Kriza - Vështrim Islam mbi krizën botërore
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
kriza - fjalimi në parlamentin britanik

Parlamenti Britanik, Dhoma e Ulët
Londër, Angli, 2008

Parathënie

Fjalim historik i Hazret Mirza Masrur Ahmeditaba, Kalifit të Pestë të Mesihut të Premtuar, Udhëheqësit botëror të Xhematit Musliman Ahmedia i mbajtur në Dhomën e Ulët të Parlamentit të Britanisë së Madhe, më 22 tetor 2008.kriza - Parlamenti Britanik, Dhoma e Ulët LondërTakimi, në të cilin u mbajt ky fjalim, u organizua me rastin e 100-vjetorit të Kalifatit Ahmedia, nga Znj. Justine Greening, deputete e Putney-it, ku ndodhet edhe xhamia Fazl, kryeqendra e Xhematit Musliman Ahmedia.

Në këtë pritje, ndër të pranishmit ishin Z. Gillian Merron MP, Z. Hazel Blears MP, Z. Alan Keen MP, Z. Dominic Grieve MP, Z. Simon Hughes MP, Z. Lord Eric Avebury si dhe personalitete të shquara të medias, politikanë dhe specialistë nga fusha të ndryshme.

 

 Vështrim islam mbi krizën botërore

Parliament Britanik Dhoma e Ulet

Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë duke mbajtur fjalimin kryesor në Dhomën e Ulët

Bismil-lahirr-Rrahmanirr-Rrahim: me emrin e Allahut të Gjithë-mëshirshmit, Mëshirëplotit.

Së pari, do të doja të falënderoja të gjithë mysafirët dhe deputetët e nderuar e të respektuar, të cilët kanë lejuar udhëheqësin e një organizate fetare të ndajë disa fjalë me ju. I jam shumë mirënjohës së nderuarës deputete Znj. Justine Greening, që është deputete për zonën tonë dhe që ka punuar kaq shumë për organizimin e këtij evenimenti për një komunitet të vogël, me rastin e 100-vjetorit të Kalifatit të tij.  Kjo dëshmon vullnetin, zemërgjerësinë dhe interesimin e saj për ndjenjat e secilit qytetar a komunitet që jeton në zonën e saj elektorale.krizaNdonëse Xhemati Musliman Ahmedia është një bashkësi e vogël në numër, ai mbetet mbartës i vlerave dhe përfaqësues dinjitoz i mësimeve të vërteta të Islamit. Më duhet të them se çdo musliman ahmedian që jeton në Britaninë e Madhe është një qytetar skajshmërisht besnik i këtij vendi dhe e do fort dhe e gjithë kjo buron nga mësimet e Profetit tonësa, i cili na porositi se atdhedashuria është pjesë e pandashme e besimit (Tefsiri Haki, Sureja el-Keses, nr. 86, dhe Fat’hul-Bari fi Sharh Sahih elBuhari, Babu keulillahi ta‘ala Ua’tul-bujuta… dhe Tuhfatul-Ahuadhi Sharhu Xhami‘ it-Tirmidhi, babu ma jekul.). Mësimet e Islamit janë shtjelluar dhe janë vënë në dukje edhe nga themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, të cilin ne e besojmë si Mesih të Premtuar dhe Reformator të kësaj kohe.

Duke shpallur deklaratën e tij, ai tha se Zoti i Plotfuqishëm i ka ngarkuar dy përgjegjësi. E para lidhet me të drejtën e Zotit ndërsa tjetra me të drejtën e krijesave të Zotit. Ai gjithashtu tha se përmbushja e të drejtave të krijesave të Zotit është sfida më e vështirë dhe më e ndjeshme (Melfuzat, vëll.1, f.326.).

Në lidhje me Kalifatin, ndoshta mund të keni druajtje se historia mund të rikthehet dhe një udhëheqje e tillë mund të shkaktojë konflikte të përgjakshme. Më lejoni t’ju siguroj se ndonëse kjo akuzë i vishet Islamit, në dashtë Zoti, Kalifati Ahmedia do të shquhet gjithmonë si pishtar i paqes dhe i harmonisë në botë si dhe anëtarët e tij do të jenë gjithmonë besnikë ndaj vendit ku jetojnë. Kalifati Ahmedia gjithashtu synon ta përjetësojë dhe ta çojë përpara misionin e Mesihut të Premtuar e të Imam Mehdiut, prandaj, nuk ka asnjë arsye për t’u frikësuar prej tij. Ky Kalifat u tërheq vëmendje anëtarëve të Xhematit që të përmbushin dy detyrat e sipërpërmendura, për të cilat kishte ardhur Mesihu i Premtuaras. Në këtë mënyrë Kalifati po bën përpjekje për të sjellë paqe dhe harmoni në botë.kriza Tani, meqë koha është e kufizuar, kthehemi te çështja kryesore. Nëse studiojmë paanësisht disa shekuj të fundit, do të vëmë re se luftërat përgjatë kësaj periudhe, në të vërtetë nuk kanë qenë fetare. Nga natyra, ato ishin më shumë gjeopolitike. Madje edhe sot në konfliktet dhe hasmëritë midis shteteve, vihet re se ato shkaktohen nga interesa politike, territoriale dhe ekonomike.

Nga mënyra sesi po ndodhin gjërat, druhem se dinamikat politike dhe ekonomike të shteteve mund ta çojnë botën drejt një lufte botërore. Jo vetëm vende të varfra, por edhe shtete të pasura janë prekur nga kjo gjendje. Andaj, është detyra e superfuqive që të ulen dhe të gjejnë një rrugëzgjidhje për ta shpëtuar njerëzimin që ndodhet në prag të shkatërrimit.

Britania është një ndër ato vende që mund të ushtrojë dhe po ushtron ndikimin e saj si në botën e zhvilluar ashtu edhe mbi vendet në zhvillim. Pra, mund ta udhëzoni botën, nëse doni ta bëni një gjë të tillë, duke përmbushur kërkesat e barazisë dhe drejtësisë.

Nëse i hedhim një vështrim të kaluarës së afërt, Britania ka sunduar shumë vende dha ka lënë pas një standard të lartë të drejtësisë dhe të lirisë fetare, veçanërisht në subkontinentin e Indisë dhe Pakistanit. Xhemati Musliman Ahmedia është dëshmitar për këtë dhe themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia e ka lavdëruar qeverinë britanike për politikat e saj të drejtësisë dhe të lirisë fetare. Kur themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia e uroi Madhërinë e saj mbretëreshën Viktoria për jubileun e 60 vjetorit të kurorëzimit të saj, ai i përcolli mesazhin e Islamit. Po ashtu, ishte lutur veçanërisht që Zoti i Madhërishëm ta shpërblente me bujari qeverinë britanike për mënyrën sesi ajo i përmbushte kërkesat e drejtësisë dhe të barazisë.

Pra, historia jonë tregon se ne gjithmonë e kemi vlerësuar këtë drejtësi, kurdo shfaqur nga Britania. Shpresojmë se edhe në të ardhmen, drejtësia do të mbetet një ndër atributet dalluese të qeverisë britanike, jo vetëm në çështjet fetare, por në të gjitha aspektet dhe se ju nuk do t’i harroni vlerat tuaja të së kaluarës.

Sot, ka një agjitacion dhe shqetësim të madh në botë. Po shohim shpërthimin e disa luftërave në shkallë të vogël, ndërsa në disa vende, superfuqitë pretendojnë se janë duke u përpjekur të sjellin paqe. Nëse kërkesat e drejtësisë nuk përmbushen, flakët e këtyre luftërave lokale mund të përshkallëzohen duke përpirë gjithë botën. Andaj, ju bëj kërkesë modeste që ta shpëtoni botën nga shkatërrimi.

Tani, do t’ju parashtroj shkurtimisht mësimet e Islamit, që synojnë të sjellin paqe në botë. Ose mund të shohim sesi paqja mund të vendoset në botë në dritën e këtyre mësimeve. I lutem Zotit se ata që janë drejtuar më së pari në këto mësime, pra muslimanët, t’i mundësojë që t’i zbatojnë këto mësime, por është edhe detyra e të gjitha shteteve të botës, e të gjitha superfuqive dhe qeverive, që t’i zbatojnë ato.

Sot, pra në këtë epokë, kur bota realisht është shkrirë në një fshat global, në një mënyrë që askush nuk e kishte imagjinuar më parë, ne si njerëz duhet të vetëdijsohemi për përgjegjësitë tona e të përpiqemi për të zgjidhur ato çështje të të drejtave njerëzore, që mund të ndihmojnë në vendosjen e paqes në botë. Sigurisht, kjo përpjekje duhet të bazohet mbi paanësi dhe duke iu përgjigjur të gjitha kërkesave të drejtësisë.

Një ndër problemet e sotme që ka nxjerrë krye, ndonëse jo drejtpërdrejt vjen nga feja. Disa grupe të muslimanëve përdorin mjete të paligjshme, kamikazët e tyre hedhin apo shpërthehen me bomba në emër të fesë për të vrarë e për të lënduar jomuslimanë, përfshirë ushtarë dhe civilë e për të vrarë brutalisht edhe muslimanë dhe fëmijë të pafajshëm. Ky akt barbar është krejtësisht i papranueshëm në Islam.

Kjo sjellje e kobshme e disa muslimanëve ka krijuar një imazh tërësisht të gabuar në vendet jomuslimane dhe si rrjedhojë, disa pjesë të shoqërisë flasin hapur kundër Islamit, ndërkohë të tjerët ndonëse nuk flasin hapur, në zemër nuk kanë ndonjë përshtypje pozitive rreth tij. Kjo ka shkaktuar një mosbesim ndaj muslimanëve në zemrat e popujve të shteteve perëndimore dhe atyre të jomuslimane. Pra, për shkak të këtij qëndrimi të disa muslimanëve, reagimi i jomuslimanëve po bëhet gjithnjë e më i ashpër.

Shembulli primar i këtij reagimi të gabuar është mësymja ndaj karakterit të Profetit Muhammedsa  dhe ndaj Kuranit Famëlartë, librit të shenjtë të muslimanëve. Në lidhje me këtë, qëndrimi i politikanëve britanikë, pavarësisht nga partitë e tyre, dhe i intelektualëve të Britanisë ka qenë ndryshe nga ai i shfaqur nga politikanët e disa vendeve të tjera dhe unë ju falënderoj për këtë. Çfarë dobie mund të ketë nëse lëndohen këto ndjenja, përveçse të shtohen urrejtjet dhe pakënaqësitë?! Kjo urrejtje ngërmon disa muslimanë ekstremistë për të kryer veprime “jo-islame”, të cilat sërish i japin shkas një numri jomuslimanësh për ta fryrë akoma më shumë kundërshtimin e tyre.

Megjithatë, ata që nuk janë ekstremistë dhe që e duan me gjithë zemër Profetin Muhammedsa, lëndohen thellësisht nga këto sulme, dhe këtu Xhemati Musliman Ahmedia gjendet në krye. Detyra jonë parësore dhe më e rëndësishme është që t’i tregojmë botës karakterin e përsosur të Profetit Muhammedsa dhe mësimet e shkëlqyera të Islamit. Ne që respektojmë dhe nderojmë të gjithë profetët (paqja qoftë mbi ata) dhe i besojmë si të dërguar nga Zoti, nuk mund të shprehim asgjë fyese drejtuar qoftë ndonjërit prej tyre, por pikëllohemi thellë kur dëgjojmë sulme të tilla të pabaza e të pavërteta ndaj Profetit tonësa.

Në këtë kohë, kur bota sërish po ndahet në blloqe, ekstremizmi po shkallëzohet, situata financiare e ekonomike po përkeqësohet, ka nevojë urgjente për t’i dhënë fund çdolloj urrejtjeje dhe për të hedhur themelet e paqes. Kjo mund të realizohet vetëm duke respektuar ndjenjat e gjithsecilit. Nëse kjo nuk do të bëhet denjësisht, ndershmërisht dhe sinqerisht, bota do të shkojë drejt rrethanave të papërmbajtshme. Unë vlerësoj që shtetet perëndimore të fuqishme ekonomikisht, kanë lejuar bujarisht shtetasit e vendeve të varfra apo të pazhvilluara, ndër të cilët janë edhe muslimanë, që të jetojnë në vendet e tyre.

dhoma e ulet

Gjatë vizitës zyrtare në Dhomën e Ulët. E mirëpret deputetja Justine Greening

Drejtësia e vërtetë kërkon që ndjenjat dhe praktikat fetare edhe të këtyre popujve të respektohen. Vetëm në këtë mënyrë mund të ruhet qetësia mendore e njerëzve. Duhet të dimë se kur trazohet qetësia mendore e një personi, preket qetësia mendore edhe e shoqërisë në tërësi.Siç kam thënë më parë, u jam mirënjohës legjislatorëve dhe politikanëve britanikë për përmbushjen e kërkesave të drejtësisë dhe për të mos krijuar pengesa në këtë drejtim. Pikërisht ky është edhe mësimi i Kuranit Famëlartë që përmendet në Kuranin Famëlartë. Ai thotë:

Nuk ka imponim në fe.  (Kurani Famëlartë 2:257)

Kjo porosi jo vetëm që i kundërpërgjigjet akuzës se gjoja Islami ishte përhapur me anë të shpatës, por u predikon muslimanëve se pranimi i besimit është një çështje midis njeriut dhe Zotit, dhe ju në asnjë mënyrë nuk duhet të ndërhyni në të. Çdo njeri është i lirë të jetojë sipas besimit të tij dhe të kryejë ritualet e tij fetare. Por, nëse ekziston ndonjë praktikë në emër të fesë, që u sjell dëm të tjerëve dhe që bie ndesh me ligjin e një shteti të caktuar, atëherë organet ligjzbatuese mund të marrin masa kundër saj, sepse një ritual mizor, në cilëndo fe të ekzistojë, kurrë  nuk mund të jetë mësim i ndonjë të dërguari të Zotit.

Ky është parimi themelor për vendosjen e paqes në nivel vendor si dhe në atë ndërkombëtar.

Islami gjithashtu na mëson se nëse si rezultat i ndërrimit të fesë suaj, shoqëria, ndonjë grup apo qeveria tenton të ndërhyjë në praktikumin e fesë suaj, por më vonë kushtet kthehen në favorin tuaj, atëherë ju nuk duhet të mbani mëri ose armiqësi ndaj dhunuesve.  Ju as që duhet të mendoni për hakmarrje, përkundrazi duhet të veproni me drejtësi e barazi.  Kurani Famëlartë thotë:

O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në kauzën e Allahut, duke dëshmuar për drejtësinë. Kurrsesi nuk duhet t’ju nxisë urrejtja ndaj ndonjë populli për të bërë padrejtësi. Gjithmonë bëni drejtësi! Kjo është më afër pëlqimit të Zotit. Frikësojuni Allahut! Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që bëni ju. (Kurani Famëlartë 5:9)

Ky është mësim për paqen në shoqëri. Mos hiqni dorë nga drejtësia, edhe ndaj armikut tuaj. Historia e hershme e Islamit na dëshmon se pikërisht ky mësim u zbatua dhe të gjitha kërkesat e drejtësisë u përmbushën. Unë nuk mund t’ju tregoj shumë shembuj këtu, por historia dëshmon faktin se pas fitores së Mekës, Profeti i shenjtësa nuk bëri asnjë hakmarrje ndaj atyre, të cilët e kishin sfilitur, përkundrazi i fali dhe i lejoi të ndiqnin besimet e tyre përkatëse. Sot, paqja mund të vendoset vetëm nëse do të përmbushen të gjitha kërkesat e drejtësisë edhe për kundërshtarin, jo vetëm në luftën kundër ekstremistëve fetarë, por në të gjitha betejat. Vetëm paqja e tillë është e qëndrueshme.

Në shekullin e kaluar, janë zhvilluar dy Luftëra Botërore. Pavarësisht nga shkaqet e tyre, nëse vështrojmë thellë, aty qëndron vetëm një arsye: drejtësia nuk ishte dhënë që në instancën e parë. Si reagim, ai që u konsiderua një zjarr i shuar dhe që në fakt ishte gacë e mbuluar që ndizej lehtë, përfundimisht lëshoi vrulltas flakë të papërmbajtshme, duke kapërdirë të gjithë botën për të dytën herë.

Sot, ankthi e pakënaqësia janë në rritje, ndërsa veprimet për të ruajtur paqen po shndërrohen në pararendëse të një lufte tjetër botërore. Përveç kësaj, gjendja aktuale ekonomike dhe problemet shoqërore përbëjnë një tjetër shkak për shkallëzimin e situatës.

Kurani Famëlartë parashtron disa parime të arta për vendosjen e paqes në botë. Dihet që lakmia i jep shtysë urrejtjes. Nganjëherë ajo shfaqet për zgjerimin territorial ose për pushtimin e resurseve natyrore, ose për vendosjen e epërsisë mbi të tjerët. Kjo shkakton mizori, qoftë nga ana e tiranëve të pamëshirshëm që uzurpojnë të drejtat e popullit dhe tregojnë epërsinë e tyre për të arritur qëllimet e tyre të ulëta, qoftë nga ana e një force sunduese. Ulërimat dhe vuajtja e popullit të shtypur nganjëherë arrijnë ta thërrasin botën e jashtme.

Por edhe në këtë situatë, parimi i artë që na ka dhënë Profeti i shenjtë i Islamitsa është: “Ndihmoni edhe të shtypurin, edhe mizorin”.

Sahabët e Profetitsa e pyetën se për sa i përket ndihmës ndaj njerëzve të shtypur dhe të vuajtur, ata e kuptonin, por, si mund ta ndihmonin një mizor? “Duke i ndalur dorën nga mizoria, sepse tejkalimi i tij në mizori do të tërheqë ndëshkimin e Zotit për të”, iu përgjigj Profetisa (Buhariu, Kitabul-ikrah, babu jaminirr-raxhuli li sahibihi, nr. i hadithit 6952.). Pra, nga mëshira ju duhet të përpiqeni ta shpëtoni atë. Përtej lidhjeve të ngushta shoqërore, ky parim shtrihet edhe në nivelin ndërkombëtar. Në lidhje me këtë Kurani Famëlartë thotë:

“Nëse dy grupe besimtarësh luftojnë me njëri-tjetrin, pajtojini ata. Por, edhe pas kësaj, nëse njëri  prej tyre sulmon tjetrin, atëherë luftoni kundër atij që ka shkelur, derisa të kthehet te urdhri i Allahut. E, nëse kthehet, atëherë pajtojini me paanësi dhe veproni me drejtësi. Sigurisht, Allahu i do ata që veprojnë me drejtësi”. (Kurani Famëlartë 49:10)

Ndonëse ky mësim u referohet muslimanëve, nëse të gjithë i përmbahemi këtij parimi, mund të hidhet baza për paqen mbarëbotërore.

Për të ruajtur paqen, siç e kemi shpjeguar qysh në fillim, kërkesa më parësore mbetet drejtësia. Por, edhe pas zbatimit të drejtësisë, nëse përpjekjet për vendosjen e paqes dështojnë, atëherë bashkohuni dhe luftoni kolektivisht kundër palës agresore që ka shkelur, derisa të vijë çasti kur ajo të pajtohet. E kur ajo dorëzohet dhe tregohet e gatshme për t’u pajtuar, drejtësia kërkon që të mos kërkohet hakmarrje dhe të mos vendosen sanksione apo embargo. Mbajeni nën vëzhgim palën shkelëse përmes të gjitha mjeteve të mundshme, por njëherësh përpiquni ta përmirësoni gjendjen e saj.

Për t’i dhënë fund ankthit që është i dukshëm sot në disa vende të botës, ndër të cilat për fat të keq kryesisht janë vende muslimane, shtetet që kanë të drejtë vetoje duhet ta analizojnë situatën për të nxjerrë përfundimin nëse  është dhënë drejtësia, apo jo. Sa herë që duhet ndihma, duart shtrihen para shteteve të fuqishme.

Siç kam thënë, jemi dëshmitarë të faktit që na përcjell historia e qeverisë britanike, se ajo gjithmonë ka përkrahur drejtësinë dhe kjo më shtyn që t’ju tërheq vëmendjen ndaj disa prej këtyre çështjeve.

Parimi tjetër që na mëson Kurani për vendosjen e paqes në botë, është që të mos shohim me lakmi pasurinë e të tjerëve. Kurani Famëlartë thotë:

Mos e shih me lakmi atë që Ne ua kemi dhënë disave prej tyre, shkëlqimin e kësaj bote, si mjet të përkohshëm të kënaqësisë, me qëllim që t’i sprovojmë ata me anë të tyre. (Kurani Famëlartë 20:132)

Babëzia dhe lakmia për pasurinë e tjetrit është një faktor për shkallëzimin e ankthit në botë. Në nivelin individual, duke garuar me fqinjin, kjo babëzi ka shkaktuar pangopësi të pashuar dhe ka shkatërruar paqen shoqërore. Ndërsa në rangun kombëtar konkurrenca në babëzi, ka sabotuar paqen botërore. Kjo është vërtetuar nga historia dhe çdo njeri i mençur mund ta kuptojë që grykësia për pasurinë e të tjerëve shkakton rritjen e zilisë e të lakmisë dhe është burim i humbjes.

Kjo është arsyeja pse Zoti i Plotfuqishëm ka thënë që secili duhet të kujdeset për burimet e tij dhe të nxjerrë fitime prej tyre. Tentativa për të zgjeruar shtrirjen territoriale, synon të shfrytëzojë burimet natyrore të territorit të tjetrit. Grupimi i shteteve dhe formimi i blloqeve të fuqisë kanë pikënisje në kontrollin e resurseve natyrore të disa shteteve. Në lidhje me këtë, një sërë autorësh, të cilët më parë u kanë shërbyer si këshilltarë qeverive të tyre, kanë shkruar libra duke zbuluar imtësisht sesi disa shtete kanë kurdisur plane për të përvetësuar burimet e shteteve të tjera. Se sa të vërtetë kanë qenë në rrëfimet e tyre shkrimtarët në fjalë, e dinë vetë ata dhe Zoti më së miri, por situata që shfaqet pas leximit të këtyre rrëfimeve, u shkakton indinjatë të fortë qytetarëve të cilët janë besnikë ndaj vendeve të tyre të varfra. Kjo është një ndër arsyet kryesore të rritjes së terrorizmit dhe të nxitjes së garës së armëve shkatërruese për masën e gjerë.

Sot, bota e konsideron veten si më të matur, më të vetëdijshme dhe më të edukuar sesa qe në të kaluarën. Edhe në vendet e varfra ka njerëz kaq të zgjuar, që kanë shkëlqyer në arsim, në fushat e tyre përkatëse. Mendjet me aftësi të larta intelektuale sot janë bashkuar për të punuar në qendrat e mëdha kërkimore të botës. Në këto rrethana, njeriu duhej ta vriste mendjen sesi popujt të bashkoheshin dhe bashkërisht të orvateshin për t’u dhënë fund mendimeve të mbrapshta dhe marrëzive të së kaluarës, të cilat shkaktuan armiqësi dhe çuan deri në luftëra të përgjakshme. Intelekti i dhuruar prej Zotit dhe zhvillimet shkencore duhej të ishin përdorur për të mirën e njerëzimit dhe për të krijuar metodat e pranueshme të përfitimeve nga resurset e njëri-tjetrit.

Zoti ka bekuar çdo vend me burime natyrore, të cilat duhej të përdoreshin për ta kthyer këtë botë në një parajsë të paqes. Zoti ka bekuar shumë shtete me klimë dhe mjedis të shkëlqyer për rritjen e drithërave të ndryshme. Po të ishin zbatuar metodat e duhura për shfrytëzimin e teknologjisë moderne në bujqësi, ekonomia do të ishte më e shëndoshë dhe uria mund të ishte eliminuar nga Toka.

Vendet që kanë burime minerale duhet të lejohen t’i zhvillojnë e të bëjnë tregti lirisht dhe me çmim të arsyeshëm, e kështu një shtet mund të përfitojë nga resurset e shtetit tjetër. Pra, kjo do të ishte rruga e drejtë, rruga që është e preferuar nga Zoti i Plotfuqishëm.

Zoti u dërgon popujve të dërguarit e Tij, me qëllim që ata t’ua tregojnë rrugët që afrojnë njerëzit me Zotin. Në të njëjtën kohë, Zoti porosit për liri të plotë në çështjet e fesë. Sipas besimit tonë, shpërblimi dhe ndëshkimi do të jepen edhe pas vdekjes. Por, nën sistemin e krijuar nga Zoti, kur mizoria ushtrohet mbi krijesat e Tij dhe drejtësia e paanësia shpërfillen, atëherë sipas ligjeve të natyrës, pasojat e këtyre veprimeve mund të shfaqen edhe në këtë botë. Sot shohim reagime ndër më të ashprat kundër mizorive të tilla, ndërkohë nuk ka asnjë garanci që reagimi ishte i drejtë apo i gabuar.

Mënyra më e drejtë për të qeverisur botën është që të bëhet çdo përpjekje e mundshme për t’u siguruar vendeve të varfra statusin që u takon.

Një çështje kryesore që ekziston sot është kriza ekonomike, që ndryshe quhet credit crunch. Sado e çuditshme do të dukej, prova na drejton drejt një fakti. Kurani Famëlartë na këshillon duke thënë: Shmanguni kamatës, sepse ajo është ters dhe kërcënim për paqen familjare, kombëtare si dhe ndërkombëtare. Kurani na alarmon se ai që merr kamatë, një ditë do të çoroditet sikurse ai që është shkalluar nga djalli. Kështu që ne muslimanët, jemi paralajmëruar që për të parandaluar një situatë të tillë, duhet të heqim dorë nga shitblerjet me kamatë. Kjo sepse paratë që merrni si kamatë nuk ju shtojnë pasurinë, por juve vetëm ju duket sikur ajo po rritet. Vjen momenti i pashmangshëm, kur shfaqen pasojat e saj të vërteta. Përveç kësaj, jemi porositur që të mos futemi në tregtinë e kamatës, me paralajmërim se një gjë e tillë do të konsiderohet si luftë ndaj Zotit.

Ky fakt vërtetohet edhe nga kriza e sotme e kredisë. Në fillim, ishin individë që merrnin hua për të blerë prona, por para se të fitonin të drejtën e pronësisë, ata zhyteshin thellë në borxhe.  Ndërsa tani, janë qeveritë që janë fundosur në borxhe dhe janë goditur nga hutimi. Kompanitë e mëdha kanë falimentuar. Disa banka dhe institucione financiare kanë mbyllur aktivitetin e tyre, ose po mbështeten nga qeveritë për shpëtim. Një situatë e tillë ekziston pothuajse në çdo shtet, pavarësisht se është i pasur apo i varfër. Ju jeni në dijeni më mirë se unë rreth kësaj krize. Paratë e depozituesve janë zhdukur fare. Tashmë u takon qeverive për të vendosur sesi dhe në ç’shkallë do t’i mbrojnë ata. Por aktualisht, paqja mendore e familjeve, e biznesmenëve dhe e udhëheqësve të qeverive, në shumicën e vendeve të botës, thuajse plotësisht është e shkatërruar.

A mos vallë, kjo situatë na shtyn të mendojmë se bota po lëviz drejt përfundimit të logjikshëm, paralajmërimi i të cilit ishte dhënë kohë më parë? Zoti e di mirë sesi do të jenë pasojat e ardhshme të kësaj situate.

kriza

Nga e majta në të djathtë. Të ulur: Lord Avebury (Zëdhënësi i Liberaldemokratëve për çështjet e jashtme), Rt. Hon. Hazel Blears MP (Sekretar i shtetit për Komunitetet dhe Qeveritë Vendore), Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalif i pestë i Mesihut të Premtuar, Justine Greening MP (Shadow ministre për thesarin) Gillian Merron MP (Ministër i Zyrës së Jashtme), Councillor Louise Hyams (Lord Kryebashkiak për Westminster). Në këmbë: Jeremy Hunt MP (Shadow Ministri i Kulturës); Rafiq Hayat (Presidenti i Xhematit Musliman Ahmedia në Mbretinë e Bashkuar), Virendra Sharma MP, Rt. Hon. Malcolm Wicks MP (Ish-ministër në Departamentin e Biznesit, Sipërmarrjes dhe Reformës së Rregullatorit), Rob Marris MP, Simon Hughes MP (Kryetar i Partisë Liberaldemokrate), Martin Linton MP, Alan Keen MP.

Zoti i Madhërishëm thotë: Ejani drejt paqes e cila mund të garantohet vetëm atëherë kur ekziston tregtia e pastër dhe e shëndetshme dhe kur resurset shfrytëzohen në një mënyrë të drejtë dhe të ndershme.Më lejoni ta përfundoj këtë sintezë të përmbledhur të mësimeve tona me një rikujtim se çelësi i paqes së vërtetë botërore qëndron në kthimin te Zoti. Zoti e mundësoftë botën që ta kuptojë këtë esencë, sepse vetëm atëherë ata mund të përmbushin detyrat e tyre që kanë ndaj njëri-tjetrit.

Në fund, ju jam mirënjohës të gjithëve që erdhët këtu dhe dëgjuat fjalën time.

Shumë faleminderit!

 

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp