Emrat e Allahut | Kuptimi i emrit Allah
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Emrat e Allahut

قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ اللَّهُ الصَّمَدُ لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ وَلَمْ يَكُنْ لَهُ كُفُوًا أَحَدٌ

Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (Kurani Famëlartë 112:2-5)

Allahu është një emër unik që gjendet vetëm në Islam. Allahu është emri i atij qenie hyjnore, i Cili ka ekzistuar në amshim, dhe është i përjetshëm. Ai është i Gjallë, i Vetëmjatueshëm dhe Mbajtësi i gjithëçkaje. Ai është Zoti, Krijuesi dhe Sunduesi mbi çdo krijesë. Përveç kësaj, ky është emri i përveçëm i Zotit dhe jo një emër cilësor. Përveç arabishtes, në asnjë gjuhë tjetër, nuk ekziston një emër i përveçëm, që i përgjigjet posaçërisht qenies që ka krijuar gjithçka dhe sundon mbi çdo gjë. Është vetëm gjuha arabe, në të cilën fjala “Allah” përdoret si një emër i përveçëm që i referohet Atij që është Një dhe i Vetëm. Kjo fjalë e veçantë i përgjigjet vetëm emrit të Zotit.

Me të vërtetë, fjala “Allah” nuk buron nga ndonjë fjalë tjetër dhe as nuk rrjedhin fjalë të tjera prej saj.

(Hazret Mirza Bashiruddin Mahmud Ahmed r.a., Tefsir-e-Kabir, vëll. I, f. 11-12)

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia ka përshkruar veçorinë dhe shquarsinë e këtij emri të Zotit, me këto fjalë:

عَنْ عَبْدِ اللَّهِ بْنِ بُرَيْدَةَ الأَسْلَمِيِّ، عَنْ أَبِيهِ، قَالَ سَمِعَ النَّبِيُّ صلى الله عليه وسلم رَجُلاً يَدْعُو وَهُوَ يَقُولُ اللَّهُمَّ إِنِّي أَسْأَلُكَ بِأَنِّي أَشْهَدُ أَنَّكَ أَنْتَ اللَّهُ لاَ إِلَهَ إِلاَّ أَنْتَ الأَحَدُ الصَّمَدُ الَّذِي لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ وَلَمْ يَكُنْ لَهُ كُفُوًا أَحَدٌ ‏.‏ قَالَ فَقَالَ ‏ “‏ وَالَّذِي نَفْسِي بِيَدِهِ لَقَدْ سَأَلَ اللَّهَ بِاسْمِهِ الأَعْظَمِ الَّذِي إِذَا دُعِيَ بِهِ أَجَابَ وَإِذَا سُئِلَ بِهِ أَعْطَى ‏”‏

Abdullah ibn Burejdah el-Eslemiu r.a. transmeton nga babai i tij se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dëgjoi dikë duke u lutur me këto fjalë: “O Allah! Po të lutem në saje të emrit Tënd të pastër, të dëlirë, të bekuar, të dashur për Ty, me të cilin kur njeriu të lutet, i përgjigjesh; kur të kërkon diçka, ia jep; kur të kërkon mëshirë, e mëshiron; dhe kur të kërkon t’i plotësosh ndonjë nevojë, ia plotëson”. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u shpreh: Betohem në Allah, i Cili posedon shpirtin tim, me të vërtetë ai i është lutur Allahut, duke përdorur emrin e Tij më të lartë. Nëse dikush i thërret Atij me këtë emër, Ai i përgjigjet, dhe kur i kërkohet diçka, ia jep”. (Tirmidhiu, Kitab ud-Da’vat, # 3475)

Çdo përsosmëri i përket Allahut

Në gjuhën e Kuranit Famëlartë, Allahu është ajo qenie e përsosur i Cili adhurohet me të drejtë, i Cili zotëron çdo atribut të përsosur dhe është i pastër nga çdolloj mangësie a dobësie. Ai është i Vetëm e i Pashoq dhe është burimi i çdo mirësie. Zoti i Madhërishëm, në fjalën e Tij të shenjtë Kuranin Famëlartë, e ka cilësuar emrin “Allah” si përmbledhës dhe mishërim i të gjitha atributeve të tjera, dhe këtë status nuk i ka akorduar asnjë emri tjetër. Prandaj, emri Allah gëzon epërsi mbi atributet e tjera, të cilat i përfshin brenda vetes. Meqë, ky emër është barasvlerës me emra dhe veti të tjera, prandaj përmban të gjitha vetitë e mira e të përsosura.

Kështu, kuptimi i termit Elhamdulilah (Lavdia është e Allahut) është që çdolloj lavdie, qoftë ndaj aspekteve të jashtme apo ndaj realiteteve të brendshme, qoftë ndaj përsosmërive të trashëguara apo ndaj atyre të shfaqura në fenomenet e natyrës, i përket vetëm Allahut. Asnjë emër nuk bën pjesë në këtë epërsi. Çfarëdo lavdie të vërtetë apo përsosmërie të pashoqe të cilën mund të rrokë urtësia e mendimtarëve apo që mund të përceptohet nga mendja e intelektualëve, i përgjigjet vetëm Allahut, Zotit të Plotfuqishëm. Nuk ka përsosmëri, në të cilën mund të përsiatet arsyeja e shëndoshë dhe të mos gjendet në qenien e Allahut.

Në fjalë të tjera, arsyeja nuk mund të përfytyrojë ndonjë përsosmëri që nuk është e gërshetuar në atributet hyjnore. Ai zotëron çdo përsosmëri që dikush mund të marrë me mend dhe është i Përkryer në çdo aspekt në Qenien, atributet dhe cilësitë e Tij dhe është plotësisht i pastër e i shenjtë nga çdo e metë dhe mangësi. (Hazret Mirza Ghulam Ahmed a.s. Berahin-e-Ahmedia, pjesa IV, Ruhani Khazain, vëll. I, f. 364-365, fusnotë 11)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp