
Pas jetëshkrimit të të Dërguarit fisnik të Allahut s.a.v.s., dëshiroj të shkruaj pak edhe rreth karakterit dhe virtyteve të tij. Dëshmia unanime, që gjendet lidhur me virtytet e tij, është ajo që jep populli i tij, në kohën kur ai akoma nuk kishte deklaruar të ishte profet: i gjithë populli e quante emin dhe sidik, domethënë i besueshëm dhe i vërtetë.[1]
Ka shumë njerëz në botë, rreth të cilëve nuk gjejmë ndonjë dëshmi që ata janë jobesnik. Ka edhe shumë të tjerë që nuk u rastis ndonjëherë të kalojnë nga ndonjë sprovë e rëndë. Po, ata mund të përballen me sprova të lehta, të cilat kur i kalojnë, japin një dëshmi të vogël të besnikërisë së tyre, por prapëseprapë, populli i tyre nuk i nderon me ndonjë titull të veçantë. Sepse titulli i veçantë i jepet vetëm atij, që dallohet nga të gjithë njerëzit e popullit, me një virtyt të caktuar.
Çdo luftëtar që merr pjesë në një luftë, e vë veten në rrezik, por as populli anglez nuk i jep çdo ushtari Kryqin Viktoria dhe as populli gjerman nuk nderon çdo ushtar me Kryqin e Hekurt. Në Francë ka qindra mijëra që merren me punët shkencore, por megjithatë, nuk i jepet çdokujt medalja “Legion of Honour”. Kështu që, vetëm besnikëria dhe vërtetësia e një njeriu nuk hedhin shumë dritë mbi madhështinë e tij. Por, nëse i gjithë populli e quan dikë si besnik dhe të vërtetë, kjo patjetër është diçka e jashtëzakonshme. Po t’ia jepnin njerëzit e Mekës këtë titull dikujt në çdo brez, atëherë sigurisht që ai që do ta fitonte këtë titull, do të ishte njeri i madh, por historia arabe nuk tregon se diçka e tillë kishte ndodhur ndonjëherë, madje në asnjë brez. Vetëm Muhammedi, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shquhet në historinë qindravjeçare të Arabisë, të cilit i ishte dhënë titulli i besnikërisë dhe vërtetësisë, sepse edhe besnikëria, edhe vërtetësia e tij ishin kaq të larta, saqë vetëdija arabe nuk kishte njohur shembull të tillë më parë. Arabët ishin shquar në botë për mprehtësinë e tyre, andaj, nëse e quanin të rrallë dikë, ai ishte i denjë të konsiderohet i rrallë në botë.
Kemi një dëshmi tjetër të përgjithshme për virtytet e tij, që dha Hatixhja r.a. në kohën kur ai u zgjodh profet, të cilën e kam përmendur në pjesën e biografisë. Më poshtë, dua të sjell disa shembuj nga jeta e tij, në mënyrë që lexuesit të mund të shohin edhe gjëra të imta të virtyteve të tij.
[1] Ibni Hishami, vëll. I, f. 209-210; Buhariu, Kitabut-tefsir suretu Tebet.