Martirizimi i Hazret Aliut, Kalif i Drejtë i Profetit a.s. dhe një mesazh i rëndësishëm për botën
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Martirizimi i Hazret Aliut, Kalif i Drejtë i Profetit a.s. dhe një mesazh i rëndësishëm për botën

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Plani i havarixhëve për vrasjen e Hazret Aliut

Po vijon tema e Hazret Aliut r.a.. Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka përshkruar hollësisht prapaskenat e martirizimit të Hazret Aliut. Ai shkruan:

“Kur shumë çështje akoma kërkonin zgjidhje, grupi i havarixhëve arriti në përfundimin që gjendjes së fitnes dhe kaosit, mund t’i jepej fund, nëse ata mbytnin udhëheqësit kryesorë. Për të zbatuar planin, disa trima u zotuan për eliminimin e Hazret Aliut, Hazret Mu’avijes dhe të Hazret Amr ibn ‘Asit, dhe këto vrasje të kryheshin në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin çast. Personi, i cili ishte nisur për të ekzekutuar Hazret Mu’avijen, ndonëse e sulmoi atë, por goditja qe e lehtë dhe Hazret Mu’avija pësoi vetëm disa plagë të lehta. Atentatori u kap në vendin e ngjarjes dhe u dënua me vdekje. Personi tjetër, i cili duhet të mbyste Hazret Amru ibn Asin, gjithashtu dështoi në plan, pasi Hazret Amr ibn Asi, meqë ishte i sëmurë, nuk kishte ardhur në xhami për falje. Mirëpo, atentatori kishte vrarë dikë tjetër, i cili kishte ardhur në banesën e Hazret Amr ibn Asin, për ta udhëhequr atë në namaz. Ai gjithashtu ishte kapur pas sulmit, dhe ishte dënuar me vdekje. Personi i tretë, i cili qe zotuar për të vrarë Hazret Aliun, e kishte sulmuar, teksa ai po shkonte në xhami për namazin e sabahut. Hazret Aliu kishte mbetur i plagosur rëndë. Në çastin e sulmit, atentatori kishte shqiptuar fjalët: “O Ali! Ti nuk ke të drejtë, që të bindemi për çdo gjë, kjo e drejtë i takon vetëm Allahut.

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte paralajmëruar martirizimin e Hazret Aliut. Sipas transmetimit të Hazret Ubejdullahut, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte thënë atij: O Ali! A di se cilët do të jenë njerëzit më fatzinj  ndër të parët dhe të mëvonshmit. Hazret Aliu iu përgjigj: Allahu dhe i Dërguari i Tij dinë më së miri. Ai i tha: “Njeriu më fatlig ndër të parët qe ai, i cili i kishte prerë tejzat e devesë së Hazret Salihut a.s.. Ndërsa ndër të mëvonshmit, njeriu më fatlig do të jetë ai i cili do të të qëllojë me shtizë. Pastaj, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i bëri me dorë vendin ku do të goditej Hazret Aliu.

Umi Xhaferi, e cila shërbente në shtëpinë e Hazret Aliut ka transmetuar që njëherë ajo lëshonte ujë mbi duart e Hazret Aliut (për abdes), kur ai ngriti kokën, kapi mjekrën dhe e çoi deri në hundë dhe tha: “Oh! Sa mirë që je. Me siguri do të lyhesh me gjak”. Pastaj, ai u martirizua ditën e së xhumasë.

Ngjarja e martirizimit të Hazret Aliut

Ibn Hanfija transmeton se ai bashkë me Hazret Hasanin dhe Hazret Husejnin ishte në një hamam, kur hyri Ibn Mulxhami. Ata dy shprehën pakënaqësinë për ardhjen e tij, dhe i thanë: Si guxove të hyje kështu në hamam. Ibn Hanfija i këshilloi që të mos merreshin me të dhe tha: Unë betohem se atë që ka ndërmend për të realizuar kundër jush, është akoma më e tmerrshme.

Ibn Hanfija gjithashtu shton: Unë e kisha njohur qysh atë ditë, kur ai na kishte ardhur në hamam.

Pas atentatit ndaj Hazret Aliut, Ibn Mulxhemi ishte arrestuar. Atëherë Hazret Aliu kishte thënë që ai (Ibn Mulxhemi) është person i arrestuar, prandaj duhen respektuar të gjitha rregullat e pritjes dhe mirësjelljes. Nëse do të mbijetoj- tha Hazret Aliu- ose do ta dënoj me vdekje ose do t’i shpall amnisti. Nëse nuk mbijetoj, ju mund ta ekzekutoni si kisas (hakmarrje( por mos i tejkaloni kuftijtë pasi Allahu nuk i do ata që tejkalojnë.

Kusmi ka qenë një skllav, të cilin e kishte liruar Hazret Ibn Abasi. Ai transmeton se Hazret Aliu i kishte lënë një amanet djalit të tij madh dhe i kishte shkruar që ai (d.m.th. Ibn Mulxhemi) të mos goditej me shtizë në bark apo në organin gjenital.

Njerëzit kanë thënë që havarixhët kishin emëruar tre persona nga grupi i tyre. Këta persona ishin:

  1. Abdurrahman ibn Mulxhem Muradi nga fisi Humejri, por që konsiderohej prej fisit Murad, i cili ishte aleat i Benu Xheblasë prej familjes së Kindasë.
  2. Burak ibn Abdullah Temimi
  3. Amr ibn Vukejr Temimi

Këta u takuan në Mekë dhe u zotuan për të vrarë me çdo kusht tre njerëz përkatësisht Hazret Ali ibn Ebi Talibin, Hazret Muavije ibn Ebu Sufjanin dhe Hazret Amr ibn Asin dhe t’i hiqnin qafe ata.

Abdurrahman ibn Mulxhemi u shpreh se merrte përsipër vrasjen e Ali ibn Ebi Talibit. Pastaj Buraku u betua se do të kryente vrasjen e Muavijes. Amr ibn Bukejri gjithashtu shprehu gatishmërinë për të ekzekutuar Amr ibn Asin.

Pastaj, ata u zotuan dhe i dhanë besë njëri-tjetrit se kurrë nuk do të lëkunden nga zotimi i tyre për vrasjen e këtyre personave. Ata gjithashtu u betuan se ose do të vrasin objektivin e tyre ose të vdisnin në këtë përpjekje, por kurrë do të ktheheshin pa kryer misonin e tyre. Ata u pajtuan për datën 17 ramazan, për të realizuar planin e tyre.

Pastaj, secili prej tyre, u nis drejt qytetit ku jetonte objektivi, të cilin e kishin vënë në shënjestër.

Abdurrahman ibn Mulxhemi erdhi në Kufe dhe u takua me miqtë e tij havarixhë. Ndonëse i takonte shpesh, ai mbajti të fshehur qëllimin e ardhjes së tij. Një ditë ai kishte parë një grup njerëzish nga fisi Temur Rabab, në të cilin bënte pjesë dhe një grua që quhej Katam bint Shijna ibn Adi. Hazret Aliu kishte vrarë babain dhe vëllain e saj në luftën e Nehrvanit. Ibn Mulxhemi ra në dashuri me këtë grua dhe i lypi dorën për martesë. Ajo i tha se nuk do të martohet derisa ai t’i jepte asaj një fjalë. Ibn Mulxhimi i premtoi se ai t’i jepte gjithçka që ajo i krëkonte. Ajo i kërkoi tre mijë dirhamë dhe vrasjen e Ali ibn Ebi Talibit. Ibn Mulxhimi i tha: Pasha Allahun! Do të ta jap atë që kërkon. Unë kam ardhur në këtë qytet vetëm për të vrarë Ali ibn Ebi Talibin.

Pastaj, ai u takua me Shebib ibn Bexhra Eshxhein dhe e njoftoi me qëllimin e tij. Ai gjithashtu kërkoi që Shebibi ta shoqëronte gjatë atentatit. Shebibi ia pranoi kërkesën.

Natën e atij mëngjesi që kishin zgjedhur për të kryer atentatin, ai e kaloi në xhaminë e Esh’ath ibn Kejs el-Kindi duke bërë bisedë me të. Para se të binte agimi, Esh’athi e zgjoi atë. Abdurrahman ibn Mulxhimi dhe Shebib ibn Bexhraja rrinin në pritë përballë sheshit, nga e cila dilte Hazret Aliu.

Hazret Hasan Ibn Aliu ka transmetuar se ai kishte shkuar te Hazret Aliu dhe ishte ulur pranë tij. Në atë kohë, Hazret Aliu ishte shprehur që ai kishte kaluar natën duke i zgjuar për falje, derisa e kishte pushtuar gjumi dhe pa të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në ëndërr. Hazret Aliu tha: Unë i thashë: O i Dërguar i Allahut! Po përballem me shtrembërimin dhe grindjen e ashpër të umetit tuaj. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. iu përgjigj: O Ali! Drejtohu Allahut dhe bëjë lutje kundër tyre. Atëherë bëra lutje me këto fjalë: O Allah! Më jep në vend të tyre ata që janë më mirë se ata dhe jepja atyre dikë që është më keq se unë.

Në atë çast hyri muezin Ibn Nebahu, i cili e njoftoi se kishte vajtur koha e namazit. Hazret Hasani i dha dorën, dhe Hazret Aliu u ngrit nga vendi dhe nisi të ecte. Ibni Nebahu ecte përpara, Hazret Aliu në mes, ndërsa Hazret Hasani në fund. Hazret Aliu mbante një kamxhik dhe me të binte mbi dyert e njerëzve dhe u thoshte “Es-salatu es-Salatu” (koha e namazit, koha e namazit). Ai kishte zakon të vepronte kështu, sa herë që shkonte në xhami.

Pikërisht në atë çast, atentatorët i dolën përpara. Një ndër dëshmitarët okularë të kësaj ngjarje e ka përshkruar këtë ndodhi me këto fjalë: “Unë e pashë shkëlqimin e shpatave dhe dëgjova dikë që thoshte: O Ali! Urdhri i takon Allahut e jo ty. Pastaj pashë vringëllimin e shpatës tjetër. Ato goditën bashkë. Shpata e Abdurrahman ibn Mulxhemi kishte rënë mbi ballin e Hazret Aliut dhe hyri deri në tru, ndërsa goditja e Shebibit kishte përfunduar në kanatin e derës. Unë e dëgjova Hazret Aliun duke thënë që atentatori të mos lejohej për t’u arratisur. Njerëzit që gjendeshin pranë, iu vërsulën atij dhe arritën ta ndalonin, megjithatë Shebibi arriti të largohej nga vendi i ngjarjes.

Kur Abdurrahman ibn Mulxhimi u paraqit para Hazret Aliut, ai tha: Ushqejeni mirë dhe shtrojini një dyshek të butë. Nëse do të mbijetoj, do të kem të drejtë për t’ia falur gjakun apo për t’i kërkuar hakmarrje, por nëse vdes, ju duhet ta dënoni me vdekje, dhe ta bashkoni atë me mua. Unë do t’ia shtroj këtë çështje para Zotit të botëve.

Amaneti i Hazret Aliut para vdekjes

“Në emër të Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëuesit. Ky testament është shkruar nga Ali ibn Ebi Talibi. Unë dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, të Vetëm dhe të Pashoq dhe që Muhammedi s.a.v.s. është robi dhe i Dërguari i Tij, të cilin Ai ka çuar me ligjin dhe fenë e së vërtetës, për ta triumfuar atë mbi të gjitha fetë e tjera, edhe pse këtë nuk e pëlqejnë idhujtarët. Në të vërtetë, namazi im, sakrifica ime, jeta ime dhe vdekja ime i përkasin Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë partner. Jam urdhëruar për këtë dhe unë jam prej të nënshtruarve”.

Pastaj ai iu drejtua djalit të tij Hasan dhe tha: “Unë të lë ty, pasardhësve të mi dhe anëtarëve të familjes sime amanet për t’iu frikësuar Allahut të Madhërishëm, i cili është Zoti juaj, dhe që të mos ndaheni nga kjo jetë, veçse në gjendjen e Islamit. Kapeni fort pas litarit të Allahut dhe kurrë mos u përçani! Unë kam dëgjuar Ebul Kasimin s.a.v.s. se ndreqja e raporteve të ndërsjella është më e pëlqyer se namazi apo agjërimi. Përmbushni të drejtat e të afërmve tuaj dhe silluni mirë me ta, pasi kjo do t’ju lehtësojë dhënien e llogarisë para Zotit. Kini frikë Allahun në çështjen e jetimëve! Mos i detyroni t’ju lypin për ndihmë dhe as mos i lëshoni fare që të bijnë në humbje, para syve tuaj.

Kini frikë Allahun në lidhje me të drejtat e fqinjve, sepse ashtu ju ka porositur i Dërguar i Allahut s.a.v.s.. Ai gjithmonë na këshillonte për të përmbushur të drejtat fqinjësore, derisa menduam se ndoshta ai do t’i bënte fqinjët pjesëtarë në trashëgimi. Kini frikë Allahun në çështjen e Kuranit. Mos ndodhë që njerëzit e tjerë t’ju paraklaojmë në zbatimin e tij. Kini frikë Allahun në çështjen e namazit, sepse ai është shtylla e besimit tuaj. Kini frikë Allahun për shtëpinë e Zotit tuaj dhe kurrë mos e lini të zbrazët, sepse po mbeti e zbrazët, nuk do të gjeni asnjë shtëpi si ajo.

Kini frikë Allahun në lidhje me xhihadin në rrugën e Tij dhe bëni xhihad me anë të jetës dhe pasurisë suaj. Kini frikë Allahun në lidhje me zekain, sepse ai zhduk zemërimin e Allahut. Kini frikë Allahun në lidhje me çështjen e sahabëve dhe bëjini ata pjesëtarë në mjetet e ekonomisë suaj. Kini frikë Allahun në lidhje me ato që posedojnë duart tuaja. Ruajeni namazin, ruani namazin tuaj. Mos u frikësoni nga qortimi i ndonjë qortuesi, derisa jeni duke synuar pëlqimin e Allahut. Zoti gjitmonë do t’ju mjaftojë përballë atij që synon t’ju sjellë ndonjë dëm, dhe rebelon kundër jush.

Thuaju njerëzve gjithmonë fjalë të mira, ashtu siç ju ka urdhëruar Allahu. Kurrë mos hiqni dorë nga urdhërimi i fjalëve të mira, dhe nga ndalimi prej së keqes, përndryshe do t’ju sundojnë njerëz më të ligj, dhe kur të bëni lutje, ajo nuk do t’ju pranohet. Njësoj siç ndodh tani në vendet muslimane.

Mbani lidhje të mira me të tjerët dhe ruajini ato. Ndihmoni njëri-tjetrin pa ngurrim a naze. Mos shtoni armiqësi ndaj njëri-tjetrit, mos prishni marrëdhëniet dhe mos u përçani. Bashkëpunoni me njëri-tjetrin për mirësinë dhe druajtjen dhe mos bashkëpunoni për mëkatin dhe keqtrajtimin. Kini druajtje ndaj Allahut! Sigurisht, Allahu është i ashpër në ndëshkim.

O anëtarë të nderuar të Ehli Bejtit (pjesëtarë të familjes së Profetit të Shenjtë s.a.v.s.)! Allahu ju ruajttë dhe e ruajttë Profetin tuaj përmes jush (d.m.th. Allahu i mundësoftë të Dërguarit të Tij një jetë të pashtershme përmes shembujve tuaj të pastër!). Unë ju lë në mbrojtjen e Allahut dhe ju dërgoj paqen dhe mëshirën e Allahut.

Profecia e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. për martirizimin e Hazret Aliut r.a.

Ebu Sinani ka transmetuar se ai kishte vizituar Hazret Aliun, kur ai ishte i plagosur. Ai rrëfen: “Unë i thashë, o Prijës i Besimtarëve! Ne jemi brengosur kur ju shohim në këtë gjendje të plagosur”. Hazret Aliu iu përgjigj: “Pasha Zotin! Unë nuk shqetësohem aspak për veten time, sepse Profeti i vërtetë s.a.v.s. më kishte njoftuar se do të plagosesha në këto vende (e pastaj tregoi tëmthat e tij) se si do të përgjakem nga tëmthat derisa mjekra ime do të bëhet e kuqe. Ai gjithashtu kishte thënë që dhe autori i këtij krimi do të jetë njeriu më fatzi i këtij umeti, njësoj si njeriu më i mjerë i popullit Themud qe ai, i cili kishte prerë damarin e devesë”.

Në një transmetim Hazret Aliu u shpreh në lidhje me Ibn Mulxhemin, personin i cili e kishte sulmuar fatalisht, “Qetësojeni atë dhe nëse unë vdes, atëherë vriteni dhe atë, por mos ia gjymtoni trupin. Por nëse unë mbijetoj, do të vendos vetë nëse do ta fal apo ta dënoj”.

Hazret Musleh el-Mo’udi ka përmendur këtë ngjarje me këto fjalë. Ai shkruan:

“Është përmendur në librat e historisë se një person që mbante një kamë, sulmoi Hazret Aliun. Ai i nguli kamën në stomak dhe e kishte prerë atë. Sulmuesi më pas u kap”.

Hazret Musleh el-Mo’udi ka shkruar se sulmuesi i kishte çarë stomakun Hazret Aliut. Ndoshta përveç plagës në kokë, kishte dhe një plagë në stomak, ose ky mund të ketë qenë mendimi i Hazret Musleh el-Mo’udit mbi këtë çështje ose ndoshta ai e tha këtë si një shprehje.

Sidoqoftë, shumica e transmetimeve tregojnë se Hazret Aliu kishte marrë goditje në kokë.

[Hazret Musleh el-Mo’udi më tej thotë:] Kur njerëzit e kapën sulmuesin, ata e pyetën Hazret Aliun se si duhet të vepronin me të. Hazret Aliu e thirri Hazret Imam Hasanin dhe porositi: “Nëse unë vdes, atëherë vriteni dhe atë si masë ndëshkuese për vrasjen time. Por nëse mbijetoj, atëherë mos e vritni”.

Amr Dhi Muri tregon: “Hazret Aliu (r.a.) kishte pësuar plagë nga goditja e shpatës. Kur shkova ta shoh, ai e kishte lidhur kokën. Unë i thashë atij,’O Prijës i Besimtarëve! Më tregoni plagën tuaj’. Ai e hoqi fashën nga plaga. Pasi ia këqyra, i thashë: ‘Është vetëm një plagë e vogël dhe asgjë më shumë’. Por Hazret Aliu r.a. u shpreh: ‘Unë së shpejti do të largohem nga ju’. Kur vajza e tij, Umi Kulthumi, e cila qëndronte pas perdes, dëgjoi këto fjalë, ajo zuri të qante me dënesë. Hazret Aliu e urdhëroi për të pushuar të qarët dhe tha: “Po të shikoje atë që shoh unë, ti nuk do të kishe qarë’. Unë i thashë: ‘O Prijës i Besimtarëve! Çfarë po shihni para jush?’ Hazret Aliu u përgjigj: ‘Ja po shoh një tufë engjëjsh dhe profetësh (d.m.th. Kjo ishte në formën e një vizioni në të cilën ai kishte parë engjëj dhe profetë.) Këtu qenka i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i cili po thotë: “O Ali, gëzohu! Sepse vendin ku do të shkosh është më i mirë se aty ku ndodhesh aktualisht”.

Në një transmetim thuhet se kur Hazret Aliu mbaroi së lexuari testamentin e tij, ai tha: “Unë ju përshëndes me fjalët “Es-selamu alejkum va rahamtullah ve brakatuhu” (paqja, mëshira dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ju!) Pas kësaj ai nuk tha asgjë përveç shqiptimit të shehadetit dhe pastaj ai ndërroi jetë.

Kur Hazret Ali ibn Ebi Talibi ndërroi jetë, Hazret Hasan ibn Ali u ngrit në minber dhe tha: “O njerëz! Sonte, ka ndërruar jetë një person, që nuk ka asnjë ngjashmëri me njerëzit që ishin para tij dhe as ata që do të vijnë pas tij, nuk mund të arrijnë gradën e tij. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dërgonte atë në ndonjë ekspeditë, Xhibrili i qëndronte në të djathtë dhe Mikaili në të majtë. Ai nuk kthehej nga lufta derisa të arrinte fitoren. Ai ka lënë vetëm 700 dirhamë, me të cilat kishte ndërmend të blinte një shërbëtor dhe shpirti i tij u ngrit në të njëjtën natë kur ishte ngritur shpirti i Isait birit të Merjemes d.m.th. natën e 27-të të muajit të bekuar të Ramazanit.

Në një transmetim tjetër thuhet se ai ndërroi jetë natën e 17-të të Ramazanit në 40 hixhri. Martirizimi i tij ndodhi në vitin 40 pas ngjarjes së hixhretit, dhe periudha e kalifatit të tij kishte  zgjatur për katër vjet, tetë muaj e gjysmë.

Hazret Musleh el-Mo’udi e ka përmendur këtë ngjarje si më poshtë:

“Në vëllimin e 3-të të “Et-Tabakat” nga Ibn Sa’di, gjendet një transmetim nga Hazret Imam Hasani në lidhje me ngjarjet që lidhen me martirizimin e Hazret Aliut r.a.. Ai deklaroi: “O njerëz! Sonte ka ndërruar jetë ai person, disa cilësi të të cilit ishin aq të larta, saqë nuk i kanë arritur as ata që kanë jetuar para tij, e as nuk do të arrijnë ata që do të vijnë pas tij. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e dërgonte atë në ndonjë ekspeditë, Xhibrili i qëndronte në krah të djathtë ndërsa Mikaili në të majtë. Ai kurrë nuk kthehej nga lufta pa e arritur fitoren. Ai ka lënë vetëm 700 dirhamë, me të cilat kishte ndërmend të blinte një shërbëtor. Shpirti i tij u ngrit në të njëjtën natë kur ishte ngritur shpirti i Isait birit të Merjemes, drejt qiejve (d.m.th. në natën e 27 Ramazanit).

Trupin e Hazret Aliut (r.a.) e kishin larë dy djemtë e tij si dhe Hazret Abdullah ibn Xhaferi. Djali i Hazret Aliut, Hazret Hasani r.a. udhëhoqi namazin e xhenazes dhe shqiptoi katër tekbira [duke shpallur Allahu është më i madhi]. Hazret Aliu ishte mbështjellë me tre çarçafë, të cilat nuk përfshinin këmishën. Ai ishte varrosur para kohës së agimit.

Thuhet se Hazret Aliu kishte pak myshk, i cili kishte mbetur nga myshku me të cilin ishte lyer trupi i të Dërguarit të Allahut s.a.v.s.. Hazret Aliu kishte lënë amanet, që ai myshk të përdorej edhe mbi trupin e tij.

Mosha e Hazret Aliut r.a.

Ekziston një mospërputhje në lidhje me moshën e Hazret Aliut. Sipas disa transmetimeve ai ishte 57 vjeç kur ndërroi jetë, ndërsa sipas disave të tjerë, ai ishte 58 vjeç. Po ashtu ka mendime që Hazret Aliu ndërroi jetë në moshën 65 vjeçare, ndërsa disa thonë se ai ishte 73 vjeç. Megjithatë, shumica e burimeve pajtohen që mendimi se ai ishte 63 vjeç, kur ndërroi jetë, është më i besueshëm.

Mendime të ndryshme në lidhje me varrin e Hazret Aliut r.a.

Shpesh shtrohet pyetja në lidhje me vendndodhjen e varrit të Hazret Aliut. Edhe mbi çështje, gjejmë transmetime të ndryshme në librat e historisë të cilat janë si më poshtë:

  • Hazret Aliu r.a. u varros në Kufe dhe vendndodhja e varrimit u mbajt e fshehtë.
  • Thuhet gjithashtu se Hazret Aliu r.a. u varros në xhaminë kryesore të Kufes.
  • Hazret Imam Hasani r.a. dhe Imam Husejni r.a. e morën trupin e Hazret Aliut r.a. në Medinë dhe e varrosën në Xhenet el-Beqi, ngjitur me varrin e Hazret Fatimasë r.a..
  • Sipas një transmetimi, kur ata [d.m.th. Imam Hasani r.a. dhe Imam Husejni r.a.] vendosën trupin e Hazret Aliut r.a. në një arkivol dhe e ngarkuan atë mbi një deve, dhe deveja u zhduk. Më vonë, atë e gjetën disa njerëz nga fisi Tej dhe kujtuan se arkivoli përmbante pasuri. Por, kur e hapën, gjetën një trup të cilin nuk arritën të dallonin. Ata e varrosën arkivolin me gjithë trupin dhe kështu tani askush nuk e di se ku gjendet varri i Hazret Aliut r.a..
  • Pastaj në një transmetim tjetër thuhet se Hazret Hasani a. e varrosi Hazret Aliun r.a. në Kufe, në lagjet që i përkisnin njërit prej anëtarëve të familjes së Xhadeh ibn Khubejrasë. Sipas gojëdhënave Xhada ishte nipi i Hazret Aliut r.a..

Imam Xhafer Sadiku ka thënë: “Namazi i xhenazes së Hazret Aliut r.a. u fal në darkë dhe ai u varros në Kufe. Vendndodhja e varrit të tij ishte mbajtur e fshehur, por ajo ndodhej afër ngrehinës ‘Kasr Imaret’”.

Në një transmetim tjetër përmendet se pas vdekjes së Hazret Aliut r.a., Hazret Imam Hasani r.a. drejtoi namazin e xhenazes së tij dhe ai u varros jashtë Kufes. Varri i tij u mbajt i fshehur që havarixhët etj., të mos i sillnin dëm.

A me të vërtetë “Mesh’hed en-Nexhfi” është varri i Hazret Aliut?

Disa shiitë thonë se varri i Hazret Aliut r.a. ndodhet në Nexhef, në një vend i cili sot njihet si Mesh’hed el-Nexhef.

Sipas një transmetimi, Hazret Aliu r.a. ishte martirizuar në Kufe, por nuk i dihet varri. Pas vdekjes së tij, Hazret Imam Hasani r.a. ia drejtoi namazin e xhenazes dhe Hazret Aliu u varros në Dar el-Imaret në Kufe, nga frika se havarixhët do ta çnderonin trupin e tij.

Allama Ibn Ethiri shkruan:

“Ekziston një transmetim i njohur; sipas të cilit trupi i Hazret Aliut r.a. ishte ngarkuar mbi një deve dhe ajo u zhduk dhe që askush nuk e di se ku përfundoi deveja. Ky transmetim është i pasaktë. Çdokush që e rrëfen dhe deklaron një gjë të tillë tregon njohuri të sipërfaqshme dhe dije të cekët për ngjarjet e vërteta. As arsyeja e as sheriati nuk mund të pajtohen me këtë transmetim. Shumica e injorantëve Rafawid besojnë se varri i Hazret Aliut r.a. ndodhet në Mesh’hed en-Nexhef. Nuk ekziston asnjë provë për ta mbështetur këtë tezë. Përkundrazi, ekziston mendimi se ai është varri i Mughireh ibn Shu’basë.”

Imam Ibn Tejmija shkruan:

“Dijetarët janë në një mendje që varri në Mesh’hed en-Nexhef nuk është i Hazret Aliut r.a.. Në fakt, ai është varri i Hazret Mughirah ibn Shu’basë. Edhe pse kanë pushtuar Kufen për më shumë se treqind vjet, Ehli Bejti [familja e Profetit të Shenjtë s.a.v.s.], shiitët dhe muslimanët e tjerë kurrë nuk pretenduar se ai ishte varri i Hazret Aliut r.a.. Ky vend u bë i njohur si Mesh’hed Ali, treqind vjet pas martirizimit të Hazret Aliut r.a.. Në këtë mënyrë, arrijmë në përfundimin se të gjitha këto transmetimet që tregojnë se ky është varri i Hazret Aliut r.a. janë plotësisht të pasakta”.

Pasi përmendi transmetimet e ndryshme që janë përmendur më lart në lidhje me varrin e Hazret Aliut r.a., Allama Ibn Xhuzi shkruan në librin e tij

والله أعلم أي الأقوال أصح

Allahu e di më së miri se cili mendim është më i saktë dhe i besueshëm.

Martesat dhe pasardhësit e Hazret Aliut

Në lidhje me martesat dhe pasardhësit e Hazret Aliut r.a., përmendet që ai u martua gjithsej tetë herë gjatë periudhave të ndryshme. Emrat e grave të tij janë si më poshtë:

  1. Fatima a., vajza e Profetit të Shenjtë s.a.v.s.,
  2. Khaulah bint Xhafer ibn Kejs
  3. Lailah bint Mas’ud bin Khalid,
  4. Umm el-Benin bint Hazam bin Khalid,
  5. Asma bint Umejs,
  6. Sahaba Umm Habib bint Rabi’ah,
  7. ‘Umamah bint Ebil ‘As ibn Rabi’, ajo ishte mbesa e Profetit të Shenjtë a.v.s. nga vajza e tij, Hazret Zainab r.a., dhe gjithashtu
  8. Umm Saeed bint Urwah bin Masud Thaqafi .

Allahu i Madhërishëm i dhuroi Hazret Aliut r.a. shumë fëmijë që numërohen më shumë se 30; 14 djem dhe 19 vajza.

Pasardhësit e Hazret Aliut r.a. vazhduan përmes Hazret Hasanit r.a., Hazret Husejnit r.a., Muhamed bin Hanafijes, Abbas ibn Kilabijes dhe Amr bin Taglabias.

Unë jam qyteti i dijes dhe Aliu është porta e tij

Në lidhje me virtytet, moralin dhe karakterin e Hazret Aliut r.a., është shkruar në një transmetim nga Ibn Abasi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë: أنا مدينة العلم وعلي بابها فمن أراد العلم فليأت الباب “Unë jam qyteti i dijes ndërsa Aliu është porta e këtij tij. Kushdo që synon dijen duhet të hyjë përmes portës”.

Në lidhje me këtë, Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. thotë:

“Njëherë Hazret Aliu u shpreh se njeriu më i guximshëm ndër sahabët ishte Hazret Ebu Bekri r.a.. Ai më tej tregoi se gjatë betejës së Bedrit, kur u ngrit një tendë e veçantë për të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., dhe lindi pyetja se kush duhet të caktohet për të mbrojtur Profetins.a.v.s.. Atëherë, Hazret Ebu Bekri r.a. nxori shpatën e tij, dhe kaloi gjithë natën duke i qëndruar rojë. Kështu Hazret Ebu Bekri shfaqi trimërinë në kohën më të vështirë.

Në mënyrë të ngjashme, përmendet se njëherë i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë: أنا مدينة العلم وعلي بابها d.m.th. ‘Unë jam një qytet i dijes dhe Aliu është porta e tij’. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka cilësuar Hazret Aliun r.a. si një nga dijetarët. Megjithatë në kohën më delikate gjatë betejës së Hajberit, i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i kishte besuar flamurin islam Hazret Aliut r.a.. Nga kjo provohet se gjatë kohës së Profetit s.a.v.s. dijetarët nuk ishin frikacakë, madje ata ishin më të guximshëm nga të gjithë. Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka përmendur këtë ngjarje në lidhje me trimërinë e dijetarëve.

Hazret Aliu r.a. thotë: “Ishte një kohë kur do të më duhej të lidhja një gur në stomak për të përmbajtur urinë. Ndërsa sot, vlera e sadakasë sime (d.m.th. Zekati) arrin deri në 4000 dinarë”. Në një transmetim tjetër është përmendur se Hazret Aliu paguante rreth 40,000 dinarë në zekat.

Ebu Behriu transmeton nga babai i tij se ai e kishte parë Hazret Aliun r.a. të veshur me një veshje të trashë që vishej mbi pjesën e poshtme të trupit. Hazret Aliu (r.a.) tha se ai e kishte blerë atë për pesë dirhamë dhe ishte i gatshëm për ta shitur, nëse dikush i jepte një fitim prej një dirham.

Transmetuesi më tej thotë: “Kur e pashë një qese të vogël me para në duart e Hazret Aliut r.a., ai më tha: “Këto janë të ardhurat nga prona ime në Jenbu’, i cili ndodhej afër bregdetit në një distancë prej 7 ndalesash nga Medina [ndalesa është njësia e distancës që është e barabartë me 1 ditë udhëtim].

Fjalët: الله الملك ‘Allahu është mbret i vërtetë sovran’ ishin gdhendur në unazën e Hazret Aliut r.a.. Xhumej ibn Umejri thotë: “Unë shkova te Hazret Aisheja r.a. së bashku me tezen time, e cila e pyeti se cili ishte njeriu më i dashuri për Profetin e Shenjtë?’ Ajo u përgjigj: ‘Fatimeja’. Ajo i shtroi një pyetje tejtër se cili ishte personi më i dashur për të nga meshkujt?’ Hazret Aisheja r.a. u përgjigj: ‘Bashkëshorti i saj, Hazret Aliu’.

Hazret The’laba ibn Ebi Maliku tregon se Hazret Sa’d ibn Ubada r.a. mbante flamurin e Islamit duke përfaqësuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. në fushë betejash, megjithatë kur nisej lufta, Hazret Aliu r.a. merrte flamurin.

Porosia e Hazret Aliut për mbledhjen e zekatit

Një pjesëtar i fisit Thekif rrëfen se Hazret Aliu e kishte emëruar atë si administrator në Sabur. Ky vend ndodhej në Persi dhe gjendet afërsisht njëqind milje nga qyteti i Shirazit. Hazret Aliu (r.a.) i dha porosi që ai të mos ushtronte dhunë ndaj askujt për një dirhem taksë dhe as të shkonte pas pasurisë ose veshje-mbathjes së tyre në dimër apo verë. Me fjalë të tjera, taksa nuk duhet të kërkohet në një mënyrë kaq të rreptë, që t’i privojë njerëzit nga veshjet e tyre apo t’u kërkojë si taksë kafshët që ata përdorin për punët e tyre të përditshme. Pra, mbledhja e taksave apo xhizjes nuk duhet të rëndojë gjendjen ekonomike të njerëzve. Unë i thashë: “O Prijës i Besimtarëve! Po të veproj ashtu, siç më kërkoni, unë do të kthehem duarbosh, njësoj sikur po largohem tani, dhe nuk do të jem në gjendje të mbledh asgjë”. Hazret Aliu u përgjigj, “Zoti të bëftë hajr! Po, duhet të veprosh ashtu edhe nëse të kthehesh duar bosh. Ne jemi obliguar të kërkojmë zekatin vetëm nga pasuria e tepërt e njerëzve”.

Hazret Ibn Abas r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. i tha Hazret Aliut r.a., “Ti je vëllai dhe shoku im”.

Ndjekja e modelit profetik me përpikëri në punë të përditshme

Ali ibn Rabia tregon se ai ishte në shoqërinë e Hazret Aliut r.a. kur një kafshë u soll para tij që ai të mund të hipte në të. Kur ishte gati për të vënë këmbën në yzengji, ai recitoi Bismil-lah “në emër të Allahut” tri herë. Kur hipi në të dhe zuri mirë vend mbi të, ai tha Elhamdulilah “Lavdërimi është i Allahut” dhe pastaj lexoi:

سُبْحَانَ الَّذِي سَخَّرَ لَنَا هَذَا وَمَا كُنَّا لَهُ مُقْرِنِينَ وَإِنَّا إِلَى رَبِّنَا لَمُنْقَلِبُون

Do të thotë: “Qoftë lavdëruar Ai që i nënshtroi këto për ne, se vetë ne këto nuk do të mund t’i kishim nën pushtet. dhe ne, me siguri, do të kthehemi te Zoti ynë!”

Ai pastaj lexoi tri herë Elhamdulilah “Lavdërimi është i Allahut” dhe tri herë Allahu Ekber “Allahu është më i madhi”. Pastaj lexoi lutjen vijuese:

أَللَّهُمَّ إِنِّي قَدْ ظَلَمْتُ نَفْسِي فَاغْفِرْلِىْ فَاِنَّهُ لَا يَغْفِرُ الذُّنُوْبَ إِلَّا أَنْتَ

Do të thotë: “O Allahu im! Unë me siguri i kam bërë padrejtësi nefsit tim. Prandaj, më fal mua sepse nuk ka kush të më falë përveç Teje”.

Pas kësaj, Hazret Aliu r.a. buzëqeshi. Transmetuesi i kësaj ngjarje thotë se ai e pyeti: “O Prijës i Besimtarëve! Pse keni buzëqeshur?” Hazret Aliu r.a. më tha: “Unë e kam parë të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke vepruar pikërisht ashtu siç bëra tani.  Unë gjithashtu e kisha pyetur të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. se përse kishte buzëqeshur ai dhe ai u përgjigj, “Në të vërtetë, Zoti kënaqet shumë nga robi i Tij kur, ai i thotë: “O Zoti im, më fal mëkatet e mia. Nuk ka kush të më falë përveç Teje”. Kjo është ajo që bëri që i Dërguari i Allahut s.a.v.s. të buzëqeshte.

Të urdhëruarit në të mirë dhe të ndaluarit nga e keqja

Jehja ibn Jamiri tregon se njëherë Hazret Ali ibn Ebi Talibi r.a. mbajti një fjalim. Pasi lavdëroi Allahun e Madhërishëm, ai tha: “O njerëz! Njerëzit para jush janë shkatërruar për shkak të mëkateve të tyre dhe njerëzit e tyre të devotshëm dhe dijetarët nuk i ndalonin ata nga mëkatet. Më pas, kur ata tejkaluan të gjithë kufijtë në mëkatet e tyre, i goditën lloj-lloj dënimesh. Prandaj, ju duhet t’i nxitni të tjerët në vepra të mira dhe t’i ndaloni nga e keqja, para se t’ju bjerë ndëshkimi si ata. Mos harroni se nxitja për vepra të mira dhe ndalimi nga e keqja as nuk do t’ju pakësojë të ardhurat dhe as nuk do t’ju afrojë kohën e vdekjes”.

Hazret Xhabiri r.a. transmeton se një ditë bashkë me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s., ne vizituam shtëpinë e një zonje prej ensarëve, e cila kishte përgatitur ushqim dhe e kishte ftuar për gosti. I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha që tani do të hynte një xhenetli. Menjëherë pas kësaj, Hazret Ebu Bekr es-Sidiku kërkoi leje për të hyrë brenda dhe të pranishmit u përgëzuan. Profeti s.a.v.s. u shpreh se tani do të vijë përsëri një xhenetli. Menjëherë pas kësaj, Hazret Omer r.a. kërkoi leje për të hyrë brenda dhe sërish të gjithë e uruan atë. Pasta, Profeti s.a.v.s. për herë të tretë na tha se personi i cili do të hyjë tani është gjithashtu prej banorëve të xhenetit. Transmetuesi i kësaj ngjarje shton se kur ai e pa Profetin, ai e kishte fshehur kokën pas një bime të hurmës dhe lutej që O Allah! Nëse Ti lejon, le të jetës ky person Aliu”. Menjëherë pas kësaj, hyri Hazret Aliu r.a. hyri dhe të gjithë e uruan përzemërsisht.

Hazret Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Xheneti po pret tre individë dhe ata janë Aliu, Amari dhe Selmani”.

Ebu Osman Nehdiu transmeton se Hazret Aliu ka thënë: Njëherë i Dërguari i Allahut më kishte kapur për dore dhe ne po kalonim nëpër një rrugicë të Medinës derisa iu afruam një pemishteje. Unë i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Sa i bukur qenka kjo pemisthe”. I Dërguar i Allahut s.a.v.s. më tha: “Për ty ka një kopsht më të bukur në xhenet”.

Pozita e Hazret Aliut në sy të Profetit Muhammed s.a.v.s.

Hazret Amar ibn Jasiri rrëfen se ai ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke i thënë Hazret Aliut: “O Ali! Allahu i Madhërishëm të ka dhuruar një cilësi, që askujt tjetër nuk i ka dhënë. Zoti të ka dhënë mosdashje për sendet e kësaj dynjaje. Po ashtu ai të ka bërë që ti nuk merr asgjë nga kjo botë dhe as bota nuk merr diçka prej teje. (Me fjalë të tjera, ai nuk kishte asnjë lakmi për këtë botë dhe sendet e kësaj bote, dhe as ata që lakmohen pas dynjaje, nuk duan të kenë lidhje me ty). Allahu të ka skalitur në zemër dashurinë ndaj njerëzve në nevojë. Ata janë të kënaqur duke pasur ty si udhëheqës dhe ti je i kënaqur duke i pasur ata si ndjekës. I lumtur qoftë ai që të do ty dhe flet vetëm të vërtetën rreth teje, dhe i humbur qoftë ai që mban inat ndaj teje dhe bën shpifje kundër teje. Ata që të duan dhe flasin të vërtetën rreth teje, do t’i kesh ata fqinjë në xhenet dhe shokë në pallatin tënd. Ndërsa ata që mbajnë armiqësi ndaj teje dhe bëjnë shpifje kundër teje, Allahu ka marrë përsipër që në ditën e Kijametit Ai do të rreshtojë ata bashkë me shpifës e gënjeshtarë të thekur”.

Hazret Musleh Maud r.a. thotë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s. kishte thënë që Aliu dhe Fatimeja do ta shoqërojnë atë në të njëjtën shkallë më të në xhenet”.

Hazret Aliu r.a. bën pjesë në Ashere Mubesh-shere

Ekzistojnë gjithashtu transmetime në lidhje me Hazret Aliun (as) në Ashere Mubesh-shere në mesin e atyre dhjetë sahabëve me fat, të cilët qysh në këtë botë morën sihariqin e xhenetit me fjalët e bekuara të Profetit s.a.v.s..

Hazret Sa’id ibn Zejdi tregon, “Unë mund të dëshmoj në lidhje me nëntë njerëz se ata do të hyjnë në xhenet dhe nëse do të thosha të njëjtën gjë për individin e dhjetë, unë nuk do të bëja asnjë mëkat”. Kur e pyetën se si e dinte ai këtë, ai tha: “Ne ndodheshim në malin Hira me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s, kur ai nisi të dridhej. Atëherë Profeti s.a.v.s. tha: “o Hira! Rri i qetë, sepse vetëm një profet, një sidik (i sinqertë) dhe një shahid (martir) gjenden mbi ty.

Dikush e pyeti Hazret Sa’idin: “Cilët janë ata dhjetë individë të cilët ishin përgëzuar me sihariqin për të hyrë në xhenet. Hazret Se’id ibn Zejdi r.a. u përgjigj:

  1. I Dërguari i Allahut s.a.v.s.
  2. Ebu Bekri r.a.
  3. Omeri r.a.
  4. Osmani r.a.
  5. Aliu r.a.
  6. Telhai r.a.
  7. Zubejri r.a.
  8. Sa’adi r.a. dhe
  9. Abdur Rahman ibn Aufi r.a.
  10. Kur u pyet cili ishte individi i dhjetë, Hazret Seid bin Zejd r.a. u përgjigj, “Jam unë”.

Transmetimi tjetër që do t’ju rrëfej, është përmendur më parë. Por meqë Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka cituar atë në lidhje me vetëpërmbajtje dhe për të nënshtruar egon, unë po ju përmend edhe një herë. Hazret Mesihu i Premtuar a.s. shkruan:

Mposhtja e egos personale përpara qëllimit hyjnor

“Hazret Aliu r.a. njëherë po luftonte me një armik dhe ai po e bënte këtë vetëm për hir të Zotit. Në një moment, Hazret Aliu e rrëzoi kundërshtarin dhe u gjunjëzua mbi gjoksin e tij, por papritmas ai pështyu në fytyrën e Hazret Aliut. Ai menjëherë zbriti nga gjoksi dhe e la të shkojë. Hazret Aliu i tha: “Arsyeja pse të lashë, ishte se deri tani po luftoja kundër teje për hir të Zotit, por tani që më ke pështyrë në fytyrë, më ke ngjallur ndjenjat personale. Por unë nuk dua të vras ty duke u nxitur nga arsyet personale”. Kjo ngjarje tregon qartazi që Hazret Aliu nuk e quajti dikë kundërshtar, vetëm nga nxitja personale. Kjo është natyra dhe sjellja që duhet ngulitur në karakter”.

Hazret Mesihu i Premtuar a.s. këshilln xhematin e tij dhe thotë:

“Çfarë mund të t’i tërheqë zemërimin Zotit të Plotfuqishëm më shumë se kjo që dikush t’u shkaktojë dhimbje të tjerëve dhe të ashpërsojë armiqësinë për arsyet personale?”

Në një rast tjetër, Hazret Mesihu i Premtuar a.s. ka përshkruar këtë ngjarje më hollësisht. Ai thotë:

“Nxirrni mësim nga ngjarja e Hazret Aliut r.a. në lidhje me mënyrën se si dikush duhet të bëjë dallimin midis nxitjes personale dhe dëshirës për hir të Allahut. Një herë, Hazret Aliu u përlesh me një luftëtar të fortë mohues. Çdoherë që Hazret Aliu arrinte ta mbizotëronte, mosbesimtari i shpëtonte atij. Përfundimisht, ai e rrëzoi atë, e mbërtheu me krahë dhe u gjunjëzua në gjoksin e tij. Hazret Aliu ishte gati për ta vrarë me kamë por ai i pështyu në fytyrë.

Menjëherë pas këtij veprimi, Hazret Aliu e lëshoi atë, zbriti nga gjoksi dhe e la të lirë. Mosbesimtari ia shprehu habinë, dhe e pyeti Hazret Aliun r.a.: Ju më mbizotëruan pas një përpjekje të gjatë e të mundimshme, dhe unë jam kundërshtari juaj i përbetuar dhe i papajtueshëm. Nuk arrij të kuptoj, përse më latë të shkoj?”

Hazret Aliu iu përgjigj: “Në të vërtetë, nuk ekziston armiqësi personale midis nesh. Arsyeja e vetme që unë luftoj kundër jush është se ju duke u nxitur nga kundërshtimi ndaj fesë së muslimanëve, u shkaktoni atyre vuajtje e mundime të rënda. Ishte vetëm kjo arsye që më shtyju të përleshem me ty, por tani kur më pështyve në fytyrë, më hipi inati. Unë kuptova se tani mes meje dhe teje ka hyrë kjo çështje personale. Unë gjithashtu mendova që tani e tutje, nuk kisha të drejtë të bëja as ndonjë veprim të vogël kundër teje, me qëllim që lufta ime të mos njolloset me ndonjë grimcë personale dhe gjithçka të bëhet vetëm për hir të Allahut të Madhërishëm. Kur të kthehem në gjendjen time normale dhe të qetësohem nga nervat, unë prapë do të vij kundër teje siç bëra më parë”. Fjalët e Hazret Aliut i lanë luftëtarit një përshtypje kaq të thellë, saqë zemra e tij dëboi të gjitha dyshimet e mosbesimit. Ai mendoi se a kishte ndonjë besim më mirë ky në botë, mësimet e të cilit mund ta pastrojnë njeriun deri në këtë shkallë. Kështu, ai u pendua aty për aty dhe u bë musliman.

E tillë është Takuaja [druajtja a vërtetë] që jep dhe frytet e saj. Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. gjithashtu e ka transmetuar këtë tregim në një mënyrë të ngjashme. Ai shkruan:

“Njëherë Hazret Aliu r.a. mori pjesë në një betejë dhe doli kundër një kundërshtari të ashpër të cilin shumë pak njerëz mund ta sfidonin. Hazret Aliu r.a. luftoi me këtë ushtar të fortë hebre për orë të tëra. Përfundimisht, pas një përleshje të mundimshme që zgjati disa orë, Hazret Aliu (r.a.) arriti ta rrëzonte kundërshtarin dhe ta mbërthente me krahë duke u vendosur në gjoks. Ai kishte ndër mend t’i priste qafën me kamë, kur papritmas hebreu pështyu Hazret Aliun në fytyrë. Hazret Aliu (r.a.) menjëherë e lëshoi atë dhe u tërhoq mënjanë. Hebreu u habit nga kjo sjellje e papritur dhe tha: “Kjo është e çuditshme. Ne jemi përleshur për orë të tëra dhe më në fund ju më mbizotëruat dhe tani papritmas jeni mënjanuar duke më lënë në gjendje të lirë. Çfarë veprimi prej mendjelehti keni bërë”. Hazret Aliu iu përgjigj: “Unë nuk kam bërë asgjë me mendjelehtësi. Kur ju kam mposhtur, ju më keni pështyrë në fytyrë, dhe zemra ime u mbush me ndjenjat e zemërimit. Por në të njëjtin çast, unë gjithashtu mendova se deri tani çfarëdo që kam bërë, e kam bërë për hir të Zotit. Por nëse vazhdoja të luftoja kundër jush, atëherë do t’ju vrisja ​​për shkak të zemërimit tim”. Hazret Aliu r.a. më tutje tha: “Kjo mund të jetë për shkak të zemërimit tim personal e jo për të arritur kënaqësinë e Zotit. Prandaj, e pashë të udhës që t’ju liroja. Por, do të luftoj sërish dhe t’ju mposht prapë, kur të më largohet zemërimi.

Pjesa tjetër e kësaj teme, do të trajtohet insha-Allah në të ardhmen.

Një mesazh i rëndësishëm për botën në 2021

Tani dua të flas për një çështje tjetër.  Sot është dita e parë e vitit të ri dhe njëkohësisht namazi i parë i ditës së xhumasë. Bëni lutje që ky vit të jetë i bekuar si për Xhematin, po ashtu për mbarë botën dhe njerëzimin në tërësi. Allahu na mundësoftë të përmbushim detyrat tona, t’i kushtohemi dhe t’i nënshtrohemi Atij si kurrë më parë dhe të përmirësojmë ibadetet tona. Allahu u mundësoftë edhe atyre që lakmohen pas shkëlqimit të kësaj bote, që të kuptojnë qëllimin e krijimit të tyre dhe të përmbushin detyrat e tyre karshi Zotit. Në dashtë Allahu, në vend që t’u hynë në hak të tjerëve, ata t’u binden urdhrave të Zotit dhe të përmbushin të drejtat e njëri-tjetrit, Përndryshe, Allahu do t’i paralajmërojë njerëzit për detyrat e tyre sipas mënyrës së vet.

Sikur ne dhe të gjithë njerëzit e kësaj bote të kuptojmë këtë pikë të rëndësishme dhe në këtë mënyrë të zbukurojmë jetën e kësaj bote dhe të pastajme. Kemi kaluar një vit të tërë duke u ballafaquar me një flamë të rrezikshme, dhe nuk ka asnjë vend të botës, që t’i ketë shpëtuar kësaj pandemie. Në disa vende (ajo është përhapur) më shumë, e në disa të tjera më pak.

Megjithatë, duket sikur pjesës dërrmuese të njerëzve nuk po i pëlqen të përfillë faktin që kjo pandemi të mund të kishte ardhur si paralajmërim prej Zotit të Madhërishëm për të na tërhequr vëmendje për përmbushjen e detyrimeve tona si ndaj Zotit po ashtu ndaj njëri-tjetrit. Ata nuk duan të mendohen që mos vallë Allahu dëshiron të na shkundë nga plogështia, të na tregojë diçka e të na tërheqë vëmendjen. Askujt nuk po i shkon nëpër mend një gjë e tillë.

Para disa muajve, u kisha dërguar letra udhëheqësve të shteteve të ndryshme dhe jam përpjekur t’ua tërheq vëmendjen dhe t’u shpjegoj diçka në lidhje me Covid-in. Unë u kam tërhequr vëmendjen me fjalët e Mesihut të Premtuar a.s. që katastrofa të tilla vijnë prej Zotit të Madhërishëm atëherë kur njerëzit harrojnë të përmbushin detyrat e tyre dhe vazhdojnë të shtojnë zullumet e mizoritë. Prandaj ata duhet t’i thirrin mendjes e të tregojnë kujdes.

Disa udhëheqës gjithashtu janë përgjigjur, mirëpo përgjigjet e tyre ishin përgjigje diplomatike, që edhe ata kanë të njëjtën qasje. Ata folën nga një këndvështrim material e tokësor, por nuk cekën aspak çështjen e besimit, dhe aspektin hyjnor, të cilin e kisha përshkruar me hollësi dhe i kisha kushtuar një hapësirë të madhe. Edhe pse ajo ishte (një zgjidhje) që duhej në mënyrë të pashmangshme. Ata as nuk duan të hedhin hapa konkretë për të përmirësuar gjendjen e tyre, as nuk duan të orientojnë e të ndërgjegjësojnë popullin e tyre drejt qëllimit kryesor, nëse me të vërtetë janë dashamirës ndaj popullit të tyre.

Edhe pse ata i dinë që pasojat e kësaj pandemie do të jenë jashtëzakonisht të frikshme. Çdo udhëheqës në botë e di këtë. Çdo njeri i mençur e di këtë. Çdo analist e di këtë. Megjithatë, në vend që t’i kushtojnë vëmendje zgjidhjes së duhur, ata janë përqendruar vetëm në përpjekjet materiale.

Kjo sëmundje jo vetëm po dobëson njeriun si individ, pra si pjesëtar të shoqërisë duke e bërë gjithnjë më të dobët nga pikëpamja ekonomike. Për sa i përket ndikimit shëndetësor, ata me siguri po preken dhe dobësohen nga sëmundja. Por në përgjithësi ka dhe një ndikim të madh ekonomik, i cili ka rënduar jo vetëm individin, por ua ka lëkundur dhe themelet e ekonominë shteteve të fuqishme.

Njerëzit që orientohen nga bota kanë vetëm një zgjidhje për këtë. Pra, nëse shfaqet një situatë e tillë në të cilën shkatërrohet ekonomia e vendit, ata të pushtojnë menjëherë ekonominë e vendeve të vogla, dhe të mundohen disi për t’i futur ata dredhisht në kurthin e tyre, dhe më pas me hile të përvetësojnë pasuritë e tyre.

Për këtë qëllim, do të krijohen blloqe të reja, të cilat tashmë janë nisur të shfaqen. Lufta e Ftohtë do të niset përsëri. Madje tani po thuhet se ajo tashmë ka plasur në një farë mënyre. Përveç kësaj, nuk mund të përjashtohet mundësia e një lufte me armë reale, e cila do të jetë një luftë jashtëzakonisht e tmerrshme. Pastaj, këta njerëz do të fundosen në një gropë më të thellë. Në këtë kohë, po vuajnë vetëm vendet e varfra. Por, si pasojë e një lufte, do të shtypen dhe popullata e vendeve të pasura, madje ata do të mbarsen me pasojë të llahtarshme.

Cila është detyra e një muslimani ahmedian?

Andaj, para se bota të arrijë deri në këtë gjendje, ne duhet të bëjmë detyrën tonë dhe ta paralajmërojmë atë nga pasoja të tilla. Prandaj ky vit do të bëhet viti i urimeve vetëm atëherë kur ne i përmbushim detyrat tona duke i vetëdijesuar njerëzit dhe duke e zgjuar botën (nga gjumi). Është e qartë që për ta arritur këtë, ne duhet të kontrollojmë gjendjen tonë.

A ne që kemi pranuar Imamin e kohës, dhe kemi besuar Mesihun e Premtuar dhe Imam Mehdiun, a me të vërtetë e kemi arritur tashmë atë shkallë besimi, që përveç detyrave karshi Allahut, për hir të Tij, përmbushim dhe të drejtat e njerëzve? Apo na duhet ende kohë për t’u reformuar, dhe ne ende duhet të ngremë ndjenjat e dashurisë dhe vëllazërisë reciproke në nivelin më të jashtëzakonshëm? Prandaj, çdo ahmedian duhet të reflektojë se atij i është besuar një detyrë shumë e madhe, dhe për përmbushjen e saj, së pari i duhet të krijojë mjedisin e dashurisë, dhembshurisë dhe vëllazërisë brenda shoqërisë ahmediane.

Pastaj, ai duhet të grumbullojë mbarë botën nën flamurin, që kishte ngritur i Dërguari i Allahut Profeti Muhammed s.a.v.s.. Ky është flamuri i njëshmërisë së Zotit. Vetëm atëherë mund të arrijmë qëllimin e bejatit tonë. Vetëm atëherë mund të vërtetojmë zotimin tonë të besnikërisë. Vetëm atëherë mund të trashëgojmë bekimet e Allahut të Madhërishëm, dhe vetëm atëherë mund të quhemi të denjë për të dhënë dhe për të marrë urimet e vitit të ri. Allahu na mundësoftë!

Le të betohet çdo musliman ahmedian, burrë, grua, i rritur, i mitur apo i moshuar me vetëdije të plotë, se këtë vit ai duhet të ushtrojë të gjitha aftësitë e tij për të sjellë një revolucion në botë. Allahu i Madhërishëm ia mundësoftë këtë çdo ahmediani!

Gjendja e anëtarëve në Algjeri e Pakistan dhe thirrje për lutje

Kohët e fundit, ju kam bërë thirrje për t’u lutur për Ahmadianët në Pakistan dhe Algjeri. Ju duhet të vijoni lutjet tuaja për ta. Në disa vende të Pakistanit, disa klerikë dhe zyrtarë qeveritarë po synojnë të kryejnë padrejtësi. Allahu shfaqtë mjetet për kapjen e këtyre njerëzve që nuk duan të reformojnë veten e tyre. Allahu i Madhërishëm e di se cili prej tyre do të reformojë vetveten dhe cili jo. Sa për ata që nuk duan të reformojnë veten e tyre, Allahu i krijoftë mjetet për kapjen e tyre. Në emër të ligjit të blasfemisë, ata po kryejnë mizori dhe po kërkojnë të shkaktojnë pengesa në të gjitha mjetet që ne shfrytëzojmë për edukimin moral e shpirtëror të anëtarëve tanë. Allahu na shpëtoftë prej tyre dhe na ruajttë nga qëllimet e tyre dashakeqe!

Në fakt, këta janë njerëz që po njollosin emrin e atij që është dërguar si Mëshirë për botët [d.m.th. Profeti i Shenjtë s.a.v.s.], ndërsa ahmedianët janë të gatshëm të sakrifikojnë dhe jetën e tyre për të mbrojtur nderin e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Sot, ata që janë duke bërë përpjekjet më të mëdha dhe të vërteta, për ta sjellë botën nën flamurin e Profetit Muhammed s.a.v.s. janë ahmedianë. Madje, duhet thënë se të vetmit që po e kryejnë këtë detyrë janë ahmedianë. Prandaj, këta njerëz që lakmohen pas dynjasë, mund të bëjnë mizori ndaj nesh me anë të pasurisë dhe pushtetit të tyre tokësor, por le të mbajnë në mend se ne besojmë në atë Zot, i Cili është Mbrojtësi dhe Mbështetësi më i shkëlqyeshëm. Ndihma dhe mbështetja e Tij vijnë patjetër. Në çastin, kur mbërrin ndihma dhe mbështetja e Zotit të Plotfuqishëm, nuk u mbetet asgjë atyre që mburren për pasurinë dhe fuqinë e tyre. Prandaj, është detyra jonë që përmes lutjeve të vazhdojmë të zbukurojmë adhurimet tona. Nëse arrijmë ta realizojmë këtë, me siguri kemi arritur fitore.

Lidhur me gjendjen e xhematit në Algjermi kisha përmendur se një gjykatë i ka liruar të gjithë ahmedianët nga akuzat dhe i ka shpallur të pafajshëm, ndërsa gjykata tjetër i ka liruar të gjithë duke u vënë gjoba të vogla. Megjithatë, disa anëtarë janë ende të burgosur. Lutuni që edhe ata të lirohen sa më shpejt. Lutuni gjithashtu për lirimin e ahmedianëve, që janë të burgosur në Pakistan. Ne mund të ndiejmë gëzimet tona, qofshin ato në fillim të një viti të ri apo gjatë festave të Bajramit, kur të lartësojmë flamurin e njëshmërisë së Zotit në çdo cep të botës, të sjellë nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s..

Gëzimi ynë i vërtetë do të jetë kur njerëzit të njohin dhe të përqafojnë vlerat njerëzore dhe kur ata t’i kthejnë të gjitha armiqësitë në dashuri. Allahu i Madhërishëm na mundësoftë sa më shpejtë mjetet e këtij gëzimi të vërtetë! Allahu i mundësoftë umetit musliman për të njohur e për të pranuar Mesihun e Premtuar dhe Imam Mehdiun a.s.. Zoti i Plotfuqishëm i dhëntë botës mençuri, që ata të mund t’u kushtojnë vëmendje të drejtave të Zotit dhe të drejtave të njerëzimit! Allahu i Madhërishëm e ruajttë çdo musliman ahmedian në çdo vend të botës! Allahu e bëftë këtë vit për çdokënd një mjet për të gjetur mëshirë dhe bekime ! Allahu na ruajttë nga të gabimet, lëshimet dhe të metat tona, që kemi bërë gjatë viteve të kaluara, të cilat tërhoqën zemërimin e Zotit ose që na privuan nga disa favore e mirësi! Allahu na bëftë trashëgimtarë të bekimeve dhe mirësive të Tij dhe na bëftë besimtarë të vërtetë! Allahu i Madhëruar na mundësoftë të bëjmë këto lutje!

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp