Jeta e Ali ibn Ebi Talibit r.a. Kalif i Drejte i Profetit a.s | pjesa V
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Ali ibn Ebi Talibit r.a. Kalif i Drejte i Profetit a.s | pjesa V

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në hutben e fundit, ishte trajtuar ngjarja e martirizimit të Hazret Osmanit r.a.. Unë gjithashtu kam folur mbi rebelët, rolin dhe përpjekjet e Hazret Aliut r.a..

Një porosi e çmuar e Hazret Musleh el-Mo’udit r.a.

Në lidhje me ngjarje të tjera nga jeta e tij, Hazret Musleh el-Mo’udi na tërheq vëmendje ndaj një çështje të rëndësishme. Ai shkruan:

Meqë edhe ju u ngjani sahabëve, prandaj dua t’ju tregoj shkaqet nga historia islame, që qëndronin pas shkatërrimit të muslimanëve. Andaj, çelni sytë dhe tregoni vigjilencë. Bëni përpjekje për t’i edukuar ata që ju janë bashkuar së fundmi.

Nuk qenë sahabët që mbollën fitne në kohën e Hazret Osmanit. Ata që pretendojnë se sahabët qëndronin pas atyre pështjellimeve, kanë gabuar rëndë. Padyshim, një numër i madh sahabësh ishin mbledhur kundër Hazret Aliut dhe Muavijes, megjithatë vazhdoj të them që sahabët nuk ishin nismëtar të kësaj trazire. Fajtorët ishin ata që kishin ardhur më vonë dhe të cilët kurrë nuk e kishin parë apo shoqëruar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Andaj, dua t’ju tërheq vëmendje dhe ju tregoj mënyrat për t’iu shmangur fitnes e ngatërresës. Vizitoni shpesh Kadijanin, që besimi juaj të gjallërohet e rifreskohet, dhe t’ju shtohet droja ndaj Allahut. (d.m.th. lidhja me qendrën dhe me kalifatit, do të ju forcojë nga ana shpirtërore).

Tani Allahu na ka bekuar me MTA-në, dhe hutbet e mia dëgjohen në të gjithë botën, si dhe programe të ndryshme edukative gjithashtu ndiqen dhe përcillen në të gjitha vendet e botës. Këto luajnë një rol të rëndësishëm në edukimin tonë. Po, ashtu ju duhet të ktheni leximin e librave të Mesihut të Premtuar a.s. në një shprehi si dhe të përcillni MTA-në në mënyrë të rregullt. Në mënyrë të veçantë, ju duhet të dëgjoni hutbet e të xhumave përmes MTA-së, pasi kjo do t’ju forcojë lidhjen me kalifatin.

Lufta e devesë

Sipas transmetimit, lufta e Xhemelit ishte zhvilluar midis Hazret Aliut dhe Hazret Aishes në mes të vitit 36 hixhri. Në këtë luftë, Hazret Telhai dhe Hazre Zubejri iu bashkuan ushtrisë së Hazret Aishes. Meqë Hazret Aisheja ishte hipur në një deve, kjo luftë gjithashtu mbeti si lufta e xhemelit. Hazret Aisheja kishte shkuar në Mekë për të kryer haxhin dhe ndërkohë ajo qëndronte atje, mori lajmin e martirizimit të Hazret Osmanit. Pas kryerjes së umres, ajo ishte nisur për në Medinë dhe rrugës e takoi Ubej ibn Ebu Selma në vendin Seref, dhe e njoftoi që Hazret Osmani është martirizuar dhe që Hazret Aliu është zgjedhur si kalif. Ai gjithashtu e njoftoi që Medina është pushtuar nga një gjendje kaotike.

Hazret Aisheja u kthye menjëherë në Mekë dhe u bëri thirrje njerëzve për hakmarrje për vrasjen e Hazret Osmanit si dhe për t’i dhënë fund gjendjes së rrëmujshme. Mjaft njerëz iu bashkuan thirrjes së saj, dhe nën drejtimin e Hazret Aishes, Hazret Telhait dhe Hazret Zubejr ibn Avamit, karvani i njerëzve u nis drejt Besrasë.

Duke mësuar këtë zhvillim, Hazret Aliu gjithashtu u nis drejt Besrasë. Pas mbërritjes në Besra, Hazret Aisheja u bëri thirrje banorëve të qytetit për t’iu bashkuar kauzës së saj dhe një shumicë banorësh iu përgjigjën thirrjes, por një pjesë qytetarësh shprehën besnikërinë ndaj autoritetit të Osman ibn Hanifit, administrator i caktuar nga Hazret Aliu në Besre. Pastaj filluan incidente të përplasjes midis dy grupeve. Hazret Aliu fushoi trupat e tij në afërsi të kampit të ushtrisë që drejtohej nga Hazret Aisheja. Në fillim, u nisën përpjekjet për t’i sheshuar kundërtitë ndërmjet dy palëve dhe për të ulur tensionin. Bisedat ishin të frytshme dhe pritej një marrëveshje midis palëve, kur papritmas mu në mesnatë, grupi i cili kishte orkestruar martirizimin e Hazret Osmanit, dhe një pjesë e të cilit, i ishte bashkuar ushtrisë së Hazret Aliut, kreu agresion kundër ushtrisë së Hazret Aishes dhe kështu plasi lufta e hapur.

Hazret Aisheja ishte hipur në deve. Ushtarët e saj besnikë, njëri pas tjetrit, ia kapnin frerin devesë, dhe binin si dëshmorë. Hazret Aliu kishte kuptuar se derisa Hazret Aisheja nuk zbret nga deveja, lufta do të vazhdonte pandërprerë, prandaj ai urdhëroi luftëtarët e tij për të rrëzuar devenë e saj, sepse fundi i luftës varej prej saj. Një ushtar doli përpara dhe qëlloi mbi gjurin e devesë dhe ajo rënkoi nga dhembja dhe u ul përtokë.

Ushtarët e Hazret Aliut menjëherë rrethuan devenë e Hazret Aishes nga të katër anët, ndërkohë ushtria e saj u zmbraps dhe u shpërnda andej e këtej. Hazret Aliu shpalli njoftimin se çdokujt që dorëzon armët ose mbyll derën e shtëpisë, do t’i jepej mbrojtje. Nuk do të ndiqen ushtarët e shpërndarë dhe asnjë ushtar nuk do të prekë ndonjë pasuri si plaçkat e luftës.

Ky përshkrim i luftës bazohet në historinë e Ibni Ethirit dhe është rrëfyer në mënyrë të përmbledhur.

Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu ka thënë:

“Një grup prej atyre, të cilët kishin marrë pjesë në martirizimin e Hazret Osmanit, e bindën Hazret Aishen që të shpallte xhihadin për hakmarrjen e gjakut të Hazret Osmanit. Kështu ajo shpalli xhihadin dhe u bëri thirrje sahabëve për t’iu bashkuar për këtë qëllim. Hazret Telhai dhe Hazret Zubejri iu përgjigjën thirrjes dhe kështu u zhvillua një luftë midis çetave që drejtoheshin në një anë nga Hazret Aliu dhe në anën tjetër nga Hazret Aisheja, dhe bashkë me të Hazret Telhai dhe Hazret Zubejri, dhe kjo luftë u quajt Lufta e Devesë.

Para së të fillonte lufta, Hazret Zubjeri u nda dhe nuk luftoi, pasi kishte dëgjuar një profeci të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nga Hazret Aliu. Ai u betua se nuk do të luftonte kundër Hazret Aliut dhe pranoi që kishte gabuar në të kuptuar.

Në anën tjetër, Hazret Telhai gjithashtu para se të ndërronte jetë, kishte shprehur bindje ndaj Hazret Aliut dhe kishte lidhur bejat me të. Sipas rrëfimeve, ai po përpëlitej nga dhembjet e plagëve, kur pa një ushtar i cili kalonte pranë tij. Ai e pyeti: Cilit grupimit përket ti? Ai iu përgjigj se i takonte grupit të Hazret Aliut. Ai menjëherë i dha dorën dhe tha: Dora jote është dora e Aliut dhe unë sërish bëj bejatin e Aliut në dorën tënde.

Pra, mosmarrëveshja midis sahabëve përfundoi me luftën e devesë, por mospajtimi i Hazret Muavijes nuk u zgjidh akoma, derisa plasi lufta e Sifinit.

Mosmarrëveshja lidhur me çështjen e vrasësve të Hazret Osmanit r.a.

Hazret Kalifi II r.a. shkruan më tej:

“Vrasësit e Hazret Osmanit ishin shpërndarë në gjitha drejtime, dhe për të mbrojtur veten nga faji, ata po u vinin faj të tjerëve. Kur ata mësuan se Hazret Aliu ka pranuar bejatin e muslimanëve, ata gjetën një rast të volitshëm për ta fajësuar atë, madje kishin një të drejtë pasi rreth Hazret Aliut ishin mbledhur disa njerëz që kishin gisht në martirizimin e Hazret Osmanit. Prandaj, një grup prej tyre, i cili kishte shkuar në Mekë, i mbushi mendjen Hazret Aishes që të shpallte xhihadin për t’u hakmarrë për vrasjen e Hazret Osmanit. Kështu, ajo shpalli xhihadin dhe u bëri thirrje sahabëve për medet.

Hazret Telhai dhe Hazret Zubejri kishin bërë bejatin e Hazret Aliut me kushtin që ai do t’u kërkonte sa më shpejtë hakmarrje vrasësve të Hazret Osmanit. Atë që kishin kuptuar ata nga një hakmarrje e shpejtë, ishte kundër largpamësisë dhe maturisë së Hazret Aliut, sepse ai kishte menduar që aksioni i hakmarrjes kundër vrasësve të Hazret Osmanit, duhet të ndërmerrej vetëm pas riorganizimit të administrimit të provincave, sepse epërsia kryesore i takon mbrojtjes së Islamit, ndërsa vonesa në çështjen e vrasësve mund të shtyhej. Përveç kësaj, ekzistonte një mosmarrëveshje në lidhje me caktimin e autorëve të vrasjes.

Ata që ishin takuar Hazret Aliun në fillim dhe ishin shtrirë si të pikëlluar dhe për gjndjen e Islamit, të cilët kinse shprehnin keqardhje për përçarjen midis muslimanëve, për ta Hazret Aliu nuk kishte asnjë dyshim se mund të ishin prej nismëtarëve të kësaj fitneje. Megjithatë, njerëzit e tjerë i shikonin me dyshim. Për shkak të kësaj mosmarrëveshje, Hazret Telhai dhe Hazret Zubejri dyshuan që Hazret Aliu po del nga fjala e dhënë. Ata dy kishin lidhur besëlidhje me Hazret Aliut në bazë të një kushti, dhe derisa ai nuk kishte përmbushur kushtin, ata fetarisht e konsideronin veten të pavarur nga obligimet e një bejati të tillë.

Kur mësuan për shpalljen e xhihadit nga Hazret Aisheja, ata menjëherë iu bashkuan kësaj thirrje dhe shkuan në Besre. Në fillim Guvernatori i Besres u përpoq të mos lejonte kontaktin midis tyre dhe banorëve të qytetit, mirëpo kur njerëzit mësuan që bejati i Hazret Telhait dhe Hazret Zubejrit ndaj Hazret Aliut ishte kushtëzuar, shumica e banorëve iu bashkuan thirrjes së tyre.

Negociatat për marrëveshje

Kur Hazret Aliu mësoi për përgatitjet ushtarake të Hazet Aishes, ai gjiathhtu grumbulloi një ushtri dhe nisi marshimin drejt Besres. Me të mbërritur në Besre, ai dërgoi një negociator, i cili në fillim takoi Hazret Aishen dhe ia kërkoi arsyen e shpalljes së xhihadit. Ajo iu përgjigj se qëllimi i saj i vetëm është reforma dhe drejtësia. Negociatori më pas, bisedoi me Hazret Telhain dhe Hazret Zubejrin dhe i pyeti se a kishin të njëjtin qëllim pse ishin përgatitur për një luftë. Ata gjithashtu mbështetën mendimin e Hazret Aishes se objektivi i tyre i vetëm qe vënia e drejtësisë dhe reforma dhe ndryshimi i gjendjes. Negociatori ua shtroi pyetjen: Nëse me të vërtetë qëllimi juaj është reforma, atëherë dhuna e lufta nuk mund të jenë kurrsesi mjete për ta arritur atë. I vetmi rezultat i luftës është më shumë rrëmujë e çrregullim. Gjendja është e tillë, që nëse ekzekutoni një person, do t’i ngrihen një mijë persona në mbështetje, dhe kur do të dilni për t’i shtypur, do të ketë grumbullim më të madh popullor në përkrahjen e tyre.

Kjo do të vazhdojë si një varg i pandërprerë shkak-pasojash. Veprimi i më drejtë dhe më i matur është që në fillim të bashkojmë mbarë vendin dhe pastaj t’i ndëshkojmë keqbërësit, ndryshe dhënia e dënimeve në këtë kohë kaotike, do të ndjellë më shumë pështjellim dhe do të përshkallëzojë trazirat në vend. Le të ngrihet dhe forcohet shteti njëherë, që të zbatojë ligjin e të marrë masat ndëshkimore ndaj keqbërësve.

Pasi dëgjuan këto argumente, ata shprehën gatishmërinë për të takuar Hazret Aliun. Pas takimit ndërmjet përfaqësuesve të dy palëve, ata ranë dakord që lufta nuk duhet lejuar.

Sabotimi i bisedimeve nga grupi i rebelëve

Kur spiunët e grupit të Abdullah ibn Sabait dhe vrasësit e Hazret Osmanit mësuan këtë lajm, ata u shqetësuan dhe zhvilluan takime të fshehta për të hartuar planin e ardhshëm. Pas bisedave, ata arritën në konkluzion që pajtimi midis muslimanëve është një shenjë ogurzezë, dhe ata mund t’i shmangeshin dënimit për vrasjen e Hazret Osmanit, vetëm derisa muslimanët ishin të përfshirë në konflikt të brendshëm. Në çastin, muslimanët do të pajtoheshin dhe gjenin gjuhë të përbashkët, atyre nuk t’u mbetej asnjë vend për t’u fshehur. Ata vendosën për të përqendruar të gjitha përpjekjet për të shmangur pajtimin e muslimanëve.

Biseda e Hazret Aliut me Hazret Zubejr

Ndërkohë, Hazret Aliu gjithashtu kishte mbërritur atje, dhe ditën e dytë kishte zhvilluar një takim me Hazret Zubejrin. Hazret Aliu iu drejtua Zubejrit dhe tha: Ju me siguri keni arritur të ngrini një ushtri të tërë kundër meje, por a keni gjetur ndonjë arsye për të dhënë para Zotit? Pse tani po doni të shkatërroni Islamin vetë me duart tuaja, të cilit i keni shërbyer përpara me sakrifica? A nuk qenkam unë vëllai juaj? Përse gjaku i njëri-tjetrit është bërë i lejuar për t’u derdhur, ndërsa përpara ka qenë i ndalur dhe i shenjtë për ne? Do të kishit të drejtë, nëse do të kishte ndodhur diçka e re. Por, derisa nuk ka ndodhur asgjë, përse duhet bërë kjo ndeshje?

Hazret Telhai, i cili po shoqëronte Hazret Zubejrin iu përgjigj: “..sepse ju keni nxitur njerëzit për të vrarë Hazret Osmanin”. Hazret Aliu ia ktheu aty për aty: “Unë i mallkoj të gjithë ata, që kanë marrë pjesë në martirizimin e Hazret Osmanit”.

Hazret Aliu iu drejtua Zubejrit dhe tha: O Zubejr! A nuk ju kujtohen fjalët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. kur ai ju kishte thënë: Pasha Allahun! Ti do të luftosh kundër Aliut duke mos pasur asnjë të drejtë”. Hazret Zubejri menjëherë u kthye në kampin e tij dhe u betua se nuk do të luftonte kundër Hazret Aliut dhe pranoi se kishte gabuar në vendimmarrje.

Kur u përhap ky lajm në ushtri, të gjithë u qetësuan se nuk do të bëhet lufta, do të arrihet paqja midis tyre. Por komplotistët i zuri frika nga një skenë e tillë dhe ata vendosën për të përmbysur këtë marrëveshje të mundshme. Kur ra nata, keqbërësit nga kampi i Hazret Aliut u zunë pritën ushtarëve të Hazret Aishes, Hazret Telhait dhe Hazret Zubejrit, ndërsa ata që bënin pjesë në ushtrinë e tyre, sulmuan në befasi ushtrinë e Hazret Aliut. Pra, sipas një plani të fshehtë, hipokritët e të dy palëve hodhën në sulm ndaj ushtrisë kundërshtare. Prita në befasi shkaktoi një gjendje kaotike në të dyja kampet dhe secili palë mendoi se pala kundërshtare ka shkelur besën, edhe pse ky qe komploti i grupit të sabaive.

Kur plasi lufta, Hazret Aliu bëri thirrje për të lajmëruar Hazret Aishen, që t’i shmangej kjo fitne. Deveja e Hazret Aishes i paraprinte ushtrisë së saj, por rezultati ishte krejt tjetër nga që pritej. Duke parë dështimin e komplotit të tyre, keqbërësit nisën breshëri shigjetash drejt devesë së saj. Hazret Aisheja nisi të thoshte me zë të lartë: O njerëz! Hiqni dorë nga lufta dhe kujtoni Zotin dhe Ditën e Gjykimit. Por ata bënë veshin si të shurdhër dhe vazhduan të qëllonin pandërprerë shigjetat.

Meqë banorët e Besras, përkrahnin ushtrinë e Hazret Aishes, kur e panë këtë fyerje ndaj saj, ata u tërbuan nga zemërimi. Ata vringëlluan shpatët dhe u hodhën në sulm kundër ushtrisë kundërshtare. Tani, deveja e Hazret Aishes ishte bërë qendra e luftës. Sahabët dhe trimat u rreshtuan rreth saj dhe binin dëshmor njëri pas tjetrit por nuk lëshonin frenin e devesë.

Hazret Zubejri kishte dezertuar nga ushtria dhe kishte braktisur fushën e betejës. Por një i lig e ndoqi nga pas, dhe e martirizoi atë teksa po falte namazin. Hazret Telhai ishte martirizuar mu në luftë nga dora e hipokritëve.

Lufta u ashpërsua, dhe njerëzit kuptuan që ajo nuk do të ndërpritej derisa Hazret Aisheja nuk largohet nga fusha e betejës. Kështu, disa persona qëlluan mbi gjurin e devesë dhe ia zbritën ulësen në tokë, dhe mori fund lufta. Hazret Aliu i cili po ndiqte këto pamje, ishte skuqur nga hidhërimi, por situata ishte e tillë, që nuk mund të zgjidhej ndryshe.

Hazret Aliu gjithashtu shprehu keqardhje të thellë, për vrasjen e Hazret Telhait, trupi i të cilit ishte gjetur vetëm pas përfundimit të luftës.

Sahabët nuk kishin asnjë rol në fitne

Të gjitha këto ngjarje tregojnë se sahabët nuk kishin asnjë rol në këtë gjendje, por i gjithë komploti ishte kurdisur nga vrasësit e Hazret Osmanit. Po ashtu Hazret Telhai dhe Hazret Zubejri u ndanë nga kjo jetë, duke qenë brenda bejatit të Hazret Aliut, pasi ata kishin hequr dorë nga qëllimi i tyre dhe kishte shprehur bindje e besnikëri në udhëheqjen e Hazret Aliut.

Në fund të luftës së devesë, Hazret Aliu siguroi të gjitha mjetet për udhëtimin e Hazret Aishes dhe kishte dalë vetë për ta përcjellë atë. Ai gjithashtu përcolli ata, që donin të ktheheshin me të.

Ditën kur Hazret Aisheja duhet të nisej, Hazret Aliu doli për ta përcjellë atë dhe qëndroi duke pritur atë. Ajo doli para njerëzve dhe tha: O djemtë e mi! Ne kemi hidhëruar njëri-tjetrin duke shkelur në hak dhe duke bërë padrejtësi. Le të mos lejojnë kurrë këto mosmarrëveshje për t’u sjellë padrejtësisht ndaj të tjerëve. Pasha Zotin! Unë kurrë nuk kam pasur mosmarrëveshje me Hazret Aliun, përpos atyre çështjeve të vogla, që shfaqen mes dikujt dhe të afërmve të bashkëshortit. Për mua, Hazret Aliu është mjet për të arritur mirësitë. Hazret Aliu tha: O njerëz! Hazret Aisheja ka thënë të drejtën dhe të vërtetën. Kjo ishte e vetmja mosmarrëveshje midis nesh. Ajo është bashkëshortja e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. në këtë botë dhe në ahiret.

Pastaj, për ta përcjellë, Hazret Aliu e shoqëroi për disa milje. Ai gjithashtu u dha porosi djemve të tij, për ta shoqëruar Hazret Aishen dhe për t’u kthyer të nesërmen.

Ky përshkrim është marrë nga Tarikhe Tabari. Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. shkruan:

“Hazret Telhai jetoi edhe pas Profetit s.a.v.s.. Pas martirizimit të Hazret Osmanit plasi një mosmarrëveshje midis muslimanëve, dhe një grup insistonte për të ndëshkuar vrasësit e Hazret Osmanit dhe përfaqësuesit e këtij grupi qenë Hazret Telhai, Hazret Zubejri dhe Hazret Aisheja. Grupi tjetër nuk pajtohej me këtë mendim duke arsyetuar që muslimanët nuk janë të bashkuar. Së pari, duhet të bashkojmë të gjithë muslimanët që të vendoset madhështia e Islamit. Lindja e vdekja është janë pjesë të jetës. Sa ta kalojmë këtë situatë, do t’u kërkojmë hakmarrje vrasësve të Hazret Osmanit. Përfaqësuesi i këtij grupimi qe Hazret Aliu r.a.. Kjo mosmarrëveshje u përshkallëzua aq shumë saqë Hazret Telhai, Zubejri dhe Hazret Aisheja ngritën akuza ndaj Hazret Aliut që ai po dëshironte t’i mbronte që kishin kryer vrasjen e Hazret Osmanit. Si kundërpërgjigje Hazret Aliu gjithashtu i paditi që derisa ata po këmbëngulin për një hakmarrje të menjëhershme, prandaj ata po u jepnin epërsi interesave personale, dhe nuk synonin fitoren e Islamit.

Pra, mosmarrëveshje midis dy grupeve kishte arritur kulmin, derisa plasi lufta e ashpër. Hazret Aisheja udhëhoqi ushtrinë e saj dhe e hipur në një deve ajo u jepte porosi ushtarëve të saj. Hazret Telhai dhe Hazret Zubejri gjithashtu bënin pjesë në grupin e saj.

Ndërkohë, zhvillohej lufta e ashpër, një sahab e takoi Hazret Telhain dhe i tha: O Telha! A ju kujtohet se në filan kohë, unë dhe ju gjendeshim në shoqërinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ai ju kishte thënë: O Telha! Do të vijë një kohë, kur ti dhe Aliu do të gjendeni në dy ushtri të ndryshme, dhe Aliu do të ketë të drejtë ndërsa ti do ta luftosh padrejtësisht. Me të dëgjuar fjalët e sahabiut, Hazret Telhai kuptoi krejt ngjarjen dhe iu kujtuan fjalët e Profetit. Pastaj, ai dezertoi luftën dhe u largua nga ai vend.

Ndërsa po largohej nga fushëbeteja, për të plotësuar porosinë e Profetit s.a.v.s., një njeri i lig, i cili qe ushtar në ushtrinë e Hazret Aliut, e qëlloi nga mbrapa dhe e martirizoi duke i ngulur hanxhar. Pas vrasjes së Telhait, ky ushtar nxitoi te Hazret Aliu për t’ia dhënë atij këtë lajm dhe duke pritur një shpërblim të madh prej tij. Ai i tha: O prijës i besimtarëve! Unë ju përgëzoj për vrasjen e armikut tuaj. Hazret Aliu e pyeti: Cili armik? Ai i tha: O prijës i besimtarëve! Unë kam mbytur Telhain. Hazret Aliu u pikëllua nga lajmi tronditës dhe i tha: O njeri! Edhe unë të përgëzoj nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. se do të hidhesh në xhehenem. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte thënë Telhait, në praninë time se: O Telha! Ti do të durosh fyerje duke mbrojtur të vërtetën dhe drejtësinë, dhe do të vritesh nga një person, i cili do të përfundojë në xhehenem.

Lufta e Sifinit

Kjo luftë ishte zhvilluar midis Hazret Aliut dhe Hazret Amir Muavijes në vitin 37 hixhri (657). Siffin është një vend midis Sirisë dhe Irakut. Hazret Aliu u nis nga Kufa me ushtrinë e tij dhe kur mbërriti në Sifin, vuri re që ushtria siriane nën udhëheqjen e Amir Muavijes tashmë kishte fushuar atje dhe një njësi prej tyre kishte zënë bregun e lumit Eufrat. Hazret Aliu i bëri të qartë palës tjetër se nuk kishte ndërmend për luftë, përkundrazi ai ka ardhur për të sqaruar disa çështje me Amir Muavijen. Megjithatë, Amir Muavija nuk pranoi për ndonjë marrëveshje. Ushtria siriane ndërpreu furnizimin e ushtrisë së Hazret Aliut me ujin e lumit. Hazret Aliu urdhëroi ushtrinë e tij për të zmbrapsur palën tjetër dhe për të siguruar daljen deri në lumë. Pas marrjes së kontrollit, Hazret Aliu i lejoi sirianët për të vazhduar furnizimin me ujë.

Amir Muavija po këmbëngulte që Hazret Aliu t’ia dorëzonte vrasësit e Hazret Osmanit. Një herë kur u shfaq rreziku për shpërthimin e luftës, pajtuesit dhe ndërmjetësit nga të dyja palët ndërhyjnë dhe qetësuan situatën.

Ndonëse trupat e të dyja palëve ishin përfshirë në përplasje të vazhdueshme, nga frika e një lufte të përgjithshme, ata i shmangeshin njëri-tjetrit. Për të lënë hapësirë për një armëpushim, palët u pajtuan për të ndërprerë luftën përkohësisht gjatë muajve të shenjtë. Megjithatë, edhe ky plan dështoi dhe në fillim të muajit Safer 37 hixhri u shpall zyrtarisht fillimi i luftës. Kur kaloi një kohë që vazhdonte lufta midis palëve dhe nuk po dukej asnjë rezultat në horizont, Amir Muavija humbi shpresën. Në atë moment, Hazret Amr ibn Asi e këshilloi që të lidheshin librat e Kuranit me majat e shtizave dhe ushtarët kërkojnë që zgjidhja e kësaj çështjeje të gjendet nëpërmjet këtij libri.

Kjo taktikë solli rezultate dhe shkaktoi mosmarrëveshje në ndjekësit e Hazret Aliut. Një shumicë kërkoi që kërkesa e palës tjetër për t’i gjetur zgjidhje nëpërmjet Kuranit nuk mund të injorohej. Hazret Aliu gjithashtu thirri pararojat nga fronti dhe i urdhëroi për të qëndruar në kamp dhe kështu pushoi lufta.

Ngjarja e Tehkimit (arbitrazhit)

Shumica nga ushtria e Hazret Aliut u pajtua me sugjerimin e Amir Muavijes që të dy palët zgjidhnin nga një arbitër (ndërmjetës) dhe këta arbitra të cilët bashkërisht do të punonin për të gjetur një zgjidhje në bazë të mësimeve të Kuranit. Në veprat e historisë islame, kjo ngjarje përmendet si “Tehkim” (arbitrazh).

Sirianët caktuan Hazret Amr ibn Asin dhe Hazret Aliu emëroi Ebu Musa el-Esheriun dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes ushtritë u kthyen në kampet e tyre. Kjo referencë është marrë nga historia e Ibn Ethirit.

Hazret Kalifatul Masih II ka komentuar këtë ngjarje me këto fjalë:

Shokët e Amir Muavijes vepruan me dinakëri dhe gjatë luftës ngritën Kuranin në shtizat e tyre. Ata deklaruan që do t’i binden vendimit të Kuranit dhe duhen caktuar pajtues që të punojnë për këtë qëllim. Në këtë moment, të njëjtët persona, që vepronin si përçarës dhe ishin përfshirë në ekzekutimin e Hazret Osmanit dhe menjëherë pas martirizimit të tij ishin rreshtuar në anën e Hazret Aliut, përkrahën këtë ide dhe kërkuan caktimin e arbitrave. Ndonëse Hazret Aliu nuk pranonte një gjë të tillë, por grupi i përçarësve ndikoi persona të tjerë në ushtrinë e Hazret Aliut dhe e detyruan atë për të zgjidhur konfliktin me rrugë arbitrazhi.

Përfundimisht, Amir Muavija caktoi Hazret Amr ibn el-Asin dhe Hazret Aliu emëroi Harzet Ebu Musa el-Esh’ariun si arbitra. Në të vërtetë, qëllimi i ngritjes së këtij komisioni të arbitrazhit ishte të zgjidhej çështja e vrasjes së Hazret Osmanit dhe ishte pranuar që vendimi do të jetë në përputhje me mësimet e Kuranit. Pra, të shqyrtonin çështjen e martirizimit të Hazret Osmanit dhe të vendosnin për dënimin apo për arrestimin e vrasësve të tij. Por, arbitrat e kësaj çështje Amru ibn el-Asi dhe Ebu Musa el-Esha’riu pas konsultimit dhanë vendimin se së pari Hazret Aliu dhe Hazret Muavija të shkarkohen nga udhëheqja e tyre.

Në vend që të shqyrtonin dhe jepnin vendim lidhur me vrasësit e Hazret Osmanit, arbitrat vendosën për shkarkimin e të dy udhëheqësve, pasi sipas tyre muslimanët po vuanin nga konflikti i tyre. Ata gjithashtu mbështetën zgjedhjen e një kalifi të ri. Megjithatë, ata nuk kishin të drejtë për të dhënë të vendim të tillë, dhe parimisht nuk ishin caktuar për një gjë të tillë. Arbitrat kishin shqyrtuar një çështje, që ishte jashtë tagrit të tyre.

Për të shpallur vendimin, ata organizuan një tubim. Hazret Amru ibn el-Asi i tha Ebu Musa el-Esha’riut për të shpallur vendimin e tij, dhe ai të shpallte menjëherë vendimin pas tij. Hazret Ebu Musa el-Esha’riu njoftoi se ai shkarkonte Hazret Aliun nga kalifati. Pastaj u ngrit Hazret Amr ibn el-Asi dhe tha: “Unë pajtohem me vendimin e Ebu Musait për të shkarkuar Hazret Aliun, por unë nuk e shkarkoj Muavijen, por miratoj vazhdimin e punës së tij si Emir”.

Hazret Amr ibn el-Asi ishte një njeri i drejtë, por nuk dua të hyj këtu në debatin se përse kishte dhënë një vendim të tillë, megjithatë vendimi ishte i padrejtë dhe i gabuar.

Pas shpalljes së vendimit, përkrahësit e Muavijes e mirëpritën me brohoritje, por Hazret Aliu refuzoi ta njihte këtë vendim. Ai tha se ai komision i arbitrazhit nuk ishte ngritur për këtë çështje dhe as ky vendim nuk përputhej me asnjë ajet kuranor, andaj vendimi i tyre nuk vlen aspak.

Cilët janë havarixhë?

Ata që nuk pranuan arsyen e Hazret Aliut dhe dolën nga bejati i tij, u quajtën havarixhë. Ata refuzuan të besonin në një kalif, të cilit duhet t’i nënshtrohen të gjithë besimtarë. Ata gjithashtu deklaruan që çështjet e muslimanëve duhet zgjidhur me pëlqimin e shumicës së tyre, sepse vendosja e kalifit të në krye të muslimanëve bie në kundërshtimin me parimin “لَا حُكْمَ إِلَّا لِلَّهِ” vendimi i takon Allahut

Lufta e Nehravanit

Kjo luftë u zhvillua në 38 hixhri (mars 658) midis ushtrisë së Hazret Aliut dhe havarixhëvei në Nehravan, një vend që ndodhej midis Bagdadit dhe Vasites. Ibni Ethiri në historinë e tij ka shkruar që për të zgjidhur ngërçin në luftën e Sifinit, u ngrit një komision arbitrazhi dhe u caktua Hazret Ebu Musa el-Esh’ariu nga ana e Hazret Aliut ndërsa Hazret Amru ibn el-Asi u emërua nga Amir Muavija. Kjo ngjarje është e njohur në historinë islame si “Tehkim” (arbitrazhi). Në këtë çështje, një grup nga ushtria e Hazret Aliut shfaqi mosmarrëveshje ndaj tij, dhe vendosi të ndahej prej tij duke shfaqur rebelizëm. Meqë kishin dalë nga grupi i tij, prandaj u quajtën havarixhë. Këta gjithashtu e quajtën tehkimin (arbritrazhin) një mëkat dhe kërkuan që Hazret Aliu të pendohej dhe të jepte dorëheqje nga pozita e kalifit, kërkesat që përjashtoi ai në mënyrë kategorike.

Ndërkohë, Hazret Aliu ishte i gatshëm për të luftuar sërish kundër Amir Muavijes, havarixhët filluan veprimtari terroriste. Ata zgjodhën Abdullah ibn Vehbin si kryetar dhe nga Kufa emigruan në Nehravan. Ata gjithashtu kishin mobilizuar një grup simpatizantë në Besre, të cilët emigruan në Nehravanit dhe u bashkuan me grupin kryesor që udhëhiqej nga Abdullah ibn Vehbi. Ata vranë Abdullah ibn Hababin, një sahab të Profetit s.a.v.s., për arsyen se ai kishte shfaqur bindje ndaj Hazret Aliut. Madje bashkëshortes së tij shtatzënë, i kishin vrarë barbarisht duke i çarë barkun. Havarixhët kishin masakruar tri gra të fisit Tej. Madje, kur Hazret Aliu dërgoi Harith ibn Merrah si përfaqësues i tij ndaj tyre, për të hulumtuar këto raste, havarixhët e mbytën edhe atë.

Duke parë këtë gjendje, Hazret Aliu anuloi përparimin e ushtrisë drejt Sirisë dhe me 65 mijë ushtarë u nis për t’u ballafaquar me havarixhët. Kur mbërriti në Nehravan, Hazret Aliu u dërgoi një mesazh dhe i ftoi drejt paqes. Ai i kishte dhënë një flamur Hazret Ebu Ejub el-Ensariu dhe kishte bërë njoftim se çdokush që strehohet në atë flamur, atij do t’i jepet mbrojtje dhe ai nuk do të luftohet. Pas shpalljes së këtij njoftimi, prej 4 mijë havarixhëve, një shumicë e madhe u kthye në Kufe ndërsa njëqind prej tyre dezertuan ushtrinë e tyre dhe u bashkuan sërish me Hazret Aliun r.a.. Vetëm 1800 ushtarë nën udhëheqjen e Abdullah ibn Vehbit el-Harixhiu zbritën në fushë për të luftuar kundër 65 mijë ushtarëve të Hazret Aliut, dhe asnjeri nga havarixhët nuk u kthye i gjallë.

Sipas një transmetimi, vetëm 10 havarixhë, që ishte një numër shumë i vogël, kishin mbetur të gjallë pas kësaj lufte, ndërsa 7 nga ushtarët e Hazret Aliut gjithashtu kishin rënë dëshmorë.

Hazret Amra bint Abdirrahman ka transmetuar se para se të nisej për në Besra, Hazret Aliu shkoi për të takuar Hazret Ume Selma, bashkëshorten e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ajo i tha: Shkofshi nën mbrojtjen e Allahut! Pasha Zotin! Ju jeni në të vërtetë dhe ju përkrah e vërteta. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. na ka lënë amanet që të qëndrojmë në shtëpi, dhe po të mos kisha frikën e mosbindjes ndaj Profetit s.a.v.s., do t’ju kisha shoqëruar në këtë udhëtim. Megjithatë, po ju shoqëroj me djalin tim Omer, të cilin e kam gjënë më shtrenjtë dhe e dua më shumë se veten time.

Kjo temë vijon edhe në javën e ardhshme.

Thirrje për lutje

Edhe sot, dua t’ju bëj thirrje për lutje për Pakistanin dhe Algjerinë. Kemi një lajm të gëzueshëm nga Algjeria, që gjatë 2-3 ditëve të fundit, dy gjykata të ndryshme kanë liruar disa ahmedianë, të cilët ishin arrestuar padrejtësisht. Allahu i shpërbleftë këta gjykatës të drejtë dhe i mundësoftë administratës dhe pushtetit gjyqësor t’u përmbahen drejtësisë në çështjet e ahmedianëve ndaj të cilëve janë ngritur padi të rrema.

Në Pakistan gjithashtu, disa zyrtarë dhe gjykatës nuk po i përgjigjen më drejtësisë dhe po përdorin padrejtësisht autoritetin e tyre. Allahu i mundësoftë edhe ata që të heqin inatin dhe urrejtjen nga zemra dhe të shqyrtojnë çdo çështje me drejtësi. Nëse tek Allahu, ata nuk kanë për t’u reformuar, lutem që ata të pësojnë masat ndëshkimore për shkeljet e tyre, ndërsa ahmedianët e Pakistanit të gëzojnë paqe dhe harmoni. Ahmedianët që jetojnë në Pakistan, duhet t’u kushtojnë vëmendje ibadeteve nafile dhe lutjeve.

Ata le të bëjnë këto lutje:

ربِّ كل شيء خادمك ربِّ فاحفظني وانصرني وارحمني

اللَّهُمَّ إِنَّا نجعلُكَ في نحورِهِمْ، ونعُوذُ بِكَ مِنْ شرُورِهمْ

Po kështu të bëjnë shumë istikfar, t’i dërgojnë sa më shumë selavate Prijësit tanë Muhammedit dhe të bëjnë ibadete nafile. Allahu ua mundësoftë atyre të realizojnë këto synime dhe ua përfmirësoftë gjendjen në Pakistan!

Namazi i xhenazes

Në fund të hutbes, Huzuri (Allahu e ndihmoftë fuqimisht) njoftoi për vdekjen e disa anëtarëve, të cilëve ua udhëhoqi namazin e xhenazes në mungesë, pas namazit të së xhumasë.

  1. Humda Abas ka ndërruar jetë më 29 nëntor në moshën 91 vjeçare.
  2. Ridvan Sjed Naimi sahib nga Iraku, ka ndërruar jetë më 13 nëntor më moshën 70 vjeçare
  3. Melik Ali Muhammed sahib, Sargoda, Pakistani, ka ndërruar më 20 gusht në moshën 90 vjeçare.
  4. Ihsan Ahmad nga Lahore, Pakistani, ka ndërruar më 27 korrik në moshën 35 vjeçare.
  5. Rijazudin Shems sahib, ka ndërruar jetë më 27 maj.

Allahu i mëshiroftë të gjithë të ndjerët dhe ua lartësoftë shkallët në xhenet!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp