Përsosmëria e emrit “Allah”
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
allahu emrat e allahut zoti

Kur njeriu mëson për ndonjë gjë, gjëja e parë që ai kërkon është emri i saj, pra si quhet ajo, etj. Ndaj duhet të dimë se si është emri i asaj qenie që është Krijuesi ynë dhe i gjithësisë, i cili në fenë hindu Përmatma apo Përmeshvar, në fenë zorastriane Ai quhet AhuraMazda, në fenë hebraike Ai quhet Jehovah dhe në fenë islame Ai quhet Allah. Ai ka emra të ndryshëm jo vetëm me bazë fetare, por edhe me bazë kombësie dhe gjuhe. Për shembull në shqip Atë e quajnë Zot ose Perëndi, në anglisht God ose Lord etj.

Nëse i analizojmë këta emra, mund të arrijmë në përfundim se ata janë bazuar mbi ndonjë atribut të Zotit. Për shembull, Përmatma ka prejardhjen nga fjalët përm (suprem) + atma (shpirt); në të njëjtën mënyrë Përmeshvar nga përm (suprem) + ishwar (hyj). Emri Ahura Mazda, që gjendet në fenë e lashtë zorastriane do të thotë, Krijuesi më i madh. Për sa i përket emrit Jehovah, ai lidhet me JHVH që, në fakt, në arabisht është Ja Hu, do të thotë O Ai (i padukshëm). Gjuha arabe dhe hebraike janë shumë të ngjashme, madje kanë qenë dialekte të së njëjtës gjuhë. Shkurt, të gjithë emrat e Zotit, përveç atij Allah, tregojnë atribute të ndryshme të Tij. Vetëm emri Allah është i përveçëm, ku çdo shkronjë është e kuptueshme, varësisht nga  ndryshimet morfologjike që pëson fjala.

Këtu duhet të sqarojmë edhe dyshimin e disa dijetarëve që thonë se emri Allah është një trajtë e lakuar, pasi “Al” (ose “El” siç e shqiptojmë në shqip), në gjuhën arabe, përdoret si mjet morfologjik të shquarsisë dhe pjesa tjetër “lah”, në fakt, është “ilah”, që do të thotë qenie që adhurohet. Nga ky shpjegim, sipas tyre, Allah do të thotë “I adhuruari”, rrjedhimisht edhe emri Allah nuk është i parmë.

Por Hazret Mirza Mahmu Ahmedi, Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar, në librin e tij “Hastie Bari T’ala” (“Qenia  e Krijuesit të Lartësuar”) e hedh poshtë këtë mendim duke dhënë argumentin gjuhësor se në arabisht shumica e emrave të përveçëm nuk marrin nyjën “al” shquese, pasi ata shquhen vetë me individualitetin e tyre. Ndërsa emrat e tjerë, madje edhe mbiemrat që tregojnë cilësi apo ndonjë karakter tjetër, kur të shquhen marrin “al”. Pikërisht këtyre emrave të zakonshëm, kur u paravendoset pjesëza thirrmore “ja”, rregullisht u shtohen edhe fjalët “ejjuha”.

Për shembull “Ja ejjuh-al-muminun” do të thotë, “O besimtarë”, ose “Ja ejjuh-al-arab” do të thotë “O arabë” etj. Në arabisht kurrë nuk thuhet “Ja al-muminun”. Pjesëza thirrmorja “ja” pa pjesëzën “ejjuha” përdoret vetëm me emrat e përveçëm. Duke kuptuar këtë rregull të gjuhës arabe, do të shohim se edhe emri Allah në arabisht, që nga lashtësia e gjer më sot, gjithmonë është trajtuar si emër i parmë, pasi në arabisht kurrë nuk u përdor “ja ejjuha-llah”, por vetëm “Ja Allah” gjë që tregon se emri Allah nuk është i prejardhur por është emër i parmë i Zotit të Madhërishëm.

(Mirza Mahmud Ahmadi, “Hastie Bari T’ala”, “Envarul ulum” vol. 6 f. 342-344)

Kurani Famëlartë fillon me fjalët “Me emrin e Allahut të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit”. Ndërsa pas suresë El-Fatiha, që është çelësi i Kuranit, fillon sureja e dytë El-Bekare me tri shkronja “Alif-Lam-Mim”, që në fakt është shkurtimi i pohimit “Anallahu A’lem” (“Unë jam Allah, i Gjithëdijshmi”). Pas këtij prezantimi, të gjitha atributet e Tij në Kuran, i referohen emrit Allah. Kështu që në Kuranin Famëlartë, ky emër i bekuar është paraqitur si emri i parmë i Krijuesit të gjithësisë. Kjo do të thotë se Allahu është ajo qenie ku kulmohen të gjitha vetitë e mira duke qenë njëkohësisht larg çdo të mete.

Mrekullia e emrit Allah

Ajo që thamë më lart, mbështetet edhe te forma e këtij emri. I përsosur si i emëruari i tij, ky emër deri në fund të shkronjës së tij, tregon të njëjtin personalitet. Kjo do të thotë se nëse do t’i heqim, një nga një nga fillimi deri në fund, të gjitha shkronjat e këtij emri, ai jep të njëjtin kuptim në çdo trajtë të tij për të cilin është emëruar. Më poshtë mund ta shohim këtë analizë:

allahu

1. Trajta e parë dhe e plotë përfaqëson emrin e Zotit të Lartësuar. Dihet që arabishtja shkruhet nga e djathta dhe po ashtu ajo si gjuha shqipe është gjuhë sintetike, pra gjuhë që i shpreh marrëdhëniet ndërmjet gjymtyrëve në fjali me anë të ndryshimeve të trajtave të vetë fjalëve.

2.   Duke filluar nga shkronja e parë, nëse do t’i heqim shkronjën “alif” (a), trajta që del në gjuhën arabe lexohet “lil-lah”. Kjo fjalë, pavarësisht nga heqja e shkronjës së parë të saj, jo vetëm që mbetet kuptimplotë, por çuditërisht kuptimi i saj del “i Allahut” ose “i takon Allahut”. Në fakt, kjo fjalë jep kuptimin se çdo gjë i takon Zotit.

3.   Në shkallën e tretë të zbërthimit të emrit Allah, kur i hiqet l-ja e fjalës “lil-lah” në arabisht ajo prapë mbetet kuptimplotë duke mbartur përsëri thelbin e saj, pasi ajo lexohet “lah(u)” që do të thotë “i Atij”. Edhe kjo fjalë është e mjaftueshme për të dhënë kuptimin se gjithçka është e Tij. (Shenja e teshdidit bie, pasi ajo ishte për të treguar bashkimin e dy l-ve.)

4.   Në shkallën e fundit kur i heqim edhe shkronjën e parafundit që është përsëri l-ja sërish mbetet kuptimlotë. Në këtë mënyrë do të mbetet vetëm “h(u)” që është trajtë e shkurtër të përemrit Hua, e cila në shqip do të thotë “Ai”. Sigurisht, kjo nuk është më pak se një mrekulli që pasi t’i hiqen emrit Allah të gjitha shkronjat, në fund përsëri mbetet Ai.

Në Kuranin Famëlartë Allahu i Madhërishëm thotë:

“Qoftë lartësuar emri i Zotit tënd, që është i Madhërishëm dhe i Nderuar!”

 (Er-Rrahman, 55:79)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp