arritur të dënonte vrasjet e nëntë fëmijëve të pafajshëm nga sulmet ajrore izraelite të bëra ditën e hënë. Që nga ajo kohë, shumë palestinezë të tjerë të pafajshëm u vranë.

Shenjtëria e tij iu referua raporteve të botuara nga organizatat e të Drejtave të Njeriut, përfshirë Human Rights Watch dhe Amnesty International, duke nënvizuar politikat diskriminuese dhe trajtimin mizor ndaj popullit Palestinez.

Shenjtëria e tij gjithashtu iu referua raporteve të medias që përshkruajnë situatën aktuale.

Hazret Mirza Masrur Ahmed më tej tha:

“‘Ky është versioni unik i drejtësisë që zbatohet në vend: Ajo që është e imja është e imja dhe ajo që është e jotja është gjithashtu e imja.’, shkruan gazeta izraelite Haaretz. Pra, në këtë mënyrë po u rrëmbehen të drejtat palestinezëve. Allahu i Madhërishëm u bëftë mëshirë! Ky Bajram u solli një mal vuajtjesh! Allahu ua ktheftë brengat në gëzime dhe u mundësoftë qetësi në jetën e tyre!”

Shenjtëria e tij vijoi:

“Allahu u dhëntë palestinezëve lidership të denjë, i cili t’i udhëzojë ata siç duhet! Sigurisht, vendet islamike duhet të bashkohen dhe të luajnë rolin e tyre për të shpëtuar palestinezët, si dhe muslimanët e tjerë që po përballen me dhunë në disa në vende të tjera. Por fatkeqësisht, umeti musliman nuk po bashkohet. Ka një mungesë totale të bashkimit mes vendeve islamike. Pa dyshim, në këtë rast, vendet islamike kanë dështuar të bënin reagim të fuqishëm që duhet ta kishin bërë. U mjaftuan vetëm me disa deklarata të dobëta. Po të kishin reaguar në mënyrë të bashkuar, kjo do të bënte një impakt shumë më të madh.”

Në fund, Hazret Mirza Masrur Ahmed bëri lutje:

“Allahu i Madhërishëm u dhëntë mend liderëve të vendeve islamike, po kështu edhe izraelitëve që të tërhiqen nga dhuna; edhe palestinezëve, të cilët veprojnë si të mendojnë pa asnjë lidership, nëse ka ndonjë padrejtësi nga ana e tyre, megjithëse në realitet, nuk është kështu. Nëse palestinezët po përdorin shkopinj, këta përdorin raketa të rënda dhe armë të sofistikuara, gjë që unë e kam thënë edhe më parë. Nuk ka krahasim për sa i përket forcës që përdoret nga të dyja palët. Prandaj, duhet të lutemi shumë për palestinezët. Allahu i Madhërishëm ua përmirësoftë gjendjen dhe u mundësoftë pavarësinë dhe ata të gëzojnë tokat e tyre të ligjshme që u ishin siguruar sipas traktatit fillestar!”

Në fjalimin e Fiter Bajramit, Shenjtëria e tij gjithashtu u tërhoqi vëmendjen muslimanëve të Xhematit Ahmedia që të luten për botën më gjerë, për të gjithë njerëzit në nevojë në botë dhe për ata që u nënshtrohen padrejtësive.

LEXONI:

Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutem