2) E dëshmojnë njerëzit e sinqertë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
Argumenti deshmia

ARGUMENTI I DYTË

Argumentin e dytë për ekzistencën e Zotit e gjejmë në këto ajete të Kuranit Famëlartë:

Ky ishte argumenti Ynë që ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij. Ne ngremë në pozitë kë të duam. Sigurisht, Zoti yt është i Urtë, i Gjithëdijshëm. I dhuruam Is’hakun dhe Jakubin. Të gjithë i udhëzuam. Më parë Nuhun e udhëzuam dhe edhe nga pasardhësit e tij: Daudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Kështu i shpërblejmë mirëbërësit. Po ashtu, (edhe) Zekerjianë, Jahjanë, Isain dhe Iljasin. Të gjithë këta kanë qenë ndër të dëlirët. Dhe Ismailin, Eljesanë, Junusin dhe Lutin. Të gjithë këtyre u kemi dhënë epërsi mbi botët.[1]

Dhe pas disa ajetesh thotë:

Këta janë ata, që i udhëzoi Allahu. Ndaj, ndiqe udhëzimin e tyre (që Allahu ua kishte dhënë).[2]

Këto ajete ngrenë pyetjen se dëshminë e kujt duhet pranuar: të kaq shumë njerëzve të pastër e të sinqertë, apo të atyre që nuk dinë dhe që as nuk mund të maten me të parët në sjellje e në morale? Natyrisht, duhet të pranojmë dëshminë e atyre njerëzve të cilët kanë provuar përmes sjelljes dhe veprave të tyre pastërtinë, sinqeritetin, dëlirësinë dhe qëndrimin e tyre larg mëkatit dhe gënjeshtrës. Madje, çdo njeri ka për detyrë t’i ndjekë pikërisht këta dhe të distancohet nga çdokush që u del kundër.

Vërejmë se të gjithë ata që kanë përhapur dhe promovuar mirësinë dhe moralin, të cilët me veprat e tyre kanë provuar pastërtinë e tyre përpara botës, dëshmojnë unanimisht se ka një Qenie Supreme që thirret me emra të ndryshëm në gjuhë të ndryshme: Allah, Zot, Pàràmēshvàr etj..

Dy njerëz të dëlirë të Indisë, Ramaçandraas dhe Krishnaas, i dëliri i Persisë Zarathustraas, i dëliri i Egjiptit Musaias, i dëliri i Nazaretit Jezusias, i dëliri i Panxhabit Baba Nanak dhe më pas më i dëliri nga gjithë të dëlirët, drita e Arabisë, Muhammedisavs; të cilin që nga vegjëlia populli  i tij e quante të vërtetë e të ndershëm dhe që u thotë:

Sigurisht, jetova një jetë të gjatë mes jush edhe përpara këtij (mesazhi), pra, a nuk kuptoni?![3],

dhe populli i tij nuk mund të guxonte ta akuzonte për ndonjë gënjeshtër; dhe mijëra njerëz të tjerë të dëlirë që u shfaqën herë pas here në botë dhe njëzëri njoftuan: “Zoti ekziston”, dhe jo vetëm kaq, por thanë: “Ne e takuam Atë dhe komunikuam me Të.”

Edhe filozofët më të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të qarta në botë, nuk kanë mundur të paraqesin një arritje që përputhet deri në një pjesë të njëmijtë të arritjeve të këtyre njerëzve të dëlirë. Në fakt, nëse do të krahasoheshin, filozofët do të dalloheshin vetëm me fjalë, dhe shumë pak me vepra. Vërtetësinë dhe drejtësinë që treguan profetët dhe njerëzit e dëlirë, a kanë arritur t’i shfaqin filozofët?! Këta të fundit u japin njerëzve mësimin e drejtësisë por shpesh nuk ruhen nga gënjeshtra.

Kurse njerëzit e dëlirë të Zotit u përballën me mijëra vështirësi vetëm për të ruajtur drejtësinë. Kundërshtarët ngritën plane për t’i vrarë, por ata nuk u lëkundën. U përqeshën dhe u poshtëruan nëpër rrugica e nëpër sheshe, u dëbuan nga vatrat e tyre, i gjithë populli i bojkotoi dhe i braktisi, por ata nuk e lëshuan idealin dhe besimin e tyre. Nuk ka asnjë rast që ata të kenë gënjyer, qoftë edhe për të shpëtuar veten. Veprat e tyre, urrejtja e tyre për botën materiale dhe largimi i tyre nga dukja kanë provuar se ata nuk kishin asnjë interes vetjak dhe ishin tërësisht vetëmohues. Pikërisht njerëzit e tillë kaq të vërtetë e kaq të besueshëm njëzëri pohojnë:

“Ne e takuam Zotin e Madhërishëm, dëgjuam Fjalën e Tij dhe dëshmuam Manifestimin e Tij”,

atëherë, kush mund t’i kundërshtojë ata, vallë?! Shohim rëndom njerëz që gënjejnë. Edhe njerëzve të tillë, nëse bashkohen dhe dëshmojnë njëzëri për diçka, detyrohemi t’u besojmë. Njerëz që nuk u njohim as emra dhe as karaktere, kur botojnë studimet e tyre nëpër gazeta, u besojmë. Vallë, vetëm njerëzve të drejtë që përmenda më sipër nuk na u lejuaka t’u besojmë?!

Njerëzit thonë se Londra është një qytet dhe ne e besojmë këtë si fakt. Gjeografët shkruajnë se Amerika është një kontinent dhe ne e pranojmë. Udhëtarët pohojnë se Siberia është një tokë e madhe e pabanuar dhe ne nuk e kundërshtojmë. Pse?

Sepse shumë njerëz kanë dhënë dëshmi për këto fakte, por ne nuk ua njohim karakterin këtyre dëshmitarëve nëse janë të sinqertë apo gënjeshtarë në jetën e tyre. Por ata që japin dëshminë okulare për ekzistencën e Zotit të Madhërishëm janë të tillë që sinqeriteti dhe vërtetësia e tyre është e qartë si drita e diellit, që sakrifikuan pasurinë, shtëpinë, jetën dhe nderin për vendosjen e drejtësisë në botë. Atëherë si mund të jetë e drejtë që ne t’i besojmë gjithkujt, dhe pikërisht këtyre të sinqertëve jo?!

Nëse ekzistenca e Londrës mund të na vërtetohet vetëm duke dëgjuar dëshminë e disa njerëzve, pse nuk mund të na provohet edhe ekzistenca e Allahut të Madhërishëm nga dëshmia e mijëra njerëzve të drejtë e të sinqertë?!

Kështu që, mijëra njerëz të sinqertë kur japin dëshminë e tyre personale për ekzistencën e Zotit, dëshmia e tyre në asnjë mënyrë nuk mund të refuzohet. Është e çuditshme që të gjithë ata që kanë pasur këtë përjetim, unanimisht deklarojnë se Zoti ekziston, kurse ata që nuk kanë lidhje me sferën e spiritualitetit pohojnë:

Mos u besoni këtyre kur thonë se ka Zot!

Por në të vërtetë, sipas kritereve të dëshmimit, edhe sikur dy njerëz që janë të barabartë në sinqeritetin e tyre, dëshmojnë në një çështje të caktuar, ndër të cilët njëri pohon se ka parë diçka të caktuar, kurse tjetri pohon se nuk e ka parë, i jepet përparësi dëshmisë së atij që ka parë dhe jo tjetrit, pasi ekziston mundësia që ky i dyti të mos e ketë vënë re, por nuk ka shans që ai që ka parë, të mos e besojë atë. Kështu që, dëshmia e atyre që kanë parë Zotin pa dyshim përbën një argument të fortë kundër atyre që e mohojnë Atë.


[1]  Kurani Famëlartë 6:84-87.
[2]  Kurani Famëlartë 6:91.
[3]  Kurani Famëlartë 10:7.

Share via