Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
intrigat intriga

Ngjarja e Uhudit nuk ishte një ndodhi që mund të harrohej lehtësisht. Mekasit e kishin menduar si fitore të parë kundër Islamit, të cilën e kishin njoftuar në të gjithë Arabinë, duke përdorur atë si mjet për t’i nxitur fiset arabe kundër Islamit dhe për t’i bindur ata që muslimanët nuk janë të pamposhtshëm. Sipas tyre, muslimanët kanë përparuar jo sepse ata ishin të fuqishëm, por sepse fiset arabe i kishin nënvlerësuar, kështu që, nëse arabët do të bënin përpjekje duke u bashkuar, atëherë nuk do të ishte aspak e vështirë t’i mposhtnin muslimanët.

Si rezultat i kësaj propagande, kundërshtimi ndaj muslimanëve mori përmasa më të mëdha. Fise të tjera u treguan edhe më të egra se mekasit dhe krijuan më shumë vështirësi ndaj muslimanëve. Disa filluan edhe t’i sulmonin haptas e disa të tjerë bënin plane të fshehta për t’i dëmtuar ata.

Intriga e fisit Benu Lehjan

Gjatë vitit të katërt pas mërgimit (hixhretit), dy fise arabe, Edli dhe Karai, dërguan përfaqësues të tyre te Profeti Muhammed s.a.v.s. duke thënë që shumë nga njerëzit e tyre e pëlqejnë Islamin dhe për këtë arsye atyre u duheshin disa muslimanë të ditur, që të qëndronin me ta e t’ua mësonin fenë e re. Në fakt, kjo ishte një intrigë e kurdisur nga fisi Benu Lehjan, që ishin armiq të përbetuar të Islamit.

Qëllimi i tyre ishte që kur përfaqësuesit t’i sillnin muslimanët, ata t’i vrisnin, në mënyrë që të hakmerreshin për kryetarin e tyre Sufjan bin Halitin. Ishin njerëzit e fisit Benu Lehjan ata që i dërguan përfaqësuesit e fiseve të Edlit dhe të Karait, duke u premtuar shpërblime të majme kundrejt prurjes së disa muslimanëve. Profeti s.a.v.s. i besoi përfaqësuesit e tyre dhe dërgoi dhjetë muslimanë me ta, të cilët kishin si përgjegjësi t’ua mësonin besimet dhe mësimet islame.

Kur ky grup mbërriti në zonën e Benu Lehjanit, njerëzit e Edlit dhe të Karait u thanë atyre të Benu Lehjanit që muslimanët, ose t’i burgosnin, ose t’i ekzekutonin. Në zbatimin e këtij plani djallëzor, dyqind njerëz të armatosur të Benu Lehjanit u nisën për t’i ndjekur muslimanët dhe përfundimisht, në vendin e quajtur Rexhi, i gjetën e i rrethuan. U ndez lufta midis dhjetë muslimanëve dhe dyqind armiqve. Të parët i kishin zemrat plotë besim, kurse të fundit i kishin boshe. Muslimanët u ngjitën në një kodër për t’u bërë sfidë luftimi të dyqindëve. Armiku me mashtrim u përpoq t’i kapte, duke thënë se nëse zbrisnin, do të ishin të lirë, por kryetari i grupit të muslimanëve tha që tashmë e dinë shumë mirë sesa e mbanin fjalën mohuesit. Duke parë lart në qiell, muslimanët u lutën:

“O Zot! Ti na shikon ne. Lajmëro Profetin Tënd për gjendjen tonë!”

Kur mohuesit panë që muslimanët në asnjë mënyrë nuk po binin në grackë, i sulmuan. Muslimanët pa frikë humbjeje i luftuan me qëndrueshmëri, derisa shtatë prej tyre ranë dëshmorë. Tre të mbeturve, mohuesit edhe një herë ua premtuan lirimin me kusht që të zbrisnin nga kodra. Të tretë e pranuan dhe u dorëzuan. Sa zbritën nga kodra, mohuesit i kapën dhe i lidhën me fillet e harqeve të tyre. Njëri prej muslimanëve refuzoi të shkonte me ta duke thënë:

“Kjo është pabesia juaj e parë. Vetëm Zoti e di më mirë se çfarë do të bëni më pas!”

Ata zunë ta rrihnin dhe ta zvarritnin, por më kot. U dëshpëruan dhe më në fund e vranë në vend. Dy të mbeturit, të quajtur Hubejb r.a. dhe Zejd r.a., i morën me vete dhe ua shitën si skllevër kurejshëve të Mekës.[1]

Martirizimi i Hazret Hubejbit

Ai që bleu Hubejbin r.a., e bleu që të hakmerrej me të, pasi Hubejbi r.a. ia kishte vrarë babanë në betejën e Bedrit. Një ditë, në shtëpinë e tij, Hubejbi r.a. i kërkoi një brisk për punë të tij. Njerëzit e shtëpisë ia dhanë. Ndërsa ai po e mbante briskun, fëmija i vogël i shtëpisë duke lozur iu avit Hubejbit r.a.. Ai e mori fëmijën dhe e mbajti në prehër. Nëna u trondit sakaq kur e pa fëmijën në atë situatë. Ishte e bindur që Hubejbi r.a. do t’ia vriste, ngaqë edhe vetë ai, brenda pak ditësh, do të vritej. Hubejbi r.a. e kishte briskun në dorë dhe fëmijën në prehër dhe mund të bënte çfarë të donte. Ai e vërejti shqetësimin e nënës dhe e pyeti:

“Kujton se do të ta vras fëmijën? Kurrsesi jo! Nuk mund të bëj një gjë të tillë. Muslimani nuk mund të jetë mashtrues”.

Nëna mori mbresë të thellë nga kjo sjellje e sinqertë dhe e mirë, të cilën gjithmonë e mbajti mend dhe gjithmonë thoshte që kurrë nuk kishte parë ndonjë të burgosur si Hubejbi r.a..

Më në fund mekasit e nxorën Hubejbin r.a. në një fushë që ta vrisnin e të festonin. Kur erdhi koha e ekzekutimit, Hubejbi r.a. u kërkoi një mundësi që të falte dy rekate namaz, kërkesë të cilën ata ia pranuan. Para të gjithëve, ai fali dy rekate për të adhuruar Zotin për herë të fundit në këtë botë. Kur i përfundoi, tha:

“Desha ta vazhdoja namazin, por e përfundova duke menduar se mos pandehni se po i frikësohem vdekjes”.

Pastaj, qetësisht e vuri kokën para xhelatit dhe filloi të këndonte këto vargje:

intrigatNuk po frikësohem, gjersa vritem musliman,
as në cilin krah do të bjerë trupi im
E gjithë kjo është për hir të Zotit
nëse do, Ai mund të bekojë çdo grimcë të trupit tim [2]

Hubejbi r.a. ende nuk kishte mbaruar së recituari këto vargje, kur shpata e xhelatit ra, duke ia rrëzuar kokën përtokë. Njëri ndër ata që ishin mbledhur për ta festuar këtë moment, ishte Seid bin Amir, që më vonë u bë musliman. Thuhet që çdoherë kur përmendej ekzekutimi i Hubejbit r.a. para Seidit, atij i binte të fikët.[3]

Martirizimi i Hazret Zejdit r.a.

Edhe Zejdin, të burgosurin e dytë, e nxorën për ta ekzekutuar. Ndër të tjerët, edhe Ebu Sufjani, kryetari i Mekës kishte dalë për të bërë sehir. Ai iu drejtua Zejdit dhe e pyeti:

“A nuk do të doje që në vendin tënd të ishte Muhammedi (s.a.v.s.) dhe ti të ishe i lumtur në shtëpinë tënde?”

Zejdi iu përgjigj me zemërim të madh:

“Çfarë thua o Ebu Sufjan! Pasha Zotin, unë dua më shumë vdekjen sesa Profetit t’i hyjë në këmbë qoftë një gjemb nëpër rrugicat e Medinës”.

Ebu Sufjanit i la përshtypje kjo devotshmëri. Ai e pa Zejdin me plot habi dhe murmuriti:

“Për Zotin! Siç e duan Muhammedin (s.a.v.s.) shokët e tij, nuk kam parë njeri tjetër ta duan në këtë mënyrë”.[4]

Vrasja e shtatëdhjetë hafizëve të Kuranit

Gjatë atyre ditëve, te Profeti Muhammed s.a.v.s. erdhën disa njerëz edhe nga Nexhdi, për t’i kërkuar disa muslimanë që t’ua mësonin fenë. Profeti s.a.v.s. nuk i besoi ata. Por, Ebu Berau, që në atë kohë ishte në Medinë, tha:

“Unë do të hyj dorëzanë për këtë fis”.

Ai e bindi Profetin s.a.v.s. se fisi në fjalë nuk do të bënte asnjë djallëzi. Për këtë arsye, Profeti s.a.v.s. zgjodhi për këtë punë shtatëdhjetë muslimanë, të cilët ishin hafizë të Kuranit. Kur grupi mbërriti te pusi Mauna, Heram Bin Melhani, njëri prej hafizëve, iu afrua për t’i dhënë mesazhin e Isalmit, kryetarit të fisit Amir, që ishte edhe nipi i Ebu Beraut. Sa për sy e faqe, njerëzit e fisit e pritën mirë Heramin, por në kohën kur ai po i fliste kryetarit të fisit, dikush erdhi nga mbrapa dhe i nguli shtizë në qafë. Herami r.a. ndërroi jetë në vend. Kur shtiza ia përshkoi qafën, sipas dëshmitarëve, ai tha:

intrigat“Allahu është më i Madhi. Pasha Zotin e Qabes, fitova!”[5]

Pas vrasjes së pabesë të Heramit r.a., krerët e fisit i nxitën njerëzit e tyre që t’i vrisnin edhe mësuesit e tjerë muslimanë, por ata thanë që nuk mund t’i sulmonin, pasi kreu i fisit Ebul Berau kishte hyrë dorëzanë për ta. Krerët, me bashkëpunimin e dy fiseve të tjera që kishin shkuar për të marrë këtë grup, i sulmuan mësuesit muslimanë. Sado që ata thanë se kishin ardhur për të dhënë mësim, për të mësuar fenë e jo për të luftuar, armiqtë nuk u ndalën. Ata filluan t’i vrisnin muslimanët, derisa mbetën vetëm tre. Pjesa tjetër u martirizua.

Njëri ndër tre ishte i gjymtuar dhe i ishte ngjitur një kodre pranë, ndërsa dy të tjerët kishin shkuar në pyll për të kullotur devetë. Vetëm kur u kthyen nga pylli, mësuan se gjashtëdhjetë e gjashtë shokët e tyre ishin vrarë. U këshilluan me njëri-tjetrin. Njëri tha se duhej të ktheheshin dhe ta informonin të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. për këtë masakër. Kurse tjetri nuk e pranoi duke thënë:

“Derisa kryetari i grupit tonë, i caktuar prej të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. u vra këtu, unë nuk mund të largohem”.

Pasi tha këto fjalë, i vetëm iu vërsul mohuesve dhe dha jetën duke luftuar. Tjetri u kap, por më vonë, falë një bese që ia kishte dhënë njëri prej krerëve të tyre, u lirua. Ndër të vrarët ishte edhe Amir bin Fehira, që ishte skllav i liruar i Ebu Bekrit r.a.. Vrasësi i tij ishte Xhebar bin Selma, i cili më vonë u bë musliman. Xhebari thoshte:

“Vrasja e Amirit ishte shkaku që pranova Islamin. Kur po e vrisja, ai thoshte:

intrigatPasha Zotin, fitova!

“Më vonë”, thotë Xhebari, “pyeta dikë se pse muslimani thotë fjalë të tilla, kur i përballet vdekjes? Më tha: “Sepse vdekjen në rrugën e Zotit ai e mendon si bekim dhe fitore”. Xhebarit i bëri kaq shumë përshtypje kjo gjë, saqë filloi ta studionte Islamin dhe, më në fund, u bë musliman.[6]

Lajmi i këtyre dy ngjarjeve tronditëse, që rreth tetëdhjetë muslimanë u martirizuan pabesisht, mbërriti në Medinë menjëherë. Të vrarët nuk ishin njerëz të thjeshtë, por ishin ata që kishin mësuar Kuranin përmendësh. Ata nuk kishin bërë asnjë krim, as nuk kishin shqetësuar ndonjë, ata nuk kishin shkuar në ndonjë luftë, por armiqtë i kishin marrë me mashtrim dhe pabesi, që ua bënë në emër të Zotit dhe të fesë. Këto ngjarje provojnë qartazi se mohuesit kishin armiqësi të thellë ndaj Islamit, ndërkohë në anën tjetër, edhe entuziazmi i muslimanëve për Islamin ishte po aq i thellë dhe i pasosur.

Beteja me fisin Beni Mustelik

Pas betejës së Uhudit, Meka pati një thatësirë të madhe. Duke harruar krejtësisht armiqësinë që mekasit kishin ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s. si dhe intrigat që ata bënin për të përhapur urrejtje në gjithë vendin kundër tij, Profeti s.a.v.s., gjatë kësaj vështirësie të rëndë, mblodhi një sasi parash për të ndihmuar të varfrit e Mekës. Por, banorët e Mekës nuk u ndikuan asfare nga kjo dashamirësi dhe në vend ta shuanin zjarrin armiqësor, i frynë akoma më shumë. Edhe fiset që kishin sadopak dashamirësi ndaj muslimanëve, tani mbanin armiqësi me ta. Njëri ndër to ishte fisi Beni Mustelik, me të cilin muslimanët kishin marrëdhënie të mira më përpara, por, tani ata po përgatiteshin ta sulmonin Medinën.

Kur Profeti s.a.v.s. mori vesh për përgatitjet e tyre, ai dërgoi disa njerëz për të kontrolluar, të cilët, kur u kthyen, e vërtetuan lajmin. Për këtë arsye, Profeti s.a.v.s. vendosi që të shkonte vetë dhe të ballafaqohej me sulmin që po përgatisnin. Ai mblodhi një ushtri dhe u nis drejt Beni Mustelikut. Kur të dyja ushtritë u ndeshën me njëra-tjetrën, Profeti s.a.v.s. u përpoq ta bindte armikun që të sprapsej, por ai e refuzoi. Krisi beteja, dhe vetëm për pak orë, ushtria e armikut u thye.

Intrigat e hipokritëve dhe grindje mes muslimanëve

Ngaqë mohuesit mekas në çdo mënyrë donin t’u sillnin dëm muslimanëve dhe, edhe fiset që ishin miq, po bëheshin armiq të muslimanëve, hipokritët që gjendeshin midis muslimanëve, këtë herë, vendosën të luftonin nga ana e muslimanëve. Mbase ata mendonin se në këtë mënyrë do të gjenin mundësi për t’i dëmtuar muslimanët, por beteja me Beni Mustelikët përfundoi shpejt. Kështu që, gjatë betejës ata nuk patën mundësi për të bërë ndonjë intrigë. Profeti s.a.v.s. vendosi të qëndronte disa ditë në fshatin e Beni Mustelikëve.

Gjatë kësaj kohe, një musliman mekas u grind me një musliman të medinas për shkak të mbushjes së ujit në një pus. Mekasi ishte një skllav i liruar, i cili e goditi medinasin. Secili thirri njerëzit e tij: mekasi, mekasit (muhaxhirët) dhe medinasi, medinasit (ensarët). Zemërimi u përhap. Askush nuk u mat për ta mësuar arsyen. Burrat nga të dyja palët ngrehën shpatat e tyre. Për Abdullah bin Ubej bin Sululin kjo ishte një mundësi që i kishte ardhur prej qiellit. Ai deshi t’i frynte zjarrit dhe duke iu drejtuar medinasve, tha:

“Aq shumë ua keni plotësuar qejfin këtyre muhaxhirëve, saqë u ka ikur mendja. Këta u lazdruan tej mase nga ju dhe ju kanë hipur mbi kokë”.

Fjala e Abdullahut gati do ta bënte atë që donte ai, por nuk ndodhi ashtu. Abdullahu gaboi në llogaritjen e pasojës që mund të sillte me fjalimin e tij tinëzar. Duke kujtuar që ensarët do të ndikoheshin nga ai, tha:

“Kur të kthehemi në Medinë, njeriu më i nderuar do ta dëbojë atë më të poshtrin”.

Me fjalët “më i nderuari” ai e nënkuptonte veten e tij, ndërsa me “më të poshtrin” Profetin Muhammed s.a.v.s. (neudhu bilahi min dhalik). Sapo i tha këto fjalë, ai u demaskua para besimtarëve, sepse për besimtarët kjo nuk ishte diçka e vogël. Ata e kuptuan që para tyre fliste djalli vetë, që kishte ardhur për t’i devijuar ata. Një djalosh u ngrit dhe nëpërmjet xhaxhait të tij, ia kumtoi këtë lajm Profetit s.a.v.s..

Profeti s.a.v.s. thirri Abdullah bin Ubej bin Sululin, si dhe shokët e tij dhe i pyeti se çfarë kishte ndodhur. Ata e refuzuan prerazi duke thënë se asgjë e kësaj natyre nuk kishte ndodhur. Profeti s.a.v.s. nuk u tha gjë, por realiteti i ngjarjes po përhapej. Pas pak ditësh, këtë e mori vesh edhe djali i Abdullah bin Ubej bin Sululit, i cili gjithashtu quhej Abdullah. Ai menjëherë erdhi te Profeti s.a.v.s. dhe i kërkoi:

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Babai im ju ka fyer dhe për këtë ai duhet të dënohet me vdekje. Nëse ju do ta lëshoni këtë vendim, atëherë dëshiroj që këtë porosi të ma jepni mua, sepse unë dua ta vras babanë tim. Nëse ngarkoni dikë tjetër për të ekzekutuar tim atë dhe ai vritet nga duart e tij, atëherë ka mundësi që, në të ardhmen, unë të hakmerrem me të për vrasjen e tij, duke tërhequr kështu zemërimin e Allahut të Lartësuar”.

Por, Profeti s.a.v.s. tha:

“Nuk kam fare ndërmend të bëj diçka të tillë. Unë do të sillem me butësi dhe mëshirë me babanë tënd”.

Kur Abdullahu (biri) e krahasoi pabesinë dhe fyerjet e babait të tij me butësinë dhe mëshirën e Profetit s.a.v.s., u forcua edhe më shumë në besimin ndaj Profetit s.a.v.s. dhe po aq në zemërimin kundër babait të vet. Kur ushtria iu afrua Medinës, ai i doli përpara të atit dhe e pengoi të kalonte më tutje duke thënë:

“Në asnjë mënyrë nuk do të të lejoj të hysh në Medinë, derisa nuk do t’i kthesh fjalët që kishe thënë kundër Profetit s.a.v.s.. Duhet të thuash që i Dërguari i Zotit është i nderuar dhe ti je i poshtër”.

Sa i shtangur, aq edhe i trembur nga qëndrimi i djalit, Abdullah bin Ubej bin Sululi tha:

“O biri im! Pajtohem me ty. Muhammedi është i nderuar dhe unë jam i poshtër”.

Vetëm atëherë Abdullahu (biri) ia hapi rrugën.[7]


[1]  Buhariu, Kitabul-magazi, bab gezuetir-Raxhi.
[2]  Po aty.
[3]  Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 182-183.
[4]  Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 181.
[5]  Siret Ibni Hisham, vëll. II, f. 193-196; Buhariu, Kitabul-xhihad, bab men-jenkibu eu jetnin fi sebilillahi.
[6]  Siret Ibni Hisham, vëll. III, Egjipt, 1936, f. 196.
[7]  Tirmidhiu, Kitabut-tefsir, tefsir suretil-Munafikin; Siret Ibni Hisham, vëll. II, f. 138.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp