Jeta e Hazret Omer ibn Hattabit r.a. | Shëmbëlltyra e virtyteve të larta njerëzore
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit.
Nuk ka të adhurueshëm tjetër përveç Allahut, Muhammedi është i Dërguari i Allahut.
Muslimanët që besojnë se Hazret Mirza Ghulam Ahmedi a.s.,
është Imam Mehdiu dhe Mesihu i Premtuar.
Related Contents from Topics

Jeta e Hazret Omer ibn Hattabit r.a. | Shëmbëlltyra e virtyteve të larta njerëzore

Kalifi i Pestë i Mesihut të Premtuar, Allahu e ndihmoftë fuqimisht

Në gjendjen e sahabëve, para dhe pas pranimit të Islamit, ekziston një dallim i madh. Në lidhje me këtë, Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka përmendur shembullin e Hazret Omerit r.a.. E kam përmendur këtë ngjarje edhe më parë, por do ta citoj atë sërish në kontekstin e këtij revolucioni që erdhi në jetën e sahabëve.

Jeta e Hazret Omer ibn Hattabit r.a.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. shkuran: “Shikoni se si sahabët e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. u bënë shokë të Tij dhe si arritën gradat kaq të larta. Ata kanë bërë përpjekje të mëdha. Për ndryshe, përpara edhe ata ishin armiq të hapët të të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. dhe e përqeshnin e fyenin atë. Hazret Omeri r.a., i cili më vonë do të bëhej kalifi i dytë i të Dërguarit të Allahut (s.a.v.s.), në fillim ishte kundërshtar kaq i përbetuar i Profetit të Shenjtë s.a.v.s. saqë një ditë ishte nisur nga shtëpia për ta vrarë atë. Rrugës ai u ndesh me dikë, i cili e pyeti se ku po shkonte. Ai u përgjigj: “Unë kam dalë për të vrarë Muhammedin s.a.v.s.. Atëherë, ai person i tha: “Por, në fillim duhet të vrasësh motrën dhe kunatin tënd sepse edhe ata janë bërë muslimanë. Vetëm atëherë, mund ta vrasësh Muhammedin (s.a.v.s.).” Kur e dëgjoi këtë, Hazret Omeri u tërbua nga inati dhe shkoi menjëherë te motra e tij. Kur mbërriti para shtëpisë, ai vuri re se dera ishte e mbyllur nga brenda. Dikush po lexonte vargjet e Kuranit ndërsa motra dhe kunati i tij po e dëgjonin. Deri në atë kohë, nuk kishte shpallur urdhri për mbulesë, prandaj ai sahab ishte në shtëpinë e tyre. Hazret Omeri r.a. trokiti në derë dhe urdhëroi që të hapej. Kur dëgjuan zërin e Hazret Omerit, ata që ishin brenda, u frikësuan për jetën e tyre, prandaj nuk e hapën derën. Hazret Omeri r.a. tha: “Nëse nuk do ta çelni derën, unë do t’i bie me shkelma dhe do ta hap me forcë”. Pastaj ata e fshehën muslimanin i cili u recitonte Kuranin Famëlartë, madje nga frika u fsheh dhe kunati. Vetëm motra doli përpara dhe hapi derën. Hazret Omeri r.a. e pyeti: “Çfarë po bënit dhe kush po lexonte diçka?” Nga frika ajo u përpoq t’i shmangej kësaj pyetjeje, por Hazret Omeri r.a. urdhëroi: “Edhe unë dua ta dëgjoj atë që sapo po recitonit”. Motra i tha: “Por ju do ta përqeshni dhe do ta fyeni atë. Prandaj , s’do t’ju tregojmë assesi, edhe nëse na merrni jetën”. Hazret Omeri r.a. tha: “Unë të jap fjalën se do ta tregoj respekt” (d.m.th. nuk do të fyej Kuranin). Vetëm atëherë, i recituan ajetet nga Kurani Famëlartë. Hazret Omeri u emocionua nga recitimi, dhe i shpërthyen lotët.

Ai nxitoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. kurse shpatën e zhveshur e kishte ende në dorë. Kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. e pa atë në këtë gjendje, ai e pyeti: “Për sa kohë do të vazhdojë kështu?” Hazret Omerit r.a. iu mbushën sytë me lot dhe tha: “Unë isha nisur nga shtëpia për t’ju vrarë, por kam rënë vetë viktimë”. Kjo është përmbledhja e ngjarjes së gjatë që është përmendur edhe më parë.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. shkruan:

“Kjo ishte gjendja e tyre e mëparshme, të cilën e flakën. Ishin po këta sahabë, që më parë deheshin me alkool dhe grindeshin me njëri-tjetrin dhe kishin edhe shumë dobësi të tjera morale. Por kur e pranuan të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. dhe shfaqën trimëri dhe guxim për çështjen e fesë, jo vetëm që arritën vetë grada të larta, por u bënë udhërrëfyes për t’i orientuar të tjerët drejt pozitave të larta. Ata nuk ishin lindur si shokë e mbështetës dhe ishin njësoj si njerëzit e tjerë. Por kur bënë vepra dhe shfaqën guxim, ata u bënë sahabë. Edhe ne mund të bëhemi si sahabë nëse ndjekim gjurmët e tyre”.

Druajtja e Hazret Omerit r.a.

  • Në lidhje me nivelin e druajtjes ndaj Zotit, ka një rrëfim që Hazret Omeri r.a. kishte thënë: “Nëse edhe një dele bie në lumin Eufrat dhe ngordh nga mbytja, kam frikë se Allahu do të më kërkojë llogari për të në ditën e gjykimit”. Në një hadith tjetër thuhet se Hazret Omeri r.a. ka thënë: “Nëse edhe një deve bie në lumin Eufrat dhe ngordh, kam frikë se Allahu do të më pyesë për këtë”.
  • Hazret Enes ibn Maliku ka përcjellë se “Një ditë po shoqëroja Hazret Omerin r.a. jashtë. Ai hyri në një pemishte dhe vetëm një mur na ndante që ndodhej midis meje dhe atij. Hazret Omeri r.a. ishte në pemishte dhe unë e dëgjova duke bërë këtë lutje: “O Omer, biri i Hatabit! Ti je prijësi i besimtarëve. Pasha Allahun! Sigurisht që duhet t’i frikësohesh Zotit, përndryshe Ai do të të ndëshkojë”. Në unazën e Hazret Omerit r.a. ishin gdhendur këto fjalë:

كَفى بالموتِ واعظاً یا عمر

“O Omer! Të mjafton vdekja si këshilltar.”  D.m.th. nëse njeriu e mban parasysh vdekjen, ajo i është e mjaftueshme si mjet udhëzimi dhe për të përmirësuar gjendjen e vet.”

  • Abdullah ibn Shehzadi përcjell: “E kam dëgjuar Hazret Omerin r.a. duke qarë me gulçimë në namaz ndërsa isha në rreshtin e fundit.” Ai po recitonte ajetin:  إِنَّمَا أَشْكُو بَثِّي وَحُزْنِي إِلَى اللَّهِ “Unë e qaj hallin dhe brengën vetëm tek Allahu”.

Hazret Kalifi i Katërt (r.a.) kishte përmendur këtë rrëfim në një hutbe dhe kishte shpjeguar këtë ngjarje me fjalët e tij dhe tha; “Hazret Abdullah ibn  Shehzadi r.a. ka përcjellë se Hazret Omeri r.a. një herë e drejtoi namazin dhe unë qeshë në rreshtin e fundit. Megjithatë mund të dëgjoja zërin e tij të ngashëryer. Ai po recitonte këtë ajet إِنَّمَا أَشْكُو بَثِّي وَحُزْنِي إِلَى اللَّهِ d.m.th. “Unë e qaj hallin dhe brengën vetëm tek Allahu” dhe nuk kam nevojë për askënd krahas Tij. Ata që kalojnë çdo çast në përmendjen e Allahut, nuk gjejnë oborrin tjetër përveç Allahut, ku të mund të shprehin hallet dhe dhimbjet e tyre dhe të shkarkojnë brengat që i rëndojnë në zemër.” Përcjellësi i kësaj ngjarjeje tregon se ai qëndronte në rreshtin e fundit, megjithatë mund t’i dëgjonte këto gulçima të rënda..

Kujdesi për shërbëtorët e vjetër

Transmetimi i mëposhtëm tregon se si Hazret Omeri r.a. kujdesej për shërbëtorët e vjetër të Islamit, të cilët kishin vepruar me vetëmohim. Th’aleba ibn Ebu Maliku r.a. përcjell se Hazret Omer ibn Hattabi r.a. shpërndau mbulesa pëlhure midis grave të Medinës. Këto ishin mbulesa të shtrenjta dhe të qëndisura. Kur u mbeti vetëm copë, njëri prej të pranishmëve i tha Hazret Omerit r.a. që ai t’ia dhuronte këtë pëlhurë vajzës së Profetit të Shenjtë s.a.v.s. që ishte me Hazret Omerin r.a.. Ai i referohej vajzës së Hazret Aliut r.a. pra Hazret Umme Kulthumit r.a.. Hazret Omeri r.a. u përgjigj se Umme Selidi kishte më shumë të drejtë për atë shami, pasi ishte një nga ato gra ensare që kishin lidhur bejat me të Dërguarin e Allahut s.a.v.s.. dhe në betejën e Uhudit, ajo sillte kova me ujë”.

Dhembshuri ndaj të afërmve të sahabëve besnikë

Në një rrëfim përmendet se ai gjithashtu kujdesej për të afërmit e atyre që kishin bërë sakrifica të mëdha. Zejd bin Eslemi përcjell: “Babai im më ka treguar se ai kishte shkuar në pazar me Hazret Omerin r.a.. Një grua e re iu drejtua Hazret Omerit r.a. nga pas dhe tha: ‘O Emir el-Muminin! Bashkëshorti im ka vdekur dhe ka lënë fëmijë të vegjël. Pasha Allahun, ata nuk kanë as këmbë bagëtie (për të ngrënë). Ata nuk kanë tokë që të mbjellin diçka dhe as kafshë qumështore dhe kam frikë se do të vdesin nga uria. Unë jam vajza e Hafaf ibn Ima’a el-Gafaritiut dhe babai im ishte i pranishëm në ngjarjen e Hudejbijes me Profetin s.a.v.s.. Kur Hazret Omeri r.a. e dëgjoi këtë, ai u ndal, dhe tha: “Kjo është me të vërtetë një lidhje shumë e ngushtë!” Pastaj ai shkoi në shtëpi dhe zgjodhi një deve të shkathët. Pastaj mbushi dy thasë me grurë dhe i vuri të dyja mbi një deve. Mes thasëve, ai vuri para dhe rroba që do t’u mjaftonin për një vit. Këtë deve ia dha gruas dhe i tha: “Merrni këtë deve me vete. Në dashtë Allahu, nuk do t’ju mbarojë ushqimi derisa Allahu do t’ju furnizojë prapë.”

Një i pranishëm i tha Hazret Omerit r.a.: “O Emir el-Muminin! Ju i keni dhënë asaj kaq shumë! Hazret Omeri r.a. i tha: “Të humbtë nëna jote!” Pra shprehu pakënaqësinë ndaj tij dhe tha: “Pasha Allahun! I shoh edhe sot babanë dhe vëllain e saj, se si e mbajtën të rrethuar për një kohë të gjatë një kështjellë, të cilën më në fund e pushtuan. Pastaj, në mëngjes kishim filluar të ndajmë plaçkat e tyre midis nesh”. Pra, ata të dy e kishin pushtuar kështjellën, dhe më pas muslimanët morën plaçkat e armikut dhe i ndanë midis tyre.” Pra, kjo është arsyeja pse ajo kishte të drejtë të marrë diçka.

Kujdesi ndaj grave të moshuara, me aftësi të kufizuara dhe të varfra

Një transmetim tjetër tregon se si ai përkrahte të moshuarit, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe ata në nevojë. Hazret Talhai r.a. përcjell se një natë Hazret Omeri r.a. doli nga shtëpia e tij  dhe hyri në një shtëpi. Pastaj doli nga ajo shtëpi dhe hyri në një shtëpi tjetër. Të nesërmen në mëngjes, Hazret Talhai r.a. hyri në shtëpinë e parë dhe aty gjeti një grua të moshuar dhe të verbër. Ai e pyeti gruan se çfarë kishte bërë burri që kishte hyrë në shtëpinë e saj një natë përpara. Gruaja iu përgjigj se ai kujdesej për të prej një kohe të gjatë, duke e ndihmuar në mirëmbajtjen e shtëpisë dhe pastrimin e mbeturinave. Hazret Talhai r.a. tha me vete: “O Talha! Të humbtë nëna jote! Vaj për ty se po kërkon të metat e Omerit, ndërsa këtu puna është krejtësisht e kundërt!”

Ka shumë rrëfime që tregojnë se si Hazret Omeri r.a. kujdesej për njerëzit nevojtarë, gratë dhe fëmijët, dhe si përpiqej të plotësonte nevojat e tyre duke pasur frikën ndaj Allahut në zemrën e tij. Ai brengosej për hallet e tyre. Sa herë që shikonte dikë të cilit i mungonte diçka dhe ishte nga populli i tij, ai binte në trishtim të madh. Disa shembuj janë përmendur tashmë në hutbet e mëparshme, në kontekste të ndryshme. P.sh. njëherë kur pyeti për arsyen pse një fëmijë qante gjatë gjithë kohës, pa pushim, nëna e re e fëmijëve iu përgjigj se Omeri r.a. kishte përcaktuar asnjë racion për foshnjat që ushqeheshin vetëm me gji, prandaj ajo po mundohej të mësojë fëmijën se si të bëjë pa qumësht. Kjo përgjigje e trishtoi shumë Hazret Omerin r.a. dhe ai menjëherë u kujdes për të siguruar qumështin dhe ushqimin e fëmijës dhe gjithashtu njoftoi se tash e tutje do të përcaktohen racionet edhe për foshnjat e sapolindura.

Po kështu, në një rast ishte një grua udhëtare, e cila nuk dispononte asgjë për të ngrënë, ndërsa i duhej të kalonte natën në shkretëtirë me fëmijët e saj. Në këtë gjendje, fëmijët i qanin nga uria. Kur Hazret Omeri r.a. mësoi për këtë familje, gjatë natës, ai menjëherë e furnizoi atë me ushqim nga magazina. Ai ishte aq i shqetësuar nga gjendja e asaj familjeje, saqë nuk u qetësua derisa ajo gatoi ushqimin, dhe bukën u shtroi fëmijëve. Hazret Omeri nuk u largua nga ajo familje, derisa i pa të qetë, të ngopur dhe të buzëqeshur.

Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka shkruar: “Shikoni Hazret Omerin r.a.! Sundimtarët e mëdhenj të botës dridheshin nga frika dhe madhështia e tij dhe pushtetet e perandorëve bizantin dhe të Husrosë kishin frikë prej tij. Por nga ana tjetër, një burrë kaq kryelartë dhe madhështor sa Omeri r.a. kur ngrihet në errësirën e natës, dhe i gjen fëmijët e një gruaje beduine të uritur, ai u përpëlit nga gjendja e tyre. Ai vuri një thes miell në shpinën e tij dhe zuri gjalpë në dorë; dhe nxitoi tek ajo familje. Ai nuk u kthye derisa gatoi ushqimin me duar, i ushqeu fëmijët dhe ata ranë në gjumë të qetë”.

Hazret Ibn Omeri r.a. ka përcjellë një ngjarje: “Gjatë kthimit të Hazret Omerit r.a. nga Siria në Medinë, ai u nda nga karvani që të interesohej për gjendjen e banorëve. Ai kaloi pranë një çadre, ku rrinte një grua e moshuar. Në bisedë e sipër, ajo i tha: “O njeri! Çfarë ka bërë Omeri?! “Ai r.a. tha: “Ai ndodhet këtu dhe është kthyer nga Siria.” Gruaja i tha: “Omeri mos pastë asnjë mirësi prej meje.” Hazret Omeri e pyeti ploti habi: “Më vjen keq, por pse e thua kështu?” Ajo iu përgjigj: “Qëkur ai është bërë kalif, unë nuk kam marrë asnjë kokërr ndihmë prej tij deri më sot, as dinar e as dirhem.” Hazret Omeri r.a. tha: “Mjerë për ty, si mund të mësojë Omeri për gjendjen tënde, ndërkohë ti jeton në një vend kaq të largët e të thellë në pyll?” Ajo plakë e shkretë nuk dinte se personi përballë saj ishte vetë Omeri r.a.? Ajo i tha: “Subhanallah! Unë nuk besoj se dikush mund të bëhet sundimtar dhe ai të mos ketë haber se çfarë po ndodh para tij në perëndim dhe në lindje.” Fjalët e plakës mallëngjyen Omerin dhe ai me një zë ngashërues i tha vetes: “Mjerë për ty o Omer! Sa njerëz do të ngrenë padi kundër teje dhe të gjithë dinë për besimin më shumë se ti”. Pastaj Hazret Omeri r.a. i tha: “Sa kërkon prej tij si dëmshpërblim, për këtë padrejtësi ndaj teje, pasi dua ta shpëtoj Omerin nga xhehenemi?” Ajo tha: “Të mëshiroftë Zoti! Mos bëj shaka me mua”. Hazret Omeri r.a. i tha: “Jo, kjo nuk është shaka.” Ai vazhdoi të këmbëngulej për të ditur shumën e dëmshpërblimit dhe përfundimisht e bleu të drejtën e saj të padrejtësisë për 25 dinarë. Ndërsa po vijonte bisedë me plakën, u shfaqën Hazret Ali ibn Ebi Talibi dhe Hazret Abdullah bin Mesudi dhe thanë: “Es-selamo alejkum, o Emir el-Muminin!”

Plaka i vuri duart në kokë dhe tha: “O Zot na ruaj! Kam folur keq për prijësin e besimtarëve mu para tij?!” Por Emir el-Muminin i tha asaj: “Nuk ke faj, Allahu të mëshiroftë!” Pastaj ai kërkoi copë lëkure për të shkruar, por nuk e gjeti dot. Atëherë ai preu një copë nga këmisha që kishte veshur dhe shkroi: “Në emër të Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëbërësit. Ky është shkrim me anë të cilit Omeri e ka marrë të drejtën e kësaj gruaje si të shtypur për 25 dinarë, meqë ai ka në krye të udhëheqjes. Nëse kjo grua ngre padinë para Zotit, Omeri është i përjashtuar prej tij. Ali ibn Ebi Talibi dhe Abdullah ibn Mesudi janë dëshmitarë mbi këtë çështje. Më pas ai i dha këtë shkrim Hazret Aliut r.a. dhe tha: “Nëse do të largohem nga kjo botë para teje, vendose atë në qefinin tim.

Kritere për martesën e fëmijëve

Njerëzit përcaktojnë kushte dhe kritere të ndryshme kur kërkojnë një partner të përshtatshëm për fëmijët e tyre. Në ditët e sotme shohim që kemi kërkesa shumë të larta. Cili ishte kriteri i Hazret Omerit r.a.? Në lidhje me këtë çështje, kemi një rrëfim. Hazret Eslemi, një ish-skllav që fitoi lirinë përmes Hazret Omerit r.a., përcjell këtë ngjarje. Ai tregon: “Një natë isha duke shëtitur me Hazret Omerin r.a. në periferi të Medinës. Për të pushuar për një çast, Hazret Omeri r.a. u ndal dhe u mbështet në një mur. Ishte muri i një shtëpie dhe Hazret Omeri u ul pranë tij duke u mbështetur në të. Brenda në shtëpi, një plakë po i thoshte vajzës së saj për t’i shtënë ujë qumështit. Vajza u përgjigj: “A nuk e dini se lajmëtari i kalifit ka thirrur që t’i mos shtiem ujë qumështit. E ëma u përgjigj se as Kalifi dhe as lajmëtari nuk ishin atje. Vajza i tha: “Pasha Zotin! Nuk është e drejtë që ne t’i bindemi Kailfit kur është i pranishëm, dhe të tregojmë mosbindje në mungesë të tij.” Kur Hazret Omeri r.a. dëgjoi këtë bisedë, ai u kënaq shumë. Ai i tha shoqëruesit të tij: “O Eslem! Vëri një shenjë kësaj shtëpie!” Pra, që t’i bënte një shenjë derës së shtëpisë. Të nesërmen Hazret Omeri r.a. dërgoi dikë (në atë familje) dhe i kërkoi dorën e vajzës për djalin e tij Asimin dhe lidhi martesën e tyre. Duke pasur parasysh dashurinë e kësaj vajze për të vërtetën, ai vendosi të martonte djalin e tij me të. Asimi kishte një vajzë prej saj. Hazret Omer ibn Abdil Azizi ishte nga pasardhësit e kësaj martese.”

Dëmshpërblim për një veprim të papërfillshëm

Selema ka përcjellë se “Një herë po kaloja në pazar dhe pashë Hazret Omerin r.a. i cili gjithashtu kishte dalë atje për një punë. Ai kishte një kamxhik në dorë dhe më ra lehtë dhe tha: “O Seleme! Ec që të mos bllokohet rruga.” Kamxhiku më ra në pjesën anësore të këmishës. Unë hapa rrugën dhe nuk i thashë asgjë. Kaloi një vit pas kësaj ngjarjeje, kur e takova përsëri Hazret Omerin r.a. në pazar. Ai më tha: ‘O Seleme! A po planifikon të bësh haxh këtë vit?“ Unë i thashë: “Po, o Emir el-Muminin!” Pastaj Hazret Omeri r.a. më kapi për dore dhe e shoqërova deri në shtëpinë e tij. Aty më dha 600 dirhamë nga një thes dhe tha: ‘O Seleme, përdore këtë për nevojat e tua dhe është dëmshpërlblim për kamxhikun që të kisha rënë një vit më parë”. Selema i kishte thënë: ‘Pasha Zotin! O Emir el-Muminin! Unë e kisha harruar fare këtë ngjarje dhe sot më keni kujtuar prapë”.

Mbikëqyrja e çmimeve të tregut dhe ndalimi i konkurrencës së padrejtë

Hazret Omeri r.a. gjithashtu vëzhgonte çmimet e tregut dhe siguronte që ato të ishin të tillë që të mos cenohen të drejtat e qytetarëve. Për këtë çështje, Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka thënë:

“Një nga parimet kryesore në çështjen e shitblerjes është drejtësia dhe transparenca. Ne shohim që Islami nuk e ka lënë pas dore këtë të drejtë themelore. Islami ndalon ngritjen e padrejtë të çmimit në treg dhe shitjen e mallrave në çmime të larta. Në të njëjtën mënyrë, Islami e ka ndaluar uljen e çmimit për t’i dëmtuar shitësit e tjerë ose për të krijuar një mjedis jo konkurrues. Kjo qasje është e zakonshme në tregun e lirë. Njëherë një tregtar erdhi në Medine dhe ai po shiste rrush me një çmim që tregtarët e tjerë nuk mund ta përballonin. Kur Hazret Omeri r.a. kaloi pranë tij, ai e qortoi, sepse ai po u sillte dëm tregtarëve të tjerë. Shkurt, Islami e ka ndaluar rritjen e çmimit të mallrave dhe gjithashtu uljen drastike të çmimit të tregut, në mënyrë që të mos dëmtohen as tregtarët dhe as blerësit.

Amiri ka përcjellë se një person shkoi te Hazret Omeri r.a. dhe tha: Kam një vajzë të cilën në kohën e injorancës (periudha para-islame) kishin tentuar të varrosnin për së gjalli, por unë e shpëtova nga vdekja, dhe e rrita dhe e edukova. Pastaj, ajo pranoi Islamin, por bëri një shkelje, e cila ishte dënueshme sipas ligjit të Islamit. Në këtë gjendje, ajo mori një thikë për të vrarë veten. E kapa ndërsa ajo kishte prerë disa nga venat e saj. E mjekova dhe u kujdesa për të, derisa ajo u shërua plotësisht. Ajo tregoi pendim të sinqertë dhe kërkoi falje nga Zoti. O Emir el-Muminin! Tani njerëzit më çojnë mesazh për fejesë me të. Pra, personat që dëshirojnë të martohen, po më kontaktojnë. A duhet t’i njoftoj këta njerëz për jetën e saj të mëparshme dhe çfarë ka ngjarë me të? Si jetonte ajo më parë? Çfarë ka ndodhur me të dhe çfarë ka bërë ajo ndaj vetes?” Hazret Omeri r.a. i tha atij: “Allahu i ka mbuluar të metat dhe ti dëshiron t’i përhapësh ato botërisht? Pasha Zotin! Po njoftove dikë për çështjen e saj, unë do të sillem me ty në një mënyrë se do të mbetesh një shembull për të gjithë banorët e qytetit. Martoje atë siç i ka hije një gruaje të dëlirë dhe harroje atë që ka ndodhur më parë.”

Murtaja në Emvas dhe brengosja e tij për të shpëtuar jetë-njerëzish

Në lidhje me rënien e murtajës në Emvas dhe brengosjen e Hazret Omerit r.a. për jetën e bashkëqytetarëve, është përmendur si në vijim: Në rrugën nga Ramla për në Jerusalem, në kilometrin e 9-të është një luginë e quajtur Emvas. Librat e historisë thonë se në fillim murtaja kishte rënë këtu e pastaj ishte përhapur në të gjithë Sirinë. Për këtë arsye, e quajnë murtajën Emvas. Si rrjedhojë, në Siri murtaja shkaktoi viktima të panumërta. Sipas disave, numri i vdekjeve ishte deri në 25,000.

Në vitin e 17-të të hixhretit, Hazret Omeri r.a. u nis nga Medina për në Siri. Kur ai mbërriti në Sargh, zhvilloi një takim me gjeneralët e ushtrisë. Sargh është një fshat i vogël i Tabukut në zonën kufitare të Hixhazit dhe Sirisë. Hazret Omeri r.a. u informua se kishte rënë flama në Emvas. Pas mbledhjes së këshillit dhe konsultimit me muslimanët, ai vendosi të kthehej në Medinë. Kjo ngjarje është përshkruar më hollësisht në një rrëfim të Sahih Buhariut.

Këtë ngjarje, të cilën e kam përmendur edhe më parë, është përcjellë nga Hazret Abdullah ibn Abasi. Ai ka thënë: Kur Hazret Omeri r.a. mbërriti në Sargh, ai takoi udhëheqësin ushtarak Hazret Ebu Ubejda dhe oficerët e tjerë. Ata e njoftuan për shpërthimin e murtajës në Siri. Hazret Omeri thirri menjëherë mbledhjen e këshillit, ku merrnin pjesë muhaxhirët e parë. Ai u kërkoi mendimin, por muhaxhirët nuk ishin pajtuar me njëri-tjetrin. Disa ishin të mendimit se muslimanët nuk duhej të tërhiqeshin. Të tjerët thanë se meqë në atë ushtri gjendeshin dhe sahabët e Profetit të Shenjtë s.a.v.s. dhe nuk ishte e udhës që ata të viheshin në rrezikun e flamës. Hazret Omeri i falënderoi muhaxhirët dhe i përcolli ata, pastaj i thirri ensarët. Ai u kërkoi mendimin edhe atyre. Por si muhaxhirët, edhe ensarët kishin mosmarrëveshje të thella midis tyre. Hazret Omeri r.a. i përcolli ensarët dhe thirri pleqtë Kurejshë të cilët kishin pranuar Islamin në kohën e fitores së Mekës, dhe jetonin në Medine. Ata erdhën dhe u shprehën njëzëri që ushtarët muslimanë duhet të ktheheshin në Medinë dhe të mos hynin në zonën e epidemisë.

Përfundimisht pas konsultimit, Hazret Omeri r.a. i njoftoi njerëzit se ata do të ktheheshin. Në këtë rast Hazret Ebu Ubejda shtroi një pyetje: A mund t’i ikim caktimit të Allahut? Hazret Omeri r.a. iu përgjigj: O Ebu Ubejde! Sikur të kishte shtruar këtë pyetje dikush tjetër përveç teje. Po, ne i largohemi caktimit të Allahut, ndërsa i afrohemi sërish caktimit tjetër të Allahut. Të zëmë, keni deve, të cilat i shtini në një luginë, e cila ka dy anë: një anë është e gjelbër dhe ana tjetër e shkretë e pa gjallëri. Nëse i ngisni devetë drejt kullotës dhe zbrisni në anën e gjelbër të luginës që të kullosin në vendin më të mirë,  jeni brenda caktimit të Allahut, por nëse i shtyni ato në vend të thatë dhe të shkretë, jeni sërish brenda caktimit të Tij.

Përcjellësi i këtij hadithi tregon se në atë çast hyri Hazret Abdurrahman ibn Aufi, i cili deri tani ishte i zënë në disa punë dhe nuk kishte mundur të vinte. Ai tha: “Unë jam në dijeni për zgjidhjen e këtij problemi. Kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: Mos shkoni drejt vendit, për të cilin keni dëgjuar se aty ka shpërthyer një epidemi. Por, nëse ju jetoni në një vend ku ka shpërthyer sëmundja, ju nuk duhet të largoheni nga ky vend.” Pas kësaj, Hazret Omeri r.a. falënderoi Zotin dhe u kthye në Medinë.

Hazret Omeri ishte nisur nga Medina dhe ende nuk kishte mbërritur në vatrën e epidemisë, prandaj u kthye bashkë me shokët e tij. Por duke qenë se Hazret Ebu Ubejda r.a. ishte udhëheqësi ushtarak dhe kishte qenë qysh nga fillimi në vatrën e sëmundjes, ai dhe trupat ushtarake qëndruan atje. Ndonëse Hazret Omeri r.a. kishte mbërritur në Medine, ai merakosej për muslimanët e Sirisë dhe mendonte se si ata mund t’i shpëtojnë murtajës. Mbi të gjitha, Hazret Omerit i dhimbsej Hazret Ebu Ubejda r.a..

Një ditë Hazret Omeri r.a. i shkroi një letër Hazret Ebu Ubejdes se i duhej të diskutonte një çështje të rëndësishme me të, andaj sapo të lexonte letrën, ai të nisej menjëherë për në Medine. Ai gjithashtu kishte porositur që nëse letra i mbërrinte natën, ai nuk duhet të priste për mëngjesin dhe nëse letra i mbërrinte në mëngjes, ai nuk duhet të priste natën. Kjo ishte dashuria e Hazret Omerit r.a. që ai ushqente për Hazret Ebu Ubejden. Kur Hazret Ebu Ubejde e lexoi letrën, ai tha: “Unë ia di hallin Prijësit të besimtarëve. Allahu e mëshiroftë Hazret Omerin! Ai dëshiron ta ruajë atë që nuk ka për t’u mbetur.” Pra, Hazret Ebu Ubejda mendoi se Zoti e di më mirë se çfarë do të ndodhë me të. Si përgjigje e kësaj letre, Hazret Ebu Ubejde shkroi: O Emir ul-Muminin! E kuptova qëllimin tuaj, por ju lutem, mos më thirrni. Më lini këtu sepse jam vetëm një ushtar i thjeshtë nga ushtria muslimane. Ajo që është e paracaktuar do të ndodhë domosdoshmërisht. Si mund t’u shmangem njerëzve të mi?”

Hazret Omeri lexoi letrën, dhe nuk mundi t’i mbante lotët. Njerëzit rreth tij, e pyetën: “O Emir ul-Muminin! A ka vdekur Hazret Ebu Ubejda?” Ai tha: “Jo, por ndoshta do të vdesë.” Pas një takimi me këshilltarët, Hazret Omeri r.a. i shkroi Hazret Ebu Ubejdes: “Ju i keni çuar ushtarët në lugina të thella, tani shkoni në vendet malore, ku ka edhe ajër të pastër”. Hazret Ebu Ubejde ishte ende duke menduar për zbatimin e këtij urdhri kur e zuri murtaja dhe si pasojë ai ndërroi jetë.

Hazret Ebu Ubejda kishte caktuar Hazret Mu’adh ibn Xhebelin si pasardhësin e tij, por edhe ai u kap nga murtaja dhe ndërroi jetë. Hazret Mua’dhi kishte emëruar Hazret ‘Amr ibn Asin si zëvendësi i tij. Ai mbajti një fjalim dhe tha: “Kur shpërthen murtaja, ajo përhapet si zjarr. Shkoni në male dhe shpëtoni jetën tuaj.” Ai i mori ushtarët që andej dhe u strehua nëpër male derisa u dobësua vala e murtajës. Dalëngadalë u shkëput fuqia e murtajës dhe më pas u zhduk plotësisht.

Kur Hazret Omeri r.a. mësoi për fjalimin e Hazret Amr ibn el-Asit, ai jo vetëm që e vlerësoi këtë, madje veprimin e tij, e quajti zbatim të urdhrit që ai i kishte dërguar më parë Hazret Ebu Ubejdes r.a.. Përveç Hazret Ebu Ubejda ibn el-Xherrahu, nga kjo flamë kishin ndërruar jetë edhe Hazret Mu’adh ibn Xhebeli, Hazret Jezid ibn Sufjani, Hazret Harith ibn Hishami, Hazret Suhejl ibn Amri dhe Hazret Utba ibn Suhejli dhe sahabë të tjerë të nderuar.

Duke përmendur kthimin e murtajës nga Emvasi, Hazret Musleh el-Mo’udi ka thënë: Kur pati luftë në Siri dhe ishte përhapur murtaja në vend, Hazret Omeri r.a. shkoi atje me mendimin e njerëzve, që t’u jepte një zgjidhje të drejtë për mbrojtjen e ushtrisë muslimane. Megjithatë, kur u përhap sëmundja me shpejtësi, sahabët e këshilluan Hazret Omerin r.a. se nuk ishte i arsyeshëm që ai të qëndronte atje në ato rrethana, madje duhet të kthehej menjëherë në Medinë. Kur ai mori vendimin për t’u kthyer, Hazret Ebu Ubejda i tha:

أفِرَارًا مِن قَدَرِ اللَّهِ؟

 “A po i shmangeni caktimit të Allahut?” Hazret Omeri r.a.) iu përgjigj menjëherë:

نَعَمْ نَفِرُّ مِن قَدَرِ اللَّهِ إلى قَدَرِ اللَّهِ

“Po, ne po ikim nga një caktim i Allahut drejt caktimit tjetër të Allahut”. Pra, nuk lejohet të injorohen plotësisht mjetet e kësaj bote, ama këto mjete duhet t’i nënshtrohen gjithmonë besimit”.

Pranimi i lutjes

Ka disa rrëfime rreth pranimit të lutjeve të Hazret Omerit (r.a). Hazret Havaz ibn Xhubejri r.a. përcjell se në kohën e kalifatit të Hazret Omerit, njerëzit u përballën me një thatësirë të madhe. Një ditë, Hazret Omeri r.a. doli bashkë me njerëzit e tjerë dhe drejtoi namazin e Istiskasë (namaz për të kërkuar shi). Pas faljes së dy rekateve, ai vuri mantelin mbi të dy supet, pra e vuri anën e djathtë të çarçafit mbi supin e majtë, ndërsa anën e majtë të çarçafit mbi supin e djathtë. Pastaj ngriti duart për lutje dhe tha:

اللهم إنا نستغفرك و نستسقيك

“O Allah! Të kërkojmë falje prej teje dhe të lutemi për shi.” Ai sapo e kishte falur namazin dhe ende nuk ishte larguar nga vendi i tij, kur filloi të binte shi.

Transmetuesi thotë: “Fshatarët tanë erdhën te Hazret Omeri r.a. dhe i thanë: “O Emir el-Muminin, filan ditë e në filan orë, ne ishim duke punuar në luginën tonë, dhe papritmas qielli u mbush me re dhe ne dëgjuam një zë prej tyre. ‘Ju ka ardhur shiu i Ebu Hafsit. Ju ka ardhur shiu i Ebu Hafsit.”

Rrjedha e lumit “Nil” dhe asgjësimi i një zakoni besëtytnor

Në histori përmendet gjithashtu një ngjarje e pranimit të lutjeve të tij në lidhje me rrjedhën e lumit Nil. Në atë kohë, kur thahej Nili, banorët e vendit para ardhjes së Islamit kishin një zakon, që ata praktikonin për të bërë që uji të rrjedhë sërish. A me të vërtetë kjo traditë kishte ndonjë efekt apo jo, këtë e di vetëm Allahu. Megjithatë, Islami i dha fund këtij zakoni të vjetër. Si u asgjësua ky zakon, këtë e gjejmë në histori si në vijim:

Kejs ibn Hixhaxhi ka përcjellë se kur muslimanët e sunduan Egjiptin, banorët e vendit erdhën te Hazret ‘Amr ibn Asi një ditë dhe i thanë: “O Emir! Kemi një zakon të moçëm për lumin tonë Nil. Derisa nuk e kryejmë traditën, nuk rrjedh uji në të.” Hazret ‘Amri pyeti: “Çfarë është ky zakon?” Ata iu përgjigjën: “Kur kalojnë 11 netë të këtij muaji, ne shkojmë te një vajzë e virgjër, në praninë e prindërve të saj. Pastaj, ne mundohemi t’ia bindim prindërit, për ta zbukuruar atë me veshjet dhe stolitë më të mira. Pastaj e hedhim në shtratin e lumit.” Kur dëgjoi këto fjalë, Hazret Amri u tha prerazi: “Në Islam një gjë e tillë nuk do të ndodhë kurrsesi. Islami u jep fund të gjitha riteve dhe dokeve të tilla që kanë ekzistuar përpara.”

Kështu ata pritën, por shtrati i lumit ishte i thatë dhe Nili nuk mbante asnjë pikë uji dhe njerëzit vendosën të largoheshin nga vendi. Ata gjithmonë e kishin ndjekur këtë zakon. Tani kishte ardhur një kohë e tillë mbi Nil që shtrati i ishte krejtësisht i thatë. Kur Hazret Amri e pa gjendje, ai i shkroi Hazret Omerit r.a. dhe e njoftoi nga situata. Hazret Omeri r.a. e shkroi Hazret Amr ibn el-Asit si përgjigje se: “Atë që u keni thënë është plotësisht e vërtetë. Sigurisht që Islami u jep fund zakoneve dhe traditave të tilla besëtytnore që kanë ekzistuar para tij.” Bashkë me letrën, ai kishte dërguar një shënim të vogël. Hazret Omeri r.a. e kishte porositur Hazret Amrin për ta hedhur atë letër në shtratin e Nilit. Kështu kur Hazret Amri e hapi letrën, ai gjeti gjithashtu këtë shënim dhe porosinë e Hazret Omerit se: “Sigurisht që të kam dërguar një shënim në letrën time, hidhe këtë në shtratin e Nilit.”

Kur Hazret Amr ibn Asi, mori këtë letër, ai e nxori dhe shënimin që mbante këto fjalë: “Nga Robi i Allahut Omer ibn Hatabi, prijësi i besimtarëve, drejtuar lumit Nil të Egjiptit. O lumë! Nëse ti rrjedh me vullnetin dhe dëshirën tënde, ndalu së rrjedhuri. Por nëse të drejton Allahu dhe Ai të bën të rrjedhësh, i lutem Allahut të Vetëm dhe të Plotfuqishëm që të të urdhërojë të rrjedhësh.” Hazret Amri e hodhi këtë shënim në Nil një ditë para festës së Kryqit. Të nesërmen, në të gdhirë, Allahu bëri që brenda një nate, Nili nisi të rridhte sërish me një thellësi gati 16 krahë. Kështu Allahu asgjësoi këtë zakon të mbetur të popullit egjiptian. Këtë ngjarje e ka përmendur dhe vërtetuar një sërë librash historie. Por biografi i Hazret Omerit (ra), Muhamed Hussejn Hejkali, ka përjashtuar këtë ngjarje duke shkruar që një ritual i tillë nuk ka ekzistuar kurrë në Egjipt.

Hazret Sarija dëgjon zërin e Hazret Omerit gjatë luftës në Siri

Ngjarja e Hazret Sarijes, ai kur kishte dëgjuar zërin e Hazret Omerit r.a. gjatë një momenti delikat të luftës, në Siri, është përmendur edhe më parë. Unë e përmend atë sërish këtu në aspektin e pranimit të lutjeve dhe sepse ajo tregon një raport të veçantë me Allahun xh.sh. Në historinë e Tabariut thuhet se Hazret Omeri r.a. e dërgoi Hazret Saarijah ibn Zunejmin në zonat e Fasa dhe Darabaxhird. Pas mbërritjes, Hazret Sarija i vuri një rrethim ushtarak popullit vendas. Për t’u mbrojtur nga sulmi, populli u bëri thirrje aleatëve të tyre. Kështu u mblodhën grupet aleate kundër ushtrisë muslimane në shkretëtirë dhe kur ata u bënë një grumbull i madh ushtarësh, ata i rrethuan muslimanët nga të gjitha anët.

Në anën tjetër, Hazret Omeri r.a. ndodhej në Medinë dhe në atë çast, ai po mbante hutben e së xhumasë. Ai papritmas lëshoi thirrje:

يا ساريه بن زينم! ألجبل ألجبل

“O Sarije ibn Zunejm! Te mali, te mali”. Pranë vendit ku gjendej ushtria muslimane ishte një mal. Nëse ata do të pozicionoheshin atje, armiku nuk do të kishte më mundësi për të sulmuar, por vetëm nga njëra anë. Kështu ata iu drejtuan malit dhe më pas luftuan me trimëri. Muslimanët në fund jo vetëm që arritën të thyenin sulmin e armikut por shënuan një fitore dhe fituan plaçkat e luftës, të lëna nga ushtarët kundërshtarë.

Mesihu i Premtuar (a.s.) gjithashtu ka përmendur këtë ngjarje, dhe ka thënë se mrekullitë e tilla kanë ndodhur shpesh edhe me sahabët. Unë e kam cituar këtë fragment të plotë të Mesihut të Premtuar (a.s.) në hutben time të mëparshme. Nëse e këqyrim ngjarjen e lumit Nil, nuk ka aspak çudi që ajo të jetë e vërtetë, edhe pse disa historianë e konsiderojnë të pavërtetë.

Kapela e Hazret Omerit dhe Perandori Romak

Gjejmë një rast të bekimit të kapelës së Hazret Omerit dhe të perandorit romak. Hazret Musleh el-Mo’udi r.a. ka përmendur se njëherë në kohën e Hazret Omerit r.a., perandori kishte dhimbje shumë të forta dhe përkundër çdo trajtimi ai nuk gjente qetësi. Dikush i tha që t’i shkruante Hazret Omerit r.a. gjendjen e tij dhe t’i kërkonte diçka si teberruk [dhuratë e bekuar]. Pra, jo vetëm që ai do të lutej për të, por gjithashtu do t’i dërgonte diçka si bekim dhe kështu ai patjetër do të shërohej. Perandori dërgoi përfaqësuesin e tij te Hazret Omeri r.a.. Hazret Omeri r.a. mendoi se këta janë njerëz mendjemëdhenj. Ai nuk do të kishte ardhur kurrë tek ai, por tani që e ka pllakosur dhimbja, prandaj ka nisur ministrin e tij. Ai mendoi që nëse do t’i dërgonte diçka tjetër si bekim, ka mundësi që ai të mos e përdorë duke shprehur mospërfillje ndaj saj. Ai vendosi t’i dërgonte atij diçka që mund të funksiononte edhe për bekim, por njëherazi t’i mposhte arrogancën.” Kështu ai i dërgoi atij një nga kapelat e tij të vjetra, e cila ishte e njollosur nga përdorimi i gjatë dhe kishte marrë ngjyrë të errët. Kur ai e pa këtë kapelë, mbreti shprehu mospërfillje dhe nuk e vuri në kokë. Por Allahu i Plotfuqishëm donte t’i tregonte atij se shërimi do t’i vinte vetëm nëpërmjet Profetit të Shenjtë Muhammed s.a.v.s.. Dhimbja e kokës ishte kaq e tmerrshme saqë ai u tha shërbëtorëve të tij: Më sillni kapelën që Omeri më ka dërguar për të vënë në kokë. Kështu më në fund, ai vuri kapelën dhe dhimbja iu zhduk. Meqenëse pas çdo 8-10 ditësh e godiste dhimbja e kokës, iu bë zakon që sa herë që ulej në fron, të vinte në kokë kapelën e ndyrë të Hazret Omerit r.a..

Hazret Musleh el-Mo’udi  r.a. ka thënë se shenja që Allahu i Plotfuqishëm i tregoi atij përmbante edhe një mesazh tjetër. Një nga sahabët e Profetit s.a.v.s. ishte burgosur me urdhrin e perandorit madje, ai kishte thënë që t’i jepej mish derri për të ngrënë. Ai rrinte pabukë, por nuk i afrohej kurrë mishit të derrit. [Edhe pse Islami e lejon ngrënien e mishit të derrit nëse nuk ekziston ndonjë mundësi tjetër për t’u mbijetuar]. Por ai sahab i tha: “Unë jam pasuesi i Muhammedit s.a.v.s, dhe kurrë nuk do ta bëj këtë”. Kur, bëhej një skelet i gjallë nga mosushqimi për ditë të tëra, perandori lejonte t’i jepej bukë. Por sa i kthehej fuqia, ai përsëri i jepte mish derri. Kështu që ai nuk e linte as të vdiste dhe as të jetonte.

Dikush i kishte thënë mbretit se ai kishte atë dhimbje koke pasi e kishte burgosur atë musliman. Madje i tha: “I vetmi shërim kundër kësaj sëmundjeje është që t’i kërkoni Omerit të lutet për ju dhe t’i kërkoni atij diçka për bekim.” Kur Hazret Omeri r.a. ia dërgoi kapelën dhe dhimbja iu largua, ai u gëzua aq shumë, saqë e liroi sahabiun.

Tani shikoni se si ai mbret e torturonte dhe e mundonte sahabiun, dhe Allahu i Madhërishëm i dha atij një dhimbje koke si ndëshkim. Pastaj, dikush e këshillon që të merrte një bekim nga Hazret Omeri dhe t’i kërkonte atij lutje që të shërohej. Hazret Omeri r.a. i dërgon bekimin dhe i qetësohet dhimbja e kokës. Kështu që Allahu i Madhëruar gjithashtu krijoi situatën për çlirimin e këtij sahabiu dhe i tregoi atij vërtetësinë e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s..

Në Tefsirin Razi [Komentimi i Kuranit nga Imam Raziu] është përmendur se mbreti i shkroi Hazret Omerit r.a.: “Kam një dhimbje koke të tmerrshme që nuk përmirësohet. Ju lutem, më dërgoni ndonjë ilaç”. Hazret Omeri r.a. i dërgoi një kapelë. Kur e vuri kapelën në kokë, dhimbja iu largua menjëherë, dhe sapo e hiqte, dhimbja i kthehej përsëri. Ky fakt e hutoi atë dhe ai kontrolloi kapelën dhe gjeti një shënim në të. Letra përmbante këto fjalë:

بِسْمِ اللهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ

“Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit”.

Disa nga lutjet e Hazret Omerit r.a.

Këto janë disa lutje nga Hazret Omeri r.a.:

  • ‘Amr ibn Mejmuni ka përcjellë se Hazret Omeri a. bënte lutjen vijuese:

اللَّهُمَّ تَوَفَّنِي مَعَ الْأَبْرَارِ ، وَلَا تُخَلِّفُنِي فِي الْأَشْرَارِ ، وَقِنِي عَذَابَ النَّارِ ، وَأَلْحِقْنِي بِالْأَخْيَارِ

“O Allah! Më lër të vdes me njerëzit e drejtë dhe mos më lër me njerëzit e këqij dhe më shpëto nga dënimi i zjarrit dhe bashkomëni me punëmirët.”

  • Jehja ibn Sa’id ibn Musejjebi përcjell se kur Hazret Omeri a. u kthye nga Mina [në lindje të qytetit të Mekës], ai e ndaloi devenë e tij në Ebtah, shtroi një sasi gurësh dhe mbështilli një batanije sipër tyre, dhe u shtri mbi të. Ai ngriti duart drejt qiellit dhe u lut:

أَللّٰهُمَّ قَدْ كَبُرَتْ سِنِّي، وَضَعُفَتْ قُوَّتِيْ، وَانْتَشِرَتْ رَعِيَتِي، وَاخْفِظْنِى إِليكَ غَيرَ مُزَيِّن وَلَا مُفَرِّت

O Allah! Kam arritur pleqërinë, fuqia më është dobësuar ndërkohë populli im është shtuar. Më jep vdekje, në mënyrë që mos jem në rrënim a humbje!”. Nuk kishte mbaruar as muaji Dhul-Hixhe kur iu bë sulmi dhe ai ra dëshmor.

  • Hazret Ibn Omeri a. tregon se gjatë ditëve të thatësirës, Hazret Omeri r.a. filloi të bënte diçka të re që nuk e kishte bërë më parë. Pas namazit të jacisë, ai shkonte në shtëpi dhe falte namazin deri në orët e vona të natës. Pastaj dilte nga shtëpia dhe shëtitej në periferi të Medinës. Një ditë, në agim, e dëgjova duke u lutur:

اللَّهُمَّ لاَ تَجْعَلْ هَلاَكَ أُمَّةِ مُحَمَّدٍ عَلَى يَدَيَّ

“O Allah! Mos e lejo ummetin e Muhammedit s.a.v.s. të rrënohet nga duart e mia”.

  • Hazret Kalifi i Parë i Mesihut të Premtuar a. ka thënë: “Njeriu duhet të adhurojë Zotin sinqerisht, pavarësisht nëse të tjerët e shohin si njeri të mirë apo të keq, ai nuk duhet të shqetësohet për këtë. Kjo lutje e të Dërguarit të Allahut s.a.v.s. gjithashtu tregon se prishja e qëllimshme e pamjes së jashtme është e gabuar dhe këtë lutje ai i kishte mësuar Hazret Omerit r.a.:

اللَّهُمَّ اجْعَلْ سَرِيرَتِي خَيْرًا مِنْ عَلاَنِيَتِي وَاجْعَلْ عَلاَنِيَتِي صَالِحَةً

O Allah! Bëje fshehtësinë time më të mirë se të dukshmen time dhe përmirësoje të dukshmen time.”

Etika e namazit dhe respekt ndaj xhamisë së Profetit

Në lidhje me etikën e namazit në xhaminë e Profetit s.a.v.s., Saib ibn Jezidi ka përcjellë: “Një herë isha duke qëndruar në xhami kur dikush më gjuajti me një guralec. Ngrita sytë dhe pashë se ishte Hazret Omer ibn Hattabi r.a.. “Ai tha, shko dhe më sill ata dy persona këtu.” Ishin dy persona që po flisnin me zë të lartë. I solla të dy. Hazret Omeri i pyeti: “Kush jeni ju?” ose tha: “Nga jeni ju?” Ata thanë: “Ne jemi prej banorëve të Taifit”. Atëherë Hazret Omeri tha: “Sikur të ishit banorë të këtij qyteti, do t’ju kisha ndëshkuar sepse po ngrini zërin në xhaminë e Profetit të Shenjtë s.a.v.s.”.

Drejtimi i rreshtave për namaz

Hazret Ibn Omeri r.a. përcjell: “Hazret Omeri r.a. kishte zakon që përderisa rreshtat nuk ishin të drejta, ai nuk thoshte Allahu Ekber [Allahu është më i madhi]. Madje, kishte caktuar një person i cili drejtonte rreshtat për falje.” Ebu Osman en-Nehdi ka thënë: “Kam parë që kur këndohej ikameti për namaz, Hazret Omeri r.a. kthente shpinën nga kibla dhe drejtonte fytyrën nga njerëzit, dhe thoshte: ‘O filan! Bëjë një hap përpara ose kthehu mbrapa.’ Kështu ai drejtonte rreshtat dhe thoshte “Mbani rreshtat tuaja drejt!” Kur rreshtat ishin të drejta, ai kthehej nga kibla dhe thoshte “Allahu Ekber.”

Sakrifica e pasurisë në rrugën e Allahut

Një rrëfim hedh dritë mbi aspektin e sakrificës materiale të Hazret Omerit r.a. si dhe për të shpenzuar për hir të Allahut – ka edhe shumë transmetime të tjera.

Hazret Ibn Omeri transmeton: “Hazret Omer ibn Hattabi r.a. bleu një tokë në Hajber dhe ai shkoi te i Dërguari i Allahut s.a.v.s. që t’i kërkonte këshillë për të. Ai tha: O Pejgamber i Allahut! Kam marrë tokë në Hajber. Unë mendoj se kurrë nuk kam marrë pronë më të mirë se kjo. Çfarë më këshilloni për këtë?” I Dërguari i Allahut s.a.v.s. tha: “Nëse dëshiron, mund ta përdorësh atë tokë si vakëf dhe të ardhurat e saj mund t’i shpenzosh për të varfrit.” Nafeu tha se Hazret Omeri r.a. më pas dhuroi atë truall si sadaka [dhurim], me kushtin që të as mos shitet, as t’i jepet dikujt si dhuratë dhe as t’u shpërndahet trashëgimtarëve. Hazret Omeri r.a. përdori pasurinë e asaj toke në dobi të nevojtarëve, të afërmve, për lirimin e skllevërve, në rrugën e Allahut dhe për mysafirët dhe udhëtarët. Ai gjithashtu kishte porositur se ai që e mbikëqyr këtë pronë dhe kujdesej për të, nuk kishte asnjë pengesë, nëse përdorte të ardhurat e tokës për veten dhe për t’i ushqyer të tjerët brenda normave por nuk i lejohej të grumbullojë pasuri. Sa herë që i jepej mundësia, Hazret Omeri r.a. përpiqej të shquhej në sakrifica.

Ishte gjithashtu një rast kur i Dërguari i Allahut s.a.v.s. bëri thirrje për sakrificën e pasurisë, dhe ai solli gjysmën e pasurisë së tij. Këtë ngjarje kam cituar edhe në të kaluarën. Mirëpo, ai i frikësohej Zotit aq shumë, saqë kur i erdhi momenti i fundit, sytë i derdhnin lot dhe ai thoshte: “Nuk meritoj asnjë shpërblim. E vetmja gjë që di është se dua të shpëtoj nga ndëshkimi”. E tillë ishte frika e tij ndaj Zotit.” Në çdo rast, ka ende disa histori që do të përmenden në të ardhmen.

Lexoni

Çlirimi i Egjiptit dhe e vërteta e djegies së Bibliotekës së Aleksandrisë
Udhëheqja shembullore e Hazret Omerit r.a. dhe dallimi i tij nga udhëheqësit e tjerë botërorë
Udhëheqja shembullore e Hazret Omer ibn el-Hattabit

Shpërndaje
Na kontaktoni ne Whatsapp :)
Shtypni këtu ju lutemWhatsApp