Ajetul Kursij dhe komentim i tij - Domethënie të thella të ajetit Kursij
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
ajetul-kursij kurani

Ajetul-Kursij

اَللّٰہُ لَاۤ اِلٰہَ اِلَّا ہُوَۚ اَلۡحَیُّ الۡقَیُّوۡمُ ۬ۚ لَا تَاۡخُذُہٗ سِنَۃٌ وَّ لَا نَوۡمٌ ؕ لَہٗ مَا فِی السَّمٰوٰتِ وَ مَا فِی الۡاَرۡضِ ؕ مَنۡ ذَا الَّذِیۡ یَشۡفَعُ عِنۡدَہٗۤ اِلَّا بِاِذۡنِہٖ ؕ یَعۡلَمُ مَا بَیۡنَ اَیۡدِیۡہِمۡ وَ مَا خَلۡفَہُمۡ ۚ وَ لَا یُحِیۡطُوۡنَ بِشَیۡءٍ مِّنۡ عِلۡمِہٖۤ اِلَّا بِمَا شَآءَ ۚ وَسِعَ کُرۡسِیُّہُ السَّمٰوٰتِ وَ الۡاَرۡضَ ۚ وَ لَا یَـُٔوۡدُہٗ حِفۡظُہُمَا ۚ وَ ہُوَ الۡعَلِیُّ الۡعَظِیۡمُ

Shqiptimi i Ajetul-Kursij

All-llāhu lā ilāhe il-lā huwel-ḥajjul-ḳajjûm, lā te’khudhuhū sinetun we lā newm, lehū mā fis-semāwāti we mā fil-erḍ, men dhel-ledhī jeshfe’u ’indehū il-lā bi-idhnih, ja’lemu mā bejne ejdīhim we mā khalfehum, we lā juḥīṭūne bi shej-in min ’ilmihī il-lā bimā shāe, wesi’a kursijjuhus-semāvāti wel-erḍ, we lā jeūduhû ḥifdhuhumā we huwel ’alijjul-adhîm.

Përkthim i Ajetul-Kursij

Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij. I Gjalli, i Qëndrueshmi. Atë nuk e zë as dremitja e as gjumi. E Atij është gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë. Kush mund të ndërmjetësojë pranë Tij, pa lejen e Tij?! Ai e di atë që është para tyre dhe atë që është pas tyre. Ata nuk mund të zotërojnë asgjë nga dija e Tij, përveç asaj që Ai do. Sundimi i Tij shtrihet mbi qiejt e mbi tokën. Ruajtja e të dyjave nuk e lodh Atë dhe Ai është i Larti, i Madhërishmi. (Kurani Famëlartë 2:256)

Komentim

Kuptimet leksikore

الْحَیُّ El-Haj (i Gjalli)

Emrat e Zotit janë të shquar dhe kur thuhet el-haj (i gjalli), shquarsia i referohet përsosmërisë së Zotit në këtë cilësi. Andaj, kur thuhet se Zoti është El-Haj, do të thotë se Ai është i Gjalli në atë mënyrë, saqë Ai nuk varet nga askush në këtë cilësi. Pra, Atij nuk i është dhuruar jeta nga askush, por Ai është i Gjalli absolut dhe i Përhershmi.

الْقَیُّوْمُ El-Kaj-jum (i Qëndrueshmi)

Rrjedh nga “kama”, e cila do të thotë “qëndroi”. Nga kjo rrjedh edhe kaj-jim, që do të thotë mbikëqyrës dhe kujdestar. Kej-jim gjithashtu do të thotë “mustekim” dhe “amrun kej-jimun” do të thotë një çështje që nuk ka asnjë shtrembërim dhe që është plotësisht e drejtë.

El-kaj-jum dhe el-kaj-jam do të thotë ai që është i mëvetësishëm, pra vetë i qëndrueshëm dhe që nuk ka ndonjë fillim. (Akrebi)

El-Kaj-jum nuk thuhet vetëm për atë që vetë është i qëndrueshëm, por nënkupton që ai mban të qëndrueshëm dhe e ruan edhe të tjerët. Në “Mufradat” thuhet:

اَلْقَائِمُ: اَلْحَافِظُ بِکُلِّ شَیْء وَالْمُعْطِیْ لَہ مَا بِہِ قِوَامُہُ

“Ai që vetë është i qëndrueshëm dhe që është mbikëqyrës i çdo gjëje, duke i dhënë fuqinë e duhur për qëndrueshmërinë e saj”.

Andaj, puna e kaj-jumit është që ai u mundëson të gjitha gjërave fuqitë e duhura që ato të qëndrojnë dhe të kryejnë funksionet e tyre. Zoti i Madhërishëm është el-Kaj-jum, jo vetëm sepse Ai Vetë është i Qëndrueshëm, por edhe sepse gjithçka qëndron për shkak të fuqisë së dhuruar prej Tij.

Cilësia e Zotit “el-kaj-jum” shumë bukur hedh dritë edhe mbi gravitetin e pranishëm në trupat qiellore, bashkimin dhe ndarjen e grimcave, rrotullimin e tyre rreth njëra-tjetrës dhe lëvizjet e tjera si këto.

سِنَةٌ sinatun

السِّنۃُ مِنَ الْوَسْنِ

Fjala “sinatun” rrjedh nga fjala “vesnun”. “Vesanarr-rraxhul” do të thotë:

اَخَذَہُ ثِقْلُ النَّوْمِ

“akhadhahu thiklen-neum”, “atë e kapi gjumi i rëndë”. Shenja e këtij gjumi është “sinatun” që do të thotë “drejmitja që të shkaktohet kur je i pushtuar nga gjumi”.

النَّوْمُ en-neum

Gjumi i zakonshëm që nuk e nxjerr njeriun jashtë kontrollit [pra, jo si “sinatun”].

الْکُرْسِیُّ el-kursiju

Rrjedh nga fjala kirsij që do të thotë bashkimi i sendeve të ndryshme. Thuhet:

کَرَسْتُ بِنَاءً (kerestu bina’en)

do të thotë: “Bëra ndërtesë”, sepse ndërtesa bëhet me vendosjen e tullave mbi njëra-tjetrën.

“Kursij-ju” gjithashtu do të thotë dije dhe sundim (“Mufradat”)

Rrënja e kësaj fjale tregon se kuptimi i parë i saj është mbledhje dhe bashkim. Ngaqë edhe dija vjen nga mbledhja e informacioneve të shpërndara dhe edhe sundimi bëhet me mbledhjen e funksioneve të ndryshme, andaj edhe për to përdoret fjala “kursij”.

Komentim – Ajetul-Kursij

Gjëja e parë për të cilën ky ajet na tërheq vëmendjen, është:

اللَّـهُ لَا إِلَـٰهَ إِلَّا هُوَ

Allahu! Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Tij.

Pra, thotë: Lidhuni me Zotin, sepse vetëm Ai është i Adhuruari juaj dhe nuk keni asnjë zot tjetër përveç Atij.

Çdo gjë në botë vlerësohet sipas sasisë së tij. Për shembull, uji është një gjë jetike, por njerëzit nuk e ruajnë atë, sepse e dinë që sa herë që u duhet, e gjejnë. Ajri është i pazëvendësueshëm për jetën, por asnjë njeri nuk e ruan atë, sepse di që kur i duhet, ajri vetë hyn e del nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes.

Por, po ky ujë, për të cilin thamë se njerëzit zakonisht nuk e ruajnë, në një pyll a në shkretëtirë ku nuk ka ujë, bëhet një gjë jashtëzakonisht e çmueshme. Në një vend të tillë, njeriu nuk i jep as një gotë uji tjetrit, edhe sikur ky i fundit i ofron një çmim të madh. Pra, çdo gjë vlerësohet në bazë të nevojës. Siç drithërat, kur ka shumë shiten të lira, e kur nuk ka, shtrenjtohen.

Në të njëjtën mënyrë, nëse bota do të kishte shumë zota, dikush mund të thoshte: po nuk e gjej këtë, do të gjej një tjetër. Por, ky ajet thotë se Allahu është vetëm një. Prandaj, nuk mundet që ndokush ta lërë Atë dhe të kërkojë ndonjë tjetër. Pra, derisa Allahu nuk janë dy ose tre ose katër ose një mijë ose njëqind mijë dhe është vetëm një, ku do të shkoni duke e lënë Atë?! Është Ai që ju duhet në çdo çast dhe në çdo kohë jeni nevojtarë të Tij.

Disa njerëz nuk vrasin mendjen as për pëlqimin e mbretërve, sepse ata e dinë se nëse ky mbret do ngelet i pakënaqur, do të shkojnë te një tjetër, në një vend tjetër. Nëse mbreti i Kinës është mizor, njeriu strehohet në Persi, për shembull. Nëse mbreti i Persisë është mizor, ai mund të shkojë gjer në Angli për t’u strehuar. Por ku do të shkojë duke e lënë Allahun, përderisa nuk ka tokë që nuk i përket Atij dhe nuk ka sundim që nuk e përfshin Ai?! Pra, nuk ka një zot të dytë, që njeriu t’i drejtohet për ndihmë.

Hindutë besojnë se ka shumë zota. Madje, zotat e tyre edhe grinden. Në një histori të famshme të mitologjisë së tyre, thuhet se zoti Shiv vrau një njeri sepse ishte zemëruar ndaj tij, por ai njeri ishte i biri i përkëdhelur i zotit Brahma. Brahma tha: ngaqë jam unë që jap jetë, do ta ringjall edhe këtë. Kështu, Brahmau e ringjalli. Por Shivi e vrau përsëri. Dhe Brahmau e ringjalli përsëri. Kështu, Shivi e vriste dhe Brahmau e ringjallte. E tillë ka qenë grindja e tyre. Këto janë mendime të hinduve.

Por ne nuk kemi zota të tillë, që njëri vret e tjetri ringjall; njëri gëzohet e tjetri bëhet i pakënaqur. Një punëtor mund t’i thotë shefit: ‘nuk dua të punoj te ti’, sepse ai gjen punë diku tjetër. Por ne nuk mund t’i themi një gjë të tillë Zotit të Madhërishëm, sepse Ai është i Vetëm dhe nuk ka asnjë zot tjetër përveç Atij.

I Gjalli

Pastaj thotë se Zoti ynë është Zot i Gjallë dhe i Përjetshëm. Ai ishte i Gjallë edhe në kohën e Ademit a.s., edhe në kohën e Nuhut a.s., edhe në kohën e Ibrahimit a.s., edhe në kohën e Musait a.s., edhe në kohën e Isait a.s., edhe në kohën e Profetit Muhammed s.a.v.s. dhe Ai është i gjallë edhe sot. Nëse bota do të rrojë edhe për një mijë vjet ose edhe për një milion vjet, Ai do të vijojë t’i tregojë botës shenjat e të qenit gjallë të Tij. Sepse Ai është i Gjalli (El-Haj) dhe i Qëndrueshmi (El-Kaj-jum). Dhe derisa Atë nuk e kap as dremitja e as gjumi, si mund të ndalen shenjat që tregojnë gjallërinë e Tij? Kur dikush krijon lidhje me Zotin e tillë, Zoti bëhet kujdestari i tij dhe gjithmonë shfaq shenja të jashtëzakonshme për mbështetjen e Tij.

Ne kemi parë Hazret Kalifin e Partë të Mesihut të Premtuar, Allahu e mëshiroftë. Atij i vinin shumë njerëz për të lënë amanetet e tyre dhe ai, kur i nevojitej, shpenzonte nga ato. Ai thoshte: Zoti i Madhërishëm me bekimin e Tij më furnizon në këtë mënyrë. Disa herë kemi parë që i vinte njëri për t’ia kërkuar amanetin e vet dhe thoshte: ‘m’i ktheni paratë e mia’ ose ‘ma ktheni amanetin që ju pata lënë’. Hazret Kalifi i Parë r.a. ishte shumë i thjeshtë nga natyra. Në këto raste, merrte ndonjë letër të grisur dhe u shkruante anëtarëve të shtëpisë së tij: ‘Më dërgoni kaq rupi nga amanetet’. Nga shtëpia nganjëherë vinte përgjigje: ‘Paratë janë harxhuar’ ose ‘Po ju dërgoj aq sa kemi’, pra kur nuk kishin para të mjaftueshme. Në këto raste, Hazret Kalifi i Parë r.a. i thoshte të zotit të amanetit: ‘Prisni pak ju lutem, tani do të vijnë paratë’. Kemi parë që ndërkohë mbërrinte ndonjë njeri nga Xhunagar ose nga Bombej ose ngado qoftë dhe i jepte po aq para që i duheshin.

Një ditë ndodhi akoma më bukur. Dikush i kërkoi Hazret Kalifit të Parë r.a. paratë e tij. Atë ditë ai nuk kishte para fare. Në të njëjtën kohë erdhi një njeri për t’u mjekuar. Pas mjekimit, i dha disa rupi, të mbështjellë në një zarf. Hafiz Raushan Ali sahibi e dinte se para kërkonte i zoti i amanetit. Kalifi i Parë r.a. i kërkoi: ‘Shikoni se sa rupi ka në këtë zarf?’ Ai i numëroi dhe ishin vetëm aq sa i duheshin për t’ia kthyer të zotit të amanetit. ‘Jepjani’, i tha Hafiz sahibit.

Vetë Hazret Kalifi i Parë r.a. na tregonte një ngjarje të tillë të një njeriu tjetër të Zotit, të cilit njëherë i erdhi një huadhënës për t’ia kërkuar paratë e tij, duke i treguar edhe sasinë e tyre, edhe kohën kur ia kishte dhënë. Por ai iu përgjigj: “Nuk kam para për momentin, do t’jua kthej kur do të kem”.

“Po hiqesh si njeri fisnik para të tjerëve, por si nuk ua kthen huan që u merr?! Çfarë fisnikërie qenka kjo?!”

Ndërkohë aty kaloi një djalë që shiste ëmbëlsira. Ai i tha: “Më jep hallvë për pesëdhjetë qindarka”. Ëmbëltori ia dha hallvën dhe ai e mori dhe i dha huadhënësit për të ngrënë. Kur ëmbëltori ia kërkoi pagesën e hallvës, ai tha: Nuk kam as dhjetë qindarka e ti më kërkon pesëdhjetë! Djali filloi të bërtiste. Huadhënësi i befasuar mendoi: Çfarë njeriu qenka ky që jo vetëm gëlltiti huan time, por i shkaktoi humbje të pesëdhjetë qindarkave edhe këtij djali të gjorë! Tani, të dy bërtisnin dhe i ankoheshin për paratë e tyre, por njeriu në fjalë rrinte i qetë. Ndërkohë erdhi një i katërti dhe i dha atij një qese, duke thënë:

“Këtë jua ka dhënë si dhuratë filani”.

Ai e mori qesen dhe kur e hapi, pa që ajo kishte po aq para që huadhënësi i kërkonte, por nuk kishte pesëdhjetë qindarka të ëmbëltorit.

“Nuk më takon kjo qese”, i tha njeriu i Zotit korrierit, duke ia kthyer edhe qesen.

Korrieri u habit dhe menjëherë filloi të kërkonte diçka në xhep. Ai nxori një qese tjetër dhe tha:

“Më falni! Kam gabuar. Kjo është juaja”.

Njeriu i Zotit e mori, e hapi dhe pa që ajo kishte po aq para që kërkonte huadhënësi dhe gjithashtu kishte edhe pesëdhjetë qindarka shtesë. Ai i thirri të dy që ankoheshin dhe ia dorëzoi paratë secilit.

Kështu që, në mbështetje të robërve të Tij, Zoti i Gjallë gjithmonë shfaq shenja.

Ai është i Qëndrueshmi (El-Kajum)

Pastaj ajeti thotë:

Ai është i Qëndrueshmi (El-Kajum).

Dikush mund të thotë: Sot ky është padroni im, por më përpara kam qenë shërbëtor te filani, andaj unë i kam borxh edhe atij dhe kam për detyrë ta vlerësoj atë. Zoti i Madhërishëm u thotë njerëzve: Unë jam Zoti juaj jo vetëm sot, por që nga fillimi dhe ju nuk keni mirësi nga asnjë zot tjetër përveç Meje, sepse jam Unë i Qëndrueshmi dhe ju jap qëndrueshmërinë edhe juve.

Nuk e kap as drejtmitja e as gjumi (Ajetul-Kursij)

Më pas ajeti thotë:

“Atë nuk e kap as dremitja e as gjumi”

Dikush mund të pohojë: E pranoj se Zoti është vetëm Një dhe nuk zot tjetër përveç Atij, Ai është i Gjallë që nga fillimi dhe Ai ishte Sunduesi ynë edhe më përpara, dhe është edhe tani, por a nuk mundet që Atij t’i kapë gjumi ose dremitja dhe në atë kohë, në vend të Tij, të punojë dikush tjetër nga paria e Tij? Dhe për këtë arsye, ai mund të thotë: Mua më duhet të kënaq edhe parinë e Zotit. Mirëpo Allahu i Madhërishëm thotë se Zoti juaj është Allahu, të cilin asnjëherë nuk e zë as dremitja e as gjumi. Pra, këtu pohohet që Zoti nuk është si mbretërit e kësaj bote, të cilët shpesh edhe mungojnë për shkak të gjumit dhe njerëzit detyrohen t’u servilen edhe oborrtarëve të mbretit. Zoti ynë është Ai që gjithmonë është vigjilent dhe mbikëqyr çdo gjë gjatë gjithë kohës.

Kjo pjesë e ajetit tregon edhe një gjë të bukur. Thotë:

“Atë nuk e kap as dremitja e as gjumi”

Në një strukturë të tillë fjalie, së pari përmendet ajo që është e vogël dhe pastaj e madhja. Nëse nuk zbatohet ky rregull, fjalia do të mbetet e pakuptimtë. Për shembull, themi “filani nuk ishte shumë i sëmurë, madje ai nuk kishte asnjë sëmundje”. Por nëse do të themi: “filani nuk kishte asnjë sëmundje, madje ai nuk ishte shumë i sëmurë”, nuk do të ketë kuptim fjalia jonë, sepse së pari përmendet shkalla e lartë e pastaj shkalla e vogël.

Por në këtë ajet thotë se “Atë nuk e kap as dremitja e as gjumi” dhe lind pyetja: Kur u mohua dremitja, është e nënkuptuar që edhe gjumi nuk e zë, atëherë, përse kishte nevojë të mohohej gjumi?

Në fakt, struktura e kësaj fjalie ka një urtësi. Fjala “sinatun” (dremitje) është ajo që e zë njeriun në momentin kur ai pushtohet nga gjumi dhe ai nuk ka mundësi t’i mbajë sytë hapur. Pra, kjo lloj dremitjeje nuk e zë dikë, derisa gjumi ta pushtojë atë. Andaj, në këtë ajet thuhet: Zotin e Madhërishëm asnjëherë nuk e zë dremitja që shkaktohet nga punë për një kohë të gjatë dhe pa bërë një copë gjumi, gjithashtu, Atë nuk e zë as gjumi i zakonshëm. Andaj, renditja është shumë e rregullt dhe se pikërisht fjala “sinatun” duhet të përmendej e para dhe pastaj fjala “neum” (gjumi).

Kush mund të ndërmjetësojë pranë Tij, pa lejen e Tij?!

Pastaj ajet thotë:

لَہٗ مَا فِی السَّمٰوٰتِ وَ مَا فِی الۡاَرۡضِE Atij është gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në tokë.

Pra, derisa Zoti juaj posedon gjithçka që ekziston në qiej dhe në tokë, si mund të merrni ndonjë zot tjetër përveç Atij?

Disa njerëz thonë: ‘ne nuk adhurojmë dikë tjetër përveç Zotit, por ka disa, të cilëve u blatojmë dhe u kërkojmë të na përmbushin kërkesat, sepse ata janë të afërt me Zotin e Madhërishëm dhe ata do të ndërmjetësojnë për ne pranë Tij’. Por Zoti i Madhërishëm thotë:

مَنۡ ذَا الَّذِیۡ یَشۡفَعُ عِنۡدَہٗۤ اِلَّا بِاِذۡنِہٖKush mund të ndërmjetësojë pranë Tij, pa lejen e Tij?!

Pra, edhe kjo shpresë për t’u lidhur me dikë tjetër përveç Allahut, është e gabuar.

Në këtë kohë, kush mund të jetë më i madh në pozitë sesa Hazret Mesihu i Premtuar a.s.! Njëherë Navab Muhamed Ali Khanit iu sëmur shumë djali, i quajtur Abdurrahim Khan. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. bëri lutje për të dhe i erdhi shpallje “Caktimi është i patjetërsueshëm dhe vdekja është e sigurt”. Ai mendoi që Navab Muhamed Aliu erdhi në Kadian pasi la çdo gjë që kishte dhe në këtë situatë, po t’i vdiste djali, do të ishte një sprovë e madhe për të. Për këtë arsye, ai iu lut:

“O Zoti im! Dua të bëj ndërmjetësim për shëndetin e këtij djali”.

Sakaq, i erdhi një shpallje shumë e fuqishme duke thënë:

“Kush mund të ndërmjetësojë pranë Tij, pa lejen e Tij?!”

Shikoni pra, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ishte një njeri i madh, të cilin njerëzit e prisnin nga trembëdhjetë shekuj, por kur ai përpiqet të bëjë ndërmjetësim pranë Zotit, Zoti i thotë: “Kush je ti që ndërmjetëson pa lejen Time”. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thoshte: ‘Kur më erdhi kjo shpallje, unë rashë përtokë, më dridhej i gjithë trupi dhe gati do të vdisja, por në këtë gjendje Zoti i Madhërishëm më tha:

انّک انت المجاز

Ty të jepet leje!

Kështu që, ai e bëri ndërmjetësimin dhe Abdurrahim Khani u shërua. Pra, nëse edhe një njeriu si Hazret Mesihut të Premtuar a.s. Zoti i thotë ‘kush je ti që bën ndërmjetësimin pa leje’, çfarë pozite mund të kenë të tjerët që të bëjnë ndërmjetësimin?! Në hadithe përmendet që ditën e gjykimit, Profetit Muhammed s.a.v.s. do t’i jepet leje, vetëm atëherë ai do të bëjë ndërmjetësim. Atëherë, sa naiv mund të jetë ai musliman që mendon se filani do të bëjë ndërmjetësim për të para Zotit!

Ai e di atë që është para tyre dhe atë që është pas tyre

Mbetet edhe një gjë tjetër pa u zgjidhur. Dikush mund të thotë: ‘Mirë, e pranoj se nuk bëhet ndërmjetësimi pa leje, por ashtu siç mbreti ka oborrtarë, nëpërmjet të cilëve njeriu mund të përfitojë, në të njëjtën mënyrë, edhe Zoti i Madhërishëm duhet të ketë oborrtarë të Vet’. Për këtë Zoti thotë në këtë ajet: Njerëzit naivë nuk e kuptojnë se mbretit i duhen oborrtarë, që ata ta informojnë mbretin për çdo gjë që ndodh në vend, sepse mbreti i vetëm nuk mund të dijë gjithçka. Por, Allahu i Madhërishëm është Ai që di edhe atë që ndodhi përpara njerëzve dhe di edhe atë që do të ndodhë pas tyre. Pra, thotë:

 یَعۡلَمُ مَا بَیۡنَ اَیۡدِیۡہِمۡ وَ مَا خَلۡفَہُمۡAi e di atë që është para tyre dhe atë që është pas tyre.

Kjo fjali ka dy kuptime: 1) Zoti i Madhërishëm di edhe ato gjëra që do të ndodhin në të ardhmen dhe di edhe ato që njerëzit kanë bërë në të kaluarën, dhe 2) Zoti i Madhërishëm di edhe ato që njerëzit bëjnë dhe di edhe ato që duhet t’i bënin, por nuk i bërë. Për çfarë i duhen oborrtarë një Zoti të tillë?!

Ata nuk mund të zotërojnë asgjë nga dija e Tij, përveç asaj që Ai do

وَ لَا یُحِیۡطُوۡنَ بِشَیۡءٍ مِّنۡ عِلۡمِہٖۤ اِلَّا بِمَا شَآءَAta nuk mund të zotërojnë asgjë nga dija e Tij, përveç asaj që Ai do.

Në këtë pjesë, Zoti i Madhërishëm thotë shumë qartë që askush nuk mund ta përfshijë dijen e Zotit, as Profeti Muhammed s.a.v.s. e as ndokush tjetër. Pa dyshim, Profeti Muhammed s.a.v.s. është prijësi i të gjithë profetëve dhe i dashuri i Allahut të Madhërishëm, madje ai që e ndjek atë, bëhet i dashur i Zotit, megjithatë, ai ishte krijesë e Zotit dhe prej Tij varej. Andaj, ai kishte vetëm cilësitë njerëzore dhe asnjëherë nuk mund të kishte cilësitë, të cilat Zoti i veçuar vetëm për Vete.

“Ata nuk mund të zotërojnë asgjë nga dija e Tij, përveç asaj që Ai do” tregon gjithashtu që rrugët për të gjetur afrimin me Zotin janë të pakufishme, aq saqë asnjë njeri nuk mund t’i zbulojë të gjitha. Kur një rob përparon duke iu afruar Zotit dhe arrin t’i mbledhë bekimet dhe dritën sipas pozitës së tij, Zoti i Madhërishëm, me bekimin e Tij, i bën manifestim të dytë më të lartë të Tij. Kur robi e përthith edhe manifestimin e dytë dhe Zoti sheh se ai është gati për një manifestim të tretë, Ai ia bën të tretin. Në këtë mënyrë, robi vazhdon të përparojë drejt Zotit.

Profeti Muhammed s.a.v.s. e sqaron këtë raport me një shembull shumë të bukur. Ai thotë se Zoti do të pyesë njeriun që qëndron në fund të xhehenemit: Më kërko ndonjë gjë që të ta plotësoj. “Dua të më nxjerrësh nga xhehenemi”, ai do t’i kërkojë Zotit. Zoti do t’ia pranojë kërkesën dhe do ta nxjerrë atë nga xhehenemi. Njeriu do të gëzohet shumë. Pas pak ditësh, ai do të shohë një pemë të gjelbëruar e të lulëzuar. Do t’i lindë dëshira për t’iu afruar asaj peme e për t’u ulur nën hijen e saj, por do ta mbajë të fshehtë këtë dëshirë për disa ditë. Më në fund, do t’i kërkojë Zotit që më mëshirën e Tij t’ia plotësojë dëshirën. Zoti i Madhërishëm do t’ia pranojë kërkesën dhe do ta çojë atë nën hijen e asaj peme.

E kur do të kalojnë disa ditë edhe atje, Zoti do ta sprovojë atë, duke i treguar një pemë tjetër akoma më të bukur, por që do të jetë në distancë nga ajo e para. Ai do ta lakmojë edhe atë por do të durojë, duke mos ia shprehur dëshirën Zotit të Madhërishëm, sepse do t’i vijë turp që t’i kërkojë përmbushjen e dëshirës së tij. Por ai nuk do të mund të përmbahet gjatë dhe më në fund, do të lutet:

“O Zot! Më ço tek ajo pemë dhe pas kësaj nuk do të të kërkoj gjë”.

Atëherë, Zoti i Madhërishëm do ta çojë atë tek ajo pemë. Nga ky vend, edhe pse nga larg, ai do të fillojë të shikojë portën e xhenetit. Duke mos duruar as këtu, ai do të lutet:

“O Zot! Më ço të paktën te porta e xhenetit! Nuk po të kërkoj të më fusësh në të”.

Zoti i Madhërishëm do ta pyesë atë:

“Mos do të Më kërkosh të të plotësoj ndonjë dëshirë tjetër pastaj?”

“Jo”, do t’i përgjigjet ai.

Atëherë Zoti i Madhërishëm do ta sjellë atë te porta e xhenetit. Por si mund të durojë robi mu te dera e xhenetit? Ai sërish do t’i kërkojë Zotit:

“O Zot, të lutem, më fut në xhenet. Mos më jep bekimet e tij, por dua vetëm të rri brenda!”

Zoti do të qeshë dhe do të shprehet:

“Dëshirat e robit Tim nuk kanë të sosur!” dhe do t’i përgjigjet:

“Hyr në xhenetin Tim, qëndro ku të duash duke përfituar nga bekimet e tij!”

Kështu që, Zoti i Madhërishëm së pari i tregon një shfaqje të vogël robit. Njeriu i dëlirë si engjëll, hutohet nga madhështia e shfaqjes më të vogël të Zotit dhe ai i kërkon që t’i tregojë shfaqjen e një niveli më të lartë. Kështu do të vijojë. Por Zoti i Madhërishëm është i Pakufishëm dhe për këtë arsye, robi do ta përfshijë Atë vetëm sipas kapacitetit të vet.

Sundimi i Tij shtrihet mbi qiejt e mbi tokën

Pastaj Zoti thotë:

 وَسِعَ کُرۡسِیُّہُ السَّمٰوٰتِ وَ الۡاَرۡضَ Sundimi i Tij shtrihet mbi qiejt e mbi tokën

Pra, ai ka dijeni të plotë për çdo gjë të tokës e të qiejve. Asgjë nuk është jashtë dijes së tij. Kurse dija e njeriut është shumë e kufizuar. Shumë herë njeriu mendon për diçka që ajo është e mirë, por më pas i rezulton e kundërt. Për shembull, Hazret Mesihu të Premtuar a.s. për Mir Abas Aliun të Ludijanasë kishte dijeni që është i dëlirë dhe për këtë arsye edhe e lëvdoi. Por deri atëherë, Zoti i Madhërishëm nuk ia kishte treguar fundin e tij, andaj në atë kohë, ai nuk mund të dinte se po ky njeri një ditë do të kthehej nga besimi. Më vonë, Zoti ia mësoi edhe këtë gjë. Shkurt, dija e njeriut është e kufizuar dhe vetëm Zoti i Madhërishëm ka dijen e përsosur dhe absolute, që e përfshin çdo gjë. Gjithashtu, asnjë njeri nuk mund ta përfshijë dijen e Zotit.

Kurani është i pari që foli për matjen e universit përmes dritës

Fjalët “Sundimi i Tij shtrihet mbi qiejt e mbi tokën” tregon edhe një kuptim tjetër shkencor dhe që është madhështor. Ato tregojnë se gjerësinë e gjithësisë nuk e di askush përveç Allahut të Madhërishëm. Astronomia siç është e zhvilluar sot, asnjëherë nuk ka qenë e tillë. Sot, gjerësia e gjithësisë nuk matet me milje, por me shpejtësinë e dritës. Drita shkon 180 mijë milje në një sekondë dhe gjerësinë e gjithësisë e matin me këtë shpejtësi të dritës. Edhe kjo vërtetoi fjalët e Kuranit, ku thuhet:

اَللّٰہُ نُوۡرُ السَّمٰوٰتِ وَ الۡاَرۡضِ“Allahu është drita e qiejve dhe e tokës”. (Kurani Famëlartë 24:36)

Sepse ky ajet na paratregoi që nuk mund ta përfytyronim gjerësinë e gjithësisë, përveç se me anë të dritës dhe të shpejtësisë së saj. Për një sekondë drita shkon 180 mijë milje larg. Në një minutë, ajo shkon 10 milionë e 800 mijë milje. Këtë nëse e shumëzojmë me një orë, bëhen 248 milionë milje. Në 24 orë, pra në një ditë, drita kalon 15 miliardë e 552 milionë milje. Këtë shifër nëse e shumëzojmë me 360 ditë, pra për me një vit, dalin 5 triliardë, 576 miliardë e 720 milionë milje. Ky quhet një vit drite. Por sipas astronomëve gjerësia e gjithësisë është tre mijë vite drite. Kështu që, shifrën e fundit duhet ta shumëzojmë me tre mijë vjet. Shuma që do të dalë, në bazë të llogaritjeve bëhet i pallogaritshëm. Por edhe këto llogaritje nuk përfundojmë me kaq. Me shpikjen e mjeteve të reja, po ndryshojnë llogaritjet e shkencëtarëve. Pas Luftës së Parë Botërore ishte shpallur që gjerësia e gjithësisë është gjashtë mijë vjet drite. Më pas zbuluan se ajo nuk ishte e saktë, madje thanë se njerëzit nuk mund ta rrokin gjerësinë e gjithësisë, sepse ajo po rritet porsi fëmija. Kështu që, aktualisht, gjerësia e saj mendohet të jetë 12 mijë vite drite. Ajeti i mëposhtëm i Kuranit Famëlartë e tregon edhe këtë sekret:

وَ الۡاَرۡضُ جَمِیۡعًا قَبۡضَتُہٗ یَوۡمَ الۡقِیٰمَۃِ وَ السَّمٰوٰتُ مَطۡوِیّٰتٌۢ بِیَمِیۡنِہٖ“Ditën e kiametit, e gjithë toka do të jetë në pushtetin e Tij dhe qiejt do të jenë të mbështjellë në Dorën e Tij të djathtë”. (Kurani Famëlartë 39:68)

Diçka që është e mbështjellë në dorën e Zotit, si mund ta rrokë njeriu?! Për këtë arsye, kur dija e njeriut arrin të bëjë një kalkulim të caktuar rreth gjithësisë, Zoti i Madhërishëm e zmadhon gjithësinë edhe më shumë. Kështu që, me këtë zbulim të ri [rreth madhësisë së gjithësisë], shkenca e ka pranuar të vërtetën e ajetit: “Sundimi (Kursiji) i Tij shtrihet mbi qiejt e mbi tokën” dhe se madhësinë e gjithësisë askush nuk mund ta tregojë, përveç Zotit të Madhërishëm.

Ruajtja e të dyjave nuk e lodhë Atë

وَ لَا یَـُٔوۡدُہٗ حِفۡظُہُمَا“Ruajtja e të dyjave nuk e lodhë Atë”

Sërish, dikush mund të pohonte: E pranoj se Zoti i Madhërishëm nuk ka nevojë për oborrtarë që të marrë dijen [dhe lajmet] e botës, por Ai duhet të ketë disa ndihmës, që ta përkrahin në punën e Tij. Për këtë, Zoti thotë se Ai nuk ka nevojë as për ndihmës dhe se të gjitha punët Ai i bën Vetë. Madje, asgjë nuk qëndron jashtë sundimit të Tij dhe Ai nuk lodhet nga organizimi i asnjë gjëje.

Ai është i Larti, Madhështori

وَ ہُوَ الۡعَلِیُّ الۡعَظِیۡمُ“Ai është i Larti, Madhështori”

Mbetet vetëm një akuzë. Dikush prapë mund të pohonte: E pranoj që Zoti nuk ka nevojë për askënd as për të fituar dijen e as për të pasur ndihmë në punën e Tij, por Ai mund të ketë lënë pari, të paktën për treguar madhështinë e Vet. Fjalët e fundit të këtij ajeti e hedhin poshtë edhe këtë ide, sepse thonë: “Ai është i Larti, Madhështori”. Pra, Ai është kaq i Lartë dhe kaq Madhështor, saqë askush dhe asgjë nuk ka mundësi të kontribuojnë për t’ia shtuar madhështinë Atij. Përkundrazi, çdokush e çdo gjë që lidhet me Zotin, madhështohet. Andaj, mendimi se Zoti të ketë lënë oborrtarë për madhështi, është i gabuar. Ai Vetë është i Larti dhe Madhështori.

Fjala el-Aliju tregon lartësinë e Tij, kurse fjala el-Adhim madhështinë e fuqive të Tij. Ky është Zoti që paraqet Islami. Sa keqardhje për atë që shkon diku tjetër, duke pasur një Zot të tillë! A mundet, vallë, që ai që konsumon gjëra të papastra, duke lënë ushqime shumë të mira dhe që vesh rroba të leckosura, duke lënë veshje të bukura, të quhet i zgjuar dhe i mençur?! Patjetër që jo. I mençur është ai që zgjedh më të mirën dhe s’ka kush të jetë më i mirë se Allahu i Madhërishëm.

(Ky komentim i Ajetul-Kursij është marrë nga: “Tefsir-e-Kebir” vëll. 2, f. 576-585; përktheu në shqip: Samad Ahmed Ghori)

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp