Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën - Përqasje
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Kapitujt (Lexoni kapitujt Online)
  1. Fjala e botuesit
  2. Ku dallojnë profetët nga filozofët?
  3. Arabia gjatë kohës së lindjes së Profetit Muhammed s.a.
  4. Lindja e Profetit Muhamed s.a.
  5. Martesa e Profetit me Hatixhen r.a.
  6. Shpella Hira dhe shpallja e parë e Kuranit
  7. Grupi i parë i besimtarëve
  8. Dhuna e mekasve ndaj muslimanëve
  9. Torturat ndaj Profetit Muhammed s.a.v.s.
  10. Mesazhi i Islamit
  11. Mërgimi në Abisini
  12. Ankesa e mohuesve tek Ebu Talibi dhe vendosmëria e Profetit s.a.v.s.
  13. Pranimi i Islamit nga Omeri r.a.
  14. Bojkotimi ndaj muslimanëve dhe vdekja e Hatixhes dhe e Ebu Talibit
  15. Udhëtimi i Profetit Muhamed s.a.v.s. drejt Taifit
  16. Zhvillime të rëndësishme dhe takime me medinasit përpara Hixhretit
  17. Hixhreti i Profetit s.a.v.s. nga Meka drejt Medinës
  18. Ardhja e Profetit Muhammed s.a.v.s. në Medinë
  19. Medinasit pranojnë Islamin, mekasit tërbohen
  20. Vëllazëria midis ensarëve dhe muhaxhirëve dhe marrëveshja me hebrenjtë
  21. Rifillimi i dhunës nga mekasit dhe masat mbrojtëse nga Profeti Muhammed s.a.v.s.
  22. Themelimi i qeverisë islame në Medinë
  23. Beteja e Bedrit – shkaqet dhe rezultatet
  24. Beteja e Uhudit
  25. Urdhri për ndalimin e pirjes së alkoolit dhe ndikimi i tij i jashtëzakonshëm
  26. Intrigat e fiseve mohuese pas betejës së Uhudit
  27. Beteja e Hendekut, mësymje kundër Medinës nga e gjithë Arabia
  28. Ndëshkimi i Benu Kurejdhëve për pabesinë e tyre
  29. Fillimi i triumfit të muslimanëve
  30. Mësimi i judaizmit, i krishterimit dhe i Islamit lidhur me luftën – Përqasje
  31. Sulmet pas betejës së Hendekut
  32. Marrëveshja e Hudejbijes
  33. Letrat drejt mbretërve
  34. Rrethimi i kështjellës së Khejberit dhe tri ngjarje të çuditshme
  35. Tavafi rreth Qabes, martesa e Profetit pas tavafit dhe një histori dashurie
  36. Beteja e Mu’tes
  37. Çlirimi i Mekës – Triumfi mbi Mekën
  38. Beteja e Hunejnit
  39. Pas çlirimit të Mekës dhe betejës së Hunejnit
  40. Beteja e Tebukut
  41. Haxhi i lamtumirës dhe një fjalim i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  42. Vdekja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  43. Gjendja e sahabëve në kohën e vdekjes së Profetit Muhammed s.a.v.s.
  44. PJESA II – Karakteri i Profetit Muhammed s.a.v.s.
  45. Pastërtia e jashtme dhe e brendshme e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  46. Thjeshtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  47. Dashuria dhe adhurimi i Profetit ndaj Zotit
  48. Mbështetja te Zoti i Lartësuar
  49. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj njerëzve
  50. Virtytet e larta të Profetit s.a.v.s.
  51. Vetëpërmbajtja e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  52. Drejtësia e Profetit Muhammed s.a.v.s.
  53. Kujdesi për të varfrit dhe respektimi i ndjenjave të tyre
  54. Mbrojtja e pasurive të të varfërve
  55. Mirësjellja e tij ndaj skllevërve dhe shërbëtorëve
  56. Mirësjellja e Profetit s.a.v.s. ndaj grave
  57. Praktika e Profetit s.a.v.s. në lidhje me të vdekurit
  58. Mirësjellja e tij ndaj fqinjëve
  59. Mirësjellja me prindërit dhe me të afërmit e tjerë
  60. Shoqëria e mirë dhe kujdesi për besimin e shokëve
  61. Mbulimi i gabimeve të të tjerëve
  62. Durimi, anashkalimi, bashkëpunimi
  63. Vërtetësia tek Profeti Muhammed s.a.v.s.
  64. Urrejtja për spiunazhin, mashtrimin dhe zhgënjimin
  65. Mëshira ndaj kafshëve
  66. Liria fetare, trimëria, dashuria për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe mbajtja e premtimit
Related Contents from Topics
lufta dhe paqja

Mësimi i krishterimit dhe judaizmit lidhur me luftën

Në këtë kontekst, disave mund t’u lindë pyetja nëse ka të drejtë një fe e vërtetë të bëjë luftë? Mendoj që është e nevojshme që t’i jepet përgjigje edhe kësaj pyetjeje. Mësimet e feve janë të ndryshme lidhur me luftën. Mësimin e Musaitas rreth saj e kam përmendur më përpara. Bibla e urdhëron Musainas që të hyjë forcërisht në Kanan dhe t’i mundë popujt e atij vendi për të populluar njerëzit e tij atje. Bibla thotë:

“Kur t`i afrohesh një qyteti për ta sulmuar, do t`i ofrosh së pari paqen. Në qoftë se pranon ofertën tënde të paqes dhe t`i hapë dyert e tij, tërë populli që ndodhet aty ka për të paguar haraçin dhe do të të shërbejë. Por në rast se nuk do të bëjë paqe me ty dhe kërkon luftë kundër teje, atëherë ti do ta rrethosh. Kur më vonë Zoti, Perëndia yt, do të ta japë në dorë, do të vrasësh me shpatë tërë meshkujt e tij; por gratë, fëmijët, bagëtinë dhe të gjitha ato që ndodhen në qytetet, tërë prenë e tij, do t`i marrësh si plaçkën tënde; dhe do të hash plaçkën e armiqve të tu, që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë.

Kështu do të veprosh në të gjitha qytetet që janë shumë larg nga ti dhe që nuk janë qytete të këtyre kombeve. Por nga qytetet e këtyre popujve që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, nuk ke për të lënë asgjë që merr frymë; por do të vendosësh shfarosjen e plotë të tyre, domethënë të Hitejve, të Amorejve, të Kananejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt, me qëllim që ata të mos ju mësojnë të imitoni tërë ndyrësirat që bëjnë për perënditë e tyre, dhe ju të mos mëkatoni kundër Zotit, Perëndisë tuaj”.[1]

Këtë mësim e kishte dhënë Musaias, të cilin vazhdimisht e kishin ndjekur profetët si Jozueu (Joshua)as Davidi (Daudi)as etj., prapëseprapë, hebrenjtë dhe të krishterët ata i quajnë Profetë të Zotit dhe Biblën e konsiderojnë po ashtu Libër të Zotit.

Në fund të serisë musaiane kishte ardhur Mesihuas, i cili, lidhur me luftën dha mësimin që mizorisë nuk duhet t’i kundërpërgjigjesh, “madje”, thotë ai: 

“në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën”.[2]

Duke komentuar këtë varg, të krishterët pohojnë se Mesihuas ndaloi luftën. Por, shohim që po në Dhiatën e Re ka edhe mësime të tjera që janë kundërthënëse me të. Për shembull, Ungjilli thotë:

“Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën”.[3]

Po ashtu, shkruhet:

U tha, pra, atyre: “Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një”.[4]

Këto dy mësimet e fundit i kundërvihen krejtësisht mësimit të parë. Nëse Mesihu kishte ardhur për të bërë luftë, cili do të ishte kuptimi i thënies “në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën”? Kështu që, këto dy lloje mësimesh ose janë kundërthënëse, ose njërin nga ato duhet ta komentojmë ndryshe, duke lënë kuptimin e tij të drejtpërdrejtë.

Nuk do të hyj në pyetjen se a është praktik mësimi që nëse dikush të qëllon mbi një faqe, t’ia kthesh edhe faqen tjetër, por, vetëm dua të them që bota e krishterë, gjatë gjithë historisë së saj, nuk iu shmang luftës. Madje, edhe në fillimet e tyre, kur të krishterët sunduan Romën, bënë luftëra me popuj të tjerë, jo vetëm mbrojtëse, por edhe agresive. Edhe sot, kur të krishterët e mbizotërojnë botën, vazhdojnë të bëjnë luftëra, jo vetëm mbrojtëse, por edhe agresive. Ndryshimi i vetëm është që çdoherë kur fiton njëra palë, ajo kanonizohet nga bota e krishterë. Fitorja e cilësdo palë konsiderohet si fitore e civilizimit të krishterë dhe kështu, fjala fitore ka humbur kuptimin e saj të vërtetë. Dy popuj luftojnë kundër njëri-tjetrit, secili pretendon të përfaqësojë civilizimin e krishterë dhe ai që fiton, thotë që fitoi civilizimi i krishterë.

Sidoqoftë, që nga koha e Mesihut deri më sot, bota e krishterë vazhdon të bëjë luftëra dhe sipas gjasave, do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Pra, vendimi i botës së krishtere është ai që përmendet në vargun: “kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një” dhe “Unë nuk erdha të sjell paqen, por shpatën”. Ky është ligji i vërtetë. Ndërsa ligji: “në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën”, ose u përket të krishterëve të parë, ligj i cili ishte përvetësuar mbase duke pasur parasysh dobësinë e tyre, ose ai është i kufizuar vetëm brenda të krishterëve. Ndërsa në marrëdhëniet ndërqeveritare dhe ndërkombëtare ky ligj nuk vepron.

Së dyti, edhe sikur të zëmë se mësimi i vërtetë i Mesihut nuk është i luftës, por i paqes, atëherë prapëseprapë nuk do të thotë që ai që vepron kundër këtij mësimi, nuk mund të jetë i dërguar i Zotit. Sepse, të krishterët edhe sot e kësaj dite Musainas, Joshuanas dhe Daudinas i quajnë të dërguar të Zotit. Madje, vetë Papati, në kohëra të ndryshme, ka kanonizuar disa nga heronjtë e krishterimit, që luftuan me armikun duke vënë jetën e tyre në rrezik, të cilët sot mbahen si të shenjtë.

Mësimi i Islamit rreth luftës

Ndërsa mësimi që jep Islami, qëndron midis këtyre dy mësimeve. Ai as nuk thotë si Musaias të hysh me forcë te ndonjë popull e t’i shfarosësh njerëzit e tij, e as nuk është si krishterimi i sotëm i devijuar, i cili në njërën anë, mëton me të madhe “në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën”, kurse në anën tjetër, njerëzve të vetë u thotë: “kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një”. Islami jep atë mësim që përputhet tamam me natyrën e njeriut dhe që mund të jetë i vetmi mjet edhe për të vendosur paqe dhe pajtim.

Ai mësim është: nuk duhet të sulmosh askënd. Por nëse dikush të sulmon dhe mospërgjigjja ndaj sulmit mund të prishë rendin, duke zhdukur drejtësinë dhe paqen, atëherë përgjigju sulmit të tij. Ky është pikërisht mësimi që mund të sjellë paqe dhe pajtim në botë, të cilin e zbatoi Profeti Muhammed s.a.v.s.. Ai vazhdimisht pati vështirësi në Mekë, por kurrë nuk ndërmori ndonjë agresion. Kur mërgoi në Medinë dhe kur armiku e ndoqi edhe atje, atëherë Zoti i Lartësuar e urdhëroi që të luftonte kundër tij, për vendosjen e drejtësisë dhe të vërtetësisë, për sa kohë armiku të përpiqej ta zhdukte Islamin.

Porositë e ndryshme që jep Kurani Famëlartë në lidhje me këtë, do të shënohen në vijim:

(1) Allahu i Lartësuar, në Kuranin Famëlartë, thotë:

mesimet e luftesmesimet e luftes mesimet e luftesAtyre që janë sulmuar, u lejohet (që të mbrohen), sepse u është bërë padrejtësi. Në të vërtetë Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë ata, të cilët janë dëbuar nga shtëpitë e tyre padrejtësisht, vetëm sepse thanë: “Zoti ynë është Allahu.” Sikur Allahu të mos u kishte dhënë njerëzve mundësinë për t’u mbrojtur nga njeri-tjetri, do të shkatërroheshin manastiret, kishat, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtetë, Allahu e ndihmon atë që e ndihmon Allahun. Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm. (U jepet leje për t’u mbrojtur) atyre, që nëse u japim pushtet në tokë, ata gjallërojnë namazin, japin zekatin, urdhërojnë për të mirat dhe ndalojnë nga të këqijat. Tek Allahu është fundi i çështjeve. [5]

Në këto ajete pohohet se këtyre muslimanëve u lejohet të luftojnë për shkak se ndaj tyre është bërë mizori dhe se janë sulmuar. Me të vërtetë Allahu është i Fuqishëm që t’i ndihmojë ata. Po, u jepet leja atyre muslimanëve, që janë dëbuar nga shtëpitë e tyre pa asnjë faj. Faji i tyre (nëse mund të quhet i tillë) është vetëm se thanë: “Allahu është Zoti ynë”. Sikur Allahu të mos u kishte dhënë disa njerëzve të drejtë mundësinë për të ndaluar disa njerëz nga mizoria, atëherë ata do të shkatërronin kishat, manastiret, sinagogat dhe xhamitë, në të cilat përmendet shumë emri i Allahut. Vërtetë, Allahu e ndihmon atë që e ndihmon Allahun.

(Pra, për të vendosur lirinë fetare në botë, Allahu i Lartësuar u jep leje për të luftuar të shtypurve dhe popujve me të cilët armiku ka shpallur luftë). Allahu është vërtet i Fortë dhe i Plotfuqishëm. Padyshim, Allahu i Lartësuar i ndihmon ata që, kur vijnë në pushtet, vendosin faltoret e Zotit të Lartësuar, kujdesen për të varfrit, mësojnë për virtyte të mira e të larta dhe e ndalojnë botën nga ligësitë. Çdo konflikt përfundon në pësimin që është përcaktuar prej Zotit.

Këto ajete, të cilat janë zbritur për t’u dhënë leje muslimanëve që të luftojnë, pohojnë që sipas mësimeve të Islamit lufta lejohet vetëm në rastin kur një popull vë në shënjestër të mizorive ndonjë popull tjetër për një kohë të gjatë, kur populli shtypës ndez luftën ndaj tjetrit pa arsye dhe fillon të ndërhyjë në çështjet e tij fetare. Gjithashtu, sipas këtyre ajeteve, një popull që shtypet në këtë mënyrë, kur vjen në pushtet, është i detyruar të sigurojë lirinë fetare dhe gjithmonë të ketë parasysh që derisa Zoti t’i ketë dhënë triumf, ai duhet t’i mbrojë të gjitha fetë e të kujdeset për shenjtërinë dhe respektin e faltoreve të tyre, ndërsa pushtetin e tij të mos e mbajë për salltanet dhe mburrje. Madje, të kujdeset për të varfrit, të investojë forcat e tij për mirëqenien e vendit dhe për eliminimin e trazirave dhe çoroditjeve.

Ky mësim, sa i përmbledhur aq edhe i përsosur, tregon shkoqur se përse muslimanëve u është dhënë leje për të luftuar. Po ashtu, në zbatim të tij, nëse ata do të luftonin, lufta e tyre do të ishte për shkak se ishin të shtypur, përndryshe lufta agresive ishte e ndaluar në Islam. Përveç kësaj, habitesh kur sheh se si në këto ajete është përmendur edhe paralajmërimi që muslimanët me siguri do të triumfonin. Madje, atyre u jepet udhëzimi që gjatë sundimit të tyre, ata duhet të synojnë të punojnë për përmirësimin e shoqërisë, për mirëqenien e të varfërve, për vendosjen e paqes, për eliminimin e trazirave dhe për zhvillimin e popullit e të vendit, e jo për të mbushur xhepat e tyre me pasuritë e shtetit.

(2) Pastaj, Kurani Famëlartë thotë:

mesimet e luftes mesimet e luftesmesimet e luftesmesimet e luftesLuftoni në rrugën e Allahut ndaj atyre që luftojnë kundër jush, por mos e kaloni kufirin. Vërtet, Allahu nuk i do ata që e kalojnë kufirin. Luftoni kundër tyre, kudo që t’i gjeni dhe dëbojini, ashtu siç ata ju dëbuan ju. Trazimi është më i rëndë se vrasja. Mos luftoni me ta pranë Xhamisë së shenjtë, përveçse nëse ata luftojnë me ju në të. Pra, nëse ata luftojnë me ju, atëherë vritini edhe ju ata! I tillë duhet të jetë ndëshkimi për mohuesit. Por, nëse ata heqin dorë, atëherë, me të vërtetë, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë. Luftoni me ta derisa të zhduket trazimi dhe feja të bëhet për Allahun. Por, nëse ata heqin dorë (nga lufta), atëherë s’ka armiqësi, përveçse kundër mizorëve. [6]

Në këto ajete thuhet se, për hir të Zotit, luftoni ndaj atyre që luftojnë kundër jush, pa pasur mllefin personal dhe interesin vetjak. Mbajeni mend! Në luftë, nuk duhet të bëni asnjë veprim mizor se Zoti i Lartësuar nuk i do mizorët. Kudo që ju të ndesheni me ta në luftë, luftoni edhe ju me ta dhe mos sulmoni kur t’i gjeni tek e tek. Duke qenë se ata ju kanë detyruar të dilni në luftë, edhe ju sfidojini për të njëjtën gjë. Mbani mend! Të trazoni dikë për shkak të fesë është një mëkat më i madh sesa vrasja dhe lufta. Prandaj, ju mos e ndiqni një rrugë të tillë, sepse ajo është punë e të pafeve. Duhet që ju të mos e nisni luftën pranë Xhamisë së shenjtë, derisa ata vetë të bëjnë nismën për luftë, në mënyrë që të mos pengohet rruga për Haxh dhe Umra. Po, nëse ata vetë bëjnë një nismë të tillë, atëherë jeni të imponuar dhe ju lejohet t’u përgjigjeni. Me ata që hedhin poshtë porositë e logjikshme dhe të drejta, nuk mund të silleni ndryshe. Por, nëse ata reflektojnë dhe heqin dorë nga veprimi i tyre, atëherë Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë, andaj, edhe ju, në këtë rast, duhet të hiqni dorë dhe të mos e vazhdoni luftën duke kujtuar se ata e kishin nisur atë. Ata e kanë filluar luftën, edhe ju vazhdojeni atë, deri sa ata nuk heqin dorë nga të praktikuarit e tyre për të ndërhyrë në fe dhe nuk pranojnë që çështja e fesë i përket vetëm Allahut të Lartësuar dhe që dhuna në të nuk i lejohet askujt. Nëse ata do ta përvetësojnë këtë metodë dhe do të heqin dorë nga ndërhyrja në fe, menjëherë jepini fund luftës, sepse vetëm të padrejtët meritojnë ndëshkimin dhe nëse ata nuk e përsërisin padrejtësinë e tyre, nuk mund të lejohet të luftoni kundër tyre.

Pra, këto ajete tregojnë: së pari, lufta duhet të jetë vetëm për hir të Zotit. Ajo nuk duhet të bëhet për lakmi a zili, apo për të zaptuar një shtet ose për të zgjeruar pushtetin e vet.

Së dyti, lufta mund të bëhet vetëm kundër atyre që ndërmarrin nismën për të sulmuar.

Së treti, mund të luftoni vetëm me ata njerëz që marrin nismën e luftës kundër jush, pra, jo me njerëzit civilë që nuk marrin pjesë në të.

Së katërti, edhe pse luftën e fillojnë armiqtë, prapëseprapë, gjatë luftës, ju mund të shtrëngoni armikun vetëm aq sa ai ju ka shtrënguar, dhe jo më tepër, as për nga zgjerimi i sulmit, e as për nga përdorimi i mjeteve luftarake.

Së pesti, lufta duhet bërë vetëm me ushtrinë, e jo me individët.

Së gjashti, gjatë luftës nuk duhen krijuar pengesa në kryerjen e adhurimeve dhe obligimeve fetare. Nëse armiku nuk lufton me ju në një vend, ku ata mund të pengohen për të kryer ritet fetare, atëherë edhe ju nuk duhet të bëni luftë në atë vend.

Së shtati, nëse armiku vetë i përdor si mjet vendet e shenjta për luftë, atëherë jeni të lejuar të luftoni në ato vende, përndryshe jo. Ky ajet tregon se lufta nuk duhet të bëhet as afër vendeve të shenjta, ndërsa, për t’i sulmuar, shembur e rrëzuar ato, as që mund të mendohet. Po, nëse armiku vetë i kthen ato vende në fushëbetejë, atëherë përgjegjësinë e dëmtimit të tyre e ka ai, jo ju.

Së teti, pas nisjes së luftës në vendet fetare, nëse armiku ka kuptuar pasojat e saj të rrezikshme dhe zhvendoset nga atje, për ta vijuar luftën diku tjetër, atëherë ju nuk duhet ta merrni si pretekst nismën e tij, për të dëmtuar vendet e tij të shenjta. Madje, duke treguar respekt ndaj tyre, edhe ju duhet të ndryshoni drejtimin e sulmit tuaj.

Së nënti, luftën mund ta vijoni derisa t’i jepet fund ndërhyrjes në çështjen e fesë dhe feja të konsiderohet si një çështje e ndërgjegjes, duke mos bërë ndërhyrje në të, siç bëhet në çështjet politike. Nëse armiku deklaron se e pranon këtë pikë dhe fillon ta zbatojë atë, atëherë nuk duhet të luftoni më kundër tij, edhe nëse ishte ai që e kishte nisur agresionin.

(3) Pastaj Kurani Famëlartë thotë:

lufta mesimet e luftes lufta mesimet e luftes lufta mesimet e luftes Thuaju atyre që mohuan: nëse heqin dorë (nga lufta), do t’u falet ajo që është e kaluar, por, nëse do ta vazhdojnë, atëherë le të kenë parasysh atë që ndodhi me popujt e mëparshëm. Luftoni kundër tyre, derisa të zhduket trazimi dhe feja t’i përkasë vetëm Allahut. Nëse ata heqin dorë (nga mizoria), atëherë Allahu i sheh mirë veprat e tyre. Por, nëse ata do ta vazhdojnë luftën, atëherë dijeni se Allahu është mbrojtësi juaj. Ai është mbrojtësi dhe ndihmëtari më i mirë. [7]

Këto ajete i drejtohen Profetit duke thënë: O Muhammed, i Dërguari i Allahut! Armiqtë e nisën luftën dhe për këtë shkak u obliguat me urdhrin e Zotit të Lartësuar për t’iu kundërpërgjigjur. Por, lajmëroji ata që edhe tani nëse heqin dorë nga lufta, atyre do t’u falet gjithçka që kanë bërë në të kaluarën. Por nëse nuk heqin dorë nga ajo dhe vijojnë të luftojnë, atëherë ata le t’i kenë parasysh pasojat që u erdhën armiqve të profetëve të mëparshëm, pra, edhe ata do të kenë të njëjtin fat. O Muslimanë! Vazhdojeni luftën derisa të zhduket përndjekja në emër të fesë dhe feja t’i dorëzohet krejtësisht Zotit të Lartësuar dhe njerëzit të reshtin së ndërhyri në çështjen e fesë. E nëse ata do t’u japin fund këtyre gjërave, atëherë mos luftoni kundër tyre vetëm për arsye se ata ndjekin një fe të gabuar, sepse Allahu i di veprat e tyre dhe Ai Vetë do t’i trajtojë ata si të dojë. Ndërsa ju, për shkak të fesë së tyre të gabuar, nuk jeni të lejuar të hyni në çështjet e tyre fetare. Nëse armiku nuk e ndërpret luftën dhe e vijon atë, edhe pas kësaj deklarate për paqe, atëherë dijeni se sado pak të jeni, ju do të triumfoni, sepse Allahu është me ju. Ku ka shok dhe ndihmës më të mirë se sa Zoti i Lartësuar?!

Këto ajete, në Kuranin Famëlartë janë shënuar pas përmendjes së betejës së Bedrit, e cila ishte beteja e parë e mirëfilltë midis mohuesve dhe muslimanëve. Pavarësisht nga fakti që mohuesit arabë i sulmuan muslimanët pa arsye dhe shkaktuan trazira përreth Medinës dhe pavarësisht nga fakti që muslimanët triumfuan dhe armiqve u vranë liderë të tyre të mëdhenj, Kurani Famëlartë, nëpërmjet Profetit Muhammed s.a.v.s. deklaroi para armiqve: edhe tani po ta ndërprisni luftën, do ta ndërpresim edhe ne, sepse ne duam vetëm që feja të mos i imponohet kujt dhe që askush të mos ndërhyjë në çështjen e fesë.

(4) Kurani Famëlartë thotë:

lufta mesimet e luftes lufta mesimet e luftesNëse ata (mohuesit) anojnë nga paqja, edhe ti ano nga ajo dhe mbështetu tek Allahu, sepse me të vërtetë, Ai dëgjon shumë dhe është i Gjithëdijshëm. Dhe nëse ata dëshirojnë të të mashtrojnë, atëherë ty të mjafton Allahu si mbrojtës. Është Ai që të ka forcuar me ndihmën e Tij dhe me besimtarët.[8]

Zoti, në këto ajete, e urdhëron Profetin s.a.v.s. duke thënë: Kurdo që mohuesit të anojnë nga paqja, menjëherë pranoje ftesën e tyre dhe pajtohu me ta e mos i paragjyko se mos duan të bëjnë ndonjë mashtrim. Mbështetu te Zoti i Lartësuar. Ai i dëgjon lutjet dhe di gjithçka. Edhe nëse mendimi yt është i drejtë se ata me të vërtetë janë duke bërë një mashtrim, prapëseprapë, mbaje në mend se asgjë nuk të ndodh nga mashtrimi i tyre. Fitoret të vijnë ty vetëm përmes ndihmës së Allahut, pra, të mjafton ndihma e Tij. Edhe në të kaluarën, Ai të ka ndihmuar, herë drejtpërdrejt, herë përmes besimtarëve.

Ky ajet u thotë muslimanëve që nëse armiku dëshiron të bëjë kompromis, ata duhet ta pranojnë. Mjafton që ai të pranojë kushtet e pajtimit dhe muslimanët nuk duhet ta refuzojnë duke kujtuar se mbase ai nuk e bën me qëllim të mirë dhe se pasi të marrë fuqi, sërish do t’i sulmojë.

Realisht, në këto ajete, është bërë paralajmërimi i traktatit të Hudejbijes dhe është treguar se do të vijë një kohë kur armiku do të dëshirojë të bëjë kompromis dhe muslimanëve u është dhënë porosi për atë kohë që ata nuk duhet të refuzojnë kërkesën e tyre për pajtim duke menduar se armiku i ka nëpërkëmbur dhe, edhe pse tani dëshiron të bëjë marrëveshjen për kompromis, më vonë do ta shkelë atë. Sinqeriteti i kërkon që ata ta pranojnë propozimin e tyre për kompromis. Kjo po ashtu është edhe në dobi të tyre.

(5) Kurani Famëlartë thotë:

lufta mesimet e luftesO besimtarë! Kur të shkoni në luftë në rrugë të Allahut, shqyrtoni gjithçka me kujdes! Mos i thoni atij që ju përshëndet me selam: “Nuk je besimtar”, do të dëshironi pasuritë e kësaj bote, ndërkohë tek Allahu ka fitime të shumta. Kështu ishit edhe ju më parë dhe Allahu ju bëri mirësi, prandaj, shqyrtojini mirë të gjitha punët. Me të vërtetë, Allahu është Njohës i mirë i asaj që bëni ju. [9]

Këto ajete u thonë besimtarëve: Kur të shkoni në luftë, në rrugë të Allahut, shqyrtoni mirë nëse është armiku që ngul këmbë për të luftuar, edhe pse ju i keni shteruar të gjitha negociatat me të.  E nëse ndonjë njeri ose grup njerëzish ju thotë: “Duam të pajtohemi”, atëherë mos i thoni: “Po na mashtroni dhe ne nuk shpresojmë paqe prej jush”. Nëse do të silleni në këtë mënyrë, atëherë nuk jeni duke luftuar në rrugë të Zotit, por jeni duke kërkuar botën materiale. Prandaj, mos veproni në këtë mënyrë, sepse tek Zoti, ashtu siç gjendet feja, gjenden edhe shumë gjëra të kësaj bote. Duhet të mbani në mend që nuk është synimi juaj të vrisni dikë, pasi ju nuk e dini që në të ardhmen, ai mund të udhëzohet. Edhe ju më përpara gjendeshit jashtë Islamit, pastaj Allahu i Lartësuar me mirësinë e Tij jua mundësoi pranimin e kësaj feje. Prandaj, mos u nxitoni të vrisni dikë, madje, shqyrtojeni mirë realitetin. Dijeni, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që bëni ju.

Në këtë ajet Kurani thotë se edhe në kohën kur ka filluar lufta, duhet të shqyrtoni mirë tentimin e armikut nëse do të bëjë luftë agresive apo jo. Ka mundësi që ai të mos dojë agresion, por të jetë duke organizuar vetëm manovra ushtarake për shkak të ndonjë frike. Prandaj, vetëm kur të jeni të sigurt se armiku do të bëjë agresion, atëherë ballafaqohuni me të. E nëse armiku ju thotë: “Jo, nuk duam luftë, ne vetëm po përgatitemi për mbrojtje nga ndonjë sulm”, ju nuk duhet ta paragjykoni duke thënë që përgatitjet e tyre tregojnë se dashkan t’ju sulmojnë, andaj, nuk jeni të bindur se jeni në paqe me ata. Ju duhet ta pranoni fjalën e armikut edhe sikur ai synon t’ju sulmojë. Kujtoni që mbase me kalimin e kohës ai do të heqë dorë nga synimi i tij. Ju vetë jeni dëshmitarë të gjallë se si zemrat ndryshojnë. Edhe ju ishit armiq të Islamit më parë, por tani jeni ushtarë të tij.

(6) Lidhur me marrëveshjen me armikun, Kurani Famëlartë thotë:

lufta mesimet e luftesMe ata idhujtarë, me të cilët keni lidhur marrëveshje e që nuk ju kanë shkelur dhe që nuk i kanë ndihmuar armiqtë kundër jush, jeni të detyruar ta zbatoni marrëveshjen deri në afatin e saj. (Kjo është shenjë e takvasë[10] dhe) Me të vërtetë Allahu i do ata që kanë takva.[11]

(7) Ndër armiqtë që janë në gjendje lufte kundër muslimanëve, nëse dikush dëshiron të dijë të vërtetën rreth Islamit, lidhur me të, Kurani Famëlartë thotë:

lufta mesimet e luftesNga idhujtarët, (që janë duke luftuar kundër jush), nëse ndonjëri kërkon mbrojtje nga ju, (në mënyrë që të studiojë rreth Islamit), atëherë duhet ta strehoni atë, deri në kohën që ai ta studiojë e ta njohë mirë Islamin dhe Kuranin Famëlartë. Pastaj, nën mbrojtjen tuaj përcilleni në vendin, ku ai dëshiron të shkojë dhe të cilin e mendon si të sigurt për vete.[12]

(8) Lidhur me të robëruarit e luftës, Kurani Famëlartë thotë:

lufta mesimet e luftesAsnjë profet s’ka të drejtë të robërojë për vete armiqtë e tij, përveçse në një luftë të mirëfilltë, në të cilën ata do të kapen.[13]

Domethënë, Islami nuk e pranon atë çka ndodhte deri në kohën e Profetit s.a.v.s. e madje edhe shekuj më vonë, ku personat nga pala kundërshtare nëse kapeshin, edhe sikur të mos ishte luftë, robëroheshin.

(9) Pastaj, lidhur me të robëruarit e tillë të luftës, Kurani Famëlartë thotë:

lufta mesimet e luftes(Kur të keni robër lufte), atëherë lirojini, ose me zemërgjerësi, ose duke marrë shpërblim.[14]

(10) Nëse ka edhe të robëruar të tillë, që nuk kanë askënd që të japë shpagim për ta, ose nëse të afërmit e tyre duan që ata të mbeten të robëruar, në mënyrë që t’ua zaptojnë pasurinë, atëherë, lidhur me ta, Kurani Famëlartë udhëzon:

lufta mesimet e luftesAta skllevërit tuaj, (të cilët nuk mund t’i lironi me zemërgjerësi dhe për të cilët as populli i tyre nuk jua jep shpagimin për lirim), nëse ju kërkojnë t’i lironi kundrejt shpagimit (që ata do t’ju paguajnë duke fituar paratë me zanatin e tyre), atëherë ju duhet t’i lironi. Madje duhet t’i ndihmoni edhe ju në këtë përpjekje të tyre, duke harxhuar një pjesë të asaj që Zoti jua ka dhënë juve.[15]

Domethënë, një pjesë e shpagimit të përcaktuar të falet nga pronarët e tyre, ose muslimanët e tjerë bashkërisht t’i ndihmojnë financiarisht, në mënyrë që ata ta paguajnë shpagimin dhe të lirohen.

Këto janë kushtet, me praninë e të cilave, Islami lejon luftën dhe këto janë parimet që Islami kërkon të zbatohen në të. Në bazë të këtyre ajeteve të Kuranit, Profeti Muhammed s.a.v.s. dha edhe mësime shtesë, që janë:

  1. Muslimanët në asnjë mënyrë nuk lejohen të dhunojnë të vrarët. Domethënë, ata nuk duhet të keqtrajtojnë të vrarët e luftës duke ua prerë gjymtyrët.[16]
  2. Muslimanët kurrë nuk duhet të bëjnë mashtrime në luftë.[17]
  3. Nuk duhet të vrasin asnjë fëmijë e as ndonjë grua.[18]
  4. Nuk duhet të vrasin as priftërinjtë apo klerikët e feve të tjera.[19]
  5. Nuk duhet të vrasin pleqtë, fëmijët e gratë dhe gjithmonë duhet të sillen me butësi e me zemërgjerësi.[20]
  6. Kur muslimanët shkojnë për luftë, nuk duhet të krijojnë panik në vendin e armiqve dhe nuk duhet të shtypin civilët.[21]
  7. Kur të shkojnë për luftë, të ngrenë çadrat në një vend të tillë që nuk u krijon shqetësim njerëzve të tjerë dhe gjatë nisjes, të mos ecin në mënyrë që t’i bllokojnë rrugët e të fusin në vështirësi të tjerët. Profeti Muhammed s.a.v.s. ka theksuar fort duke thënë se ai që nuk i zbaton këto rregulla, lufton për veten e jo për hir të Zotit.[22]
  8. Gjatë luftës, të mos e plagosin armikun në fytyrë.[23]
  9. Gjatë luftës, të bëhen përpjekje maksimale që armiku të pësojë sa më pak dëm.[24]
  10. Ndër të robëruarit, nëse disa kanë të afërm të tyre, ata duhet të lihen bashkë.[25]
  11. Muslimanët të kenë kujdes për rehatinë e të robëruarve më shumë sesa për rehatinë e tyre.[26]
  12. Atashetë duhen nderuar e respektuar. Ata edhe nëse gabojnë, duhet të anashkalohen.[27]
  13. Nëse dikush ka keqtrajtuar ndonjë të robëruar, atëherë ai duhet të lirohet pa kërkuar asnjë shpërblim prej tij.
  14. Nëse dikush merr ndonjë të robëruar në shtëpinë e tij, ai duhet ta ushqejë atë me të njëjtën gjë që ha për vete dhe ta veshë në të njëjtën mënyrë siç vishet vet.[28]

Duke marrë udhëzim nga këto porosi, Ebu Bekri r.a. dha edhe një porosi shtesë duke thënë: Mos rrëzoni ndërtesat dhe mos pritni pemët frutore.[29]

Këto porosi tregojnë se sa shumë Islami ka marrë masa për të parandaluar luftën dhe në ç’mënyrë të bukur Profeti Muhammed s.a.v.s. i praktikoi vetë këto mësime, duke i urdhëruar edhe muslimanët t’i praktikonin. Çdo njeri mund të kuptojë që as mësimi i Musaitas nuk mund të quhet i drejtë dhe i zbatueshëm në kohën tonë, e as mësimi i Isaitas nuk mund të jetë i zbatueshëm sot, siç nuk u zbatua kurrë nga bota e krishterë. Është vetëm mësimi i Islamit, i cili jo vetëm që është i zbatueshëm, por duke e praktikuar atë, mund të vendoset paqja në botë.

Padyshim që në ditët tona edhe i nderuari Gandi paraqiti parimin se gjatë luftës nuk duhet të ngremë armë. Por, mësimi që tregoi ai, nuk u praktikua ndonjëherë në botë, andaj nuk jemi në gjendje ta vlerësojmë për të metat apo dobitë e tij. Kongresi e mori pushtetin në të gjallë të Gandit dhe qeveria e tij nuk i shfuqizoi ushtritë, madje ajo po planifikon t’i rikthejë në ushtri edhe ata oficerë të Ushtrisë Kombëtare të Indisë (Indian National Army) që qeveria angleze i kishte hequr. Jo vetëm kaq, por brenda shtatë ditëve të ardhjes së Kongresit në pushtet, qeveria indiane bombardoi njerëz të pafajshëm në një zonë të Veziristanit. Vetë i nderuari Gandi, në shumë raste, ngriti zërin në mbështetje të dhunuesve dhe të lirimit të atyre.

Kjo tregon që mësimi i të nderuarit Gandi nuk mund të jetë i zbatueshëm, gjë që edhe ai e di dhe e dinë edhe ndjekësit e tij. Asnjë model praktik nuk i është paraqitur botës nga ata për të treguar se si mossulmimi mund të aplikohet kur konflikte me armë vazhdojnë midis kombeve dhe shteteve, ose se si kjo metodë mund t’i japë fund luftës. Predikimi i një mësimi për të ndaluar luftërat, por pa dhënë asnjëherë shembullin praktik të zbatimit të tij, tregon se ai mësim është i pazbatueshëm. Përvoja njerëzore e deritanishme dhe edhe vetë logjika, me aq sa na udhëzon, tregojnë se mësimi që kishte zbatuar Profeti Muhammed s.a.v.s. ishte i drejtë.

O Zot! Bekoje Muhammedin dhe popullin e tij, ashtu siç e bekove Ibrahimin dhe popullin e tij. Me të vërtetë, Ti je i Lavdëruar dhe i Nderuar.

(Marrë nga libri “Jeta e Muhammedit s.a.” i botuar në vitin 1948, i shkruar nga Hazret Kalifi i Dytë i Mesihut të Premtuar a.s..)


[1]  Bibla, Ligji i Përtërirë 20:10-18.
[2]  Mateu 5:39.
[3]  Mateu 10:34.
[4]  Luka 22:36.
[5]  Kurani Famëlartë 22:40-41.
[6]  Kurani Famëlartë 2:191-194.
[7] Kurani Famëlartë 8:39-41.
[8] Kurani Famëlartë 8:62-63.
[9]  Kurani Famëlartë 4:95.
[10] Takva, në arabisht, do të thotë “drojë prej Zotit”. Ajo gjithashtu nënkupton se një besimtar i vërtetë, duke qenë i devotshëm, gjithmonë i shmanget mospëlqimit të Zotit dhe mundohet ta kënaqë Atë. [Përkthyesi]
[11] Kurani Famëlartë 9:4.
[12]  Kurani Famëlartë 9:6.
[13]  Kurani Famëlartë 8:68.
[14]  Kurani Famëlartë 47:5.
[15]  Kurani Famëlartë 24:34.
[16]  Muslimi Kitabul-xhihadi ues-sejr, bab tamiril-imam.
[17]  Po aty.
[18]  Muslimi Kitabul-xhihad, bab tahrimi ketlin-nisai ues-sibjan fil-herb.
[19]  Tahavi, Kitabul-xhihad, bab fi ketlin-nisai ues-sigar.
[20]  Ebu Daudi, Kitabul-xhihad, bab ma jumeru min indimamil-esker.
[21]  Muslimi, Kitabul-xhihad, bab fi amril-xhujush bit-tejsir ue-terkit tenfir.
[22]  Ebu Daudi, Kitabul-xhihad, bab ma jumeru min indimamil-esker.
[23]  Buhariu dhe Muslimi.
[24]  Ebu Daudi.
[25]  Ebu Daudi, Kitabul-xhihad, bab fit-tefriki bejnis-sebiji.
[26]  Trimidhi, Ebuabus-sejr.
[27]  Ebu Daudi, Kitabul-xhihad, bab fir-rusul.
[28]  Buhariu.
[29]  Mueta Imam Malik, Kitabul-xhihad, bab en-nehi en ketlin-nisa uel-uildani fil-gezui.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp