7) Profetët e Zotit dhe besimtarët gjithnjë korrin sukses
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics
a ka zot

ARGUMENTI I SHTATË

Argumenti i shtatë për ekzistencën e Allahut të Madhërishëm është se ata që besojnë në Të, që mbështeten tek Ai dhe që janë të vërtetë në besimin e tyre, gjithnjë korrin sukses. Pavarësisht nga persekutimi i njerëzve, ata nuk i prek fatkeqësia. Çdo komb pati njerëz, të cilët u bënë thirrje popujve të tyre për të besuar në Zot dhe kundërshtimin që ata patën, nuk e pati ndokush tjetër e megjithatë, bota nuk i dëmtoi dot as sa një fije floku. Çfarë rehatie gëzuan ata që e përzunë Ramçandren[1] në drejtim të pyjeve dhe cilin salltanet arriti të ngrinte Ravana[2] duke e luftuar atë?! A nuk mbeti gjallë emri i Ramës për mijëra vjet?! A nuk përmendet Ravana me poshtërim përgjithmonë?! Po Kauravatë, çfarë fituan duke refuzuar Krishnanë?! A nuk u shkatërruan ata në fushëbetejën e Krukshterës?![3]

Perandori Faraon që i përdorte si skllevër Bijtë e Izraelit, i detyronte të përgatisnin dhe të mbartnin tulla, dhe që kundërshtoi një njeri të thjeshtë si Musain a.s., por a arriti ta dëmtonte atë ndopak?! Faraoni u fundos, kurse Musai u bë mbret. Gjithçka që i bëri bota Jezusit të gjithë e dimë dhe ne të gjithë e kemi të qartë se çfarë përparimesh gëzoi populli i tij. Armiqtë e tij u shkatërruan, ndërsa shërbëtorët e tij u bënë mbretër kombesh.

Edhe Udhëheqësi ynë, Hazret Profeti Muhammed s.a.v.s., shkëlqeu më shumë se kushdo tjetër në botë në misionin e tij për të përhapur emrin e Zotit të Shenjtë. Aq shumë, saqë një shkrimtar evropian thotë se ai qe i çmendur (me’adhallah) në punën e tij dhe çdo çast përmendte vetëm Zotin. Atë e kundërshtuan shtatë popuj të ndryshëm. Miqtë iu bënë armiq. Sërish, a nuk ishte ai që fitoi thesaret e botës?! Nëse nuk ka Zot, vallë, kush i dha gjithë këtë mbështetje! Nëse ishte rastësi e gjithë kjo, duhej të kishte të paktën një rast kur dikush të vinte për të përhapur emrin e Zotit të Vërtetë dhe të largohej i poshtëruar nga kjo botë. Përkundrazi, cilido që u ngrit për ta lartësuar emrin e Zotit, u nderua dhe shkëlqeu. Për këtë arsye Allahu i Madhërishëm në Kuranin Famëlartë thotë:

Ai që bën mik Allahun, të dërguarin e Tij si dhe ata që besuan, (ta dijë se) vetëm grupi i Allahut do të triumfojë.[4]


[1] Ramajana është një poezi epike në tekstet e shenjta të fesë hindu që përshkruan luftën miis princit hyjnor Rama dhe mbretit demon Ravana. [Botuesi]
[2] Në Ramajana, Ravana rrëmben Sitanë, gruan e Ramës, për t’u hakmarrë ndaj Ramës dhe vëllait të tij. [Botuesi]
[3] Lufta e Krukshterës, ndryshe njihet edhe si Mahabharata, është një betejë e përshkruar në epikën e madhe sanskrite të titulluar “Mahabharata”, të Indisë së lashtë. Beteja dinastike vijoi për 18 ditë mes dy grupeve që ishin kushërinj: Kauravatë dhe Pandavatë, të cilët luftuan për fronin e Hastinapurës. [Botuesi]
[4] Kurani Famëlartë, 5:57.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp