
Besnikëria e vërtetë ndaj atdheut
Hazret Mirza Masrur Ahmed (a.b.a.)
Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimishtDownloads and Formats
Përshkrim i librit
Atdhedashuria është një ndjenjë e pastër shpirtërore që gjendet thellë në natyrën e çdo njeriu. Vendi ku lind ai, ku hap sytë, loz me dheun e tij, rritet nga ushqimet që nxjerr ai dhé, kalon stinët e jetës bashkë me ato të vendit, për të ai bëhet si nënë dhe natyrisht, dashuria ndaj tij shkrihet në gjakun e tij. Nëse atdhedashuria shfaqet në formën e duhur te njeriu, ajo mund të kultivojë tek ai vlera e virtyte të larta, e të kontribuojë për mbarësinë, jo vetëm të kombit, por të gjithë njerëzimit.
Por, a lind vetvetiu dashuria ndaj atdheut në natyrën e njeriut apo i paraprin asaj diçka?! Çfarë është atdheu për dikë?, dhe, çka është ajo që i bën njerëzit ta duan atdheun? Atdheu, në radhë të parë, është pasuri, pasuri që duhet ruajtur. E ajo pasuri është e gjithanshme: familje, gjuhë, veshje, kulturë etj. Që të gjitha këto formojnë vlerë, e cila lind një dashuri të natyrshme ndaj atdheut. Kush më pak e kush më shumë orientohet nga resurset që e mbushin zemrën e tij për dashuri e besnikëri ndaj atdheut.
Ndërsa besimi u jep formën dhe përmbajtjen e duhur ndjenjave dhe dëshirave njerëzore. Ai e plotëson njeriun duke ndërgjegjësuar sjelljen e tij dhe e pajis atë me vetëdije hyjnore, që ai të ruhet nga rreziqet që mund t’i shkaktojë vet. Kur atdhedashuria mishërohet me besimin në një Krijues, shfaqet në formën më të hijshme, duke sjellë vlera dhe dobi të gjithanshme. Por, fatkeqësisht po bëhen përpjekje për të ngushtuar kuptimin e saj, dhe sot ajo përqaset me nacionalizëm, shovinizëm dhe urrejtje ndaj racave, kombeve apo shteteve të tjera. Historia e botës na tregon raste të panumërta të konflikteve të përgjakshme ndëretnike që kishin zanafillën pikërisht në të kuptuarin e të shtrembër të kësaj ndjenjeje.
Më shumë do atdheun apo fenë?! Pyetje që kemi dëgjuar sa e sa herë, sidomos nga njerëz, të cilët me krenari iu janë drejtuar besimtarëve për t’i vënë në sprovë para një debati poshtërues ose përqeshës. Një krahasim i tillë i fesë dhe i atdheut as që do të duhej të bëhej. Për më tepër të dyja janë kaq të mishëruara në qenien e një njeriu, saqë nuk di se si shihen ndaras.
Në këtë broshurë paraqesim një ndër fjalimet e Hazret Mirza Masroor Ahmedit, Kalifit të Pestë të Mesihut të Premtuar, në të cilin ai shpjegon rëndësinë dhe kuptimin e vërtetë të besnikërisë ndaj atdheut dhe trajton disa pika interesante që mund të lindin në mendjen e njerëzve kur e shohin atdhedashurinë me prizmin fetar.
Në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, po ju përcjellim mesazhin e tij, me dëshirë që vlerat e besimit na nxitin për të kontribuuar në progresin dhe zhvillimin e vendit, për një të ardhme të sigurt dhe të begatshme.
Zoti ju bekoftë. Zoti e bekoftë Shqipërinë. Amin
Shahid Ahmad Butt
President i Xhematit Musliman Ahmedia të Shqipërisë