Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Të ngjashme rreth kësaj teme

E mira dhe e keqja

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

https://soundcloud.com/zeri-i-islamit/fsa20160311-al

Pas recitimit të teshehudit, të tesmijes dhe të sures El-Fatiha, Huzuri recitoi ajetin vijues të Kuranit Famëlartë:

kurani-24-22

Përkthimi i këtij ajeti është:

O ju që besuat! Mos ndiqni hapat e shejtanit. Kushdo që i ndjek hapat e shejtanit (le ta dijë se) ai, pa dyshim, urdhëron për të pahijshmet dhe të ndaluarat. Sikur të mos kishit bekimin e Allahut mbi vete dhe mëshirën e Tij, askush nga ju nuk do të mund të pastrohej kurrë. Por Allahu pastron kë të dojë. Allahu është Dëgjues, i Dijshëm”. [Kurani Famëlartë 24:22]

Çfarë janë hapat e shejtanit dhe si mund të ruhemi nga ata?

Shejtani është armiku i njeriut që prej fillimit dhe do të vijojë të jetë i tillë. Kjo nuk është sepse ai ka ndonjë fuqi që të qëndrojë përgjithmonë, por për shkak se Zoti i Madhërishëm, kur e krijoi njeriun, atij i dha liri, sepse Zoti i Madhërishëm e dinte që robërit e Tij do të jenë të mbrojtur nga shejtani. Armiqësia e shejtanit nuk është ndonjë armiqësi e hapët, në kuptimin që ai ta sfidojë njeriun duke i qëndruar ballë për ballë, por përkundrazi. Ai nxit egon e njeriut duke përdorur mënyra e mashtrime të ndryshme dhe duke i treguar ëndrra lakmuese të kësaj bote. Në këtë mënyrë, ai e largon njeriun nga mirësitë dhe e shpie në të këqijat.

Shejtani kishte pohuar para Zotit të Madhërishëm duke thënë: ngaqë Ti e ke krijuar njeriun me natyrën që ai di t’i zgjedhë të dyja drejtimet, unë do ta bëj atë që të ngjitet pas meje, sepse ai do të anojë më shumë nga e keqja; nëse më lejon, do ta sulmoj dhe do ta tundoj atë në çdo rrugë dhe shumica e njerëzve do të ndjekin hapat e mi, përveç robërve të Tu të vërtetë, të sinqertë, të cilët do të jenë të mbrojtur nga sulmet e mia, sepse ata me asnjë lloj sulmi nuk do t’i dëmtoj dot.

Megjithatë, Zoti i Madhërishëm ua bëri të qartë njerëzve rrugën e mirësive, duke dërguar profetët e Tij. Ua tregoi edhe metodat e përmirësimit, edhe mënyrat sesi ata mund të zbukurojnë botën dhe ahiretin e tyre dhe, gjithashtu, ua bëri të qartë – djalli është armiku juaj i hapët, i cili do t’ju vijë si këshilltar e dashamirës dhe do t’ju thotë se po ju sjell dobi, por në realitet ai do t’ju thërrasë në humbje.

E kur do të vijë koha për të dhënë llogari, shejtani lirisht do t’u thotë njerëzve: “Është e vërtetë që ju kam ftuar për të bërë mëkate dhe për të kundërshtuar porositë e Zotit të Madhërishëm, por ju keni pasur mendje. Pse nuk e përdorët? Pse i keni dhënë përparësi thirrjes sime për të hyrë në mëkate, mbi thirrjen e Zotit të Madhërishëm, i cili ju porosiste për mirësi e bamirësi. Prandaj, sot shijojeni atë që keni bërë! Unë nuk kam asnjë lidhje me ju. Unë e kisha si qëllim që të bëja rolin e armiqësisë me ju. Digjuni tash në zjarrin e xhehenemit!”

Kështu, pra, djalli bën armiqësi me njeriun. Allahu i Madhërishëm në shumë ajete të Kuranit Famëlartë na alarmoi për sulmet dhe mashtrimet e shejtanit. Pikërisht këtë e thotë Allahu i Madhërishëm edhe në ajetin që recitova në fillim. Zoti tha se djalli nuk e lë njeriun të lirë. Për sa kohë që ai i tha Zotit: “do t’i vij njeriut nga e djathta dhe nga e majta, nga para dhe nga mbrapa”, ai kështu do të vepronte, pa pushim. Madje, shejtani gjithashtu pohoi “do të qëndroj në rrugën e drejtë për ta sulmuar njeriun”. Dikush mund të mendojë – jam në rrugën e drejtë dhe do të jem i shpëtuar nga sulmet e shejtanit. Por, ky mendim i tij është thjesht një imagjinatë. Ata që morën zemërimin e Allahut të Madhërishëm si dhe ata që u quajtën “të devijuar” (dālīn), më parë ishin në rrugën e drejtë, ishin ndjekës të Hazret Musait a.s., ishin ndjekës të Hazret Isait a.s., e megjithatë, ranë në shirk dhe humbje. Të njëjtët u bënë mohues të Profetit Muhammed s.a.v.s.

Andaj, Zoti i Madhërishëm tha se shejtani nuk i largohet njeriut, edhe kur ky i fundit bëhet besimtar, madje vijon ta largojë atë nga rruga e drejtë. Shumë njerëz, pasi e pranojnë besimin, bëhen pre e mashtrimeve të shejtanit, madje, edhe ata që e quajnë veten muslimanë, nganjëherë bëhen të padëgjueshëm dhe kthehen nga besimi. Shkurt, ky është një rrezik shumë i madh që i kanoset njeriut nga shejtani. Vetëm mirësia e veçantë e Zotit të Madhërishëm mund ta shpëtojë njeriun nga ai, dhe Ai me të vërtetë e shpëton. Edhe në këtë ajet, në pjesën e fundit të tij, Zoti i Madhërishëm i qetësoi besimtarët me dy fjalë: “Ai është Dëgjues dhe i Dijshëm”.

Allahu është Semī, që do të thotë se Ai dëgjon shumë. Për këtë arsye, Atij duhet t’ia trokisni derën. Atë duhet ta thërrisni dhe ta thërrisni me qëndrueshmëri. Pranë Tij duhet të përkuleni e të bëni lutje në mënyrë të vijueshme. Ai Zot është edhe i Dijshëm, pra, i njeh mirë gjendjet e robërve të Tij. Kur Ai do të vërejë se robi i Tij po e thërret me sinqeritet të plotë, do t’i dhurojë një forcë të tillë besimi, e cila do ta mbrojë atë nga sulmet e shejtanit. Më pas, ai do të gjejë mundësi për t’u ngritur lart e më lart në mirësi dhe do të gjejë edhe forcën për t’u mbrojtur nga të këqijat.

Për sa kohë që shejtani i kishte pohuar Zotit: “Përveç robërve të Tu të sinqertë, të gjithë do të më ndjekin mua”, një njeri i mençur patjetër që do t’i thërrasë mendjes. Besimtari i vërtetë ka nevojë të mendojë se si mund të bëhet i sinqertë. Zoti i Madhërishëm po në këtë ajet tregon një recetë, e cila e bën besimtarin të sinqertë. Zoti thotë: Ruhu nga çdo gjë që është e pahijshme dhe e ndaluar dhe që është e papëlqyeshme te Zoti! Ai që e bën këtë, mëshira e Zotit do ta pastrojë atë dhe vetëm i tilli do të jetë i pastër. Atij nuk mund t’i afrohet më shejtani.

Strategjia e shejtanit

Një gjë tjetër që duhet ta kemi parasysh është që sulmi i shejtanit nuk bëhet i menjëhershëm. Ai e sulmon njeriun ngadalë-ngadalë. Ai mbjell një të keqe të vogël në zemrën e tij dhe e bind që nuk ka të keqe nga diçka kaq e vogël, pasi ajo nuk përbën mëkat. Por, pikërisht këto gjynahe të vogla shkaktojnë gjynahe të mëdha. Gjithashtu, duhet ditur se gjynahet e mëdha nuk janë vetëm rrëmbimi, vjedhja, vrasja etj., por çdo ligësi që kërcënon paqen dhe qetësinë e shoqërisë është një gjynah i madh. Njeriu kur këmbëngul në veprimet e tij të liga, ai e humb ndërgjegjen se çfarë është duke bërë.

Andaj, Allahu i Lartësuar thotë se nëse doni të jeni të pastër, nëse doni të keni pëlqimin Tim, ju duhet t’u shmangeni vijueshmërisht ligësive dhe hapave të djallit në njërën anë, dhe në anën tjetër, vijueshmërisht duhet të vini në mbrojtjen e Allahut të Lartësuar dhe të përpiqeni të jeni të pastër dhe vijueshmërisht keni nevojë ta thërrisni Atë për ndihmë. Pa e bërë këtë, nuk mund t’u shpëtoni dot sulmeve të shejtanit.

Zoti pse e ka krijuar shejtanin?

Në vijim, do t’ju sjell disa citate nga shkrimet e Hazret Mesihut të Premtuar a.s.. Disa njerëz pyesin ose u lind pyetje në zemër se Zoti pse e ka krijuar shejtanin? Përse vallë nuk e ka asgjësuar që ditën e parë, kur ai bëri shkelje? A nuk do të merrnin fund të gjitha të këqijat, nëse do ta asgjësonte atë që ditën e parë? Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në një vend thotë:

Çdokush e pranon se njeriu ka dy tërheqje në natyrën e tij: njëra që tërheq drejt hairit, drejt së mirës dhe tjetra drejt sherrit, drejt së keqes. Në përgjithësi, të gjithë e ndiejnë këtë fenomen, që, kur njeriut i lindin mendime të këqija, ai anon kaq fort nga e keqja, i duket sikur dikush e tërheq drejt saj. Po ashtu, nganjëherë i lindin mendime për të bërë të mira dhe ai anon kaq shumë nga ato, saqë ndien sikur dikush a diçka po e tërheq drejt së mirës. Nganjëherë njeriu bën një gjynah dhe më pas pendohet thellë dhe anon nga e mira. Nganjëherë ndodh që ai shan ose rreh dikë dhe më pas pendohet për veprimin e tij dhe për ta shlyer gabimin, i bën ndonjë të mirë ose i kërkon falje.

Shkurt, të dyja këto tërheqje ekzistojnë në qenien njerëzore. Libri i Islamit forcën e së mirës e ka quajtur inspirim prej engjëlli, kurse forcën e së keqes … e ka quajtur inspirim prej djallit. … Filozofët e kanë pranuar këtë fakt vetëm deri tek ekzistenca e tyre në qenien njerëzore, por Zoti që zbulon sekretet më misterioze, që e informon njeriun për çështjet shumë të imëta, të dyja këto forca i ka quajtur krijesa. Forcën që inspiron për të mirën, e ka quajtur engjëll dhe shpirt të shenjtë, kurse forcën që inspiron për të keqen e ka quajtur shejtan dhe iblis. … Filozofët e moçëm e të mençur e kanë pranuar faktin se çështja e inspirimeve nuk është e kotë dhe e pakuptimtë.

Këto dy forca të qenies njerëzore, të cilat daç i quani forca, daç i quani si shpirt të shenjtë dhe djall, përkatësisht, por që nuk i mohoni dot, janë krijuar me qëllim që njeriu të shpërblehet për veprat e tij të mira. Ai po të ishte i detyruar të bënte vetëm veprat e mira dhe nuk do të kishte mundësi të bënte të kundërtën, nuk do të fitonte ndonjë shpërblim aspak. Por në çastin kur ai gjendet midis dy tërheqjeve dhe e zgjedh tërheqjen e së mirës për t’iu bindur, vlerësohet për t’u shpërblyer për veprën e tij… Kështu që, nuk mund të vihet në dyshim se njeriu ndien dy lloj inspirimesh në zemrën e tij, atë të së mirës dhe të së keqes. Por për sa kohë që ato e kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe për sa kohë që njeriu vetë nuk i zotëron dot, kuptohet që ato i vijnë nga jashtë dhe përsosmëria e njeriut varet nga ato.

Është interesante që të dyja qeniet që përmendëm, pra, engjëllin dhe djallin, i pranojnë edhe librat e hinduve, i pranojnë edhe ata që adhurojnë zjarrin, madje të gjithë librat që kanë ardhur prej Zotit, e pranojnë ekzistencën e tyre. Nëse dikush prapë kundërshton, kundërshton thjesht nga padituria dhe inati.

Duhet shtuar se ai që nuk heq dorë nga ligësia dhe keqbërja, bëhet djalli vetë. Siç e thotë Zoti në një ajet të Kuranit se edhe njerëzit nganjëherë shndërrohen në djaj. Atëherë, përse nuk i ndëshkon Zoti? Përgjigjja është që Kurani Famëlartë ka përmendur një ditë të caktuar për ndëshkimin e shejtanit, andaj duhet ta prisni ditën e premtuar. Shumë djaj janë ndëshkuar nga dora e Zotit deri më tani dhe shumë të tjerë do të ndëshkohen.

[“Çeshma-e Ma’rifet”, “Ruhani Khazain”, vëll. 23, f. 293-294]

Duke treguar se cilat janë gjërat, drejt të cilave shejtani e fton njeriun dhe cilët janë njerëzit që ndjekin hapat e shejtanit dhe cilat janë mjetet, nëpërmjet të cilave, njeriu mund të largohet nga hapat e shejtanit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Shejtani thërret dhe fton drejt gënjeshtrës, padrejtësisë, mizorisë, euforisë, zvarritjes, dukjes dhe arrogancës. Karshi tyre, Allahu i Madhërishëm fton drejt virtyteve të larta si durimi, përqendrimi, asgjësimi i nefsit për Allahun, sinqeriteti, besimi, shpëtimi. Njeriu gjendet midis këtyre dy tërheqjeve. Ai që ka natyrën e pastër dhe farën e fatbardhësisë, falë bekimit të kësaj fare, vrapon drejt Allahut të Madhërishëm, pavarësisht nga prania e një mijë ftesave dhe tundimeve të shejtanit, sepse qetësinë dhe kënaqësinë e tij shpirtërore, ai e gjen vetëm te Zoti.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Çdo gjë ka disa shenja të ekzistencës së saj. Derisa nuk dallohen shenjat e diçkaje të caktuar, ajo nuk mund të jetë e besueshme. Vini re se si mjekët i dallojnë ilaçet. … Ato po të mos i kishin efektet e tyre, të cilat mjekët i kanë njohur pas një përvoje të gjatë, nuk do të çmoheshin nga mjekët. Po kështu ekzistojnë shenjat e besimit, të cilat Zoti i Madhërishëm, në mënyrë të përsëritur i ka përmendur në librin e Tij. Është plotësisht e vërtetë që në momentin që hyn besimi në shpirtin e njeriut, do të hyjnë edhe madhështia e Zotit, shenjtëria e Tij, mrekullibërja e Tij dhe mbi të gjitha do të hyjë në të edhe kuptimi i vërtetë i pohimit “nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut”. Kështu vijon të ndodhë, derisa Zoti i Madhërishëm e merr si vendqëndrim qenien e tij, kurse jeta e tij satanike dhe natyra e tij për të bërë gjynahe pësojnë një vdekje.

Kjo është pikërisht ajo fatbardhësi e natyrës njerëzore e cila, duke u bashkuar me besimin e vërtetë, arrin t’ia asgjësojë vetinë e të mëkatuarit. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Atëherë njeriu fillon një jetë të re, e cila do të jetë shpirtërore. Ose me fjalë të tjera, mund të thuash se ajo do të jetë dita e parë e lindjes së tij në qiell. Kur jeta satanike pëson vdekje, lind jeta shpirtërore.

[“Malfuzat”, vëll. 2, Angli, 1985, f. 169]

Pikërisht atëherë njeriu bëhet i Zotit të Madhërishëm.

Dallimi midis gjynahut të Ademit dhe atij të shejtanit

Duke treguar lidhjen e mburrjes dhe të shejtanit, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Edhe Ademi kishte bërë gjynah, që ishte gjynahu i parë dhe, edhe shejtani kishte bërë gjynah. Por Ademi nuk kishte mendjemadhësi dhe për këtë arsye, ai e pranoi fajin para Zotit të Madhërishëm dhe atij iu fal gjynahu. Nga kjo shpresohet se njeriut mund t’i falen gjynahet përmes pendesës.

Nëse njeriu nuk ka mendjemadhësi, nëse i pranon gjynahet, nëse pendohet, nëse i kërkon falje Zotit të Madhërishëm, atëherë i falen gjynahet.

Por shejtani u tregua mendjemadh dhe për këtë arsye, u quajt i mallkuar. Njeriu nuk e zotëron këtë gjë. Mendjemadhi më kot ngrihet për të bërë pretendime të paqena. …Profetët kanë shumë aftësi dhe njëra prej tyre është që ata arrin ta mposhtin egon e vet. Ata sjellin një vdekje mbi nefsin e tyre, duke e mohuar vetveten tërësisht. Krenaria i përket Zotit. Ata që nuk tregohen mendjemëdhenj, madje tregohen të përulur, nuk shkatërrohen.

[“Malfuzat”, vëll. 9, Angli, 1985, f. 281]

Prandaj, ruhuni nga mendjemadhësia! Kjo është vetia që besimtari duhet ta përvetësojë, përndryshe ai ecën pas hapave të shejtanit. Nganjëherë njeriu nuk e ndien mendjemadhësinë e vet, prandaj është e nevojshme që në mënyrë shumë të thellë të analizojmë veten tonë. Duke folur se në sa shumë mënyra shejtani tenton të bëjë zap njeriun, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Nëse njeriu heq dorë nga veprat që përbëjnë gjynahe, shejtani përpiqet të qëndrojë të paktën në sytë e tij, në veshët e tij dhe në hundën e tij. Kur nuk e zë dot vendin edhe atje, ai përpiqet të qëndrojë të paktën në zemrën e tij.

Disa njerëz nuk bëjnë gjynahe të dukshme, as të mëdha e as të vogla. Disa njerëz nuk kanë mundësi të bëjnë gjynahe ose nuk i bëjnë për shkak të frikës, prapëseprapë, shejtani dëshiron ta mbajë gjallë farën e mëkatit në zemrat e tyre. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Me fjalë të tjera, shejtani e çon deri në fund betejën e tij. Por, ai nuk mund të mbretërojë në zemrën në të cilën ekziston frika ndaj Zotit. Atje shejtani dëshpërohet më në fund, sepse dështon në planin e tij për të parë veten madhështor. Atëherë detyrohet të braktiset nga atje duke marrë të gjitha plaçkat e tij.

[“Malfuzat”, vëll. 3, Angli, 1985, f. 401-402]

Kështu që, gjëja më e rëndësishme është që njeriu të ketë në zemër frikë ndaj Zotit. Nëse do ta ketë atë, ai mund të ruhet nga shumë mëkate. Vjedhësi vjedh. Por edhe ai, gjatë vjedhjes, nëse është në dijeni se një fëmijë është duke e parë atë, do të ketë frikë nga fëmija. Prandaj, derisa nuk kemi besim gjatë gjithë kohës se Zoti na sheh çdo vepër që bëjmë, ne nuk mund të shpëtojmë dot nga gjynahet.

Dallimi midis fjalëve të nefsit, të shejtanit dhe atyre që vijnë prej Zotit
Komentim i sures En-Nas

Disa herë shejtani e nis punën e tij duke prurë mendime të mira në zemrën e njeriut. Njëherë, në një mbledhje me Hazret Mesihun e Premtuar a.s., po diskutohej se disa njerëz nuk arrijnë të dallojnë fjalët e nefsit, inspirimin e shejtanit nga shpallja (ilhami) e Zotit. Në lidhje me këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Disa njerëz nuk e bëjnë dot dallimin midis fjalëve të nefsit, frymëzimit të shejtanit dhe ilhamëve (shpalljeve) që vijnë nga Zoti. Ajo që vjen prej Zotit është madhështore, e ëmbël, të godet në zemër, ajo është një fjalë që lëshohet nga gishtat e Zotit dhe ngulitet drejt e në shpirt aq fort, saqë asgjë nuk mund të barazohet me të në peshë. Siç e thotë Zoti në Kuranin Famëlartë:

kurani-73-06
Ne së shpejti do të të dërgojmë ty një fjalë me peshë”. [Kurani Famëlartë 73:6]

Fjala “thekil” (me peshë) këtë kuptim e ka. Kurse frymëzimi që vjen nga shejtani nuk e ka këtë cilësi. Fjalët e nefsit dhe ato të shejtanit njëlloj janë. Njeriu ka dy forca që janë të lidhura me jetën e tij. Njëra është engjëllore dhe tjetra satanike. Si të thuash, këmbët e tij janë të lidhura me dy litarë. Engjëlli e nxit dhe e ndihmon njeriun të bëjë mirësi, siç e thotë Kurani:

Ai i ndihmoi duke dërguar fjalën e Tij”. [Kurani Famëlartë 58:23]

Kurse shejtani e fton drejt ligësisë. Siç e thotë Kurani:

Juvesvisu” (ai pëshpërit)”. [Kurani Famëlartë 114:6]
Pra, nuk mund të mohohen këto dy forca. Njeriut i shoqëron edhe errësira, edhe drita. Mosdija rreth diçkaje të caktuar, nuk përbën argument për mosekzistencën e saj. Madje, përveç kësaj bote (që ka njohur njeriu), Zoti ka bërë edhe mijëra mrekulli të tjera. Zoti na mëson:

kurani-114-2
Kërkoj mbrojtjen e Zotit (Rab – Krijues) të njerëzve”. [Kurani Famëlartë 114:2]

Ky ajet flet për ato pëshpëritjet e shejtanit, të cilat ai i bën me njerëzit këto ditë.

Sidomos në këtë kohë, e cila është një epokë e zhvillimit material, në të cilën njeriu po e harron Zotin. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Pëshpëritja e tij më e rëndë është ajo që shkakton keqkuptime në lidhje me Krijuesin. Siç vërejmë që njeriu kur sheh pasuri të bollshme te tjetri, atë e kujton si Mbajtës. … Për këtë arsye, Kurani na mësoi të kërkojmë mbrojtjen e Zotit të vërtetë të njerëzve. Pastaj, njeriu mendon se mbretërit dhe pushtetarët e kësaj bote e kanë kontrollin dhe sundimin absolut dhe për këtë na vjen kjo lutje:

kurani-114-3
Melikin-nas”, Kërkoj mbrojtjen e Sunduesit të njerëzve” [Kurani Famëlartë 114:3], dhe na është bërë me dije që Sunduesi i vërtetë i njerëzve është Zoti. Pëshpëritjet e shejtanit vijojnë dhe i bëjnë njerëzit që krijesat t’i marrin për Zot dhe prej tyre lidhin frikën dhe shpresën e tyre. Për këtë arsye, lutja e radhës është:

kurani-114-4
“Ilahin-nas”, 
“Kërkoj mbrojtjen e të Adhuruarit të njerëzve” [Kurani Famëlartë 114:3]. Me një fjalë, ka tri lloj pëshpëritjesh të këqija dhe, në suren En-nas, Zoti na jep tri mbrojtje kundër tyre. Shkaktari i këtyre pëshpëritjeve është pikërisht “hen-nasi”, pra, shejtani, i cili në gjuhën hebraike quhet “nehash”, që i ishte afruar Evës. Sipas emrit të tij, ai bën sulme të fshehta. Për të flitet edhe në suren En-Nas. Kjo tregon se edhe Dexhalli nuk do të bëjë forcë, por do të sulmojë fshehtas, në mënyrë që askush të mos marrë vesh se çfarë po ndodh.

Shkëlqimi i botës së sotme, shpikjet nga më të rejat e sotshme, përpjekjet nën petkun e shkencës për ta larguar njeriun nga Zoti dhe nga kërkimi i Tij, të gjitha këto janë mjetet e Dexhallit. Këtu përfshihen qeveri, organizata të mëdha dhe organizata për të drejtat e grave, të cilat, në emër të të drejtave të njeriut i devijojnë njerëzit duke u thënë: Kujdes! Feja ju privon nga këto gjëra, kurse është e drejta juaj që ju të keni liri të plotë etj. Pra, këto janë masat e shejtanit që ai po i merr ngadalë-ngadalë. Sa herë që këto organizata që punojnë në emër të të drejtave të njeriut, të grave etj., punojnë për të larguar njeriun nga besimi në Zot, çdokush duhet të kuptojë, çdo besimtar dhe çdo ahmedian duhet të kuptojë se ai është një sulm i shejtanit dhe ai sulm po bëhet nga forcat e Dexhallit. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Nuk është e saktë që vetë shejtani i ka dalë hapur Evës, por i kishte dalë i maskuar, siç del sot i maskuar para njerëzve”.

Nuk ishte ndonjë qenie apo ndonjë person që i kishte dalë Evës, por ishte një pëshpëritje.

Shejtani i inspiron pëshpëritjen e tij një njeriu dhe ai njeri bëhet zëvendës i tij. Pra, ai ia kishte inspiruar një kundërshtari të besimit fjalën e vet. Gjithashtu, edhe xheneti ku jetonte Ademi, nuk ishte diku tjetër në hapësirë, por këtu në Tokë. Një i lig i kishte cytur një dëshirë në zemrat e tyre. Në suren e parë të Kuranit Famëlartë, Allahu i Madhërishëm i porositi myslimanët të mos bëhen si “ata që tërhoqën zemërim” dhe ata që “devijuan” ose me fjalë të tjera u tha myslimanëve: “O Muslimanë! Mos ndiqni rrugët e hebrenjve dhe të krishterëve!” Edhe kjo porosi përbën një profeci që do të vinin disa muslimanë, të cilët do të vepronin në këtë mënyrë. Pra, do të vinte një kohë kur një pjesë e muslimanëve do t’u ngjanin hebrenjve dhe të krishterëve, sepse porosia lëshohet atëherë, kur ekziston edhe mundësia që ajo të mos zbatohet”.

[“Malfuzat”, vëll. 2, Angli, 1985, f. 244-245]

Përparësia e besimit mbi botën

Duke treguar se me çdo kusht besimit duhet t’i jepni përparësi mbi botën, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Shikoni se ka dy lloj njerëzish. Lloji i parë i tyre përfshin ata që e pranojnë Islamin, por prapëseprapë mbeten të mbërthyer në tregtitë e kësaj bote. Shejtani u rri në krye. Nuk e kam fjalën që tregtia është e ndaluar. Absolutisht jo. Edhe sahabët e Profetit Muhammed s.a.v.s. bënin tregti, por ata besimit i jepnin përparësi mbi botën. Ata kur e pranuan Islamin, fituan dijen e vërtetë rreth tij, një dije që ua mbushi zemrat me bindje. Kjo ishte arsyeja që ata nuk u lëkundën në asnjë betejë para sulmeve të shejtanit. Asgjë nuk i ndaloi dot nga pohimi i së vërtetës. E kam fjalën vetëm që ata që bëhen robër të kësaj bote, madje adhurues të saj, djalli i mbizotëron dhe i bën zap. Në llojin e dytë përfshihen ata, të cilët shqetësohen për përparimin e besimit. Ky grup i njerëzve është ai që quhet “hizbullah”(ushtria e Allahut) i cili ngadhënjen mbi djallin dhe ushtrinë e tij. Paraja bëhet me tregti dhe përmes saj shtohet, për këtë arsye, Zoti i Madhërishëm edhe kërkimin e besimit dhe zhvillimin e tij e ka quajtur tregti. Siç Zoti i Madhërishëm thotë:

“A t’ju njoftoj për një tregti, që do t’ju shpëtojë nga një ndëshkim i dhimbshëm?” [Kurani Famëlartë 61:11]

Tregtia më e mirë është ajo që bëhet në besim, që të liron nga ndëshkimi i dhimbshëm. Prandaj, edhe unë me fjalët e Zotit do t’ju them:

“A t’ju njoftoj për një tregti, që do t’ju shpëtojë nga një ndëshkim i dhimbshëm?

[“Malfuzat”, vëll. 3, Angli, 1985, f. 193-194]

Pra, tregtinë e tillë duhet ta bëjmë ne dhe duhet të ndjekim rrugët, për të cilat në thërret Imami i kohës, i caktuari i Allahut, Mesihu i Premtuar, Imam Mehdiu, në mënyrë që të ruhemi nga hapat e shejtanit dhe, duke fituar pëlqimin e Zotit, të ruhemi nga ndëshkimi i dhimbshëm.

Si të ruhemi nga mëkatet e fshehta?

Duke na tërhequr vëmendjen që të ruhemi nga mëkatet e fshehta, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Kur dikush bie në vështirësi, faji më në fund del i robit, dhe jo i Zotit. Disa njerëz në dukje mund të jenë shumë të dëlirë, dhe njeriu habitet se pse ata i goditi belaja ose pse ata u privuan nga mirësia, por në fshehtësi veprojnë edhe mëkatet e fshehura, të cilat ua shkatërrojnë jetën. Allahu i Madhërishëm ngaqë fal shumë dhe toleron shumë, nuk lejon që mëkatet e fshehta të njeriut të zbulohen. Por në të vërtetë, mëkatet e fshehta janë më të këqija sesa ato të hapëta. Edhe mëkatet janë si sëmundje. Sëmundjet kryesore i dallon çdokush, por ka disa sëmundje të fshehta, të cilat nganjëherë nuk i di as i sëmuri. Ka edhe sëmundje, të cilat as mjekët nuk i dallojnë dot në fillim, derisa ato nuk marrin përmasa të mëdha”.

Nganjëherë kanceri dallohet në fazën e fundit. Njeriu duket krejt normal, por papritmas mjekët kuptojnë se nuk është më në dorën e tyre që ta kurojnë atë dhe brenda pak muajsh, ai vdes. Mesihu i Premtuar a.s. vijon:

Ashtu siç disa sëmundje nuk kuptohen, nuk kuptohen as mëkatet e fshehta të njeriut, të cilat shkallazi e çojnë drejt shkatërrimit. Zoti i Madhërishëm na mëshiroftë me mirësinë e Tij! Kurani Famëlartë thotë:

“Fitoi ai që e pastroi nefsin e tij”. [Kurani Famëlartë 91:10]

Por, edhe pastrimi i nefsit është një lloj vdekjeje. Si mund ta pastrosh nefsin, derisa nuk heq dorë nga të gjitha veset?

Të gjitha veset që shejtani dëshiron që ne t’i kemi, pra ato që përmenden edhe në ajetin në fjalë “fahsha” (të pahijshmet) dhe“munker” (të ndaluarat), derisa nuk i largojmë nga vetja jonë, nuk mund ta pastrojmë nefsin tonë.

Çdo njeri ka një farë të keqe dhe ajo është pikërisht shejtani i tij. Derisa ai nuk e vret atë, nuk ia del dot”.

[“Malfuzat”, vëll. 9, Angli, 1985, f. 280-281]

Siç ju thashë edhe më përpara, çdo çast ne duhet të kërkojmë mbrojtjen e Allahut dhe çdo çast duhet të bëjmë analizën tonë. Se çfarë masash duhet të marrim për ta shkatërruar shejtanin, në lidhje me këtë, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

Të dërguarit vijnë si pasqyrë e njëshmërisë së Zotit dhe ata janë Zotrrëfyes. Muslimani i vërtetë dhe i devotshëm është ai që bëhet pasqyrë e të dërguarve. Sahabët e kishin kuptuar mirë këtë sekret dhe kaq shumë ishin të përhumbur pas bindjes ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., saqë kishin asgjësuar çdo gjë që i përkiste vetes së tyre. Kushdo që i shikonte, befasohej nga devotshmëria e tyre”. 

Ata gjithnjë rrinin në kërkim të afrimit me Zotin dhe të përvetësimit të modelit Profetit Muhammed s.a.v.s..

“Prandaj, mbani mend! Edhe në këtë kohë, pretendimi juaj për të qenë ndjekës të sinqertë do të përligjet vetëm atëherë kur do ta keni të njëjtën devotshmëri, thellim dhe bindje që kanë pasur sahabët e Profetit s.a.v.s.. Mbajeni mend shumë mirë këtë që po ju them! Derisa Zoti i Madhërishëm nuk i merr si vendqëndrim qeniet tuaja, derisa nuk shfaqen shenjat e Tij në ju, pushteti i shejtanit do të vijojë të veprojë në ju”.

Lutje

Allahu na bëftë të përpiqemi me sinqeritet të plotë për t’u bërë të Atij! Të ruhemi nga të gjitha të pahijshmet dhe të ndaluarat! Të ruhemi nga të gjitha llojet e të këqijave! Të ruhemi nga çdolloj krenarie a mburrjeje! Të vijojmë të përpiqemi për të pastruar veten tonë, në mënyrë që të trashëgojmë bekimet e Zotit të Madhërishëm! Shikimi ynë gjithmonë të jetë drejt Zotit dhe vetëm Ai të mbetet Zoti ynë! Vetëm Sundimi i Tij të mbretërojë zemrat tona! Vetëm Ai të mbetet i Adhuruari ynë! Dhe ne gjithmonë Atë ta thërrasim, duke u ruajtur nga hapat e shejtanit! Allahu i Madhërishëm na mundësoftë të veprojmë në këtë mënyrë!