Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.

Mesihu i Premtuar dhe Islami i vërtetë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Disa pjesë të shkëputura nga hytbja:

Njerëzit që tentojnë të njollosin Islamin, gënjejnë dhe shpifin dhe gënjeshtra dhe shpifja e tyre po e vënë në rrezik sigurinë botërore. Këta njerëz shkaktojnë trazira për interesat e tyre gjeopolitike, për të fituar epërsinë në botë. Edhe në trazirat e vendeve islamike kanë marrë pjesë disa shtete të fuqishme. Tashmë edhe në Perëndim, në media, vetë njerëzit e tyre kanë filluar të flasin se këto grupe ekstremiste “islamike” janë pjellë e qeverive të tyre, të cilat ata i kanë mbjellë gjatë luftës së Irakut dhe gjatë trazirave në Siri. Me këto fjalë, nuk po i shfajësoj muslimanët, sidomos ata që në emër të Islamit, predikojnë dhunën, ekstremizmin dhe të kundërtën e mësimeve islame, por dua të them se edhe superfuqitë, pa dyshim, kanë dorë në ndezjen e këtij zjarri. Një ndër shkaqet kryesore e kësaj katrahure është mungesa e drejtësisë. … Nga njëra anë flasin për shfarosjen e terroristëve, i gjuajnë me bomba dhe, nga ana tjetër, sillen të verbër ndaj furnizimeve të tyre me para dhe armë. Prandaj, nuk janë vetëm këta të ashtuquajtur muslimanë që po shkatërrojnë paqen dhe sigurinë globale, të cilët veprojnë kundër mësimeve të Islamit dhe bëjnë kërdi në tokë, por janë edhe superfuqitë që interesave të tyre u japin përparësi, ndërsa paqen globale e kanë si nënçështje ose një çështje dytësore. Një musliman i vërtetë e di shumë mirë se një ndër emrat e Zotit të Madhërishëm që tregon Islami është Selam, që do të thotë Paqe e plotë, i cili e do paqen e krijesave të Tij. Ndër muslimanët e vërtetë, ahmedianët janë ata që e kuptojnë shumë mirë këtë thelb.

… Bota po gjendet në prag të një gremine zjarri. Në çdo çast ajo mund të bjer në të. Në një kohë të tillë është detyrë e çdo ahmediani që të përpiqet për ta shpëtuar atë nga shkatërrimi dhe për t’i dhënë asaj paqen dhe sigurinë. Këtë mund ta bëjnë më së miri pikërisht muslimanët ahmedianë. Gjëja kryesore për këtë është që të krijojmë lidhje të sinqertë me Zotin e Madhërishëm, të përkulemi sinqerisht para Tij dhe të kemi druajtje ndaj Tij. Vetëm në këtë mënyrë, mund të shpëtoni veten, pasardhësit tuaj dhe, po ashtu, mund t’i siguroni botës paqen dhe sigurinë. Për situatën në të cilën gjendemi sot, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka parathënë në një vjershë:

آگ ہے پر آگ سے وہ سب بچائے جائیں گے
وہ جو رکھتے ہیں خدائے ذوالعجائب سے پیار

Është vetëm zjarr, por prej zjarrit do të shpëtojnë
të gjithë ata që e duan Zotin Mrekullibërës.

Prandaj, është e nevojshme të krijojmë kontakt me Zotin Mrekullibërës që zotëron çdo fuqi dhe të shtohemi sa më shumë në dashurinë ndaj Zotit. Allahu na mundësoftë të veprojmë në këtë mënyrë, dhe u mundësoftë edhe atyre që janë të zhytur në materializmin që ata të dëgjojnë thirrjen e Zotit e të përpiqen për të përmirësuar veten e tyre, për ta shpëtuar veten e tyre nga rrëzimi në humnerë zjarri!