Mbështetja te Zoti i Lartësuar
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Related Contents from Topics
mrekullia mrekullitë

Në ç’masë Profeti Muhammed s.a.v.s. mbështetej te Zoti i Lartësuar, këtë mund ta përfytyroni nga ngjarja kur një njeri e gjeti të vetëm, ngrehu shpatën para tij duke kërcënuar: “Kush mund të të shpëtojë prej meje?”, dhe Profeti s.a.v.s., edhe pse ishte pa armë, madje i shtrirë, pa mundur të bëjë asnjë manovrim, mjaft i qetë dhe i bindur i qe përgjigjur: “Allahu”. Kjo fjalë kishte dalë nga goja e tij me një bindje dhe qëndrueshmëri të tillë, saqë sulmuesi nuk mbeti pa u ndikuar nga ajo, aq sa i ra befas shpata nga dora. Vetëm në pak çaste, ai që kishte ardhur për ta vrarë Profetin s.a.v.s., po qëndronte para tij si një fajtor.[1]

Me gjithë këtë mbështetje të pakufishme te Zoti, para Zotit, ai gjendej tejet i përulur. Një herë, disa njerëz i kishin thënë: “O i Dërguari i Allahut, ju me siguri do ta arrini bekimin[2] e Allahut nëpërmjet veprave tuaja madhore”. Profeti s.a.v.s. u ishte përgjigjur:

“Jo aspak. Edhe unë do të falem vetëm nëpërmjet mirësisë së Zotit”.

Ebu Hurejrah r.a. rrëfen:

“Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut një ditë, duke thënë se askush nuk do të hyjë në xhenet për shkak të veprave të tij. E pyeta: “O i Dërguari i Allahut! As ju nuk mund të hyjni në xhenet prej veprave tuaja?” Më tha: “As unë nuk mund të hyj në xhenet prej veprave të mia. Po, nëse do të më mbulojnë bekimi dhe mëshira e Zotit, atëherë mund të hyj”“.[3]

Një herë Profeti Muhammed s.a.v.s. tha:

“Bëni vepra të mira, kërkoni rrugët e afrimit me Zotin e Lartësuar dhe askush nga ju të mos dëshirojë vdekjen e vet, sepse, nëse ai është njeri i mirë, atëherë jeta vetëm do t’i shtojë mirësi të tjera, e nëse është i lig, do të gjejë në jetë mundësinë për t’u penduar nga mëkatet e tij”.[4]

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e donte kaq shumë Allahun e Lartësuar saqë kur binte shi pas një kohe të gjatë, ai priste pikat e shiut me gjuhë dhe thoshte:

“Ja, bekimi i freskët i Zotit tim!”[5]

Kur rrinte në mbledhje, vazhdimisht i kërkonte falje Zotit, praktikë të cilën, në fakt, e bënte në përgjithësi në çdo kohë, në mënyrë që umeti i tij dhe njerëzit që kishin lidhje me të, të mund të shpëtonin nga zemërimi i Allahut të Lartësuar dhe të gëzonin mëshirën e Tij.[6]

Gjithmonë e mbante parasysh daljen e tij përpara Zotit të Lartësuar. Kështu, kur flinte, lutej:

“O Zot! Vdes me emrin Tënd dhe ringjallem me emrin Tënd”.

Ndërsa, kur zgjohej nga gjumi, lutej:

“Të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, i Cili na ringjalli pas vdekjes sonë dhe ne, tek Ai do të kthehemi”.[7]

Aq shumë e donte afrimin me Zotin e Lartësuar, saqë shpesh lutej:

O Zoti im, bëj në zemrën time dritë,[8] në shikimin tim dritë, në dëgjimin tim dritë, në të djathtën time dritë, në të majtën time dritë, mbi mua dritë, poshtë meje dritë, para meje dritë, pas meje dritë dhe o Zoti im, tërë qenien time bëje dritë.[9]

Ibni Abasi r.a. tregon që afër vdekjes së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., një ditë, erdhi Musailma kedhabi (gënjeshtari) dhe kërkoi që nëse Profeti Muhammed s.a.v.s., do ta caktonte atë si udhëheqës pas tij, ai do ta pranonte Profetin. Atëherë ai kishte një mori njerëzish me vete dhe fisi, që i përkiste ai, ishte më i madhi në numër në të gjithë Arabinë. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori lajmin e ardhjes së tij në Medinë, shkoi për ta takuar, ndërkohë, atë e shoqëronte Thabit ibni Kejs ibni Shumasi. Profeti s.a.v.s. kishte një degë hurme në dorë. Ai u afrua te grupi i tij dhe qëndroi përballë Musailamut. Ndërkohë, erdhën edhe sahabë të tjerë dhe qëndruan rreth Profetit s.a.v.s..

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua duke thënë: “Ti thua që nëse unë, i dërguari i Zotit do të të caktoj ty si kalif pas meje, atëherë do të jesh gati të më ndjekësh mua. Por, unë nuk jam gati të të jap as këtë degë hurme kundër urdhrit të Zotit. Ju do të pësoni atë që ju ka përcaktuar Zoti. Nëse ktheheni shpinazi, Zoti do t’jua presë këmbët, madje unë shoh që gjithçka që më ka treguar Zoti, ajo ka për të ndodhur me ju”. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Unë po largohem, gjërat e tjera që ke për të biseduar, bisedoji me përfaqësuesin tim Thabit ibni Kejs ibni Shumasin”. Më pas i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori rrugën për t’u kthyer. Atë e shoqëroi edhe Ebu Hurejrah r.a..

Rrugës, dikush e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, çfarë kuptimi ka kjo që keni thënë: “shoh që gjithçka që më ka treguar Zoti, ajo ka për të ndodhur me ju”?”. Ai u përgjigj: “Kisha parë në ëndërr që kam dy byzylykë në duar, të cilët nuk i pëlqeva. Po në ëndërr mora shpalljen që t’i fryja. Kur i fryva, ata u zhdukën. Këtë e interpretova se pas meje do të dalin dy gënjeshtarë që do të pretendojnë të jenë profetë”.[10]

Kjo ishte periudha e fundit e jetës së Profetit Muhammed s.a.v.s.. Fisi më i madh dhe i fundit ishte gati t’i nënshtrohej atij, por vetëm me kushtin që Profeti s.a.v.s., prijësin e tij ta caktonte kalif pas tij. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. po të kishte qoftë një dëshirë të vogël në zemër për të fituar ndonjë epërsi personale, atëherë, për sa kohë ai nuk kishte ndonjë pasardhës mashkull, kjo ishte një mundësi optimale për të. Prijësit më të madh të fisit më të madh të Arabisë, edhe mund t’i ngjallte shpresa, duke hapur në këtë mënyrë rrugën e bashkimit të të gjithë Arabisë. Por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. si mund ta quante të tijën gjithë udhëheqjen Islame, kur edhe gjënë më të vogël nuk e konsideronte si të tillë! Tek ai, udhëheqja e Islamit ishte një amanet i Zotit, të cilin, ashtu siç ishte, duhej t’ia dorëzonte Zotit, që më vonë, Ai t’ia jepte kujt të donte. Prandaj, propozimin e ardhur nga Musailmau, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e refuzoi me poshtërim duke i kthyer: Lëre udhëheqjen e Islamit, unë nuk mund të të jap ty as këtë degë hurme pa lejen e Zotit.

Sa herë që ai përmendte Allahun e Lartësuar, emocionohej, mbushej me zell dhe dukej sikur dashuria ndaj Allahut e kishte pushtuar në mish e në shpirt. Aq shumë e pëlqente thjeshtësinë në adhurimin e Allahut të Lartësuar, saqë falej në xhaminë që nuk kishte as dysheme e as ndonjë qilim dhe, edhe të tjerët i porosiste të faleshin në të. Shpeshherë ndodhte që çatia pikonte nga shiu dhe trupi e rrobat e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. bëheshin me ujë e me baltë, por ai vazhdonte të falej me përkushtim dhe në asnjë moment nuk i donte zemra që ta spostonte faljen e asaj kohe, apo ta falte në ndonjë vend tjetër.[11]

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kujdesej edhe për faljet e sahabëve të tij. Një herë, rreth Abdullah ibni Omerit r.a., i cili ishte një njeri shumë i dëlirë dhe i pastër, ai kishte thënë:

“Sa bukur do të ishte, nëse Abdullah ibni Omeri do të falte edhe namazin e tehexhudit”.[12]

Abdullah ibni Omeri r.a., që nga dita kur i mori vesh fjalët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., filloi ta falte rregullisht namazin e tahaxhudit.

Po ashtu, përmendet që një herë në mbrëmje, Profeti s.a.v.s. kishte shkuar për vizitë te shtëpia e Fatimes dhe Aliut, së bijës dhe dhëndrit të tij dhe i pyeti: “A falni tahaxhudin?” (domethënë, namazi që falet pas mesnatës, pasi zgjohemi nga gjumi). Aliu r.a. tha: “O i Dërguari i Allahut, përpiqemi ta falim, por nganjëherë për ndonjë arsye, kur Zoti i Lartësuar nuk na zgjon, edhe nuk e falim”. Profeti s.a.v.s. i porositi: “Falni rregullisht tahaxhudin”, e pastaj u çua për t’u kthyer në shtëpi dhe ndërkohë, vazhdimisht përsëriste:[13]

[Njeriu kundërshton më shumë se çdo krijesë tjetër.][14]

Ky është një ajet i Kuranit Famëlartë, në të cilin thuhet: Njeriu shpesh heziton të pranojë fajin e vet dhe duke u treguar hileqar përpiqet ta mbulojë gabimin e tij. Pra, Aliu r.a. dhe Fatimja r.a., në vend të thoshin se ata gabonin ndonjëherë, ia linin fajin Zotit duke thënë se është Zoti Ai që kur do, i zgjon dhe nuk kur nuk do, nuk i zgjon.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dashuri aq të madhe ndaj Zotit të Lartësuar, megjithatë, urrente adhurimin që bëhej për reklamë. Parimi i tij ishte që adhurimi i vërtetë rrjedh pikërisht nga përdorimi i duhur i aftësive që njeriu ka marrë prej Zotit të Lartësuar. Nëse ka sy, atëherë mospërdorimi i tyre është jorespekt ndaj Zotit, ndërsa keqpërdorimi është mëkat. Po ashtu, vetëshurdhimi është mungesë respektimi ndaj Zotit, ndërsa dëgjimi i përgojimeve është mëkat. Heqja dorë nga ushqimi, jo vetëm që është vetëvrasje, por edhe fyerje ndaj Zotit, por ushqimi i tepërt dhe konsumimi i gjërave të palejuara e të papëlqyera bëhen mëkat. Kjo ishte ajo që i paraqiti botës Profeti Muhammed s.a.v.s., gjë që nuk ishte treguar më parë nga ndonjë profet tjetër. Virtytet e larta, në të vërtetë, përbëhen nga përdorimi i saktë i instinkteve. Ndrydhja deri në fund e instinktive është budallallëk, shfrenimi i tyre është ligësi, kurse përdorimi i tyre i duhur është mirësi e vërtetë. Kjo është përmbledhja e mësimit të Profetit Muhammed s.a.v.s., njëherësh, edhe përmbledhja e jetës dhe veprave të tij. Ajshja r.a., rreth tij thotë:

“Asnjëherë nuk ndodhi në jetën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., që kur gjendej në ndonjë udhëkryq, ai të mos ketë zgjedhur rrugën më të lehtë, por me kusht që të ishte plotësisht i bindur që ndjekja e asaj rruge të lehtë të mos e çonte në ndonjë mëkat. E, nëse kishte qoftë një grimë dyshimi për të hasur ndonjë mëkat, atëherë ai i ikte asaj rruge më larg se çdokush tjetër nga njerëzit”.[15]

Sa i bukur dhe sa i përsosur është ky qëndrim! Shumëkush në botë vetëm përpiqet të mashtrojë të tjerët, duke e vënë veten kot në lloj-lloj vështirësish. Mundimi i njerëzve të tillë nuk bëhet për hir të Zotit, pasi çdo punë e padobishme kushtuar Zotit, është vetëm një mashtrim. Ngaqë mirësia e vërtetë e tyre mbetet shumë e pakët, ata përpiqen të mashtrojnë njerëzit e tjerë duke bërë vepra të gënjeshtërta dhe duke mbuluar gabimet e tyre. Por, synimi i Profetit Muhammed s.a.v.s. ishte vetëm pëlqimi i Zotit të Lartësuar dhe arritja e mirësisë së vërtetë, andaj, atij nuk i duheshin fare adhurimet artificiale. Për të ishte njësoj që bota ta njihte si njeri të mirë apo si jo të mirë. Ai kishte parasysh vetëm faktin se si do të shihej para Zotit të tij dhe para vetes. Pas dëshmisë së Zotit dhe vetvetes, nëse ai gëzonte edhe dëshminë e vërtetë të njerëzve, u tregohej mirënjohës, e nëse njerëzit e shikonin me shtrembësi, ai vetëm shprehte keqardhjen për paaftësinë e tyre, pa i dhënë asnjë vlerë mendimit të tyre.


[1]  Muslimi, Kitabul-fedail, bab teuekulihi alellahi ta’ala.

[2]  Xhenetin. [Përkthyesi]

[3]  Buhariu, Kitabur-rikak, bab el-kesdi uel-madauemeti alel-amel.

[4]  Buhariu, Kitabut-temena, bab ma jekrahu minet-temena.

[5]  Ebu Daudi, ebuabun-neum, bab fil-meter.

[6]  Buhariu, Kitabud-davat, bab istigfarin-Nebiji s.a..

[7]  Buhariu, Kitabut-davat, bab ued’il-jedil-jumna.

[8]  Në arabisht fjala është “nur” dhe bëhet fjalë për dritën e Zotit.

[9]  Buhariu, Kitabud-davat, bab idha intebehu bil-lejl.

[10]  Buhariu, Kitabul-magazi, bab kisatil-Esuedil Ensi.

[11]  Buhariu, Kitabul-adhan, bab hel jusalil-imamu bimen hafara.

[12]  Buhariu, Kitabul-menakib, bab menakib Abdullah ibni Omerra.

[13]  Buhariu, Kitabut-tahaxhud, bab tehridin-Nebiji s.a.v.s. ela kijamil-lejl.

[14]  Kurani Famëlartë 18:55.

[15]  Muslimi, Kitabul-fedail, bab terkil-intikam.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp