Konflikti Rusi – Ukrainë | Deklarata e Udhëheqësit të Xhematit Musliman Ahmedia
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Konflikti Rusi – Ukrainë | Deklarata e Udhëheqësit botëror të Xhematit Musliman Ahmedia

lufta rusia ukraina

24 shkurt, 2022

Në lidhje me konfliktin Rusi-Ukrainë, Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia, Kalifi i Pestë, Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha:

“Për shumë vite, unë i kam paralajmëruar superfuqitë e botës se duhet të marrin mësimet nga historia, veçanërisht nga dy luftërat botërore katastrofike dhe shkatërruese që ndodhën në shekullin e 20-të. Në lidhje me këtë, në vitet e kaluara, u kam shkruar letra liderëve të kombeve të ndryshme duke u kërkuar që të linin mënjanë interesat e tyre kombëtare a personale, të përvetësonin drejtësinë e vërtetë në të gjitha nivelet e shoqërisë, në mënyrë që të kishin përparësi paqen dhe sigurinë e botës. Për fat të keq, tani një luftë në Ukrainë ka filluar dhe kështu situata është bërë jashtëzakonisht e rëndë dhe e pasigurt. Për më tepër, ajo ka potencialin të përshkallëzohet edhe më tej në varësi të hapave të ardhshëm të qeverisë ruse dhe të reagimit të NATO-së dhe të superfuqive. Pa dyshim, pasojat e çdo përshkallëzimi do të jenë të tmerrshme dhe shkatërruese deri në ekstrem. Andaj, është nevoja kritike e kohës që të bëhet çdo përpjekje e mundshme për të shmangur luftën dhe dhunën e mëtejshme. Ka ende kohë që bota të tërhiqet nga pragu i katastrofës. Kështu që, për hir të njerëzimit, i bëj thirrje Rusisë, NATO-së dhe të gjitha shteteve të fuqishme që të përqendrojnë të gjitha përpjekjet e tyre për ta ndalur konfliktin dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje paqësore përmes diplomacisë.

xhemati ahmedia

Si Udhëheqësi i Xhematit Musliman Ahmedia, unë vetëm mund të tërheq vëmendjen e liderëve politikë të botës drejt prioritizimit të paqes në botë dhe lënies mënjanë të interesave dhe armiqësive të tyre shtetërore për hir të mirëqenies së mbarë njerëzimit. Prandaj, është lutja ime e sinqertë që liderët e botës të veprojnë me sens e mençuri dhe të përpiqen për përmirësimin e njerëzimit.

Lutem që liderët botërorë të përpiqen me sinqeritet, si sot ashtu edhe në të ardhmen, për të mbrojtur njerëzimin nga mundimet e luftës, të gjakderdhjes dhe të shkatërrimit. Nga thellësia e zemrës, lutem që liderët e superfuqive dhe qeveritë e tyre të mos ndërmarrin hapa që do të shërbejnë për të shkatërruar të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të brezave të ardhshëm. Është koha që çdo përpjekje dhe motivim i tyre duhet të jetë në drejtimin që ne t’ua lëmë brezave të ardhshëm botën si një trashëgimi të paqes dhe të prosperitetit.

I lutem Zotit që t’i bëjë liderët e botës t’i kushtojnë vëmendje nevojës së kohës dhe të vlerësojnë, mbi të gjitha, detyrimin e tyre për të siguruar paqen dhe stabilitetin e botës. Allahu i Madhërishëm i ruajtë të gjithë njerëzit e pafajshëm dhe të pambrojtur dhe na mundësoftë paqen e vërtetë dhe të qëndrueshme në botë! Amin!

MIRZA MASROOR AHMAD
Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar
Udhëheqësi botëror
i Xhematit Musliman Ahmedia

Related Contents from Topics
Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp