Mos u brengos, Allahu është me ne | Jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Mos u brengos, Allahu është me ne | Jeta e Hazret Ebu Bekrit r.a.

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

(Teksti i hutbes të së xhumasë, të mbajtur nga Hazret Mirza Masrur Ahmedi, Kalifi i Pestë dhe Udhëheqësi botëror i Xhematit Musliman Ahmedia mbi jetën e Hazret Ebu Bekrit, më 31.12.2021. Ju lutemi, ndiqeni videon.)

أَشْھَدُ أَنْ لَّا إِلٰہَ اِلَّا اللّٰہُ وَحْدَہٗ لَا شَرِیْکَ لَہٗ وَأَشْھَدُ أَنَّ مُحَمَّدًا عَبْدُہٗ وَ رَسُوْلُہٗ۔
أَمَّا بَعْدُ فَأَعُوْذُ بِاللّٰہِ مِنَ الشَّیْطٰنِ الرَّجِیْمِ۔

بِسۡمِ ٱللَّهِ ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (١)  ٱلۡحَمۡدُ لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ(٢) ٱلرَّحۡمَٰنِ ٱلرَّحِيمِ (٣) مَٰلِكِ يَوۡمِ ٱلدِّينِ (٤) إِيَّاكَ نَعۡبُدُ وَإِيَّاكَ نَسۡتَعِينُ (٥) ٱهۡدِنَا ٱلصِّرَٰطَ ٱلۡمُسۡتَقِيمَ (٦) صِرَٰطَ ٱلَّذِينَ أَنۡعَمۡتَ عَلَيۡهِمۡ غَيۡرِ ٱلۡمَغۡضُوبِ عَلَيۡهِمۡ وَلَا ٱلضَّآلِّينَ (٧

إِلَّا تَنصُرُوهُ فَقَدْ نَصَرَهُ اللَّهُ إِذْ أَخْرَجَهُ الَّذِينَ كَفَرُوا ثَانِيَ اثْنَيْنِ إِذْ هُمَا فِي الْغَارِ إِذْ يَقُولُ لِصَاحِبِهِ لَا تَحْزَنْ إِنَّ اللَّهَ مَعَنَا ۖ فَأَنزَلَ اللَّهُ سَكِينَتَهُ عَلَيْهِ وَأَيَّدَهُ بِجُنُودٍ لَّمْ تَرَوْهَا وَجَعَلَ كَلِمَةَ الَّذِينَ كَفَرُوا السُّفْلَىٰ ۗ وَكَلِمَةُ اللَّهِ هِيَ الْعُلْيَا ۗ وَاللَّهُ عَزِيزٌ حَكِيمٌ ‎﴿٤٠﴾‏

Në hutben e mëparshme, po përmendej ngjarja e Hazret Ebu Bekrit r.a. në lidhje me shpellën e Theurit. Në ajetin e mësipërm të Kuranit Famëlartë që lidhet me këtë ngjarje kur armiqtë kishin arritur deri në shpellën e Theurit, Allahu i Madhëruar thotë, përkthimi i së cilës është:

“Nëse ju nuk ndihmoni atë (të dërguarin), Allahu (vetëm) e ka ndihmuar atë (edhe më parë), kur atë e dëbuan mohuesit, kur ai ishte njëri prej dyve, kur ata të dy ishin në shpellë, kur ai i thoshte shokut të vet: “Mos u brengos, Allahu është me ne”. Pra, Allahu zbriti qetësinë e Tij mbi të, e ndihmoi me një ushtri që nuk e keni parë dhe fjalën e atyre që mohuan e çoi poshtë. Fjala e Allahut është ajo që është më e larta dhe Allahu është i Plotfuqishëm, i Urtë”. (Kurani Famëlartë 9:40)

Ngjarja e shpellës së Theurit

Kjo është përmendur në Kuranin Famëlartë në lidhje me ngjarjen që ndodhi në shpellën e Theurit. Mosbesimtarët e Mekës po flisnin me njëri-tjetrin në hyrje të shpellës. Hazret Ebu Bekri r.a. u shqetësua shumë nga biseda e tyre, se çfarë do të ndodhte nëse do ta kapnin të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., pasi ekzistenca e krejt Islamit varet nga jeta e bekuar e Profetit s.a.v.s.. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vuri re se Hazret Ebu Bekri r.a. po merakosej aq shumë, ai tha:

 لَا تَحْزَنْ إِنَّ ٱللَّهَ مَعَنَا ۖ

O Ebu Bekr! Mos u brengos, Allahu është me ne.

Armiku i ndoqi gjurmët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. deri në kodrën ku ndodhej shpella e Theurit, personi që po kërkonte gjurmët e tyre tha: “Nuk po dalloj dot se pas këtij vendi, në cilin drejtim kanë lëvizur ata?” Kur iu afruan shpellës, gjurmuesi u shpreh: “Pasha Allahun! Atë që po e ndiqni nuk ka shkuar përtej kësaj pike”. Kur personi që kërkonte gjurmët e Profetit, shqiptoi këto fjalë mu në hyrje të shpellës, dhe pikërisht në atë çast, dikush prej tyre donte të hidhte një vështrim brenda shpellës, Umeja ibn Halafi e kundërshtoi në mënyrë mjaft të ashpër e të prerë dhe tha: “Unë e kam parë këtë rrjetë dhe pemë këtu edhe para se të lindte Muhammedi s.a.v.s. “A nuk jeni në rregull nga mendtë? Si mund të jetë ai këtu? Le të ikim që këtej, dhe ta kërkojmë diku tjetër”. Pas këtyre fjalëve, njerëzit u kthyen.

Shpallja e çmimit të 100 deveve

Në “Siret Khatemun-Nebijin”, Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahibi ka përmendur shpalljen e çmimit nga Kurejshët e Mekës dhe ndjekjen e tyre të Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Ai shkruan:

“Ata shpallën lajmërimin që kushdo që e sillte Muhammedin s.a.v.s. të gjallë apo të vdekur, do t’i jepej një shpërblim prej 100 devesh. Shumë njerëz, në dëshirë për ta fituar këtë shpërblim, dolën në të gjitha drejtimet e Mekës. Madje vetë krerët e Kurejshëve i ndoqën gjurmët e Profetit të Shenjtë s.a.v.s., derisa arritën mu në hyrje të shpellës së Theurit. Me të mbërritur këtu, gjurmuesit e tyre thanë: “Ja, gjurmët nuk vazhdojnë më tej. Prandaj, ose Muhammedi është fshehur diku këtu, ose ka fluturuar në qiell”. Dikush tha: “Le të futet dikush në shpellë dhe ta kontrollojë pak nga brenda” por dikush tjetër u shpreh: “Të lumtë! A keni mend që thoni gjëra të tilla? A është e mundur që dikush të struket në një shpellë të tillë? Ky është vendi kaq i errët dhe i rrezikshëm, që asnjeri nuk do të guxojë të futet këtu. Ne e kemi parë gjithmonë si të tillë”.

Merimanga, pëllumbat dhe pema

Është përcjellë gjithashtu se pasi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. hyri në shpellë, një merimangë kishte thurur një rrjetë në pemën e cila ndodhej pikërisht në hyrje të shpellës, dhe një pëllumb kishte bërë fole dhe kishte lëshuar vezë në degën që gjendej mu në hyrje të shpellës. (Sipas Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahib r.a. “Ky transmetim është i dobët, por edhe nëse ka ndodhur diçka e tillë, nuk është aspak për t’u çuditur. Edhe pse është një transmetim i dobët, megjithatë nuk është i pabesueshëm. Disa herë, merimanga mund të endë rrjeta të dendura në një hapësirë të gjerë, vetëm brenda disa minutave. As pëllumbit nuk i duhet shumë kohë që të bëjë fole dhe të lëshojë vezë. Prandaj, nuk është aspak e pamundur, nëse Zoti i Madhërishëm, për të mbrojtur të Dërguarin e Tij s.a.v.s., të ketë shfaqur fuqinë e Tij Hyjnore. Madje, duke marrë parasysh situatën në fjalë, një fenomen i tillë është plotësisht i pranueshëm.

Sidoqoftë, askush nga Kurejshët nuk guxoi të hynte në shpellë dhe të gjithë u kthyen prej andej. Hazret Mirza Bashir Ahmed sahibi r.a. shkruan më tej:

“Në bazë të një transmetimi, kurejshët ishin afruar kaq pranë, saqë këmbët e tyre dukeshin nga brendësia e shpellës dhe zëri i tyre dëgjohej qartë. Në këtë moment, Hazret Ebu Bekri r.a. i brengosur, i tha të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. me zë të ulët: ‘O i Dërguari i Allahut! Kurejshët janë aq afër saqë u duken këmbët. Po të lëvizin fare pak përpara dhe shikojnë nga brenda, mund të na zbulojnë’.”

Profeti i Shenjtë s.a.v.s. tha:

لَا تَحْزَنْ إِنَّ ٱللَّهَ مَعَنَا ۖ

“Mos u brengos, Allahu është me ne”.

Pastaj Profeti i Shenjtë s.a.v.s. tha: «مَا ظَنُّكَ يَا أَبَا بَكرٍ بِاثنَينِ الله ثَالِثُهُمَا».

‘O Ebu Bekr! Çfarë mendon për ata dy, i treti prej të cilëve është Zoti?” Në një transmetim tjetër tregohet se kur kurejshët arritën në hyrje të shpellës, Hazret Ebu Bekri r.a. u brengos shumë. Kur Profeti i Shenjtë s.a.v.s. vuri re ankthin e tij, e ngushëlloi se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar. Atëherë Hazret Ebu Bekri r.a. i ishte përgjigjur me një zë mallëngjyes:

إنْ قُتِلْتُ فَإِنَّمَا أَنَا رَجُلٌ وَاحِدٌ، وَإِنْ قُتِلْتَ أَنْتَ هَلَكَتِ الأُمَّةُ

“O i Dërguari i Allahut s.a.v.s.! Nëse më vrasin, unë jam vetëm një individ. Por nëse (largqoftë) pësoni ndonjë të keqe, do të shfaroset i gjithë umeti”. Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori shpalljen nga Zoti, dhe ai iu përgjigj me këto fjalë:

لَا تَحْزَنْ إِنَّ ٱللَّهَ مَعَنَا ۖ

O Ebu Bekr! Mos u brengos, Allahu është me ne dhe ne të dy jemi nën mbrojtjen e Tij. Me fjalë të tjera kjo do të thoshte “Ti po brengosesh për mua dhe në kulmin e përkushtimit, nuk po merakosesh aspak për veten tënde. Por, mos ndjejë pikëllim për jetën tënde. Sepse, Zoti i Madhërishëm nuk është mbrojtësi im, por edhe i yti, dhe Ai do të na mbrojë nga çdolloj dëmi, që armiku synon të na sjellë”.

Ky fragment është marrë nga “Siret Khatemun-Nebijin”. Ndërsa Hazret Musleh el-Ma’ud r.a. thotë:

“Kur mori urdhër nga Allahu i Madhërishëm për t’u shpërngulur, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi me Hazret Ebu Bekrin r.a. dhe u ngjit në kodrën Theur, e cila ndodhet 6-7 milje larg Mekës. Në majë të kësaj kodre ishte një shpellë në të cilën ata u strehuan dhe u fshehën. Kur jobesimtarët panë në mëngjes se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk gjendej në shtëpi dhe pavarësisht masave të sigurisë kishte shpëtuar me sukses, ata menjëherë u nisën në kërkim. Për këtë qëllim, ata morën gjurmuesit më të mirë të Mekës, të cilët ishin të pashoq në njohjen e gjurmëve. Këta gjurmues, i sollën ata deri në shpellën e Theurit dhe thanë se Muhammedi duhet të jetë patjetër këtu, pasi gjurmët mbaronin atje dhe nuk vijonin më tej.

Gjendja ishte e tillë që armiku qëndronte mu para shpellës dhe hyrja e saj nuk ishte aq e ngushtë, që njeriu të kishte të vështirë të hidhje një vështrim brenda. Në fakt hyrja e shpellës ishte aq e gjerë, saqë njeriu mund të futej lehtësisht brenda dhe mund të zbulonte nëse kishte ndonjë të fshehur atje apo jo. Megjithatë, edhe pse kjo gjendje paraqiste një rrezik të madh, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk u frikësua aspak, madje, forca shpirtërore që zotëronte, e kaliti Hazret Ebu Bekrin r.a. dhe ia forcoi zemrën. Ai nuk tha aspak si shokët e Musait a.s. se “u kapëm”, përkundrazi, ai tha vetëm kaq: “O i Dërguari i Allahut! Armiqtë janë aq afër, saqë po të ulin pak kokën, ata do të na zbulojnë”. Mirëpo, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

اُسْکُتْ  يَا اَبَا بَکْرٍ  اِثْنَانِ  اللّٰہُ  ثَالِثُھُمَا۔ 

“Rri i qetë Ebu Bekr, ne nuk jemi vetëm dy tani, përkundrazi jemi tre dhe i treti prej nesh është Allahu, kështu që si mund të na shohin?”
Dhe pikërisht ashtu ndodhi. Pavarësisht se armiqtë kishin arritur deri në hyrje të shpellës, ata nuk mundën të ecnin përpara apo të shikonin brenda dhe prej andej u kthyen nga kishin ardhur.

Dallimi midis ndjekësve të Musait a.s. dhe Muhammedit s.a.v.s.

Një aspekt tjetër i kësaj ngjarjeje është se nëse ndjekësit e Musait a.s. i zuri paniku dhe ata thanë: “O Musa! Ne jemi kapur”, pra ata e përfshijnë edhe Musain a.s. se edhe ai bashkë me ta do të kapej nga Faraoni. Ndërsa mbështetja e Muhammedit s.a.v.s. ishte e tillë që ndikoi edhe shokun e tij, dhe ai nuk u shpreh se: “Ne jemi kapur”. Gjithçka që ai tha ishte se armiku është afruar aq pranë, saqë po të donte, mund t’i zbulonte. Megjithatë, i Dërguari i Allahut, Profet Muhammedi s.a.v.s., nuk duroi as këtë mëdyshje dhe tha: “As mos t’ju vijë në mendje se ne jemi vetëm dy në këtë çast, sepse bashkë me ne është një Qenie tjetër, i Cili është Zoti ynë”.

Hazret Musleh M’aud r.a. thotë në një rast tjetër:

“Kur banorët e Mekës i kishin përshkallëzuar mizoritë e skajshme ndaj të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. derisa ata i pengonin përpjekjet e tyre për të përhapur besimin, Allahu i Madhëruar urdhëroi që ata të largoheshin nga Meka. Hazret Ebu Bekri r.a. ishte gjithashtu i gatshëm që të shpërgulej nga Meka së bashku me të. Përpara, sahabët i kishin kërkuar disa herë që të nisej, por Hazret Ebu Bekri r.a. nuk kishte pranuar të nisej pa të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Megjithatë, kur Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ishte gati të nisej, ai e zgjodhi Hazret Ebu Bekrin r.a. për shoqëri”.

Hazret Musleh M’aud r.a. rrëfen:

“Kur u larguan gjatë natës, ata u strehuan në një shpellë të vogël, e cila ndodhet në një kodër, dhe gryka e saj mund të jetë 2-3 metra e gjerë. Këtë shpellë e kam parë edhe unë, gjatë ditëve të haxhit. Kur mekasit e kuptuan se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte larguar (nga Meka), ata dolën për ta ndjekur. Në atë kohë, arabët kishin gjurmues shumë të aftë dhe me ndihmën e tyre mekasit arritën pikërisht në vendin ku qëndronin Profeti i Shenjtë s.a.v.s. dhe Hazret Ebu Bekri r.a..

Para hyrjes së shpellës, ishin rritur disa shkurre, degët e të cilave ishin ndërthurur. Nëse njerëzit do të hiqnin ato degë mënjanë, mund të zbulonin lehtësisht Profetin s.a.v.s. dhe Hazret Ebu Bekrin r.a.. Kur gjurmuesit arritën në këtë vend, ata thanë ata ose gjenden brenda në shpellë, ose mund të jenë ngjitur në qiell. Sidoqoftë, nuk kanë shkuar më larg asaj shpelle.

Merrni në mend se sa e brishtë ishte ajo situatë. Sigurisht edhe Hazret Ebu Bekri r.a. ishte brengosur, por jo për veten e tij, por për hir të Profetit të Shenjtë s.a.v.s.. Ai më pas tha:

لَا تَحْزَنْ إِنَّ ٱللَّهَ مَعَنَا ۖ

“Mos u brengos, Allahu është me ne”. Sikur Profeti i Shenjtë s.a.v.s. të mos e kishte dëshmuar praninë e Zotit të Plotfuqishëm me të, nuk ishte e mundur që ai të mos shqetësohej në një situatë kaq delikate. Edhe njerëzit më të guximshëm do t’i kapte paniku nëse do të gjenin armikun përpara. Megjithatë, kur armiqtë e Profetit të Shenjtë s.a.v.s. – të cilët e kishin përndjekur për 13 vitet radhazi, dhe donin t’i merrnin jetën, tashmë kishin arritur në vendin ku ai ndodhej. Gjurmuesit u thoshin se ai ose ishte ngjitur në qiell ose ishte fshehur brenda në shpellë. Por nuk ka shkuar më tej. Në këtë moment i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: لَا تَحْزَنْ إِنَّ ٱللَّهَ مَعَنَا ۖ

“Allahu është me ne andaj nuk ke pse të brengosesh”.

Ishte vetëm njohja e thellë për Zotin që nxiti të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të shprehej në këtë mënyrë. Profeti i Shenjtë s.a.v.s. e ndiente praninë e Allahut brenda vetes dhe kuptonte se me vdekjen e tij do të zhdukte vetë njohja e Zotit, prandaj askush nuk mund t’i sillte ndonjë dëm.”

Shokët e dy profetëve në dy situata të ngjashme

Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Isai a.s., kishte zgjedhur vetëm një person Thomain, që ta shoqëronte atë, ashtu si Profeti ynë i Shenjtë s.a.v.s. zgjodhi vetëm Hazret Ebu Bekrin r.a. gjatë udhëthimit të tij drejt Medinës. Perandoria Romake e kishte shpallur Isain a.s. rebel, madje edhe Pilati ishte vrarë me urdhër të Cezarit për të njëjtën akuzë, sepse ai ishte një përkrahës i fshehtë i Isait a.s. dhe gruaja e tij ishte gjithashtu pasuese e tij. Prandaj, ishte e nevojshme që Isai a.s. të largohej fshehurazi nga vendi dhe të mos merrte një grup me vete. Prandaj, në këtë udhëtim, ai mori me vete vetëm apostullin Thomai, ashtu siç Pejgamberi ynë i Shenjtë s.a.v.s. mori me vete vetëm Hazret Ebu Bekrin r.a. në udhëtimin e hixhretit drejt Medinës. Dhe ashtu si sahabët e tjerë të Profetit tanë të Shenjtë s.a.v.s. kishin mbërritur më herët në Medine nga rrugë të ndryshme, ashtu edhe dishepujt e Isait a.s. iu bashkuan atij nëpër rrugë të ndryshme në kohë të ndryshme.”

Përzgjedhja e Ebu Bekrit r.a. është dëshmi për sinqeritetin e tij

Pastaj në një rast tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. thotë:

“Sinqeriteti i Hazret Ebu Bekr es-Sidikut r.a. u shfaq në një kohë të vështirë kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte i rrethuar nga kundërshtarët e tij. Ndonëse disa prej tyre ishin të mendimit se ai thjesht duhej të dëbohej nga Meka, shumica prej tyre në fakt kërkonin t’i jepnin fund jetës së tij. Pikërisht në këtë gjendje, Hazret Ebu Bekr es-Siddiku r.a. tregoi sinqeritetin dhe besnikërinë më shembullore, e cila do të shkëlqejë deri në fund të kohës. Në këtë çast sprove, vetë përzgjedhja e tij nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s. është një argument i jashtëzakonshëm në favor të sinqeritetit dhe besnikërisë të lartë të Hazret Ebu Bekr es-Siddikut r.a.. Në atë kohë, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. kishte shtatëdhjetë apo tetëdhjetë sahabë, madje edhe Hazreti Aliu r.a. ishte me të, por nga të gjithë këta sahabë, Profeti s.a.v.s. zgjodhi vetëm Hazret Ebu Bekrin r.a..

Cila është arsyeja e fshehur pas kësaj përzgjedhje? Me të vërtetë, një profet sheh me syrin e Zotit të Plotfuqishëm dhe gjykimi i tij vjen prej Tij. Prandaj, Allahu i Madhëruar e kishte njoftuar Profetin s.a.v.s. me anë të vizionit dhe shpalljes se njeriu më i aftë dhe më i përshtatshëm për këtë detyrë ishte Hazret Ebu Bekri r.a.. Hazret Ebu Bekri r.a. e shoqëroi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në këtë moment të vështirë. Kjo ishte një kohë sprovash të rrezikshme. Kur i kishte ardhur Hazret Isait a.s. një rast i tillë, dishepujt e tij e braktisën dhe u larguan, madje njëri prej tyre e mallkoi në fytyrë. Por secili prej sahabëve fisnikë të Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dëshmoi besnikëri të plotë.

Prandaj, Hazret Ebu Bekri r.a. gjithashtu i qëndroi besnik Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dhe i dha mbështetje të plotë. Kur mbërritën në një shpellë të njohur si Shpella e Theurit, të dy u strehuan brenda saj. Mosbesimtarët keqdashës kishin komplotuar për të vrarë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe ata gjithashtu  mbërritën deri në shpellë duke ndjekur gjurmët e tyre. Hazret Ebu Bekr es-Siddiku r.a. iu drejtua të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.: “Tani, këta njerëz janë pikërisht mbi kryet tona dhe nëse ndonjëri shikon poshtë qoftë edhe pak, ai do të na zbulojë dhe ne do të kapemi. Në atë kohë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha:

لَا تَحْزَنْ إِنَّ ٱللَّهَ مَعَنَا ۖ

“Mos u brengos aspak sepse Allahu është me ne”.

Reflektoni pak mbi këto fjalë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s., bashkon Hazret Ebu Bekr es-Siddikun r.a. me veten e tij dhe thotë: إِنَّ ٱللَّهَ مَعَنَا “Vërtet, Allahu është me ne.” Fjala arabe “me’ana” (d.m.th. me ne) përfshin të dy. Pra, Allahu është me ty dhe me mua. Allahu i Plotfuqishëm e ka vendosur të Dërguarin e Tij s.a.v.s. në njërën anë dhe Hazret Ebu Bekër Siddikun r.a. në anën tjetër. Në atë kohë të dy ishin në një sprovë, dhe pikërisht në atë vend, do të vendosej për themelimin ose për rrënimin e Islamit. Armiku qëndronte në hyrjen e shpellës dhe po shpreheshin mendime të ndryshme. Disa thanë se shpella duhet të kontrollohej sepse gjurmët përfundojnë deri aty, ndërsa të tjerët theksuan se ishte e pamundur që një person të kalonte brenda në shpellë pasi një merimangë kishte thurur një rrjetë në grykë të shpellës dhe një pëllumb kishte lëshuar vezë në fole.

Këto fjalë dëgjoheshin nga brenda dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. gjithashtu mund t’i dëgjonte qartë. Në këtë gjendje, armiku kishte ardhur për t’i vrarë ata të dy dhe ishte në nxitim për të përfunduar misionin e tyre, por shikoni guximin e jashtëzakonshëm të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., i cili i thotë mikut të tij të vërtetë:

لَا تَحْزَنْ إِنَّ ٱللَّهَ مَعَنَا ۖ

“Mos u brengos aspak sepse Allahu është me ne”.

Këto fjalë tregojnë qartë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i shqiptoi këto fjalë gojarisht, sepse fjalë të tilla mund të artikuloheshin vetëm me zë dhe jo me gjuhën e shenjave. Armiku qëndronte jashtë duke u konsultuar me njëri-tjetrin, dhe brenda shpellës, shërbëtori dhe zotëria janë gjithashtu të përfshirë në bisedë. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk u frikësua aspak se armiku do ta dëgjonte zërin e tij dhe kjo dëshmon besimin e tij të jashtëzakonshëm dhe njohjen e tij të Allahut. Ajo tregon se ai kishte bindje të plotë në premtimet e Zotit. Mjafton vetëm ky shembull për të treguar trimërinë e Profetit të Shenjtë s.a.v.s.”.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. në një rast tjetër ka thënë:

“Për të mbrojtur të Dërguarin e Tij të pafajshëm, Zoti i Madhërishëm shfaqi një mrekulli të jashtëzakonshme, dhe megjithëse armiqtë kishin mbërritur deri te shpella në të cilën gjendeshin të fshehur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. me shokun e tij besnik, ata nuk mund ta shihnin atë. Zoti i Plotfuqishëm kishte dërguar një palë pëllumbash të cilët bënë një fole gjatë natës, pasi ata kishin hyrë në shpellë, madje ata lëshuan edhe vezë, dhe me urdhër hyjnor një merimangë endi gjithashtu rrjetën e saj në hyrje. Armiqtë u hutuan nga këto që panë dhe u kthyen të dëshpëruar.”

Në një transmetim thuhet se sipas planit të përcaktuar, djali i zgjuar i Hazret Ebu Bekrit r.a., Hazret Abdullah bin Ebi Bekri vinte në shpellën Theur në mbrëmje dhe i informonte ata për zhvillimet e ditës në Mekë. Ai merrte porosi dhe pastaj herët në mëngjes kthehej prapë në Mekë me kujdes, sikur të kishte kaluar gjithë natën në Mekë. Përveç tij, Amir ibn Fuhejra gjithashtu pas mjeljes së bagëtive gjatë natës, me zgjuarsi e kthente kopenë e dhive në një mënyrë që të fshinte gjurmët e Hazret Abdullah ibn Ebi Bekrit r.a..

Disa biografë kanë shkruar se Hazret Asma r.a. u sillte ushqimin çdo natë në shpellë, megjithatë kjo nuk është e besueshme. Nëse i marrim parasysh rrethanat e rrezikshme të asaj kohe, disa biografë thonë se nëse një grua do të shkonte çdo natë në shpellën Theur, kjo do të ekspozonte gjithë planin e tyre, dhe ky është mendimi i saktë. Përveç kësaj, derisa Hazret Abdullah ibn Ebi Bekri r.a. vinte çdo mbrëmje në shpellë, nuk kishte nevojë që Hazret Asma r.a. të vinte vetëm për të sjellë ushqimin. Megjithatë, Allahu e di më së miri.

Dalja nga shpella dhe vazhdimi i udhës drejt Medinës

Kaluan tri ditë në këtë mënyrë. Kur banorët e Mekës kontrolluan të gjitha vendet përreth dhe u kthyen pa sukses, ata u konsultuan me njëri-tjetrin dhe vendosën të shpallnin një shpërblim të madh. Ata dërguan lajmëtarë në çdo vendbanim afër Mekës për të njoftuar se kushdo që e kapte Muhammedin, të gjallë apo të vdekur, do të fitonte një shpërblim prej 100 devesh. Dëshira për të fituar një shpërblim kaq të madh, i bëri njerëzit të niseshin në kërkim të Profetit me një frymë të re. Në të njëjtën kohë, meqë kishin kaluar tri ditë, Abdullah bin Urejkiti i solli devetë sipas planit të paracaktuar.

Një transmetim i Sahih el-Buhariut tregon se ishte vendosur me Abdullah ibn Urejkitin që pasi të kishin kaluar tri ditë, ai do t’i sillte devetë me vete të nesërmen në mëngjes. Nga ky transmetim duket se udhëtimi nga shpella e Theurit për në Medine ishte nisur në mëngjes, por nga një transmetim tjetër i Buhariut sqarohet se udhëtimi në fakt kishte filluar në orët e mbrëmjes.

Pasi e përmend Abdullah bin Urejkitin, Hazret Mirza Bashir Ahmad Sahib r.a. shkruan:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Hazreti Ebu Bekri r.a. i kishin besuar devetë e tyre dhe e kishin porositur që pas tri netësh, në mëngjesin e ditës së tretë, ai të mbërrinte në shpellën e Theurit me devetë e tyre. Kështu, sipas marrëveshjes, ai mbërriti atje. Ky është një transmetim i njohur i Buhariut, por historianët shkruajnë se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte nisur udhëtimin gjatë natës, dhe mendimin e historianëve, e mbështet edhe një transmetim tjetër i Buhariut. Pra, mendimi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte nisur gjatë natës, duket nocioni më i besueshëm.”

Hazret Musleh M’aud r.a. thotë:

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli nga shpella natën e së hënës, më 1 Rabiul Evval dhe vazhdoi udhëtimin”.

Sipas Ibn Sa’dit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dalë nga shpella natën e së hënës, më 4 Rabiul Evval. Data e parë është transmetuar nga Khamisi dhe komentuesi i Sahih Al-Buhariut, Alama Ibn Haxher el-Askalani shkruan se Imam Hakimi thotë se ka shumë transmetime që thonë se Profeti i Shenjtë s.a.v.s. ishte nisur nga Meka të hënën dhe mbërriti në Medine gjithashtu të hënën. Vetëm Muhammed ibn Musa Khuarizmi ka shprehur që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte nisur nga Meka të enjten. Për t’i pajtuar këto transmetime të ndryshme, Alama Ibn Haxheri shkruan se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte nisur nga Meka të enjten dhe pasi kaloi tri net në shpellë, pra të premten, të shtunën dhe të dielën, u nis për në Medine natën e së hënës. Deveja mbi të cilën hipi i Dërguari i Allahut s.a.v.s. quehj el-Kasva. Hazreti Ebu Bekri r.a. hipi mbi një deve bashkë me Amir ibn Fuhejrah, ndërsa Urejkiti hipi në një deve të tijën.

Pasurinë që posedonte Hazret Ebu Bekri r.a. në atë kohë në shtëpinë e tij ishte pesë deri në gjashtë mijë dirhem. Ai e kishte marrë këtë pasuri me vete.

Besnikëria e vajzës së Hazret Ebu Bekrit r.a.

Sipas disa transmetimeve, Amir bin Fuhejra dhe Hazret Esma r.a. erdhën me ushqimin që përbëhej nga mish i pjekur dhie. Me të arritur atje, ata mësuan se nuk kishin sjellë leckë për të lidhur enën me ushqim dhe ujë. Hazret Esma r.a. e liroi brezin dhe e grisi në dy pjesë. Me njërën nga copat lidhi ushqimin dhe me pjesën tjetër enë me ujë. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i dha Hazret Asmas r.a. sihariqin për dy breza në parajsë. Pastaj ai u tha lamtumirë të gjithëve dhe filloi udhëtimin e tij me lutjen e mëposhtme:

اَللّٰهُمَّ اصْحَبْنِيْ فِيْ  سَفَرِيْ،  وَاخْلُفْنِيْ  فِيْ  أَهْلِيْ

“O Allah! Më shoqëro mua në udhën time dhe mbro familjen time në mungesën time”.

Është përmendur më parë se ngjarja e lidhjes së ushqimit nga Hazret Asma ka ndodhur kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po largohej nga shtëpia e Hazret Ebu Bekrit r.a.. Mirëpo, në këtë transmetim është përmendur se kjo ngjarje ka ndodhur më vonë. Kështu, sipas historisë, kjo ngjarje ka ndodhur në dy situata të ndryshme. Disa janë të mendimit se kjo ngjarje ka ndodhur kur i Dërguari i Allahut (s.a.v.s) po shpërngulte nga Meka. Ai po largohej nga shtëpia e Hazret Ebu Bekrit r.a. dhe po shkonte drejt shpellës së Theurit. Mirëpo, sipas një mendimi tjetër kjo ngjarje ka ndodhur kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. po largohej nga shpella e Theurit dhe po fillonte udhëtimin drejt Medinës. Sido që të jetë, kemi dy transmetime të ndryshme që bazohen në detajet e shpërnguljes, të cilat i ka përmendur Hazreti Aishja r.a. dhe i ka shënuar Imam Buhariu, duket se kjo ngjarje ka ndodhur kur ata po largoheshin nga shtëpia e Hazret Ebu Bekrit. r.a.).

Në këtë mënyrë, mendimi më i saktë është që t’i jepet përparësi transmetimit të Buhariut. Kjo sepse së pari për shkak të mbajtjes së fshehtësisë të qëndrimit të tyre në shpellën e Theurit, duket e pamundur që Hazret Asma r.a. të shkonte atje për të dorëzuar ushqimin. Hazret Abdullah ibn Ebi Bekri dhe Hazret Amir bin Fuhejra po shkonin atje fshehurazi çdo ditë, prandaj nëse një grua të shkonte atje (në rrethana të tilla) do të ishte paradoksale ndaj masave të marra për siguri dhe kujdes.

Megjithatë, ngjarja e lidhjes së ushqimit me brezin e saj në shtëpi tregon gjithashtu përkushtimin dhe dashurinë e skajshme të Hazret Asma r.a. (për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. pasi ajo nuk donte të humbiste kohë duke kërkuar diçka tjetër për të lidhur ushqimin. Natyrisht, mund të thuhet se kjo ngjarje kishte ngjarë në shpellë sepse aty nuk kishte asgjë për të lidhur ushqimin, por kjo ngjarje mund të kishte ndodhur edhe në shtëpi ku ajo nuk gjeti diçka menjëherë dhe kështu për të kursyer kohë, ajo mori brezin e saj dhe e lidhi ushqimin me të dhe kështu ndihmoi Hazret Ebu Bekrin r.a. dhe të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. të niseshin në udhëtimin e tyre.

Prandaj, sipas transmetimit të Buhariut, duket më e saktë se ngjarja e lidhjes së ushqimit ka ndodhur kur ata ishin gati të largoheshin nga shtëpia e Hazret Ebu Bekrit r.a. në vend të nisjes nga shpella e Theurit për në Medine. Sidoqoftë Allahu e di më së miri.

Hazret Ebu Bekri r.a. kishte marrë të gjithë pasurinë me vete

Hazret Asma r.a. ka përcjellë: “Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Hazret Ebu Bekri r.a. u nisën për hixhret, Hazret Ebu Bekri r.a. mori me vete të gjithë pasurinë e tij që arrinte në pesë ose gjashtë mijë dirhemë.”

Më tej ajo tregon: “Gjyshi ynë, Ebu Kuhafa erdhi te ne dhe në atë kohë ai kishte humbur shikimin. Ai tha: “Pasha Allahun, ai (d.m.th. Hazret Ebu Bekri r.a.) ju ka lënë në sprovë jo vetëm për shkak të vetvetes, por edhe për shkak të pasurisë së tij.” Mbi këtë, unë thashë: “O gjyshi im! Sigurisht që jo, sepse ai na ka lënë mjaft pasuri.’ Më pas mora disa gurë dhe i vendosa në një vend ku babai im vendoste paratë e tij dhe më pas vura një mbulesë mbi ta. Pastaj e kapa dorën e gjyshit dhe i thashë, këtu vendose dorën mbi pasurinë.” Ai vendosi dorën mbi të dhe më pas tha, nëse ka lënë kaq shumë pasuri, atëherë ai ka bërë mirë dhe nuk ka asnjë të keqe.”

Hazret Asma r.a. më tej tregon: “Betohem në Allahun, Ebu Bekri r.a. nuk na kishte lënë asgjë, por thjesht doja ta qetësoja gjyshin tim të moshuar me këtë veprim”.

Dashuria e Profetit s.a.v.s. ndaj Mekës

Hazret Mirza Bashir Ahmed Sahib r.a. shkruan:

“Pasi ai u largua nga shpella, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. hipi mbi një deve, e cila në dritën e transmetimeve të ndryshme quhej El-Kasva, ndërsa Hazret Ebu Bekri r.a. dhe shërbëtori i tij, Amir bin Fuhairah hipën në tjetrën. Pas largimit të tij, Profeti i Shenjtë s.a.v.s. hodhi një vështrim të fundit drejt Mekës dhe tha me pikëllim të madh: “O qyteti i Mekës! Ti je më i dashur për mua se të gjitha vendet e botës, por banorët e tu nuk lejojnë të jetoj këtu.” Në atë kohë, Hazret Ebu Bekri r.a. tha: “Këta njerëz e kanë dëbuar profetin e tyre. Vërtet ata do të shkatërrohen.”

Hazret Musleh M’aud r.a. thotë:

“Sipas planit të dakorduar, pasi pritën dy ditë në shpellë, u sollën devetë gjatë natës dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe shokët e tij u nisën me dy deve të shpejta. Profeti s.a.v.s. dhe udhërrëfyesi u hipën në një deve. Në një transmetim është përmendur se secili ishte hipur në një deve të veçantë, dhe ato ishin gjithsej 3 deve. Megjithatë, Hazret Ebu Bekri r.a. dhe shërbëtori i tij, Amir bin Fuhejra hipën në devenë tjetër. Para se të nisej drejt Medinës, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye nga Meka. Ai iu drejtua këtij qytetit të shenjtë që ishte vendlindja e tij, në të cilën ai mori shpallje, dhe ishte vendi ku kishin jetuar të parët e tij nga koha e Hazret Ismailit a.s.. Profeti s.a.v.s. hodhi një vështrim të fundit dhe iu drejtua qytetit me dhimbje të madhe: “O qytet i Mekës, ti je më i dashur për mua se të gjitha vendet e botës, por njerëzit e tu nuk më lejojnë të jetoj këtu. Në atë kohë, Hazreti Ebu Bekri r.a. tha me keqardhje të madhe: “Këta njerëz e kanë dëbuar profetin e tyre. Vërtet ata do të shkatërrohen.”

Sipas një transmetimi, kur arritën në Xhufe, e cila ndodhet afërsisht 82 milje larg Mekës, u shpall ajeti vijues:

إِنَّ الَّذِي فَرَضَ عَلَيْكَ الْقُرْآنَ لَرَادُّكَ إِلَىٰ مَعَادٍ ۚ قُل رَّبِّي أَعْلَمُ مَن جَاءَ بِالْهُدَىٰ وَمَنْ هُوَ فِي ضَلَالٍ مُّبِينٍ

“Pa dyshim, Ai që të obligoi Kuranin, do të të kthejë ty te një vendkthim”. (Kurani Famëlartë 28:86)

Takimi me një çoban dhe gjetja e qumështit për Profetin s.a.v.s.

Ata vazhduan udhëtimin gjatë gjithë natës dhe me afrimin e mesditës pushuan pak nën hijen e një shkëmbi të madh. Hazret Ebu Bekri r.a. përgatiti një vend për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. që ai të shtrihej dhe të pushonte pak. Pastaj Hazret Ebu Bekri r.a. doli për të kontrolluar nëse mos po e ndiqte dikush. Gjatë kësaj kohe, një çoban iu afrua atij shkëmbi në kërkim të hijes. Hazret Ebu Bekri r.a. përcjell këtë ngjarje dhe thotë: E pyeta: “O djalosh, për kë punon ti?” Ai u përgjigj se i shërbente dikujt prej Kurejshëve. Ai më tha emrin, që unë e njihja. Më pas e pyeta nëse dhitë kishin qumësht, dhe ai u përgjigj pozitivisht. Më pas e pyeta nëse mund të milte dhitë e na jepte pak qumësht, dhe ai e pranoi këtë. Djaloshi kapi një dhi dhe ia zuri njërën këmbë midis kërcirit dhe kofshës. I thashë që fillimisht të pastronte siç duhet gjinjtë dhe më pas nën mbikëqyrjen time i thashë të mblidhte qumështin në një tas. Më pas ai i shtiu pak ujë qumështit për ta zbutur atë dhe pastaj ia paraqiti të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Sipas disa transmetimeve, kur Hazret Ebu Bekri r.a. iu afrua të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për t’ia ofruar qumështin, ai ishte ende në gjumë. Hazret Ebu Bekri r.a. nuk e pa të arsyeshme të shqetësonte Profetin s.a.v.s. derisa ai ishte duke pushuar. Kështu ai priti derisa Profeti s.a.v.s. të zgjohej. Kur Profeti i s.a.v.s. u zgjua nga gjumi, Hazret Ebu Bekri ia dha qumështin dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Ju lutem, pini këtë.” Profeti s.a.v.s. piu aq shumë saqë Hazret Ebu Bekri r.a. u kënaq. Ai më pas i tha: “O i Dërguar i Allahut! Ka ardhur koha të vazhdojmë udhëtimin”. Ose sipas një transmetimi tjetër i Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Duhet të vazhdojmë me udhëtimin tonë”. Hazret Ebu Bekri r.a. tha: “Si urdhëroni!” dhe pas kësaj ata vazhduan me udhëtimin e tyre. Ngjarja në lidhje me ndjekjen e Suraka bin Malik është si vijon:

Ndjekja nga Suraka ibn Maliku

Urejkiti, i cili ishte një udhërrëfyes jashtëzakonisht i zoti, e nisi udhëtimin drejt Medinës duke kaluar nga vendbanimet bregdetare. Ky itinerar ishte i ndryshëm nga rruga kryesore që përdorej për Medine. Lajmi për 100 deve si shpërblim ishte përhapur në Mekë dhe në zonat fqinje dhe të gjithë dëshironin të arrinin këtë shpërblim të madh. Suraka bin Maliku, i cili më vonë ishte bërë musliman, ka rrëfyer këtë ngjarje në këtë mënyrë. Ai rrëfen:

“Mosbesimtarët Kurejsh kishin çuar njerëzit në rrethinat e Mekës, të cilët lajmëronin një çmim të madh për këdo që do ta sillte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. ose Hazret Ebu Bekrin r.a. të gjallë apo të vdekur”.

Suraka më tej rrëfen:

“Isha në një bisedë me disa njerëz të fisit tim Benu Mudlixh, kur dikush erdhi te ne dhe tha: “O Suraka! Sapo kam parë disa hije që lëviznin pranë bregdetit.” Ose tha: “Kam parë një grup prej tre personash dhe jam i bindur se ishte Muhammedi” Unë thashë me vete, se ai patjetër duhet të jetë Muhammedi, por unë doja të merrja të gjithë shpërblimin për veten prandaj e mora nën kontroll situatën. I bëra me sy personit që të heshtte dhe i thashë: ‘Jo, nuk mund të jetë karvani i Muhammedit, sepse ata që i ke parë, sapo kanë kaluar para nesh. Ata ishin nga filan fis dhe kërkonin devetë e tyre të humbura”.

Suraka vazhdon dhe thotë:

“Unë qëndrova atje për pak kohë për të mos lënë ndonjë dyshim dhe pastaj u largova nga vendi. Shkova në shtëpi, dhe e porosita shërbëtoren për të shaluar kalin tim që ishte më i shpejtë dhe të më priste mbrapa banesës. Pak më vonë mbërrita atje dhe hodha short nga shigjetat e mia, i cili më doli keq dhe kundër udhëtimit tim, megjithatë nuk i kushtova shumë vëmendje dhe i hipa kalit dhe vrapova me vrull për ta ndjekur atë karvan, të cilën besoja se ishte karvani i Muhammedit”. Suraka thotë: “Duke përshkuar me vrull distancën, shumë shpejt arrita afër karvanit.

Isha ende pak larg kur papritur ndodhi diçka e pazakontë dhe kali im hasi diçka si pengesë, dhe unë u rrëzova prej tij. Megjithatë, u ngrita në këmbë dhe përsëri hodha short nga shigjetat e mia, i cili prapë më doli kundër dëshirës sime. Por unë me çdo kusht desha ta ktheja Muhammedin në Mekë dhe të fitoja çmimin prej 100 devesh. I hipa përsëri kalit dhe tani iu afrova atyre aq shumë saqë jo vetëm që mund të dalloja Muhammedin dhe Ebu Bekrin, por gjithashtu mund të dëgjoja Muhammedin duke recituar diçka. Por, edhe një herë kali im hasi një pengesë dhe këmbët e tij u fundosën thellë në rërë, kurse unë u rrëzova prej tij. E mora veten shpejt dhe e qortova kalin, por kali nuk mundi t’i nxirrte këmbët nga rëra. Në fund, kur mundi të qëndronte drejt, lëvizja e këmbëve kishin ngritur pluhurin përpjetë, i cili ngjanin një shtjelle”.

Suraka vijon këtë rrëfim dhe thotë:

“Përsëri nxora shortin, dhe përsëri ai më doli ogurkeq. Duke qëndruar në atë vend, unë i thirra me zë të lartë për paqe dhe i siguroja se nuk do të gjenin asnjë të keqe prej meje. Pas kësaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u kthye nga Hazret Ebu Bekri r.a. dhe tha: “Pyete atë çfarë dëshiron!” Suraka iu përgjigj: “Unë jam Suraka dhe dua të flas me ju të gjithë.” Dhe kështu, ata u ndalën dhe Suraka pastaj u tregoi atyre se banorët e Mekës kishin shpallur një shpërblim prej 100 devesh për këdo që i kapte të gjallë apo të vdekur. Ai tha: “Për ta fituar këtë shpërblim, unë dola për t’ju ndjekur, por tani kur kam parë se çfarë më ka ndodhur, jam i bindur se qëllimi im nuk është i drejtë.”

Pas kësaj, ai i ofroi edhe të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. disa ushqime për udhëtim, por Profeti nuk i pranoi ato. Ai vetëm e porositi që t’i mos zbulonte askujt vendndodhjen e tyre. Suraka u dha fjalën dhe gjithashtu tha: “Jam i bindur se një ditë patjetër do të arrini fitore. Ju lutem më jepni një fletë garancie me shkrim në mënyrë që kur të paraqitem para jush, të trajtohem me respekt.”

Sipas një transmetimi, Suraka kërkoi këtë fletë garancie me shkrim dhe sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Hazret Ebu Bekri r.a. e shkroi për të dhe sipas një transmetimi tjetër ishte Amir ibn Fuhejra, i cili e kishte shkruar atë. Pas kësaj, Suraka mori këtë fletë garancie me vete dhe u kthye mbrapsht. Këtë përshkrim do të vazhdoj edhe në të ardhme.

Lutje për Vitin e Ri

In-sha-Allah, nesër fillon Viti i Ri. Allahu i Lartësuar e bëftë vitin e ardhshëm të bekuar si për anëtarët e Xhematit po ashtu për mbarë Xhematin në tërësi, në çdo aspekt! Allahu i Madhërishëm e ruajttë Xhematin nga çdo e keqe dhe i shkatërroftë të gjitha intrigat dashakeqe të armiqve! Allahu na mundësoftë të dëshmojmë gjatë jetës sonë përmbushjen e premtimeve që Ai i ka dhënë Mesihut të Premtuar a.s.! Allahu i Madhëruar na bëftë dëshmitarë të këtyre ngjarjeve! Po ashtu, vazhdoni të luteni shumë dhe hyni në Vitin e Ri me lutje. Kushtoni vëmendje të veçantë për të kryer namazin e tehexhudit. Xhamitë e ndryshme do të organizojnë namazin e tehaxhudit me xhemat dhe ato që ende nuk kanë bërë ndonjë plan, duhet gjithashtu ta realizojnë atë. Nëse nuk keni mundësi të falni namazin e tehexhudit me xhemat, duhet ta falni individualisht. Megjithatë, sigurohuni që të falni namazin e Tehaxhudit dhe të bëni lutje.

Ndonëse, falja e namazit të tehexhudit duhet të jetë një praktikë e përhershme, megjithatë nëse e falni nesër, përpiquni ta bëni atë praktikë të përhershme në jetën tuaj. Allahu i Madhërishëm e mundësoftë çdo njeri ta realizojë këtë!

Bashkë me selavatet dhe istikfarin, bëni shpesh edhe këto lutje:

رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِن لَّدُنكَ رَحْمَةً ۚ إِنَّكَ أَنتَ الْوَهَّابُ

O Zoti ynë! Mos na shtrembëro zemrat pasi na ke udhëzuar dhe na dhuro mëshirë prej Teje! Me të vërtetë, Ti je Dhuruesi i madh! (Kurani Famëlartë 3:9)

رَبَّنَا اغْفِرْ لَنَا ذُنُوبَنَا وَإِسْرَافَنَا فِي أَمْرِنَا وَثَبِّتْ أَقْدَامَنَا وَانْصُرْنَا عَلَى الْقَوْمِ الْكَافِرِينَ

“O Zoti ynë! Na fal mëkatet tona dhe teprimin në çështjet tona, na forco këmbët dhe na ndihmo kundër popullit mohues!” (Kurani Famëlartë 3:148)

Allahu i Plotfuqishëm i dhëntë çdo muslimani ahmedian aftësinë për ta bërë këtë!

Namazet e xhenazeve në mungesë

Pas namazit të së xhumasë do të udhëheq edhe namazin e xhenazes në mungesë të disa anëtarëve. Do të përmend disa detaje rreth tyre.

  1. Melik Faruk Ahmed Khokar, Amir i Xhematit të Multanit, Pakistan

Përmendja e parë është e Melik Faruk Ahmed Kokar Sahibit, i cili kishte shërbyer si Amir i Xhematit i Multanit në Pakistan. Ai ka ndërruar jetë më 18 dhjetor në moshën 80 vjeçare. (“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.”) Babai i tij ishte Melik Omer Ali Khokhar Sahib, i cili njihej si kryetari i Multanit dhe nëna e tij ishte Sjeda Nusrat Xhehan Begum. Ajo njihej me emrin Sjeda Begum. Ajo ishte e bija e Hazret Mir Muhammed Is’hak Sahibit r.a.. Melik Omer Ali e pranoi Ahmediatin dhe pati mundësinë të bënte bejat në rini në Kadian gjatë periudhës së Hazret Kalifatul Mesih II r.a.. Melik Omer Ali Sahib ndërroi jetë mjaft i ri, dhe në atë kohë, Melik Faruk Ahmed Sahibi ishte vetëm rreth 20 deri në 22 vjeç; ai ishte në rininë e tij. Përveç tokës së tij në Karaçi, Melik Omer Ali Sahib kishte disa biznese atje. Melik Faruk Ahmed Sahib ishte në gjendje t’i trajtonte të gjitha këto në një mënyrë të shkëlqyer dhe kujdesej për nënën, njerkën dhe vëllezërit e motrat e tij.

Për një periudhë të gjatë kohore, Melik Faruk Ahmed Kokar Sahib shërbeu si Kryetar i organizatës së të rinjve Mexhlis Khudamul Ahmedia në Multan, dhe pas kësaj, si Kryetar Rajonal i Multanit. Nga viti 1980 deri në vitin 1985 ka pasur mundësinë të shërbejë si Amir i Xhematit për rrethin e Multanit si dhe Amir lokal për qytetin e Multanit.

Ai u martua në vitin 1968 me znj. Dardana, vajzën e Hazret Mirza Aziz Ahmed Sahib r.a.. Nikahun e tyre e kishte shpallur Hazret Kalifatul Masih III r.a.. Allahu i Madhëruar i dhuroi një djalë dhe pesë vajza.

Bashkëshortja e tij ka shkruar: “Ai ishte një person shumë i dashur dhe i kujdesshëm. Ai u kushtonte vëmendje gjërave të vogla, falte rregullisht tehexhudin dhe gjithashtu më zgjonte çdo ditë për tehexhud. Edhe ditën që ndërroi jetë fali nafile dhe më pas shkoi për të fjetur. Ai gjithmonë do të përpiqej të qëndronte në gjendje të abdesit.”

Ajo vazhdon: “Edhe para se të emërohej si Amir, sa herë që bëhej ndonjë problem në lidhje me ndonjë ahmedian – apo nëse e merrte në telefon ndonjë ahmedian – ai menjëherë bëhej i gatshëm dhe ofronte shërbimet e tij. Kur u emërua si Amir, më tha se duhet të kisha gjithmonë mundësinë për të përgatitur menjëherë bukën e çajin, sepse mysafirët mund të vinin në çdo moment.”

Ajo thotë: “Nuk mbaj mend asnjë kohë, që të mos kishim mysafirë në shtëpi. Gjithmonë kishim ndonjë mysafir që qëndronte në shtëpi. I ndjeri i kishte lejuar misionarët të qëndronin si mysafirë në shtëpi. Shtëpia jonë ishte kthyer në një zyrë. I ndjeri ishte gjithashtu shumë bujar dhe përdëllestar. Të gjithë të afërmit tanë jo-ahmedian, madje i gjithë fisi ynë ‘Khokhar’, e respektonin të ndjerin dhe e donin thellësisht. Ai gjithmonë i çmonte dhe i ruante marrëdhëniet me të tjerët. Ai e recitonte Kuranin Famëlartë në mënyrë të shkëlqyer.” Ajo vazhdon: “Kur lexoja Kuranin e Shenjtë, ai më korrigjonte pa pasur nevojë të hapte librin”.

Djali i të ndjerit z. Telha thotë: “Ai kujdesej shumë për të dyja nënat e tij dhe nuk bënte asnjë dallim mes tyre. Ai gjithashtu mori përgjegjësinë për të martuar të gjithë vëllezërit dhe motrat e tij. Shtëpia e tij ishte gjithmonë e hapur për të gjithë, njësoj siç ishte zemra e tij, veçanërisht për ata që kishin dedikuar jetën për hir të Zotit. Ai kishte ndërtuar një shtëpi në Khair Agli Mari dhe thoshte se e kishte bërë posaçërisht për Xhematin. Ai kurrë nuk e ndaloi dikë nga qëndrimi në të. Kushdo që kishte dëshirë, shkonte e qëndronte atje.” Ai vazhdon: “Gjatë vështirësive që pasuan dekretin legjislativ të vitit 1984, me mirësinë e Zotit, ai vazhdoi të inkurajonte kolegët e tij në Multan dhe në qytet me personalitetin e tij të guximshëm. Ai kurrë nuk i lejoi ata të dobësohen dhe të lëkunden. Me mëshirën e Allahut, ai ishte pjesë e karvanit të Hazret Khalifatul Masih IV (rh) gjatë shpërnguljes së tij nga Pakistani. Në një rast, ai pati gjithashtu mundësinë për ta udhëhequr këtë udhëtim dhe i shoqëroi ata në rrugën e duhur.”

Djali i tij thotë më tej: “Gjatë emërimit të babait tim si Amir, shtëpia jonë ishte më shumë një zyrë sesa një shtëpi dhe ishte gjithmonë një atmosferë e gjallë. Ai ia kishte kaluar punën e tij të kujdesit për pronat vëllait të tij të vogël dhe i kishte kushtuar gjithë kohën e tij shërbimit të besimit. Të gjithë vinin ta shihnin pa asnjë lloj formaliteti. Ai kishte natyrë të thjeshtë e pa komplekse. Ai gjithashtu do t’i ndihmonte financiarisht të afërmit e tij joahmedianë.” Ai vazhdon: “Disa nga të afërmit tanë që morën pjesë në varrim qanin duke thënë se ishin lënë më vete se ai do të kujdesej për ta. Ai ka ngulitur te ne praktikën e faljes së namazit, veçanërisht namazin e sabahut”.

Vajza e tij e vogël, Faiza, thotë: “Besimi i palëkundur i babait tonë te Allahu ishte shembullor për ne. Ai duroi kohë të vështira dhe lloj-lloj rrethanash; mbeti jetim në rini. Përjetoi kohë vështirësish po edhe dhe lehtësish. Unë kam vërejtur që në fëmijëri se babai im deklaronte besimin e tij në Allah dhe shpesh thoshte se të gjithë punën e tij e kishte kryer Vetë Allahu i Madhëruar.” Ajo thotë: “Babai im kishte dashuri të pakufishme për Kalifatin. Sa herë që fliste për Kalifat, sytë i mbushnin me lot. Madje kaloi një sprovë të madhe me durim dhe lutje.”

Vëllai i tij i vogël Melik Tarik Ali Khokhar, i cili është nga nëna e tij e dytë thotë: “Babai im ndërroi jetë kur isha nëntë vjeç, ndërsa vëllai im i madh Melik Faruk ishte 22 vjeç. Megjithatë ai u kujdes për ne si baba dhe gjatë gjithë jetës nuk më la të ndjeja mungesën e babait.” Ai më pas shkruan: “Ai kishte një ndikim të veçantë mbi të afërmit e tij joahmedian dhe ai kujdesej edhe për ta. Ai gjithashtu po mbështiste mjaft familje ahmediane dhe përveç financimit të arsimit të shumë fëmijëve, ai i ndihmoi ata edhe në gjetjen e punëve.”

Ai thotë: “Vëllai im do t’i jepte hua kujtdo që kishte nevojë dhe nuk e kërkonte kurrë që t’i kthehej. Ai e jepte gjithmonë me qëllimin që kjo të ishte një hua për të mos u kthyer.” Ai thotë: “Shumë anëtarë të rinj, që kishin pranuar xhematin, kanë thënë se pas hyrjes në Xhemat, Melik Faruk Khokhar Sahibi sillej me ta si një afërm i ngushtë dhe do të ndihmonte në përmbushjen e nevojave. Ai kishte mbushur moshën 80 vjeç, por dy vitet e fundit ishte i shqetësuar për përmbushjen e pagesës së pasurisë që kishte lënë peng (si sakrificë financiare). Ai ishte në gjendje të paguante pjesën më të madhe të saj, por një pjesë i mbetet akoma. Allahu i Madhëruar ua mundësoftë fëmijëve të tij të plotësojnë shumën e mbetur!

Motra e tij Tahira, e cila është gjithashtu nga nëna e dytë, thotë: “Vëllai më ka trajtuar gjithmonë si një baba të kujdesshëm. Cilësia e tij më e madhe ishte se ai kurrë nuk bëri dallime midis vëllezërve dhe motrave të tij biologjikë apo nga njerka dhe sillej me çdokënd njësoj. Ai kurrë nuk na bëri të ndiheshim sikur kemi nëna të ndara.” Ajo më pas thotë: “Ai ishte vërtet si babai im; marrëdhënia e tij me mua ishte njësoj si çdo baba që e mbështet në heshtje vajzën e tij në vështirësi dhe në lumturi.”

Vajza e tij Namud-e-Sehar thotë: “Ka disa aspekte të spikatura të jetës së babait tim, të cilat i kujtoj vazhdimisht. Më kryesorja prej tyre është mikpritja e tij dhe ndjesia e dashurisë me të tjerët.” Ajo vazhdon, “Standardi i tij i mikpritjes ishte i tillë që nëse do të ishte përgatitur ushqim në shtëpi dhe vinte ndonjë mysafir, ndërsa anëtarët e familjes sonë ishin ulur në tryezë për të ngrënë, ai do t’u dërgonte të njëjtin ushqim të ftuarve, dhe anëtarët e shtëpisë ushqeheshin thjesht me vezë”.

Ajo më pas thotë: “Një person bën shumë gabime gjatë rrjedhës së jetës së tij. Ka ulje-ngritje, dhe njësoj edhe atij iu desh të kalonte disa sprova të mëdha, por kurrë nuk u shpreh kundër Kalifatit. Ndërsa ne vetë, mendonim sikur vendimi i Kalifit ishte i gabuar. Ai u kujdes veçanërisht për t’u siguruar që familja jonë ta dëgjonte Hutben e Xhumasë dhe të qëndronte e lidhur me Xhematin.”

Allahu i Madhëruar e faltë dhe e mëshiroftë të ndjerin! Allahu u dhuroftë pasardhësve të tij durim dhe forcë dhe u mundësoftë të shkëlqejnë në virtyt!

  1. Rahmetullah Sahib nga Indonezia

Tani dua të përmend Rahmetullah Sahibin nga Indonezia, i cili ka ndërruar jetë në moshën 66 vjeçare. (Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.)

Ai lindi në Xhava Lindore. Në vitin 1980, ai bëri bejat dhe hyri në Xhematin Musliman Ahmedia përmes përpjekjeve të Sujuti Aziz Ahmad Sahibit, ish-përgjegjës i Tabligh (përhapjes) në Indonezi. Në vitin 1993, ai u antarësua edhe në sistemin e “Vesijetit”. Ai vazhdoi t’i shërbente Xhematit në Karantaka deri në vdekjen e tij. Ai ka lënë bashkëshorten, tre fëmijët dhe gjashtë nipërit e mbesat.

Bashkëshortja e tij shkruan: “Një herë ai kishte parë një ëndërr, dhe gjendej në një turmë të madhe njerëzish që qëndronin në radhë. Ai pyeti dikë se në cilën radhë duhet të bashkohej. Dikush e drejtoi në drejtim të një radhë në të cilën qëndronte një person i shenjtë, të cilin ai nuk e njihte. Shumë kohë më vonë, ai mësoi se personi i shenjtë të cilin e kishte parë në ëndërr ishte vetë Mesihu i Premtuar a.s., dhe ishte kjo arsyeja që ai e nxiti për të pranuar se Xhemati Musliman Ahmedia është i vërtetë, dhe bëri bejat.”

Vajza e tij shkruan: “Pasi bëri bejat, ai jo vetëm që shërbeu në Xhematin qendror, por shërbeu edhe në nivelin lokal në Mexhlis Ensarullah. Xhematit vazhdimisht i drejtoheshin kërcënimet për sulme nga kundërshtarët, megjithate i ndjeri do ta mbronte Xhematin me guxim te madh. Ai ishte shumë bujar; sa herë që dikush i vinte për ndihmë ose kishte nevojë për një hua, ai i ndihmonte gjithmonë bujarisht.”

Vajza e tij e tretë shkruan: “Ai e donte shumë Kalifatin dhe ishte shumë i bindur”.

Emiri i Indonezisë, Abdul Basit Sahib shkruan: “Ai e donte shumë Kalifatin dhe Xhematin”. Ai thotë: “Ka një Xhemat në një nga qytetet e Gjava Lindore, ku kundërshtarët sulmuan xhaminë tonë disa herë dhe u bënë presion autoriteteve lokale që të kufizojnë aktivitetet e Xhematit. Pas kësaj, Rahmetullah Sahib me guxim u ngrit përballë kundërshtarëve dhe autoriteteve dhe iu përgjigj pretendimeve që ata ngrinin. Për shkak të përpjekjeve të tij, Xhemati është mjaft aktiv edhe sot e kësaj dite dhe nuk është vendosur asnjë lloj kufizimi ndaj tij.”

Allahu e mëshiroftë dhe e faltë të ndjerin dhe fëmijëve u mundësoftë të ndjekin rrugën e virtyteve të tij!

  1. Haxhi Abdulhamid Tak sahib, nga Kashmiri i Indisë

Përmendja tjetër është e Haxhi Abdulhamid Tak Sahibi nga Jaripora, Kashmir. Ai ndërroi jetë më 24 dhjetor në moshën 94 vjeçare. (“Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.”)

Me mirësinë e Zotit, i ndjeri ishte pjesëtar i sistemit të vesijetit. Babai i të ndjerit quhej Muhammed Ikram Tak Sahibit, i cili ishte një nga ahmedianët e hershëm në zonën e Jaripores. I ndjeri shquhej për virtytet e larta, sjelljen shembullore, natyrën e çiltër, dashurinë pakusht, dinjitetin njerëzor dhe qetësinë shpirtërore. Ai i shërbeu Xhematit për një kohë të gjatë, si Amiri provincial i Xhemu dhe Kashmirit dhe si dhe Amir rajonal dhe Nazim Ansarullah. Ai gjithashtu i shërbeu Xhematit qendror në cilësi të ndryshme. Prej vitesh, i njderi ishte një anëtar nderi i Enxhumen Tehrik-e-Xhedid të Indisë. Gjatë periudhës që shërbente si Amir provincial, në vitin 1987, xhemati ngriti 5 shkolla. Ai iu përkushtua veçanërisht ngritjes së xhamive dhe themelimit të shtëpive të misionit. Ai do të përpiqej gjithashtu për të ngjallur aftësitë intelektuale të të rinjve dhe ishte përkrahës i madh i kësaj fushe. Në zonën Jaripura, ai gëzonte një respekt të veçantë, për shkak të shërbimeve të tij ndaj shoqërisë.

Allahu i lartësuar e mëshiroftë dhe faltë të ndjerin! Allahu i bëftë pasardhësit e të ndjerit më të devotshëm e më të drejtë dhe u dhuroftë fuqinë e aftësinë për të shërbyer (Xhematin).

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp