Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

Abrahami (Profeti Ibrahim), paqja qoftë mbi të, quhet babai i profetëve. Ai kishte dy djem: Ismailin dhe Isakun. Ismailin dhe nënën e tij, Haxhira, Hazret Ibrahimi i kishte çuar në Arabi që në kohën kur Ismaili ka qenë fëmijë. Ndërsa Isakun e kishte mbajtur me vete. Në kohën kur Zoti e zgjodhi Ibrahimin dhe e bëri profet, ai iu lut Zotit që edhe pasardhësit e tij të fitojnë këtë bekim. Siç përmendet në Kuran:

Dhe kur Ibrahimin e sprovoi Zoti i tij përmes disa porosive, ai ia përmbushi të gjitha. Ai tha: “Unë pa dyshim do të të bëj prijës për njerëzit”. Ai iu lut: “Edhe prej pasardhësve të mi!” Ai tha: “(Po, por) premtimi Im nuk do të përfshijë të padrejtët”.[1]

Pra, kërkesa e Ibrahimit u pranua dhe edhe pasardhësit e tij do të gëzonin profetizmin, por vetëm deri atëherë kur ata të mos bëheshin të padrejtë në përgjithësi.

Nga ana tjetër, në Bibël, Zoti i dha premtime, si Isakut ashtu edhe Ismailit, që ata dhe pasardhësit e tyre do të ishin njerëz të zgjedhur të Tij.

Për shembull, nënës së Ismailit, sipas Biblës, i ishte dhënë ky premtim:

Pastaj Engjëlli i Zotit shtoi: “Unë do t’i shumëzoj fort pasardhësit e tu aq sa të mos mund të llogariten për shkak të numrit të tyre të madh”.
Engjëlli i Zotit i tha akoma: “Ja, ti je me barrë dhe do të lindësh një djalë dhe do ta quash Ismael, sepse Zoti mori parasysh hidhërimin tënd.”[2]

Në një vend tjetër, Zoti i drejtohet Ibrahimit për Ismailin me këto fjalë:

Sa për Ismaelin, unë ta kam plotësuar dëshirën. Ja unë do ta bekoj, do ta bëj të frytshëm dhe do ta shumoj fort. Ai do të bëhet babai i dymbëdhjetë princërve, dhe unë do të bëj prej tij një komb të madh.[3]

Ndërsa për Isakun, i cili lindi kur Ibrahimi ishte i plakur, ndërkohë nëna e tij kishte qenë shterpe, Zoti i jep këtë premtim Ibrahimit:

Dhe unë do ta bekoj dhe do të bëj që ajo të të japë edhe një bir; po, unë do ta bekoj dhe prej saj do të lindin kombe; mbretër popujsh do të dalin prej saj”.
Atëherë Abrahami u shtri me fytyrën ndaj tokës dhe qeshi; dhe tha në zemër të tij: “A do të lindë vallë një fëmijë nga një njeri njëqindvjeçar? Dhe do të lindë Sara që është nëntëdhjetë vjeç?”.[4]

Sipas Kuranit Famëlartë, si Hazret Ismaili si Hazret Isaku, të dy ishin profetë, të zgjedhur të Zotit, ashtu siç Zoti e premtoi Hazret Ibrahimin a.s.. Por, më pas vetëm Isaku lindi një profet që quhet Jakobi, bijtë e të cilit quhen “bijtë e Izraelit”. Premtimi i Zotit përmbushet vetëm me njërin, në brezin e të cilit filloi një varg profetësh, që gjithashtu quhen profetët e Biblës, disa prej tyre ishin Jusufi, Davudi, Hudi, Musai, Gjoni, dhe në fund vjen Isai, ose Jezusi, paqja qoftë mbi ta.

Siç e thamë më lartë se premtimi i Zotit me pasardhësit e Ibrahimit ka qenë i kushtëzuar. Deri te ardhja e Isait, bijtë e Izraelit ishin bërë të padrejtë. Padrejtësia, keqbërësia dhe gjendja e tyre e shkatërruar nga ana shpirtërore mund të ekzaminohet edhe me faktin sesi i janë përgjigjur hebrenjtë Mesihut të tyre. Mos flasim për ata që e kundërshtonin haptas, të cilët nuk lanë asnjë përpjekje pa bërë që ta kryqëzonin atë. Po t’i shikojmë vetëm ata që e kishin pranuar, ishin shumë pak në numër. Madje, Jezusi, deri në kohën e kryqëzimit kishte vetëm dymbëdhjetë dishepuj, ndër të cilët njeri (Pjetri)[5] e mallkon në sytë e tij dhe një tjetër (Judë Iskarioti)[6] e tradhton vetëm për tridhjetë monedha argjendi.

Të krishterët dhe muslimanët besojnë se Jezusi kishte lindur vetëm nga Maria (Merjemja), pa një farë mashkulli. Në këtë lindje të jashtëzakonshme, hebrenjtë kishin një shenjë se ata ishin bërë të padrejtë dhe kishin arritur në gjendje padrejtësie deri në atë shkallë, që asnjë nga burrat e tyre nuk kishte aftësi shpirtërore për të lindur një profet, andaj, edhe premtimi i Zotit për bijtë e Isakut, do të ndalej. Themeluesi i Xhematit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Ghulam Ahmedi sqaron:

“Hazret Isai kishte lindur pa baba, gjë që ishte një shenjë, që në fisin e Beni Izraelit do të përfundonte profetizmi. Sepse profetizmi tek ata ishte sipas një besëlidhjeje, që derisa ata t’i përmbaheshin devotshmërisë dhe druajtjes ndaj Zotit, ata do ta gëzonin profetizmin. Por, kur ata devijuan, Zoti ua dha këtë shenjë, në mënyrë që të mençurit ndër ta, të kuptonin se nuk do të ketë më ndonjë profet në fisin e tyre.”[7]
“E vërteta është se Allahu i Madhërishëm dëshiroi t’u tregonte bijve të izraelit se gjendja e tyre ishte kaq e pistë, saqë asnjë burrë nga ata nuk kishte aftësi për t’u bërë vetë ose për të lindur profet. Për këtë arsye, pasardhësin e fundit të Musait, Allahu e krijoi pa baba, për t’i dhënë fund Librit (Biblës) të tyre”.[8]

Nga ana tjetër, premtimi për pasardhësit e Ismailit ende ishte i paplotësuar. Siç e thamë më lart se Ismailin bashkë me nënën e tij, Ibrahimi i kishte çuar në një shkretëtirë, pra në Arabinë e sotme. Për dymijë e pesëqind vjet, brezi i Ismailit lulëzoi dhe u shumua në Arabi, por pa pasur asnjë profet, derisa përfundoi premtimi që ishte bërë me Isakun. Shtatëqind vite pas Hazret Isait a.s., erdhi një profet nga brezi i Ismailit, që ishte Hazret Profeti Muhammed, paqja qoftë mbi të, që solli një Libër të ri, pasi Libri i mëparshëm nuk kishte më aftësi për të dhënë frytin e komunikimit me Zotin, profet ky ishte i ngjashëm me Hazret Moisiut në status. Siç janë përmendur në Bibël fjalët e Zotit ndaj Moisiut:

“Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre, si ty, dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t’u thotë atyre të gjitha ato që unë do t’i urdhëroj. Dhe do të ndodhë që në se dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t’i kërkoj llogari.”[9]


1] Kurani Famëlartë 2:125.

[2] Bibla – Zanafilla – 16:10-11.

[3] Bibla – Zanafilla – 17:20.

[4] Bibla – Zanafilla – 17:16-17.

[5] Mateu 26:74

[6] Mateu 26:14

[7] Gazeta “El-Hakam”, 17 prill, 1901, f. 5-6, Kadian, Indi.

[8] Gazeta “El-Hakam”, 24 qershor, 1901, f. 11, Kadian, Indi.

[9] Bibla – Ligji i përtërirë – 18:18-19.

Image Courtesy: Adam Reeder ;Under Creative Commons