Udhëheqja shembullore e Hazret Omerit r.a. dhe dallimi i tij nga udhëheqësit e tjerë botërorë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Udhëheqja shembullore e Hazret Omerit r.a. dhe dallimi i tij nga udhëheqësit e tjerë botërorë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

أَشْھَدُ أَنْ لَّا إِلٰہَ اِلَّا اللّٰہُ وَحْدَہٗ لَا شَرِیْکَ لَہٗ وَأَشْھَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُہٗ وَ رَسُوْلُہٗ۔أَمَّا بَعْدُ فَأَعُوْذُ بِاللّٰہِ مِنَ الشَّیْطٰنِ الرَّجِیْمِ۔

بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (١)  ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ(٢) ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (٣) مَٰلِكِ يَوۡمِ ٱلدِّينِ (٤) إِيَّاكَ نَعۡبُدُ وَإِيَّاكَ نَسۡتَعِينُ (٥) ٱهۡدِنَا ٱلصِّرَٰطَ ٱلۡمُسۡتَقِيمَ (٦) صِرَٰطَ ٱلَّذِينَ أَنۡعَمۡتَ عَلَيۡهِمۡ غَيۡرِ ٱلۡمَغۡضُوبِ عَلَيۡهِمۡ وَلَا ٱلضَّآلِّينَ (٧)

Si banorët e shkretëtirës arritën të përmbysnin perandoritë bizantine dhe persiane?

Po vijon përmendja e fitoreve të arritura në kohën e Hazret Omerit r.a.. Alama Shibli Numani është një nga biografët e Hazret Omerit r.a., i cili ka përmendur fitoret e Hazret Omerit r.a. si dhe shkaqet e faktorët mbrapa tyre.

Ai shkruan: “Çdo historiani do t’i lindin natyrshëm këto pyetje që si disa njerëz nga shkretëtira arritën të përmbysnin sundimin persian e bizantin. A ishte një ngjarje që përbënte përjashtim? Nëse po, megjithatë duhet të kishte pasur shkaqet. A mund të krahasohet kjo ngjarje me sundimin e Aleksandërit dhe Xhengis Hanit? Sa kishte ndikuar udhëheqja e Kalifatit në atë që ishte arritur? Ne pikërisht duhet t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve, megjithatë është e nevojshme që në fillim të përmendet shtrirja e fitoreve të Hazret Omerit si dhe sipërfaqja e tyre.

Sipërfaqja e territorit që sundohej nga Hazret Omeri r.a. ishte 2.251.030 milje2. Pra, nga Meka e ndritshme, 1036 milje nga veriu, 1087 milje nga Lindja dhe 483 milje nga Jugu. Të gjitha këto janë fitoret e Hazret Omerit r.a. në një periudhë pak më shumë se 10 vjet. Informacioni në prapaskenë që ju kam rrëfyer është e nevojshme për të kuptuar përmasat e këtyre fitoreve.

Së pari, dua t’ju citoj mendimin e historianëve perëndimorë mbi këto fitore. Historianët europianë i janë përgjigjur pyetjes së parë duke aluduar se asokohe persianet dhe bizantinët të dy perandoritë, kishin rënë nga zeniti i tyre në përputhje me ligjin e natyrës. Në Persi, pushteti i Hosro Pervizit tashmë ishte plotësisht i copëtuar, sepse nuk kishte mbetur asnjëri i denjë që mund të mbante frenat e shtetit. Oborrtarët dhe këshilltarët e perandorit kishin filluar të thurnin komplote kundër njëri-tjetrit dhe kjo si rrjedhojë kishte shkaktuar ndërrimin e shpeshtë të pushtetarëve. Vetëm brenda 3-4 vjetësh udhëheqjen e shtetit kishin marrë njëri pas tjetrit udhëheqës. Një arsye ka qenë edhe kjo që sekti Mezdikja ishte bërë mbizotërues dhe ky sekt ishte i prirë ndaj Ilhadit (devejimit) dhe Zandakasë (herezisë). Ndër doktrinat e këtij sekti ishte mendimi që njerëzve t’u largohen ndjenjat e lakmisë dhe mosmarrëveshjet reciproke, si dhe të gjitha pronat të konsiderohen të përbashkëta përfshirë edhe gratë. Gruaja nuk gëzonte asnjë respekt apo pozitë në. Kjo ishte pikëpamja e tyre, përmes së cilës ithtarët e kësaj rryme synonin të reformonin fenë zoroastriane. Disa e kanë quajtur këtë si një lëvizje shoqërore që kishte për qëllim reformën e fesë zoroastriane.

Ndonëse Noshervan kishte arritur të mposhte përhapjen e kësaj feje me shtypje e dhunë, por nuk mundi ta zhdukte atë plotësisht. Kur Islami mbërriti në Persi, ithtarët e këtij sekti i konsideruan muslimanët mbështetësit e tyre, pasi ata nuk kundërshtonin asnjë fe apo besim tjetër. Kjo është pikëpamja e historianëve europianë. Ata gjithashtu shkruajnë që sekti Nestorian i të krishterëve gjithashtu po përndiqej dhe persekutohej nga pushteti. Por me ardhjen e muslimanëve, ata gjithashtu fituan mbrojtje dhe paqe. Në këtë mënyrë, pa ndonjë përpjekje të veçantë, muslimanët arritën të gjenin mbështetjen e dy grupeve të mëdha fetare.

Perandoria Romake gjithashtu kishte humbur shkëlqimin e saj, ndërkohë konfliktet dhe mosmarrëveshjet e brendshme të të krishterëve kishin arritur kulmin. Meqenëse, kisha dhe shteti nuk kishin ndonjë vije ndarëse, prandaj mosmarrëveshjet fetare ndikonin në dobësimin e mëtejshëm të pushtetit.

Alama Shibliu ka kundërshtuar këto mendime të historianëve europianë dhe si përgjigje shkruan: “Ndonëse kësaj përgjigje nuk i mungojnë faktet, por me gjithë përshkrimin që i është dhënë, mënyra e të argumentuarit është një fasadë e falsifikuar, që nuk është veçse një sofistikë europiane. Padyshim, perandoritë bizantine dhe persiane nuk ishin në kulmin e tyre, megjithatë si rrjedhojë e kësaj situate, ato ndoshta nuk mund t’i bënin ballë ndonjë perandorie tjetër të fuqishme, por nuk ishte e mundur që ato të rrënoheshin aq tragjikisht përpara një populli të shkretë e të thjeshtë si arabë. Bizantinët dhe persianët ishin të zotë në luftë. Librat që ishin shkruar veçanërisht për taktikat luftarake në Greqinë e vjetër, të cilët gjenden edhe sot e kësaj dite, përdoreshin si lëndë për edukatën ushtarake te bizantinët. Përveç kësaj, nuk u mungonte asgjë nga mjetet dhe armët për përgatitjen ushtarake. Ushtria kishte në disponim të gjitha llojet e armëve luftarake dhe asnjë herë nuk u binte numri i luftëtarëve. Por mbi të gjithë, kundër muslimanëve, këto ushtri nuk duhet të shkelnin ndonjë vend tjetër, përkundrazi duhet të mbronin tokën, duke qëndruar nëpër kështjellat e tyre të fuqishme.

Vetëm pak kohë para se të sulmonin muslimanët, në kohën e Khusro Pervezit, e cila ishte periudha e artë e persianëve, perandori romak Çezari sulmoi Iranin. Ai shënoi fitore në çdo hap, dhe përfundimisht mbërriti deri në Esfehan. Provincat e Sirisë, që persianët i kishin zaptuar përpara, ai i pushtoi sërish dhe duke përmbysur sistemin e vjetër, vendosi rendin e ri politik. Është një fakt historik që deri në periudhën e Khusro Pervezit, pushteti i persianëve shquhej për madhështinë dhe shkëlqimin e tij. Periudha nga koha e vdekjes së Husro Pervezit dhe deri në ardhjen e muslimanëve është vetëm 4 vjet. Deri sa mund të dobësohej një popull i tillë dhe një perandori kaq e lashtë. Padyshim, ndërrimi i shpeshtë i sundimtarëve kishte ndikuar në sistem, por bazat e pushtet pra thesari, ushtria dhe sektori i të ardhurave nuk ishin ndikuar aspak. Prandaj, kur Jazdgerdi mori frenat e pushtetit, dhe administrata u përqendrua në vendosjen e rendit dhe në reformë, shkëlqimi i tyre u kthye menjëherë.

Ndonëse, sekti Mezdakite ekzistonte në Persi, por nuk kemi arritur të gjejmë ndonjë dëshmi historike se ata t’u kenë dhënë muslimanëve ndonjë mbështetje apo ndihmë të mirëfilltë. Në të njëjtën mënyrë edhe kontributi i sektit Nestorian nuk përmendet asgjëkund.

(Nestorian është një sekt i krishterë, i cili besonte se natyra hyjnore dhe njerëzore ekzistonin të ndarë në qenien e Hazret Isait.) Madje, vetë historianët europianë nuk kanë cituar kurrë mosmarrëveshjet e tyre fetare si një shkak i rënies së tyre.

Krahas kësaj gjendjeje, hidhini një sy arabëve. Të gjitha forcat e ushtrisë që ishin të angazhuar në luftërat në Egjipt, Persi dhe Bizantinë, edhe nëse bashkoheshin, nuk mund të kapnin shifrën 100,000. Arabët ishin aq larg nga stërvitja dhe përgatitja ushtarake, saqë lufta e Jermukut ishte beteja e parë, kur arabët kishin bërë rreshtimin e trupave sipas mënyrës së Tabijes. Nga “Tabija” nënkuptohet vendosja e ushtarëve sipas rregullave të caktuara, në të cilën kryekomandanti apo mbreti i cili udhëheq ushtrinë qëndron në zemër të ushtrisë. Çdo ushtar pers ishte i pajisur me përkrenare, mburoje, parzmore, koracë, rripat prej metali që viheshin mbi gjoksin, shpinën dhe të dy kofshët, dorashka prej metali, rripat të zinxhirtë në helmetë si dhe këpucët ushtarake. Ndërkohë, në krahasim me këto, arabët kishin vetëm përkrenare, e cila në shumicën e rasteve ishte prej lëkure. Pra, të gjitha veshjet ushtarake të ushtarëve persianë ishin prej metali për mbrojtje, ndërkohë nëse arabët kishin diçka, ajo ishte prej lëkure. Samari i tyre ishte gjithashtu prej druri. Arabët nuk i njihnin armët si topuz apo përdorimin e shkallëve të litarit. Topuz është një armë që ka shkop të trashë prej hekuri, me kokë të madhe, të rrumbullakët zakonisht me thumba, që përdorej në kohë të vjetra për të goditur armikun. Shigjetat e arabëve ishin aq të vogla e të dobëta, saqë kur persianët i kishin parë për herë të parë në luftën e Kadisijes, ata kujtuan se ato ishin akrepa apo furkë.

Tani duke arsyetuar shkaqet e vërteta që iu mundësuan fitore muslimanëve, Alama Shibliu shkruan:

Sipas nesh, përgjigja e saktë e kësaj pyetjeje është vetëm kaq se Profeti i Islamit s.a.v.s., u kishte ngjallur muslimanëve aq shumë bindje, frymëzim, vendosmëri, vullnet dhe trimëri, të cilat Hazret Omeri vetëm i kishte çelikosur dhe u kishte dhënë një forcë më të hovshme, saqë perandoritë persiane dhe bizantine nuk mund t’i bënin ballë, edhe nëse të ishin në kulmin e tyre të fuqisë. Megjithatë, kësaj fryme i ishin bashkuar edhe faktorë të tjerë, të cilat ndonëse nuk luajtën ndonjë rol të rëndësishëm në fitore, por kontribuuan në ngritjen dhe vendosjen e pushtetit. Ndër këta faktorë, i pari ishte drejtësia dhe ndershmëria e muslimanëve. Çfarëdo vendi që pushtonin, muslimanët u linin banorëve përshtypje aq të mira përmes shembullit të drejtësisë dhe sinqeritetit, saqë pavarësisht kundërshtimit në pikëpamjet fetare, ata nuk donin humbjen e muslimanëve.

Para luftës së Jermukut, kur muslimanët u detyruan të tërhiqeshin nga disa rrethe të Levantit, populli i krishterë i përcolli duke thënë: “Zoti ju sjelltë sërish si sundimtarë në këtë vend” ndërkohë hebrenjtë me Teuratin në dorë, zotoheshin “Derisa jemi të gjallë, Çezari nuk mund ta shkelë këtë tokë”. Pushteti i bizantinëve në Levant dhe në Egjipt ishte autoritar dhe tiranik, prandaj ata sunduan vendin vetëm përmes fuqisë së shtetit dhe ushtrisë së tyre, ndërkohë populli nuk ishte me të”. Kur muslimanët përmbysën sundimin e tyre, horizonti ishte i pakufishëm dhe i hapur për ta, dhe nuk kishin asnjë pengesë nga populli.

Krahas kësaj, gjendja e persianëve ishte krejtësisht ndryshe. Brenda kupolës së perandorisë, ishin principatë të shumta, që sundoheshin nga feudalë të mëdhenj. Këta feudalë që pushtonin rrethe dhe provinca të mëdha, nuk luftonin për perandorinë, përkundrazi për pushtetin e tyre individual.

Kjo ishte arsyeja, që edhe pas fitores së fronit qendror, muslimanët, në çdo hap, u përballuan me vështirësi dhe pengesa. Megjithatë, meqë populli i thjeshtë po i përkrahte muslimanët, ata e kishin më të lehtë, shtrirjen e pushtetit.

Një tjetër faktor i rëndësishëm ishte që në fillim, frontet e para të luftës ishin Levant e Irak, vendet ku banonte popullsia arabe në shumicë. Në Damask të Levantit fisi Gasan sundonte vendin dhe ishte vetëm me emër nën pushtetin e Çezarit. Në Irak, fisi Lakhmi kishte autoritet në vend, edhe pse i paguanin Khusros diçka si haraç. Meqenëse, këta arabë ndiqnin fenë e krishterë, prandaj në fillim ata i kundërshtuan muslimanët, por ndjenja e lidhjes kombëtare nuk mund të fshihej. Shumë shpejt, disa kryetarë të rëndësishëm në Irak pranuan Islamin dhe më vonë u bënë mbështetës dhe aleatë të muslimanëve. Arabët e Levantit gjithashtu përqafuan Islamin dhe shpallën pavarësinë nga sundimi bizantin.

Dallimi dhe epërsia e Hazret Omerit ndaj Xhengis Hanit dhe Aleksandërit të Madh

Në këtë kontekst, përmendja e emrave si Xhengis dhe Aleksandër është plotësisht e papërshtatshme. Sigurisht, ata dy kishin shënuar fitore madhështore, por shtrohet pyetja: Si i arritën ata këto fitore? Përmes shtypjes, tiranisë dhe masakrës barbare. Të gjithë e njohin historinë e Xhingizit. Nëse krahasojmë fitoren e Aleksandrit me fitoret e muslimanëve, do të gjejmë se kur ai shënoi fitore në Sur, një qytet të Sirisë, meqë banorët e këtij qyteti i kishin dhënë një qëndresë të guximshme, ai lëshoi urdhër për të varur kokat e një mijë banorëve në murin e qytetit. Përveç kësaj, ai shiti si skllevër 30 mijë burra dhe gra, që jetonin në atë qytet. Nuk u fal jeta e asnjërit prej banorëve të vjetër, të cilët kishin shprehur dëshirë për të jetuar në liri. Në mënyrë të ngjashme, kur ai mposhti qytetin Istekhr të Persisë (i cili është një nga qytetet e lashta të Iranit), masakroi të gjithë burrat e qytetit. Po ashtu, janë një sërë aktesh të mizorisë barbare që i atribuohen Aleksandrit të Madh.

Si mund të krahasohen këto akte me fitoret e muslimanëve? Është një parim i përgjithshëm që shtypja dhe padrejtësia nxisin përmbysjen e një perandorie të tërë. Është e vërtetë që mizoria dhe shtypja nuk mund të qëndrojnë përgjithmonë. Prandaj, edhe perandoritë e themeluara nga Aleksandri i Madh dhe Xhengisi nuk zgjatën shumë. Megjithatë, kësisoj mizorish japin rezultate për fitoret e menjëhershme, pasi një vend i plotë nënshtrohet nga frika dhe tmerri. Po ashtu, meqenëse pjesa më e madhe e popullsisë tashmë është masakruar, prandaj nuk mbetet më as frika e kryengritjes apo revoltës popullore. Kjo është arsyeja që Xhengisi, Nebuchadnezzer, Tejmuri dhe Nadir Shahu që ishin pushtues të mëdhenj, ishin gjithashtu që të gjithë mizor e të pamëshirshëm.

Fitoret e tij nuk iu kundërvënë ligjit apo drejtësisë

Ndërkohë, në fitoret e Hazret Omerit, nuk u kundërvu asnjë ligj dhe nuk u bë asnjë padrejtësi. Lëreni urdhrin për të vrarë burrat, në periudhën e tij, nuk lejohej as një pemë të pritej. Fëmijëve dhe të moshuarve nuk u shkaktohej asnjë dëm. Nuk lejohej të vritej asnjëri, përveçse në luftë të ashpër. Në asnjë rrethanë, nuk lejoheshin tradhtia a shkelja e marrëveshjes apo veprime mashtruese kundër armikut. Oficerët kishin urdhra të prerë për të mos vepruar me dredhi gjatë luftës, për të mos çnderuar a cenuar trupat e armiqve, për të mos lënduar fëmijët. Ata kishin urdhra që të luftonin në mënyrë të hapur e jo fshehurazi. Atyre që pas nënshtrimit ndaj sundimit të muslimanëve, kishin shpallur revoltë, u kërkohej zotimin e marrëveshjes dhe liheshin me amnisti e falje. P.sh. banorët e Arbasusit, kishin shkelur marrëveshjen e tyre 3 herë. (Arbasusi është një qytezë që ndodhet në kufirin e fundit të Sirisë dhe kufizohet me Azinë e Vogël.) Hazret Omeri r.a. i ndëshkoi vetëm duke i dëbuar nga qyteti, por njëkohësisht ai urdhëroi që ata të dëmshpërbleheshin për pronat e tyre, tashmë të pushtuara nga muslimanët”.

Allama Shibliu shkruan më tej:

“Nëse hebrenjtë e Hajberit ishin përzënë nga toka e tyre si ndëshkim për shkak të nxitjeve, komploteve kundër shtetit dhe revoltës së tyre, (Hazret Omeri) urdhëroi që ata të paguheshin për pronat e tyre, tashmë të pushtuara nga muslimanët. Përveç kësaj, ai dërgoi mesazh në rrethe që kudo që do të kalonin këta njerëz, t’u ofrohej çdolloj ndihme. Nëse ata, vendosin për të jetuar në një vend, atëherë t’u mos kërkohen taksat për një vit”.

Pastaj ai shkruan:

“Ata që shprehen se në histori kanë qenë edhe figura të tjera, të cilët kanë shënuar arritje të ngjashme me Hazret Omerin, duhet të tregojnë gjithashtu se cili sundimtar ka fituar qoftë një pëllëmbë tokë të huaj, duke u përmbajtur të gjitha këtyre rregullave dhe parimeve.

Përveç kësaj, Aleksandri dhe Xhengisi gjithmonë merrnin pjesë në çdo luftë dhe ishin të pranishëm në çdo situatë dhe udhëhiqnin ushtritë e tyre gjithmonë si kryekomandant. Në këtë mënyrë, jo vetëm që ushtria gëzonte praninë e një kryekomandanti të kalitur, por ata gjithashtu luftonin të frymëzuar, me dëshirën që të flijoheshin për prijësin e tyre. Krahas kësaj, Hazret Omeri r.a. gjatë mbarë periudhës së Kalifatit, nuk mori pjesë në asnjë luftë. Ushtritë po zhvillonin luftë në vende të ndryshme, por frenat e tyre i kishte Hazret Omeri r.a..

Një tjetër dallim i madh dhe i qartë është që fitoret e Aleksandrit u ngjanin reve të ngarkuara, të cilat vinin rrëmbyeshëm, shkarkoheshin dhe lëviznin tutje. Këta njerëz, nuk vendosën asnjë sistem qeverisjeje në vendet e pushtuara. Krahas kësaj, vendet e sunduara nga Hazret Omeri r.a. kanë një dallim të madh, që edhe pse kanë kaluar 1300 vjet, ato janë akoma nën sundimin e muslimanëve. Hazret Omeri r.a. vetë kishte themeluar sistemin e qeverisjes atje”.

Për sa i përket rolit të Hazret Omerit në këto fitore, ai shkruan:

“Përgjigja ndaj pyetjes së fundit, sipas mendimit të përgjithshëm është që roli i kalifit nuk ishte kaq i madh, madje të gjitha fitoret burojnë nga ndjenjat e vendosmërisë dhe nga frymëzimi i tyre. Megjithatë, unë nuk pajtohem me këtë. Edhe në periudhën e Hazret Osmanit r.a dhe të Hazret Aliut r.a., muslimanët ishin të njëjtë, por shikoni çfarë ndodhi. Padyshim, frymëzimi dhe vendosmëria janë cilësi të fuqishme, por ato mund të shërbejnë vetëm atëherë kur drejtohen prej atij, i cili është gjithashtu po aq i vendosur dhe i frymëzuar. Këtu nuk ka nevojë për hamendësime apo argumentime, pasi vetë ngjarjet dëshmojnë të vërtetën.

Kur lexuesi studion përshkrimet e atyre fitoreve, ai mund të kuptojë lehtë se e gjithë ushtria vepronte si kukull sipas vullnetit të Hazret Omerit. Disiplina dhe renditja e ushtrisë ishte rezultati i administrimit dhe planifikimit të tij. Hazret Omeri r.a. vetë i mbikëqyrte çështjet si formimin e ushtrisë, stërvitjet ushtarake, ndërtimin e kazermave ushtarake, ushtrimet e hipizmit, mbrojtjen e fortesave, urdhrat për të sulmuar në varësi të kohës së ftohtë apo të nxehtë, lëvizjen e ushtrisë, organizimin e sistemit të vëzhgimit, përzgjedhjen e oficerëve ushtarakë, përdorimin e mjeteve ushtarake për të pushtuar fortesat, etj. Përmbushja e këtyre çështjeve dhe vendosja e tyre me fuqi dhe autoritet ishte vetëm aftësia e tij. Në fitoret e Irakut, Hazret Omeri r.a. po luante rolin e kryekomandantit. Kur ushtria nisej nga Medina, Hazret Omeri vetë i caktonte vendet ku ushtria duhet të bënte ndalime për pushim, madje ai e caktonte itinerarin që duhet ta ndiqte ajo. Hazret Omeri jepte porosi të detajuara në shkrim në bazë të këtij itinerari. Kur ushtria mbërriti afër Kadisijes, Hazret Omeri kërkoi hartën gjeografike të vendit dhe në bazë të saj, dha udhëzime për formimin dhe rreshtimin e ushtarëve. Të gjithë oficerët në shërbimin ushtarak merrnin detyra sipas urdhrave të Hazret Omerit.

Nëse hulumtoni në Tarikh Teberi ngjarjet e Irakut me hollësi, do t’ju shfaqet qartë se një kryekomandant po organizon prej së largu të gjitha manovrat e ushtrive dhe çdo lëvizje është kurdisur me kujdes prej tij. Ndër këto luftëra, që zgjatën pothuaj 10 vjet, ishin dy raste që me të vërtetë ishin më të rrezikshme. E para ishte beteja e Nehavendit, kur iranianët nxitën revoltë në të gjitha provincat e Iranit dhe filluan mësymë kundër muslimanëve me qindra mijëra ushtarë. Rasti i dytë ishte kur perandori bizantin me mbështetjen nga banorët e Xhezires, kishte mësyrë për të rimarrë Homsin. Në të dyja këto rate, ishte vetë udhëheqja e shkëlqyer e Hazret Omerit, e cila arriti të zhdukte shtrëngatën që shpërthehej fuqishëm dhe në anën tjetër shkatërroi një hendek të pakapërcyeshëm. Pas një përshkrimi të hollësishëm të këtyre ngjarjeve, bëhet e qartë se qysh prej lashtësisë, bota nuk ka njohur një triumfues dhe sundues të tillë, i cili të pasqyrojë fitoret dhe drejtësinë në mënyrë kaq të harmonishme.[1]

Martirizimi i Hazret Omerit r.a.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e ka quajtur Hazret Omerin r.a. si martir. Hazret Abdullah ibn Omeri r.a. përcjell se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa Hazret Omerin të veshur në të bardhë. Ai e pyeti: A janë rroba të reja a janë të lara? Hazret Abdullah ibn Omeri ka thënë se ai nuk mbante mend se si i ishte përgjigjur Hazret Omeri kësaj pyetjeje, por i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte lutur për të dhe i kishte thënë: Vishu në rroba të reja, kalo një jetë të lavdishme dhe vdis si dëshmor”. Hazret Ibn Omeri shton: “Më duket se Profeti s.a.v.s. i kishte thënë gjithashtu: Allahu të dhuroftë freskinë e dynjasë dhe të ahiretit!”[2]

Hazret Enes ibn Maliku r.a. përcjell se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s., Hazret Ebu Bekri, Hazret Omeri dhe Hazret Osmani u ngjitën në malin Uhud dhe mali nisi të lëkundej. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: O Uhud! Mbahu. Sot një profet, një i vërtetë dhe dy dëshmorë gjenden mbi të”.[3]

Hazret Ubej ibn Ka’abi r.a. përcjell se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë se Xhibrili i kishte thënë se bota islame do të vajtojë për vdekjen e Hazret Omeritr.a..[4]

Dëshira për t’u rënë dëshmor

Në lidhje me dëshirën e tij, për t’u rënë dëshmor, bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe njëherazi vajza e Hazret Omerit, Hazret Hafsa r.a. ka thënë se ajo ka dëgjuar të atin e saj duke u lutur: اَللّٰهُمَّ ارْزُقْنِي قَتْلًا فِي سَبِیلِكَ وَوَفَاۃً فِي بَلَدِ نَبِیِّكَ o Allah! Më dhuro martirizim në rrugën Tënde dhe më jep vdekje në qytetin e Profetit Tënd”. Ajo gjithashtu shton se e pyeta: Si është e mundur kjo? Hazret Omeri m’u përgjigj: إِنَّ اللّٰہَ یَأْتي بِأَمْرِہٖ أَنّٰی شَاءَ Allahu vendos ashtu siç i pëlqen Atij.[5]

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. gjithashtu ka përshkruar lutjen e Hazret Omerit r.a. për martirizim. Ai shkruan:

“Hazret Omeri r.a. ishte njeri kaq pranë Allahut, saqë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë që nëse dikush do të ishte profet pas tij, ai do të ishte Omeri. Këtu nga termi “pas meje” nënkuptohet “menjëherë pas tij”. Pra, në sy të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. njeriu më i përshtatshëm, të cilin nëse Zoti do të lartësonte nga shkalla e dëshmorit në pozitën e profetit sipas nevojave të asaj kohe, ai do të ishte Omeri. Madje kundërshtarët më të përbetuar europianë kanë shkruar që në historinë njerëzore rrallëherë vjen ndonjë figurë që mund të krahasohet me Omerin, i cili sakrifikoi gjithçka dhe iu kushtua plotësisht Islamit. Madje, ata tepronin duke thënë se përparimi i Islamit i atribuohet atij. Po, ai Omer bënte këtë lutje: O Zoti im! Më mundëso të vdes në Medinë dhe si një dëshmor”.

Hazret Musleh el-Mo’udi shkruan më tej:

“Hazret Omeri kishte bërë këtë lutje duke shprehur dashurinë e tij ndaj Zotit, por kjo lutje përfshinte edhe rreziqe. Kjo nënkuptonte se një triumfues i madh, i cili të ketë pushtuar të gjitha vendet muslimane, të mësyjë Medinën dhe ta martirizojë atë. Megjithatë, Allahu i Madhërishëm, i cili i di fshehtësitë e zemrës, ia plotësoi dëshirën Hazret Omerit, por njëherazi mbrojti Medinën nga rreziqet që fshiheshin në këtë lutje. Pra, një mosbesimtar i cili jetonte në Medinë e martirizoi atë. Megjithatë, lutja e Hazret Omerit tregon se sipas tij nëse dikujt i jepet mundësi të binte dëshmor për hir të Zotit, kjo do të ishte një shenjë që ka fituar lidhjen me Zotit, megjithatë sot njerëzit kujtojnë se shenja e afërsisë me Zotin është që Ai t’i shpëtojë jetën robit”.[6]

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka përshkruar ngjarjen e martirizimit të Hazret Omerit r.a. dhe lutjen e tij. Ai shkruan:

“Në histori përmendet se Hazret Omeri r.a. gjithmonë lutej që të gjente vdekje në Medinë dhe që ai të vdiste si dëshmor. Vdekja është diçka e llahtarshme, e cila bën që edhe të afërmit të braktisin. Thuhet se njëherë një gruaje i kishte rënë sëmurë vajza. Ajo lutej që vajza të shpëtonte dhe në vend të saj të vdiste ajo. Një natë, lopa e saj rastësisht zgjidhi litarin dhe futi kokën në një fuçi. Koka i mbeti në fuçi dhe ajo bashkë me fuçi në kokë, nisi të sillej andej këtej. Kjo pamje e lopës me diçka kaq të frikshme në kokë, i kalli frikë gruas. Sa i çeli sytë, ajo u tremb nga diçka e çuditshme dhe e madhe, që sillej frikshëm gjithandej. Ajo kujtoi se ndoshta asaj i është përgjigjur lutja dhe ka ardhur engjëlli Azraili për t’ia marrë shpirtin. Por, ajo u ngrit sakaq me vrull dhe i tha: “O Azrail! Nuk jam unë e sëmurë, por është ajo që është shtrirë andej. Shko dhe merrja shpirtin”. Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka thënë: “Jeta është një dhunti kaq e çmuar, saqë njeriu bën çdo përpjekje për ta shpëtuar atë. Përpara ajo lutej për vajzën e saj, por kur ndjeu se jeta e saj ishte në rrezik, ajo menjëherë bëri me dorë ndaj vajzës së saj, që Azraili t’ia merrte shpirtin asaj. Njeriu nganjëherë ngelet pa kokërr leku duke harxhuar gjithçka për t’u shëruar nga ndonjë sëmundje, por sahabët kishin një dëshirë të flaktë për të sakrifikuar jetën për hir të Zotit. Prandaj, edhe Hazret Omeri lutej që të martirizohej në Medinë”.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. shkruan më tej:

“Unë mendova se kjo lutje e Hazret Omerit r.a. ishte shumë e rrezikshme. Ajo nënkuptonte se armiku të mësynte Medinën dhe të martirizonte Hazret Omerin nëpër rrugicat e qytetit, por Zoti ia pranoi lutjen në një mënyrë tjetër. Ai u martirizua në Medinë nga një njeri që njihej si musliman. Ndonëse në disa rrëfime, vrasësi i Hazret Omerit r.a. është përshkruar si një jomusliman, por në disa burime të tjera, është përmendur se ai e quante veten si musliman. Megjithatë vrasësi, përmes të cilit Zoti bëri që të martirizohej Hazret Omeri, ishte një skllav. Kështu, kur njeriu ka dëshirë të madhe për të arritur diçka, ajo dëshirë kurrë nuk i bëhet taksirat a fatkeqësi”.[7]

Ëndrrat e disa sahabëve për martirizimin e Hazret Omerit r.a.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. kishte cituar këtë ngjarje gjithashtu në një fjalim. Ai tha:

“Hazret Ebu Burdaja përcjell nga babai i tij se Hazret Auf ibn Maliku kishte parë në ëndërr se njerëzit ishin mbledhur në një fushë, dhe një njeri prej tyre ishte pothuaj tre krahë më i gjatë se të tjerët. Unë pyeta se kush qe ai? Mua m’u përgjigj se ishte Omer ibn Hattabi. Unë pyeta sërish se përse ishte më i gjatë se të tjerët? Ata më thanë: sepse ka tri cilësi. Në çështjet që i përkasin Zotit, ai nuk i frikësohej qortimit të asnjërit. Ai do të fitojë gradën e dëshmorit dhe do të zgjidhet kalif”.

Hazret Auf ibn Maliku r.a. shkoi te Hazret Ebu Bekri, i cili ishte kalifi në atë kohë me qëllim që t’i rrëfente këtë ëndërr. Kur ai i rrëfeu ëndrrën, Hazret Ebu Bekri ftoi Hazret Omerin dhe e përgëzoi atë. Pastaj, e porosit iHazret Aufin që të rrëfente ëndrrën e tij. Sipas transmetuesit, kur Hazret Aufi tha që ai do të bëhej kalif, Hazret Omeri e qortoi atë dhe nuk e la të fliste më, pasi Hazret Ebu Bekri r.a. ishte i gjallë.

Më vonë, kur Hazret Omeri ishte zgjedhur si kalif, ai shkoi në Siri dhe aty mbajti një fjalim. Gjatë fjalimit, ai e pa Hazret Aufin r.a. dhe e ftoi në foltore. Ai e porositi që të përcillte ëndrrën, dhe Hazret Aufi rrëfeu atë ëndërr. Në fund, Hazret Omeri tha: Për sa i përket fjalës se unë nuk i trembem qortimit të askujt në çështjet që i përkasin Allahut, unë shpresoj se Allahu më bëftë prej njerëzve të tillë. Në lidhje me zgjedhjen time në krye të Kalifatit, unë tashmë jam bërë kalif dhe i lutem Allahut që të më ndihmojë në përmbushjen e kësaj përgjegjësie. Për sa i përket çështjes se do të bie dëshmor, unë nuk di se si mund të përmbushet kjo pjesë. Unë jetoj në gadishullin arab dhe nuk luftoj me fqinjët që na rrethojnë. Megjithatë, nëse do Allahu, Ai do të më bashkojë me martirizim.

Hazret Enes ibn Maliku r.a. përcjell se Hazret Ebu Musa el-Ashariu ka treguar se kishte parë në ëndërr disa shtigje, që ai kishte ndjekur, por ato u zhdukën dhe mbeti vetëm një shteg. Ai e ndoqi atë derisa ngjiti në një mal. Kur mbërri në majë, ai gjeti atje të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., dhe pranë tij qëndronte Hazret Ebu Bekri r.a.. Ai po thërriste Hazret Omerin r.a. me dorë që t’u bashkohej. Atëherë Hazret Enesi u shpreh:  إِنَّا لِلَّهِ وَإِنَّا إِلَيْهِ رَاجِعُونَ Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi.[8] Pasha Allahun! Prijësi i besimtarëve ka ndërruar jetë”. Hazret Enesi shton: “Unë mendova se këtë ëndërr nuk do t’i shkruaj Hazret Omerit r.a. pasi, nuk desha ta lajmëroja atë për vdekjen e tij”.[9]

Sa’id ibn Ebu Hilahi ka përcjellë se Hazret Omer ibn Hattabi iu drejtua njerëzve në ditë xhumaje. Pasi përmendi lavdinë dhe madhështinë e Allahut, ai tha: O njerëz! Unë kam parë një ëndërr, dhe besoj koha e vdekjes sime është afruar. Unë kam parë një këndes të kuq, i cili më çukiti dy herë me sqep. Këtë ëndërr i kam treguar Esma bint Umejsin dhe ajo më ka shpjeguar se do të vritem nga një axhemi (banor joarab)”.[10]

Në lidhje me ngjarjen e martirizimit të Hazret Omerit r.a. gjejmë transmetime të ndryshme. Sipas veprës “Tebekat el-Kubra” atentati ndaj Hazret Omerit r.a. ishte kryer ditën e mërkurë dhe ai kishte ndërruar jetë ditën e enjte. Hazret Omeri r.a. kishte mbetur i plagosur më 26 dhul-Hixha 23 hixhri dhe në mëngjesin e 1 muharremit 24 hixhri, i ishte bërë varrimi. Osman Akhnas rrëfen se Hazret Omeri kishte ndërruar jetë ditën e mërkurë më 26 dhul hixha. Sipas transmetimit të Ebu Ma’sherit Hazret Omeri r.a. ishte martirizuar më 27 dhul hixha.[11]

Sipas “Tarik et-Teberiut” dhe “Tarikh Ibn Ethirit” Hazret Omeri ishte plagosur më 26 dhul hixhe 23 hixhri dhe ai kishte ndërruar jetë më 1 muharrem 24 hixhri dhe në të njëjtën ditë i ishte bërë varrimi.[12]

Përshkrimi i hollësishëm i ngjarjes së martirizimit

Kjo ngjarje është përmendur në sahihun e Buhariut si vijon:

“Amru ibn Mejmuni rrëfen: Kam parë Hazret Omer ibn Hattabin në Medinë vetëm disa ditë para se të sulmohej. Ai u ndal te Hudhejfa ibn Jeman dhe Osman ibn Hunejfi dhe u tha: Çfarë keni bërë në lidhje me tokat në Irak, për të cilat ju është besuar përgjegjësi nga Kalifati? A mos druani se keni vënë taksën në tokë mbi normat e zakonshme. (Pra, a kishin ato toka mundësi potenciale për të dhënë kaq shumë prodhim bujqësor?) Hazret Omeri u tha: A mos i keni ngarkuar njerëzit me taksat, përtej fuqisë së tyre? Ata iu përgjigjën duke thënë jo. Hazret Omeri u tha: Po më shtoi jetën Allahu, me siguri, do t’i lë vejushat e banorëve të Irakut në gjendje që të mos kenë më nevojë për të lypur ndihmë prej dikujt tjetër”.

Hazret Omeri r.a. Ishte plagosur vetëm katër netë pas kësaj ngjarjeje. Transmetuesi i këtij hadithi, ishte i pranishëm në momentin, kur ishte sulmuar Hazret Omeri r.a. Ai përcjell:

“Atë ditë, midis meje dhe Hazret Omerit r.a., nuk kishte asnjëri përveç Hazret Abdullah ibn Abasit r.a.. Ai kishte zakon se kur kalonte midis dy rreshteve, porosiste për të drejtuar rreshtet. Pastaj, kur siguronte se nuk kishte mbetur ndonjë të metë, ai dilte përpara, thirrte tekbirin dhe nganjëherë në namazin e sabahut, në rekatin e parë recitonte suren Jusuf, suren en-Nahl apo ndonjë sure tjetër të ngjashme, duke i mundësuar njerëzit të mblidheshin.

Sapo kishte thënë tekbirin, ai lëshoi thirrjen: Jam vrarë apo më ka kafshuar qeni. Pasi e qëlloi atentatori, ai u mundua të largohej bashkë me thikën me dy presa që e mbante me vete. Nga frika që të mos kapej nga njerëzit, ai qëllonte dhe plagoste çdokënd që i dilte nga e djathta apo e majta. Kështu ai qëlloi 13 njerëz dhe 7 prej tyre nuk u mbijetuan dot plagëve.

Duke parë këtë gjendje, njëri prej të pranishmve, hodhi mantelin e tij mbi atentatorin. Në Buhari, është përmendur fjala “Burnus” që nënkupton atë veshje të sipërme, e cila përfshin një kapuç për të mbuluar kokën, pra një pelerinë të gjatë. Sidoqoftë, kur atentatori u bind se ai nuk kishte më rrugëdalje, e vrau veten duke e prerë qafën.

Ndërkohë, Hazret Omeri r.a. Shtrëngoi krahun e Hazret Abdurrahman ibn Aufit r.a. dhe e shtyju përpara. Ata që ishin pranë Hazret Omerit r.a. kishin dësmuar këtë ngjarje, por të tjerët që ishin anash, nuk dinin se çfarë kishte ngjarë. Kur nuk dëgjuan zërin e Hazret Omerit për një kohë të gjatë, ata thanë “Subhanallah, Subhanallah!” Atëherë Hazret Aburrahman ibn Aufi i udhëhoqi ata në falje të shkurtër. Pas përfundimit të namazit, Hazret Omeri i tha: O Ibn Abas! Shiko se kush më ka qëlluar? Hazret Ibn Abasi r.a. kontrolloi vendngjarjen dhe kur u kthye, e njoftoi Hazret Omerin dhe atentatori i tij është skalliv i Mughirasë. Hazret Omeri e siguroi me pyetjen “A mos është ai mjeshtër?” dhe Hazret Ibn Abasi e vërtetoi këtë. Hazret Omeri u shpreh: Allahu e dënoftë atë! Unë kisha dhënë vendimin për t’u sjellë mirë me të. E falënderoj Allahun që nuk më erdhi vdekja nga një musliman. O Ibn Abas! Ti dhe babai yt keni dashur që të kishim më shumë skllevër jo-arabë në Medinë dhe Hazret Abasi të kishte numrin më të madh të skllevërve”. Hazret Ibn Abasi i tha: “Nëse doni, mund t’i ekzekutoj të gjithë skllevërit jo arabë që jetojnë në Medinë”. Por, Hazret Omer ndaloi prerazi një veprim të tillë dhe tha: Kjo nuk është aspak e drejtë, e sidomos tani kur ata bisedojnë në gjuhën tuaj, falen në drejtimin e kibles suaj dhe kryejnë haxh si ju”. (Një numër i madh skllevërish kishin pranuar fenë islame.)

Pastaj, ne sollëm Hazret Omerin r.a. në shtëpinë e tij. Atë ditë gjendja e muslimanëve ishte e tillë, sikur nuk kishin përjetuar fatkeqësi më të madhe se ajo. Nëse një njeri thoshte “Nuk do t’i ndodhë asgjë”, tjetri i kundërvihej duke thënë: “Druhem se ndoshta nuk do t’i mbijetojë plagën”. Përfundimisht e zuri gjumi. Ai piu diçka që më vonë i doli nga barku. I sollën qumësht, që ai piu, por e nxori gjithashtu nga plaga. Atëherë njerëzit kuptuan se ai do të ndërronte jetë.

Amr ibn Mejmuni rrëfen më tej:

Ne shkuam tek ai dhe njerëzit i shprehnin fjalë të mira. Një djalë i ri iu drejtua Hazret Omerit dhe tha: “O prijësi i besimtarëve! Gëzohuni nga sihariqi i Allahut, që ju keni marrë si sahab i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe sepse keni pranuar Islamin qysh në fillim. Pastaj, ju jeni caktuar Kalif dhe keni vepruar me drejtësi dhe në fund keni arritur martirizim”. Hazret Omeri i tha: “Përkundrazi, dëshira ime është që këto çështje të jenë të barabarta. Dua që prej meje të mos kërkohet ndonjë llogari dhe as të më jepet ndonjë shpërblim”. Kur ky djalosh dilte nga shtëpia, çarçafi po i tërhiqej zvarrë. Hazret Omeri r.a. i tha: Thirreni këtë djalosh. Kur erdhi djaloshi, Hazret Omeri i tha: O nipi im! Ngre pak veshjen tënde, pasi kështu do të zgjatet më shumë dhe ky veprim yti do të konsiderohet tek Allahu më pranë devotshmërisë.”

Në atë kohë, njerëzit i vishnin këmisha të gjata dhe i tërhiqnin zvarrë për të treguar mendjemadhësinë. Prandaj Hazret Omeri r.a. e këshilloi për të vepruar me druajtje.

Pastaj, ai iu drejtua djalit të tij, Hazret Abdullah ibn Omerit r.a. dhe pyeti se sa borxh kishte ai. Ai llogariti dhe arriti në përfundimin se ai ishte afërsisht 86.000 dirhamë. Hazret Omeri r.a. e porositi: “Nëse mundet shlyeni këtë borxh duke shitur pronat e familjes sime, dhe nëse ai nuk shlyet ende, shkoni dhe kërkojini ndihmë Benu Adij ibn Ka’ab. Nëse nuk i shlyen dot as shitja e pronave të tyre, atëherë kërkojini ndihmë fisit Kurejsh, por përveç tyre nuk duhet t’i kërkoni askujt tjetër. Duhet ta shlyeni këtë borxh nga ana ime. Shkoni te Hazret Aisheja, nëna e besimtarëve dhe thuaju që Omeri ju përshëndet me selam. Mos e përmendni titullin “prijësi i besimtarëve”, sepse sot nuk jam më prijësi i besimtarëve. Thuaju që Omer ibn Hattabi, ju kërkon leje që të varroset bashkë me dy shokët e tij”.

Në interpretimin e Buhariut “Umdatul Kari” lexojmë që Hazret Omeri r.a. kishte shprehur këto fjalë atëherë kur ishte bindur për vdekjen e tij. Nga ndalimi i përdorimit të termit “Prijësi i besimtarëve” Hazret Omeri r.a. nuk donte t’i ngjallte ndonjë frikë Hazret Aishes. Hazret Abdullah i kërkoi leje për të hyrë brenda. Kur ai hyri në dhomë, e gjeti duke qarë me lotë. Hazret Abdullahu i tha: “Omer ibn Hattabi ju përcjell selam dhe ju kërkon leje që të varroset bashkë me dy shokë të tij”. Hazret Aisheja iu përgjigj: “Unë e kisha lënë atë vend për mua, por sot unë i jap epërsi ndaj vetes sime”.

Kur u kthye Hazret Abdullahu, Hazret Omeri r.a. pyeti për të. Pastaj ai u tha të pranishmëve që ta ndihmonin për t’u ngritur. Një person e mbështeti atë që ai të ngrihej. Ai e pyeti Hazret Abdullahun se çfarë lajmi kishte sjellë. Ai iu përgjigj: O prijës i besimtarëve! Atë që ju pëlqen. Hazret Aisheja ju ka dhënë leje”. Hazret Omeri tha: Elhamdulilah. Kjo ishte çështja kryesore që më mundonte përbrenda. Kur të vdes, më merrni trupin dhe bëjini selam asaj dhe thoni: ‘Omer ibn Hattabi kërkon leje’. Nëse më jepet leje, më çoni trupin brenda në dhomë për varrim. Por, nëse më kthen mbrapsht, më çoni në varrezën e muslimanëve”. Pak më vonë erdhi nëna e besimtarëve, Hazret Hafsa r.a. bashkë me disa gra të tjera. Kur i pamë duke ardhur, ne e liruam vendin për to. Ato qëndruan për njëfarë kohe pranë Hazret Omerit r.a. dhe qanin nga hidhërimi. Pastaj, kur disa burra kërkuan leje për të hyrë brenda, ato dolën përjashta dhe ne dëgjonim vetëm të qarat e tyre.

Njerëzit i kërkuan prijësit të besimtarëve për të shkruar testament dhe për të emëruar dikë si Kalif (pasardhës). Hazret Omeri iu përgjigj se për të drejtën e kalifatit, ai nuk e konsideronte askënd më të denjë se ata, prej të cilëve i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka qenë i kënaqur para se të ndërronte jetë. Pastaj, Hazret Omeri r.a. përmendi emrat e Hazret Aliut, Hazret Osmanit, Hazret Zubejrit, Hazret Talhait, Hazret Sa’adit dhe Hazret Abdurrahman ibn Aufit. Ai gjithashtu shtoi se Abdullah ibn Omeri do të qëndrojë midis tyre, por ai nuk do të ketë asnjë të drejtë në çështjen e kalifatit. Nëse Sa’adi zgjidhet si Kalif, ai duhet t’i përgjigjet kësaj detyre, përndryshe kushdo që të zgjidhet udhëheqës, duhet të bashkëpunojë me Sa’adin, sepse nuk e kisha shkarkuar nga detyra se ishte i paaftë apo të kishte abuzuar me detyrë.

Pastaj tha: Atij që do të bëhet kalif pas meje, i lë amanet në lidhje me muhaxhirët se duhet t’i njohë të drejtat e tyre dhe të ketë konsideratë për pozitën e tyre. Unë i lë porosi gjithashtu në lidhje me ensarët, që ishin banorët e parë të Medinës dhe kishin pranuar Islamin para se të mbërrinin muhaxhirët në këtë qytet. Le të vlerësohet prej ensarëve, ai që sillet mirë dhe vepron drejtë,, ndërsa ai që bën gabimin, le të shmanget. Unë i lë amanet që të sillet me mirëdashje me banorët e të gjitha qyteteve, sepse ato janë vende sigurie për Islamin dhe janë burime të ardhurash. Armiku plaset nga marazi duke parë lulëzimin e tyre. Ai le t’u kërkojë taksat banorëve të këtyre qyteteve me pëlqimin e tyre, prej asaj që u mbtete atyre nga nevojat. Po ashtu, i lë amanet kalifit të ardhshëm për t’u sjellë me dashamirësi ndaj beduinëve arabë, sepse ata janë rrënjët e arabëve dhe përbëjnë thelbin e Islamit, si dhe të mbledhë paratë prej tyre, nga ato që u teprohen, dhe ato t’u kthehen nevojtarëve të tyre. Unë i lë amanet për t’iu përgjigjur të drejtës së Allahut dhe të të Dërguarit të Tij s.a.v.s. që të përmbushen premtimet e tyre, nëse duhet të zhvillohet luftë për mbrojtjen e tyre dhe ata të mos ngarkohen përtej aftësisë së tyre”.

Kur ai ndërroi jetë, ne përcollëm xhenazen te Hazret Aisheja r.a.. Hazret Abdullah ibn Omeri e përshëndeti Hazret Aishen dhe tha: Es-selamu alejkum! Omer ibn Hattabi ju kërkon leje”. Ajo u kërkoi për ta sjellë xhenazen brenda. Kështu ai u shtri përbëri dy shokë të tij. Pas përfundimit të varrimit, u mblodhën ata njerëz, të cilët Hazret Omeri r.a. kishte përmendur dhe nisën angazhimin për zgjedhjen e kalifatit.[13]

Kjo temë po vijon akoma dhe pjesën tjetër do t’ju rrëfej në vazhdim.

Xhelsa Salana e Gjermanisë

Sot po fillon gjithashtu Xhelsa Salana e Gjermanisë. Allahu e bekoftë atë dhe u mundësoftë ahmedianëve gjermanë të përfitojnë maksimum nga ky organizim! Kjo xhelse do të zhvillohet për dy ditë dhe insha-Allah nesër pasdite do të mbahet sesioni mbyllës. Unë gjithashtu do të mbaj fjalim në të, i cili do të transmetohet nëpërmjet MTA-së, në orën 3:30 sipas orës lokale. Programi i Xhelsës së Gjermanisë po transmetohet në Live-Stream për anëtarët e xhematit në Gjermani. Andaj, gjermanët duhet ta ndjekin këtë program dhe të përfitojnë maksimum prej saj.

Dy xhenaze në mungesë

Në fund, Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) përmendi rreth dy anëtarëve, të cilët kishin ndërruar jetë ditëve të fundit dhe udhëhoqi namazin e xhenazes në mungesë:

  1. Kamarudin sahib, Misionari i Xhematit nga Indonezia, 65 vjeç.
  2. Sabiha Harun, nga Pakistani, 73 vjeçe.[14]

Referencat

[1] Shibli Nu’mani, “El-Faruk”, shtëpia botuese “Darul-isha‘at”, Karaçi 1991, fq. 170-177, 287. “Urdu daira ma‘arif-e-islamijja”, vëllimi XX, zëri: “Mezdek (مَزْدَك)”, botues: “University of the Punjab”, Lahore 2007, fq. 529-530. “Urdu Lughat”, vëllimi XIX, zëri: “Nesturijjet (نَسْطُوريَّت)”, botues: “Urdu Dictionary Board”, Karaçi 2003, fq. 932.“Urdu Lughat”, vëllimi V, zëri: “Ta’bijeh (تَعْبِيَه)”, botues: “Urdu Lughat Board”, Karaçi 1983, fq. 281-282. Jakut el-Hamavi, “Mu’xhemul-Buldan”, vëllimi I, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut (pa vit botimi), fq. 249-250.
[2] Ahmed ibn Hanbel, “Musned”, vëllimi II, kapitulli: “Musned ‘Abdullah bin ‘Umer bin el-Khattab”, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1998, fq. 429, hadithi nr. 5620.
[3] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Fadailu As’habun-Nebij s.a.v.s.”, bab: “Kaulun-Nebijji s.a.v.s.: leu kuntu muttekhidhen khalilen”, hadithi nr. 3675.
[4] Ebul-Kasim et-Tabarani, “El-Mu’xhemul-Kebir”, vëllimi I, shtëpia botuese: “Ihja et-turath el-‘arabij”, Bejrut 2002, fq. 67-68, hadithi nr. 61.
[5] Muhammed ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1990, fq. 252.
[6] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Khutubat-e-Mahmud”, vëllimi XVII, fq. 474-475.
[7] Hazret Mirza Beshiruddin Mahmud Ahmed r.a., “Khutubat-e-Mahmud”, vëllimi I, fq. 166-167.
[8] Kurani Famëlartë, 2:157.
[9] Muhammed ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1990, fq. 252-253.
[10] Muhammed ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1990, fq. 255.
[11] Muhammed ibn Sa’d, “Et-Tabakat el-Kubra”, vëllimi III, kapitulli: “Viti 23 hixhri”, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 1990, fq. 278. Ibn Kethir, “El-Bidaje ven-Nihaje”, vëllimi IV, shtëpia botuese: “El-Hixhr”, Kajro 1997, fq. 134.
[12] Muhammed ibn Xherir et-Taberi, “Et-Tarikh”, vëllimi V, kapitulli: “El-Khaberu ‘an vefatu ‘Umer”, shtëpia botuese: “El-Fikr”, Bejrut (pa vit botimi), fq. 54. ‘Ali ibn el-Ethir, “El-Kamil fit-Tarikh”, vëllimi II, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut (pa vit botimi), fq. 448. Shibli Nu’mani, “El-Faruk”, shtëpia botuese “Idare Islamijjat”, Karaçi 2004, fq. 154.
[13] Bukhari, “Sahih”, kitab: “Fadailu As’habun-Nebij s.a.v.s.”, bab: “Kissatul-bej‘ati, vel-ittifaku ‘ala ‘Uthmane ibni ‘Affane radijall-llahu ‘anhu”, hadithi nr. 3700. Bedruddin el-‘Ajni, “‘Umdetul-Kari sherh Sahihul-Bukhari”, vëllimi XVI, shtëpia botuese: “El-Kutub el-‘ilmijje”, Bejrut 2001, fq. 292. Vahiduz-Zaman, “Lugatul-Hadith”, vëllimi I, zëri “Burnus (بُرْنُسٌ), shtëpia botuese: “Nu’mani Kutubhane”, Lahore 2005, fq. 137.
[14] Gazeta “Al-Fazl International”, 5 nëntor 2021, fq. 5-10.

LEXONI:

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp