Letër Kryeministrit të Izraelit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Shkëlqesia e tij,
Benjamin Natanyahu,
Kryeministër i Izraelit,
Jeruzalem
26 shkurt 2012

I dashur Z. Kryeministër,

Unë së fundmi i kam nisur një letër Shkëlqesisë së tij z. Shimon Peres, President i Izraelit, në lidhje me gjendjen e botës e cila po ndryshon me shpejtësi të madhe.  Meqë jeni kryetar i shtetit tuaj, andaj ndiej të nevojshme që t’ju përcjell edhe juve mesazhin tim.

Historia e shtetit tuaj është e lidhur ngushtë me profetizmin dhe shpalljet hyjnore. Në fakt profetët e bijve të Izraelit kanë bërë profeci të qarta në lidhje me të ardhmen e shtetit tuaj. Si pasojë e mosbindjes ndaj porosive të profetëve dhe mospërfilljes ndaj profecive të tyre, bijve të Izraelit u deshën të heqin vuajtje dhe mundime të mëdha. Nëse udhëheqësit e popullit tuaj do t’i qëndronin besnikë rrugës së profetëve, ata mund të kishin shpëtuar nga fatkeqësitë dhe vuajtjet e ndryshme. Andaj, më shumë se çdokush tjetër, kjo është detyra juaj që t’u kushtoni vëmendje profecive dhe porosive të profetëve.

Unë ju drejtohem në cilësinë e Kalifit të atij Mesihu të Premtuar dhe Imam Mahdiu (paqja qoftë mbi të), i cili ishte dërguar si shërbëtor i Profetit Muhammed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të); ndërsa Profeti Muhammed (paqja e mëshira e Allahut qofshin mbi të) qe dërguar si mëshirë për mbarë njerëzimin përfshirë këtu edhe bijtë e Izraelit si shëmbëlltyra e Moisiut (paqja qoftë mbi të). (Ligji i përtërirë 18:18). Andaj, është detyra ime t’ju rikujtoj mesazhin e Zotit. Besoj që mbeteni ndër ata që i përgjigjen thirrjes së Zotit, dhe e gjejnë për mbarë rrugën e drejtë, e cila është në përputhje me porosinë e Zotit të Gjithëpushtetshëm, Sundues i qiejve dhe i tokës.

Këto ditë, kemi dëgjuar nëpër raportime lajmesh që jeni duke u përgatitur për një sulm ndaj Iranit, ndonëse pasojat rrëqethëse të një Lufte Botërore janë mu para jush. Në Luftën e fundit Botërore, ndërkohë që u vranë miliona njerëz të tjerë, u shuan edhe jetët e qindra mijëra hebrenjve. Andaj, duke qenë Kryeministër, është detyra juaj të mbroni ekzistencën e shtetit tuaj. Gjendja e sotme e botës sugjeron se Lufta tjetër Botërore nuk do të bëhet vetëm midis dy shteteve, përkundrazi do të krijohen blloqe. Rreziku i shpërthimit të një Lufte Botërore është më se i vërtetë dhe serioz. Jeta e të gjithëve, e muslimanëve, e të krishterëve dhe e hebrenjve është nën rrezik. Nëse plaset një luftë e tillë, atëherë ajo do të shkaktojë një zinxhir rrjedhojash për shkatërrimin njerëzor. Pasojat e kësaj katastrofe do të përballen nga brezat pasardhëse, të cilët ose do të lindin sakat, të gjymtuar apo të paralizuar. Kjo do të ndodhë, sepse një luftë e tillë sigurisht do të përfshijë edhe armët bërthamore.

Andaj, unë ju lutem sinqerisht që në vend që t’i prini botës në zgjedhën e një Lufte Botërore, duhet të bëni të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar atë nga një katastrofë globale. Në vend që të zgjidhni konfliktet me dhunë, ju duhet të bëni përpjekjet për t’i zgjidhur ato përmes bisedimit, me qëllim që t’u falim brezave tonë pasardhës një të ardhme të shkëlqyer, e jo t’u “dhurojmë” invaliditet, sakatim dhe gjymti.

Do të përpiqem të shkoqit mendimet e mia, duke u bazuar në fragmentin vijues të mësimeve tuaja. Pjesa e parë është marrë nga libri Psalmet:

“Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi, sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë. Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano në tokë dhe shto besnikërinë. Gjej kënaqësinë tënde te Zoti dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate. Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar. Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.

Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë të cilit i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij. Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen. Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës. Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më. Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.” (Psalmet 37:1-11)

Një mësim të ngjashëm, e gjejmë në Torah:

“Nuk do të kesh në thesin tënd dy pesha, një të madhe dhe një të vogël. Nuk do të kesh në shtëpi dy masa, një të madhe dhe një të vogël. Do të kesh një peshë të saktë dhe të drejtë, do të kesh një masë të saktë dhe të drejtë, me qëllim që ditët e tua të zgjaten në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep. Sepse të gjithë ata që kryejnë veprime të tilla, të gjithë ata që sillen në mënyrë jo të drejtë, urrehen nga Zoti, Perëndia yt.” (Ligji i përtërirë 25:13-16)

Prandaj, liderët e botës dhe veçanërisht ju duhet t’i shmangeni mendimit për të qeverisur me dhunë dhe duhet të përmbaheni nga shtypja e të dobëtëve. Përkundrazi, përpiquni të përhapni dhe të promovoni drejtësinë e paqen. Duke bërë këtë, ju vetë do të mbeteni në paqe e harmoni, do të fitoni fuqinë dhe kështu do të vendoset edhe paqja botërore.

Është lutja ime e sinqertë që ju dhe liderët e tjerë botërorë ta kuptojnë mesazhin tim, ta njohin vendin dhe pozitën e tyre dhe t’i përmbushin përgjegjësitë që kanë.

Juaji sinqerisht

Mirza Masrur Ahmedi
Khalifatul Masih V (Kalifi i Pestë i Mesihut)
Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia

Image Courtesy: Asim BharwaniLicence Creative Commons

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp