Jeta e Hazret Ali ibn Ebi Talibit r.a. | Kalifë të drejtë
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Ali ibn Ebi Talibit r.a. | Kalifë të drejtë

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Hazret Ali ibn Ebi Talibi r.a. një prej katër kalifëve të drejtë

Sot do të filloj historinë e katër kalifëve të drejtë me historinë e Hazret Ali ibn Ebu Talibit. Emri i tij i plotë ishte Ali ibn Ebu Talib ibn Abdul Mutelib ibn Hashim. Emri i babait të tij ishte Abd Munaf por ai njihej me epitetin Ebu Talib. Nëna e tij quhej Fatime bint Esed ibn Hashim. Ai kishte lindur dhjetë vjet para deklaratës së Profetit Muhammed s.a.v.s..

Tiparet fizike

Lidhur me paraqitjen dhe pamjen e tij të jashtme, ne gjejmë këto të dhëna. Ai kishte gjatësi mesatare. Kishte sy të zinj, trup të bëshëm dhe krahë të gjerë. Pas lindjes, nëna e tij ia ngjiti emrin Esed. Por, babai i tij Ebu Talibi nuk ndodhej në shtëpi dhe kur erdhi, ai ia vuri emrin Ali.

Hazret Aliu kishte edhe tre vëllezër të tjerë: Talibi, Akili dhe Xhaferi. Ai kishte dhe dy motra: Umi Hani dhe Umi Xhumana. Përveç Talibit dhe Umi Xhumanës, ata që të gjithë kishin përqafuar Islamin. Hazret Aliu njihet edhe me epitetet si Ebul Hasan, Ebu Sabtejn dhe Ebu Turab.

Si iu ngjit nofka Ebu Turabi?

Sipas një transmetimi të Sahihut të Buhariut, Hazret Suhejl ibn Sa’adi rrëfen se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. erdhi në shtëpinë e Hazret Fatimes r.a., por ai nuk e gjeti Hazret Aliun në shtëpi. Ai e pyeti Fatimen: Ku është djali i xhaxhait tënd? Hazret Fatimeja iu përgjigj: Jemi fjalosur me njëri-tjetrin për diçka, dhe nga zemërimi ai ka dalë nga shtëpia, dhe nuk është kthyer as në kohën e drekës. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dërgoi dikë që ta gjente atë. Ai u kthye pas pak dhe lajmëroi Profetin s.a.v.s. që Aliu po flinte në xhami. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. shkoi në xhami dhe e gjeti Aliun të shtrirë në dysheme, ndërkohë i ishin pluhurosur rrobat. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia hoqi pluhurin nga rrobat dhe iu drejtua duke thënë: O Ebu Turab çohu! (Ebu Turab do të thotë babanë e dheut). Që prej asaj kohe, njerëzit nisën të thirrnin Aliun me nofkën Ebu Turab.

Si kaloi Hazret Aliu në kujdestarinë e Profetit s.a.v.s.?

Në lidhje me kalimin e tij nën kujdestarinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., Muxhahid ibn Haxhar Ebul-Haxhaxh ka shkruar që përballja e kurejshëve me një fatkeqësi, u bë sebep i mirësive dhe dhuntive prej Allahut të Madhërishëm për Aliun.

Hazret Ebu Talibi kishte një familje të madhe, prandaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu drejtua xhaxhait të tij Hazret Abas i cili ishte i pasur ndër familjen Benu Hashim dhe bënte jetë të begatshme dhe i tha: O Abas! Vëllai juaj Ebu Talibi ka shumë fëmijë dhe ju po shikoni si po rrojnë ata në këtë thatësi të madhe. Le të shkojmë bashkë dhe t’ia lehtësojmë pak detyrimet familjare. Unë dua të marr dikë nga fëmijët e tij, që ta rris dhe të kujdesem për të. Dua që edhe ju ta merrni dikë nga fëmijët e tij nën kujdestarinë tuaj. Në këtë mënyrë, mund t’i japim një ndihmesë të rëndësishme Hazret Ebu Talibit. Hazret Abasi u pajtua me sugjerimin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ata shkuan te Ebu Talibi dhe e njoftuan se ata kanë ardhur që t’ia lehtësojnë barrën e detyrimeve familjare, gjersa të përmirësohet gjendja ekonomike e shoqërisë. Hazret Ebu Talibi ua pranoi këtë sugjerim dhe u tha që përveç Akilit, ata mund të merrnin kë të donin.

Në këtë mënyrë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e kapi për dore Aliun, ndërsa Hazret Abasi mori Xhaferin dhe ata i bashkuan me familjet e tyre.

Hazret Aliu qëndroi me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. derisa Allahu i zbriti shpallje dhe e ngarkoi me misionin profetik. Hazret Aliu iu bind Profetit s.a.v.s.. Ai e besoi dhe vërtetoi deklaratën e tij. Ndërkohë, Hazret Xhaferi gjithashtu pranoi thirrjen e Islamit dhe vazhdoi të qëndronte me Hazret Abasin derisa arriti të jetonte i pavarur.

Këtë ngjarje ju kam cituar nga vepra Tarikhe Teberi. Hazret Mirza Bashir Ahmedi r.a. gjithashtu ka përshkruar këto zhvillime. Ai shkruan:

Ndonëse Ebu Talibi ishte një person i nderuar në shoqëri, ai bënte një jetë me shtrëngim të madh dhe mezi arrinte t’u përgjigjej detyrimeve familjare. Sidomos, gjatë periudhës së thatësisë, i ishte rënduar situata. Duke parë gjendjen e ngushtuar të xhaxhait, një ditë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. foli me xhaxhain tjetër Abas dhe i tha: O Xhaxhi! Vëllai juaj Ebu Talibi gjendet në një situatë të ngushtë ekonomike. Sa mirë do të ishte nëse secili nga ne të merrte në kujdestari dikë nga djemtë e tij. Pra, të marr unë një djalë, dhe një djalë të rrisni ju në shtëpinë tuaj. Pasi Abasi u pajtua me këtë mendim, ata të dy shkuan së bashku tek Ebu Talibi dhe ia shtruan këtë ide. Ndër fëmijët e tij, Ebu Talibi e donte më së shumti Akilin, prandaj ai kërkoi që përveç Akilit, ata mund të merrnin kë të donin nga fëmijët e tij. Kështu Abasi e solli Xhaferin në familje, ndërsa i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e mori Aliun në shtëpi.

Në atë kohë, Hazret Aliu r.a. ishte 6-7 vjeç dhe që prej asaj kohe, ai nuk iu nda kurrë të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Pranimi i Islamit

Ibn Is’haku ka përshkruar ngjarjen e pranimit të Islamit nga Hazret Aliu. Ai shkruan:

“Hazret Aliu erdhi një ditë më vonë nga pranimi i Islamit dhe falja e namazit të Hazret Hatixhes. Kur Hazret Aliu e pa të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe Hazret Hatixhen duke falur namazin, ai shprehu çudinë dhe pyeti: O Muhammed! Çfarë është kjo? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e shpjegoi se ajo është feja e Allahut, të cilën Ai ka zgjedhur për Veten dhe me të cilën Ai ka dërguar profetë në botë. Andaj, Unë të bëj thirrje ndaj Allahut dhe adhurimit të Tij dhe kërkoj që të refuzosh Latin dhe Uzanë. Hazret Aliu u shpreh: “Kjo është diçka që nuk e kam dëgjuar kurrë, andaj nuk mund të them asgjë, derisa të kem folur me Ebu Talibin”. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk dëshironte që ky lajm të bëhet i ditur dhe i njohur për njerëzit e tjerë para deklaratës së profetësisë. Ai e porositi Aliun që nëse nuk donte të pranonte Islamin, ai le ta mbante të fshehur këtë zhvillim.

Hazret Aliu kaloi atë natë dhe Zoti ia mbushi zemrën me Islamin. Të nesërmen në mëngjes, ai takoi të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe i tha:  Çfarë më keni përcjellë mbrëmë? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha: Dëshmo se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut. Ai është një dhe i Pashoq. Dëshmo kundër Latit dhe Uzasë dhe shpreh largimin nga ata që thirren në vend të Allahut”. Hazret Aliu ndoqi porositë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe kështu pranoi Islamin.

Duke pasur frikë nga reagimi i Ebu Talibit, Hazret Aliu e takonte të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në fshehtësi. Ai mbajti Islamin e tij të fshehur, edhe pse jetonte në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Rrëfimi i lartshënuar është marrë nga Esedul Ghaba.

Personi i parë, i cili kishte pranuar Islamin pas Hazret Hatixhes qe Hazret Aliu, i cili ishte në moshën 13 vjeçare. Në rrëfime të tjera, mosha e tij në kohën e pranimit të Islamit është përmendur 15, 16 apo 18 vjeç.

Kush ishte mashkulli i parë që pranoi Islamin?

Historianët kanë diskutuar gjerë e gjatë mbi çështjen që kush kishte pranuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. më së pari nga radha e meshkujve. A ishte Hazret Ebu Bekri, Hazret Aliu apo Hazret Zejd ibn Haritha? Sipas disave, zgjidhja e kësaj pyetje është që Hazret Aliu qe i pari ndër fëmijë, Hazret Ebu Bekri qe i pari nga meshkujt e rritur dhe Hazret Zejd ibn Haritha qe i pari ndër skllevër.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi parashtron pikëpamjen e tij në këtë çështje. Ai shkruan:

“Historianët kanë treguar mosmarrëveshje lidhur me çështjen se cili kishte pranuar Islamin i pari nga burrat pas Hazret Hatixhes. Disa përkrahin emrin e Hazret Ebu Bekr Abdullah ibn Ebi Kahafa. Disa citojnë emrin e Hazret Aliut, i cili ishte vetëm 10 vjeç në atë kohë. Disa përmendin dhe emrin e Zejd ibn Harithas, pra skllavin e liruar nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Në mendimin tonë, kjo është një çështje e parëndësishme. Hazret Aliu dhe Hazret Zejd ibn Haritha banonin në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe jetonin si fëmijë të tij. Këtu foli i Dërguari i Allahut s.a.v.s., dhe aty u bindën ata menjëherë. Madje, pranimi i tyre nuk kërkonte as ndonjë dëshmi gojore. Prandaj, është e panevojshme të citohen emrat e tyre në këtë diskutim. Nga emrat e tjerë që mbeten tashmë, Hazret Ebu Bekri është në mënyrë konsensuale i pari që pranoi Islamin.

Hazret Kalifi II shkruan:

“Pas kërkesës së Musait alejhiselam, Allahu i dha vetëm një përkrahës. Por, shikoni madhështinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., që ai gjeti përkrahës pa asnjë kërkesë. (Pra, këtu ai po përmend për Hazret Hatixhen). Bashkëshortja e tij, të cilën e donte ai më shumti, ishte e para që iu bind atij. Çdo njeri është i lirë dhe i pavarur në zgjedhjen e fesë dhe akidesë së tij, dhe asnjeri nuk ka të drejtë të bind tjetrin me forcë apo imponim.

Mund të kishte ngjarë që kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ia rrëfeu Hazret Hatixhes ngjarjen e shpalljes së parë, ajo ta mos e përkrahte dhe t’i thoshte që ka nevojë të mendojë gjatë mbi këtë çështje. Por, ajo menjëherë dhe pa asnjë ngurrim apo vonesë, mbështeti deklaratën e tij. Në këtë mënyrë, Allahu ia largoi brengën e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për bashkëshorten e tij se a do t’i besonte ajo, madje ajo u bë personi i parë i cili e kishte pranuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. Allahu i Madhërishëm nga arshi i Tij i drejtohej Profetit: أَلَيْسَ اللَّـهُ بِكَافٍ عَبْدَهُ ۖ (A nuk i mjafton Allahu robit të Tij). O Muhammed! Ti kishe dashuri të veçantë për Hatixhen dhe po merakoseshe se vallë a të besonte ty dhe mos largohej prej teje. A nuk të kemi plotësuar çdo nevojë a kërkesë?

Pastaj, kur u përmend shpallja hyjnore në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., doli përpara Hazret Zejd ibn Haritha, i cili jetonte në shtëpinë e tij dhe i tha: O i Dërguari i Allahut! Unë ju pranoj dhe ju bindem juve. Hazret Aliu, i cili ishte 11 vjeç në atëkohë, dhe po dëgjonte këtë bisedë interesante midis të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe Hazret Hatixhes, duke qëndruar mbrapa kanatave të derës, dhe qe një fëmijë i zgjuar dhe mençur, dhe kishte një shpirt të pastër e të virtytshëm, të cilit kishte ndjenja të pastra të mirëbërësisë, por që akoma nuk ishin zhvilluar siç duhej, i cili kishte emocione të larta sublime, por që ishin tkurrur ende në zemër, po ai Ali të cilit Zoti i kishte dhuruar aftësinë e pranimit, por që ende nuk kishte gjetur ndonjë mundësi, tashmë kishte kuptuar se i kishte ardhur koha për përsosjen e ndjenjave shpirtërore dhe i kishte ardhur çasti kur vetë Zoti po e fton atë drejt vetes, ai Ali doli përpara me zemër të mallëngjyer dhe ngurrim në ecje dhe u shpreh: O i Dërguar i Allahut! Edhe unë i bindem atij mesazhi, të cilin kanë përqafuar halla ime dhe Zejdi.

Profeti Muhammed a.s. e fton Ebu Talibin drejt Islamit

Në Tarikh Tabari gjejmë që kur binte koha e namazeve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. zbriste në luginat e Mekës. Atë e shoqëronte Hazret Aliu, i cili e shoqëronte duke u fshehur nga babi i tij Ebu Talib dhe xhaxhallarët e tjerë. Ata të dy adhuronin Allahun me anë të namazit, dhe ndaj të ngrysurit, ata ktheheshin në shtëpi. Kështu vazhdonte përditshmëria e tyre, derisa një ditë i kapi mat Ebu Talibi duke u falur. Ai e pyeti të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.: O nipi im! Çfarë feja është kjo, të cilën po ndjek ti? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: Kjo është feja e Allahut. Kjo është feja e engjëjve të Tij. Kjo është rruga e të Dërguarve të Tij dhe kjo është feja e babait tonë Hazret Ibrahim a.s.. Pastaj ai shtoi: Allahu më ka dërguar te njerëzit me këtë fe. O xhaxhi! Ti je më i denjë për të dëgjuar këshillën time dhe për t’u thirrur drejt udhëzimit. Ti gjithashtu meriton të më pranosh mua dhe të më përkrahësh në këtë mision. Ebu Talibi i tha: O nipi im! Unë nuk kam fuqi të mohoj fenë e të parëve tanë. Mirëpo, betohem në Allah, derisa jam i gjallë, nuk do të lejoj që të afrohet ty diçka e bezdisshme.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka përshkruar të njëjtën ngjarje me këto fjalë:

Njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. dhe Hazret Aliu po falnin namaz, në njërën prej luginave të Mekës, kur papritmas u doli Ebu Talibi. Meqë, Ebu Talibi nuk kishte marrë asnjë haber për Islamin, prandaj ai nisi t’i sodiste ata me çudi. Kur mbaruan së faluri, ai e pyeti: O nipi im! Çfarë është kjo fe që po praktikon? I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: O xhaxhi im! Kjo është fe e Allahut dhe rruga e Ibrahimit. Ai i bëri thirrje ndaj Islamit në mënyrë të përmbledhur, por Ebu Talibi iu shmang kësaj bisede duke arsyetuar që nuk mund të linte fenë e baballarëve të tij. Megjithatë, në të njëjtën frymë, ai iu drejtua djalit të tij Ali dhe tha: O biri im i dashur! Përkrahe Muhammedin sepse jam i bindur që ai nuk të të ftojë kurrë veçse në rrugën e mirësisë.

Profeti a.s. e fton farefisin drejt Islamit

Sipas urdhrit të Allahut të Madhërishëm, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. paralajmëroi të afërmit e tij nga pakënaqësia e Allahut. Hazret Bara ibn Azibi transmeton se kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori këtë shpallje:

وَأَنذِرْ عَشِيرَتَكَ الْأَقْرَبِينَ

Dhe paralajmëroi farefesin tënd bashkë me të afërm të tjerë. (esh-Shu’ara 26:215), ai e porositi Aliun që të piqte kofshën e dhisë bashkë me një Sa’a ushqim. Në transmetim është përmendur dhe fjala Mudd. Një Sa’a është e barbartë me 4 Mudd, d.m.th. e barabartë me 2.5 kilogram peshë. Pra, ushqimi ishte përgatitur në sasi shumë të vogël, që do t’u shtrohej mysafirëve që i përkisnin krejt fisit. Profeti s.a.v.s. gjithashtu e porositi Aliun që të hidhte qumësht në një tas të madh dhe pastaj ftonte Benu Abdul Muttelibin në gosti.

Hazret Aliu veproi sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe u mblodhën pak a shumë 40 njerëz. Ndër mysafirët, ishin xhaxhallarët e Profetit s.a.v.s., Ebu Talibi, Hamzai dhe Ebu Lehebi. Kur Hazret Aliu vuri tepsinë me ushqim para mysafirëve, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori një copë mishi prej saj, dhe e copëtoi me dhëmbë dhe pastaj copët e vogla i shpërndau nëpër tepsi për bereqet. Pastaj, ai i njoftoi që të fillonin bukën me emrin e Zotit. Të gjithë hëngrën prej saj, derisa u ngopën. Hazret Aliu ka thënë: “Pasha Allahun! Atë që kisha shtruar në sofër, ndoshta do t’i mjaftonte vetëm një personi. Pastaj ai më porositi për të sjellë tasin e qumështit. Pasha Allahun! Ai qumësht mund t’i mjaftonte vetëm një person, por ata të gjithë u nginë prej tij. Pastaj, kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u mat t’u drejtohej me një bisedë, Ebu Lehebi menjëherë ia mori fjalën dhe tha: Shikoni, si ju ka bërë magji shoku juaj.

Dhe kështu, ata të gjithë u shpërndanë dhe u kthyen në shtëpitë e tyre dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. nuk arriti t’u përcillte mesazhin e Zotit.

Hazret Aliu vijon rrëfimin. “Të nesërmen, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. më porositi mua për të shtruar gostinë me pije dhe gjellë, njësoj siç kisha bërë një ditë më parë. Unë veprova sipas porosisë së tij. Unë i grumbullova njerëzit dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e bekoi ushqimin ashtu siç kishte bërë më parë. Ata hëngrën ushqimin derisa u ngopën.

Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u drejtua atyre me fjalët: “O Benu Abdul Mutelib! Unë nuk e njoh asnjë djalë arab, i cili të ketë sjellë fjalën më të mirë dhe më të dobishme për popullin e tij se unë. Unë kam sjellë për ju, çështjen e dynjasë dhe ahiretit”.  Pastaj ai pyeti: Cili nga ju, do të bashkohet me mua në këtë mision dhe do të më përkrahë mua. Një heshtje pushtoi gjithë kuvendin. Atëherë dola unë dhe i thashë: O i Dërguar i Allahut! Ndonëse jam i vogël në këtë kuvend për nga mosha, megjithatë ju siguroj për mbështetjen time”.

Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka përshkruar këtë ngjarje në Siret Khatemun Nebijjin. Ai shkruan:

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi Aliun për të shtruar një gosti, në të cilën të ftoheshin të gjithë pjesëtarët e familjes Benu Abdul Mutelib, me qëllim që t’u përcillej mesazhi i vërtetë. Hazret Aliu, sipas porosisë së Profetit s.a.v.s., bëri të gjitha përgatitje për shtrimin e gostisë, dhe ftoi farefisin dhe të afërmit e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. të cilët kapnin numrin pak a shumë 40.

Kur ata përfunduan së ngrëni, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. u ngrit për t’iu drejtuar, por Ebu Lehebi tha diçka që të gjithë u çuan dhe u shpërndanë.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha Aliut se ky rast kishte shkuar kot. Tani ai duhet të përgatitej për një gosti tjetër. Kësaj here, u mblodhën sërish të afërmit e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe ai iu drejtua me këtë fjalë: “O Benu Abdul Mutelib! Unë ju kam sjellë një fjalë kaq madhore, që askush nuk ka sjellë një gjë të tillë për popullin e tij. Unë ju bëj thirrje drejt Allahut. Nëse më bindeni mua, do të trashëgoni të mirat e kësaj bote dhe të botës së përtejme. Tani tregomëni! Kush nga ju do të më përkrahë në këtë detyrë? Një heshtje pushtoi krejt kuvendin. Papritmas, u ngrit një djalë i dobët 13 vjeçar, sytë e të cilit po pikonin dhe foli në këtë mënyrë: “Ndonëse jam më i vogël në moshë dhe më i dobët në trup, nga të gjithë këta, por unë do t’ju përkrah në misionin tuaj”.

Ky qe zëri i Aliut. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. dëgjoi fjalët e Aliut e pastaj iu drejtua të afërmve të tij dhe tha: Po të kishit ditur, duhet ta dëgjoni këtë fëmijë dhe duhet t’i bindeni atij. Në vend që t’i kushtonin vëmendje, të pranishmit nisën të qeshnin dhe Ebu Lehebi i tha vëllait të tij Ebu Talib: Ja shiko, Muhammedi të urdhëron që t’i bindesh djalit tënd. Kështu ata u larguan duke shpotitur fenë islame dhe të Dërguarin e Allahut s.a.v.s..

Hazret Kalifi II r.a. ka rrëfyer këtë ngjarje, me këto fjalë:

“Ngjarja që rrëfehet në lidhje me Aliun, ka ndodhur kur ai ishte vetëm 11 vjeç. Fëmijët duhet ta dëgjojnë me vëmendje se si ai ishte ngritur në mbështetje të fesë.  Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori shpallje prej Allahut, ai shtroi një gosti, në të cilën ai ftoi të gjithë krerët e shquar të Mekës dhe i priti me begeni. Por pas ushqimit, kur ai u mat për të folur rreth deklaratës së tij, të gjithë u çuan dhe u shpërndanë.

Atëherë, Hazret Aliu i tha të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.: Çfarë keni bërë? Ju e dini që këta janë materialistë, prandaj në fillim duhet t’u kishit përcjellë mesazhin e mandej t’u kishit shtruar ushqim. Këta të pabesë, hëngrën gostinë dhe ikën pa dëgjuar asnjë fjalë. Ata jepen vetëm pas bukës. Nëse me të vërtetë keni dëshirë që ata t’ju dëgjojnë, atëherë ligjëroni para se të shtrohet ushqimi, dhe kështu ata mund t’ju dëgjojnë edhe dy orë pa gajle.

Kësaj here, i Dërguari i Allahut s.a.v.s., veproi në këtë mënyrë. Ai i ftoi në gosti, por në fillim mori fjalën dhe i bëri të dëgjonin bisedat e tij, e pastaj shtroi ushqimin. Në fund të ushqimit, ai u ngrit prapë dhe iu drejtua mysafirëve dhe tha: O njerëz! Unë ju kam përcjellë fjalët e Zotit. A ka ndonjëri prej jush, që mund të më përkrahë dhe mbështes në misionin tim? Krerët e Mekës aty ndodheshin, por nuk u ngrit asnjëri prej tyre. Atëherë, u ngrit Hazret Aliu dhe tha: O djali i xhaxhait tim! Unë do t’ju përkrah. I Dërguari i Allahut e pandehu për një fëmijë, andaj u bëri thirrje përsëri të pranishmëve dhe tha: A ka dikush që mund të më përkrahë në këtë detyrë? Pleqtë dhe krerët e Mekës nuk lëvizën nga vendi dhe përsëri u ngrit ky djalë 11 vjeçar dhe tha plotë bindje: O djali i xhaxhait tim! Unë do të të përkrah. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tashmë kishte kuptuar se tek Allahu, vetëm ky djalë 11 vjeçar ishte i denjë për t’u quajtur burrë, ndërsa pleqtë e tjerë po ishin sjellë si fëmijë, të cilëve u mungonte guximi dhe fuqia. Vetëm ky fëmijë ishte i zgjuar dhe mendjemprehtë.

Profeti s.a.v.s. e bashkoi Aliun në misionin e tij, dhe ai gjithashtu i qëndroi besnik këtij zotimi deri në frymën e fundit, madje shërbeu si Kalifi (mëkëmbës) i Profetit dhe forcoi themelet e fesë. Zoti ia bekoi dhe pasardhësit duke i bërë të devotshëm dhe të dëlirë, madje në 12 breza pas tij lindën imamë.

Hazret Kalifi II r.a. ka shkruar gjithashtu:

“Ndonëse Hazret Aliu ishte një fëmijë kur e pranoi (Islamin), ai qe i vetëdijshëm për sakrificat dhe vuajtjet që duhet t’i duronte për hir të Islamit. Ai dinte që nëse i kërkohej, nuk duhet të ngurronte as për të dhënë jetë.

Sipas haditheve, në periudhën e parë të profetësisë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. shtroi një gosti dhe ftoi gjithë fisin Benu Mutelib, që t’u përcillte mesazhin e Islamit. Në këtë organizim, morën pjesë mjaft njerëz të afërm, por kur ata mbaruan së ngrëni, dhe u ngrit i Dërguari i Allahut s.a.v.s. për të kuvenduar, Ebu Lehebi ia prishi planin dhe i shpërndau mysafirët dhe kështu ata u larguan pa dëgjuar fjalën e tij.

Profetit s.a.v.s. i erdhi keq për ta, sepse kishin ngrënë ushqimin, por ishin larguar pa ia dëgjuar fjalët. Megjithatë, ai nuk e humbi shpresën, dhe e porositi Aliun për të shtruar një gosti tjetër. Ata u ftuan përsëri dhe u qerasën me ushqime të ndryshme. Kur ata u ngopën me bukë, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mori fjalën dhe u tha: Shikoni favorin e Zotit tuaj, që Ai ka një profet në mesin tuaj. Unë ju ftoj drejt Allahut dhe nëse më bindeni, do të gëzoni të gjitha mirësitë qofshin shpirtërore apo materiale. A ka dikush nga ju, që dëshiron të bëhet përkrahësi im në këtë mision? Një heshtje e çuditshme pushtoi krejt kuvendin. Por, papritmas brofi një fëmijë i mitur në një qoshe dhe tha: Ndonëse jam njeriu më i dobët në këtë kuvend, dhe më i vogël në moshë, por unë do t’ju përkrah në këtë detyrë”. Ky fëmijë ishte Aliu, i cili deklaroi mbështetjen e tij ndaj Islamit në atë kohë.

Sakrifica e Hazret Aliut r.a.

Në histori, ngjarja e sakrificës së Hazret Aliut gjatë kohës së migrimit të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. nga Meka shënohet me këto fjalë:

“Kur banorët e Mekës pas një kuvendi këshillues, komplotuan për të bastisur shtëpinë e Profetit s.a.v.s. dhe për ta prangosur apo për ta ekzekutuar atë, Allahu i Madhërishëm njoftoi të Dërguarin e Tij me marrëveshjen e tyre të fshehtë.

Allahu i Madhërishëm i dha atij leje për t’u mërguar në Medinë dhe ai menjëherë nisi përgatitje për këtë udhëtim të gjatë. Ai e porositi Hazret Aliun që të shtrihej atë natë në shtratin e tij. Hazret Aliu kaloi atë natë duke e mbështjellë veten me të njëjtin çarçafin e kuq Hazremi, të cilin e përdorte i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Prita e idhujtarëve e cila përgjonte me kujdes dhe ndiqte fshehurazi çdo lëvizje, bastisi shtëpinë në të gdhirë. Hazret Aliu gjithashtu u ngrit nga shtrati dhe kur ata iu afruan, e njohën menjëherë dhe e pyetën se ku ishte shoku i tij.

Hazret Aliu tregoi që nuk ishte në dijeni për vendndodhjen e Profetit, madje u tha që nuk ishte mbikëqyrësi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Nëse mekasit i kishin kërkuar të largohej nga Meka, ai thjeshtë ka vepruar sipas kërkesave të tyre. Idhujtarët ushtruan dhunë ndaj tij dhe e qortuan rëndë. Ata e çuan në Qabe dhe e ndaluan për njëfarë kohe, por në fund e lanë në gjendje të lirë.

Në një libër të biografisë, lidhur me këtë ngjarje, gjejmë disa të dhëna shtesë, që sipas porosisë së të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., pas hixhretit të tij, Hazret Aliu kishte qëndruar tri ditë në Mekë dhe u kishte kthyer amanete pronarëve të tyre dhe pastaj ishte nisur drejt Medinës. Pas mbërritjes në Medinë, Hazret Aliu kishte qëndruar me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në Kuba në shtëpinë e Umi Kelthum ibn Hedem.

Në “Siret Khatimun Nebijin” Hazret Mirza Bashir Ahmedi ka përshkruar këtë ngjarje në këtë mënyrë:

Errësira e natës kishte kapluar Mekën dhe kurejshët mizorë, të cilët u përkisnin fiseve të ndryshme, kishin rrethuar shtëpinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Për të ekzekutuar planin e tyre, ata prisnin me padurim zbardhjen e agimit. Ata prisnin fshehurazi për daljen e Profetit s.a.v.s. dhe kishin akorduar planin për ta sulmuar në befasi.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte disa amanete të mosbesimtarëve. Pavarësisht nga kundërshtimi i ashpër, njerëzit në përgjithësi i dorëzonin të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. paratë apo sendet e tyre me vlerë për ruajtje, pasi e besonin akoma si të vërtetë dhe të besueshëm. Ai i shpjegoi llogaritë e këtyre amaneteve dhe e porositi për të mos dalë nga Meka pa ua kthyer amanete pronarëve të tyre.

Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e porositi Hazret Aliun që të shtrihej në shtratin e tij. Ai gjithashtu e siguroi që Allahu do ta mbronte atë, dhe kundërshtarët nuk mund t’i sillnim asnjë dëm. Ai u shtri mbi dyshek dhe i Dërguari i Allahut vuri çarçafin e tij të kuq mbi të. Pastaj i Dërguari i Allahut s.a.v.s. duke i besuar Allahut, doli nga shtëpia. Në atë kohë, rrethuesit ndodheshin para derës së tij, por ata nuk mendonin se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. mund të dilte kaq herët në mes të natës. Profeti kaloi mu nga mesi i tyre, duke ua hedhur hi syve, ndërkohë ata ishin të pavëmendshëm dhe nuk e kuptuan dot.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tani kalonte me nxitim përmes rrugicave të qytetit por pa bërë asnjë zhurmë. Nuk zgjati shumë se Profeti s.a.v.s. doli nga vend i banuar dhe hodhi hapat e shpejtë drejt shpellës Thor.

Rrugës ai u takua me Hazret Ebu Bekrin, me të cilin ai kishte biseduar paraprakisht për këtë plan. Shpella Thor, e cila konsiderohet një vend historik në Islam, ndodhet 3 milje larg Mekës, mbi një kodër të shkretë shkëmbore, në drejtim të kundërt të Medinës dhe arrihet përmes një shtegu të vështirë e të parrahur. Kur hyri në shpellë, në fillim Hazret Ebu Bekri e pastroi nga brenda, dhe pastaj hyri dhe i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Në anën tjetër, kurejshët, të cilët kishin rrethuar shtëpinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s., përgjonin herë pas here prapa derës dhe qetësoheshin duke gjetur Hazret Aliun të shtrirë në shtratin e tij. Por kur nisi të zbardhej dita, ata mësuan që preja e tyre u kishte shpëtuar. Ata u shpërndanë në drejtime të ndryshme, madje kontrolluan dhe shtëpitë e sahabëve, por nuk gjetën asnjë gjurmë. Të xhindosur nga dështimi i planit, ata shfrynë dufin e tyre te Hazret Aliu a.s..

Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu ka përshkruar sakrificën e Hazret Aliut.

“I Dërguari i Allahut s.a.v.s. para se të largohej nga shtëpia, kishte porositur Hazret Aliun të shtrihej mbi dyshekun e tij. Në Mekën e asaj kohe, nuk kishte zakon të përdorej krevati për t’u shtrirë. Në disa rrëfime, hasim fjalët sikur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte porositur Hazret Aliun të shtrihej mbi krevatin e tij. Në atë kohë, njerëzit flinin mbi dyshek dhe jo në shtretër.

Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. doli nga shtëpia, disa prej atyre që ishin në pritë, e panë, por ata kujtuan se ndoshta ai është ndonjë vizitor, i cili ka ardhur për ta takuar Muhammedin, dhe tani po kthehet. Shkaku tjetër, që mund t’i ketë shtyrë për të menduar se personi që kishte dalë nuk ishte vetë Profeti Muhammed s.a.v.s, por dikush tjetër, ishte që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte dalë me guxim e trimëri dhe pa asnjë drojë. Ata kishin menduar se Profeti Muhammed s.a.v.s. nuk mund të guxonte të dilte kaq burrërisht, prandaj ai duhet të jetë patjetër ndonjë vizitor, që ka ardhur ta takoj atë. Pastaj, ata kishin përgjuar brenda nga të çarat e derës, dhe kishin parë dikë që flinte, dhe u qetësuan duke menduar se ai duhet të ishte i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Ata kaluan tërë natën në përgjim, dhe bastisën shtëpinë në kohën e caktuar. Kur e hoqën çarçafin dhe zbuluan fytyrën, kuptuan që personi që flinte qenka Hazret Aliu dhe jo i Dërguari i Allahut s.a.v.s.. Atëherë kuptuan që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ishte larguar mirë e shëndoshë, dhe atyre nuk u kishte mbetur asgjë përveç dëshpërimit.

Sjellja e shkëlqyer e Hazret Aliut r.a.

Hazret Kalifi II r.a. gjithashtu ka shkruar:

Allahu i mundësoi Hazret Aliut një sakrificë madhështore. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. vendosi të nisej në darkë nga shtëpia për hixhret (mërgim) drejt Medinës, ai e porositi Hazret Aliun të shtrihej mbi dyshekun e tij. Ai e bëri këtë me qëllim që kur të përgjojnë mosbesimtarët nga të çarat e derës, ata kujtojnë që dikush po fle brenda, dhe në këtë mënyrë të mos shpërndahen për ta ndjekur atë.

Në atë moment, Hazret Aliu nuk i tha Profetit: “O i Dërguar i Allahut! Të rinjtë e zgjedhur të kurejshve kanë ngritur pritën për ju, dhe kanë rrethuar këtë shtëpi duke mbajtur shpata në dorë. Nëse ata zbulojnë në mëngjes që ju jeni larguar prej këtu, atëherë ata me siguri do më ekzekutojnë”. Por, përkundrazi ai u shtri pa asnjë shqetësim a ngurrim mbi dyshekun e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe e mbështolli me çarçafin e tij.

Kur u zbardh dita, kurejshët zbuluan që në vend të Muhammedit (s.a.v.s.) po ngrihej Hazret Aliu nga dysheku. Ata shprehën keqardhje për dështimin e planit dhe për të shfryer mllefin, nisën të rrihnin Hazret Aliun r.a., ndonëse kjo nuk mund t’u sillte asnjë rezultat. Profecitë hyjnore tashmë ishin përmbushur dhe Muhammedi s.a.v.s. kishte dalë mirë e shëndoshë nga kufijtë e Mekës.

Në atë moment Hazret Aliu nuk kishte imagjinuar për rezultatin dhe shpërblimet e kësaj sakrifice. Por Allahu i Madhërishëm dinte se shpërblimet e këtyre sakrificave jo vetëm që do të kufizohen me qenien e Hazret Aliut, por do të vijojnë edhe në brezat e tij pasardhës. Bekimin e parë që Allahu i dha Hazret Aliut ishte që gëzoi nderin të bëhej dhëndëri i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Bekimi i dytë ishte që Allahu i ngjalli Profetit s.a.v.s. një dashuri dhe dhembshuri të veçantë për Hazret Aliun, dhe ai shpesh çmoi meritat e tij.

Një sqarim

Në hutben time, kam cituar të njëjtën ngjarje nga burime të ndryshme. Ndonëse, në thelb ngjarja mbetet e njëjtë, por ajo përshkruhet në mënyra dhe stile të ndryshme. Prandaj, nganjëherë edhe unë ju rrëfej të njëjtën ngjarje disa herë nga burime të ndryshme, me qëllim që të përfitojmë disa të dhëna të reja. Nganjëherë disa të dhëna të hollësishme na zbulojnë aspekte të panjohura, po ashtu kur ato ngjarje rrëfehen në një mënyrë dhe këndvështrimi të ri, na çelin botëkuptime të reja lidhur me jetën e atij sahabiu. Në rastin e Hazret Aliut r.a., na janë shfaqur aspekte të ndryshme të personalitetit të tij, p.sh. raporti i tij me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., dhe raporti i Profetit s.a.v.s. me sahabë të tij.

Nganjëherë duket sikur e njëjta referencë po përsëritet disa herë, por në fakt janë referenca të ndryshme, që kanë përshkrime dhe informacione të ndryshme. Në lidhje me jetën e Hazret Aliut r.a. do t’ju rrëfej ngjarje të tjera në vazhdim.

Në fund të hutbes Huzuri përmendi disa anëtarë, të cilët kishin ndërruar jetë së fundmi dhe pas namazit të së xhumasë, ai ua udhëhoqi namazin e xhenazes në mungesë.

  1. Tahir Mahmud ka rënë dëshmor më 20 nëntor 2020, në Madh Balochan, Nankana, Pakistan si rezultat i sulmit me armë pasi dilte nga falja e së xhumasë.
  2. Xhemaludin Mahmud më 3 nëntor 2020, në Sierraleone
  3. Amatus Salam më 19 tetor 2020 në Ravbah, Pakistan
  4. Mensura Bushra, më 6 nëntor 2020, në moshën 97 vjeçare në Rabvan, Pakistan

Allahu i mëshiroftë këta dhe ua lartësoftë shkallët në xhenet!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp