Besnikëria e sahabëve muhaxhirë dhe ensarë në luftën e Bedrit
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Besnikëria e sahabëve muhaxhirë dhe ensarë në luftën e Bedrit

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Siç u përmend në hutben e mëparshme, informatorët e dërguar nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthyen dhe e njoftuan për ardhjen e një karvani apo ushtrie. Kur Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) mësoi se ushtria e kurejshve po përparon me shpejtësi për të mbrojtur karvanin tregtar, ai kërkoi këshilla nga sahabët, si dhe i informoi ata për situatën aktuale të kurejshve.

Profeti s.a.v.s. u kërkon këshilla sahabëve

Hazret Ebu Bekri r.a. u ngrit dhe mbajti një fjalim të bukur. Pas tij, u ngrit Hazret Omeri r.a., i cili gjithashtu foli në një mënyrë frymëzuese e emocionuese. Pas tyre, u çua Hazret Mikdad ibn Amri r.a. dhe tha: “O i Dërguar i Allahut! Ne do të qëndrojmë përkrah jush, kudo që Allahu ju ka urdhëruar. Pasha Allahun! Ne nuk do të përgjigjemi si Bijtë e Izraelit, kur ata i thanë Musait a.s.:

فَاذْهَبْ أَنتَ وَرَبُّكَ فَقَاتِلَا إِنَّا هَاهُنَا قَاعِدُونَ

D.m.th. “Shko ti dhe Zoti yt dhe luftoni, kurse ne këtu do të rrimë.” (5:24)

por do të themi: ‘Ju dhe Zoti juaj shkoni dhe luftoni, e ne gjithashtu do të luftojmë me ju’. Pasha Atë që ju ka dërguar me të vërtetën, edhe sikur të na dërgoni në Barak el-Ghimad, ne do të vijmë me ju”. Është shkruar për Barak al-Ghimad se është në Jemen dhe ndodhet pesë ndalesa larg Makës. Arabët gjithashtu kishin zakon të jepnin shembullin e këtij vendi, nëse donin të flisnin për distancën më të largët të mundshme. Ai gjitashtu tha: “Ne do të vazhdojmë të luftojmë me armikun derisa të mbërrijmë në Barak el-Ghimad”. I Dërguari I Allahut s.a.v.s. shprehu fjalë të bukura për të dhe u lut për të.

Sipas një shkrimtari, Barak al-Ghimad ishte një vend i largët, i cili ndodhej në jug të Mekës, në një distancë prej rreth 430 kilometrash larg rrugës kryesore, e cila shpesh përmendet si shprehje për distancën e largët dhe vështirësinë e udhëtimit, njësoj siç e përmendim malin Kaf, për të shprehur vendin më të largët në botë në Urdu. Kjo do të thoshte se ne do të jemi me ju, pavarësisht sa larg të shkoni. Ka edhe një sqarim lidhur me këtë ngjarje. Disa historianë kanë ngritur pyetjen se ajeti i recituar nga Hazret Mikdadi është nga sureja el-Maide dhe kjo sure është zbritur shumë vite më vonë, kështu që historikisht nuk mund të provohet se Hazret Mikdadi r.a. ta kishte recituar këtë ajet. Por, këta historianë nëse kanë ngritur pyetjen, ata gjithashtu janë munduar të japin disa sqarime. P.sh: Ata mund ta kenë dëgjuar këtë ajet nga hebrenjtë, ose njëri prej transmetusve të mëvonshëm ta kishte shtuar këtë varg. Megjithatë, kjo çështje nuk mban ndonjë rëndësi të madhe, pasi këtë transmetim e kanë përcjellë dendur pothuaj të gjithë librat e biografisë. Është shkruar edhe në një komentim të Buhariut, Fet’h el-Bari të Ibn Rexhepit, se nuk është e vërtetë nëse thuhet se e gjithë surja el-Maide ishte zbuluar në rastin e Hutbes së Lamtumirës. Madje, disa nga vargjet e saj ishin shpallur shumë kohë më parë.

Pse kërkonte Profeti s.a.v.s. me këmbëngulje këshillën e ensarëve?

Pastaj është përcjellë se këta të tre d.m.th. Hazret Ebu Bekri, Hazret Omeri dhe Hazret Mikdadi ishin në mesin e muhaxhirëve, ndërsa Profeti i Shenjtë s.a.v.s. donte të dinte mendimin e ensarëve, andaj ai u tha: “O njerëz! Më jepni këshilla”. Arsyeja pse kërkonte me ngulm këshilla prej ensarëve, ishte se në kohën e besëlidhjes së ‘Akabasë, ata i ishin zotuar se nuk mbanin asnjë përgjegjësi për mbrojtjen e tij, derisa Profeti nuk do të emigronte në qytetin e tyre Medinë. Por, kur të vinte në Medinë, ai do të ishte plotësisht në mbrojtjen e tyre. Ata ishin zotuar se do ta mbronin nga çdo rrezik, njësoj siç ata mbrojnë fëmijët dhe gratë e tyre. Kjo ishte gjithashtu arsyeja pse Profeti s.a.v.s. kishte dyshim se a vallë Ensarët do ta mbronin atë kundër armikut, nëse ai do të sulmonte Medinen në befasi. Një ndër kushtet e mbrojtjes së tyre, ishte që ata nuk mund të detyroheshin për të përballur armikun duke dalë nga qyteti i Medinës. Sa’ad Ibn Muadhi tha: “O i Dërguar i Allahut! Duket se ju po kërkoni mendimin tonë”.

Fjalimi emocionues i Sa’ad ibn Muadhit r.a.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. Konfirmoi fjalët e Hazret Sa’dit, ai i tha: “Ne me të vërtetë, ju kemi besuar. Ne ju kemi shprehur bindjen tonë të plotë dhe kemi dëshmuar se feja me të cilën keni ardhur është e vërtetë. Ne gjithashtu ju kemi dhënë besë dhe jemi zotuar se kur do të dëgjojmë urdhrin tuaj, ne do t’i bindemi menjëherë. Pasha Atë, i cili ju ka dërguar me të vërtetë, ne do shkojmë kudo që ju dëshironi, dhe do të qëndrojmë gjithmonë pranë jush. Pasha Allahun, nëse na prini deri në det dhe hidheni në ujë me kalin tuaj, edhe ne do të hidhemi bashkë me ju. Asnjë nga ne, nuk do të mbetet prapa. Nuk na pëlqen që të presim deri nesër, për t’u përballuar me armikun. Ne betohemi se do të japim qëndresë të vendosur në luftë, dhe do të tregojmë besnikërinë tonë në përballje me armikun. Shpresojmë që Allahu t’ju tregojë bëmat tona të lavdishme dhe heroike që do t’ju ngjallin gëzimin. Prandaj, o i Dërguar i Allahut! Na udhëhiqni me bekimet e Allahut”.

Në një transmetim tjetër, të shënuar në Sahihun e Muslimit, këto fjalë i janë atribuar Hazret Sa’ad ibn Ubades r.a.. Megjithatë, sipas shumicës së transmetimeve, Hazret Sa’ad ibn Ubada nuk kishte marrë pjesë në betejën e Bedrit, andaj studiuesit e haditheve pas shqyrtimit të rrëfimeve kanë arritur në përfundimin që ndoshta i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kishte kërkuar sahabëve këshillat dy herë. Herën e parë në Medinë, kur ai mori lajmin për kalimin e një karvani tregtar pranë Medinës dhe Hazret Ubada të ketë mbajtur këtë fjalim atëherë. Ndërsa, herën e dytë kur ata tashmë e kishin nisur udhëtimin, dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. sërish u kishte kërkuar këshilla sahabëve, dhe atëherë Sa’ad ibn Muadhi ta këtë mbajtur këtë fjalim. Megjithatë, këto janë interpretime të ndryshme, që dijetarët kanë shkruar në bazë të mendimit të tyre. Megjithatë, ka dëshmi të pakontestueshme që Hazret Sa’ad ibn Mu’adhi ka thënë këtë.

Me të dëgjuar këtë, Profeti s.a.v.s. shprehu gëzimin dhe tha: “Nisuni dhe paçi myzhdenë që Zoti më ka premtuar se do të triumfojmë mbi njërin prej dy grupeve. Pasha Allahun! Unë sikur po shikoj vendin ku do të vriten dhe do të bien ushtarët armiq”.

Sahabët shprehën gëzim të pamasë kur dëgjuan këto fjalë të Profetit s.a.v.s., por në të njëjtën kohë ata u habitën dhe thanë: هل لا ذكرتَ لَنَا القِتَال وَ نَستَعِد? d.m.th. o i Dërguar i Allahut! Nëse ishit në dijeni për ardhjen e ushtrisë së kurejshve, përse nuk na njoftuan që në Medinë, që të niseshim pak më të përgatitur?”

Megjithatë, pavarësisht nga paralajmërimi hyjnor dhe nga këshilla e sahabëve, dhe pavarësisht marrjes së lajmit të mirë hyjnor nga Profeti i Shenjtë s.a.v.s. se muslimanët me siguri do të shënonin fitore mbi njërin nga këto dy grupe, muslimanët nuk e dinin ende me përpikëri se me cilin grup do të përballeshin. Nëse do t’u jepej mundësia për të zgjedhur se me cilin prej këtyre dy grupeve, donin të ndesheshin, ata me siguri do të anonin nga grupi më i dobët d.m.th. karvani tregtar.

Hazret Musleh-e-Maud r.a. shkruan:

“Kur shpërtheu beteja e Bedrit, jashtë Medinës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mblodhi të gjithë sahabët dhe tha: ‘O njerëz! Më këshilloni, sepse kam mësuar se ndoshta nuk do të ndeshemi me karvanin tregtar, por do të përballemi me ushtrinë që vjen nga Meka’. Njëri pas tjetrit, muhaxhirët u ngritën dhe thanë: ‘O i Dërguar i Allahut! Nisuni për luftë, dhe ne jemi me ju.’ Megjithatë, sa herë që ndonjëri prej muhaxhirëve mbaronte së foluri dhe ulej pasi të kishte shprehur mendimin e tij, Profeti s.a.v.s. thoshte: ‘O njerëz! Më jepni këshillë.’

Ndonëse muhaxhirët po shprehnin gatishmërinë dhe besnikërinë e tyre, pyetja që e shqetësonte me të vërtetë Profetin s.a.v.s. lidhej me mendimin e ensarëve, ndërsa ata heshtnin dhe nuk thoshin asgjë. Në fakt, ensarët heshtën sepse kundërshtari ishte populli mekas, dhe nëse ata do të shprehnin dëshirën e tyre për të luftuar kundër mekasve, muhaxhirët do të mendonin se ensarët po nxisnin për vëllavrasje. Megjithatë, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vazhdoi përsëritas: ‘O njerëz, më këshilloni’, njëri nga ensarët u ngrit dhe tha: Unë mendoj që derisa po pyetni ngultas këshillat, dhe edhe pse muhaxhirët po çohen njëri pas tjetrit dhe ju sigurojnë përkrahje të plotë, ju prapëseprapë po kërkoni me këmbëngulje këshillën tonë, unë mendoj që keni ndërmend të dëgjoni mendimin e ensarëve’. Profeti s.a.v.s. tha: ‘Sigurisht, ashtu është’. Ai tha: ‘O i Dërguar i Allahut! Nëse është pyetja për ensarët, ne heshtëm, sepse pala kundërshtare vjen nga Meka. Nëse thoshim se jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me mekasit, ndoshta kjo do t’i lëndonte ndjenjat e vëllezërve tanë muhaxhirë. Nëse do të shprehnim gatishmërinë tonë për luftë, ata ndoshta mendonin se ne po këshillojmë për vrasjen e vëllezërve dhe të afërmve të tyre’. Pastaj ai tha: ‘O i Dërguar i Allahut! Ndoshta ju po i referoheni zotimit të besëlidhjes në të cilën ne kishim shprehur se nëse armiku sulmon Medinën, ne do t’ju mbrojmë dhe do të luftojmë përkrah jush. Por nëse lufta duhet të zhvillohej jashtë Medinës, ne nuk mund të detyroheshim për të marrë pjesë në të.’ Profeti s.a.v.s. tha: ‘Po. Ashtu është’. Ai tha: ‘O i Dërguar i Allahut! Kur e kishim lidhur këtë besëlidhje, ne nuk e njihnim ende saktësisht pozitën tuaj të lartë. Por, tashmë na është zbuluar statusi juaj i vërtetë dhe na është bërë e qartë pozita juaj. Përpara jush ka një det, dhe jemi të gatshëm të hidhemi në det me kuajt tanë. Pasha Allahun! Nëse ndodh lufta, ne do të luftojmë në të djathtën tuaj dhe në të majtë, dhe ne do të luftojmë para dhe mprapa jush, dhe armiku nuk mund t’ju arrijë deri sa ata të kalojnë mbi trupat tanë të pajetë’.

Vendosja e muslimanëve në fushën e Bedrit

Pas kësaj këshille, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. u nis prej andej dhe u vendos pranë Bedrit, duke kaluar nëpër rrugë të ndryshme. Ndonëse, përshkrime të hollësishme të luftës së Bedrit tashmë janë përmendur, por dua të them që fusha e Bedrit ndodhet 150 kilometra në jugperëndim të Medinës. Ai është një fushë të gjerë shkretëtire në trajtë vezake, me një sipërfaqe prej pesë milje e gjysmë të gjatë dhe katër milje të gjerë, e rrethuar nga male të larta. Rreth kësaj fushe, ka puse dhe pemishte të shumta, ku zakonisht fushonin karvanët tregtarë gjatë udhëtimit të tyre.

Biseda e Profetit s.a.v.s. me një plak arab

Menjëherë pas zbritjes së muslimanëve pranë fushës së Bedrit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Hazret Ebu Bekri u larguan me kuajt e tyre, derisa ndaluan pranë një plaku arab dhe e pyetën për Kurejshin, për Muhammedin dhe shokët e tij pa i treguar se kush ishte ai. Plaku u tha: “Do t’ju përgjigjem vetëm kur të më thoni se cilit fis i përkisni”. Profeti s.a.v.s. tha: “Ne do të të tregojmë për veten tonë, pasi që ti na tregon për veten tënde”. Ai tha: “A do të më ktheni me të njëjtën monedhë?” Profeti s.a.v.s. tha: “Po”. Plaku u tha: “Nëse më kanë thënë të vërtetën, unë di se Muhammedi (s.a.v.s.) dhe shokët e tij ishin nisur filan ditë dhe nëse informatori më ka treguar drejt, Muhammedi (s.a.v.s.) dhe shokët e tij, sot duhet të ishin në filan’. Ai përmendi emrin e vendit ku Profeti (s.a.v.s.) kishte mbërritur. Pastaj ai tha: “Unë gjithashtu kam mësuar se Kurejshët ishin nisur në filan e filan ditë, e nëse informatori nuk më ka gënjyer, atëherë ata do të jenë në filan vend sot”. Ai përmendi saktësisht emrin e vendit, ku kurejshët me të vërtetë kishin vendosur kamp. Ai u tregoi të dyja detajet në mënyrë të saktë. Kur mbaroi rrëfimin, ai i pyeti: “Nga jeni ju?” Profeti (s.a.v.s.) iu përgjigj: “Ne jemi nga uji”. Pastaj Profeti (s.a.v.s.) u largua prej atij vendi. Por plaku i pyeti sërish: “Çfarë do të thuash, kur tregon se je nga uji? A je nga ujërat e Irakut?”

Përgjigja e Profetit s.a.v.s. në atë kohë, duket se mban kuptim të dyfishtë, dhe është diskutuar gjerësisht nga historianët. Studiuesit tanë gjithashtu kanë cituar disa shpjegime nga historianë të ndryshëm mbi këtë çështje. Ata kanë ngritur pyetjen se përgjigjja e Profetit s.a.v.s. nuk ishte e saktë, ashtu siç i kishte premtuar plakut. Disa nga autorët i janë përgjigjur kësaj akuze, duke argumentuar se Profeti s.a.v.s. nuk kishte thënë asgjë në mënyrë të gabuar, madje ai e kishte trajtuar pyetjen me urtësi. Dhënia e një përgjigjeje me kuptim të dyfishtë nuk mund të quhet gënjeshtër, sepse ai nuk dëshironte të tregonte vendndodhjen e tij të sakte, në këtë situatë të rrezikshme lufte. Ajo që Profeti s.a.v.s. tha se ne jemi nga uji, përputhet me deklaratën kuranore se Zoti e ka krijuar çdo gjallesë nga uji. Këtë e ka thënë një biografi algjerian, i cili quhet Ebu Bekr Xhabiri.

Edhe në këtë rast, Alama Burhan Halabi ka shkruar që sipas traditës arabe, nëse dikush duhet të tregonte vendin e tij të lindjes apo banimit, ai tregonte me emrin e ujit d.m.th. të burimit apo përruas që gjendej në atë vend. P.sh. personi thoshte se i përket filan ujit apo burimit të tillë etj.. Një tjetër shpjegim thotë se Profeti s.a.v.s. mund të ketë përmendur ujin e Bedrit, d.m.th., burimin pranë të cilit ai po qëndronte, tamam ashtu siç kishte thënë plaku. Megjithatë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e tha këtë në një mënyrë të tillë, që plakut i shkoi mendja për Irakun. Po ashtu mundet që ai të ketë treguar drejtimin e Bedrit, ndërsa Iraku gjithashtu ndodhej në të njëjtin drejtim. Megjithatë, Allahu e di më së miri.

Marrja në pyetje nga skllevërit mekasë

Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye te sahabët. Kur ra mbrëmja, Profeti s.a.v.s. dërgoi Hazret Aliun r.a., Zubejr ibn ‘Avamin, Sa’ad ibn Ebi Vekasin si dhe disa sahabë të tjerë, drejt përroit të Badrit për të mbledhur informacion. Ata gjetën dy skllevër atje, të cilët furnizonin kampin e kurejshëve me ujë. Sahabët i kapën dhe i sollën në kampin e tyre dhe nisën t’u bënin pyetje. Në këtë kohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po qëndronte në këmbë dhe po lutej. Të dy treguan se po mbushnin ujë për kurejshët dhe që ata i kanë dërguar për të marrë ujë. Sahabët nuk u bindën me dëshminë e tyre, dhe menduan se ata punonin për Ebu Sufjanin. Prandaj, sahabët i rrahën dhe i dhunuan derisa skllevërit për t’u shpëtuar, thanë se ishin punonjësit e Ebu Sufjanit dhe kështu sahabët i lanë të lirë. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. përfundoi namazin, ai u tha sahabëve: “Kur këta thanë të vërtetën, ju i dhunuat dhe kur ata gënjyen, ju i latë të lirë. Pasha Allahun! Ata kanë thënë të vërtetën. Sigurisht, ata janë skllevër të Kurejshëve”. Pastaj ai iu drejtua të dyve dhe u tha: “Më tregoni për gjendjen e kurejshve”. Të dy thanë se ata kanë fushuar në anën tjetër të luginës, prapa asaj kodre.

Urtësia e Profetit s.a.v.s. për të mësuar numrin e ushtrisë mekase

Pastaj Profeti s.a.v.s. i pyeti se sa ishte numri i tyre. Ata thanë se ishin shumë. Kur Profeti s.a.v.s. i pyeti sërish për numrin e tyre, ata treguan se nuk ishin në dijeni. Kur Profeti s.a.v.s. i pyeti se sa deve thernin ata çdo ditë për ushqim, ata u përgjigjën se kurejshët thernin 9 apo 10 deve çdo ditë. Profeti s.a.v.s. tha: “Numri i tyre duhet të jetë midis 900 dhe 1.000.”

Pra, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. llogariti numrin e tyre, në bazë të numrin e deveve, që thereshin çdo ditë. Pastaj Profeti s.a.v.s. i pyeti për njerëzit kryesorë të kurejshëve, ata treguan emrat e disa krerëve, duke përfshirë Ebu Xhehlin, Utben, Sheben, Hakim ibn Hizamin, Umeje ibn Halefin etj. Pastaj Profeti s.a.v.s. iu drejtua njerëzve dhe u tha: هَذِهِ مَكَّةُ قَدْ أَلْقَتْ إلَيْكُمْ أَفْلَاذَ كَبِدِهَا

“Meka ka nxjerrë pjesë të mëlçisë së saj dhe i ka vendosur përpara jush”.

Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahibi ka shkruar një shënim për këtë ngjarje:

Profeti i Shenjtë iu drejtua sahabëve dhe u tha: هَذِهِ مَكَّةُ قَدْ أَلْقَتْ إلَيْكُمْ أَفْلَاذَ كَبِدِهَا  Domethënë, Meka ka nxjerrë pjesë së mëlçisë së saj para jush. Këto ishin fjalë shumë të urta dhe të mençura që dolën spontanisht nga gjuha e tij, sepse përmendja e emrave të njohur të Kurejshëve mund t’u kallte frikë muslimanëve të dobët dhe ata do të lëshonin zemrën, por fjalët e Profetit s.a.v.s. përmblodhën gjithë forcën e tyre dhe ata përqendruan fuqinë e tyre për të menduar se Zoti i kishte dërguar këta krerë për t’u bërë viktima të muslimanëve.

Zgjedhja e vendit me burim uji

Pastaj, Profeti s.a.v.s. dha urdhër për marshimin e ushtrisë në mënyrë që ata të arrinin në përroin e Bedrit para idhujtarëve të Mekës dhe të mos lejonin që ata të mbizotëronin atë pjesë. Me këtë rast, Hazret Habab bin Mundhiri dha një sugjerim. Kur Profeti i Shenjtë s.a.v.s. zbriti pranë burimit më të afërt të Bedrit, Hababi i tha: “O i Dërguar i Allahut! A keni zgjedhur këtë vend me urdhrin e Allahut dhe që ne nuk mund të ecim as para e as mbrapa apo ky është vetëm mendimi dhe taktika juaj e luftës?” Profeti s.a.v.s. tha: “Ky është vetëm një mendim dhe një taktikë lufte.” Pastaj Hazret Hababi tha: “Ky vend nuk është i përshtatshëm, madje ju duhet t’i largoni njerëzit nga këtu dhe t’i urdhroni të ndalen aty, që është vendi më i afërt me burimin e armikut. Përveç kësaj, të gjitha puset duhet të mbyllen dhe krijohet një rezervuar për veten tonë, i cili të mbushet me ujë. Pas kësaj, nëse fillojmë luftë me armikun, do të kemi ujë të mjaftueshëm për të pirë, ndërsa armiku do të privohet nga uji.” Profeti i Shenjtë s.a.v.s. pëlqeu mendimin e tij dhe e quajti të saktë. Ai erdhi në ujin që ishte më afër kurejshëve dhe u vendos atje, dhe me urdhrin e tij pjesa tjetër e puseve u mbyllën. Kjo është referenca në Siret Ibn Hisham.

Pas përzgjedhjes së vendit, pati një fazë të përgatitjes së vendit për qëndrimin e Profetit të Shenjtë s.a.v.s., kështu që me sugjerimin e Sa’ad ibn Muadhit kryetari i fisit Aus, sahabët përgatitën një tendë për Profetin e Shenjtë në një anë të fushës. Hazret Sa’ad ibn Muadhi i tha Profetit të Shenjtë: “O i Dërguar i Allahut! A mos t’ju bëjmë një tendë, që ju të qëndroni në të?”

Besnikëria e Sa’ad ibn Muadhit dhe trimëria e Profetit s.a.v.s.

Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahib i ka përshkruar detajet e këtij momenti. Ndonëse, i kam lexuar këto detaje edhe më parë, por është e nevojshme të shpjegohet edhe këtu.

“Me sugjerimin e Sa’d bin Muadhit, kryetarit të fisit Aus, sahabët vendosën një tendë për Profetin e Shenjtë s.a.v.s. në një pjesë të fushës, dhe Sa’adi e lidhi devenë e Profetit s.a.v.s. afër tendës dhe tha: O i Dërguar i Allahut! Ejani në këtë tendë dhe ne do të luftojmë armikun me emrin e Allahut. Nëse Zoti na jep fitoren, do të plotësohet dëshira jonë, por nëse ndodh të kundërtën, dhe pësojmë humbje, ju duhet të kalëroni shpejt në Medinë në çfarëdo mënyre që mundet. Aty kemi vëllezër e motra, të cilëve nuk mungon asgjë nga besnikëria e sinqeriteti, por që kanë mbetur në Medinë, vetëm sepse nuk kishin menduar se kjo fushatë do përfundonte në luftë. Ndryshe, ata nuk do të ishin mbetur mbrapa. Kur të mësojnë situatën, edhe ata nuk do të ngurrojnë të luftojnë për të mbrojtur jetën tuaj”. Padyshim, këto fjalë tregojnë besnikërinë dhe sinqeritetin e zellshëm të Sa’adit, që meriton vetëm lavdinë e përçmimin, megjithatë për sa i përket të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., ai kurrë nuk do të largohej nga fushëbeteja. Si mund të ndodhte një gjë e tillë? Në fushën e Hunejnit, kur 12.000 trupa morën arratinë, shtylla e palëkundshme e Teuhidit pra i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk u lëkund nga vendi i tij.

Megjithatë, tenda ishte ngritur dhe Sa’adi dhe disa ensarë të tjerë u çuan për ta mbrotjur atë gjatë natës. Profeti i Shenjtë dhe Hazret Ebu Bekri hyrën në të, për të bujtur. Sipas një transmetimi tjetër, Hazret Ebu Bekri r.a. qëndroi me Profetin s.a.v.s. me shpatë të zhveshur në tendë, ndërsa Profeti s.a.v.s. iu lut Zotit gjatë gjithë natës. Është përmendur gjithashtu që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte i vetmi në të gjithë ushtrinë muslimane, që mbeti i zgjuar gjithë natën, ndërkohë të tjerët kishin pushuar sadopak”.

Lidhur me këtë Hazret Musleh-e-Mo’udi r.a. ka shkruar që:

“Kur arritën në fushën e Badrit, sahabët bënë një vend të lartë dhe e bënë Profetin e Shenjtë s.a.v.s. të ulej atje. Pastaj ata u konsultuan me njëri-tjetrin dhe pyetën se kush kishte devenë më të shpejtë. Kështu, ata morën devenë më të shpejtë dhe e lidhën pranë Profetit s.a.v.s.. Kur ai e pa këtë, i pyeti: “Ç’është kjo?” Ata thanë: “O i Dërguar i Allahut! Ne jemi të vogël në numër, ndërsa armiku është shumë më i madh. Kemi frikë se ndoshta ne të gjithë biem dëshmorë në luftë në këtë vend. Ne nuk merakosemi aspak për vdekjen tonë, por e vetmja gjë që na brengos është që ju të mos pësoni ndonjë të keqe. Nëse vdesim, nuk do të ketë dëm për Islamin, por jeta e Islamit lidhet me jetën tuaj, prandaj është e rëndësishme që ne t’ju mbrojmë. Ne kemi caktuar Ebu Bekrin r.a. për t’ju mbrojtur dhe ne e kemi lidhur këtë deve të shpejtë pranë tendës suaj. Nëse ndodh që ne të gjithë vdesim një nga një në këtë vend, ju prapëseprapë do ta keni këtë deve në disponim. Ju lutem, hipini asaj dhe mbërrini sa më shpejt në Madinë. Vëllezërit tanë janë atje, të cilët nuk dinin se do të përballeshim me gjendje lufte. Po ta kishin ditur, edhe ata do të ishin këtu bashkë me ne. Shkoni tek ata, që ata t’ju mbrojnë dhe të jeni i sigurt nga e keqja e armikut”. Ndonëse, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. nuk e pranoi këtë këshillë, e madje si mund t’i bindej ai një kërkese të tillë, por kjo ngjarje tregon besnikërinë e zellshme të këtyre sahabëve.

Trimëria heroike e Hazret Ebu Bekrit r.a.

Hazret Musleh-e-Maud thotë në lidhje me këtë:

Hazret Ali r.a. një herë ka thënë se Ebu Bekri r.a. ishte më trimi ndër sahabët. Ai gjithashtu tha se kur u ndërtua një vend i sheshtë si platformë për Profetin s.a.v.s. para betejës së Bedrit, lindi pyetja se kujt duhet t’i besohet detyra e mbrojtjes së Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Ebu Bekri r.a. brofi menjëherë, dhe me shpatë të zhveshur ai kreu detyrën e tij për ta mbrojtur në kohë të rrezikshme me një guxim të madh.

Megjithatë, në mëngjes Kurejshët filluan të lëviznin përpara nga vendi i tyre. Kur Profeti s.a.v.s. vuri re lëvizjen e tyre, ai tha: “O Allah! këta kurejsh kanë ardhur me krenari dhe arrogancë për të luftuar kundër teje dhe për të përgënjeshtruar të Dërguarin Tënd. O Allah! Përmbushe fjalën e fitores që më ke dhënë dhe jepja fund atyre sot.” Në mesin e idhujtarëve, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. pa Utbe ibn Rabi’an hipur mbi një deve të kuqe. Profeti s.a.v.s. tha: “Nëse ndonjëri prej tyre zotëron ndonjë mirësi, është ai që është hipur në devenë e kuqe. Po t’i binden atij, kurejshët do të gjejnë udhën e drejtë.”

Ka edhe një rast kur mosbesimtarët erdhën për të pirë ujë nga rezervuari i Profetit s.a.v.s.. Edhe pse muslimanët kishin zënë atë burim, por një grup nga kurejshët, iu afrua përroit në fushën e Bedrit, dhe ata filluan të pinin ujë. Midis tyre ishte Hakim ibn Hizami. Profeti s.a.v.s. tha: “Le të pinë ujë.” Atë ditë, kushdo që kishte pirë ujë nga ai përrua, mbeti i vrarë përveç Hakim ibn Hizamit, i cili më vonë kishte pranuar Islamin. Kur Hakimi betohej për ndonjë çështje, ai shpesh thoshte: “Pasha Atë, që më shpëtoi ditën e betejës së Bedrit.”

Është shkruar gjithashtu për rreshtimin e trupave të sahabëve në mëngjes nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s., para se të vinin kurejshët. Profeti s.a.v.s. po i drejtonte rreshtat me një shigjetë në dorë, duke treguar që ata të cilët kishin dalë përpara, të lëviznin pak mbrapa derisa të rreshtoheshin drejt. Ai ia dha flamurin Hazret Musab ibn Umejrit, të cilin ai e nguli në vendin e përcaktuar. Profeti i Shenjtë s.a.v.s. i cili qëndronte me fytyrë nga Lindja, filloi të kontrollonte rreshtat.

Rreshtimi i trupave muslimanë dhe kërkesa e çuditshme e Savadit

Gjatë kohës, kur Profeti i Shenjtë s.a.v.s. po drejtonte rreshtat, është përmendur një ngjarje e çuditshme. Kjo ngjarje tregon dashurinë dhe besnikërinë e Hazret Savad ibn Ghazias ndaj Profetit s.a.v.s.. Është shkruar se teksa drejtonte rreshtat për luftën e Badrit, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. kaloi pranë Savad ibn Ghazias, i cili qëndronte jashtë rreshtit. Profeti s.a.v.s. ia preku barkun me shigjetë dhe tha : “O Savad! Drejtohu.” Hazret Savadi tha: “O i Dërguar i Allahut! Ju më keni lënduar. Allahu ju ka dërguar me drejtësi, andaj më jepni shpagimin sepse më keni qëlluar me shigjetë në bark.” Profeti i Shenjtë s.a.v.s. e ngriti këmishën nga barku dhe i tha: “Ja hakmerru”. Hazret Savadi iu afrua Profetit dhe filloi t’i puthte trupin. Pejgamberi s.a.v.s. e pyeti: “O Savad! Përse e bëre këtë?” Ai tha: “O i Dërguar i Allahut! Ju e shikoni këtë çast. Jemi në prag të luftës dhe nuk e di nëse do të kthehem i gjallë. Unë desha vetëm kaq se çastet e fundit të jetës sime, të kaloja me ju, në mënyrë të tillë që trupi im të preket me trupin tuaj të bekuar.” Profeti i Shenjtë s.a.v.s. bëri lutje për të. Këto ishin shembujt e rrallë të dashurisë dhe besnikërisë. Inshallah, unë do të shpjegoj pjesën tjetër të kësaj teme në të ardhmen.

Namazet e xhenazes

Hafiz Muhammed Ashik sahib

Tani dua të përmend rreth jetës së disa të vdekurve, njëri prej të cilëve është Hafiz Muhammed Ashik Sahib, i cili shërbente si mësues në Institutin Teologjik të Xhematit Ahmedia në Pakistan dhe njëkohësisht qe përgjegjës dhe drejtor i Medresesë së Hafizëve. Ai ka ndërruar jetë para ca ditësh në moshën 85 vjeçare. Ina lil-lahi va ina-ilejhi raxhiun (Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.)

I ndjeri ishte gjithashtu pjesëtar i sistemit të bekuar të Vesijatit. Para se të pranonte ahmediatin, i ndjeri Ashik Sahibi përfundoi hifzin e Kuranit si dhe mësimin e recitimit të tij sipas rregullave të texhvidit. Ai gjithashtu shërbeu si mësimdhënës në medresetë e Ahle-hadithit në pjesë të ndryshme të Pakistanit. Para se të pranonte xhematin, i ndjeri Ashik sahibi i përkiste sektit Ahle-Hadith. Ai vetë ka rrëfyer ngjarjen e anëtarësimit në autobiografinë e tij. Ai shkruan:

“Në vitin 1957, kur isha në Karaçi, krijova shoqëri me disa miq intelektualë. Unë rrija shpesh me ta, lexoja gazetat dhe qëndroja në kuvendin e dijetarëve. Një ditë isha ulur aty duke lexuar një gazetë kur një mik që kishte një libër të Mesihut të Premtuar a.s. tha: “Vëlla! Shiko çfarë mrekulli?” Kur e pyeta, ai më tha: “Shiko dijetarët tanë besojnë se në Kuran paska ajete që shfuqizojnë disa ajete të tjera. Por, Mirza Ghulam Ahmedi nga Kadiani thotë se nuk ka asnjë ajet në Kuran që mund të cilësohet si i shfuqizuar.” Hafiz sahibi thotë: Këto fjalë më ngjallën kureshtje dhe mendova se duhen bërë kërkime nëse këto fjalë janë të vërteta apo të rreme.

Pastaj ai shkruan: Një ditë vendosa të mësoj më shumë rreth Xhematit Musliman Ahmedia, dhe për këtë qëllim shkova “Ahmadiyya Hall” në Karaçi, kur ata kishin mbaruar namazin. Aty, u takova me një ahmedian, të cilit i thashë se kam ardhur për të marrë disa informacione në lidhje me disa çështje kontradiktore. Një zotëri që ishte ulur atje më mori me vete në banesën e tij, dhe më dha disa libra për të studiuar. Unë i lexova ata libra, madje ia tregova edhe njërit prej miqve të mi dijetar. Unë i thashë se gjithçka që përmendet në ata libra është Islami i pastër. Ai hoxhë më tha: Ti je shumë naiv, dhe nuk di asgjë. Besimet e përmendura në libra të vegjël të Mirzait, bazohen plotësisht në Islam, pasi janë shkruar në fillim të jetës së tij. Por, librat që ai ka shkruar më vonë, të cilët janë më voluminoz, aty i ka shkruar ai mendime dhe doktrina të rreme.”

(Ndonëse, vëllimet e “Brahine Ahmedia” i ka shkruar ai, qysh në periudhës fillestare, dhe ata bazohen tërësisht në Islam.)

Sidoqoftë, Hafiz sahibi i kërkoi atij ahmediani tashmë libra më voluminoz, megjithatë, ai dha disa arsyetime si pretekst për t’i mos dhënë libra të trashë. Duhet theksuar se nuk ka asnjë kontradiktë në librat e Mesihut të Premtuar a.s., pavarësisht a janë shkruar herët apo vonë, a janë të hollë apo të trashë. Allahu e di më së mirë arsyen pse ai ahmedian refuzoi t’i jepte librat, por u ndërpre edhe kontakti midis tij dhe Hafiz sahibit.

Pas kësaj, sipas autobiografisë së Hafiz Sahibit, duket se fuqia e veçantë e Zotit i kishte ngjallur atij një dëshirë të zjarrtë në zemrën e tij dhe ai vazhdoi të vizitonte Rabvanë në disa raste dhe të kontaktonte miqtë ahmedianë në nivelin lokal. Njëkohësisht, ai vazhdoi të lutej për të gjetur të vërtetën. Në këtë periudhë lutjeje, ai kishte parë edhe shumë ëndrra. Në një ndër këto ëndrra, ai kishte dëgjuar një thirrje në qiell: إسمعوا صوت السماء جاء المسيح d.m.th. dëgjoni thirrjen qiellore se Mesihu ka ardhur. Në atë kohë vëmendja e tij nuk shkoi tek Ahmediati, por më vonë kur ai kishte pranuar xhematin, iu kujtua se ato ëndrra ishin përmbushur. Hafiz Sahibi ka shkruar se kur vështronte rrjedhën e jetës së tij, mendonte se ishte vetëm mirësia dhe mëshira e Allahut që ai vazhdimisht interesohej dhe tërhiqej drejt Xhematit Ahmedia dhe përfundimisht mori udhëzimin.

Pastaj, ai shkruan se në Ixhtimanë e Ansarullahut, ai u takua me Sheik Abdulkadir sahibin (Sodagarmal), Imamin në Lahor. Ai ende nuk kishte pranuar xhematin, por pasi që kishte parë të gjitha programet e ditës së parë të ixhtimasë, ai shprehu dëshirën në ditën e dytë ose të tretë të ixhtimasë, për t’u anëtarësuar në xhemat. Kështu që ata shkuan në Zyrën e Islah e Irshadid dhe mbushëm formularin e anëtarësimit. Në këtë mënyrë, ai u ndriçua nga drita e xhematit.

Pas pranimit të Xhematit, ai gjithashtu duhej të kalonte përmes sprovave të mëdha. Eprorët, miqtë dhe nxënësit e tij u përpoqën për ta kthyer atë në mënyra të ndryshme. Hafiz Sahibi thotë se pas pranimit të Ahmediatit, i erdhën vështirësi të shumta, por Allahu i Plotfuqishëm e mbajti të palëkundur në besim dhe ia mundësoi të ndiqte udhën e treguar prej Zotit. Derisa, Zoti i Madhërishëm vetë e kishte udhëzuar në xhemat, prandaj asnjë lakmi botërore nuk mundi ta largonte atë nga rruga e së vërtetës. Kundërshtarët e xhematit bënë përpjekje të mëdha për ta larguar nga Xhemati Musliman Ahmedia dhe për ta kthyer sërish në Xhemati Ahli-Hadith, por për shkak të besimit të palëkundur prej Allahut të Madhërishëm, ata dështuan në të gjitha intrigat dhe përpjekjet e tyre. Ai ishte i martuar me një vejushë që kishte tre fëmijë nga martesa e parë. Nga kjo martesë, ata patën një vajzë.

Në lidhje me shërbimet dhe kontributet e tij në xhemat,  ai shkruan se në 1964 Sufi Khuda Bakhsh Zirvi Sahib më takoi në xhami dhe më tha se Hazret Mirza Tahir Ahmed Sahib, i cili ishte në krye të Vakfe Xhedidit, dëshiron të më takojë. Kur Hafiz sahibi u paraqit në zyrën e tij, në fillim ai ia dëgjoi recitimin e Kuranit dhe më pas i caktoi detyrën për t’u dhënë mësimin e Kuranit mësuesve të Vakfe Xhedidit. Ai gjithashtu ia caktoi një banesë. Më vonë më 1 janar 1965, Hafiz Sahibi u caktua si mësues i rregullt në Vakfi Xhedidit. Në të njëjtën kohë, studentët e nivelit “Shahid” të Xhamia Ahmedias vinin në zyrën e Vakfi Xhedidit për të mësuar recitimin e Kuranit prej tij. Më vonë i ndjeri Mir Daud Ahmed Sahibi, i cili ishte drejtori i Xhamia Ahmedias në atë kohë, i dha detyrën për mësimin e Kuranit në klasat e Xhamia Ahmdias. Në të njëjtën kohë, Kolegji i vajzave “Xhamia Nusret” gjithashtu hapi një kurs për recitimin e Kur’anit, dhe Hafiz sahibi shkonte rregullisht edhe atje. Në janar të vitit 1969, kur ndërroi jetë Hafiz Shafik Sahibi, përgjegjës i medresesë Hafiz në Rabva, drejtori i xhamias Mir Daud Ahmad Sahibi i tha Hafiz Muhammed Ashik Sahibit të vinte në medrese dhe të merrte përsipër klasën e hafizëve. Në ato ditë, ky kurs mbahej në xhaminë “Mubarek”. Më kujtohen edhe djemtë e ulur në xhami duke përsëritur pjesë të mësuara përmendsh. Hazret Khalifatul Masih III r.a. pastaj emëroi Hafiz Muhammed Ashik sahibin si përgjegjës për klasën Hafiz. Hazret Kalifi III porositi që Hafiz sahibi të shkonte në medresenë si dhe të jepte mësimet e recitimit për studentët e Vakfi Xhedidit. Prandaj, më 11 qershor 1971, ai u caktua zyrtarisht si drejtor i medresesë së Hafizëve. Në vitin 1998, ai doli në pension, megjithatë, ai vazhdoi të mësonte Kuranin në Medresenë e Hafizëve dhe në Medresetul-Zafar deri në vitin 2019. Me rastin e bekuar të mbledhjes vjetore në vitin 1964, ai pati nder të recitonte për herë të parë.

I ndjeri Hafiz sahibi thotë se në shkurt të vitit 1965, ai pati nderin të takonte Hazret Khalifatul Masih II r.a.. Ai përshkruan detajet e këtij takimi historik në këtë mënyrë dhe thotë: “Shtrëngimi i duarve me të, përbën momentin që më ndryshoi kryekëput jetën time. Sekretari i tij personal më prezantoi përpara Huzurit duke thënë se është Hafiz Muhammed Ashik sahibi dhe është një ahmedian i ri. Teksa ai më prezantonte, Huzuri më shikonte me dhembshuri dhe unë gjithashtu vazhdova të mbaja dorën e tij të bekuar”.

Në muajin e ramazanit, atij u dha detyrë të udhëhiqte namazin e teravive në xhaminë “Mubarek” për 15 vjet. Molana Abdulmalik Khan sahibi, përgjegësi i drejtorisë “Islah Irshad” i pati thënë një herë se atij i besohet detyra për të drejtuar namazin e tervavive në xhaminë “Mubarek” vazhdimisht sepse Hazret Khalifatul Masih III r.a. i pëlqente recitimi i tij. Nxënësit e të ndjerit janë gjithashtu të shumtë dhe tani janë të shpërndarë në vende të ndryshme të botës. Ata që përfituan nga cilësitë e tij si dhe nga njohuria e tij, më ka shkruar letra dhe kanë përshkruar virtytet e tij. Allahu ia lartësoftë të ndjerit gradat në xhenet dhe u ngjalltë pasardhësve të tij përkuhstimin ndaj lutjes dhe sinqeritetin ashtu siç kishte dëshirë ai!

Z. Nuredin el-Hasani

Rasti i dytë është i Z. Nuredin el-Hasani Sahibit, i cili ishte nga Siria. Ishte shumë i vjetër. Ai jetonte në Arabinë Saudite dhe ishte burgosur prej vitesh këto ditë, vetëm për shkak se ishte ahmedian. Ai qe i burgosuri i ndërgjegjes dhe pavarësisht nga sëmundjet dhe vështirësitë, ai qëndroi i palëkundur në besim. Më në fund, në këtë gjendje burgimi, ai ndërroi jetë më 25 maj në moshën 82 vjeçare. Ina lil-lahi va ina-ilejhi raxhiun (Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi)

Babai i tij, Haxhi Abdurrauf el-Hasani, kishte bërë bejat në vitin 1938. Z. Munir el-Hasani sahibi, ish-kryetar i Xhematit të Sirisë, ishte xhaxhai i të ndjerit Nuredin El-Hasani. Që nga fëmijëria e tij, ai u rrit në mjedisin e edukatës dhe vlerave islame dhe të dashurisë për kalifatin. Ai ishte 13 ose 14 vjeç kur ndërroi babai i tij. I ndjeri jetonte shpesh në shoqërinë e z. Munir el-Hasani sahibit dhe mësonte për Xhematin prej tij. Kur Hazret Musleh Mo’udi r.a. vizitoi Damaskun në vitin 1955, ai qëndroi në shtëpinë e xhaxhait të tij Bedruddin el-Hasani. Atëherë, i ndjeri gjithashtu pate nderin të recitonte Kuranin para Hazret Musleh Mo’udit r.a.. Ai agjëronte shpesh të hënave dhe të enjteve. Ai ishte shumë i dhënë pas recitimit të Kuranit. Ai kurrë nuk e la namazin e tehexhudit. Deri në ditën e fundit të jetës së tij, ai qëndroi i palëkundur në besimin e tij në burg dhe nuk bëri asnjë kompromis në çështjen e xhematit. Ai besonte fuqimisht se ndihma e Allahut ishte afër, dhe këtë ua thoshte të gjithë atyre që e vizitonin në burg. Ai ka lënë pas bashkëshorten, e cila nuk është ahmediane, por ka pasur një marrëdhënie besnike bashkëshortore. Ajo ka hequr sakrifica të mëdha gjatë periudhës së burgimit të tij. Ai ka lënë pas tre djem, Abdurrauf el-Hasani, Muhammed Mu’adh el-Hasani dhe Fuad el-Hasani dhe një vajzë, Zejnep el-Hasani. Ka edhe nipër e mbesa, të cilët të gjithë janë ahmedianë të sinqertë.

Muadh el-Hasani Sahibi, djali i të ndjerit, thotë se babai im donte që ne të gjithë vëllezër e motra të hynin në Xhemat me vullnet dhe bindje të plotë. Elhamdulillah se ne kemi lidhur bejatin me besim të plotë dhe filluam të kërkonim Xhematin kur ishim në Arabinë Saudite. Kohët e fundit, ai u lidh me Hashim sahibin të Anglisë, i cili punonte atje. Ai e takonte shpesh dhe angazhohej në punën e xhematit. Ai ishte shumë i sjellshëm dhe me një shpirt të pastër, që gjithmonë mundohej të ndihmonte të tjerët. Më pas ai shkruan, se në vitin 2019, e thirrën në komisariat dhe e burgosën. Pas shumë përpjekjesh dhe mundimesh, u zbulua se policia kishte paditur babanë se ishte ahmedian dhe e predikonte atë në rrjetet sociale. Për dy vjet kemi bërë çdo përpjekje për ta liruar nga burgu, madje kontraktoi disa avokatë. Gjykata kishte lëshuar vendimin për lirimin e tij dhe ai në fakt doli nga burgu. Por vetëm pas disa orësh nga lirimi, policia e kërkoi të paraqitej në komisariat dhe e arrestoi përsëri. Këtë herë, ata u sollën më vrazhdë se më parë. Nuk i dhanë leje të takonte të afërmit, e as nuk e lanë të fliste në telefon. Për shkak të moshës, shëndeti i tij ishte përkeqësuar, dhe për këtë arsye ai u detyrua të vizitonte spitalin megjithatë nuk e lanë të takonte familjen e tij.

Djali i tij më i madh Abdurrauf el-Hasani, i cili jeton në Kanada, shkruan gjithashtu për të se kishte sinqeritet dhe dashuri të madhe për xhematin. Ai ishte i palëkujndur në besimin e tij dhe i përkushtohej veçanërisht adhurimit dhe sinqeritetit. Ai ka shkruar një detaj të vogël se kur e arrestuan në vitin 2016, ai ishte i agjërueshëm dhe nuk i pëlqente të prishte agjërimin edhe pse ai e dinte se do të duhej të durojë vështirësi të mëdha në burg. Kur oficeri i ofroi ujë, ai u përgjigj se po agjëronte. Pastaj, kërkoi leje për të falur namazin e iqindisë. Ai u lut para tij dhe oficeri komentoi se ai ishte falur njësoj si ata. Kjo i la përshtypje, dhe ai e la të lirë. Por, pastaj në dhjetor 2019, pa dhënë asnjë arsye, policia e arrestoi sërish dhe e futi në burg. I ndjeri kishte ndërruar jetë në këtë burgim. Allahu e faltë të ndjerin, e mëshiroftë atë dhe ia lartësoftë gradat në xhenet! Allahu u mundëosftë dhe pasardhësve të tij, të përvetësojnë mirësitë, vitytet dhe cilësitë e të ndjerit. Pas namazit, do të udhëheq edhe faljen e xhenazes, Insha-Allah.

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp