Feja islame - pishtar i lirisë fetare dhe ndërgjegjes
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Feja islame – pishtar i lirisë fetare dhe ndërgjegjes

Teolog, gjuhëtar dhe përkthyes

Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte lindur në një shoqëri që ndiqte rrugën e barbarizmit, mizorisë dhe mendjengushtësisë, por megjithatë, ai solli një mësim që është i pashembullt në mbajtjen e drejtësisë, dhembshurisë dhe tolerancës fetare. Mësimi i tij (Kurani i Shenjtë) deklaron:

Kurani 002-257

“S’ka dhunë në çështjen e fesë” (El-Bekare 2:257)

Mandej thotë:

Kurani 018-30

“Kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë.” (El-Kehf 18:30)

Një tipar dallues i mësimeve të Islamit nga të tjerat, është ai që Kurani i Shenjtë thotë qartazi, se duhet të mbash drejtësi në çështjet e popujve dhe të ithtarëve të feve të tjera, por njëkohësisht lejon edhe hakmarrje, nëse ajo do të jetë për të vendosur drejtësi, megjithëkëtë, parapëlqen faljen duke thënë se ajo do të shpërblehet Vetë nga Zoti. (Esh-Shura 42:41)

Nëse bëhet ndonjë padrejtësi nga ithtarët dhe popujt e feve të tjera, atëherë Allahu thotë:

kurani - 005-003

“Mos t’ju nxisë kurrsesi urrejtja ndaj disa njerëzve që ju penguan të vizitoni Qabenë, që të bëni padrejtësi ndaj tyre! Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira…” (El-Maida 5:3)

Nëpërmjet Hazret Profetit Muhammed s.a.v.s., Allahu i Lartësuar dha këtë mësim të shkëlqyer, që nëse do të shikoni diçka të mirë në fe dhe popuj të tjerë, duhet ta vlerësoni. Ai në Kuranin e Shenjtë thotë:

“Ata nuk janë të gjithë njëlloj. Disa nga ithtarët e Librit (Biblës) janë të drejtë: në orët e natës lexojnë vargjet e (Librit të) Allahut dhe bëjnë sexhde (përkulen) para Tij.” (Al-Imran 3:114)

Gjithashtu duke e vlerësuar ndërgjegjshmërinë e disa ithtarëve të Librit, Kurani i Shenjtë thotë:

“Ka nga ata ithtarë të Librit, që sikur t’u besosh një barrë të tërë ari, do t’jua kthejnë, por ka edhe të atillë që, nëse u jep në besim, qoftë edhe një dinar, nuk ta kthejnë, veçse nëse nuk u ndahesh.” (Al-Imran 3:76)

Feja Islame jep edhe këtë mësim, që duke u shastisur gjatë debateve dhe polemikave fetare, të mos i fyejmë apo shajmë personalitetet e tyre që janë të nderuara për ta, siç Zoti thotë në Kuranin Famëlartë:

“Mos i shani ata që jobesimtarët i adhurojnë në vend të Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun armiqësisht nga padija.” (El-En’am 6:109)

E vetmja fe në botë që pranon të gjithë profetët

Islami është e vetmja fe në botë, e cila me mësimet e saj të mrekullueshme, paraqet zgjidhjen hyjnore për të shpëtuar nga keqkuptimet dhe tensionet e thella të zhvilluara midis feve të ndryshme.

Sipas Kuranit, të gjitha fetë janë nga Zoti, vetëm se ato në fillim ishin në rrugën e drejtë, por me kalimin e kohës u ndryshuan për shkak të ndërhyrjeve njerëzore. Veç kësaj, ai jo vetëm që e pranon vërtetësinë e të gjithë profetëve, duke pohuar se ata janë nga i njëjti burim, i cili është Allahu i Madhërishëm, por gjithashtu, për herë të parë zbuloi para botës ardhjen e mijëra e mijëra profetëve te popujt e ndryshëm. Kurani i Shenjtë thotë:

“Nuk ka pasur asnjë popull që të mos i ketë ardhur alarmues.” (Fatir 35:25)

Në një vend tjetër Allahu i Madhërishëm deklaron:

“Dhe Ne kemi dërguar te secili popull një profet me këtë mësim: O njerëz, adhurojeni vetëm Allahun dhe shmangni idhujt. Atëherë, disa prej tyre Allahu i përudhi, por disa e merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte përfundimi i atyre që (i) përgënjeshtruan (profetët)!” (En-Nahl 16:37)

Mendoni për një moment mbi universali-zimin e këtij mësimi, i cili paraqitet vetëm nga Kurani i Madhërishëm:

“Vërtet, ata të cilët e mohojnë Allahun dhe Profetët e Tij dhe dëshirojnë të krijojnë dallim midis Allahut e profetëve të Tij dhe thonë: Ne i besojmë disa (profetë), kurse disa të tjerë i mohojmë, dhe (ata) dëshirojnë që të marrin ndonjë qëndrim ndërmjet këtyre, Të tillët janë mosbesimtarë të vërtetë, … Ndërsa ata të cilët e besojnë Allahun dhe profetët e Tij e që nuk bëjnë ndonjë dallim midis asnjërit prej tyre (profetëve), të tillëve së shpejti Allahu do t’u japë shpërblimet e tyre. Dhe Allahu fal shumë dhe është i Mëshirshëm.” (En-Nisa 4:151-153)

Në një ajet tjetër Kurani i Shenjtë i urdhëron myslimanët të deklarojnë:

“Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij” (El-Bekare 2:286)

Sigurisht, këto mësime kaq universale i japin një kod themelor shoqërisë për të krijuar paqe ndërfetare.

Islami mëson paqen

Është vërtetë befasuese të shikosh shumë dijetarë myslimanë me mentalitet mesjetar, që pajtohen me idenë se myslimanët duhet t’u kundërvihen jo myslimanëve në një luftë me armë dhe të qëndrojnë duke luftuar me ta, derisa ata të jenë shfarosur ose të kenë pranuar Islamin. Islami, siç shohim në Kuranin e Shenjtë, nuk ka të bëjë fare me këto nocione të shtrembëruara dhe të deformuara të xhihadit. Përkundrazi, Islami kërkon të shpërndajë paqen me të gjitha mënyrat. Kurani Famëlartë fillon me ajetin:

Elhamdulilahi Rabbil alamin,

do të thotë se Zoti që na paraqet Islami, nuk është vetëm Zoti i Lindjes apo i Perëndimit, i ndonjë kaste apo i ndonjë vendi të veçantë, por Ai është Zot i të gjithë botëve dhe i mëshiron të gjitha ato.

Islami është e vetmja fe, të cilën Vetë Zoti e ka emërtuar si Islam, që do të thotë dhënie e sigurisë, ndërsa ai që ndjek këtë fe, quhet muslim (mysliman), domethënë ai që mundëson sigurinë. Të praktikuarit e të gjitha rregullave dhe udhëzimeve të kësaj feje quhet iman, që do të thotë përhapje e paqes, dhe personi që e pranon këtë Iman quhet mu’min, domethënë ai që përhap paqen me të gjitha mundësitë e tij.

Sërish, Zoti që paraqet Islami ka shumë emra të bukur, njëri prej tyre është Es-Selam, që do të thotë, paqe e plotë. Themeluesit të Islamit i është dhënë emri Rrahmat-ul-lil-Alemin, që do të thotë se ai është mëshirë për të gjithë universin. Kundërshtarët e tij, përpara se të shpallej profet nga Zoti, e thërrisnin me titullin El-Emin, domethënë, i besueshëm dhe i kujdesshëm ndaj amaneteve e shpërndarës i paqes. Edhe engjëlli që i solli këtë mesazh paqësor Profetit Muhammed s.a.v.s., në Kuran quhet Ruh-ul-Emin, që gjithashtu do të thotë, shpirt i besueshmërisë dhe i paqes.

Përshëndetja islamike që mëson Zoti me anë të Kuranit të Shenjtë në suren En-Nur është Selam alejkum va rrahmatullahi va barakatuhu,që në shqip do të thotë, paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ju. Vallë, a është kjo fe që mëson dhunën dhe terrorizmin?!

Xhemati Musliman Ahmedia dhe vendosja e paqes

Mjerisht, në këtë kohë, feja Islame kaq paqësore është keqkuptuar nga shumë njerëz. Shkaqet e këtij keqkuptimi janë keqinterpretimi i çështjes së xhihadit, keqpërfaqësimi i fesë Islame nga shumë dijetarë e hoxhallarë myslimanë që shfrytëzojnë pasionin e besimit për t’i plotësuar qëllimet e tyre barbare, të cilat nuk kanë kurrfarë lidhje me të vërtetën.

Sot, me përfaqësimin e Hazret Mesihut të Premtuar a.s., Kalifi i tij i Pestë, Hazret Mirza Masroor Ahmadi a.t.b.a. orvatet dhe së bashku me të, i gjithë Xhemati i tij ndërkombëtar përpiqet me të gjitha fuqitë për t’ia larguar fesë Islame akuzat e vëna nga armiqtë apo ata që e keqkuptuan këtë fe kaq paqedashëse.

Hazret Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, jo vetëm që mbajti fjalime dhe ligjërata për t’ia treguar të vërtetën botës, por duke qenë një prijës shumë i dashur i Xhematit të tij, ai gjithashtu ua mëson vazhdimisht miliona anëtarëve të Xhematit, sesi mund ta arrijmë këtë qëllim. Veç kësaj, Ai ka udhëtuar shumë, për të përhapur mesazhin e paqes dhe për t’i sjellë ndër mend çdokujt që t’i respektojë të drejtat e njerëzve. Gjatë udhëtimeve të tij, Hazret Kalifi i Pestë a.t.b.a. ka takuar liderët e botës si në Lindjen e Largët, ashtu edhe në Evropë, në Amerikën Veriore dhe gjithashtu në Afrikë, për të diskutuar për problemet që po përballet sot bota, qofshin shoqërore, qofshin ekonomike apo politike.

Ai gjithashtu ka takuar prijës të feve apo komuniteteve të ndryshme, për të ndarë me ta vlerat unike dhe idetë thelbësore që janë të njëjta në çdo fe dhe që ngrenë statusin moral të njerëzimit, duke krijuar një atmosferë të dashurisë e dhembshurisë. Një shembull shumë të vogël të veprimtarisë së tij në këtë fushë, me anë të këtij numri të Vërtetësisë, po ju sjellim një dokumentar në të cilin flasin liderë, politikanë të ndryshëm të shumë vendeve të botës dhe e përgëzojnë Xhematin Musliman Ahmedia për përhapjen e mesazhit të Islamit, të paqes e të dashurisë në mbarë botën.

Por, kjo nuk është diçka që ka nisur ky Xhemat për herë të parë. Në fakt, në shkallën më të lartë të të praktikuarit, ky mësim i paqes, u realizua nga Profeti ynë i dashur Hazret Muhammedi paqja e mëshira e Allahut gjithmonë qofshin mbi të dhe ndjekësit e tij. Fjalimi i së premtes i Kalifit të Pestë të Mesihut të Premtuar që vjen në këtë numër të revistës, hedh mjaft dritë mbi këtë temë. Xhemati Mysliman Ahmadia njeh vetëm atë Islam, që është Islam i dashurisë dhe dhembshurisë, Islam që jep mesazhin e vërtetë të paqes dhe të sigurisë. Me anë të kësaj reviste, me shumë modesti, ju ftojmë ju të gjithë që ta zbuloni Islamin e vërtetë te Xhemati Mysliman Ahmadia, i themeluar nga Hazret Mirza Ghulam Ahmadi, Mesihu i Premtuar dhe Imam Mahdiu paqja e Allahut qoftë mbi të.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp